zoom

Day ArchiveSa vite burg rrezikon Ilir Meta?

Arrestimi i Ilir Metës ka qenë tema e diskutimit në të gjithë opinionin publik në 24 orët e fundit. Akuzat e SPAK janë tre pastrim parash, korrupsion dhe fshehje të pasurisë.

Por sa vite burg do të rrezikonte ish-Presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Kuvendit nëse do të shpallej fajtor.

I ftuar në media, ish-Prokurori Besnik Muçi tha se është ende shpejt për të folur për dënimin.

Sipas tij fillimisht SPAK do të duhet të provojë akuzat, pasi është shumë i vështirë ky lloj hetimi.

“Ngjarja e djeshme të gjithëve na vë në një moment refleksioni. Akuzat të cilat i atribuohen, pasi ato janë vepra penale që dyshohet se i ka kryer, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash është vepër e rëndë penale nga 5 në 15 vjet. Janë vepra jo shumë të rënda, por dhe jo të lehta. Sa mund të dënohet kush jurist e ka parasysh. Por shumë thjeshtë për të folur. Por unë shoh që janë vepra të lidhura me detyrën. Janë vepra shumë të vështira për tu hetuar, sfidë shumë e vështirë e prokurorisë. Pavarësisht se si etiketohet zoti Meta përsëri ai ka qenë kryeministër, President, kryetar parlamenti. Them sfidë pasi janë vepra që edhe duhen hetuar, nëse ka veprim apo mos veprim, dhe pjesa e përfitimit. Me aq sa pamë sot ka disa elementë që ngrenë dyshime serioze.

Në funksionin e ministrit apo kryetarit të Kuvendit të kesh ndikuar në një ligj” tha Muçi.

BBC: Krim dhe luks – Brenda shtëpive të shqiptarëve ku rritet kanabisi

BBC i ka kushtuar një artikull bandave kriminale shqiptare që trafikojnë njerëz në Britaninë e Madhe duke i detyruar të punojnë në fermat e kanabisit.

Në artikullin me titull “Goditje bandave të kanabisit të skllavërisë moderne shqiptare” thuhet se policia e Mançesterit arrestoi 46 shqiptarë në vitin 2023 dhe gjeti më shumë se 10 milionë paund kanabis.

Në artikull theksohet se bandat shqiptare kanë “blerë” njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në fermat e kanabisit. Sipas të njëjtit shkrim grupet kriminale blejnë makina të shtrenjta dhe rroba e ora të stilistëve të njohur.

Në këtë mënyrë ata kthehen në vendin e tyre gjë që inkurajon një brez tjetër kriminelësh të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, citon shkrimi.

Shkrimi i plotë

Policia thotë se po godet bandat kriminale shqiptare që kontrabandojnë njerëz në Britaninë e Madhe dhe i detyrojnë të punojnë në fermat e kanabisit. Policia e Mançesterit arrestoi 46 shtetas shqiptarë në vitin 2023 dhe gjeti më shumë se 10 milionë paund kanabis. Policia e Mançesterit tha se njerëzit ishin të detyruar të punonin në kushte të tmerrshme, ndërsa bosët e tyre kriminelë bënin pasuri të konsiderueshme.

Drejtuesi i policisë, Joe Harrop thotë se grupet nga Ballkani Perëndimor ishin fokusi i një operacioni që kishe përfshirë forca policore nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar.

“Shpesh, bandat shqiptare kanë blerë njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në vende si fermat e kanabisit. Këto janë kushte të tmerrshme. Ata jetojnë dhe flenë brenda fermave dhe nuk mund të largohen. Ata mirëmbajnë bimët të cilat shpesh janë në faza të ndryshme të rritjes në dhoma të ndryshme. Drejtuesit e këtyre grupeve të krimit fitojnë një sasi të madhe parash” – tha Harrop.

Ai tha se këto grupe blejnë “makina të cilësisë së lartë” dhe rroba dhe ora të stilistëve, dhe më pas kthehen në vendin e tyre “duke u mburrur më këtë pasuri”, gjë që inkurajon “një brez tjetër kriminelësh të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Sekuestrimet

Si pjesë e një hetimi midis majit dhe nëntorit 2023, oficerët morën dijeni për një shqiptar që besohej se po kontrollonte të tjerë në prodhimin në shkallë të gjerë të kanabisit në të gjithë rajonin. Duke identifikuar anëtarët e nivelit më të lartë të bandës, policia ishte në gjendje të bënte disa arrestime të këtij rrjeti.

Në vitin 2022, policia bëri 10 788 sekuestrime kanabisi dhe në vitin pasardhës kjo shifër u rrit në 13 247 raste. Në shtator 2024, katër burra nga Shqipëria morën dënime të gjata me burg për drejtimin e fabrikave të kanabisit. Policia po punon me këshillat, shkollat dhe spitalet në Mançester për trajtimin dhe edukimin e çështjeve të drogës si pjesë e strategjisë.

Dr. Jon Davies, një kriminolog në Universitetin e Mançesterit, u shpreh: “Në Bury, ka pasur prova që restorantet dhe agjentët e udhëtimit kanë ndihmuar në krijimin e një fronti biznesi për të pastruar paratë. Sigurisht, nuk ka gjasa që viktimat të jenë në zyrën e pasme të atij biznesi apo dyqani, por ato do të ndodhen në shtëpi. Ka një operacion të tërë atje për të ndaluar zbatimin e ligjit nga zbulimi i atij aktiviteti.”

Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se, në fund të marsit 2024, më shumë se 1200 shqiptarë mbaheshin në burgjet në Angli dhe Uells – më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj.

Amy Bond, shefi operativ i shoqatës bamirëse kundër skllavërisë moderne Causeëay, tha se “shumica e njerëzve që kanë ngecur në skllavërinë moderne janë të bllokuar duke u shfrytëzuar në punë në gjëra të tilla si fermat e kanabisit. Ka pasur një kalim nga bandat vietnameze në ato shqiptare. Bandat sjellin njerëz në këto mjedise dhe do u premtojnë atyre një punë. Viktimat më pas përfshihen në punë të paligjshme dhe nuk mund të largohen sepse kanë frikë nga ndjekja e tyre”.

“WhatsApp-i i gangsterave”/ Hetuesit: Pas anglishtes, gjuha më e përdorur në Sky ECC është shqipja

Themeluar në vitin 2008, Sky ECC u rrit në popullaritet pasi mesazhet e dërguara përmes një shërbimi tjetër të mesazheve të koduara, EncroChat, u deshifruan në një operacion të udhëhequr nga francezët dhe holandezët në mesin e vitit 2020.

Menjëherë, Sky ECC e përshkroi veten si “një lider global në teknologjinë e mesazheve të sigurta”, duke ‘siguruar’ se do të ndihmojë përdoruesit të mos rrezikojnë hakërrimin.

Autoritetet e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, megjithatë, thonë se ai u krijua me të vetmin qëllim: Për të lehtësuar trafikun e drogës dhe shumë shpejt, ishte bërë aplikacioni i zgjedhur i mesazheve për organizatat e krimit transnacional.

Në 2021, policia në Belgjikë dhe Holandë bënë atë që Europol e përshkroi si një nga rastet më unike në historinë globale të drejtësisë.

U arrestuan mijëra njerëz pasi policia depërtoi në komunikimet e rreth 70 mijë pajisjeve që kishin përdorur Sky ECC.

Më 12 mars, autoritetet amerikane paditën Jean-Francois Eap, shefin ekzekutiv të Sky Global, kompania që qëndron pas Sky ECC, duke e akuzuar atë për menaxhimin e një platforme që përdorej masivisht nga grupet kriminale.

Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, detektivët ranë dakord se hetimi i Sky ECC shënoi një pikë kthese në luftën kundër bandave të drogës.

Eric Snoeck, drejtor i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, i tha AFP në 2022 se autoritetet kanë në dorë më shumë se një miliard mesazhe Sky ECC.

Ato mesazhe i lejuan hetuesit të gjenin një “shtëpi tmerri” në Serbi pranë kryeqytetit Beograd, ku viktimat copëtoheshin, shembull i një prej rasteve më të tmerrshme, që nuk do zbulohej ndoshta kurrë nëse nuk do dëshifrohej Sky ECC. Gjithashtu, zbardhjet nga Sky ECC zbuluan vrasje dhe tortura në Holandë në 2022.

France 24 shkruante asokohe se ndërsa shumica e figurave të larta të arrestuar jetonin në Dubai, Ballkani është ‘koka’ e këtyre bandave.

“Pas anglishtes, gjuha më e zakonshme e përdorur në Sky ECC ishte shqipja”, zbuluan hetuesit.

“Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani janë përshtatur shpejt dhe me zgjuarsi vitet e fundit për të inovuar dhe përdorur teknologjinë në avantazhin e tyre”, tha Walter Kemp, drejtor i Observatorit të Evropës Juglindore në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Ai tha se ndërsa disa ende mbajnë para përtej kufijve ose përdorin transferta bankare, të tjerët po përdorin mjete komunikimi të koduara, duke pastruar para përmes kriptomonedhave dhe skemave të përpunuara financiare.

“Jam shumë i shqetësuar,” i tha AFP një gjyqtar francez, duke folur në kushte anonimiteti.

“Ne po e nënvlerësojmë rrezikun e këtyre rrjeteve në drejtim të destabilizimit të shtetit dhe përhapjes së dhunës në të gjitha anët e shoqërisë. Është WhatsApp-i i gangsterave”, tha ai.

Në kohën e operacionit policor, tre milionë mesazhe në ditë dërgoheshin përmes Sky ECC.

Në 2021, në mbarë botën, kishte 171,000 pajisje me SKY ECC të regjistruara, kryesisht në Evropë, Amerikën e Veriut, një numër vendesh në Amerikën qendrore dhe jugore, kryesisht Kolumbi dhe në Lindjen e Mesme. Por, çuditërisht, 25% e përdoruesve aktivë të këtyre pajisjeve janë në Belgjikë (6,000) dhe Holandë (12,000), dhe gjysma e tyre thuhet se janë në përdorim rreth portit të Antëerp.

Pas heqjes së Sky ECC në mars 2021, shumë rrjete të krimit të organizuar kërkuan një zëvendësim të shpejtë për një platformë komunikimi të koduar.

Ish-kryeministri italian:Si mund të çojmë emigrantë në Shqipëri kur zvarrisin ish-presidentin e vet

Ish-kryeministri Italian, Matteo Renzi ka risjellë në vëmendje çështjen e migrantëve dhe marrëveshjen Rama-Meloni, për t’i transferuar ata në Shqipëri dhe tentativat e  pasardhëses së tij që të hedhë poshtë vendimin e gjykatës së Romës përmes një dekreti ligjor.

Gjatë një interviste për telesvizioni  La7, në Itali, Renzi thotë se Shqipëria nuk është një vend i sigurtë, siç pretendon kryeministerja Giorgia Meloni, teksa iu referua pamjeve të arrestimit të ish-presidentet të Shqipërisë, Ilir Meta.

Vetë ish-kryeministri Italian, Mateo Renzi e pranon se përmes këtyre pamjeve, autoridetet shqiptare kanë dy standadre, sa i përket sigurisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

‘Ne e dimë që autoritetet shqiptare kanë standarde të ndryshme. Ju e patë në Shqipëri, se çfarë ndodhi me arrestimin e ish-presidentit të Shqipërisë. Ju i patë pamjet se si e nxirrnin në mënyrë tirane nga makina ish-Presidentin e Republikës. Emigrantët bengalezë ndoshta mund t’i shohin këto pamje, imagjinojnë këtë dhe se çfarë mund të ndodhë me ta’

Sipas Renzit është e pamundur që miliona euro të taksapaguesve italianë të shkojnë dëm, në një kohë kur ato fare mirë mund të adresoheshin për problemtaikat në fusha të ndryshme të jetës socio-ekonomike atje.

VIDEO (Komenti, minuta 05:05)

Të njëjtat akuza me Metën, arsyet pse Monika Kryemadhi i shpëtoi arrestit me burg nga SPAK

Ndërsa ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta u arrestua një ditë më parë, deputetja Monika Kryemadhi u la në masën detyrim paraqitje nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.

Gjykata gjatë caktimit të masës vlerësoi: gjendjen ekonomike, shoqërore e familjare e saj, gjendjen shëndetësore, ku gjatë hetimit ka rezultuar e dokumentuar se i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale.

“Në lidhje me personin nën hetim Monika Kryemadhi, Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj duhen mbajtur në konsiderate këto kritere/rrethana: gjendjen ekonomike, shoqërore e familjare e saj, gjendjen shëndetësore të saj (gjatë hetimit ka rezultuar e dokumentuar se i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore), rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale për të cilat dyshohet duke u nisur nga masa e dënimit që parashikon secila prej tyre, mënyra e kryerjes se secilës prej tyre, rrezikshmërinë shoqërore të autorit, faktin që personi nën hetim po hetohet për katër vepra penale të ndodhura në kohë të ndryshme, faktin që personi nën hetim dyshohet se është recidivist specifik në veprën penale të “Korrupsionit”, si dhe përbërjen e gjendjes së saj familjare.

Gjykata vlerëson se të gjitha këto rrethana, e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin ndaj personit në hetim Monika Kryemadhi të masës se sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.

Në vlerësimin e gjykatës kjo masë sigurimi personal është masa më e përshtatshme në raport me rëndësinë e fakteve të kryera nga personi nën hetim Monika Kryemadhi, si dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 260 i K.Penal, (katër deri në dymbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal (deri në tre vite burgim në maksimum) si dhe faktin që secili episod konsiderohet si vepër më vete. Masa e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nen hetim Monika Kryemadhi, ishte e përshtatshme ne raport me rëndësinë e faktit”, sipas dosjes.

Dosja e SPAK/ Për çfarë akuzohet Ilir Meta – Nga çështja e CEZ tek 846 mijë euro e vjehrrës

Sipas dosjes së SPAK, një nga çështjet për të cilat ish-presidenti Ilir Meta akuzohet është fakti se ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje.

Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

“Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre”, thotë SPAK në njoftimin zyrtar të bërë pas arrestimit të Metës.

Për këtë çështje është dënuar edhe nga Gjykata e Lartë biznesmeni Kastriot Ismailaj, ish-administratorit të DIA, kompanisë që u kontraktua për borxhet e pambledhura të CEZ. Në dosjen e SPAK figuron edhe intervista e gruas së Ismailajt, Vojsava, dhënë për gazetarin Fatos Mahmutaj, e cila pranon se bashkëshorti i saj i ka dhënë ryshfet Metës.

“Gjatë zhvillimit të intervistës, kemi pasur rreth 3 ndërprerje të regjistrimit për shkak se Vojsava emocionohej dhe dilte nga vetvetja duke akuzuar Ilir Metën. Për shembull një detaj që nuk është në intervistën bruto të publikuar, ajo më ka thënë: “…Ilir Meta kishte fushatën elektorale. Dhe erdhi te Kastrioti dhe i kërkoi 300,000 (treqind mijë) Euro. Kastrioti ia dha. Ai me paturpësinë e tij dhe pangopësinë erdhi dhe kërkoi prapë para. Kastrioti nuk i dha. I tha që nuk kam më para. Dhe kuotën time te partia e kam paguar. Ai këmbëngulte duke bërë presion. Tani që Kastrioti është në burg, ai vazhdon të kërkojë para me forma presioni. Unë nuk kam para për të paguar këto shantazhe të Ilir Metës ndaj zgjodha që të ikja për sigurinë e djalit tim”, thuhet në dëshminë e regjistruar në dosje.

Si depozitoi nëna pensioniste e Monika Kryemadhit 846 mijë euro pa burim të ligjshëm

Në dosjen e SPAK për ish-presidentin Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, ndër të tjera përmendet një shumë parash prej 846 mijë eurosh, e cila thuhet se burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”.

Në dosje thuhet se Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ka marrë dy kredi bankare, të cilat janë shlyer cash më pas në vlerën totale prej 846,000 eurosh, por pa burim të ligjshëm të parave.

“Në këto rrethana lidhja e kontratës me shtetasen Kozeta Fino nga Kryemadhit, marrja prej saj e kredisë bankare, si dhe financimi me këto të ardhura i një pjese të apartamentit të blerë nga Ilir Metaj e Monika Kryemadhi Nr. 3/64+1-9, ndërkohë që vetë Fatimja në këtë kohë ishte pensioniste, krijon dyshimin e arsyeshëm se është bërë me qëllim për të futur në sistemin bankar shuma monetare që burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”.

Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve këto shuma parash me origjinë korruptive, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare, dhe më pas shlyerja e kredive nëpërmjet depozitimit Cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhit, me deklarimin e burimeve të paqena sikurse është rasti i shtetasit Gentjan Sula me qëllim shlyerjen e kredive, është arritur që të futen në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parash prej 846.000 Euro”, thuhet në dosjen e SPAK.

6 sekrete për pastrimin e thellë të lëkurës dhe një shkëlqim të përhershëm

Pastrimi i fytyrës është hapi më i rëndësishëm në rutinën e bukurisë: nuk duhet neglizhuar asnjëherë, në asnjë moshë.

Filloni me një vetë-masazh

Antonìa Stefanaki një facialiste e elitës milaneze, sugjeron ta bëni këtë veprim për disa minuta para çdo pastrimi. Filloni nga dekolteja dhe në drejtim të qafës, me lëvizje nga poshtë- lartë. Ndërsa në fytyrë bëni lëvizje rrethore me duar, njëjtë sikur lani fytyrën. Në këtë mënyrë lejoni limfën të rrjedhë, duke nxitur eliminimin e toksinave dhe mbetjeve metabolike. Përveç kësaj, ju stimuloni qarkullimin e gjakut dhe rrjedhimisht oksigjenimin e lëkurës.

Mos e teproni në mëngjes

Gjatë natës lëkura rigjenerohet dhe forcon barrierën, atë shtresë të hollë të përbërë nga uji dhe lipide që nuk duhen eliminuar. Rekomandohet që në mëngjes, nëse nuk ka mbetje make-up, më mirë pastroni vetëm pjesën e syve me një tampon pambuku.

Mos harroni tonerin

Toneri është një hap thelbësor dhe duhet përdorur gjithmonë pas pastrimit. Ai depërton shpejt, hidraton dhe ribalancon. Si përbërës kryesorë ka acide alfa-hidroksi, acide beta-hidroksi dhe acide poli-hidroksi që e bëjnë fytyrën të shkëlqejë.

Pas të 50-ave, përdorni balsam

Sipas Nichola Joss, facialiste për Kate Moss, Gwyneth Paltrow dhe Meghan Markle, për pastrimin e fytyrave të atyre mbi 50 vjeç, produkti i rekomanduar sipas saj është balsami, i cili jo vetëm që pastron lëkurën, por edhe vepron si një trajtim: hidraton, ushqen dhe siguron substanca rigjeneruese. Duhet të masazhohet ngadalë në fytyrë dhe mundësisht të eliminohet me një leckë të lagur më pas.

Përdorni tampon liri dhe ujë trëndafili

Për pastrim, përdorni edhe një leckë liri të lagur me ujë trëndafili. Pëlhura prej liri ka një veprim eksfolues, ndërsa uji i trëndafilit tonifikon dhe hidraton. Këtë bëjeni një herë në javë.

Në mbrëmje bëni pastrim të dyfishtë

Pasi keni përfunduar rutinën e ditës pastrojeni fytyrën jo një, por dy herë radhazi. Pastrimi i dyfishtë është thelbësor për lëkurën veçanërisht nëse e keni rënduar me make-up. Pra fillimisht pastroni make-up-in me një pastrues dhe më pas lajeni me ujë dhe shkumues./ Living.al

Meta në pranga/ Kush do ta drejtojë Partinë e Lirisë? Zbardhet vendimi i Kryesisë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është në pranga.

Por, pavarësisht arrestimit të tij një ditë më parë me urdhër të SPAK, për drejtimin e partisë funksionarët e saj do të vazhdojnë të konsultohen me Metën.

Këtë të martë u mblodh Kryesia e Partisë së Lirisë, që vendosi mes të tjerash, që drejtimin e strukturës ta vijojë Ilir Meta.

Vendimet e Partisë së Lirisë:

Kryesia e Partisë së Lirisë, e mbledhur sonte më datë 21 tetor 2024, shpreh qëndrimin e saj, si më poshtë vijon:

Dënon me ashpërsinë më të madhe aktin shumë të rëndë kriminal terrorist të rrëmbimit dhe arrestimit politik, në mënyrë jo ligjore, të dhunshme dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe qytetar të një figure të lartë publike, si ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Presidenti i Republikës dhe Presidentit aktual të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta.

Ky akt terrorist kriminal i urdhëruar nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste dhe i vënë sot në zbatim nga struktura kriminale terroriste SPAK, konfirmon atë që kemi denoncuar prej kohësh se në Shqipëri ka rënë shteti ligjor dhe se sistemi i drejtësisë është i kapur për fyti dhe funksionon sipas një regjie, vetëm për llogari të interesave elektorale dhe politike të Narkoshtetit dhe Edi Ramës.

Arrestimi politik i Presidentit të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi konfirmon se drejtësia nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial.
Edi Rama dhe Altin Dumani, me aktin e sotëm terrorist kanë kaluar vijat e kuqe duke i shpallur luftë të hapur opozitës, me qëllim asgjesimin e saj, të pluralizimit politik dhe demokracisë.
Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, si dhe për shkak të denoncimit të pakompromis të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë.
Kryesia Politike e Partisë së Lirisë duke shprehur solidaritetin e plotë me Presidentin e burgosur politikisht, z.Ilir Meta, vijon aktivitetin politik nën drejtimin e Tij pavarësisht gjendjes së tij juridike.

Partia e Lirisë është e vendosur të intensifikojë shumëfish aksionin e saj politik dhe në terren për denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milion shqiptarë plus.

“Nëse jeni beqarë, yjet ju këshillojnë…” -Horoskopi i dashurisë për fundin e tetorit

Dashi

Këtë javë, i dashur Dashi, yjet po ju kërkojnë të ngadalësoni pak në dashuri. Nëse jeni çift, është koha të dëgjoni me të vërtetë partnerin tuaj. Shpesh, natyra impulsive ju bën të anashkaloni detajet e vogla që kanë rëndësi. Nuk mjafton të jesh fizikisht i pranishëm, duhet edhe një lidhje më e thellë emocionale. Megjithatë, nëse jeni beqarë, mund të ndiheni të tërhequr nga dikush shumë i ndryshëm nga ju. Jini të hapur ndaj dallimeve, ato mund të jenë magjepsëse. Këshilla për ju është të mos zhyteni pa u menduar: ndaloni dhe shikoni më me kujdes.

Demi

Demi, java juaj fillon me disa tensione në marrëdhënien tuaj. Ju mund të ndiheni të pasigurt ose nervoz pa ndonjë arsye të dukshme. Mos harroni, megjithatë, se partneri nuk mund të lexojë mendjen tuaj. Të folurit hapur është çelësi për të shmangur keqkuptimet. Nëse jeni beqarë, mund të ndiheni të pakënaqur me situatën, pra pa një marrëdhënie, por mos nxitoni të gjeni dikë vetëm për të mbushur një boshllëk. Yjet ju këshillojnë të bëni durim dhe të përqendroheni në lumturinë personale përpara se të kërkoni dashurinë diku tjetër. Njëkohësisht qëndroni larg kokëfortësisë.

Binjakët

Këtë javë, Binjakë, jeni plot energji dhe dashuria mund të ndikohet pozitivisht nëse e përdorni këtë vitalitet për të përmirësuar marrëdhënien tuaj. Nëse jeni çift, planifikoni diçka spontane dhe aventureske me partnerin/en, si një udhëtim apo një surprizë romantike. Nëse jeni beqarë, mund të takoni dikë që stimulon mendjen dhe zemrën tuaj. Kini kujdes, megjithatë, të mos përfshiheni shumë në lojën e joshjes: rrezikoni të dukeni joserioz. Këshilla për ju është të jeni më të qëndrueshëm me ndjenjat tuaja dhe më pak të shpërndarë.

Gaforrja

I dashur Gaforre, këtë javë ana juaj më emocionale është në plan të parë dhe mund të ndiheni më të pambrojtur në dashuri. Nëse jeni çift, mund të mendoni se partneri nuk po ju kushton mjaftueshëm vëmendje, por përpara se të jeni shumë melankolikë, përpiquni t’i shprehni me butësi shqetësimet tuaja. Nëse jeni beqarë, është koha të hiqni dorë nga zhgënjimet e vjetra dhe të hapni zemrën ndaj mundësive të reja. Yjet ju këshillojnë të mos mbylleni shumë në guaskën tuaj: lumturia është jashtë zonës suaj të rehatisë.

Luani

Luani, këtë javë jeni mbreti apo mbretëresha e romancës, por bëni kujdes të mos e teproni me egon. Nëse jeni çift, mbani mend se jo gjithçka rrotullohet rreth jush: partneri mund të ndihet i lënë pas dore ose i lodhur duke plotësuar gjithmonë nevojat tuaja. Bëni pak përpjekje për të treguar më shumë ndjeshmëri. Nëse jeni vetëm, jeni në një fazë shumë tërheqëse, por mos e përdorni sharmin tuaj vetëm për të marrë konfirmimin. Këshilla për ju është të jepni aq sa merrni: dashuria e vërtetë kërkon ekuilibër dhe respekt të ndërsjellë.

Virgjëresha

Virgjëresha, jeni në mes të një faze reflektuese. Nëse jeni çift, mund të keni disa dyshime apo shqetësime për të ardhmen e lidhjes. Nuk është koha për të marrë vendime të nxituara, por për të analizuar me qetësi atë që ndjeni. Flisni me partnerin në vend që të mbani gjithçka brenda. Nëse jeni beqarë, mund të ndjeni nevojën të bëni një pushim nga dashuria dhe të përqendroheni te vetja. Yjet ju këshillojnë të mos jeni shumë kritikë, as me veten dhe as me të tjerët. Ndonjëherë, heqja dorë nga kontrolli sjell surpriza pozitive.

Peshorja

Akrep, pasioni juaj po ngrihet në qiell këtë javë dhe nëse jeni në një raport, lidhja mund të kalojë momente intensive. Megjithatë, bëni kujdes që të mos bëheni shumë posesiv apo xheloz, rrezikoni ta mbytni partnerin. Lërini vend besimit. Nëse jeni beqarë, mund të përjetoni një takim që do t’ju rrahë më shpejt, por mos lejoni që emocionet t’ju konsumojnë shumë. Këshilla për ju është të kontrolloni prirjen tuaj për të dëshiruar të dominoni marrëdhënien. Mos harroni se dashuria duhet të jetë një kërcim me dy persona, jo një luftë për pushtet.

Shigjetari

Këtë javë, Shigjetar, shpirti juaj i lirë mund të ndihet paksa i mbytur nga dinamika e marrëdhënieve. Nëse jeni të zënë, përpiquni të gjeni ekuilibrin e duhur midis dëshirës tuaj për aventura dhe nevojave të partnerit tuaj. Një kompromis mund t’ju bëjë të dy të lumtur. Nëse jeni beqar, mund të ndiheni të tërhequr nga dikush që ndan dashurinë tuaj për lirinë, por mos e ngatërroni eksitimin e momentit me diçka më të thellë. Këshilla e yjeve është të mos ikni sapo gjërat bëhen serioze: përballuni me frikën tuaj, mund të zbuloni diçka të çmuar.

Bricjapi

Bricjap, këtë javë jeni veçanërisht të fokusuar tek vetja dhe ambiciet tuaja, por dashuria mund të vuajë si pasojë. Nëse jeni në një lidhje, partneri mund të ndihet i lënë pas dore ose ta marrë si të mirëqenë shkëputjen tuaj emocionale. Gjeni pak kohë për të treguar dashurinë tuaj, edhe nëse është në një mënyrë praktike. Nëse jeni beqarë, yjet ju ftojnë të mos kapeni nga vetmia, por të dilni nga rutina për të njohur njerëz të rinj. Këshilla ime për ju është të mbani mend se suksesi pa dashuri mund të lërë një boshllëk. Mos sakrifikoni gjithçka për karrierën.

Ujori

Ujori, këtë javë ndiheni veçanërisht të pavarur, gjë që mund të krijojë disa tensione nëse jeni në një lidhje. Nuk ka asgjë të keqe të dëshironi hapësirën tuaj, por partneri mund të mos e kuptojë këtë nevojë nëse nuk e bëni të qartë. Nëse jeni beqarë, mund të takoni dikë që ju stimulon mendjen, por bëni kujdes që të mos ikni sapo gjërat bëhen shumë emocionale. Yjet ju këshillojnë të mos keni frikë të hapeni dhe të tregoni dobësinë tuaj. Jo çdo gjë zgjidhet me logjikë, ndonjëherë ju duhet edhe zemra.

Peshqit

Peshqit, emocionet janë të thella këtë javë dhe mund të ndiheni veçanërisht të ndjeshëm në dashuri. Nëse jeni çift, shfrytëzojeni këtë kohë për të forcuar lidhjen emocionale me partnerin. Një gjest i ëmbël ose një bisedë e sinqertë mund të bëjë mrekulli. Nëse jeni beqarë, mund të keni një takim romantik që duket pothuajse i paracaktuar, por mos u nxitoni. Këshilla e yjeve për ju është të mos idealizoni shumë njerëzit apo situatat. Qëndroni me këmbë në tokë dhe mbani një ekuilibër midis ëndrrës dhe realitetit.

Kontejnerët me mbetje të rrezikshme mbërrijnë të dielën në Durrës

Në një letër të dytë të hapur, drejtuar Ministres së Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro Furxhi, dhe Koordinatores për Konventën e Bazelit në Shqipëri, Elvana Ramaj, drejtuesi i organizatës mjedisore “Basel Action Network” (BAN), me qendër në SHBA, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare për transparencë në procesin e hapjes dhe testimit të kontejnerëve ne mbetje, të cilat pritet të rikthehen në portin e Durrësit përmes anijes turke “BURAK BAYRAKTAR.”

“102 kontejnerët e dyshuar me mbetje të rrezikshme janë planifikuar për t’u rikthyer në portin e Durrësit më 27 tetor. Ritheksoj kërkesën time të mëparshme që Shqipëria të testojë në mënyrë të saktë dhe transparente kontejnerët për të përcaktuar përmbajtjen e tyre,” shkruan Puckett në letrën e tij, ku kërkon gjithashtu që organizata BAN të jetë prezente gjatë procesit të hapjes së kontejnerëve dhe të marrë mostra nga mbetjet për testime të pavarura në laboratorët e tyre.

Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga “Basel Action Network,” një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, e cila ngriti alarmin se një anije gjigante kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë nga ajo tek autoritetet vendase.

Një investigim i BIRN zbuloi se mbetjet e dyshuara si të rrezikshme ishin prodhuar nga gjiganti metalurgjik ‘Kurum’ dhe janë eksportuar nga kompania Sokolaj shpk në Durrës, në bashkëpunim me G.S. Minerals në Kroaci.

Tajlanda, destinacioni i mbërritjes, refuzoi importin pas sinjalizimit për mbetjet e rrezikshme, të cilat ishin nisur nga Durrësi në fillim të korrikut në rreth 100 kontejnerë dhe që besohet se vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike.

“I bëjmë thirrje Shqipërisë të hapë kontejnerët e rikthyer në një proces plotësisht transparent dhe të dukshëm për publikun,” shkruan më tej Puckett, duke shtuar se është tepër e rëndësishme që kjo çështje të mos kalojë pa u vënë re.

“Ne jemi të shqetësuar lidhur me përpunimin e papërshtatshëm të këtyre mbetjeve në portin e Durrësit në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen,” vijon Puckett në letrën e tij.

Puckett nënvizon se një proces transparent do të ishte një shembull i mirë për Shqipërinë, e cila tashmë është pjesë e Konventës së Bazelit, konventë që rregullon dërgesat ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme midis shteteve të ndryshme.

Sipas tij, dështimi për të ndjekur një plan të mirë-zbatuar për marrjen dhe testimin e këtyre mbetjeve të dyshuara do të shkaktonte krijimin e teorive konspirative dhe mungesë transparence nga ana e autoriteteve shqiptare.

Aktivisti mjedisor dhe drejtuesi i BAN sugjeron më tej që mostrat e marra për testim nga kontejnerët të dërgohen në tre laboratorë të ndryshëm e të pavarur – një të zgjedhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, një nga një shtet si palë e tretë, dhe një nga vetë BAN.

“Nëse ndonjë nga këto tre mostra rezulton si mbetje e rrezikshme, atëherë këto materiale duhet të menaxhohen dhe përpunohen si të tilla. Nëse rezultojnë të sigurta, ato duhet të depozitohen në landfille të përcaktuara për mbetje të rrezikshme,” përfundoi BAN./ Reporter.al