zoom

Day ArchiveHapet “GoFoundMe” për Parashqevi Simakun, Elton Ilirjani tregon për iniciativën

Biznesmeni shqiptar, Elton Ilirjani ka hapur një llogari në “Go Found Me” për t’i ardhur në ndihmë artistes Parashqevi Simakun.

Në përshkrimin e  llogarisë, Ilirjani thekson se arsyeja pse mori iniciativën është për shkak të gjendjes saj të vështirë aktuale. sipërmarrësi argumenton se Simaku ka lënë gjurmë në kujtimet e shqiptarëve.

Deri më tani janë mbledhur mbi 4000dollarë.

“Unë quhem Elton Ilirjani, një sipërmarrës ndërkombëtar dhe model ne fushën e modes me banim në New York City, Shtetet e Bashkuara te Amerikes.
E krijova këtë iniciativë për mbledhje fondesh sepse u frymëzova dhe u preka thellësisht nga historia dhe arritjet jashtëzakonisht të suksesshme artistike të zonjës Parashqevi Simaku (Nolfe) – këngëtarja jonë Diva shqiptare – per arsye të situatës dhe gjendjes së saj të vështire aktuale.
Kontributi i saj artistik në kulturën dhe muzikën shqiptare – tradicionale dhe bashkëkohore – veçanërisht në vitet 1980 dhe 1990 ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtimet e shqiptarëve, të cilët u rritën duke shijuar këngët e saj (zërin melodioz) që ajo i interpretoi në mënyrë kaq të mrekullueshme.
Sot është momenti ynë qe t’i tregojmë Divës tonë kujdesin, dashurinë, respektin dhe admirimin maksimal për kontributin e saj të pamasë në kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi.
Unë mund t’ju siguroj absolutisht se çdo qindarkë që do të mblidhet përmes kësaj fushate për mbledhjen e fondeve do të menaxhohet siç duhet dhe do të shkojë vetëm për mirëqenien, interesin dhe prosperitetin e saj, në mënyrë që të përpiqemi sa më shumë që të jetë e mundur për t’i rikthyer zonjës Simaku dinjitetin, respektin dhe admirimin që ne kemi si komb ndaj saj.
Në emër të zonjës Simaku, ju falënderoj të gjithëve për mendimet dhe urimet tuaja, dhe çdo kontribut financiar që mund të ofroni.
Sinqerisht,
Elton Ilirjani”, thuhet në përshkrimin e llogarisë.

Kosova nënshkruan marrëveshje me Truqinë, do të prodhojë municione luftarake

Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë, njoftoi Zyra e kryeministrit Albin Kurti.

Fabrika do të prodhojë “kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”, thuhet në njoftim.

“Krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim”, tha kryeministri Kurti.

Zyra e kryeministrit shtoi se, pas funsionimit, fabrika do të veprojë si ndërmarrje publike dhe si “markë 100% vendore” e Kosovës.

Ministri i Mbrojtës i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se prodhimi i municioneve do të fillojë brenda “një afati të shkurtër”, pa saktësuar se kur.

Ai tha se nuk mund të japë më shumë hollësi as rreth vendit ku do të ndërtohet fabrika, për shkak të “ndjeshmërisë së informacionit”.

“Është e pamundur për mua që të ndaj më shumë informacione rreth kontratës, sepse vetë kontrata është e klasifikuar”, tha Maqedonci për televizionin publik të Kosovës, RTK.

Më shumë detaje nuk janë bërë publike.

Më 27 nëntor, Kurti ka bërë të ditur se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë. Sipas tij, ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”.

Maqedonci kishte thënë më parë se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.

“Për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, kemi pranuar një raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë. Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti”, kishte thënë ai, në një konferencë për media.

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

Se sa dronë ishin blerë, nuk ishte bërë e qartë atë kohë.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025 është paraparë të jetë 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

FSK-ja është aktualisht në proces të transformimit në ushtri të rregullt. Deri në fund të këtij procesi, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht.

I shpëtoi plumbave, identifikohet shqiptari i tretë në atentatin mafioz në Athinë

Mediat greke kanë publikuar detaje të reja nga atentati mafioz ndaj dy shqiptarëve një ditë më parë në Athinë.

Viktimë e atentatit mbeti  Irakli Davella, ndërsa Edi Lolo u plagos dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas raportimeve, së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe Edi Lolon, 46 vjeç, ka qenë edhe një person që nuk është prekur nga plumbat.

Siç shkruajnë mediet në Greqi, është identifikuar mbrëmjen e kësaj të hëne personi që ndodhej në kafe me Irakli Davella dhe Edi Lulo alias Etmond Hysa.

Bëhet fjalë për një person me precedentë penalë në Greqi, i përfshirë në çështje gjobvënieje dhe vjedhje.

Policia greke ka nisur kërkimet për të me qëllim që t’i marrë dëshminë. Kërkime njëkohësisht po bëhen edhe për mjetin tip “Polo” që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Zbuloni shenjat që do të kalojnë sfida gjatë janarit 2025!

Janari i vitit 2025 pritet të jetë një muaj i mbushur me sfida për disa shenja të horoskopit, pasi ndikimi i planetëve dhe yjeve do të krijojë kushte që mund të testojnë guximin dhe qëndrueshmërinë e disa individëve.

Disa nga fushat që do të ndikohen më shumë janë marrëdhëniet personale, karriera dhe shëndeti.

Megjithatë, sfidat që mund të ndodhin nuk janë të përhershme dhe mund të shihen si mundësi për rritje personale dhe zhvillim të brendshëm, duke ofruar mundësinë për të mësuar më shumë për veten dhe për të përmirësuar aftësitë e menaxhimit të stresit dhe adaptimit.

Binjakët
Për Binjakët, muaji janar do të jetë i mbushur me sfida, kryesisht për shkak të ndikimit të retrogradës së Mërkurit. Kjo periudhë do të sjellë keqkuptime dhe komunikim të paqartë, që mund të shkaktojnë tensione në marrëdhëniet personale dhe profesionale.

Sfidat: Çështje në komunikim mund të krijojnë konflikte ose shqetësime të vazhdueshme, veçanërisht në punë, ku mund të ketë vonesa ose udhëzime të pasigurta.

Shëndeti: Stresi dhe lodhja nga keqkuptimet mund të çojnë në probleme si ankthi ose pagjumësia. Përdorimi i teknikave të relaksimit, si meditimi, mund të jetë i dobishëm për menaxhimin e stresit.

Akrepi
Muaji janar do të jetë emocionalisht i rëndë për Akrepin, për shkak të ndikimit të Hënës së Plotë tek Luani më 25 janar. Kjo mund të nxjerrë në pah tensione dhe shqetësime të fshehura.

Sfidat: Akrepi mund të përjetojë emocione të forta që ndikojnë në marrëdhëniet e tij. Në aspektin profesional, mund të ketë ndjenja mbingarkimi nga afatet e ngushta ose ndryshimet e papritura.

Shëndeti: Stresi emocional mund të shfaqet si lodhje fizike ose probleme me stomakun. Kujdesi për veten dhe marrëdhëniet e balancuara do të jenë të rëndësishme për të kaluar këtë periudhë.

Dashi
Dashi do të përballet me sfida të ndryshme gjatë muajit janar, përfshirë pengesa financiare dhe përpjekje për të ruajtur disiplinën. Hëna e Re në Bricjap më 9 janar do të kërkojë maturi dhe planifikim, por natyra impulsive e Dashit mund të krijojë sfida.

Sfidat: Dashi mund të ndiejë frustim për shkak të progresit të ngadaltë në punë, ndërsa shqetësimet financiare mund të shfaqen për shkak të shpenzimeve të paplanifikuara ose impulsive.

Shëndeti: Stresi mund të ndikojë në shëndetin fizik, duke shkaktuar dhimbje koke ose lodhje. Aktivitetet fizike si joga dhe menaxhimi i ekuilibrit punë-jetë do të jenë të dobishme për të ruajtur qetësinë dhe fokusin.

Gaforrja
Për Gaforret, janari i 2025 do të kërkojë që të dalin nga zona e rehatisë. Ndikimi i Afërditës në Ujor do të sjellë energji të paparashikueshme dhe mund të bëjë të vështirë përshtatjen me ndryshimet.

Sfidat: Ndryshimet në marrëdhëniet personale ose në ambientin e punës mund të shkaktojnë shqetësime dhe ndjeshmëri emocionale, duke çuar në keqkuptime.

Shëndeti: Stresi emocional mund të ndikojë në imunitetin ose të shkaktojë lodhje të tepërt. Për të menaxhuar këtë periudhë, është e rëndësishme të fokusohet në detyra të vogla dhe të menaxhueshme që nuk krijojnë mbingarkesë emocionale.

Kjo periudhë do të jetë një mundësi për të reflektuar, për t’u përmirësuar dhe për t’u përshtatur me ndryshimet që do të sjellë viti 2025. Përshtatja ndaj këtyre sfidave do të kërkojë durim dhe fokus, por do të sjellë mundësi për rritje dhe zhvillim personal.

Scholz humb votëbesimin, Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka humbur votëbesimin në Parlamentin e vendit të hënën, me çfarë i ka hapur vendit rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të shkurtit.

Scholzi e fitoi besimin e 207 ligjvënësve në Bundestag, por 394 të tjerë votuan kundër tij, ndërsa 116 abstenuan.

Atij i nevojitej një shumicë prej 367 votash për ta fituar votëbesimin.

Scholzi udhëheq një qeveri pakicë, pasi koalicioni i tij qeverisës trepartiak dështoi më 6 nëntor, për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën se si ta ringjallin ekonominë e ngecur të vendit.

Liderët e disa partive të mëdha u pajtuan që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se koha e zgjedhjeve të rregullta.

Votëbesimi ishte i nevojshëm sepse Kushtetuta e Gjermanisë nuk e lejon Parlamentin të shpërbehet vetvetiu.

Tani i takon presidentit Frank-Walter Steinmeier të vendosë për shpërbërjen apo jo të Bundestagut dhe për të thirrur zgjedhje të reja.

Ai ka 21 ditë kohë për ta marrë atë vendim, dhe sapo të shpërbëhet Parlamenti, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve.

Sondazhet tregojnë se partia e Scholzit është mbrapa partisë kryesore opozitare, blloku i Unionit i Friedrich Merzit. Nënpresidenti Robert Habeck, të Gjelbërit e të cilit ngelin edhe më mbrapa, do të garojë për kancelar gjithashtu.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila po shënon rritje në sondazhe, e ka nominuar Alice Weidelin për kancelare, por ajo nuk ka gjasa për këtë post sepse partitë e tjera nuk duan të bashkëpunojnë me këtë parti.

Reagim kundër rrymës/ “Parashqevia ka vazhduar t’i kendojë Partisë edhe nga Amerika”

Pedagogia Jonila Godole ka reaguar mbi rastin e artistes shqiptare në SHBA, Parashqevi Simaku.

Duke shprehur keqardhjen për Parashqevinë, pedagogia ka shkruar edhe lidhur me kontributin e artistes në shoqëri.

Marrë shkasë nga profili në rrjetet sociale të Simakut u shihen postime rreth diktatorit Enver Hoxha, Godole shkruan se këngëtarja ka vazhduar “t’i këndojë” partisë edhe nga SHBA.

Reagimi i plotë:
Kam ndjekur zhurmën mediatike këto ditë për Parashqevinë. Ndjesia e parë që pata ishte keqardhja. Si grua, nënë dhe njeri, uroj të rehabilitohet dhe të jetë mirë.
Ndjesia e dytë lidhej me kontributin e saj në shoqëri, e rritur dhe e kultivuar nga një regjim që e ngjiti në majat më të larta duke i mundësuar suksesin dhe adhurimin.
Së treti, kërkova pak, të dija se si kjo grua mendon, ç’reflektim ka pasur gjithë këto vite që jeton jashtë vendit për të shkuarën, të tashmen… Dhe pasi lexova postimet e saj, kuptova se Parashqevia, si para vitit 1990 ashtu edhe pas tij, ka vazhduar t’i këndojë partisë, dikur në Pallatin e Kongreseve, e më vonë në Facebook e gjetkë.
Parashqevia simbolikisht ka qenë kolona zanore e brezit tim, në një periudhë liberalizimi diku nga fundi i viteve 1980. Mori famë në një regjim që nuk investonte për talentin nëse nuk kishe biografinë dhe qëndrimin e duhur ndaj partisë. Dhe ajo siç duket i ka pasur të dyja.
Ne, si popull, historikisht i falemi idhujve të rremë. Nuk pyesim kurrë se çfarë i kanë dhënë këta idhuj shoqërisë, përveçse çfarë i kanë marrë. Parashqevia mund të vazhdojë të jetë idhulli i gjithkujt, por nuk është idhulli im. Enveri dhe Nexhmija u larguan nga kjo botë, por nuk largokan dot nga mendja dhe zemra adhuruesve të tyre, qoftë edhe nga maja e Amerikës.

Masakër në SHBA/ Vriten katër persona në shkollë

Të paktën katër persona janë vrarë pas të shtënave në shkollën e krishterë Aundant Life në Madison, Wisconsin në SHBA.

I dyshuari gjithashtu është mes viktimave ndërsa disa persona janë lënduar, sipas shefit të policisë.

Forcat e rendit thanë se vrasësi besohet të jetë një i mitur dhe autoritetet janë ende duke hetuar në vendngjarje.

Aktualisht nuk ka kërcënime të tjera për shkollat në komunitet, tha shefi i policisë.

Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të luftojnë kundër shtetit të tyre?

Rusia po e përdor një organizatë rinore ushtarake, Yunarmia, për të strehuar adoleshentët besnikë në territoret e pushtuara të Ukrainës dhe për t’i përgatitur ata për të luftuar në luftën e Moskës kundër vendlindjes së tyre.

Zhvillimi i Yunarmias mes pushtimit në shkallë të plotë dëshmohet edhe nga dokumente të papublikuara më parë nga autoritetet pushtuese ruse, të cilat janë marrë në posedim nga grupi i hakerëve ukrainas, KibOrg, grup që ia ka dhënë këto dokumente, njësisë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat, dhe partnerëve të tij medial.

Yunarmia, apo Ushtria Rinore, u krijua më 2016 me iniciativën e ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kjo organizatë thotë se ka 1.3 milion anëtarë. Fëmijët, nga mosha 8-vjeçare, mund t’i bashkohen kësaj organizate përmes plotësimit të një pyetësori në një aplikacion në telefon.

Organizata pretendon se lehtëson zhvillimin shpirtëror, moral, shoqëror dhe intelektual të të ashtuquajturve kadetë të Yunarmias. Po ashtu thotë se “formon një motivim pozitiv për t’i përmbushur detyrat kushtetuese dhe përgatit djemtë e rinj për shërbim në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”.

Më 2017, kadetët e Yunarmias marshuan së bashku me ushtarët në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, ceremoni e cila u udhëhoq nga presidenti rus, Vladimir Putin. Këtë vit, fëmijët e organizatës Yunarmia nga rajoni Luhansk, i pushtuar nga Rusia, morën pjesë në festimet ushtarake në qytetin rus, Novosibirsk.

Rusia ka hapur degën e parë të Yunarmias në territoret e pushtuara të Ukrainës në Krime, disa muaj pas formimit zyrtar të organizatës. Deri në shtator të vitit 2016, Yunarmia ishte përhapur në mbarë gadishullin e Detit të Zi, sipas Oleh Okhredkos, analist në Qendrën e Edukimit Qytetar, Almenda. Kjo qendër përbëhet nga një grup ukrainasish, që dokumenton shkeljet e të drejtave të fëmijëve në kohë lufte.

Më 2014, Rusia pushtoi Krimenë dhe mbështeti luftën në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, që njihen edhe si Donbas.
Yunarmia “u krijua me ide specifike të riedukimit ushtarak jo vetëm për [fëmijët] rusë, por edhe për fëmijët ukrainas nga territoret e pushtuara”, tha Kateryna Rashevska, avokate nga Qendra rajonale për të Drejtat e Njeriut, qendër që është detyruar të zhvendoset nga Krimeja në Kiev, pas pushtimit rus.

Deri në janar të vitit 2022, një muaj para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Yunarmia kishte 29.000 anëtarë vetëm në Krime, sipas të dhënave të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Autoritetet ligjzbatuese të Ukrainës e kanë akuzuar udhëheqjen e organizatës Yunarmia në Krimenë e pushtuar për shkelje të mbrojtjes së civilëve, që garantohet me Konventën e Gjenevës, duke cituar një nen të konventës që ndalon “propagandën që synon regjistrimin vullnetar të civilëve”.

Iryna Sedova, eksperte e Grupit për të Drejtat e Njeriut në Krime, mbështet akuzën e bërë nga shteti.

“Ne konsiderojmë se aktivitetet e kësaj organizate shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe udhëheqësit e kësaj organizate po kryejnë krime lufte kundër banorëve të Krimesë, në veçanti, ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që po zombifikohen dhe de facto i përfshijnë në mënyrë të pavullnetshme në Yunarmia”, deklaroi ajo për Radion Evropa e Lirë më 2022.

Si përgjigje ndaj këtyre akuzave, kreu i degës së Yunarmias në Sevastopol, Volodymyr Kovalenko, tha se Qeverinë aktuale të Ukrainës e konsideron jolegjitime dhe mohoi se ka kryer ndonjë krim.

Megjithatë, që nga pushtimi disa ish-anëtarë të Yunarmias nga zonat e pushtuara i janë bashkuar ushtrisë ruse për të luftuar kundër Ukrainës.

Në mesin e tyre: Illya Zozulskiy, 23 vjeç, nga fshati Poltavka i Krimesë, i cili është një artiljer i dekoruar me medaljen prestigjioze Zhukov, sipas mediave ruse. Media ruse, Mash, raportoi në janar të vitit 2023 se ai ishte një nga 50 “mentorët” nga Yunarmia, që po luftonin.
Zozulskiy nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë dhe partnerët e saj medial.

Më 19 nëntor, Britania njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj Yunarmias, duke e cilësuar atë si “organizatë paramilitare ruse, qendrore për përpjekjet e Putinit që me forcë të dëbojë apo indoktrinojë gjeneratën e re të Ukrainës”. Britania tha se organizata “është e përfshirë në përpjekjen sistematike të Rusisë për të fshirë identitetin kulturor dhe kombëtar ukrainas”.

Njoftimi për sanksione ndodhi mes raportimeve se ushtria ruse për herë të parë ka rekrutuar banorë nga pjesët e pushtuara të Ukrainës.

Yunarmia nisi të operonte në Donbas vetëm pasi Putini, pa ofruar prova, pretendoi në shtator të vitit 2022 se rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, së bashku me atë të Zaporizhjas dhe Hersonit ishin pjesë e Rusisë. Që nga viti 2019, një grup i ngjashëm i quajtur Garda e Re – Yunarmia, ka operuar në Donbas.

Më 2023, “shtëpitë” e Yunarmias – ambiente shkollore të përshtatura për qitje me armë dhe trajnime sportive – u hapën në pjesët e pushtuara të Donjeckut dhe Luhanskut. Sipas dokumenteve të ofruara nga KibOrg, Yunarmia përdor ndërtesa shkollore pa paguar para, dhe merr ndihmë financiare dhe ndihmë tjetër nga Qeveria federale ruse dhe nga selia e Yunarmias në Moskë.

Skemat pranuan dhjetëra dokumente shkollore nga KibOrg të fëmijëve që jetojnë në zonat e pushtuara. Shumica e fëmijëve ishin të listuar se ishin anëtarë të Yunarmias ose që merrnin pjesë në aktivitetet e kësaj organizate.

Një shembull është një nxënës i klasës së tetë që vjen nga një prej qytetet që është nën pushtimin rus në rajonin e Donjeckut, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për të mbrojtur atë, pasi është i mitur. Sipas një llogarie në rrjete sociale të vendlindjes së tij, ai mori pjesë në kampin e trajnimit të quajtur Mbrojtësit 2024, dhe fitoi medaljen e bronzit për çmontimin dhe montimin e një pushke të llojit AK-74.

Pjesëmarrësit “u stërvitën të përdornin armë dhe morën trajnim bazik ushtarak, studiuan taktikat moderne dhe metodat e luftës”, u tha në postim. Aty po ashtu u tha se “më shumë se 300 nxënës” nga Rusia dhe rajonet e Donjeckut dhe Zaporizhjas “bënë betimin për besnikëri ndaj Yunarmias”.

Ish-anëtarët e Gardës së Re-Yunarmia nga pjesët e pushtuara të rajonit të Donjeckut po luftojnë në luftën kundër Ukrainës.

Stanislav Sikorskiy nga Horlivka, i cili ka përfunduar shkollën e mesme më 2018, ishte anëtar edhe i Yunarmias edhe i Gardës së Re-Yunarmia, sipas llogarisë së këtij të fundit në rrjetin social, Vkontakte. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ai ishte “në radhët” e ushtrisë ruse dhe luftoi në betejat që u zhvilluan në rajonin e Hersonit.

Hanna Lisovenko, po ashtu nga rajoni i Donjeckut, iu bashkua njësisë së Gardës së Re-Yunarmia të quajtur Spartans. Ajo iu bashkua kësaj njësie më 2017, kur ishte 17-vjeçare. Postimet në llogaritë e saj në rrjetet sociale lënë të kuptohet se ajo tani po lufton kundër Ukrainës si operatore e dronëve, në kuadër të një grupi taktik të inteligjencës ushtarake ruse që përbëhet kryesisht nga militantët e rajonit të Donjeckut që janë përfshirë në luftë që nga viti 2014.

“Isha vetë në Yunarmia dhe tani shërbej në ushtri. Pothuajse gjysma e atyre që u shkolluan me mua zgjodhën rrugën e ushtrisë. Fatkeqësisht, shumë nga ta veçse kanë vdekur. Disa nga ta janë plagosur rëndë dhe nuk mund ta vazhdojnë shërbimin e tyre ushtarak”, tha ajo për Skemat. “Ky është realiteti në rajonin tonë”.

Lisovenko tha se “aftësitë e përdorimit të armëve, trajnimi fizik dhe mësimi i historisë” që ajo mori nga Garda e Re-Yunarmia ishin të dobishme gjatë luftës në shkallë të gjerë kundër Ukrainës.

Zozulskiy, Sikorskiy, dhe Lisovenko janë nga pjesë të Ukrainës që kanë qenë nën kontrollin e Rusisë që një dekadë. Por, Yunarmia po ashtu operon në zonat që forcat ruse pushtuan pas nisjes së luftës në shkallë të gjerë më 2022.

Verën e kaluar, dega e saj e sapohapur në Mariupol mbajti shtatë sesione në një kamp në Detin Azov. Në mesin e shumë gjërave, fëmijët u mësuan se si të gjuanin me pushkë.

Një nga organizatorët e kampit ishte Valeriy Onatskiy, kreu i Departamentit për çështje të familjes dhe fëmijëve në administratën pushtuese në Maripol. Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë më 2023 gjeti se Onatskiz ishte përfshirë në zhvendosjen e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara për një Rusi – aktivitet që nxiti Gjykatën Ndërkombëtare Penale të lëshonte fletarrestim për Putinin, nën dyshime për krime lufte.

Autoritetet pushtuese thanë në nëntor të vitit 2022 se degë të Yunarmias ishin hapur edhe në pjesët e rajoneve Herson dhe Zaporizhja, që janë nën kontrollin rus.

Kreu i Yunarmias në rajonin e Zaporizhjas është Fidail Bikbulatov, shtetas rus që inteligjenca ukrainase e akuzon për përfshirje në rrëmbime masive, dëbim të paligjshëm dhe transferim me forcë të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara të Ukrainës për në Rusi.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Bikbulatov tha se Yurmania i sheh “anëtarët e saj si persona që e lidhin jetën e tyre me shërbimin ushtarak në të ardhmen”.

“Ne shohim potencial në ta, ne presim nga ta që të bëhen personel ushtarak”, tha ai. “Ne i trajnojmë, punojmë me ta dhe duam që ata të bëhen ushtarë – Ministria e Mbrojtjes madje ofron përfitime për ish-anëtarët e Yunarmias kur ata i bashkohen [ushtrisë] – por, e gjithë kjo bëhet në formë vullnetare”.

Provat lënë të kuptohet se udhëheqja e Yunarmias gjykon performancën e degëve të saj, të paktën e bënë këtë pjesërisht duke shikuar numrin e ish-anëtarëve që i janë bashkuar ushtrisë ruse. Në tetor, zëvendësshefi i Yunarmias, Viktor Kaurov, u dërgoi letra degëve rajonale lidhur me “rishikimin” e detyrueshëm vjetor dhe tha se vlerësimi do të përfshijë dy parametra: “numrin e kadetëve të Yurmanias që janë thirrur për shërbim ushtarak dhe që janë regjistruar në universitete të ushtrisë” dhe “numrin e kadetëve të Yurmanias që janë regjistruar në qendrat e trajnimit të ushtrisë”./ Radio Evropa e Lirë

Atentati në Greqi/ Zbulohet identiteti i vërtetë i shqiptarit të plagosur

Zbardhen detaje të reja nga atentati që iu bë shqiptarëve në Athinë një ditë më parë, ku njëri mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë.

Edi Lulo, sipas mediave greke, ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital. Ai ka marrë plagë në kokë dhe bark.

Identiteti i vërtetë i Edi Lulos është Etmond Hysa.

Ai rezulton i dënuar në Greqi për ngjarjen e vitit 2011, ku u mbajtën peng disa avokatë në Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe u grabitën 405.000 euro.

Bashkë me këtë ngjarje ai u akuzua edhe për grabitje të tjera dhe u dënua. Pasi kreu burgun, mësohet se u riatdhesua në Shqipëri. Kohët e fundit jetonte në Dubai dhe në datën 9 dhjetor ka ardhur në Greqi me identitetin Edi Lulo.

Me emrin Etmond Hysa, 46-vjeçari rezulton i riregjistruar edhe në Shqipëri, ku rezulton edhe pronar i një biznesi në Durrës.

Si do të jetë moti nesër? Termometri zbret në minus

Ditën e martë vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet të jetë i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare. Mjegull/ mjegullinë në zonat luginore.

Era parashikohet të fryjë nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 5m/sek.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore -1 deri 11°C
në zonat e ulëta 1 deri 18°C
në zonat bregdetare 6 deri 18°C