zoom

Day ArchiveDeklarata e fortë e ekspertit të sigurisë: Krimi i dyfishtë në Konsipol, mund të ketë autor djalin

Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me vrasje e dyfishtë në Konispol ku deri më tani dyshohet se i moshuari qëlloi për vdekje me sëpatë gruan dhe më pas u hodh nga shkallët nga djali, ku gjeti edhe vdekjen.

I ftuar në Ora News, Softa tha se djali mund ti ketë vrarë të dy prindërit.

“Është një fatkeqësi e madhe të mendosh se në atë moshë që janë ata pra guaja e ndjerë 66 vjeçe dhe ai (autori) 69 vjeç në një moment të vështirë që në fund të fundit kanë punuar një jetë të tërë dhe duhet të gëzojnë atë moshën e tretë, pikërisht në këto momente jetojnë mes konfliktit dhe tragjedisë.

Sigurisht që nuk është rasti i parë, raste të tilla janë të përsëritura. Po ndodhin gjithmonë e më shumë, është një fenomen në rritje.

Unë mendoj se mund të kemi dy pista hetimi. I dyshuari bashkëshorti ka vrarë gruan pasi është kthyer nga kullosja e bagëtive dhe ka ndodhur konflikti. Pista e parë pra kur e ka vrarë në sy të mbesës.

Pista e dytë është se ai (djali) mund ti ketë vrarë të dy prindërit”, tha ai

Mori pjesë në dhunimin e personazhit të TikTok, policia e Kosovës shpall në kërkim Stresin

Pas Noizyt, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve edhe për arrestimit e Stresit, i cili po ashtu rezulton të jetë i përfshirë në sherrin e ndodhur në një lokal nate në Pejë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligjin për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë Themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

Personi i kërkuar është: Arkimed (Sali) LUSHAJ i lindur me 15.06.1987 nё Bajram Curr- Shqipёri, njofton policia.

Në një intervistë Stresi ka thënë se bashkë me Noizy-n nuk e kanë prekur asnjërin prej tyre, e as personin e keqtrajtuar, Medi Isenin.

Ndër të tjera, ai ka treguar se të nesërmen pas ngjarjes ai është thirrur nga polica për t’u paraqitur për të dhënë dëshmi si dëshmitar, por ai nuk ka shkuar.

“Me ka marr policia të nesërmen në telefon, a po vjen të na japësh në deklaratë për ngjarjen, pro në nuk u hamë këto fore. Ndaj kam menduar se kam urdhër arrest. Kërkuan deklaratë si dëshmitar dhe unë se kam besuar. Deklaratën nuk e kam dhënë, do e jap avokati. Nuk e ka prek askush prej nesh”, tha ai

Turizëm mes plehrave në Golem

Në mbrëmje, shëtitorja e plazhit të Golemit, nga Shkëmbi i Kavajës e deri te Mali i Robit është e mbushur me pushues.

Dëgjon të flitet nga të gjitha gjuhet, teksa mbizotëron ajo sllave.

Durrësi dhe Kavaja u kthyen vitet e fundit në një nga modelet më të mira të turizmit në vend, pas investimeve të mëdha të bizneseve në hoteleri, çka tërhoqi agjencitë e huaja që sjellin turistë të organizuar nga gjithë Europa.

Kjo zonë ishte nga të parat që futi konceptin e “të gjitha të përfshira”, ndërsa çmimet mbeten ekonomike, në kontrast me Jugun, duke i bërë hotelet që të “vuajnë” më pak braktisjen e pushuesve.

Kontrasti i turizmit që “shkëlqen” në bregdet është i madh me zonën e brendshme, nga hotelet drejt rrugës dytësore.

Pothuajse kudo shikon qese me plehra të hedhura grumbull në trotuar, apo në cep atë rrugëve.

Një pamje kjo që nuk është aspak e hijshme për një vend që po mirëpret miliona turistë në vit dhe po përpiqet me çdo kusht të ruajë këtë burim të ardhurash për ekonominë lokale.

Kush po i hedh plehrat

Në fillim të këtij sezoni, Bashkia e Durrësit u kërkoi hoteleve që t’i menaxhonin vetë plehrat, nëpërmjet kompanive private.

Burime zyrtare nga Bashkia thanë se ashtu si të gjitha bashkitë e tjera, edhe ajo e Durrësit është përgjegjëse për mbledhjen vetëm të plehrave të qytetarëve.

Operatorët turistikë pohojnë se me detyrën e menaxhimit të mbetjeve, bashkia ka hequr edhe koshat e plehrave në zonën nga Shkëmbi i Kavajës deri te Mali i Robit, ndërsa ata po detyrohen që të largojnë plehrat me koston e tyre.

“Muajt e fundit, Bashkia e Durrësit na ka kërkuar ne si struktura akomoduese të menaxhojmë mbetjet. Pavarësisht se ne paguajmë taksa, detyra për menaxhimin e mbetjeve na ka ngelur ne.

Për menaxhimin e tyre ne kemi kontaktuar kompani private që të merren me këtë shërbim, duke shtuar më shumë kostot për ne gjatë këtij sezoni turistik”, pohon David Hyka, administratori i Diamma Resort.

Fatos Çerenishti nga “Fafa”, struktura më e madhe akomoduese në zonën e Golemit me rreth 2 mijë shtretër, pohon se që pas urdhrit të bashkisë, ata i heqin vetë plehrat që gjeneron hoteli, nëpërmjet kompanive private të kontraktuara.

Ai shton se problemi është se nuk ka kosha për qytetarët dhe pallatet.

Burime zyrtare nga Bashkia thanë vendet e hedhjes së mbeturinave kanë mbetur të pandryshuara dhe koshat jo vetëm që nuk janë reduktuar, përkundrazi janë shtuar.

Koshat ndodhen në rrugë dhe plehrat mblidhen 4-6 herë në ditë.

Bashkia po heq dhe plehrat kudo që i sheh në cepa trotuaresh dhe rrugësh.

Pak më tutje në vëzhgimin tonë, hasim një individ që afrohet anash rrugës dhe hedh dy qese në një vend pranë stacionit të autobusit, ku ka dhe mbetje të tjera dhe largohet i pa shqetësuar nga turistët që kalojnë aty pranë.

Pikërisht në vendin ku ai hedh mbeturinat ndodhet njoftimi i bashkisë “Ndalohet hedhja e mbeturinave, në të kundërt do të gjobiteni nga Policia bashkiake”!

Një ndërgjegjësim i qytetarëve mbetet i domosdoshëm për të mos krijuar vende mbeturinash në rrugë e trotuare, por për t’i hedhur ato në vendet e caktuara për depozitim.

Ujëra të zeza, trotuare të papërfunduar, mungesë ndriçimi

Dy rrugët dytësore të Golemit, përveçse deshën disa vjet për t’u ndërtuar, nuk kanë përfunduar ende tërësisht.

Ato pak trotuare që ka, për shkak të mungesës së hapësirës, janë lënë me zhavorr. Ndriçim nuk ka, duke detyruar pushuesit të përdorin telefonat për të parë rrugën.

Në rrugën që të çon në kompleksin Diamma, që vitet e fundit e fundit ka investuar duke ndërtuar hotel me standarde të larta, duhet të zësh hundët.

Ujërat e zeza derdhen në rrugën jashtë hotelit, që është lënë në një gjendje të mjeruar.

Turistët detyrohen të tërheqin valixhen përmes ujit të zi, në mungesë të ndriçimit që të shkojnë te autobusi për t’u larguar. Dhe kjo është lamtumira më e keqe që mund ti jepet një turisti!/ Monitor

Ngjarje e rëndë në Tepelenë/ 70-vjeçari vret veten me armë gjahu

Një 70-vjeçar i dha fund jetës pasditen e kësaj të marte, në fshatin Dragot në Tepelenë.

I moshuari u gjet i pajetë në banesën e tij.

Sipas policisë, 70-vjeçari dyshohet se ka vrarë veten me armë gjahu.

Arma e zjarrit u sekuestrua nga policia si provë materiale, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Sherri Noizy-Medi/ Stresi rrëfen si rrodhën gjërat: Hyra për t’i ndarë, i kam duart e prera akoma

Reperi Stresi, i akuzuar se nxori në pritë Medin, që u dhunua nga grupi i Noizyt, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.

Për mediat në Kosovë, Stresi ka deklaruar se TikTok-eri Medi vazhdimisht e kishte sharë e ofenduar dhe më pas e kërkonte për t’u pajtuar. Por sipas Stresit, në Pejë Medi ka shkuar për të provokuar dhe më pas gjërat degraduan.

Reperi pretendon se ai ndërhyri për t’i ndarë Noizyn dhe Medin, duke shtuar se në duar ka shenja që e tregojnë këtë.

Rrëfimi i Stresit:

Flasim njëherë për punën e prerjes në besë. Personi në fjalë, që është keqtrajtuar, ka kontaktuar babain tim prej Zvicre, me gjithë të atin e tij, sepse këta shajnë gjithë dimrin dhe vijnë verën për t’u pajtuar. Kjo është e vërteta.

Unë kam qenë në Sarandë, kur më ka marrë babi im dhe më tha që ka ardhur ky djali. Unë i thashë: ‘Bab, unë nuk dua ta takoj më kurrë atë njeri dhe as dua ta shoh me sy’, sepse kishte ardhur familja e tij. Kaq. Edhe po të ishte për ta prerë në besë atë djalin në kllapa, ishte prerë në besë që në Tiranë. Ky është realiteti.

Kur ka ardhur këtu në orën 2 të natës dhe babai i Medit ka marrë familjen time, babai im i ka thënë: ‘Këtu në Shqipëri nuk të prek kurrkush’. Kur kam shkuar në Pejë atë natë për të performuar me Noizyn, ky ka thënë një natë para live: ‘Do shkoj nesër, do i bëj stile’. Ky në vend që të vinte për të shuar muhabetin, edhe me Noizyn që i ka sharë familjen, edhe mua, ka dalë një natë para live që thotë… Deri këtu është ok.

Të nesërmen kur ka ardhur në klub, unë i kam thënë: ‘Hajde se mund të flasim’. Kaq. Ky kur ka ardhur, ka qenë vet i treti. Nuk ishin dy veta, ishin tre. Ishin shumë seriozë. Kur ka dalë dhe Zini (Noizy) nga performanca, aty ishim 30 veta. Njëri ka dalë i pari, nuk e mbaj mend dhe i tha: ‘Mua ma ke sharë gruan?!’. Aty ka nisur krejt situata. Ishin 30 veta dhe s’ka mundur të ndalej. Ju betohem. Edhe njerëzit thonë që i kemi prerë në besë, por s’është e vërtetë, sepse ka nisur diçka që s’na ka dhënë mundësinë as me fol me të, as të reagonim. Dhe akuzohet Noizy.
Dëgjoni, unë nuk jam as servili i Noizyt, as servili i kurrkujt. Ai ka punët e veta, unë punën time. Takohemi për biznes, për muzikë, edhe nuk ka prerë askush në besë. Akuza që është bërë ndaj Noizyt që e ka prekur, ju betohem në Zot që as ka pasur mundësinë ta prekte. Fare. Në mënyrë kategorike.

Unë i kam duart e prera akoma, shenjat që kam hyrë për t’i ndarë. Që kam ngrenë gota, prerje në gisht. Unë jam ai që te video thotë: ‘Mos, mos, mos’, sepse degradoi situata aq keq. Pastaj ata njerëzit që ishin me Medin, kur i kanë gjuajtur Medit fillimisht, edhe ata janë çuar për ta mbrojtur. Prandaj ka degraduar situata.
Mua më ka marrë policia të nesërmen për të shkuar për të dhënë një deklaratë, por ne nuk i hamë këto ‘fore’. Më kanë thirrur të jap një deklaratë si dëshmitar. Edhe unë s’e kam besuar.

Nuk e kam dhënë deklaratën. Ka për ta dhënë avokati im, sepse s’kam pasur mundësi. E ka drejtësia në dorë për ta gjetur kush e ka prekur. Ne kemi besim në drejtësi.

Po t’i mbledhim të gjitha videot e këtyre TikTok-erave, që të dali një ligj nga qeveria e Kosovës, shpresoj të dali një ligj nga qeveria e Kosovës dhe ajo Shqiptare që t’i ndalojë këto, sepse po t’i mbledhim të tëra videot në dy vite, nuk kanë lënë ofendim për motrën time pa e thënë, nuk kanë lënë për nënën time të shenjtë, që i falë pesë vakte, e kanë çnjerëzuar. Nuk kanë lënë fjalë pa thënë për babain tim, që është njeri i nderit dhe i vërtetuar. Nuk kanë lënë asnjë cep të shtëpisë pa na e ofenduar dhe pa na kërcënuar këta njerëz. Edhe në atë turmën që kemi qenë, mund të kenë qenë 10 persona që personi në fjalë i ka sharë familjet, gratë. Prandaj degradoi situata.

VIDEO/ Aksident masiv në Durrës, makina kalon me semafor të kuq dhe përplaset me disa mjete

Disa mjete u përfshinë në një aksident rrugor, të regjistruar pasditen e kësaj të marte në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Shkak për aksidentin u bë një makinë që kaloi me semafor të kuq.

Sipas burimeve nga policia, drejtuesi i mjetit që nuk zbatoi rregullat e qarkullimit rrugor po ecte me shpejtësi sepse në makinë kishte një fëmijë të sëmurë dhe ishte drejtuar drejt spitalit.

Fillimisht, ai u përplas me një furgon dhe më pas edhe me disa makina të tjera që ishin të parkuara në rrugë.

Fëmija i sëmurë që ndodhej në makinë u dërgua në spital, pa lëndime të tjera, ndërsa policia po heton për të zbardhur të plotë ngjarjen.

Ministria e Mjedisit i hap rrugën ndërtimeve në Zonat e Mbrojtura

Pas ndryshimit kontrovers të ligjit, dhjetë projekt-vendime të shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për konsultim i japin dritën jeshile ndërtimeve të gjithfarëllojshme në zonat e mbrojtura nga jugu në veri.

Bredhi i Drenovës është një masiv pyjor prej 1,380 hektarësh i shtrirë në Qarkun e Korçës në kufi me Greqinë. Kjo zonë e shpallur park kombëtar në vitin e largët 1966, është një bio-korridor i rëndësishëm midis dy vendeve për rruazorët e mëdhenj, si ariu, ujku dhe kaprolli.

Por një seri projekt-vendimesh të shpallura për konsultim nga nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në qershor e cenojnë këtë status.

“Sot ende Park Kombëtar, Bredhi i Drenovës tenton të kthehet në Zonë të Peizazhit të Mbrojtur, vendim me të cilin kjo zonë humbet sistemin e nënizolimit dhe kalon nga mbrojta e shkallës së parë, në mbrojtje të shkallës së tretë’, tha Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë (AOS). “Praktikisht, humbet çdo lloj mbrojtje”, shtoi ai.

Projekt-vendimi për Bredhin e Drenovës nuk është një akt i izoluar, pasi janë të paktën nëntë projekt-vendime të ngjashme të nxjerra për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilat sipas organizatave mjedisore, nëse miratohen, rrezikojnë një dëm të pariparueshëm ndaj ekosistemit natyror në Shqipëri.

Sipas ekspertëve të AOS, projekt-vendimet prekin nëntë zona të mbrojtura ekzistuese – Bredhi i Drenovës, Rrushkull, Bunë Velipojë, Pishë-Poro-Nartë, Liqeni i Pogradecit, Kuturman-Qafë Bush, Kratsë, Guri i Nikës Valamarë, Bjeshkët e Oroshit – dhe një zonë të re të mbrojtur, Bisht Kamëz.

“Ka kohë që Bredhi i Drenovës përflitet si zonë për ndërtime të ashtuquajtura rekreative”, i tha BIRN Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë. “Pengesa e fundit – statusi i zonës së mbrojtur – bie me këtë projekt vendim”, shtoi Bino.

Ndryshimet në Ligjin 81/2017 për Zonat e Mbrojtura të miratuara në shkurt kundrejt kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, heqin nga këto zona sistemin e zonimit të brendshëm, i cili më parë ofronte nivele të ndryshme mbrojtjeje sipas ligjit të vjetër dhe rregulloreve të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), dhe u japin atyre vetëm shkallën e tretë të mbrojtjes.

Bino i tha BIRN se miratimi i këtyre dhjetë projekt-vendimeve rrezikon ndër të tjera edhe humbjen e statusit “zonë e mbrojtur” për këto sipërfaqe me vlera natyrore.

Autoriteti kryesor përgjegjës për këto zona është vendosur Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përgjegjës për sanksionimin e rregulloreve, strukturat e paligjshme, dhe investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme.

Neni 5 i projekt-vendimeve të shpallura për konsultim, i cili rendit veprimet e lejuara në këto zona, përfshin ndër të tjera instalimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, ngritjen e qendrave të mbarështimit të peshkut, si edhe aktivitete të tjera si ndërtimi, trajtimi i ujit në ferma, ndërtimi i kanaleve, autostradave, zonave urbane dhe aktiviteteve të ngjashme, me kusht që të kenë leje nga KKT.

“KKT tashmë nuk njeh kufij në gamën e investimeve strategjike që mund të autorizojë në këto zona”, tha Besjana Shehu, bashkëthemeluese e AOS.

“Investimi mund të behët në lagunë, në kanione, apo edhe në zona që më parë kanë qenë ‘zona bërthamë’, duke nënkuptuar zbatimin e nivelit më të lartë të mbrojtjes”, shtoi ajo.

Sipas Taulant Binos projekt-vendimet janë në shërbim të planeve për zhvillim urban.

“Ka kohë që Bredhi i Drenovës përflitet si zonë për ndërtime të ashtuquajtura rekreative,” theksoi ai. “Pengesa e fundit – statusi i zonës së mbrojtur – bie me këtë projekt vendim”, përfundoi Bino./ Reporter.al

Ndodh për herë të parë në Britani – Robotët operojnë një fëmijë

Në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për here të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve, me shpresën se kjo praktikë e re mund të bëhet më e zakonshme.

Me një saktësi të pakrahasueshme, robotët mjekësorë të përparuar tani po i hapin udhë mundësisë për të kryer operacione tek fëmijët dhe të rriturit.

Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pran tavolinës me pajisjet kirurgjikale.

Por, krahë robotikë kryejnë një operacion delikat në rrugët urinare të pacientit.

Krahët robotikë bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato.

Kirurgjia me ndihmën e robotëve po bëhet përherë e më e zakonshme në praktikat e kujdesit shëndetësor në Britani.

Fondacioni ‘London’s Guy’s’ dhe ‘St Thomas’s’ njoftoi në vitin 2023 se të gjitha operacionet e kancerit të prostatës, veshkave dhe mushkërive u kryen në mënyrë robotike, me mbi 10,000 procedura të realizuar me ndihmën e robotëve gjatë 20 viteve të fundit.

Spitali i Fëmijëve ‘Southampton’ në Angli po kryen testin e parë në Mbretërinë e Bashkuar të përdorimit të një pajisjeje inovatore të quajtur Sistemi Robotik Kirurgjik Versius.

Roboti i ri ka saktësi të avancuar dhe aftësi manovrimi që bën të mundur përdorimin te pacientët më të rinj.

Pas një sërë provash të suksesshme tek të rriturit, 7-vjeçari Reece është fëmija i parë në vend që operohet me këtë pajisje.

Ai iu nënshtrua kontrolleve në spital pas një incidenti në një park.
Nëna e tij, Elizabeth Wilton, thotë se “ai iu nënshtrua kontrolleve dhe në fillim nuk u zbulua gjë pas incidentit, por më pas, nga skanimet u zbulua se ai kishte një problem midis veshkave dhe fshikëzës, me tubin lidhës, nuk ishte plotësisht ashtu siç duhej”.

Fillimisht familja u trondit kur u njoh me faktin se ndërhyrja kirurgjikale për këtë problem shëndetësor do të kryhej me ndihmën e një roboti.

Babai i 7 vjeçarit, Ashley Wilton, thotë se “kur dëgjova për herë të parë se do të ishte një robot që do ta operonte atë, kisha dyshime…Por kur merr më shumë informacion dhe mëson se robotin e drejton një mjek atëherë gjithçka bëhetë shumë më e kuptueshme”.

Kirurgu që kreu ndërhyrjen është Ewan Brownlee, i cili është urolog pediatrik në Spitalin Universitar Southampton. Kirurgjia tradicionale për këtë ndërhyrje mbart disa komplikime, shpjegon ai.

Ndërsa krahët robotikë të përdorur në këtë procedurë kanë një gamë lëvizjeje të tillë që bën të mundur që instrumente kirurgjikale mjaft të vogla të kryejnë operacione të ndërlikuara te fëmijët.

Pas testeve për gati 3 vjet, është arritur momenti historik, kryerja e operacionit te një fëmijë.

Pajisja e ndihmuar nga roboti, e zhvilluar nga CMR Surgical Ltd me bazë në Kembrixh, synon të arrijë një saktësi që njeriu nuk e arrin dot, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të vogla kirurgjikale, kontrollit të robotit, si dhe një ekrani të zmadhuar me rezolucion të lartë.

“Ndërhyrja kontrollohet nga kirurgu, gjithsesi. Duket sikur ndihma robotike është e atomatizuar, por në fakt kontrollohet nga kirurgu”, thotë kirurgu Ewan Brownlee

Kirurgët shpresojnë të shohin që kirurgjia pediatrike me ndihmën e robotëve të bëhet praktikë e zakonshme në të gjithë botën.

Pas operacionit, Reece i thotë nënës së tij, Elizabeth, se ndihet mirë.

“Ai ka qenë pak i turbullt, i shqetësuar siç do të ishte çdokush, veçanërisht në moshën e tij, por ai ia ka dalë shumë mire. Thjesht po kthehet në normalitet”, shpjegon ajo.

Reece u la të dilte nga spitali pas operacionit dhe pritet të rikuperohet plotësisht./ Zëri i Amerikës

FOTO/ Në jaht me modelen 23 vite më të vogël, çfarë i ndodhi Leo DiCaprios?

Leonardo DiCaprio dhe e dashura e tij modele, Vittoria Ceretti po shijojnë disa ditë pushime në Itali.

Ata janë fotografuar krah njëri-tjetrit në jaht, në ujërat e Sardenjës.

Ë

Ceretti, 26 vjeçe, u pa e veshur me bikini në ngjyrë kafe, ndërsa aktori 49-vjeçar qëndronte pranë saj, i veshur gati për not.

Por gjatë zhytjes në ujë, Leo DiCaprios i ndodhi një incident.

Ai u pickua nga një kandil deti, sipas mediave të huaja.

Në foton e shkrepur duket dikush që po kujdeset për këmbën e aktorit, ndërsa pranë tij qëndron edhe partnerja.

“Kampion për të marrë miliona lekë nga buxheti i shtetit/ PD denoncon deputetin e PS

Partia Demokratike denoncoi në media këtë të martë zhvatjen që po i bëhet buxhetit të shtetit nga deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.

Sipas grupit parlamentar demokrat, Sinaj ka përfituar miliona lekë nga buxheti i shtetit përmes kompanive të tij private.

Për këtë arsye, PD kërkon heqjen e mandatit si deputet për Vullnet Sinajn, duke shtruar kërkesën që kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.

Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend“, thuhet në njoftimin e PD.