zoom

Day ArchiveIzraeli urdhëron palestinezët të evakuohen nga jugu i Gazës

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve nga disa zona në jug të Rripit të Gazës që të evakuohen, duke paralajmëruar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka gjuajtur raketa nga ajo zonë.

Kjo është hera e parë në javët e fundit që Izraeli u bënë thirrje banorëve në jug të territorit palestinez të largohen nga jugu, pasi ushtria izraelite që nga muaji tetor e ka përqendruar fushatën ushtarake në veri të Gazës.

“Organizatat terroriste edhe një herë kanë gjuajtur raketa drejt shtetit të Izraelit nga zona juaj”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në X, duke iu adresuar banorëve të zonës së Han Junisit.

“Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoheni menjëherë nga zona dhe të zhvendoseni në zonën humanitare”, tha ai, duke publikuar hartën e zonës nga ku banorët janë urdhëruar që të evakuohen.

Më herët gjatë 2 dhjetorit, ushtria izraelite tha përmes një deklarate se “një predhë kaloi në territorin izraelit nga Han Junisi dhe raketa u rrëzua” nga forcat izraelite.

Më pas, Hamasi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ka gjuajtur raketa drejt jugut të Izraelit.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, pasi Hamasi kreu sulm në Izrael, duke vrarë afër 1.200 persona – shumica civilë –dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 44.000 palestinezë, shumica civilë, dhe territori ka pësuar dëme të mëdha materiale.

Shqipëri, shqetësim dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja keqdashëse në ekonomi

Në Shqipëri komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit, ka nxjerrë në pah mjaft problematika në këtë drejtim.

Pas raportimeve të disa drejtuesve të institucioneve të rëndësishme në vend, është konstatuar se ka mungesë koordinimi mes tyre mbi përgjegjësitë në lidhje me dezinformimin, si dhe rrezik në rritje të ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në ekonomi dhe stektorë të tjerë të rëndësishëm. Analistë të zhvillimeve ndërkombëtare, mendojnë se kjo situatë lë hapësira për cënimin e sigurisë në vend.

Komisioni i posaçëm parlamentar që u ngrit pak kohë me parë për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike, evidenton mjaft probleme sidomos kur bëhet fjalë për identifikimin apo adresimin e tyre. Pas agresionit rus në Ukrainë fushatat dezinformuese dhe sulmet kibernetike u shtuan në vendet që mbështesin Ukrainën.

Sipas të dhënave që vijnë nga komisioni i posaçëm edhe natyra e sulmeve është zgjeruar. Së fundi një prej tyre synonte shkatërrimin e gjithë shërbimeve të një prej institucioneve shëndetësore publike në vend. Kryetari i komisionit në fjalë Erion Braçe në një intervistë për Zërin e Amerikës veçoi me shqetësim se janë vënë re raste të ndërhyrjeve të huaja edhe në disa sektorë të ekonomisë.

“Fill pas luftës në Ukrainë një pjesë e madhe e operatorëve ekonomikë rus me qëllim për t’iu shmangur sanksioneve janë regjistruar në vendet e BE-së dhe prej andej vazhdojnë aktivitetin, ndërkohë që origjinën e aksionerëve e kanë në Rusi. Ky fenomen është vërejtur dhe vendon tonë, qoftë në pronarë përfitues të drejtpërdrejtë apo pronarë përfitues të nënkontraktorëve të operatorëve ekonomikë që operojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për fat të keq kemi moskoordinim mes institucioneve përsa u takon pronarëve përfitues. Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk përputhen me të dhënat që kanë institucionet e tjera përsa i takon pronarëve përfitues”- thotë Erion Braçe- Kryetar i Komisionit të posaçëm kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.

Zëri i Amerikës, pyeti dhe QKB për këtë shqetësim. Në përgjigjen me shkrim ky institucion sqaron se vazhdimisht dërgon kontributin e tij pranë Komisionit të dezinforimimit, me të dhëna dhe analiza për pronarët përfitues të vendeve dashakeqëse.

Nga ana tjetër bën me dije se QKB është përgjegjëse për regjistrimin, administrimin apo përpunimin e të dhënave që deklarohen nga subjektet, dhe jo për vertetësinë e tyre, e cila është përgjegjësi e vetë subjektit. Gjithashtu QKB më tej thotë se janë autoritetet kompetente si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Tatimeve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Policia, Prokuroria, apo Prokuroria e Posaçme të cilat, kanë akses elektronik të lirë, në të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.

Në rastet kur konstatojnë se, të dhënat e regjistruara në këtë regjistër nuk përputhen me të dhënat që këto institucione zotërojnë në lidhje me këta pronarë, njoftojnë subjektin si dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit – sqaron QKB.

Nga ana tjetër analistë të zhvllimeve ndërkombëtare tërheqin vëmendjen se ndërhyrjet e huaja keqdashëse, në ekonomi kanë forma të ndryshme.

“Përveç rrjeteve të spiunazhit që veprojnë kudo nëpër Europë, përpiqen të rekrutojnë dhe agjentë të ndryshëm të sipërmarrjeve ekonomike, të institucioneve të ndryshme por dhe elementë të ndryshëm që i konsiderojnë si zëra të fuqishëm opozitarë të cilët bëjnë politikë në favor të Rusisë”- shprehet Petrit Nathanaili, pedagog i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, UT.

Pas agresionit rus në Ukrainë u intensifikuan gjithashtu dhe fushatat dezinformuese. Kjo çështje në Shqipëri paraqet mjaft problematika, sa i takon identifikimit të tyre. Kryetari i komisionit të posaçëm kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të tjera të huaja në proceset demokratike, Erion Brace thotë se aktualisht nuk ka asnjë nen që të adresojë çështjet e dezinformimit brenda territorit të vendit. Dhe kjo duket se e ndërlikon edhe më tej këtë çështje.

“Në çështjet e dezinformimit nuk gjej institucione që të identifikojnë fushatat dezinformuese online apo që të bëjnë analizën dhe ta adresojnë problematikën qoftë dhe duke korigjiuar dhe korrektuar atë informacion që vjen në kuadër të dezinformimit. Për fat të keq jemi zbuluar”- shprehet Zoti Braçe.

Komisioni i posacëm parlamentar kundër dezinformimit në mungesë të hapësirave ligjore mbi dezinformimin po bazohet aktualisht në metodologjinë e komisionit të ngjashëm në Parlamentin Europian.

Ndërkaq në kontesktin e zhvillimeve ndërkombëtare analistët veçojnë për Zërin e Amerikës rrezikun që vjen nga depërtimi i dezinformimit

“Rreziku rus sidomos në një vend si Shqipëria që ka mangësi në konsolidimin dhe efikasitetin e institucioneve mund të krijojë manipulime dhe dezinformime të cilat shkaktojnë një mjedis kaotik që do të pengonin zhvillimin normal të institucioneve”- thotë Dritan Hoti pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Pak kohë më parë AKEP, bllokoi 155 faqe ruse në internet dhe 8 iraniane që i përkasin grupit Iranian Homeland Justice, me rekomandim të Komisionit europian. Ky institucion i tha Zërit të Amerikës se është bllokuar gjithashtu edhe portali shtetëror Rus, RT, i njohur me parë emrin Rusia Today si dhe 66 faqe interneti që nuk i përkasin Rusisë apo Iranit, por që lidhen në mënyrë të tërthortë me këto vende. AKEP sqaron se këto bllokime të aksesit u bazuan mbi kërkesat e institucioneve përgjegjëse që vlersojnë përmbajtjen.

Kryetari i komisionit kundër dezinformimit Z. Braçe sqaron se këto faqe ruse bënin propagandë brenda territorit të Shqipërisë, dhe i adresoheshin qytetarëve shqiptarë me akte dezinformimi në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë. Këto forma synojnë konfliktualitet në të gjitha vendet që mbështesin Ukrainën, argumenton ai, ndërsa shton se është konstatuar edhe një fenomen tjetër.

“Ajo që kemi vërejtur është se ka dhe faqe të tjera jo vetëm në internet po edhe në rrjetet sociale që propagandën ruse e adresojnë në gjuhën shqipe dhe që janë të pambyllura ende”- vijon Z. Braçe.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se si mund të veprohet në të tilla raste, Autoritieti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare sqaroi në përgjigjen me shkrim “se bllokimet që u kërkohen sipërmarrësve të komunikimeve elektronike (Internet Service Provider-ISP, që ofrojnë shërbim interneti në Republikën e Shqipërisë) të bëjnë nuk shtrihen në mediat apo platformat sociale”.

“Një gjë e tillë është teknikisht e pamundur pasi sipërmarrësit e komunikimeve elektronike mund të bëjnë të mundur mbylljen e domain dhe jo të llogarive të ndryshme”- thotë AKP.

Ashtu si mjaft vende të tjera edhe Shqipëria nuk është imune ndaj sulmeve kibernetike, dezinformacionit apo ndërhyrjeve të tjera keqdashëse në proceset demokratike të vendit. Çështja që shtrojnë eskpertët sot nuk është nëse janë apo jo prezenet këto fenomene, por sa sfiduese dhe kërcënuese janë ato.

Në kushte kur Shqipëria ka mjaft për të bërë në këtë drejtim analistët nxisin marrjen e masave të shpejta ligjore me qëllim parandalimin apo zbutjen e ndikimit të ndërhyrjeve të huaja në vend. Voa/

Sulmi në Kosovë/ Karamuço: Është gjetur hartë sekrete ruse, pjesë edhe Shqipëria

Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me sulmin në një nga pikat më të rëndësishme të infrastrukturës energjitike në Kosovë.

Sipas Karamuços, pas shpërthimit në kanalin në Ibër-Lepencë është gjetur një hartë sekrete e pushtimit rus.

“Është shfaqur një hartë që mbahej sekret e Rusëve. Harta e sulmeve mbi Evropën. Jemi edhe ne, është dhe Kosova… e rrethuar me të kuqe. Janë harta me veprime subversive që do bëhen. Ka filluar plani në Angli me shpërthimin e depove të mëdha të predispozuara për në Ukrainë, shpërthime në Baltik, të një avioni me ndihma. Kemi telefonata pafund në Evropë për vendosje bombash dhe në Çeki në rrjetin e trenave”, tha eksperti në një studio televizive në Top Chanel.

Profesori e përshkroi situatën si të “paqëndrueshme”. Nuk do ketë luftë frontale, tha ai, por “këto akte terroriste, do cënojnë sigurinë në Kosovë, duhet të jemi të përgatitur.”

Hezbollahu kryen sulmin e parë ndaj Izraelit që nga armëpushimi

Hezbollahu – grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – ka kryer sulm në zonën kufitare, që është nën kontrollin e Izraelit, më 2 dhjetor, pasi Izraeli ka kryer disa sulme brenda Libanit që kur marrëveshja për ndaljen e armiqësive hyri në fuqi javën e kaluar.

Hezbollahu tha se sulmi i tij – që ishte i pari që nga armëpushimi – ishte paralajmërim në përgjigje të atyre që tha se ishin shkelje të vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli.

Ushtria izraelite tha se dy predha u lëshuan drejt malit Dov, që është një territor i kontestueshëm i cili është nën kontrollin e Izraelit. Ky vend gjendet ku ndodhet kufiri mes Libanit, Sirisë dhe Izraelit.

Nga sulmi i Hezbollahut nuk u raportua për viktima e as dëme materiale.

Ky grup libanez tha se sulmoi pozicionet ushtarake izraelite në këtë zonë si “paralajmërim” për ato që i cilësoi si “shkelje të vazhdueshme” të armëpushimit.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, hyri në fuqi javën e kaluar dhe parasheh ndërprerje të luftimeve për 60 ditë, duke synuar që t’i japë fund luftimeve mbi 1-vjeçare mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Që atëherë, Izraeli ka kryer një sërë sulmesh ajrore në Liban. Sulmet e fundit, Izraeli i kreu të hënën, kur një dron vrau një person që po udhëtonte me motoçikletë në jug të Libanit dhe një sulm tjetër goditi një buldozer të ushtrisë libaneze në qytetin verilindor të Hermelit, duke lënë të plagosur një ushtar.

Izraeli tha se sulmet ishin në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga Hezbollahu, por nuk dha detaje se për çarë shkeljesh bëhet fjalë.

Edhe në ditët paraprake ka pasur sulme në Liban.

SHBA-ja dhe Franca kanë për detyrë të monitorojnë të gjitha shkeljet e armëpushimit. Izraeli tha se, sipas marrëveshjes së armëpushimit, rezervon të drejtën që të përgjigjet nëse armëpushimi shkelet.

Hezbollahu ka gjuajtur raketa drejt veriut të Izraelit që nga nisja e luftës në Gazë në tetor të vitit 2023. Ky grup ka thënë se do të ndalë sulmet vetëm pasi Izraeli t’i japë fund luftës së tij në Gazë. Luftimet mes palëve u përshkallëzuan në tetor, kur Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban.

Në 14 muajt e fundit, Izraeli ka vrarë pothuajse të gjithë udhëheqjen e Hezbollahut, përfshirë udhëheqësin e kamotshëm, Hassan Nasrallahun, dhe ka shkatërruar arsenalin ushtarak të grupit.

Izraeli është zotuar se do të sigurohet që Irani të mos vazhdojë ta financojë dhe armatosë grupin dhe ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al-Assad, kundër lehtësimit të ndihmës iraniane për Hezbollahun. REL/

Habit studimi! Aktiviteti mes çifteve rritet për Krishtlindje, ia kalon edhe Shën Valentinit

Mund të jetë ftohtë jashtë, por gjërat mund të bëhen të nxehta për shumë brenda shtëpisë. Një sondazh i ri zbulon se shtatë në 10 të rritur zakonisht kryejnë marrëdhënie në ditën e Krishtlindjes.

“Sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat Shëndetësore, muajt gusht dhe shtator kanë më shumë lindje çdo vit”, thotë Fred Petrenko i EdenFantasys në një deklaratë.

Kjo korrespondon në mënyrë të përkryer me gjetjet tona se aktiviteti seksual rritet në muajin e festave. Të gjithë i duam përqafimet dimërore!

Në fakt, sezoni festiv ishte 50 përqind më popullor për marrëdhënie intime sesa dita e Shën Valentinit!

34 përqind e njerëzve thanë se Krishtlindjet i vendosin më së shumti në humor romantik. Në një sondazh të kryer nga Mattress Online, vetëm 18 për qind e njerëzve mendonin se Dita e Shën Valentinit ishte festa më seksi. Kjo u ndoq shpejt me 17 përqind që thanë se ditëlindjet ishin dita më e mirë.

Nëntë përqind ishin gati për Vitin e Ri dhe shtatë përqind në Halloween. Çuditërisht, 3 për qind menduan se ishte e përshtatshme në Ditën e Nënës ose të Babait.

“Dhoma ku thurje ëndrrat do të jetë strehë”/ Prindërit e Martinit publikojnë letrën prekëse

Pak ditë pas vdekjes tragjike që tronditi vendin, prindërit e Martin Canit kanë publikuar një letër prekëse kushtuar të miturit.

Nëna dhe Babai i 14-vjeçarit, falenderojnë të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes në këtë ngjarje të rëndë.

Në letrën e bërë publike, ata shprehen ndër të tjera se “ëndrra e vazhdon se Martini është pranë nesh”.

Letra e plotë:

Ëndrra vazhdon”

Hapat që ti hodhe shtruan një qilim idesh, ëndrrash dhe objektivash, ku ti ishe nismëtar e ne të gjithë bashkëudhëtarë.
Zgjoheshim me buzëqeshjen tënde, motivoheshim me ambiciet e tua, drekonim e darkonim me dëshirat dhe sukseset e tua.

Dhoma ku ti thurje ëndrrat, streha ku ti u linde, u rrite dhe luftove për qëllimet e tua, nga sot e tutje do të jetë strehë për çdo futbollist, mik e admirues që e deshi dhe do ta dojë përgjithmonë MARTININ.
Në mure do të gjeni fjalët, batutat, ëndrrat dhe objektivat e tij. Çdo fotografi, bluzë, top, aksesor apo mesazh, detyrat në fletore, të përfunduara apo jo… çdo gjë që gjithsecili nga ju ia kushton kampionit, është i mirëpritur në strehën e MARTINIT.
Kjo strehë nuk është thjesht një vend, por një burim frymëzimi, ku çdo i ri do të mësojë që puna, pasioni dhe përkushtimi mund t’i shndërrojnë ëndrrat në realitet.
Sot, i jemi mirënjohës Martinit për mësimet që na la. Për buzëqeshjen që ndriçonte çdo ditë, për forcën që frymëzonte ekipin dhe për shpirtin e tij të palodhur që kërkonte gjithmonë më të mirën.
Gjej rastin të falenderojmë nga thellësia e shpirtit familjen, fisin,  miqtë, mësueset/it, trajnerët, të gjithë popullin shqiptar, në Shqipëri, diasporë, e kudo… që u solidarizuan dhe na u gjendën pranë në këto çaste tepër të vështira për familjen tonë, tifozat KUQ E ZI, që mbajtën 1 min heshtje në Air Albania, FSHF e në veçanti Presidentin Armando Duka. Falenderime e bekime për  të gjithë ata që ishin pjesë e këtij udhëtimi të mrekullueshëm, sepse Martini nuk ishte vetëm një individ – ai ishte një frymë, një forcë që na bashkoi dhe vazhdon të na udhëheqë.
Nga lart, Martini na shikon dhe na përshëndet me një mesazh të qartë:
“Këtu më kini, si dikur. Unë jam këtu, dhe do të jem përgjithmonë.”
Ai na mësoi se ëndrrat nuk ndalen kurrë. Përmes tij, ne guxojmë të ëndërrojmë më shumë. Martini nuk ishte thjesht një emër, por një dritë që ndriçon rrugën e çdo zemre që beson në guxim dhe në të pamundurën.
Ëndrra vazhdon… dhe Martini do të jetë gjithmonë mes nesh…
Ju faleminderit nga zemra të gjithëve Angel & Florina CANI!

Kurti dhe Vuçiç nesër në Bruksel/ Takohen shefen e re të diplomacisë evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 3 dhjetor do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Takimet e ndara në Bruksel nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.

Kallas është shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe së bashku me pjesën tjetër të komisionarëve të KE-së nisën mandatin më 1 dhjetor.

Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.

Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.

Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.

Kurti dhe Vuçiq në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiq kanë këmbyer akuza për sulmin në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.

E fundit/ Shqiptari gjender i vdekur në burgun grek

Një shtetas shqiptar, 37-vjeç është gjetur i vdekur në burgun e Malandrinos në Greqi.

Mediat greke bëjnë të ditur se bashkë me shqiptarin, pa ndjenja u gjet edhe një i burgosur tjetër grek 38 vjeç.

Autoritetet e burgut konstatuan se 37-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, kishte ndërruar jetë.
Ndërsa greku ishte gjallë dhe u dërgua për mjekim në spital.

Policia greke ka nisur hetimet për këtë ngjarje dhe ka urdhëruar kryerjen e një autopsie për të zbardhur shkaqet e vdekjes së të burgosurit shqiptar.

Në burgun e Malandrinos një nga më famëkeqët në Greqi, vuajnë dënimet shumë shtetas shqiptarë.

Parlamenti evropian debat për sulmin në Kosovë

Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 2 dhjetor është diskutuar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok të Kosovës.

Në këtë debat, Kosova është përfaqësuar nga ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.

Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, në fillim të debatit shprehur shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në veri të Kosovës, si ato në ndërtesat komunale, po ashtu edhe për atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ai rikujtoi se Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, që tha se e destabilizojnë Kosovën.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, për sulmin e fundit në Varragë të Zubin Potokut, e lidhi me Rusinë, duke thënë se Serbia po punon sipas një skenari rus.

Akuza të ngjashme më herët ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit me mjete shpërthyese në Zubin Potok. Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.

“Kjo çështje është e lidhur me luftën dhe paqen. Nuk dua t’iu mbaj ligjërata, por t’ua tërheq vërejtjen për një situatë shumë shqetësuese”, tha Gërvalla, duke e cilësuar sulmin si “tentim të Rusisë për të destabilizuar rajonin”.

Gërvalla i krahasoi sulmet e fundit në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – me sulmet që Rusia kryen kundër Ukrainës.

“Serbia nuk është Rusi, por ajo po i kopjon strategjitë e Rusisë dhe po i përdor në rajon”, tha Gërvalla, e cila foli edhe për sulmin e mëhershëm të armatosur në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar.

Ajo pretendoi se në këtë sulm, kur u vra një polic i Kosovës, rol ka pasur edhe Rusia.

“Ky nuk është një tension etnik, asnjë mospajtim mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që po ndodh është përshkallëzim që ndodh për shumë vite. Ky është një test për të parë sesa mund të pranojë Perëndimi”, tha Gërvalla.

Ajo po ashtu tha se prapa sulmit të fundit në Zubin Potok qëndron personi që ka organizuar sulmin në Banjskë – referencë për Millan Radoiçiqin.

Gërvalla kërkoi që Bashkimi Evropian të ndërmarrë masa për të “ndaluar Serbinë”, në mënyrë që, sipas saj, të sigurohet paqja dhe stabiliteti jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.

Sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës e kishin dënuar në emër të PE-së edhe Davor Ivo Stier, i cili është kryesues i delegacionit të PE-së për raporte me Kosovën dhe Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian. Ata kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët për këtë rast.

Disa deputet të Parlamentit Evropian, duke shprehur solidaritet me Kosovën, megjithatë janë shprehur se duhet të shohin më shumë prova për akuzat që Gërvalla ka bërë për përfshirjen e Serbisë në sulmet e fundit në veri.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.

Aksident i rëndë në Fier-Lushnjë/ Motoçiklisti përplaset në asfalt

Një aksident i rëndë rrugor u shënua këtë të hënë në aksin Fier-Lushnjë, ku një motor u përplas me një autobus.

Për pasojë, drejtuesi i motorit përfundoi në asfalt. Ai nuk kishte kaskë mbrojtëse në kokë.

Sipas policisë, motoçiklisti u plagos në trup dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Policia ka ndaluar drejtuesin e autobusit deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Sipas dëshmitarëve okularë, drejtuesi i motoçikletës udhëtonte në mes të rrugës dhe fillimisht është goditur nga një autoveturë, e cila është larguar dhe më pas është përplasur me mjetin autobus, duke përfunduar për pasojë jashtë rruge.