zoom

Day ArchiveVrasja e liderit të Hamasit, Khamenei jep urdhër që Irani të godasë Izraelin

Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei ka dhënë urdhër që të goditet menjëherë Izraeli si kundërpërgjigje për vrasjen në Teheran të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Lajmin e raporton Neë York Times duke cituar tre zyrtarë iranianë që janë informuar urdhrat.

Khamenei e dha urdhërin gjatë një mbledhjeje emergjentë të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, shumë pak pasi Irani njoftoi se Ismail Haniya ishte vrarë.

A po mendon SHBA të vrasë Putin?

Kur presidenti iranian Ebrahim Raisi gjeti vdekjen në maj të këtij viti, pasi helikopteri i tij u rrëzua në një zonë malore në verilindje të vendit gjatë kthimit nga Azerbajxhani, pyetja e parë që pashë të ngrihej në media, ishte nëse në këtë ngjarje kishin gisht Shtetet e Bashkuara.

Edhe gjatë udhëtimit të fundit të presidentit rus Vladimir Putin në Phenian të Koresë së Veriut, u fol për mundësinë e mirë të eleminimit të tij në momentin që ndodhej larg Kremlinit. Por a duhet që SHBA-ja dhe aleatët e tyre të synojnë ta rrëzojnë Putinin, duke mundësuar një grusht shteti kur ai nuk ndodhet në Rusi, apo ta vrasin gjatë udhëtimeve të tilla jashtë vendit?

Përgjigja varet nga vlerësimi i rrezikut përkundrejt fitimit. Çfarë do të përfitohej nga vrasja e Putinit? A do të përshkallëzohej kërcënimi i Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj? A do të tërhiqeshin trupat ruse nga Ukraina, dhe nuk do të ishin më një kërcënim për aleatët e NATO-s në Baltik dhe Evropën Lindore? Apo synimet e rusëve mund të bëhen edhe më armiqësore dhe më pak të parashikueshme?

Pavarësisht fiksimit të Putinit me intrigat, mohimin dhe mashtrimet, ai mbetet ende shumë i parashikueshëm. Në fakt, Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë ishin të vetmit midis aleatëve të NATO-s, për të mos përmendur vetë Ukrainën, në parashikimin e saktë të planeve të Putinit për të sulmuar Kievin.

A do të ndërhyjnë Shtetet e Bashkuara në këtë formë? Të dhënat historike, tregojnë se Amerika mbështeti përmbysjen e regjimeve të zgjedhura në mënyrë demokratike në Iran në vitin 1953 dhe Kili në vitin 1973, ndërsa një komision hetimor i Kongresit, dokumentoi dhjetëra përpjekje të CIA-s për të vrarë udhëheqësin e Kubës, Fidel Castro.

Kohët e fundit, SHBA-ja nuk bëri asnjë përpjekje për të fshehur autorësinë e vrasjes së komandantit të Forcave Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike iraniane Qassem Suleimani në janar 2020, një veprim që precedentët historikë do të sugjeronin se ishte një akt lufte.

Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, strategjia e SHBA-së kundër terrorizmit ka qenë e bazuar praktikisht tek atentatet. Pra vrasjen e terroristëve jashtë vendit, përpara se ata të mund të godasin territorin e SHBA-së. Ndërsa këto episode tregojnë gatishmërinë e qeverisë amerikane për të ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme dhe vdekjeprurëse në emër të sigurisë kombëtare, goditja kundër Suleimanit ndodhi kur ai ishte jashtë vendit.

Nga ana tjetër, operacionet për rrëzimin e Mohammad Mosaddegh në Iran, Salvador Allendes në Kili dhe Castros në Kubë, vareshin më tepër nga elementë të brendshëm për të lehtësuar komplotet. Përveç këtyre episodeve, qeveritë amerikane kanë favorizuar pa dyshim status quo-në e një kundërshtari të parashikueshëm.

Megjithatë ndryshimi i regjimit nuk ka qenë gjithmonë pozitiv për interesat e SHBA-së. Kështu, rrëzimi i Saddam Huseinit në Irak nuk ishte një faktor i vogël në ndodhjen e Pranverës Arabe, me efekte që vazhdojnë të kenë jehonë ende sot në të gjithë Lindjen e Mesme.

Kjo shihet tek luftërat civile në Libi, Siri dhe Jemen, si dhe tek paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike në Egjipt dhe Tunizi. Po ashtu, pushtimi i Irakut nga SHBA-ja lehtësoi ngritjen e Shtetit Islamik. Dhe talebanët ia dolën të riktheheshin në pushtet në Afganistan pavarësisht 20 viteve luftë, mijëra amerikanëve të vrarë dhe miliardarve dollarëve të harxhuar, teksa tani u japin strehë grupeve kryengritëse që kërcënojnë Pakistanin, Iranin, fqinjët e tij të Azisë Qendrore dhe Kinën.

Prirja për të pranuar status quo-në e njohur, forcohet më tej kur një vend është i armatosur me armë bërthamore. Sa i përket Rusisë, edhe në rrethanat më ideale në të cilat qeveria amerikane mund të eleminonte Putinin dhe të fshihte dorën, sa i sigurt është Uashingtoni se atë do ta pasonte një udhëheqje e qëndrueshme dhe më pak armiqësore ndaj Perëndimit?

Në Rusi, si në shumicën e autokracive, pushteti u takon atyre që kontrollojnë instrumentet e pushtetit. Kryesisht armët, por edhe paratë, infrastrukturën, burimet natyrore, lidhjet dhe njohuritë. Aktualisht, ky pushtet është i përqendruar brenda një rrethi të vogël burrash tek të 70-at, gati që të gjithë me lidhje shumë të vjetra me Putinin, që nga koha e KGB-së së kohës së Luftës së Ftohtë dhe Shën Petersburgut.

Forcat e Armatosura Ruse, mund të kenë numrat sa i përket trupave dhe mjeteve, por nën sundimin e Putinit, ashtu në epokën sovjetike, ato mbahen në një kontroll të fortë dhe monitorohen nga afër. Tre organizatat më të afta për të vepruar kundër Putinit dhe Kremlinit janë Shërbimi Federal i Sigurisë, ose FSB; Rosgvardia, ose Garda Kombëtare; dhe Shërbimi i Sigurisë Presidenciale brenda Shërbimit Federal të Mbrojtjes, FSO.

FSB-ja është krahu i sigurisë dhe inteligjencës së brendshme të Rusisë, përmes të cilit Putin qeveris duke pasur parasysh praninë e saj relativisht të madhe dhe të kudondodhur në të gjitha institucionet e vendit. FSB garanton sundimin e Putinit, monitoron disidentët, frikëson popullatën, ndëshkon dhe mban lidhje me krimin e organizuar.

Rosgvardia është forca brutale e Putinit. Ajo u krijua në vitin 2016 nga radhët e milicive të ministrisë së brendshme, dhe është vigjilente ndaj protestave, kryengritjeve dhe përpjekjeve të armatosura për grusht shteti. Alexander Bortnikov drejton FSB-në, duke pasuar në detyrë Nikolai Patrushev.

Deri kohët e fundit, Patrushev shërbeu si shef i Këshillit të Sigurimit dhe ka shumë të ngjarë të ishte nr.2 i Kremlinit. Ai mund të jetë ende, pavarësisht se është bërë këshilltar presidencial për transportin. Bortnikov, ashtu si Patrushev, ndan botëkuptimin, paranojën e Putinit për Perëndimin, filozofinë e tij politike dhe glorifikimin e perandorisë së vjetër sovjetike.

Rosgvardia me rreth 300.000 trupa komandohet nga ish-truproja e Putinit, Viktor Zolotov. Me lidhje të gjera me krimin e organizuar, Zolotov u bë më i famshëm pas revoltës së qershorit 2023 të udhëheqësit të atëhershëm të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin. Zolotov pretendoi meritën për mbrojtjen e Moskës.

Ai mund të mos jetë aq i arsimuar apo i sofistikuar sa bashkëpunëtorët tradicionalë të Putinit, por duke ardhur nga rrugët e Shën Petersburgut, ai nuk është kundër përdorimit të forcës për të arritur atë të synon. Përveç besnikërisë ndaj shefit të tij, dihet pak publikisht mbi qasjen politike të Zolotov.

Por s’ka asnjë provë se ai mund të ofrojë një alternativë më pak armiqësore ndaj Perëndimit. Siç ka vepruar me gjithë të tjerët në rrethin e tij të brendshëm për të siguruar besnikërinë e tyre,, anëtarëve të familjes Zolotov u janë dhënë toka, dhurata dhe poste të rëndësishme.

Nëse Putin do të vritej jashtë vendit, pavarësisht provave, garda e vjetër ka të ngjarë të akuzonte Shtetet e Bashkuara, dhe ta përdorte atë si një argument për të konsoliduar pushtetin dhe për të tubuar rusët rreth tyre. Dhe duke ndarë paranojën e Putinit mbi kërcënimin ekzistencial që i kanoset Rusisë nga Perëndimi, ekziston rreziku që ata të hakmerren ushtarakisht, drejtpërdrejt dhe me pa ndonjë kufizim të madh.

Kur diskutohet mbi vrasjen e mundshme të Putinit apo të ndonjë kundërshtari tjetër të shquar të SHBA-së, sfida më e madhe nuk është domosdoshmërisht nëse mund të bëhet, por nëse duhet bërë. Vrasja e Suleimanit katër vite më parë paraqiste rreziqe, por në fund të fundit, Irani nuk është një kërcënim ekzistencial për SHBA-në.

Hakmarrja mund të kishte qenë më e kushtueshme, nëse Teherani do të kishte zgjedhur përshkallëzimin, por gjithsesi do të ishte i menaxhueshëm. Nga ana tjetër Rusia, siç ia kujton shpesh Putini Perëndimit me fjalimet e tij kërcënuese për luftë bërthamore, është një çështje tjetër. Çfarë ndodh nëse dështon? Siç e tha dikur Ralph Waldo Emerson “Kur nisesh të vrasësh mbretin, është mirë që të mos dalësh huq!”.

Shënim: Douglas London, profesor i studimeve të inteligjencës në Universitetin Xhorxhtaun, dhe bashkëpunëtor i Institutit të Lindjes së Mesme. Ai ka shërbyer për 34 vite në CIA si shef i operacioneve sekrete.

PD mbështet Begajn për mikrokreditë: Gati për komision Hetimor

Grupi Parlamentar i PD-së ka reaguar në lidhje me shqetësimet e ngritura nga Presidenti i Republikës, për fenomenin kriminal të mikrokredive.

Në reagimin zyrtar, Grupi Parlamentar i PD thekson se ‘konstatimet e presidentit për çështjen e mikrokredive janë në një linjë me qëndrimet tona. Të gatshëm për Komision të Posaçëm për zgjidhjen e kësaj çështje’.

REAGIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve u njohën me mesazhet e përfshira në shkresën e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj, lidhur me dramën e papërballueshme individuale të viktimave të “grabitjes së mikrokredive”, përmes një skemë kriminale që përfshinë institucione shtetërore, shoqëritë e mikrokredive, shoqëritë përmbarimore, avokatë apo persona të tjerë privat.

Opozita, deputetët e saj, në Komisione apo seancë plenare, kanë ngritur disa herë shqetësimin, duke apeluar kolegët e mazhorancës dhe institucionet shtetërore për një diskutim konstruktiv mbi këtë fenomen negativ dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme, duke pasqyruar me vërtetësi atë që ka ndodhur dhe duke mos u bërë mburojë e paligjshmërisë. Konkretisht këto shqetësime janë ngritur në mënyrë koherente dhe pa asnjë politizim nga opozita parlamentare, përkatësisht në seancën dëgjimore të Komisionit të Ekonomisë, datë 21.05.2024, dhe seancën plenare të Kuvendit, datë 18.07.2024, gjatë raportimit të Guvernatorit Gent Sejko.

Qëndrimin e sotëm të Presidentit të Republikës e konsiderojmë si aktin e tij të parë në këto 2 vite të ushtrimit të detyrës, ku vendosi të përmbush detyrën e stij kushtetuese si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, duke apeluar Kuvendin, përkatësisht shumicën parlamentare, që të veprojë në mbrojtje të interesit publik dhe të vlerësojë e ndërmarrë masat e nevojshme për të mbajtur përgjegjës institucionet relevante dhe të ofrojë zgjidhje për qytetarët.

Konstatimet e Presidentit për çështjen e mikrokredive janë në një linjë me qëndrimet që Grupi Parlamentar i PD ka mbajtur prej kohësh.

Konkretisht, Grupi Parlamentar i PD-së ka konstatuar se Rregullorja e Bankës së Shqipërisë u ndryshua në vitin 2016 për të ligjëruar blerjen e paligjshme të kredive nga institucionet financiare jobankare edhe pse nuk ishin të licencuara për këtë veprimtari, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë injoroi ankesat dhe denoncimet e shumta të qytetarëve, dhe që Ministria e Drejtësisë u tregua e ngathët në procedimin dhe ndëshkimin disiplinor të përmbaruesve privatë që abuzonin me detyrën. Në këtë kuptim, ripërsëritja e këtyre shqetësimeve nga Presidenti i Republikës, është edhe një nxitje më shumë që Kuvendi të veprojë, pa vonesa dhe pa dallime partiake në mbrojtje të interesit publik.

Dhe pikërisht në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh gatishmërinë që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të mbështes ngritjen e një komisioni të posaçëm për të kontrolluar zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse, për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale dhe përgatitur rekomandimet e nevojshme për rishikimin, ndryshimin apo përmirësimin e kuadrit ligjor relevant, duke i dhënë zgjidhje dramës jetësore të mijëra familjeve në nevojë.

Ndërkohë gjejmë rastin që të ftojmë Presidentin e Republikës që gjetjet dhe konstatimet e tij t’ia përcjellë edhe SPAK-ut, për aq sa mund të ndihmojnë hetimet penale që po kryhen për rastin, siç u konfirmua nga drejtuesi i SPAK në seancën plenare të datës 15.07.2024, po në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike lidhur me çështjen e mikrokredive. Nxitja e Presidentit të Republikës që organet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë dhe të cojnë përpara ligjit cilido që ka abuzuar në kurriz të qytetarëve, do të rriste besimin se edhe për institucionin e Presidentit të Republikës koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.

Mikrokreditë/ Begaj letër Kuvendit: Abuzimi mund të ishte zbuluar nga autoritetet. Jepini zgjidhje

Presidenti i Republikës Bajram Begaj u komunikoi sot komisioneve parlamentare të ligjeve dhe të ekonomisë gjetjet dhe konstatimet lidhur me trajtimin që i është bërë të ashtuquajturit “skandali me mikrokreditë” nga institucionet publike të vendit.

Sipas një njoftimi zyrtar të Presidencës, gjetjet dhe konstatimet vijnë pas komunikimit institucional dhe informimit nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë për hapat e ndërmarra prej tyre në përballimin e situatës.

“Bashkë me shqetësimin për pasojat e rënda që kjo skemë abuzive ka ngarkuar në shpinën e një numri tejet të lartë qytetarësh, të cilët u përkasin shtresave vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse, Presidenti i Republikës sensibilizon për nevojën për një reagim të fortë, të bashkërenduar dhe efikas të të gjithë strukturave kompetente, për të dominuar jo vetëm këtë skemë abuzimi, por për të siguruar që të tilla ngjarje në të ardhmen të parandalohen në gjenezë”, thuhet në njoftim.

Në letër, presidenti Begaj thekson se Viktima të “grabitjes me mikrokreditë” janë bërë një numër i lartë individësh, të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që, si rregull, janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse.

Në vijim letra e plotë:

“Kjo rrethanë duhet t’i ngrejë në alarm institucionet, jo thjesht për dramën e papërballueshme individuale të viktimave të këtij abuzimi, jo aq për t’iu përgjigjur pozitivisht ndjeshmërisë dhe solidaritetit njerëzor që shoqëria shfaqi pa kursim dhe me vetëdije për ta, por më shumë për të treguar se shteti dhe institucionet janë aty për njerëzit dhe në shërbim të tyre.

Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë. Këto pretendime përbëjnë shqetësim të vërtetë dhe kërkojnë përgënjeshtrim bindës nga të gjitha institucionet kompetente.

Unë kam ndjekur me vëmendje dhe e mbështes procedimin penal që ka nisur dhe po zbardh rolin e aktorëve të përfshirë dhe gjithë mekanizimin kriminal, por nuk mund të qëndroj pa konstatuar se përballë kemi një rast flagrant abuzimi, që ka qenë i shtrirë në një kohë relativisht të gjatë dhe, për më tepër, një vepër penale të kryer nga subjekte të cilat kanë qenë, për shkak të funksionit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore (kompanitë e mikrokreditit nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, kurse përmbaruesit privatë nën mbikëqyrjen e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë dhe të Ministrisë së Drejtësisë).

Në mënyrë të veçantë, modus operandi dëshmon për abuzime flagrante të përmbaruesve me tagrat e tyre ligjore, të cilat duhet të ishin zbuluar dhe korrigjuar nga çdo inspektim rutinë i autoriteteve shtetërore.

Nga ana tjetër, informacionet publike evidentojnë një numër të lartë denoncimesh drejtuar institucioneve lidhur me këto abuzime, të cilat, në një masë të caktuar, nuk kanë marrë seriozitetin që meritonin.

Analiza e ngjarjeve më bën të besoj se “grabitja me mikrokreditë” nuk duhet të perceptohet thjesht si një çështje penale që duhet të ndjekë rrugën e vet procedurale, por rasti duhet të shihet në një këndvështrim më të gjerë. Rasti kërkon vlerësim edhe në këndvështrimin administrativ për të parë shkallën e funksionimit të mekanizmave mbikëqyrës ligjorë, sepse mund të ketë nevojë për korrigjime dhe përmirësime, me qëllim që të parandalohet shumëfishimi i modelit abuzues dhe kërcënimi që ai sjell për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare.

Nga pozicioni zyrtar jam përpjekur të zhvilloj dialog konstruktiv institucional me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrin e Drejtësisë, z. Ulsi Manja, për të kuptuar dhe vlerësuar në thellësi ngjarjet dhe fenomenin. Shfrytëzoj rastin për të falënderuar publikisht dy titullarët e institucioneve për bashkëpunimin, transparencën dhe sinqeritetin e këtij komunikimi.

Informacionet që kam mbledhur në këtë proces më kanë vënë përballë disa fakteve, një pjesë prej të cilave jo shumë të njohura:

I. Lidhur me kuadrin ligjor të blerjes së kredive me probleme:

1. Subjektet financiare jobanka kanë nisur që nga viti 2012 praktikën e blerjes së kredive me probleme, krahas veprimtarisë kredidhënëse për të cilën kanë qenë të licencuara. Kjo veprimtari, deri në mars të vitit 2016, ka qenë e pambuluar nga licenca që iu ishte dhënë nga Banka e Shqipërisë. Deri në atë kohë, licencat jepeshin për veprimtari të tilla si të gjitha format e kredidhënies, faktoringun, qiranë financiare, ofrimin e garancive dhe marrjen e angazhimeve, këmbimin valutor dhe shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse (neni 5 i rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, nr. 1, datë 17.1. 2013).

2. E njëjta rregullore specifikonte se institucionet financiare të mikrokredisë mund të kishin objekt të aktivitetit të tyre vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 4), kurse subjektet financiare jo banka duhet t’i kërkonin paraprakisht leje Bankës së Shqipërisë që të mund të ushtronin veprimtari të tjera financiare (neni 18 i rregullores).

3. Në mars të vitit 2016, Banka e Shqipërisë njohu gjendjen e faktit (shoqëritë e mikrokreditit kishin blerë kreditë me probleme të bankave, pa kërkuar lejen e BSH-së) dhe vendosi ta ligjërojë praktikën, duke modifikuar rregulloren. Por ky rregullim dëshmonte inkoherencë.

4. Nga njëra anë, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të njihte blerjen e kredisë si një nga format e kredidhënies (d.m.th. deri në këtë datë kjo praktikë nuk ishte kredidhënie), sikurse njohu dhe pranoi në rrethin e subjekteve që mbikëqyr “subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme”.

5. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë nuk ndërmori asnjë masë për veprimin jashtë kushteve të licencës nga shoqëritë e mikrokredisë që kishte licencuar deri në këtë datë. Kjo formë e “tolerancës institucionale” ndaj subjekteve nën mbikëqyrje meriton të trajtohet me instrumentet e komisionit parlamentar, për të ndikuar që vigjilenca e të gjitha enteve të pavarura mbikëqyrëse ndaj praktikave të kësaj natyre të rritet, sepse dalja nga kushtet e licencës, pa pasur frikë se mekanizmi ligjor të ndëshkon, nuk ka se si të jetë fenomen ekskluziv financiar.

6. Banka e Shqipërisë ka prezantuar një arsyetim juridik për të shpjeguar kontekstin e vitit 2016. “Disa institucione financiare, krahas aktivitetit kredidhënës, për të cilin ishin licencuar nga Banka e Shqipërisë, kishin kryer edhe blerje të portofolave të kredive me probleme nga bankat, aktivitet ky i mbështetur në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive (përkatësisht nenet 499, 507 dhe 705)”, – thuhet në fjalën e Guvernatorit Sejko në seancën dëgjimore të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme (21.5.2024). “Kjo praktikë e zakonshme, e njohur dhe e praktikuar edhe në shumë vende të tjera, në Shqipëri gjen mbështetje në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive…” – thuhet në përgjigjen drejtuar Presidentit të Republikës (28.6.2024). Në asnjë prej këtyre prononcimeve nuk analizohet nëse “praktika” binte ndesh me licencën, sikurse nuk analizohen shkeljet eventuale të dispozitave të rregullores bazë të cituar më sipër. Kufizimet e vendosura nga licenca dhe legjislacioni i fushës nuk mund të anashkalohen nga dispozitat e Kodit Civil, të cilat formojnë rregullim të përgjithshëm të marrëdhënieve juridiko-civile. Subjektet e licencuara mund të hyjnë në marrëdhënie juridike civile (të lidhin marrëveshje sipas Kodit Civil) vetëm për gjëra që janë në funksion të objektit të licencuar të veprimtarisë, por jo të krijojnë një objekt të ri veprimtarie mbështetur në lirinë kontraktuale që njeh Kodi Civil. Komisionet parlamentare kanë të gjithë mundësinë që të ndikojnë mbi institucionet e pavarura për të uniformizuar praktikën e interpretimit të ligjit dhe për të mos lejuar favorizimin e subjekteve nën mbikëqyrje, duke dobësuar pushtetin mbikëqyrës të vetë institucioneve.

7. Me amendamentet e marsit të vitit 2016, rregullorja e sipërcituar e BSH-së përcaktoi se “subjekt financiar jobankë, që blen kredi me probleme është subjekti, i cili 100% të portofolit të kredisë e ka të përbërë nga kredi me probleme të blera nga banka ose subjekte të tjera financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë”, (shkronja “j” e nenit 4 të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, nr. 1, datë 17.1.2013). Sipas këtij përkufizimi, kushdo merrej me kreditë me probleme, mund të merrej vetëm me to. Komisionet parlamentare kanë mundësi për të verifikuar nëse kjo dispozitë ligjore është zbatuar në rastin e mikrokredive, si dhe për të analizuar nëse zbatimi rigoroz i saj do të ishte instrument i mjaftueshëm që e prishte ose, së paku, e dobësonte skemën e grabitjes me mikrokreditë.

8. Banka e Shqipërisë çmon, edhe pas shpërthimit të skandalit me mikrokreditë, se blerja e kredive me probleme nga subjektet jobanka përbën “një zhvillim pozitiv për sistemin financiar shqiptar”. Ngjarjet dëshmojnë se mënyra se si subjektet jobanka u sollën me menaxhimin e portofolit të kredive me probleme, përbën një zhvillim tejet negativ për konsumatorin shqiptar. Në gjykimin tim, këto dy anë të së njëjtës medalje duhet të merrnin të njëjtën vëmendje nga Banka e Shqipërisë. Nëse anëtarët e komisionit parlamentar kanë të njëjtin perceptim, atëherë ata kanë edhe instrumentet për t’ia bërë këtë prezent Bankës së Shqipërisë, pa cenuar pavarësinë institucionale të saj.

II. Lidhur me mekanizmat e brendshëm institucionalë të BSH-së:

1. Ankesat dhe denoncimet e individëve që i paraqiten BSH-së si institucion mbikëqyrës i sistemit bankar janë një instrument i vlefshëm për bankën qendrore për të marrë sinjale për performancën e njësive të veçanta të sistemit. Ato formojnë perceptim subjektiv dhe jo neutral, sepse individët vihen në lëvizje për interesin e tyre, por prej tyre mund të qëmtohen sinjale të dobishme, të cilat mund të vënë në lëvizje mekanizmat e kontrollit, për të hetuar në thellësi çështje që indikojnë performancë të dyshimtë.

2. Faktet e bëra publike tregojnë se ankesat e administruara në kontekstin e kredive me probleme nuk kanë nxitur verifikime dhe masa mbikëqyrëse nga ana e BSH-së. “Ankesat e adresuara pranë Bankës së Shqipërisë konsiderohen si shqetësime, të cilat Banka e Shqipërisë i përcjell për sqarim dhe verifikim pranë subjekteve përkatëse të referuara në ankesë”, – ka informuar Presidentin e Republikës Guvernatori i BSH-së. “Më tej vijohet me kthimin e përgjigjes ankimuesit dhe, në të njëjtën kohë, në rastet e konstatimit të parregullsive nga subjektet kërkohen plane korrektuese dhe/ose aplikohen masa mbikëqyrëse…”.

3. Informacioni i dhënë tregon se ankesat me këtë temë janë trajtuar si ankesa “që kanë pasur si burim moskuptimin e duhur të legjislacionit në fuqi dhe mungesën e njohurive financiare”. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se ankimet për penalitetet, për cedimin e kredive nga bankat tek IFJB-të, për bllokimin e kundërligjshëm të pasurive nga ana e përmbaruesve, për shqetësimin e vazhdueshëm verbal të familjarëve apo të njerëzve të afërm me kredimarrësin etj., kanë qenë, ose çështje kontraktuale, ose çështje jashtë kompetencës së saj. Duket se Banka e Shqipërisë nuk ka dalluar te këto shqetësime, shenjat e një skeme kriminale në dëm të kredimarrësve. Trajtimi me formalizëm i ankesave, pa qëmtuar tek ato interesin institucional për të njohur dhe korrigjuar praktikat e dëmshme, meriton të tërheqë vëmendjen e komisioneve parlamentare, sepse ato kanë mundësi për të korrigjuar shënjestrën e institucioneve të pavarura dhe për t’i bindur në nevojën për reformimin e praktikave të deritanishme.

4. Përveç temës së vigjilencës institucionale, një temë e rëndësishme për performancën e BSH-së është dhe reagimi institucional. Ngjarje të papëlqyeshme, të pavarura nga vullneti i institucioneve mbikëqyrëse, mund të ndodhin, pavarësisht përpjekjeve për t’i parandaluar. E rëndësishme është se si institucionet reagojnë ndaj tyre. Komisionet parlamentare kanë mundësi ligjore dhe institucionale të hetojnë rreth performancës së strukturave të brendshme institucionale, të cilat merren drejtpërdrejt me mbikëqyrjen e subjekteve të licencuara, për të vlerësuar nëse janë ato instrumenti i duhur, nëse ato kanë kapacitetet apo resurset e duhura, nëse drejtohen me profesionalizëm dhe me kompetencë, etj. Ngjarjet që kanë ndodhur janë një motiv shumë i fortë për reflektim. Komisionet parlamentare lipset të ndihmojnë institucionin në këtë reflektim.

III. Lidhur me bashkëpunimin institucional dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë:

1. Në komunikimin publik, Banka e Shqipërisë ka njohur mungesën e kompetencës ligjore për të trajtuar çështje që kishin lidhje me ekzekutimin e urdhrave përmbarimorë që në hapat e para të paraqitjes së ankesave lidhur me administrimin e kredive me probleme. Guvernatori konfirmon se BSH-ja ka qenë në komunikim të shpeshtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka kërkuar bashkëpunim institucional, sidomos ngritjen e grupeve të përbashkëta për të bërë të mundur adresimin konkret të problematikave.

2. Rrethi i çështjeve të shtruara për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë ka qenë i gjerë dhe nuk jepen të dhëna nëse midis tyre përfshihej denoncimi i abuzimit nga ana e përmbaruesve me kompetencat përmbarimore, kërkesa për kryerjen e inspektimeve te përmbarues specifikë apo kërkesa për procedimin disiplinor të tyre, etj. Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë e ka çmuar të frytshëm, si bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, edhe bashkëpunimin me bankat e nivelit të dytë. Ministri i Drejtësisë ka parë te ky bashkëpunim një burim të padiskutueshëm informacioni për procedimin disiplinor energjik të strukturave të veta mbikëqyrëse dhe për dokumentimin e shkeljeve për procedimin penal.

3. Aktorët e fushës, në prononcimet e tyre publike, kanë ngritur tezën se abuzimi i përmbaruesve privatë me mekanizimin e sekuestrimit të pasurive të debitorëve ka ardhur për shkak të mangësive në legjislacion, të cilat u kanë dhënë mundësinë përmbaruesve abuzues që të sekuestrojnë pasuri në shumëfishin e detyrimit. Për fat të keq, bashkëpunimi institucional nuk ka arritur të sqarojë as të vërtetën e thjeshtë, se të gjitha sekuestrot e vendosura përtej shumës së detyrimit kanë qenë akte të kundërligjshme, sepse vinin ndesh me nenin 527 të Kodit të Procedurave Civile, i cili përcakton qartë se “kur kërkohet ekzekutimi i një detyrimi në të holla, përmbaruesi gjyqësor… fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke venë sekuestro mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit”.

4. Të dhënat tregojnë se devijimi nga detyrimi që përcakton neni 527 i Kodit të Procedurave Civile formon modus operandi të përhapur te përmbaruesit privatë, gjë që imponon nevojën për një kontroll tematik në masën e gjerë të përmbaruesve privatë dhe për të bërë publike konkluzionet, me qëllim që Kuvendi dhe publiku të njihen më në thellësi me situatën. Komisionet parlamentare disponojnë instrumente solide dhe të efektshme për krijuar qartësi të plotë dhe për të nxitur korrigjimin e shpejtë të sjelljes së përmbaruesve në këtë drejtim.

5. Ministri i Drejtësisë ka marrë nismën “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve të ligjit nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, si dhe akteve nënligjore të nxjerra në funksion dhe për zbatim të tij. Kjo nismë i përket muajit qershor 2024. Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se “situata paraqitet tejet serioze dhe kërkon adresim të menjëhershëm në të gjitha instancat ligjzbatuese që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit”, (shkresa e datës 19.7.2024 drejtuar Presidentit të Republikës). Përmirësimet ligjore meritojnë të jenë pjesë e agjendës së komisioneve parlamentare që në ditët e para të sesionit të ardhshëm të Kuvendit.

IV. Konkluzion:

Ndjeshmëria publike ndaj abuzimit me administrimin e kredive me probleme është shumë e lartë dhe shqetësimi qytetar është legjitim. Çështja do të krijojë qetësi kur publiku të perceptojë se institucionet janë në sintoni të plotë me këtë shqetësim, kanë identifikuar dhe po punojnë për zgjidhjet e duhura. Qytetarët kanë nevojë të kuptojë se shteti dhe institucionet janë me ta dhe kundër abuzuesve.

Kjo çështje nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme. Kuvendi është adresa më e saktë dhe më kompetente për t’i dhënë fenomenit zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme.

Si President i Republikës, shpreh besimin se mesazhet e përfshira në këtë shkresë kanë për të marrë vëmendjen e duhur institucionale”, përfundon letra.

I shpëtoi 17 plumbave dhe planifikoi vrasjen e Durim Bamit, arrestohet në Dubai Marklen Haka

Policisë së Shtetit i ka ardhur një informacion nga Dubai për ndalimin e një personi që dyshohet se është Marklen Haka.

Policia i ka dërguar të dhënat homologëve në Dubai për të bërë krahasimet nëse është ai, apo tjetër person.

Marklen Haka është në kërkim për dosjen “Revanshi” nga SPAK dhe akuzohet për vrasje e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas SPAK, në bisedën e zhvilluar mes Emiljano Shullazit, nga qelia, me një nga emrat e shumëpërfolur në botën e krimit, Marklen Haka, i tregon se Durim Bami i kishte dërguar haber ish-deputetit socialist që “të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë”.

Por, në vazhdim të bisedës, Emiljano Shullazi, pasi Marklen Haka i jep informacion mbi lëvizjet e Durim Bamit, i drejtohet që “si t’ja bëjmë me e kap k*rvën, me e rrjep, me e torturu”, duke shtuar se “nuk ka blind (makinë) që e ruan”.

Në qershor 2022, Haka shpëtoi falë një mrekullie, nga një breshëri plumbash që e falën por vetëm njëri prej tyre e kapi rikoshet në nofull, Ai insistonte përpara policisë se nuk kishte problem me askënd dhe se e kanë ngatërruar.

Me tezën se nuk pa askënd mbasi vrasësit ishin në një automjet me xhama të errësuar, i riu ashtu siç thanë edhe dëshmitarët në polici tregon se nuk ka asnjë të dyshuar.

Çifti i dashur nga BBV njofton ndarjen: Do të vijë dita…

Çifti i njohur i showbizzit Lumbardh Salihu dhe Kader Kiçaj sapo kanë njoftuar për ndjekësit ndarjen e tyre. Ata njohën bashkë gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big-Brother Vip Kosova2.

Njoftimin për këtë ndodhi e bëri vëtë Kaderi me një postim në ‘InstaStory’ ku shkruante: “Duke qenë se bashkë kemi ndar shumë gjëra, doja të ndaja me ju dhe një lajm nga jeta ime private. Unë tani e tutje nuk jam më njeriun që isha deri dje. Si femër kam luftuar çdo lloj sfide për të qëndruar në lidhje, kam pasur vështirësi por besoj do vi dita që do kuptoni gjithçka.

“Për çdo lloj pyetje kam përgjigjje, por nuk dua të lëndoj njeri se vetë unë jam lënduar nga kjo lidhje,”përfundon ish-banorja e BBVK.

Çifti ka fshir çdo postim së bashku në rrjetin e tyre Instagram si edhe nuk e ndjekin me njëri tjetrin. Pas deklaratës së Kaderit nga ana e Lumbardhit nuk ka pasur asnjë reagim deri më tani. Salihu ishte ai që rrëmbeu çmimin e madh këtë edicion të Big-Brother Vip Kosova.

Puthja pasionante dhe përqafimi i ngrohtë mes Macron dhe ministres së Sportit nxit kritika

Rrjeti po gumëzhin nga fotot e sikletshme që janë publikuar së fundmi nga një revistë franceze, ku shihet Macron në një përqafim të ngrohtë me ministren e Sportit gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit 2024.

Përqafimi dhe puthja që shkëmbyen po konsiderohet nga publiku si tepër pasiononte, sikur të ishin të dashur.

Fotoja tregon Macron, 46 vjeç, i cili kap krahun e ministres dhe afrohet ta puthë, ndërsa kjo e fundit njërën dorë vendos tek krahu i Macron dhe tjetrën rreth qafës së tij, ndërsa e puth në faqe.

Kjo puthje ka ngjallur reagime të shumta, ku shumë njerëz e kanë quajtur si të turpshme dhe të papërshtatshme.

Macron e emëroi Oudéa-Castéra-n si ministre të Arsimit të Francës në janar, por e hoqi atë nga posti pas më pak se një muaji pas zbulimeve se ajo i kishte shkolluar fëmijët e saj në shkolla private luksoze dhe bëri komente përçmuese për shkollat ​​publike.

Nën Ramën, Shqipëria po dështon pothuajse në çdo aspekt

Nga Fron Nahzi*

Në terma për frymë, Shqipëria ka marrë më shumë asistencë ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin, për të zhvilluar shoqërinë civile dhe median e pavarur dhe për të forcuar qeverisjen e mirë se çdo vend tjetër në Evropën Qendrore dhe Lindore. Megjithatë, rezultatet në të tre sektorët janë tepër të dobëta.

Në pamje të parë, Shqipëria duket sikur po zhvillohet me shpejtësi, me investime të mëdha në ndërtim, infrastrukturë dhe turizëm. Megjithatë, po të shikoni pak më thellë, do të gjen shumë karakteristika të një shteti autoritar.

Shqipëria vuan nga kapja e shtetit, shoqëria e dobët civile, media e politizuar, një gjyqësor i brishtë dhe një opozitë e thyer më shumë e përkushtuar për të mbrojtur liderët e saj – Sali Berisha dhe Ilir Meta – nga ndjekja penale sesa të ofrojë një alternativë serioze për socialistët në pushtet.

Kryeministri Edi Rama, i njohur për dashurinë e tij ndaj qendrës së vëmendjes dhe stilin e tij të veshjes që ndërthur Matrix-in dhe Muammar Gaddafi-n, zotëron pushtetin absolut.

Kryeministër që nga viti 2013, Rama pritet gjerësisht të fitojë mandatin e katërt radhazi në vitin 2025.

Marrëveshja e tij këtë vit me Italinë, sipas së cilës Shqipëria do të presë një qendër mbajtëse për emigrantët dhe refugjatët që mbërrijnë në Itali, si dhe entuziazmi i tij për bashkëpunimin rajonal, kanë bërë që ai të fitojë admirues në qarqet ndërkombëtare.

Por ndërsa ai mund të duartrokitet nga komuniteti ndërkombëtar, Rama nuk pëlqehet shumë nga njerëzit e tij – 49 për qind sipas një sondazhi në 2023.

Gjendja e keqe ekonomike dhe mungesa e qeverisjes demokratike kanë bërë që shumë të rinj shqiptarë të votojnë me këmbët e tyre: 700,000 janë larguar në Evropën Perëndimore që nga viti 2008, sipas të dhënave të Eurostat.

Ata kërkojnë punë, stabilitet dhe një të ardhme më të mirë, të shtyrë nga mungesa e mundësive dhe një klimë mbytëse politike.

Banka Botërore raporton se 27 për qind e të rinjve shqiptarë janë të papunë dhe 25 për qind nuk janë as në arsim, as punësim, as trajnim.

Ndërkohë që Banka Botërore ka kërkuar rritjen e investimeve në kapitalin njerëzor, Rama ka prioritizuar projektet afatshkurtra dhe me ndikim të lartë në kryeqytet, Tiranë. Këto projekte janë të dukshme për të gjithë dhe financiarisht fitimprurëse për disa, por nuk i sjellin dobi popullatës apo shoqërisë shqiptare në tërësi.

Në një raport të korrikut mbi klimën e investimeve në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit e përshkroi korrupsionin si “sistemik” përpara një rishikimi gjithëpërfshirës të sistemit gjyqësor nën Ramën në 2016. Por akuzat për korrupsion në prokurimet qeveritare mbeten “të zakonshme”, tha ai, duke cituar investitorët që kanë raportuar “raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri”.

Gjatë dy viteve të fundit, disa figura të profilit të lartë nga rrethi i ngushtë i Ramës janë akuzuar për korrupsion, veçanërisht në rastin e ndërtimit dhe funksionimit të një inceneratori mbetjesh në Tiranë me vlerë 100 milionë dollarë.

Një ish-zv/kryeministër i përfshirë është arratisur dhe ka kërkuar azil në Zvicër, ndërsa kryebashkiaku socialist i Tiranës është marrë në pyetje dhe disa nga stafi i tij të lidhur me këtë çështje kanë lënë gjithashtu vendin. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka mohuar çdo shkelje.

Inceneratori nuk është ndërtuar dhe taksapaguesve u është lënë një faturë prej 24 milionë dollarësh në vit për një kompani private që i depoziton mbetjet e qytetit në një landfill.

Rama, si kreu i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, nënshkroi projektin e inceneratorit, por është distancuar nga skandali, duke thënë se ai ka të bëjë me veprimet e individëve, jo të qeverisë së tij.

E vetmja pikë e mirë duket se është Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e mbështetur nga SHBA-ja, ose SPAK.

Që nga fillimi i tij në vitin 2019, SPAK ka paditur qindra drejtues biznesi, si dhe zyrtarë të mëparshëm dhe aktualë të qeverisë. Një numër figurash të shquara janë larguar nga vendi, ndërsa të tjerë janë në burg ose në arrest shtëpie në pritje të gjykimit. Me këtë ritëm, disa shqiptarë bëjnë shaka duke thënë se nuk do të mbetet asnjë politikan për të drejtuar vendin.

Se deri ku do të shkojë SPAK, mbetet shumë në dyshim.

Rama gëzon mbështetje të fortë ndërkombëtare dhe i mungon ndonjë sfidues i besueshëm. Nuk ka dalë asnjë provë që mund ta inkriminojë atë për ryshfet ose ta lidh atë me llogaritë offshore aq shpesh të përfshira në koncesione dhe projekte ndërtimi. Por kryeministri është përballur me akuza për përdorimin e tenderëve publikë për të shpërblyer miqtë dhe ndëshkuar armiqtë.

Ndërkohë, SPAK është kritikuar për përqendrimi i tij në korrupsion pas përfundimit të një transaksioni, duke lënë pas dore faktin se procesi që çon në këto transaksione është shpesh po aq, nëse jo më shumë, korruptiv. Kjo qasje selektive minon efektivitetin e përpjekjeve kundër korrupsionit, pasi nuk arrin të adresojë shkaqet rrënjësore dhe mekanizmat e korrupsionit brenda sistemit.

Në vitet e ardhshme, Shqipëria do të marrë investime prej miliarda dollarësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan dhe kandidatit aktual republikan, Donald Trump.

Emiratet e Bashkuara Arabe planifikojnë të investojnë 2 miliardë dollarë në transformimin e Portit të Durrësit në detin Adriatik për të akomoduar turistët dhe jahtet. Kushner synon të investojë 1 miliard dollarë për ta kthyer ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake, në një eko-resort luksoz nën markën prestigjioze Aman. Këto projekte do të jenë investimet më të mëdha në Shqipëri.

Siç kanë theksuar në mënyrë të përsëritur si Bashkimi Evropian ashtu edhe SHBA-ja gjatë 30 viteve të fundit, për të luftuar me të vërtetë korrupsionin është thelbësore të sigurohet transparencë dhe llogaridhënie gjatë gjithë procesit, nga dhënia e kontratave deri në ekzekutimin përfundimtar të tyre. Një qasje e tillë ndihmon në parandalimin e manipulimit të burimeve shtetërore për përfitime personale ose politike, duke promovuar kështu një sistem qeverisjeje më të drejtë. Deri më sot, Shqipëria ka dështuar.

Duke pasur parasysh fluksin e konsiderueshëm të fondeve nga këto investime, SHBA-ja mund të konsiderojë promovimin e një ekuivalenti të SPAK-ut për të mbikëqyrur kërkimin dhe dhënien e kontratave dhe koncesioneve qeveritare. Kjo do të ndihmonte që pasuria të shpërndahet në mënyrë më të drejtë sesa të përqendrohet mes një rrethi të zgjedhur bashkëpunëtorësh të Ramës.

Një masë e tillë mund të hapë rrugën për partitë politike alternative, duke ofruar zëra të freskët shumë të nevojshëm. Përndryshe, rrezikojmë të shpërqendrohemi vazhdimisht nga veshja e shkëlqyer e Ramës dhe tendenca e tij për të vënë blloqet e apartamenteve të nivelit të lartë përpara nevojave urgjente të zhvillimit./Birn

*Fron Nahzi është Drejtori i Lartë i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Festivali i Dua Lipës po synon të ndryshojë imazhin e Kosovës

Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjini donin të ndryshonin gjërat në Kosovë, sipas BBC, duke nisur festivalin Sunny Hill në qytetin e Prishtinës. “Dua të ndryshoj retorikën e asaj që njerëzit mendojnë për Kosovën dhe se ajo është e shkatërruar nga lufta”, shpjegoi Dua në fillim të këtij viti. “Kur jetoja në Kosovë, asnjë nga artistët që doja të shihja nuk erdhi kurrë”.

Dua ka lindur në Britaninë e Madhe, por u transferua në Prishtinë në moshë të vogël pas një lufte në fund të viteve 1990 që la më shumë se 10 000 të vdekur, teksa Kosova luftonte për pavarësinë nga Serbia. “Rivendosja e situatës normale në vend mori më shumë vite sesa do të donim”, thotë Dukagjini. Ai shpjegon se ishte “gjithmonë një ëndërr” të kishte diçka si Sunny Hill në Prishtinë, pasi kishte punuar në industrinë e ngjarjeve të muzikës live për vite me radhë, përpara se Dua të bëhej një yll ndërkombëtar i popit.

Në vitin 2018, 10 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, u lançua Sunny Hill. Por atëherë ishte më e vështirë të bindeshin artistë të tjerë botërorë që të përformonin në Prishtinë. Megjithatë, një vit më vonë, miqtë e Duas, Miley Cyrus dhe Calvin Harris ranë dakord.

Të dhënat e fundit vlerësojnë se rreth 40% e vizitorëve ishin nga jashtë Kosovës, ndikim për të cilët ka diaspora e vendit që sjellin miq me vete. Këtë vit, disa kishin udhëtuar nga Çikago për të parë artistë si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake që kryesuan skenën.

Zjarr i madh në Romë, tymi mbulon zonën pranë RAI 3. Evakuohen qytetarët

Roma është përfshirë nga një zjarr i madh këtë të mërkurë.

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët në zonën e Monte Mario, pranë Gjykatës së Apelit dhe selisë së RAI 3.

Shtëllunga të mëdha tymi kanë mbuluar zonën, ndërsa banorët dhe qytetarët janë evakuuar për shkak të rrezikut.

Në aksion për shuarjen e flakëve janë 10 ekipe zjarrfikëse dhe një helikopter.

“Flakët ishin të forta që herët pasdite. Pamë tymin e zi dhe të dendur, dëgjuam shpërthimet, u frikësuam dhe dolëm në rrugë”, shprehen banorët.