zoom

Day ArchiveZyrtarisht vjeshtë/ Parashikimi i motit për ditën e martë

Gjatë kësaj jave vendi ynë pritet të përjetojë një ditë “normale” vjeshte.

Për ditën e martë pritet kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik.

Moti parashikohet kryesisht i vranët por nuk do të mungojnë edhe intervalet e herëpashershme me diell. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Në vëmendje duhet patur zona e veriperëndimit ku reshjet parashikohen me intensitet mesatar deri dhe të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Dita më vdekjeprurëse/ Bilanci i viktimave në Liban shkon afro 500

Të paktën 492 njerëz janë vrarë dhe 1,645 janë plagosur, ka thënë ministria e shëndetësisë e Libanit, pas një vale sulmesh ajrore izraelite ndaj objektivave të dyshuar të Hezbollahut që e lanë vendin me numrin më të lartë të vdekjeve ditore që nga fundi i luftës civile të viteve 1975-1990.

Dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga qytetet dhe fshatrat e Libanit jugor përgjatë rrugës kryesore drejt kryeqytetit, Bejrut, në breshërinë më intensive të Izraelit në gati një vit të përleshjeve ndërkufitare, ndërsa sirenat u dëgjuan edhe në qytetin verior izraelit të Haifës. Ministria libaneze e shëndetësisë tha se 35 fëmijë dhe 58 gra ishin në mesin e të vrarëve.

Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, tha se ushtria po ndryshonte “balancën e sigurisë” përgjatë kufirit të saj verior. “Unë premtova se do të ndryshonim balancën e sigurisë, balancën e fuqisë në veri – dhe kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë,” tha kryeministri izraelit në një takim të sigurisë të hënën.

Shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi, tha se ushtria izraelite po përgatitej për “fazat e ardhshme” në Liban, duke thënë se ai do të elaborojë më vonë. “Në thelb, ne po synojmë infrastrukturën luftarake që Hezbollahu ka ndërtuar për 20 vitet e fundit. Kjo është shumë domethënëse”, tha ai.

IDF tha se kishte goditur më shumë se 1,300 objektiva të Hezbollahut në 24 orët e mëparshme, në sulmin e saj më të madh ndaj grupit militant që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar, kur Hezbollahu filloi sulmet në Izrael në mbështetje të Hamasit.

Rreth 35 raketa u hodhën ndërkohë nga Libani drejt zonës Safed të Izraelit, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Zbulohet letra/ Autori e kishte planifikuar vrasjen e Donald Trump disa muaj para

I dyshuari për atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump në 15 shtator në Florida, ka lënë një letër disa muaj më parë.

Në letër ai shprehej se synonte ta vriste ish presidentin dhe kishte mbajtur shënime dore mbi vendet ku pritej të ishte Trump dhe datat përkatëse, tha të hënën Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Këto të dhëna, u bënë publike gjatë seancës dëgjimore të ditës së sotme, për të përcaktuar masën e sigurisë. Departamenti i Drejtësisë kërkon që 58 vjeçari Ryan Wesley Routh të mbahet në burg gjatë hetimeve.

Hollësitë e reja mund të forcojnë pohimet e prokurorëve se i dyshuari Routh paraqet kërcënim për sigurinë publike, pasi kishte në plan të vriste Trump. Plani u pengua nga një agjent i Shërbimit Sekret i cili vuri re të armën e të dyshuarit, në shkurret në fushën e golfit në West Palm Beach të Floridas, ku po luante zoti Trump.

Letra, ishte vendosur brenda një kutie që i ishte dërguar para disa muajsh një personi të paidentifikuar, i cili nuk e kishte hapur deri pas arrestimit të të dyshuarit të dielën.
Kutia përmbante po ashtu municione, një tub metalik dhe sende të tjera.

Personi që mori kutinë dhe u vu në kontakt me organet e zbatimit të ligjit nuk është identifikuar në dokumentin e bërë publik gjatë seancës dëgjimore.

Letra, që i drejtohej botës, me fjalët “e dashur botë”, duket se bazohej në hipotezën se përpjekja për ta vrarë ish-Presidentin do të dështonte.

“Kjo ishte një përpjekje për ta vrarë Donald Trumpin, por unë ju zhgënjeva. Bëra përpjekjet maksimale dhe përdora të gjithë energjitë e mia. U takon juve tani që ta mbaroni këtë punë dhe unë do të ofroj 150 mijë dollarë për këdo që e përfundon këtë punë”, shkruhet në letër, sipas prokurorëve.

Avokati i 58-vjeçarit nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Associated Press për një koment të hënën në mëngjes.

Të dhënat e telefonit, të cilave iu është referuar Departamenti i Drejtësisë, tregojnë se 58 vjeçari udhëtoi në West Palm Beach të Floridas, nga Greensboro e Karolinës së Veriut në mesin e muajt gusht dhe se ai kishte qenë pranë klubit të golfit të zotit Trump dhe rezidencës së tij në Mar-a-Lago “disa herë, përgjatë disa ditëve” nga data 18 gusht dhe deri në ditën e përpjekjes për ta vrarë.

Ryan Wesley Routh u arrestua të dielën pasdite pasi një agjent i Shërbimit Sekret, i cili po vëzhgonte klubin e golfit të zotit Trump për ndonjë rrezik sigurie, pa një pjesë të fytyrës së një burri si dhe tytën e një arme gjysmë automatike të fshehur në shkurret pranë fushës së golfit.

Agjenti qëlloi në drejtim të të dyshuarit, i cili u largua me shpejtësi, por më pas u ndalua nga autoritetet në një rajon aty pranë.
Shërbimi sekret ka deklaruar se i dyshuari nuk qëlloi dhe në asnjë rast nuk arriti të kishte një pamje të drejtpëdrejtë të ish-Presidentit.
Departamenti i Drejtësisë tha të hënën se autoritetet kishin gjetur në makinën e tij 6 telefona, përshirë një ku tregohej se ai kishte kërkuar në Google se si mund të udhëtohej nga zona Palm Beach për në Meksikë.

Hetuesit thanë se kishin gjetur edhe një listë me data përgjatë muajve gushtit, shtator dhe tetor dhe vendet ku kishte qenë apo pritej të shkonte zoti Trump.

Po ashtu, u gjet edhe një bllok shënimesh që përmbante kritika ndaj qeverive ruse dhe kineze dhe shënime mbi hapat që duheshin ndjekur për t’u bërë pjesë e luftës në mbrojtje të Ukrainës.
Dokumenti i paraqitur në seancën e sotme citon edhe një libër të shkruar nga 58 vjeçari vitin e shkuar në të cilin ai kritikonte ashpër qasjen e zotit Trump mbi politikën e jashtme, përfshirë Ukrainën. Në libër, ai shkruante se Irani “ishte lirë të vriste Trumpin” meqë ky i fundit ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore.

Ndaj Ryan Wesley Routhit janë ngritur akuza për armëmabtje të paligjshme dhe fshirje të numrit të identifikimit të armës. Ai nuk kishte të drejtë të mbante armë për shkak të një dënimit të mëparshëm. Gjatë javëve në vazhdim ndaj tij mund të ngrihen akuza më të rënda. VOA/

“Vrasje e mbetur në tentativë”/ Shpallet në kërkim efektivi i “Shqiponjave”, fundosen dy kolegët

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për tre punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Gjykata ka vendosur arrest me burg për efektivin Rezart Berberin, i dyshuar për veprën penale vrasje me dashje e mbetur në tentativë, falsifikim dokumentash dhe kallëzim i rremë. Berberi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Po ashtu gjykata ka vendosur detyrim paraqitje për efektivët Elton Dokollari dhe Florian Zeneli të cilët dyshohen për moskallzim krimi, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash, dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.

Po pastronte armën e gjahut, plagoset burri në Roskovec

Një burr i moshuar ka mbetur plagosur me armën e tij të zjarrit në Roskovec.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20, kur shtetasi Sh. S., 70 vjeç, duke pastruar armën e gjahut të cilën e kishte me leje, dyshohet se aksidentalisht është plagosur në këmbë.

Aktualisht ky shtetas ndodhet në spital, për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

E pabesueshme por e vërtetë/ Historia zemërthyese e çiftit nga Lezha që nuk duhet humbur

Pikërisht kur mendonin se jeta për ta nuk kishte më kuptim, Rolandi dhe Suada morën mesazhin më të bukur në formën e një mrekullie.

Rrëfimi i tyre prekës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan tregoi lindjen e Arifit, humbjen e fëmijës së dytë pikërisht në ditën kur duhej të vinte në jetë, gjendjen e vështirë shëndetësore të Suadës dhe aksidentin tragjik që mori me vete gëzimin e tyre të parë.

Kalvarit të gjatë të vuajtjeve do t’u vinte fundi me një ëndërr shpresëdhënëse e me takimin në dhomën e një spitali që u ktheu dëshirën për të vazhduar përpara. Dr. Elton Peçi u qëndroi pranë për gjithçka derisa një ditë lutjet dhe përpjekjet u shpërblyen me ardhjen e Aronit të vogël.

Pas 21 viteve, në zemrat e këtyre dy prindërve dhimbja ka gjetur prehje falë djalit dhe falë njeriut që ata kanë thirrur për ta falenderuar me mirënjohje.

Suada: Doktor, të përshëndes pa masë! Ti ke qenë një gjinekolog shumë i mirë, por për mua edhe një psikolog shumë i mirë se gjithmonë më jepje shpresa, thoshe do t’ia dalim dhe faleminderit Zotit që unë sot Aronin nga Zoti dhe nga ti e kam.

Dr. Eltoni: Faleminderit!

Ardit Gjebrea: Më lejo të të them vetëm një detaj, që deri tani Suadës nuk ia kemi dëgjuar zërin fare sepse gjatë gjithë kohës ka folur Landi. Sa erdhe ti, i erdhi zëri.

Roland: Atë punë që bëre ti, 21 vjet nuk e bëri kurrkush. Atëherë që ne shpresat i kishim 0, ti i ktheve në anën tjetër, nuk u mërzite kurrë me ne dhe të falenderoj pa masë për kujdesin që ke bërë për ne edhe gjatë shtatzënisë, duke na marrë në telefon me mjekimin, je yll! Faleminderit shumë, shumë, shumë!
Suada: Të falenderoj pa masë!

Përplasje e fortë/ Shqipja dhe Erjola nuk kursehen ndaj njëra-tjetrës

Shqipe Hysenaj dhe Erjola Doci kanë janë përplasur me tone të larta gjatë një debati televizive me temë “Rinia”.

Ishte pikërisht kjo e fundit që u bë shkak që dy blogeret të mos ia përtonin të bëriturat njëra tjetrës.

Teksa foli për rininë shqiptare, Hysenaj u shpreh se nuk duhet përgjithësuar, ndërkohë që Doçi iu drejtua duke i thënë që të dëgjojë të ftuarin. Pas kësaj Hysenaj i kërkoi Doçit të ulë zërin.

Pjesë nga debati në studio:
I ftuari: Rinia shqiptare nuk po ecën.
Hysenaj: Më vjen shumë keq që ke këtë mendim. Ke plot të rinj që janë mundur të zgjidhin jetën e tyre. Po përgjithëson.
Doçi: O Shqipe po të dëgjosh…, siç thotë i mençuri, i mëson dy llafe. Mos më ndërhy Shqipe. Kjo nuk dëgjon. Po të dëgjojë i mëson dy gjera.
Hysenaj: Ule zërin Eriola! Ul zërin se dukesh shëmtuar në kamera, të lutem! Se ti je me filtra aty ku ne jemi pa filtra.
Doçi: Ti je me filtra aty ku ne jemi pa filtra.

“Ndizet” Lindja e Mesme/ SHBA dërgon trupa shtesë

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë trupa shtesë në Lindjen e Mesme në përgjigje të rritjes së dhunës mes Izraelit dhe hezbollahut, gjë që ka shtuar rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale, tha Pentagoni më 23 shtator.

Zëdhënësi, Pat Ryder, nukv dha detaje se sa trupa shtesë do të dërgohen apo se çfarë detyrash do të kenë. SHBA-ja aktualisht ka afër 40.000 trupa në rajon.

Dislokimi i ri vjen pas sulmeve ajrore nga forcat izraelite ndaj objektivace brenda Libanit që kanë vrarë qindra persona dhe në kohën kur Izraeli po përgatitet të kryejë operacione të tjera.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një video-mesazhi të hënën paralajmëroi civilët libanezë që të evakuohen nga shtëpitë e tyre para sulmeve të reja ajrore. Ky mesazh u publikua teksa avionët luftarakë izraelitë vazhduan të sulmonin caqet e dyshuara të Hezbollahut në jug dhe lindje të Libanit.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje amerikanëve që të largohen nga Libani, teksa rreziku për një luftë rajonale po rritet.

Rama “mburret” në OKB: Shqipëria, 95% të shërbimeve online

Teknologjia dhe e ardhmja dixhitale ishin në qendër të fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Organizatën e kombeve të Bashkuara në New York.

Kryeministri theksoi teknologjia me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim ndërsa u mburr se vendi ynë, falë teknologjisë, 95% të shërbimeve i ofron online.

“Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës. Nga ana tjetër, ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”- tha kryemninistri.

Shefi i qeverisë tha se teknologjia ka edhe anën e saj sfiduese, ndërsa përmendi sulmet kibernetike ku vendi ynë ka qenë objekt nga Irani.

“Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët. Por tekefundit nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë.”- u shpreh Rama.

Shteti Bektashi brenda Shqipërisë, reagon ashpër Komuniteti Mysliman: Precedent i rrezikshëm

Deklarata e bërë nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për “New York Times” për themelimin e një shteti Bektashi brenda Shqipërisë duke sjellë shembull Vatikanin, ka krijuar debate të forta në opinionin publik, por  reagimi më i ashpër vjen nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

KMSH e quan idenë e kryeministrit Rama “një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit”, për shkak se rrezikon të prishë harmoninë fetare.

“Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit” -thuhet në reagimin e KMSH.

Komuniteti Mysliman Shqiptar thotë se deklaratat për islam shqiptar apo modern janë po ashtu shqetësuese.

“Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë” -deklaron KMSH.

Veç kësaj, KMSH deklaron se “kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë”.

Deklarata e plotë:

Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:

Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilët janë:

1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,

2-Tradita Profetike,

3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.

Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jetë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.

Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve mylimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.

Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.

Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vitesh.

Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilit do tarikat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.

Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çëshjte dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.