zoom

Day ArchiveShenjat e horoskopit që do të përballen me një janar të vështirë

Janari 2025 shënon fillimin e një prove nga universi për disa njerëz, për shkak të Marsit retrograd që krijon kushtet për një udhëtim me ulje ngritje.

Universi i teston këto shenja për të vendosur njëfarë stabiliteti. Hëna e Plotë në Gaforre më 13 janar do të na lejojë të reflektojmë se si të mbyllim disa kapituj.

Dashi

Ky është një muaj për reflektim dhe rimbushje. Sigurohuni që të planifikoni përpara dhe të frenoni impulsivitetin tuaj ndërsa Marsi kalon në Gaforre më 6 janar. Merri gjërat ngadalë. Hëna e Plotë në Gaforre më 13 janar ju ndihmon të planifikoni lëvizje të reja.

Sezoni i Ujorit fillon më 19 janar, duke ju ofruar pak ndihmë dhe duke rritur energjinë tuaj ndërsa merrni komandën e rretheve tuaja shoqërore.

Në përgjithësi, janari do të jetë një kohë e fillimeve të reja, por do të detyroheni të shikoni prapa për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime.

Luani

Energjia e opozitës Mars-Pluton që fillon në fillim të vitit të ri mund të ndihet rraskapitëse dhe konfrontuese. Marsi kthehet në retrogradë nga shenja juaj më 6 janar, gjë që mund t’ju bëjë të mos ndiheni rehat pasi ndiheni sikur po pengoheni të shpreheni.

Ju mund të preferoni t’i mbani të gjitha për vete. Sigurohuni që të kontaktoni me njerëzit që ju besoni gjatë kësaj kohe për t’u rimbushur dhe për të bërë diçka argëtuese së bashku.

Gjetja e rrugëve pozitive për t’ju ndihmuar të qetësoheni dhe të hiqni stresin do të funksionojë në favorin tuaj.

Peshorja

Viti fillon me Venusin te Peshqit, duke ju ndihmuar të zhvilloni dhe forconi përditshmërinë tuaj aktuale. Megjithatë, më 6 janar 2025, Marsi do të shkojë retrograde në shenjën e Gaforres, duke thyer kufijtë dhe duke formuar mënyrën se si i shihni qëllimet tuaja të karrierës në muajt e ardhshëm.

Tranziti do ta sheshojë shenjën tuaj, duke e bërë të fuqishme dhe duke ju detyruar të mbani mend rëndësinë e arritjes së ekuilibrit me shtëpinë dhe punën. Hëna e Plotë më 13 janar sjell njohuri dhe lëvizje për të strukturuar qëllimet tuaja aktuale.

Jeni gati për të ndërmarrë veprime me shumë më tepër njohuri. Por planifikoni hapat tuaj në përputhje me rrethanat dhe shikoni se si mund të përfitoni prej tyre.

Shqipëria preket nga murtaja e derrave. A ka rrezik për njerëzit?

Derrat e butë në Shqipëri janë infektuar nga murtaja.

Konfirmimin e dha Ministria e Bujqësisë, e cila njoftoi se janë identifikuar disa raste në një fermë në Lezhë.

Sipas ministrisë, vatra është karantinuar dhe po merren masa për të parandaluar përhapjen e murtajës te derrat e tjerë.

Ministria sqaron se kjo sëmundje nuk transmstohet te njerëzit që kanë kontakt me derrat.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të transparencës publike, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon qytetarët se në datën 25 Dhjetor 2024, nga veterineri zyrtar i shërbimit për Njësinë Administrative Shëngjin, është konstatuar se në fshatin Ishull – Lezhë tek fermeri Vitor Zef Jushi me kod ferme AL091919860492, me 71 krerë derra ka patur ngordhje në 8 krerë. Në datën 26 Dhjetor 2024 Shërbimi Veterinar i Sektorit të Lezhës ka shkuar në fermë dhe ka konstatuar ngordhjen edhe të 7 krerëve të tjerë. Menjëherë është kryer groposoja e kafshëve të ngordhura, disinfektimi i mjedisit, si dhe janë marrë kampione zyrtare (karkasë dhe organe), të cilat u dërguan në ISUV me fletë shoqërimi për dyshim të sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, sipas protokollit të përcaktuar.

Kampionet e dërguara nga kadavra të derrave të butë dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës – Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në datën 26.12.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.

Ferma e cila është vënë menjëherë në mbikqyrje veterinare ka qënë në zonën e survejancës 10 km me vatrën në malin e Rrencit. Është kontrolluar 3-herë gjatë periudhës se karantinës në datat 27.11.2024 dhe në datat 02.12.2024 dhe 09.12.2024, nga ku është konstatuar gjendje e mirë shëndetësore e kafshëve në fermë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me strukturat ligj-zbatuese kanë marrë masat dhe është në gadishmëri të cdo rasti për menaxhimin në kohë dhe pa vonesë të kufizimit për përhapjen e sëmundjes.
Ditën e sotme, në datë 27.12.2024 është mbajtur takimi i Qëndrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë në fuqi Urdhri nr.1131 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikanë në Derrat e butë”, në të cilin udhërohen masa shtesë për:
1. Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të derrave të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Bashkinë Lezhë.
2. Ndalimin në territorin e Bashkisë Lezhë të lëvizjes së derrave të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet, panairet dhe ekspozitat e kafshëve të gjalla.
3. Veterineri zyrtar me miratim të titullarit të DRVMB mund të autorizojë lëvizjet e derrave të mbarështuar nga fermat pa prani të sëmundjes, që ndodhen në zonën e mbrojtes direkt për në një thertore, e cila ndodhet sa më afër që të jetë e mundur me fermën e origjinës dhe brenda zonës së mbrojtjes, ose në zonën e mbikëqyrjes, kur nuk është e mundur që kafshët të theren në zonën e mbrojtjes.
4. Të kryhet inventarizimi dhe gjurmimi me teste laboratorike konfermatore për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, në Njësitë Administrative: Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll të Bashkisë Lezhë.
5. Të forcohet marrja e masave për kontrollin e lëvizjes së kafshëve, zbatimin e masave të Biosigurisë dhe masave sanitaro-veterinare në zonën e mbrojtjes dhe mbikqyrjes në Njësitë Administrative Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll.
I bëjmë thirrje pronarëve të kafshëve të zbatojnë masat karantinore dhe të biosigurisë, veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, punonjësve e shërbimit pyjor dhe gjuetarëve, që për cdo rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra, të informojnë pa vonesë Shërbimin Veterinar Rajonal në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mailit [email protected].
Njoftojmë qytetarët se Murtaja Afrikane e Derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo përbën një rëndësi të madhe për ekonominë dhe shëndetin e popullatës së derrit, në vendin tonë.

EMRI/ Vdes shqiptari në Itali, u përplas me makinë

Një 44-vjeçar shqiptar humbi jetën në një aksident tragjik në Itali.

Viktima është identifikuar si Eduart Shaka, i lindur në Durrës.

Sipas mediave vendase, policia e gjeti Shakën jashtë makinës së tij, disa metra më tutje, pas përplasjes kokë më kokë me një makinë që vinte nga ana e kundërt.

Nga hetimet paraprake rezultoi se 44-vjeçari shqiptar nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.

Eduart Shaka ishte jetonte në Itali që prej vitit 2010 së bashku me vajzën e tij.

Viti i SKY ECC: Shqipëria zbuloi përmasat e krimit të organizuar në 2024

Më 19 maj 2020, një oficer policie ishte në një patrullim rutinë me makinën e policisë në qytetin e Elbasanit. Një shok i thotë atij përmes aplikacionit SKY ECC se e kishte parë kur kishte dalë në patrullim nga lagjja e tyre, pasi ishte kapur nga kamerat e kontrolluara nga “miqtë e tij”.

Ky nuk ishte një kërcënim ose nuk duket si i tillë sipas komunikimit të zbardhur nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e hetimit ndaj organizatës kriminale të Suel Çelës, një eksponent i dyshuar i krimit të organizuar, aktualisht në arrati prej vitesh, i akuzuar së fundmi për vrasje, trafik droge dhe krime të tjera të rënda.

Komunikimi në fakt ngjan shumë miqësor dhe duket se provon atë që banorët e qytetit të Elbasanit e kanë ndjerë prej vitesh: qyteti i tyre kontrollohet nga krimi, ndërsa Policia e Shtetit, edhe nëse nuk është pjesë e strukturave kriminale rivale në qytet, është thjesht një forcë e pafuqishme.

Dosja hetimore ndaj grupit të Suel Çelës, i cili njihet edhe me emrin Marjus Lulaj, mbart detaje tronditëse të kontrollit të territorit nga një organizatë kriminale, veçanërisht e dhunshme dhe e etur për të përdorur dhunën dhe shantazhin për ta ruajtur dhe zgjeruar këtë kontroll.

Dhjetëra zyrtarë nga policia, sistemi i drejtësisë, administrata publike, pushteti vendor dhe politika qendrore, ose kanë mbyllur sytë, ose kanë bashkëpunuar me të. Vendimi gjyqësor që cakton masën e sigurisë për të akuzuarit vijon të mbetet formalisht sekret hetimor, ndonëse detaje të këtij vendimi kanë rrjedhur në media me bollëk.

Dosja në fjalë është vetëm një nga shumë hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hartuara falë sekuestrimit të serverëve të një kompanie franceze e cila ofronte, përkundrejt tarifave të larta, shërbim komunikimi që supozohej se ishte i sigurt dhe i papërgjueshëm.

Sipas shpjegimeve të dhëna nga prokuroria speciale shqiptare, ishin fillimisht autoritetet policore belge që zbuluan përdorimin e aplikacionit Sky ECC nga trafikantë droge në këtë vend ndërsa më pas, autoritetet franceze kërkuan autorimizim nga një gjykatë për të përgjuar aplikacionin, nën dyshimin e arsyeshëm se ky aplikacion përdorej në masë nga strukturat e krimit të organizuar të shumë vendeve.

Mes komunikimeve të mijëra eksponentëve të krimit nga të katër anët e botës, një pjesë e konsiderueshme rezultojnë të jenë bërë në gjuhën shqipe, gjë që tregon popullaritetin e SKY ECC mes krimit shqiptar. Një nga dosjet e prokurorisë, ajo që ka marrë nofkën “Dosja e Shtatë Bandave”, tregon se një strukturë kriminale porositi në një rast të vetëm një dyzinë me telefonë celularë të modifikuar me SKY ECC për t’ua shpërndarë anëtarëve të vet.

Nën tiraninë e krimit

Prokuroria e Posaçme po heton deri më tani nëntë dosje voluminoze që mbështeten në masë të konsiderueshme në komunikimet SKY ECC me dhjetëra të arrestuar dhe figura të rëndësishme të krimit të organizuar të shpallur në kërkim.

Hetimet zbulojnë nga njëra anë një seri atentatesh dhe krimesh të vjetra në luftën për kontrollin e territorit, po aq sa hedhin dritë mbi fuqinë ekonomike të krimit të organizuar shqiptar, ndikimin e tij në institucionet ligjzbatuese dhe administratën publike si dhe lidhjet politike që i shërbejnë si mburojë.

Mes dosjeve hetimore spikat rasti i grupit të Pëllumb Gjokës, i cili u arrestua në korrik 2023, i akuzuar për vrasje, korrupsion, rrëmbim personi, trafik droge dhe pastrim parash. Gjoka është deklaruar i pafajshëm për akuzat, ndërsa avokatët e tij kanë ngritur një çështje në Gjykatën Kushtetuese në të cilën kërkojnë që provat e kapura nga SKY ECC të shpallen të pavlefshme. Bashkë me të u arrestuan dy zyrtarë policie, Oltion Bistri dhe Ardit Hasanbega, krahas prokurorit të Kukësit, Xhevahir Lita.

Në mënyrë domethënëse, Bistri rezultoi se kishte arritur t’i shpëtonte vetingut në polici, pasi pak ditë para se të përballej me procesin, ishte ulur në përgjegjësi, rrjedhimisht duke u shpallur si zyrtar i nivelit më të ulët nga ata që u përfshinë në vetingun e policisë.

I njohur publikisht si një nga investitorët strategjikë të qeverisë “Rama”, Gjoka besohet se kontrollonte territorin në zonën e tij të vendlindjes në Velipojë, ndërsa aktiviteti i bixhozit ilegal i ushtruar prej tij shtrihej në zona të tjera, përfshirë Tiranën. Në një nga detajet e dosjes, lihet të kuptohet se drejtuesit e policisë së Tiranës në atë kohë, ishin në dijeni të këtyre aktiviteteve, por që nuk kishin kurajë të përballeshin me të.

Në maj të vitit 2024, SPAK kreu atë që me gjasa do të njihet si një ndër operacionet më të mëdha kundër krimit organizuar ndonjëherë në Shqipëri, goditja e shtatë grupeve kriminale dhe zbardhja e tetëmbëdhjetë krimeve nga më të rëndat, përfshirë vrasje dhe tentativë vrasje, drogë, korrupsion dhe pastrim parash. Tetëmbëdhjetë episode kriminale u zbardhën dhe 50 të dyshuar u akuzuan, ndërsa shumë prej figurave të përfolura nuk u akuzuan sepse sakaq janë të vdekur.

Ngjarjet e zbardhura përmes komunikimeve të disa dhjetëra eksponentëve përmes aplikacionit SKY ECC fillon në fund të vitit 2019 dhe mbaron në fillim të vitit 2021, kur komunikimet ndërpriten, dhe paraqet fillimisht se si Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste, planifikon vrasjen e Durim Bamit, një figurë krimi në Fushë-Krujë, për shkak se e dyshonte si autor të vrasjes së të vëllait, Aleksandër Ndoka, i cili kishte gjithashtu karrierë politike dhe ishte anëtar i Këshilllit Bashkiak zgjedhur në emër të një partie të quajtur “Rruga e Lirisë”. Ndoka angazhoi katër grupe me pesëmbëdhjetë anëtarë për të gjurmuar Bamin si dhe Aleks Ndrekën, të cilin e dyshonte se kishte ndihmuar Bamin për të kryer vrasjen pas në vitin 2017. Ai duket se urdhëron që pagesa për vrasjen të bëhet nga Ervis Martinaj, një eksponent tjetër i krimit me aktivitet në lojërat e paligjshme të fatit që në atë kohë patën lulëzuar, falë lehtësive fiskale të dhëna nga maxhoranca socialiste në parlament. Martini nga ana e tij kishte një konflikt me një grup konkurrent të njohur si Vëllezërit Duka, kundër të cilëve planifikonte vrasje ndërsa edhe këta planifikonin nga ana e tyre vrasjen e tij. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë dhe është aktualisht në gjykim ndërsa Martinaj u zhduk në gusht 2022 kur familja njoftoi policinë se kishte humbur kontaktet me të, ndërkohë që vetë Martinaj ishte shpallur në kërkim.

Lidhjet politike dhe korruptive të strukturave kriminale të ekspozuara nga SKY ECC janë të shumta e të thella: në Lezhë, shefat e policisë bashkëpunonin me krimin e madje ishin edhe vetë pronarë parcelash me kanabis, ndërsa në Fushë-Krujë policia efektivisht nuk ekzistonte. Vëllai i deputetit Eduard Ndreca u vu nën akuzë për kultivim dhe trafik droge.

Shefi i policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, u bë simbol i një force policore të diskretituar, i akuzuar për kultivim e trafik droge.

Durim Bami, personazhi i zonës së Fushë-Krujës i njohur publikisht vite më parë kur polititikani Tom Doshi e prezantoi në publik si ‘vrasës me pagesë’ të penduar, të paguar për vrasjen e Doshit, shfaqet në dosjen e shtatë bandave si një biznesmen i zhdërvjellët me parcela kanabisi në të gjithë zonën, nga bregdeti deri në lartësinë e Malit të Skënderbeut. Ai është gjithashtu ndërmjetës në investime në prona të patundshme në Tiranë dhe për sipërmarrje të ndryshme të fortësh, fjala vjen, lokale me muzikë të lartë që paguajnë një oficer policie të paidentifikuar me pagë mujore, që të mos u ndalohet muzika pas orës 12.

Dosja paraqet edhe një nga rastet më të hershme të përmendjes së “çunave të Londrës” apo “çunave të Anglisë” si pjesë e realitetit bashkëkohor shqiptar; djem të shkathët që kanë bërë miliona të lehta në trafik droge në Mbretërinë e Bashkuar dhe që kthehen si investitorë jo fort të logjikshëm në tregun e pronave të paluajtshme në Shqipëri, një fenomen me përmasa të tilla që ka dhënë pasoja në gjendjen makroekonomike të vendit.

Dosja më e përgjakshme e hetuar falë SKY ECC është padyshim ajo e bandës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja ose Franc Gergely, 32 vjeç dhe vëllait të tij Hajdar Bako i njohur edhe si Hajdar Çopja, 40 vjeç. Prokurorët besojnë se aktiviteti i tyre kriminal ka nisur në Itali rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë për t’u rritur në mënyrë marramendëse deri sa banda ishte në gjendje të furnizonte me drogë jo vetëm vende të ndryshme në Evropë, por edhe në Indi, Afrikën e Jugut e Singapor, duke operuar nga baza e tyre në Dubai.

Xhiroja e tyre arrin në dhjetëramilionë euro, para të cilat, mësohet se u derdhën pjesërisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri dhe pjesërisht në lingota ari, ndërsa shuma të mëdha u derdhën për të financuar eliminimin e një bande konkurrente, të drejtuar nga vëllezërit Alibej. Franc Çopja, i cili u transferua nga Dubai në Belgjikë për t’u përballur me akuzat për vrasje nga drejtësia belge, përballet në Shqipëri me 26 akuza, përfshirë vrasje, vrasje e mbetur në tentativë, pastrim parash e krime të tjera. Një zyrë këmbimi valutor e cila zhvillon aktivitetin as 30 metra larg Bankës së Shqipërisë, e cila, përgjatë këtyre viteve ka këmbëngulur për mungesën e pranisë së parave të pista në Shqipëri, shërbente si zyrë finance për klanin e Çopjave, sipas prokurorëve, duke qarkulluar miliona euro.

Suksesi i Çopjave në përplasjen e tyre me vëllezërit Alibej duket se u mbështet në financat shumë më të bollshme në dispozicion të tyre, gjë që me gjasë solli edhe dështimin e tyre. Në kulmin e luftës, ndërsa Çopjat ishin pranë suksesit në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të tyre, njëri prej të shenjestruarve, Nuredin Dumani, zgjodhi të bashkëpunojë me policinë, duke u bërë dëshmitar i shumë vrasjeve e krimeve të tjera, krahas me Erjon Alibej, i mbijetuari i vëllezërve Alibej. Përplasja mes këtyre dy grupeve la pas një dyzinë me të vdekur nga të dyja palët.

Hetimet e SPAK me bazë komunikimet e SKY ECC kanë zbuluar edhe dy raste të të akuzuarve si “kriminelë me kravatë”.

Njëri prej tyre është Jurgis Çyrbja, deputet socialist nga Shijaku, i cili akuzohet se ka fshehur Altin Hajrin, – një të shumëkërkuar në lidhje me ngjarjen rrëqethëse të rrëmbimit dhe vrasjes së një qytetari të pafajshëm, “problemi” i vetëm i të cilit ishte se ishte i vëllai i një personi të cilin bandat e Londrës dyshonin se i kishte vjedhur drogën. Dosja tregon gjithashtu se Hajri ka ndërhyrë te një politikan i paidentifikuar me qëllim që Çyrbja dhe një kandidat tjetër me emrin “Liri”, të jenë në pjesën e sigurt të listës së Partisë Socialiste për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021 në qarkun e Durrësit. Çyrbja dha dorëheqjen pak para se të arrestohej.

Një tjetër dosje e krijuar nga SPAK ka të bëjë me ish-kryetarin e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i cili, pasi kaloi pa kurrfarë shqetësimi procesin e vetingut, u arrestua për bashkëpunim me krimin e organizuar me episodin e njohur gjerësisht si Toyota Auris. Rasti i Zarkës, për aq sa ka rrjedhur sakaq në media, ka të bëjë me ndërhyrje të shumëfishta në sistemin e drejtësisë për të sabotuar apo devijuar hetimet në lidhje me 3,4 milionë euro të kapura në vitin 2019 në Durrës, ku synimi final ishte rrëzimi i akuzës për pastrim parash, zëvendësimi i saj me akuzën e lehtë të mosdeklarimit të shumave monetare në kufi dhe, në instancë finale, lirimin e shumës së sekustruar nga masa e sekuestros.

Lufta kundër korrupsionit

Alegoria e peshkut të madh duket se lindi nga një shprehje, vite më parë, e ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili shpalli në nëntor 2017 se objektivi i reformës në drejtësi ishte që të merrej me peshqit e mëdhenj të politikës.

Në harkun kohor të një viti, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për disa prej pushtetarëve më të lartë të shtetit shqiptar në tre dekada dhe ka finalizuar hetimet për një numër të madh zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të të gjitha niveleve.

Arrestimi i Ilir Metës, ish-president dhe ish-kryeministër si dhe drejtues i njërës prej dy partive kryesore në opozitë në tetor të këtij viti si dhe ngritja e akuzës ndaj ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi përbën një nga ngjarjet kyçe të vitit në të ashtuquajturën luftë kundër korrupsionit.

Meta dhe Kryemadhi u vunë nën akuzë nga SPAK për korrupsion, pasi hetuesit zbuluan një celular të vjetër të përdorur nga Kryemadhi, të dhënat e së cilit nxirrnin në pah afera të ndryshme “të dyshuara korruptive”, sipas përshkrimit të SPAK. Më domethënësi nga episodet kishte të bënte as më pak e as më shumë se sa me Samir Manen, biznesmenin e prezantuar shpesh si njeriu më i pasur në vend, i cili, sipas prokurorëve, i dha çiftit Meta-Kryemadhi përkohësisht një vilë në Rolling Hills në këmbim të ndryshimit të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë. Ligji në fjalë, i miratuar në vitin 2014 me amendamente të propozuara njëzet e katër orë para seancës, anulon të drejtën e uzufruktit për kompanitë të cilat kanë koncesione për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë.

Ndërsa Meta dhe Kryemadhi po përballen edhe me episode të tjera të dyshuara korruptive, Mane shpëtoi sepse prokurorët thonë se vepra penale e korrupsionit aktiv, e cila mbart masë dënimi më të ulët se sa ajo e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, është parashkruar.

Lideri më jetëgjatë i Shqipërisë së tranzicionit, ish-kryeministri Sali Berisha, e kaloi gjithashtu pjesën më të madhe të vitit duke mbajtur fjalime nga dritarja e shtëpisë së tij, derisa masa e sigurisë “arrest shtëpie” u shfuqizua në nëntor të këtij viti. Berisha, i cili do të përballet me gjykatën me akuzën e korrupsionit në çështjen e ish-klubit sportiv “Partizani”, akuzon kryeministrin Edi Rama se po godet opozitën përmes SPAK.

Në kampin e mazhorancës, SPAK arrestoi ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj në korrik të këtij viti – i cili u akuzua se përvetësoi fondet e Bashkimit Evropian përmes një restoranti të klasit të lartë në Tiranë – dhe një listë zyrtarësh të nivelit jo kaq të lartë, kryebashkiakë apo nënkryetarë bashkie, deputetë apo zyrtarë të tjerë.

Viti 2024 shënoi gjithashtu dënimin në Apel të Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, me një masë dënimi edhe më të ashpër se sa ai i dhënë në shkallën e parë. Koka, i cili ka qëndruar në burg që nga dhjetori i vitit 2021, arrestimi i së cilit duket se hapi siparin e zyrtarëve të lartë të arrestuar për korrupsion, deklaroi në mënyrë figurative para trupës gjykuese: “Nuk jam unë peshku i madh”.

Ai i sugjeroi dëgjuesve të pyesnin Monika Kryemadhin, deputeten që sot është gjithashtu nën akuzë për korrupsion, se kush është me të vërtetë peshku i madh në vend. Kryemadhi, e cila ishte denoncuesja e Kokës për korrupsionin e incineratorëve, iu përgjigj sfidës duke deklaruar se “peshku i madh është Edi Rama”. Edi Rama reagoi i zemëruar duke e përshkruar komentin si “punë qensh”.

Viti po mbyllet me një lajm tjetër të bujshëm, kontrollin e disa banesave dhe zyrave në Tiranë dhe në bregdet, të lidhura me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarët e tij të ngushtë. Zyrtarisht, SPAK është treguar i kursyer duke thënë se bastisjet kanë të bëjnë me një procedim penal të nisur për veprën penale të korrupsionit.

Sipas një vendimi gjyqësor që autorizoi bastisjet, përmbajtja e të cilit rrodhi pjesërisht në media, prokurorët janë në kërkim të provave për lidhje të mundshme korruptive dhe përfitime të paligjshme nga familjarë të afërt të Veliajt nga subjekte biznesi që kanë marrëdhënie kontraktuale me bashkinë. Veliaj deklaroi veten të hapur ndaj hetimeve, ndërsa përshkrimi prej tij i prokurorëve që po e hetojnë si “kolegë” zuri vend në fjalorthin politik në të cilin fjalët jo gjithmonë kanë kuptimin e tyre literal.

Hetimi ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe rrethit të tij të ngushtë familjar vjen pasi ai i shpëtoi në dukje implikimeve ligjore në çështjet e incineratorit inekzistent të Tiranës dhe së ashtuquajturës dosja 5D e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në bashki.

Në fakt, goditjet kundër korrupsionit të nivelit të mesëm u manifestuan në mars të këtij viti me arrestimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla e Mariglen Qato. Krimi i dyshuar i Redi Mollës e Mariglen Qatos ishte se përmes një kompanie që kontrollohej prej tyre, arritën të fitojnë dhjetramilionë euro në tendera dhe financuan një valë ndërtimi pallatesh në Tiranë si dhe një hotel në Durrës.

Historia e drejtorëve vuri në pah gjithashtu karakterin sistemik të korrupsionit. Kompania 5D fitoi me dhjetëra tenderë pa u dalluar nga askush deri sa, diku nga viti 2023, kandidati i opozitës për kryetar bashkie, Belind Këlliçi e denoncoi në prokurori si skemë përvetësimi të parave publike. Në një skemë të ngjashme, edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi u arrestua me akuzën e korrupsionit përmes një kompanie fantazmë që përfitoi mbi 2.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.

Pa përgjegjësi politike

Ndërsa sistemi i drejtësisë gjerësisht pranohet se ka bërë hapa para, sundimi i ligjit dhe demokracia nuk duket se kanë ecur në të njëjtin drejtim. Partia Socialiste në pushtet këmbënguli përgjatë të gjithë këtij viti, pavarësisht kritikave të shumta që ka marrë nga vendësit dhe të huajt, të injorojë vendimet e përsëritura të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Në dhjetor, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në mënyrë të gënjeshtërt interpretoi një opinion të Komisionit të Venecias, i cili tekstualisht thoshte se parlamenti nuk mundet të kundërshtojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sikur i jepte të drejtë qëndrimit të socialistëve për rastin Xhaçka.

Fjalimet e kryeministrit Edi Rama u bënë gjithnjë e më të gjata gjatë këtij viti, ndërsa deklaratat e tij u bënë, në dukje, gjithnjë e më jashtë realitetit. Në maj, një fjalim që zgjaste për më shumë se 12 mijë fjalë, kishte në thelb vetëm një fjali, refuzimin e tij për të mbajtur përgjegjësi për korrupsionin e kudondodhur përreth tij. Ai duket se e tensionoi fillin e logjikës deri në atë pikë sa dha, si argument se pse ai nuk mund të japë dorëheqjen, supozimin se ai është i pazëvendësueshëm dhe se vendi mund të bjerë në kaos në mungesë të tij si kryeministër.

Opozita kryesore, pra Partia Demokratike e udhëhequr tashmë de jure dhe de facto nga udhëheqësi i saj i parë, Sali Berisha, pati një aktivitet që u luhat nga protestat e dhunshme kundër asaj që e cilëson si narkokraci, te përpjekjet për të bërë marrëveshje parlamentare.

Në maj, grupi parlamentar i udhëhequr nga Gazmend Bardhi papritur ndërpreu bojkotin parlamentar që kishte shpallur më herët dhe bashkoi votat me Partinë Socialiste për të miratuar një amnisti kontroverse penale, e cila përfshiu edhe persona të dënuar nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në korrik, PD dhe PS, pavarësisht konfliktit në dukje të papajtueshëm, ranë dakord të çimentojnë edhe për së paku katër vjet të tjera kontrollin e kryetarëve përkatës, Edi Rama dhe Sali Berisha, mbi grupet parlamentare duke caktuar një formulë zgjedhore e cila i jep udhëheqësve mundësinë të caktojnë pjesën dërrmuese të deputetëve të partisë së vet, një vijim ky i marrëveshjes së vitit 2008 mes Ramës, në atë kohë në opozitë, dhe Berishës, në atë kohë kryeministër, për krijimin e sistemit aktual të listave të mbyllura të cilat i kanë dhënë Republikës së Shqipërisë nofkën e “republika e kryetarëve”.

Zyrtarisht, gjithsesi, as Rama dhe as Berisha nuk pranojnë që të jenë dakordësuar me njëri-tjetrin për reformën zgjedhore, pavarësisht se të dy ata janë përfituesit kryesorë të saj.

Opozita gjithsesi iu rikthye thirrjeve për “mosbindje civile” në shtator, kur Ervin Salianji, një deputet i saj, u dënua me 1 vit burg për “kallëzim të rremë”, në një proces që opozita e konsideron si dënim politik.

Në një notë më pozitive, Bashkimi Evropian vendosi të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, një vendim që duket se është ndikuar më shumë nga situata gjeopolitike në botën e sotme se sa me progresin real të Shqipërisë drejt përmbushjes së detyrimeve. Raporti i fundit i progresit gjithsesi theksoi se parlamenti ka një “kontroll të kufizuar” mbi ekzekutivin, ndërsa ngriti shqetësimin për kompromisin e amnistisë mes Ramës dhe Berishës, amnisti e cila “fali tërësisht 40 individë të dënuar nga SPAK dhe reduktoi dënimet për 65 të tjerë”, sipas raportit./ Reporter.al

Si do të jetë moti gjatë fundjavës së fundit të vitit

Qëndrueshmëria e kushteve atmosferike do të vijojë të jetë dhe për fundjavën, me masa ajrore të ftohta.

Moti pritet të jetë i kthjellët e vranësira të pakta e mesatare kryesisht ditën e shtunë në relievet malore, ndërsa ditën e dielë mot i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare.

Era pritet të fryje nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 2-8m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina 10-12m/sek.

Aksident i rëndë në Lezhë-Laç, trajleri përplaset me dy makina

Një aksident i rëndë rrugor u shënua këtë të premte në aksin rrugor Lezhë-Laç.

Tre mjete u përplasën me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur tre persona dhe dëme të shumta materiale.

Në aksident u përfshinë një trajler dhe dy makina.

Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lezhës, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin të jetë bërë një parakalim i gabuar.

Të shtëna me armë në Bulqizë, arratiset autori

Pasditen e kësaj të premteje u raportua për disa të shtëna me armë zjarri në qytetin e Bulqizës.

Pas telefonatës që mori, policia shkoi në vendngjarje dhe nga informacionet e deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëmtime.

Personi që ka qëlluar me armë nuk është identifikuar ende.

Ai është larguar nga vendngjarja me makinë dhe më pas, mjeti i tij është gjetur në aksin rrugor Qafa e Buallit-Klos.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Ndahet nga jeta ish-futbollisti i njohur shqiptar, vuante nga një sëmundje e rëndë

Futbolli shqiptar humbi këtë të premte një figurë të njohur, me një kontribut disa-vjeçar në këtë fushë.

Ish-futbollisti i njohur i Dinamos kampione të viteve 60, Stavri Lubonja, u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Ai ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare në New Jersey.

Stavri Lubonja është aktivizuar me ekipin e Dinamos për disa vite, duke fituar tre kampionate.

Gjatë sezonit 1959, Lubonja ishte golashënuesi më i mirë i ligës me 11 gola, me Dinamon, e cila përfundoi në vendin e 3-të.

Tiranë/ Gjendet i vdekur një 36-vjeçar, çfarë thotë policia

Një 36-vjeçar u gjet i vdekur këtë të premte në Tiranë.

Trupi i tij i pajetë u gjet në banesë, në rrugën “Shote Galica”.

Sipas policisë, 36-vjeçari është vetëvarur, në kushte të rënduara psikologjike.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Mbrojtja e Veliajt i përgjigjet SPAK:8 pikat që vërtetojnë se hetimi është keqdashës e anti ligjit

Mbrojtja e Erion Veliajt ka shpërndarë një qëndrim në lidhje me hetimin dhe mënyrën sesi është menaxhuar informacioni i shpërndarë ndaj këtij hetimi.

Mbrojtja e Veliajt, në tetë pika, rrëzon të gjithë argumentin e përdorur ndaj SPAK, duke e konsideruar hetimin si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtiim me ligjin.

Në pikat embrojtjes së Veliajt shpjegohet se të gjithë elementet e përsorur nga akuza janë në ajër në aspktin e provave, por nga ana tjetër abuzohet në aspektin e imazhit, duke e denigruar qëllimisht.

Argumentet e Mbrojtjes

Hetim keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin
       1.    Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm
       •      Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
       •      Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet EV.
     •      Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të EV, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit.
       2.    Fshehja e faktit të vendosjes në hetim të EV dhe familjes
       •      EV dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”.
       •      Megjithatë, veprimet hetimore të kryera kanë qenë të përqendruara realisht te persona konkretë, duke krijuar situatën e një hetimi substantivisht individual ndaj EV (dhe të tjerëve), pa e njoftuar zyrtarisht këtë status.
       3.    Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
       •      Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi.
•      Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar.
       4.    Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”
       •      Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes.
       5.    Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për EV dhe AX
       •      Edhe pse EV dhe AX janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës.
       6.    Tejkalimi i afateve hetimore
       •      Afatet hetimore janë tejkaluar. Sipas ligjit, periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të fillojë që në momentin kur ndaj EV dhe AX kanë nisur veprimet hetimore specifike, e jo më vonë.
       7.    “Fishing expedition”
       •      Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin (EV), me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative.
8.    Dalja në media e informacioneve mbi hetimin
       •      Informacione të ndryshme lidhur me hetimin janë transmetuar në media, duke krijuar hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese ndaj figurës së kryetarit të bashkisë. Kjo ka nxitur një perceptim publik të fajësisë së EV, duke dëmtuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke cenuar barazinë e palëve në proces.
       •      Një veprim i tillë mund të përbëjë shkelje të rënda, qoftë përmes dashjes apo neglizhencës, pasi përbën keqadministrim të hetimit dhe dëmton integritetin e procedurës penale.