zoom

Day ArchiveGjobë dhe paralajmërim, UEFA dënon Shqipërinë një muaj pas Europianit

Një muaj pasi Kombëtarja Shqiptare e futbollit mbylli eksperiencën e saj në Euro 2024, në ndeshjen përballë Spanjës që u kurorëzua kampione, UEFA ka vendosur të dënojë FSHF-në.

Më vendimin disiplinor të qeverisë së futbollit kundër FSHF, dënohet sjellja e tifozëve të Shqipërisë në dy ndeshje, ato përballë Kroacisë dhe Spanjës.

Objektiv i hetimit të UEFA-s ka qenë sjellja “raciste/ diskriminuese” e tifozëve kuqezi.

“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FSHF 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për sjellje raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”, njofton UEFA.

Sipas vendimit në fjalë, FSHF do të paguajë gjobën, ndërsa dënimi i pezullimit të shitjes së biletave ndaj tifozëve shqiptare në një ndeshje jashtë fushe, do të hyjë në fuqi vetëm nëse në dy vitet e ardhshme do të evidentohen incidente të ngjashme.

Dënime të ngjashme janë dhënë këtë mërkurë nga UEFA edhe për Serbinë, Rumaninë, Hungarinë, Austrinë, Slloveninë dhe Kroacinë.

Barbie nxjerr në treg kukullën e parë të verbër

Kompania e lodrave Mattel ka nxjerrë në treg Barbin e parë të verbër, për ta bërë kukullën ikonike më gjithëpërfshirëse dhe për të përfaqësuar më shumë grupe të shoqërisë.

Kjo Barbie mban një shkop të bardhë që përdorin të verbrit për të ecur dhe mban syze dielli në kokë.

Rrobat e kukullës janë dizajnuar duke përdorur pëlhurë të prekshme, një bluzë sateni dhe një fund me pala. Për të krijuar një kukull që përshkruan me besnikëri individët me humbje të shikimit, Mattel punoi me disa organizata bamirëse, duke përfshirë Institutin Kombëtar Mbretëror të Personave të Verbër (RNIB).

“Është e mrekullueshme të mendosh se fëmijët me dëmtim të shikimit tani mund të luajnë me një Barbie që duket si ata”, tha Debbie Miller, drejtoreshë e kompanisë Mattel.

Për vite të tëra, kompania është kritikuar për kukullat e saj që përforconin standardet tradicionale të bukurisë me përmasat joreale, ndaj filloi të prodhojë një linjë më gjithëpërfshirëse të Barbie në vitin 2016 që paraqiste lloje të ndryshme trupash. Tre vjet më vonë, kompania njoftoi lëshimin e linjës së saj Barbie Fashionistas, e cila përmbante kukulla me një këmbë protetike, aparate dëgjimi dhe karrige me rrota, si dhe me sëmundjen e lëkurës vitiligo.

Krahas kukullës së parë Barbie të verbër, Mattel po nxjerr gjithashtu një kukull Barbie me ngjyrë dhe me sindromën Down për të diversifikuar më tej gamën e saj.

“Shqetësim presioni në gjyqësor”, KiE për Shqipërinë: Sfidë, numri i çështjeve të pazgjidhura

Raporti i Komisionit Evropian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri thekson se vijon të jetë shqetësim ndërhyrja në sistemin gjyqësor.

Një prej sfidave me të cilat po përballen institucionet e drejtësisë është numri i madh i çështjeve të pazgjidhura.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion po japin rezultate, theksohet në raportin e KE.

“Shqipëria ka nisur të zbatojë reformën thelbësore në drejtësi që nga viti 2016. Ka mangësi në emërimet e anëtarëve jo-magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë i Prokurorisë. Plotësimi i vendeve vakante përbën një sfidë. Vijon të jetë shqetësim tentativa e ndërhyrjes dhe presioni mbi sistemin gjyqësor nga zyrtarët publikë apo politikanët. Përhapja e sistemit modern të integruar elektronik të menaxhimit të rasteve ka qenë prej kohësh në pritje. Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore ndikojnë negativisht në cilësinë e drejtësisë.

Sfidat mbeten për sa i përket kohëzgjatjes së procedimeve dhe numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura, ndërsa masat e mëtejshme duhet të rriten, efikasiteti ende nuk është zbatuar. Është duke u përgatitur një Strategji e re Kundër Korrupsionit për 2024-2030. Ka rezultate fillestare inkurajuese të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatave të posaçme.

Numri i personave të hetuar, të ndjekur penalisht dhe të dënuar për korrupsion është rritur gjatë tre viteve të fundit, ndërsa një ligj i fundit për amnisti ngre shqetësimet. Koordinimi mes institucioneve të ngarkuara për parandalimin e korrupsionit dhe strukturat përkatëse ligjzbatuese mbeten të dobëta. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë edhe fushatat elektorale.

Janë kritikuar ndryshimet në Ligjin për komisionet hetimore duke kufizuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe janë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Polarizimi politik ndikoi negativisht në efektivitetin, transparencën dhe objektivitetin e punës parlamentare”, shkruhet në raport.

S’ka qetësi për Bardhin! Pas sherrit me menaxherin, zihet dhe me Arta Kabashin: Në TV je tjetër!

Këngëtari Bardhi ka komentuar sot në një video nga një emision televiziv ku e ftuar ishte këngëtarja, Arta Kabashi.

Arta kishte treguar arsyen se pse nuk flet më me Bardhin, teksa ky i fundit i është përgjigjur me një koment duke e akuzuar për dyfytyrësi.

“O Bardhosh…”, Ana Kabashi reagon ashpër ndaj Bardhit
Komenti i Bardhit ndaj Artës
Pjesë e kësaj u bë edhe motra e Artës, këngëtarja Ana e cila përmes një shkrimi në rrjetin social “Instagram” iu kthye ashpër Bardhit.

Teksa në fund u shpreh se ai duhet me qenë falenderues ish-menaxherit të tij, Jetmir Agajt sepse sipas saj fal tij Bardhi ka qënë në krye të “showbizit” e që tashmë ai nuk është.

Qeveria i frikësohet një “Gërdeci 2”, por miraton krijimin e një shoqërie për prodhimin e armëve

Nisma e qeverisë për krijimin e shoqërisë shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve e quajtur KAYO ka marrë “dritën jeshile” mes disa pikëpyetjesh në komisionin për ekonominë dhe Financat.

Pa e përmendur, por duke iu referuar Gërdeci, socialisti Erion Braçe ngriti shqetësimin se ku do të zhvillohet industria e re ushtarake pas mbylljes së Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, asaj Mekanike Gramsh dhe Kombinatit të Poliçanit.

“Duhet pasur parasysh jo vetëm lehtësia e këtij biznesi, ne kemi mbi kurriz ngjarje të tmerrshme dhe duhet menduar dhe siguria. Prandaj po pyes ku do të shkojë?”, tha deputeti socialist Erion Braçe.

“Ne pretendojmë dhe parashikojmë që këto tre uzina, bashkë me rajonet e tyre të jenë të parat që ne do të ofrojmë. Pastaj rast pas rasti do të shikohen edhe zonat e tjera. Por korniza ligjore është shumë rigoroze… shumë strikte”, tha Dorian Tola, zëvendësministër i Mbrojtjes.

Për ngritjen e shoqërisë shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve janë parashikuar të shpenzohen nga buxheti i shtetit rreth 685 milionë lekë. Gati gjysma e këtyre parave do të shkojnë për të shlyer detyrimet e prapambetura që tre uzinat kanë ndaj punonjësve apo palëve të tjera.

Por shuma në dispozicion, bashkë me pikëpyetjen nëse kompania do të jetë përgjithmonë bënë që deputetja demokrate të shprehej e pakënaqur nga futja me procedurë të përshpejtuar e projektligjit.

“Ministria foli për një vlerë 3 milionë euro për nisjen e rrugëtimit të kompanisë. Nga sa kam parë dhe me çfarë kam marrë informacione, shifra prej 3 milionë eurosh për të operuar në këtë sektor është shumë e vogël ose për të bërë asgjë. Po ashtu shoh që ka një mungesë të qartë të formës së pronësisë, pasi ne nuk e dimë se si do të përfshihen aksionerët privatë derisa kompania planifikohet të jetë sh.a.? si do e siguroni ju mosprekjen e sigurisë kombëtare në blerjen e aksioneve të kësaj kompanie?”, tha Jorida Tabaku.

“Ju keni të drejtë që kjo shumë nuk mjafton. Shoqëria do të jetë shtetërore, por nuk do të mungojnë bashkëpunimet me privatin. Kjo është forma që kemi zgjedhur”, iu përgjigj zv.ministri Tola.

Bashkë me projektligjin për Krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, Komisioni miratoi edhe Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033 e Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë. Mbyllje me efekt nga votimi i dy bazave të tjera ligjore.

PS-PD bien dakord: 2/3 e listave zgjedhore e hapur! 1/3 të emrave e cakton kryetari i partisë

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord për lista të hapura. Varianti që palët kanë rënë dakord në negociata për listat është 1/3 e mbyllur, 2/3 e hapur. Argumenti që kanë sjellë për këtë vendim është ruajtja e kuotave gjinore.

“Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:

a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe

b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës.

Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.

Kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.

Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.

Blendi Fevziu i bën thirrje qeverisë të vendosë tavan për çmimet e shezlloneve në Jug

Gazetari Blendi Fevziu ka bërë një reagim të ashpër për çmimet e larta në jug të Shqipërisë.

Ai i kërkon qeverisë të vendosë një çmim tavan për çadrat e vendosura në bregun e detit.

Fevziu, me anë të një videomesazhi, deklaron se plazhet publike jepen me qira me 5 – 10 euro metri katror në vit, ndërsa bizneset ua japin qytetarëve me 15, 30, 40, 50 deri në 500 euro në ditë.

Gazertari thotë se ky abuzim duhet ndaluar në mënyrë që pushuesit shqiptarë të jenë të kënaqur, por edhe për turistët që mbeten të zhgënjyer nga çmimet e larta.

Pjesë nga deklarata:

Pak më parë isha me një gazetar italian, një lëng frutash, i cili në Romë, në vendin më të shtrenjtë të Romës, kushton 8 euro, shitet 15 euro në jugun e Shqipërisë. Nuk do të doja të përqendrohesha te të gjitha çmimet në këtë rast se pa diskutim çmimet janë çështje tregu. Dikush mund të dojë ta shesë një shishe uji edhe 1 milion, nëse ka budallenj që ia blejnë.

Do të doja të fokusohesha te raporti midis këtyre budallenjve siç pretendojnë një pjesë e madhe e atyre që ofrojnë shërbime dhe vetë ofruesve të shërbimeve, por vetë raporti që ata kanë me shtetin.

Gjithkush mund të ketë çmimet e tij në restorantin e tij, në hotelin e tij, në biznesin e tij, por kur bëhet fjalë për çmime në ato zona, ku ofrohen shërbime që lidhen drejtpërdrejt me shtetin, siç janë çadrat në bregdet, në këtë rast duhet të ketë një ndërhyrje të shtetit.

Nuk është e drejtë që plazhet publike, që janë pronë publike, që jepen për t’u ofruar shërbim më të mirë qytetarëve një biznesi të caktuar, me 5, maksimumi 10 euro metri katror në vit, të jepen me nga 15, 30, 40, 50 dhe deri në 500 euro në ditë. Është një shpërdorim absolut i pronës publike, është një largim i qytetarit shqiptar, i cili ka të drejtën ta shfrytëzojë këtë pronë publike si gjithë të tjerët.

Në këto raste, vetëm në këto raste, shteti duhet të vendosë një çmim tavan për të detyruar të gjithë ata që e kanë marrë me qira për një vit plazhin, për të ofruar shërbime për qytetarët, për t’ua bërë më të thjeshtë jetën qytetarëve, një çmim në të cilin të fitojnë dhe ata vetë, një çmim që të marrë edhe shteti qiranë e tij, një çmim që të kënaqet edhe qytetari që i ofrohet ky shërbim.

Në qoftë se këto hapësira publike do të kthehen në një lloj benefiti për biznese të caktuara, për të fituar miliona e miliona në kurriz të këtyre budallenjve, siç i quajnë ata, ose turistëve që nuk do kthehen më kurrë në Shqipëri, atëherë ky nuk është më një problem i bizneseve, ky është një problem i drejtpërdrejtë i shtetit. Ndaj shteti duhet të vendosë një tavan sa më parë, sidomos për çadrat në bregdet dhe të përcaktojë sa për qind e bregdetit duhet të jetë për shërbim privat dhe sa duhet të jetë për shërbim publik.

I burgosur për abuzim me fondet e BE, SPAK i kontrollon Ilir Beqajt banesën në Vlorë

Pas abuzimit me fondet e BE-së në SASPAC, SPAK mësohet se ka ushtruar kontrolle në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në Vlorë.

Bëhet e ditur se dera e apartamentit është hapur me forcë nga zjarrfikëset. Apartamenti i Beqajt ndodhet në katin e 7 të një pallati në Lungomare.

Prej 4 korrikut 2024 ishin ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim. Si GJKKO dhe Apeli i GJKKO-së refuzoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të butë sigurie.

Ndaj Beqajt SPAK ka ngritur akuzat për ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore’, ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” “Mashtrim” si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Skandali te Onkologjiku, GJKKO lë në fuqi masat për Gashin e 6 të tjerë. Debate avokatë-magjistratë

GJKKO ka lënë sot në fuqi pas një seance maratonë që nisi paradite dhe përfundoi pak më parë, të njëjta masa sigurie, sikundër kishte vendosur edhe Gjykata e Tiranës, ndaj ekipit të mjekëve dhe personelit të Onkologjikut, pas skandalit që përfshiu këtë spital.

Skandali i Onkologjikut u hetua nga Prokuroria e Tiranës, por dosja më pas i kaloi SPAK-ut.

Në seancë pati debate të forta mes avokatëve mbrojtës, sidomos të kirurgut të akuzuar si organizator i skemës korruptive me ilaçet e të sëmurëve me kancer te Onkologjiku, Edmond Gashit.

Avokatët kërkuan kohë për shqyrtimin e materialeve dhe seanca u shty, për t’u mbyllur pak më parë. Gjithashtu kërkuan shpjegime pse Tirana shpalli moskompetencën dhe ia kaloi SPAK-ut.

GJKKO vendosi:

-Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

-Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

-Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

-Brikena Qirjazi, zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

-Halil Gashi, i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

-Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” u la në masën “Arrest në shtëpi”.

-Drilona Kishta, për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo ishte jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi. /ZOOM.AL/

Dedikimi prekës i Agron Llakaj për bashkëshorten: Më mungon, 2 muaj pa ty! Porosis gjithnjë dy kafe

Si sot dy muaj më parë, bashkëshortja e aktorit e humorit shumë të dashur për publikun, Agron Llakaj, u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Por për aktorin dhe moderatorin plaga për humbjen e bashkëshortes është ende e hapur dhe i dhemb si ditën e parë.

Mëngjesin e ditës së sotme, Llakaj ka përkujtuar bashkëshorten e tij, ku nëpërmjet një postimi në llogarinë personale të “Instagram”-it ka dedikuar disa fjalë zemre dhe të ndjera për të.

POSTIMI I AKTORIT:

“Sot 2 muaj pa Ty!🥲

Kalojne ditet dhe serish mbetem i pushtuar nga mungesa jote Kostandina… dhe jeten e shikoj krejt ndryshe. Sa i pakuptimt ky fati yne?!

Shtyj nje dite, nje jave…,sot 2 muaj…,ushqej mendimin se do me kthehesh serish dhe sdi…,eci rruges dhe me duket se perpara do me shfaqesh Ti, ke qene ne pune, ne banke a diku.. eci nga liqeni dhe hapat qe vijne mbrapa nga kushdo me ngjajne me ritmin e hapave te tua…,sa here instiktivisht kthej koken…,ul ritmin te te pres.., dhe serish vetem.

Ulem te vendi yne ne kafene dhe porosis gjithmone dy, dy gjysma kafe dhe nje shishe uje… Ne shtepi cdo levizje e hapje e mbyllje dere…,me rrenqeth te gjithin..,mos po vjen ti?!”

-Te kam sjelle dy bluza, provoi cila te rri me mire?!”

Me mungon e qeshura jote…,malli me shqyen per zerin tend ne telefon-” he mo Agron?!

” Pusho pak,mos rri pa ngrene…,te te pres apo vonon?!”

E ditet shtyjne njera tjetren e hena me diellin vazhdojne nderrojne vendet…,une jo…,te pres Ty.

E si Hachiko jam shnderruar ne pritje, ne pritje deri ne amshim.., nuk kam nje vend ku Ty te te pres… Ne çdo vend me mungon Ti.🥹💔”. /ZOOM.AL/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Agron Llakaj (GON’NINA) (@agronllakajofficial)