Aplikacion
Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare.
Carter jetoi më gjatë se çdo president në histori dhe festoi ditëlindjen e tij të 100-të në tetor.
Qendra Carter, e cila mbron demokracinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën, tha se ai vdiq të dielën pasdite në shtëpinë e tij në Plains, Georgia.
Demokrati shërbeu si president nga viti 1977 deri në 1981, një periudhë e përfshirë nga krizat ekonomike dhe diplomatike.
Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë me vlerësime jo shumë të mira, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare që i dha atij Çmimin Nobel për Paqe.
Carter ka lënë pas katër fëmijët e tij, 11 nipër e mbesa dhe 14 stërnipër.
Gruaja e tij, Rosalynn, me të cilën ai ishte i martuar për 77 vjet, vdiq në nëntor 2023.
Pse Rama është i dënuar ta mbrojë VeliajnNga Andi Bushati
Sa më shumë që Erion Veliaj po shpenzon kohë me kolegët e SPAK-ut, në dëm të qytetarëve të Tiranës, aq më e fortë po bëhet një dilemë që ka kapluar qarqet politike: ç’do të bëjë me të Edi Rama? Që pasi shpërtheu skandali i kompanisë 5D, kryeministri nuk e ka përgënjeshtruar kurrë deklaratën e bërë në fillim të prillit të këtij viti, kur tha se “Bashkohej fjalë dhe presje me qëndrimin e Erionit”.
Atëhere, pas arrestimit të drejtorëve të bashkisë, që u kapën duke vjedhur fondet e buxhetit për ti shpënë në kompaninë e tyre private, Veliaj pati hedhur tezën: nëse kryeministri nuk di gjë që vërtësit e tij, madje as që zëvendësi i vet akuzohet si hajdut, as unë nuk kam pse mbahem përgjegjës, po qe se ata poshtë meje, hanë kumblla dhe dardha pas shpinës sime.
Në këtë pikë, Rama e barabiti delfinin e dikurshëm me veten duke mbështetur alibinë se Tusha, Molla dhe Qato mund të kenë përvetësuar para publike, pa djeninë e atij që kishin mbi krye.
Po përse Rama i qëndron prej një viti këtij versioni dhe pse ai është i dënuar ta mbrojë me çdo çmim “Tiranën e Lalit”?
Kur ka qenë puna për skandale të tjera, mes të cilave shkëlqen ai i inceneratorëve, kryeministri është rekur të argumentojë se qëllimi i tij ka qenë i mirë, por ka pasur disa shokë të skuadrës që e kanë tradhëtuar atë rrugës. Ai është përpjekur të manipulojë se ia kanë futur, Arbën Ahmetaj që kishte një miqësi të vjetër me Mirel Mërtirin, Leftër Koka që ka dashur të kalojë para në llogarinë e tij personale, apo Alqi Bllako që ka siguruar paga të majme për të atin pensionist. Por ama, një logjikë e tillë nuk mund të funksionojë për Erionin. Pikë së pari se ai është sjellë gjatë gjithë kohës si lakeu par exellence i shefit. Të gjithë e dinin se ai qe zbatuesi më i pështirë i çdo urdhëri. Le të marrim për shembull rastin e inceneratorit të Tiranës. Në atë kohë grupi i strukturuar e kishte shmangur Arben Ahmetajn. Ky i fundit, siç del dhe nga dokumentet e SPAK, e kishte refuzuar këtë aventurë të re, madje i kishte kthyer mbrapsht propozimet e Veliajt. Pra nëse ai paskësh qenë “truri” dhe “nismëtari” qëllimkeq, pse projekti vazhdoi edhe kur atë e nxorën jashtë? Fare e thjeshtë, sepse urdhërat jepeshin nga Rama. Vetëm kjo fuqi madhore mund ta detyronte Veliajn të vinte firmë miratuese duke shkelur ligjin dhe marrë kompetencat e këshillit bashkiak. Vetëm ajo mund ta shndërronte atë nënshkrim me fuqi edhe për bashkitë e Kavajës, Vorës e Kamzës.
Pra, është e dukshme se Veliaj ka vepruar si ushtar. Kjo është e qartë edhe për ata që nuk duan ti hyjnë gjërave thellë. Mjaftojn të kujtojnë se si një kryebashkiak, që “de jure” ka autonomi nga shefi i ekzekutivit, merrte urdhra para kamerave, për të lyer që në pesë të mëngjesit shkallët e pista të një pallati, apo për të kapur me vrap lopën e një katundari. Që Rama e kishte nën kontroll të plotë Veliajn këtë e tregon edhe lista e përbashkët e bashkëpuntorëve të afërt. Shokët më të ngushtë të Lalit ishin ata që kryeministri mbante në paradhomë, çka tregon se mes tyre, më shumë sesa aleanca politike, funksiononte përkatësia e të qenit pjesë e të njëjtit klan. Servil deri në dhimbje dhe manipulator gjer në madhështi, për llogari të shefit, Lali, rekrutonte aktorë protestues të teatrit, që Rama vendosi të shembte, ai turrej të përçante ata që kundërshtonin prishjet abuzive të shtëpive dhe bizneseve, ai i sulej si qen i tërbuar FSHF-së, kur merrte urdhrin se partia duhet të politizonte dhe futbollin. Të gjithë e kuptonin se këto kosto, një pjesë të çmimit të të cilave po e paguan tani, Veliaj nuk i merrte me qef, por sepse pati vendosur ti shërbente me të gjitha mënyrat atij që njihte si padrino.
Edhe për skandalin e 5D, që në sipërfaqe mund të duket si i kurdisur pas shpinës së shefit, të gjithë socialistët e dinë se drejtorët e bashkisë ishin edhe krerët e shtabit elektoral të kryeqytetit. Rama që përditësphet rregullisht me matjet e opinionit, ka qenë gjatë gjithë kohës i ndërgjegjshëm se rezultatet zgjedhore të Tiranës, nuk mund të mbërriheshin kurrësiesi pa u vënë në punë makineria okulte e Veliajt, Qatos, Mollës, Tushes etj, të cilët mendonin vërtet së pari për vete, ama nuk e harronin kurrë nënën parti.
Gjithë sa u rendit më sipër i’a bën të pamundur Edi Ramës që të përsërisë edhe për Veliajn të njëjtën fabul: “Edhe ky ma futi pas shpine”. Me hir apo me pahir, mardhënia që ka ngritur me ish drejtuesin e Mjaftit dhe G 99 e ka dënuar atë që të jetë i detyruar ti’a mbrojë figurën dhe bilancin.
Thënë këtë, duhet pranuar se kjo zgjedhje politike e Ramës nuk e bën automatikisht të paprekshëm Veliajn. Nga mënyra se si po rrjedhin ngjarjet, duket sikur mëkatet vanitoze të bashkëshortes, fallciteti i një aureole artistike, ca dhjetra mijëra euro të harruar nëpër sirtarë, shkujdesa për grimcat që pikonin në llogari bankare, perversiteti për të mbajtur miq me të shkuar të errët, nuk është çudi ta bëjnë atë komshi provizor të ish drejtorëve të vet.
Por e gjitha kjo mund të mbetet në kuadrin veseve të vogla që bashkëjetonin me një personazh të lehtë dhe fluturak si Erioni. Për to mund ta paguajë personalisht njeriu. Ndërsa për Ramën, “fenomeni Veliaj”, atij të cilit i trashëgoi dashurinë e parë, Bashkinë e Tiranës, ai që shumëkush e shikonte si pasardhës, mbetet i paprekshëm. Jo se e do apo e çmon, por thjeshtë se i është bërë e papërdorshme alibia e tradhëtisë. Tashmë kjo gjë duket sheshit. E vetmja dilemë është nëse dhe SPAK do të ndjekë të njëjtën rrugë, duke hetuar veset e Erionit dhe jo Veliajn si ingranazh i një makinerie kriminale.
Kaos në Portin e Durrësit/ Qeveria i merr maltezëve menaxhimin e kontenierëve. Nis konfliktiQeveria ka vendosur të ndërpresë kontratën e ngarkim shkarkimit të kontenierëve në Portin e Durrësit duke i kërkuar kompanisë malteze Mariner Adriatic që të fillojë procedurën e dorëzimit.
Që nga viti 2021, terminali i kontenierëve është operuar nga Mariner, kundrejt një kontrate 5 vjeçare me kosto totale rreth 32 milionë euro, por që bazohej në volum. Për shkak të plotësimit të volumeve më shpejt se sa ishte parashikuar, kontrata ka mbërritur në fund.
Edhe pse marrëveshja fillestare linte hapësirë për shtesë të paktën me 20 për qind në rast të plotësimit të volumeve më shpejt se parashikimi, ministria e Infrastrukturës ka vendosur ta ndërpresë atë. Efekti SPAK.
Burime nga ministria i thanë Kapitalit se tashmë shërbimi i ngarkim shkarkimit të kontenierëve në Portin e Durrësit do të kryhet nga vetë Autoriteti Portual. Por edhe kjo zgjidhje do të jetë e përkohëshme, pasi me përfundimin e zgjedhjeve, terminali i kontenierëve do të jepet sërish me koncesion. Madje Autoriteti Portual dhe ministria kanë ngritur tashmë grupin e punës.
Sherr për paratë
Ndonëse ishte vetë qeveria që a afroi grupin maltez në vitin 2021 duke i dhënë praktikisht një koncesion të fshehtë për menaxhimin e terminalit të kontenierëve, tashmë mes palëve duket se ka shkëndija mosmarrëveshjesh. Kompania malteze pretendon se Autoriteti Portual i Durrësit nuk i ka shlyer të paktën 1.3 milionë euro fatura për shërbimin e kryer duke e njoftuar se nuk ka para.
Autoriteti, i cili deri pak kohë më parë kur drejtohej nga Pirro Vengu, pretendonte se do të ndërtonte me paratë e veta, portin e ri tregtar në Porto Romano, tani nuk ka para as për të paguar faturat për shërbimin e kontenierëve.
Por shkaqet e mosmarrëveshjeve duket se janë edhe më të thella. Terminali i kontenierëve është një nga koncesionet më fitimprurëse të Portit. Vitin e kaluar, Mariner fitoi 1.2 milionë euro pas taksave, ndërkohë që regjistroi një xhiro prej gati 10 milionë eurosh.
Biznesi fitimprurës duket se ka zgjuar orekset e grupeve të tjera të interesit, të cilat i kanë vënë syrin koncesionit dhe lëvizjet e para tashmë kanë filluar.
Pak kohë më parë, në portin e Durrësit u shit një tjetër koncesion. Ai i kalatës lindore, e cila ka ekskluzivitetin e ngarkim shkarkimit të mallrave rifuxho. I zotëruar prej vitesh nga gjermanët e EMS, në verën e këtij viti koncesioni u ble nga një kompani kroate e quajtur Scapha. Në këmbim, gjermanët tërhoqën padinë e tyre në arbitrazh ku kishin kërkuar 40 milionë euro nga qeveria shqiptare si kompesim për dëmet e shkaktuara nga dhënia e terreneve të portit tek kompania e Alabbar për ndërtimin e resortit turistik.
Koncesioni i mallrave rifuxho është një biznes jo fitimprurës. Dy vitet e fundit, kompania gjermane EMS regjistroi një humbje totale prej 1 milionë eurosh. Ndaj blerja e këtij koncesioni nga kroatët duket se kishte qëllim marrjen edhe të koncesionit të kontenierëve. Gjithsesi, ministria e Infrastrukturës ka vendosur që për kontenierët të hapë formalisht tender ndërkombëtar për dhënien me koncesion.
Por përtej luftës për të kapur kontratat fitimprurëse të Portit, vendimi i qeverisë shqiptare për të shkatërruar nyjen më të rëndësishme tregtare ka krijuar pasiguri të shumta, që nga shërbimi i mallrave rifuxho deri tek ai i kontenierëve. Një situatë, e cila rrezikon të dëmtojë jo pak qarkullimin tregtar të mallrave që Shqipëria kryen me botën duke ulur rëndësinë e Portit të Durrësit si nyje strategjike në përfitim të porteve rivale të fqinjëve.
Peshk, shegë e rrush, ushqimet fatsjellëse që s’duhet të mungojnë në darkën e Vitit të RiKonsumoni 12 kokrra rrush në mesnatën e ndërrimit të viteve. Kjo është një traditë spanjolle dhe portugeze, sipas së cilës, 12 kokrrat e rrushit simbolizojnë 12 muajt e vitit pasardhës dhe konsumimi i tyre në këtë ditë të veçantë sjellë mbarësi për çdo muaj të vitit që do të vijë.
Konsumoni ushqime në formë unaze në vaktin e mëngjesit, për shembull, petullat e ëmbla apo edhe kekun e pjekur në tavën karakteristike në formë rrethore dhe me hapësirë boshe në mes.
Ushqimi në këto forma përfaqëson ciklin e plotë të vitit, pra viti i ardhshëm do të jetë i plotë dhe i mbarë në çdo muaj apo stinë.
Mishi i derrit – Shumë njerëz mendojnë se mishi i derrit është ushqimi që sjell më shumë fat në krahasim me ushqimet e tjera, veçanërisht nëse konsumohet në natën e ndërrimit të viteve. Kjo për arsye se derrat janë të shëndoshë, gjë që simbolizon shëndet dhe begati. Ata gjithashtu kërkojnë ushqim me hundë duke ecur gjithmonë përpara, që përkthehet si progres. Mishin e derrit ju mund ta konsumoni në forma të ndryshme, si proshutë, salsiçe etj shkruan Shendeti.
Përplasni një kokërr shegë në dysheme – Në Greqi, në natën e vitit të ri vendasit plasin një shegë në derën kryesore të shtëpisë, kjo bëhet me qëllim që nga shega të dalin sa më shumë kokrra që të jetë e mundur, sepse kokrrat e saj simbolizojnë begatinë dhe mirëqenien.
Piqni peshk të pa copëtuar – Peshqit konsiderohen fatsjellës për tri arsye.
1-Luspat e tyre ngjasojnë me qindarkat, pra paratë.
2- Ata qëndrojnë në grupe, çka simbolizon unitet në familje.
3- Ata gjithmonë notojnë përpara, çka simbolizon progres.
Konsumoni makarona të gjata pa i thyer – Kjo është një traditë japoneze, sipas të cilës makaronat e gjata simbolizojnë jetën e gjatë dhe fatin, por vetëm nëse i hani pa i thyer në copa të vogla.
Konsumoni perime me ngjyrë të gjelbër, kjo për arsyen e thjeshtë se ato janë të ngjashme me paratë, dhe në disa kultura besohet se konsumimi i tyre sjell mbarësi.
Gatuani thjerrëza – Gjejeni me çfarë ngjajnë thjerrëzat? PARATË. Po, këto bishtajore të vogla konsiderohen fatsjellëse në Itali dhe Brazil, dhe thuhet se janë konsideruar të tilla edhe nga romakët.
Gatuani një kek dhe fusni një monedhë në të kur ta piqni – Edhe kjo është një traditë greke e cila kërkon që të gatuhet një kek me shije limoni i quajtur vasilopita, dhe kur të jetë gati për t’u pjekur në të të futet edhe një monedhë. Personi të cilit i qëllon monedha konsiderohet me fat dhe viti i ardhshëm do të jetë i mbarë për të.
Prapaskena e sherrit mes motrave Gixhari, çfarë ndodhi mes Oltës dhe Gertës!(Si u kris marrëdhënia)Gerta Gixhari është bërë pjesë e shtëpisë së “Big Brother”.
Gazetarja, e cila prej disa vitesh njihet në treg, është, gjithashtu, edhe motra e Olta Gixharit.
Që në kohën që aktorja ishte pjesë e formatit, para 2 viteve, raporti i dy motrave kishte shumë pikëpyetje.
Shkak për këtë u bë fillimisht mungesa e Gertës nëpër panele, e më pas fakti që dy vajzat nuk ndiqeshin.
Ndonëse raporti mes tyre dukej më mirë se kurrë, kur aktorja vendosi që të dilte nga shtëpia, duket se gjërat ende nuk janë sistemuar.
Mbrëmjen që Gerta hyri në shtëpinë e “Big Brother”, Olta nisi ta ndiqte në Instagramin e saj, pasi më herët aktorja nuk e kishte në listën e ndjekësve të motrën.

Nga ana tjetër të vetmin reagim të sajin, Olta e bëri vetëm 4 ditë pas nisjes së lojës.
“Kam qenë shumë e emocionuar këto 3 ditë. Kam lexuar me vëmendje çdo koment tuajin! Jam shumë e lumtur që po e pëlqeni dhe mbështesni Gertën! Uroj të jetë kështu deri në fund. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Faleminderit! Sot fillon loja!”, përfundon postimi.
Prej shumë kohësh përflitet krisja e raporteve të dy vajzave, që pas përfundimit të “Big Brother” të Oltës, duket se ka vijuar, deri në ditën që Greta është futur në lojë.
Shkaku i sherrit mes dy motrave nuk dihet, por ajo që dihet me siguri, është fakti se asnjëra pretë dyjave nuk ka preferuar që të flasë rreth arsyeve që i kanë çuar në këtë vendim.
Pak kohë më parë, më parë dy motrat kanë dhënë një intervistë në “Wake Up” së bashku ku kanë zbuluar se nuk e ndjekin njëra-tjetrën në Instagram.
“Zgjohem me Gertën, bashkë jemi kudo. Pse ta kem në Instagram”, tha Olta me shaka, çka do të thotë se fakti që nuk ndiqen në Instagram nuk nënkupton një grindje mes tyre. Në Fun Club “BBVIP”, Ardit Çuni ka pyetur Gerta Gixharin nëse flet apo jo me motrën e saj, kur aktorja ishte pjesë e “Big Brother”.
Pronat do të rivlerësohen pas zgjedhjeve, ç’duhet të dini
Pas shtyrjes për vitin e ardhshëm të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, burime nga Ministria e Financave bën të ditur se rivlerësimi i pasurive do të bëhet pas zgjedhjeve të 11 Majit.
Por për të arritur deri këtu, Ministria e Financave do të hedhë për konsultim publik çmimet e reja të referencave të banesave në të gjithë Shqipërinë
Këto çmime të reja të referencës pritet të përfundojnë në muajin Mars. Miratimi i çmimeve të reja të referencës do të përafrojnë vlerën e pronës me çmimin real të tregut. 60 bashkitë në vend kanë vetëm një çmim reference, sipas qyteteve për të gjitha banesat pavarësisht rëndësisë së zonave ku janë.
Ministria e Financave mësohet se po punon që çmimet e referencës të bëhen përmes një ndarje në zona kadastrale siç aktualisht funksionon në Tiranë.
Nëse një qytetar vendos të shesë sot pronën e tij do të paguajë 15% tatim për diferencën midis vlerës së regjistruar të pronës dhe vlerës me të cilën është shitur, kurse me rivlerësimin tatimi do të jetë më i ulët. Më herët kryeministri Edi Rama është shprehur për një tatim prej 5% por shifra përfundimtare ende nuk është vendosur.
“S’jam as i pari, as i fundit”, dashuria dhe ndarja me Sarën! Rrëfimi i Ledrit: Jemi ende shokëKëngëtari Ledri ishte i ftuari i radhës në E Diell ku rrëfeu mes emocionesh, ndarjen nga Sara Hoxha, me të cilën ka edhe një vajzë, Poem.
Si ka qenë eksperienca jote familjare?
Ledri: Eksperiencë shumë e bukur, deri tek lindja e Poit, nëse një ditë është më e veçanta, është lindja e Poit, vitet që kanë fluturu më shpejt.
Si mendon pse mund të vijë një ndarje?
Ledri: Nuk e di, ka gjëra të pashpjegueshme, ndodhin gjërat, jeta, s’jam as i pari, as i fundit, me rëndësi është si e vazhdon, kemi një raport shumë të mirë, jemi shokë ende me Sarën dhe gjithçka bëjmë për Poin, ajo qysh ka ardh deri aty as e kemi mendu, as e kemi fol me tregu drejt, por që ka ardh.
Si janë marrëdhëniet me vajzën?
Ledri: Me vajzën marrëdhënie të shkëlqyeshme, jam shumë i lumtur që jam në emision me ty, por mezi po pres me ik se e kam në Tiranë, me ik me e taku. Vij e marr në Tiranë, rri një javë, merremi vesh.
Berisha: Në bashki kanë nisur të thërrasinSali Berisha iu kundërpërgjigj Erion Veliajt, pasi kryetari i Bashkisë Tiranë reagoi në rrjetet sociale për akuzën e kreut të PD, se ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara.
“Për të kuptuar se ç’përfaqësojnë këta moralisht, u ftoj të lexoni reagimin që ka bërë Lal Vjedhësi sot ndaj kërkesës sime që në rast se ai nuk kthehet, Edi Rama të japë dorëheqjen. Kaq ishte kërkesa. Por ky është i shkonfiguruar, ky është i pakallur dhe kanë meritë të jashtëzakonshme qytetarët e Tiranës, që pikërisht në të 40-tat e tij, e kallën. E varën në shtyllën e turpit të mbarë Europës. Nuk ka sot një kryebashkiak që të jetë i bërë zift i zi si ai me vjedhjet që ka kryer”, tha Berisha.
“Atëherë, të deleguarit e tyre kudo që t’i shihni, do t’i gjuani me zezë, do t’i gjuani me domate. Hajdutë, nuk keni vend, shkoni në punën tuaj. Se po të shkoni tani në bashkinë e Tiranës, ua them unë ju, gjer para një muaj ata bënin rroftë Erion Veliaj, poshtë Edi Rama se donin ta shihnin Erin kryeministër se e dinin se do vidhnin edhe më shumë. Tani, poshtë Veliaj, rroftë Blendi Gonxhe. Gonxhe është një hajdut i paimagjinueshëm. Po, janë të sotme këto që u them”.
Çfarë ndodhi?
Të shtunën në mëngjes Berisha denoncoi atë që e quajti “arratisje” të Erion Veliajt, në SHBA. Në një deklaratë për mediat, kryetari I PD-së u shpreh se ky veprim i kryebashkiakut është arratisje nga drejtësia.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 për qind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.”
Sipas Berishës, ky akt i Veliajt është mbështetur nga Edi Rama, duke akuzuar se kryeministri ka influencuar që Veliaj të mos vendosej në masën e sigurisë të ndalimit për të dalë jashtë vendit, shkruan A2.
“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 për qind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë”, tha Berisha, përcjell A2.
Veliaj u përgjigj përmes një postimi të gjatë në Facebook. “O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, shkruan Veliaj në Facebook.
Më tej Veliaj sqaron se ai do të rikthehet në Shqipëri pas 48 orësh dhe shprehet se nuk i trembet drejtësisë dhe SPAK-ut, ndryshe nga çfarë ndodh në kampin blu.
Hetimi për Veliajn, SPAK reagon për A2 CNN: Ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale
Erion Veliaj u morë në pyetje të enjten nga prokurorët e SPAK ku në reagimin publik, Prokuroria e Posaçme tha ka të dhëna dhe për akuza për 4 katër vepra penale, edhe pse nuk e përmendte me emër kryebashkiakun.
Dyshimet e SPAK janë për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Më herët SPAK ushtroi kontrolle në shtëpinë e Veliajt, nërkohë që ky i fundit nuk ndodhej në Shqipëri dhe sekuestroi celularin e gruas së tij, Ajola Xoxës.
Fluks në Kakavijë për festa/ 6 mijë persona dhe tri mijë makina hynë brenda një diteNë pikëkalimin kufitar të Kakavijës vazhdon fluksi i lartë i qytetarëve në hyrje për në Shqipëri.
Kështu përgjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar në total 9500 shtetas nga të cilët 6300 në hyrje dhe 3200 në dalje.
Që prej mesit të dhjetorit kur nisi edhe fluksi i mbërritjeve për festat shpesh janë shënuar radhë në hyrje për shkak të numrit të kufizuar të sporteleve në anën greke të kufirit. Sot në Kakavije mbërriti për inspektimin e situatës edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda të cilët morën takime edhe me palën greke për të monitoruar situatën.
Ministri Hoxha tha se më parë kishte pasur një takim me ambasadoren e Greqisë në Shqipëri për të ndarë këtë problematike dhe se sipas tij situata është përmirësuar ndjeshëm.
”Vizituam pikën e kalimit kufitar Kakavije, në një inspektim pata mundësinë të takoj edhe drejtuesit e policisë greke me të cilët ndava disa shqetësime. Javën që kaloi kam patur një bisedë me ambasadoren greke për planin e masave për të përballuar fluksin e qytetarëve shqiptarë gjatë lëvizjes në pikat e kalimit kufitar
Konstatoj që masat janë marrë në të gjithë ndarjen dhe përballimin e fluksit, bashkë me drejtuesin e policisë greke vizituam edhe qendrën e koordinimit”
Ministri Hoxha nga Kakavija ka folur gjithashtu për pagat, shpërblimet dhe orët shtesë ende të papaguara për punonjësit e policisë së shtetit.
” Ministria e Brendshme ka bërë një propozim tërheqjen e kritereve dhe përjashtimit të policisë së shtetit sa i përket një kriteri që vitet e tjera nuk ka qenë i realizuar për shkak të buxhetit. Unë besoj se të hënën Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt vendimin të cilin ne kemi propozuar për dhënien e shpërblimeve”, tha Hoxha.
Ndërkaq në Kakavijë fluksi pritet të jetë i lartë deri të martën. Aktualisht të dy palët po punojnë me nga 5 sportele për të dy krahët e lëvizjes dje koha maksimale e pritjes në radhë ka qenë rreth 30 minuta. Që prej mesit të dhjetorit kanë hyrë në Shqipëri nga Kakavija më shumë se 80 mijë shtetas.
Përplasja e avionit që la 177 viktima, Koreja e Jugut shpall 7 ditë zi kombëtareAvioni i Jeju Air në Korenë e Jugut, i cili transportonte 181 persona, doli nga pista dhe u përplas me një mur dhe më pas shpërtheu në flakë.
Për pasojë 177 pasagjerë janë konfirmuar të vdekur, dy anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar, ndërsa dy të tjerë janë ende nën rrënoja.
Për këtë tragjedi, Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut Choi Sang-mok ka shpallur një javë zi kombëtare.
Viktima më e re e aksidentit tragjik ishte një djalë tre vjeçar, sipas një liste të pasagjerëve të parë nga mediat lokale.
Pesë nga të vrarët në aksident ishin fëmijë nën moshën 10 vjeç. Ndërsa pasagjeri më i madh ishte një burrë 78 vjeç.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë janë në zhvillim, por paraprakisht dyshohet se shkak është bërë përplasja me zogj, të cilët i kanë bërë të pamundur edhe funksionimin e sistemit të rrotave.
Ndërkohë autoritetet kanë mundur që të gjejnë dy kutitë e zeza si dhe të gjitha komunikimet brenda kabinës së avionit.