zoom

Day ArchiveUjë për investitorët strategjikë, lidhet kontrata 4.2 milionë euro për projektin e ri

Agjencia Kombëtare Ujësjellës-Kanalizime (AKUK) njoftoi në sistemin e prokurimeve se ka lidhur kontratën me fituesin që do të zbatojë projektin për furnizimin me ujë të zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, të Bashkisë Himarë, Faza II.

Kompania Gjoka Konstruksion, e cila ishte edhe fituesja e procedurës, do të zbatojë projektin me vlerë rreth 4.2 milionë euro përfshirë TVSH-në. Më herët procedura u hap për një vlerë 372 milionë lekë si fond limit për të cilën kompania bëri një ofertë që ishte sa 95.3 për qind e këtij fondi ku rezultoi edhe fituese.

Tenderi u çel në prill nga AKUM dhe procedura e dytë ishte vijim i asaj të çelur në fund të 2023, ku në fazën e parë, fondi limit i parashikuar në atë kohë ishte 743 milionë lekë, apo më shumë se 7 milionë euro.

Sipas dokumenteve që shoqërojnë projektin, në të përfshihet e gjithë zona e shpallur përmes Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit Nr.2, Datë 16.10.2017 “Zonë e investimeve strategjike në vendet e rëndësisë kombëtare për zhvillimin e turizmit” Draleos-Drimadhes-Dhërmi, duke renditur edhe projektet nga Palasa deri në Dhërmi.

Dokumenti bën gjithashtu një vlerësim të burimeve që kanë aktualisht këto zona. Më herët, të njëjtat përllogaritje tregonin se për furnizimin me ujë do të kërkohet një kapacitet jo më pak se 290 l/s për të përballuar fluksin e turistëve.

“Kërkesa është sigurimi i një sasie prej jo më pak se 290 l/s, e cila do të përdoret për furnizimin me ujë të komplekseve të reja turistike në fshatin Palasë me anë të një ujësjellësi të ri. Sasia prej 290 l/s parashikohet për pikun e turistëve gjatë stinës së nxehtë të vitit, ku përveç një sasie prej 150 l/s për banorë ka nevojë për një sasi shumë më të madhe uji.

Kjo sasi konsiston në mbipopullimin e zonës, sidomos përgjatë vijës bregdetare. Një turist merr normalisht 30% më tepër ujë se zakonisht.

Nëse shtojmë edhe sasinë e ujit për nevoja të shërbimeve publike turistike, pritshmërinë për zgjerimin, apo ndërtimin edhe të komplekseve të tjera turistike, atëherë norma për turist shkon mbi 250 l/s; kështu sasia e nevojshme dhe e kërkuar prej 290 l/s është më se e argumentuar. Kemi parasysh edhe humbjet në rrjet të llogaritura jo më pak se 20-30%” thuhet në raportin teknik-hidrologjik të projektit.

Strategjikët e fshatrave turistikë

Ndër vite, qeveria ka dhënë përmes Komitetit të Investimeve Strategjike statusin për një sërë investimesh që, edhe pse të lakuara si komplekse turistike, në një pjesë të mirë të rasteve kanë përfunduar në komplekse vilash rezidenciale.

Përmes përfitimit të statusit investitorët fitojnë lehtësi si në përfitimin e tokës, ashtu edhe në lehtësimin e procedurave burokratike, por edhe investimeve që lidhen me infrastrukturën dhe aksesin në energji dhe ujë, diçka që është duke u aplikuar edhe në këtë rast.

Kukësi, Shkodra dhe Elbasani me rritjen më të madhe të vdekjeve në dekadën e fundit

Popullsia e re që doli nga të dhënat e cens 2023 tregoi se, qytetet e mëdha të Veriut të vendit, Shkodra dhe Kukësi kishin rritjen më të madhe të vdekjeve për mijë banorë.

Sipas të dhënave të INSTAT në të gjithë vendin më 2023 kanë humbur jetën 21,286 përsosna ose 9 vdekje për mijë banorë me të dhënat e popullsisë 2,4 mln banorë nga cens.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, vdekjet më të larta për mijë banorë i kishin Gjirokastra dhe Korça përkatësisht me 12.2 dhe 11.9, por rritjen më të madhe te vdekshmërisë gjatë periudhës 2011 dhe 2023 e kishin Kukësi, Shkodra dhe Elbasani.

Në vitin 2023, Kukësi kishte 8.4 vdekje për një mijë banorë me të dhënat e cens 2023, me një rritje të treguesit me 3 pikë për qind që nga viti 2011.

Në Shkodër humbën jetën 1726 persona më 2023 ose 11.5 persona për 1 mijë banorë me rritje 2.5 pikë për qind në krahasim me vitin 2011.

Pas Shkodrës, rritjen më të madhe të mortalitetit e kishte Elbasani. Në vitin 2023 në Elbasan kishte gjithsej 2050 jetë të humbura teksa popullsia e qarkut me të dhënat e cens 2023 ishte 232,580 banorë. Në Elbasan kishte 8.8 vdekje për një mijë banorë me rritje 2.3 pikë për qind në raport me vitin 2011.

Vetëm në qarkun e Beratit vdekjet për mijë banorë kanë pësuar ulje me -0.3% në periudhën ndërmjet dy censeve.

Në vitin 2023, në Qarkun e Tiranës kanë humbur jetën 5345 persona. Me të dhënat e popullsisë së cens vdekjet për 1000 banorë në kryqet ishin 7 me rritje 0.6 pikë për qind nga censi 2011.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se qarqet e Shkodrës dhe Kukësit kishin rënien më të madhe të popullsisë në përqindje ndërmjet dy censeve 2011 dhe 2023, teksa kanë gjithashtu edhe rritjen më të madhe të mortalitetit në dekadën e fundit./Monitor

Nënpresidentja Harris: Vota e 5 nëntorit, zgjedhje mes lirisë ose kaosit

Nënpresidentja Kamala Harris mbajti të martën tubimin e parë zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, njërin nga shtetet me peshë për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Ajo kritikoi kandidatin republikan, ish presidentin Donald Trump, duke thënë se votimi i 5 nëntorit është një “zgjedhje mes lirisë ose kaosit”.

“A duam të jetojmë në vendin e lirisë, dhembshurisë dhe shtetit të së drejtës apo në vendin e kaosit, frikës dhe urrejtjes”, pyeti ajo.

Zonja Harris mbajti tubimin pasi arriti të sigurojë përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokrate për presidente.

Takimi ishte i pari që prej së dielës, kur ajo nisi fushatën për garën e nëntorit, pasi Presidenti Biden i dha mbështetjen e tij. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Nënpresidentja Kamala Harris ka grumbulluar më shumë se 100 milionë dollarë që prej pasdites së të dielës.

Drejtuesit e lartë të Partisë Demokrate në Kongres mbështesin Kamala Harrisin

Dy drejtuesit më të lartë të Partisë Demokrate në Kongres dhanë mbështetjen e tyre që Nënpresidentja Kamala Harris të emërohet kandidate për presidente.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries i dhanë fund pikëpyetjeve nëse do t’i bashkoheshin demokratëve që po mbështesin zonjën Harris që të sigurojë emërimin e partisë për zgjedhjet e 5 nëntorit.

 

Kamala Harris siguron përkrahjen e delegatëve demokratë për t’u emëruar kandidate për presidente

 

Nënpresidentja Kamala Harris siguroi përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokratike për presidente kundër rivalit republikan Donald Trump.

Sipas njoftimeve, zonja Harris tani ka mbështetjen e 1,976 delegatëve që i duhen për të fituar që në raundin e parë të votimit brenda partisë së saj, duke konsoliduar pozitat si kandidatja më e mundshme demokrate për të zëvendësuar Presidentin Biden.

Në fjalimin e saj të parë si kandidate e pritshme, zonja Harris, një ish prokurore, premtoi se do ta bashkojë partinë dhe vendin dhe do ta sigurojë fitoren e demokratëve, duke bërë një dallim të thellë mes saj dhe zotit Trump.

Me vetëm 105 ditë deri në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe Partia Demokrate është në garë me kohën, që shpjegon edhe këtë bashkim të shpejtë rreth kandidates Kamala Harris si përpjekje e partisë për të tejkaluar zhvillimet dramatike që çuan në tërheqjen e Presidentit Biden, por edhe nevojës së votuesve demokratë për t’u mobilizuar.

Fushata e zonjës Harris grumbulloi brenda 24 orëve një shumë prej 81 milionë dollarësh, duke vendosur një rekord të ri. Delegacionet e demokratëve vazhduan të bashkërendohen dhe një numër i madh vullnetarësh u regjistruan për të ndihmuar fushatën e saj. Analistët e shohin këtë si një shenjë të entuziazmit për kandidaturën e saj.

Delegatët e Partisë Demokrate pritet të zhvillojnë një votim virtual para kuvendit të partisë më 19 gusht, që kandidati i partisë për president të përcaktohet që më parë dhe kuvendi të jetë një kuvend bashkimi.

Zonja Harris ndërkohë nuk po humbet kohë. Ajo mbajti tubimin e parë zgjedhor në Uiskonsin, njërin nga shtetet e diskutueshme. Dje ajo u takua me ekipin elektoral që deri dje mbante emrin Biden-Harris, dhe në fjalimin e saj të parë shpalosi çështjet kryesore mbi të cilat do ta ndërtojë fushatën kundër zotit Trump, duke vendosur një theks të veçantë në dallimin ndërmjet saj, si ish prokurore dhe kandidatit republikan, të shpallur fajtor për vepra penale.

“Në ditët dhe në javët në vijim, së bashku me ju, do të bëj çdo gjë në fuqinë time për ta bashkuar Partinë Demokratike, për ta bashkuar kombin tonë dhe për t’i fituar këto zgjedhje. Siç e dini, para se të zgjidhesha Nënpresidente, para se të zgjidhesha senatore e Shteteve të Bashkuara, isha zgjedhur prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe para asaj kam punuar si prokurore. Në këto detyra, kam goditur autorë të të gjitha krimeve. Abuzues të grave. Mashtrues që vodhën konsumatorët dhe që shkelin rregullat për të përfituar vetë. Prandaj më besoni kur ju them që i njoh tipat si Donald Trumpi,” deklaroi ajo.

Zonja Harris i bëri këto komente nga selia e fushatës së Partisë Demokrate në Dellauer, ku ajo foli edhe për të drejtat riprodhuese, një nga çështjet kryesore në zgjedhjet e këtij viti.

“Në këtë fushatë, me krenari do ta krahasoj të kaluarën time me të kaluarën e tij. Ky ekip do të ndihmojë që në nëntor të zgjedhim shumicën e ligjvënësve të Kongresit amerikan, të cilët pajtohen se qeveria nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë me trupin e tyre. Pasi Kongresi të kalojë ligjin për të rikthyer liritë riprodhuese, si Presidente e Shteteve të Bashkuara do ta miratoj ligjin,” theksoi zonja Harris.

Ajo po ashtu tha se në këto zgjedhje presidenciale, votuesit amerikanë janë para një dileme me peshë të madhe.

“Në këto zgjedhje, secili prej nesh përballet me një pyetje. Në çfarë vendi duam të jetojmë? Në një shtet të lirë, me dhimbshuri dhe sundim të ligjit, apo në një shtet kaotik, ku mbizotëron frika dhe urrejtja?”, shtoi ajo.

Nëse emërohet kandidate demokrate për presidente dhe fiton ndaj kundërshtarit republikan Trump, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara.

Por sipas profesores së historisë nga Universiteti i Virxhinias, Barbara Perry, në këtë rrugëtim zonjën Harris e presin sfida.

“Në këtë vend, ajo do të përballet më shumë me sfida gjinore se sa me sfida rreth përkatësisë racore… Ne kemi patur vetëm presidentë meshkuj prandaj kemi vetëm modelin e burrit si president. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund ta kapërcejnë këtë dukuri dhe ta zgjerojmë rrethin e njerëzve që janë kandidatë të përshtatshëm dhe që mund të fitojnë zgjedhjet presidenciale. Është pozitë shumë e rëndësishme, për të përjashtuar gjysmën e popullsisë,” thotë profesorja Perry.

Edhe si Nënpresidente, por edhe si kandidate për këtë post në vitin 2020, zonja Harris ishte objekt sulmesh nga ana e republikanëve si e paaftë. Tani që ajo qëndron më mirë në anketa kundër zotit Trump se sa Presidenti Biden, sipas analistëve, pritet që ajo të vazhdojë të jetë në shënjestër të republikanëve.

Ajo është akuzuar se është ngritur në pozitë me favore dhe në bazë të kuotave gjinore e racore dhe jo në bazë të meritës — një kritikë jo e pazakontë kundër grave që mbajnë pozita të larta pushteti dhe po ashtu një prirje më e gjerë që synon të sulmojë në baza gjinore gratë e suksesshme.

I emëruari kandidat për Nënpresident nga radhët e republikanëve, JD Vance tha se zonja Harris “do të jetë një milion herë më e keqe”se Presidenti Biden, të cilin ai e quajti presidentin më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sulmet ndaj saj së fundmi janë përqendruar në portretizimin e zonjës Harris si përgjegjëse për situatën në kufirin me Meksikën dhe emigracionin e jashtëligjshëm, që është edhe njëra prej çështjeve kryesore në fushatën e zotit Trump./DW

Zbulimi i oksigjenit sfidon njohuritë e oqeanit të thellë

Shkencëtarët kanë zbuluar “oksigjenin e errët” që prodhohet në thellësi të oqeanit, me sa duket nga copa metali në fundin e detit.

Rreth gjysma e oksigjenit që thithim vjen nga oqeani. Por, para këtij zbulimi, kuptohej se ai ishte bërë nga bimët detare duke fotosintezuar – diçka që kërkon rrezet e diellit.

Këtu, në thellësi prej 5 km, ku nuk mund të depërtojë rrezet e diellit, oksigjeni duket se prodhohet nga “nyjet” metalike të natyrshme që ndajnë ujin e detit – H2O – në hidrogjen dhe oksigjen.

Disa kompani minerare kanë plane për të mbledhur këto nyje, të cilat shkencëtarët detarë kanë frikë se mund të prishin procesin e zbuluar rishtazi – dhe të dëmtojnë çdo jetë detare që varet nga oksigjeni që ata prodhojnë.

 

Si të lehtësoni dhimbjet e kockave dhe kyçeve

Dhimbjet e kyçeve, nyjeve dhe kockave kanë një ndikim të fortë në lëvizshmërinë e njeriut.

Këto dhimbje, shkaktohen si pasojë e shumë problemeve dhe lëndimeve fizike por mund të nxisin edhe sëmundje të tjera si osteoartriti, reumatizma, e të tjera.

Si Të Minimizoni Dhimbjet e Kockave dhe Kyçeve

Në këtë artikull do të mësoni se si t’i trajtoni këto dhimbje me kura krejt natyrale.

Aktiviteti Fizik

Aktiviteti fizik mundëson lëvizjen e kyçeve, nyjeve dhe kockave.

Nëpërmjet tij, muskujt dhe kockat bëhen më të fortë dhe më pak të ndikuara nga inflamacioni.

Për më tepër, aktiviteti fizik ndihmon në elasticitetin e kyçeve dhe nyjeve dhe largon dhimbjet.

Ushqimet e Duhura

Ekspertët rekomandojnë konsumin e më shumë ushqimeve të pasura me acide yndyrore omega-3.

Këtu përfshihen: farat chia, arrat, vaji i ullirit, frutat dhe perimet të cilat ndër të tjera janë të pasura edhe me antioksidantë.

Këto ushqime ju ndihmojnë jo vetëm të humbisni në peshë por edhe të zbusni dhimbjet.

Vaji i Ullirit

Vajin e ullirit mund ta ëprdorni për të masazhuar kyçet dhe nyjet dy herë në ditë.

Ekspertët gjithashtu rekomandojnë konsumin e një luge e gjysmë me vaj ulliri në ditë, një sasi që ka të njëjtin ndikim si ibuprofeni.

Suplementët

Përveç ushqyerjes së duhur, ekspertët rekomandojnë konsumin e suplementëve të ndryshëm që mbështesin kockat, nyjet, kyçet dhe muskujt.

Ndër suplementët më të mirë ekspertët veçojnë: vitaminën D, kalçiumin dhe magnezin.

Këto suplementë mineralesh dhe vitaminash janë të rëndësishme sepse ushqejnë dhe fuqizojnë kockat dhe kyçet.

Përpos kockave, këto suplementë janë të rëndëësishëm edhe për shumë organe të tjera siç janë: truri, zemra, stomaku dhe mëlçia.

Ekspertët nënvizojnë rëndësinë e konsultave mjekësore përpara shfrytëzimit të çdo kure natyrale ose me suplementë.

Mjeku duhet të jetë rregullisht i informuar për çdo ndryshim në nivelin e dhimbjes dhe ndikimin e saj në lëvizshmërinë e organizmit/AgroWeb.org

SHBA e shqetësuar pas hyrjes së partive proruse në Qeverinë e Malit të Zi

Partia proruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Boshnjake (BS) kanë hyrë në Qeverinë e Malit të Zi, pasi Parlamenti votoi më 23 korrik për riformatizmin e ekzekutivit. Shtetet e Bashkuara thanë se janë të shqetësuara për përfshirjen e këtyre partive në Qeveri.

Partia proruse do të ketë dy poste të zëvendëspresidentit dhe do të udhëheqë dy ministri, ndërkaq partia boshnjake do të ketë një zëvendëspresident dhe pesë ministra.

Me hyrjen e këtyre partive, Qeveria e Malit të Zi tani do të ketë 32 anëtarë – Qeveria më e madhe në historinë e shtetit.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, gjatë adresimit të tij tha se Mali i Zi është në paqen më të mirë në historinë e tij.

“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiç.

Duke komentuar hyrjen e partive proruse në ekzekutiv, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliç, tha se Qeveria do të menaxhohet nga Moska dhe Beogradi.

“Koka dhe truri janë në Moskë. Koka e kësaj qeverie është [kryetari i Parlamentit] Andrija Mandiq, prandaj në të nuk ka asnjë malazezë”.

SHBA-ja, “e shqetësuar” me hyrjen e partive proruse në Qeveri

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë shprehu shqetësim për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Nga Ambasada amerikane thanë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin një qeveri të përkushtuar për anëtarësimin e shtetit në BE, respektimin e vlerave euroatlantike dhe pjesëmarrjen e plotë në NATO, që pasqyron përbërjen multikulturore të Malit të Zi.

“Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Ambasada amerikane.

Ambasada amerikane u bëri thirrje Qeverisë dhe deputetëve të mbesin të përqendruar në qëllimin e përbashkët, që është anëtarësimi i Malit të Zi në BE, dhe të shmangin çështje joproduktive që kërcënojnë këtë qëllim dhe shkaktojnë përçarje.

“Si aleate dhe partnere e ngushtë i Malit të Zi, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe njoh veprimet konstruktive të Kuvendit dhe Qeverisë, duke vënë në pah aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit. në Bashkimin Evropian”, tha Ambasada amerikane në një përgjigje për REL-in.

BE paralajmëron kundër rrezikimit të rrugës së Malit të Zi drejt bllokut

Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas votimit në Parlamentin e Malit të Zi. Përmes një njoftimi për media, blloku tha se është thelbësore që forcat politike në Mal të Zi të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë konstruktive për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm për përparimin e reformave të lidhura me BE-në.

Në njoftimin e Komisionit Evropian u tha se ndryshimet në Qeveri janë çështje e brendshme e Malit të Zi. Megjithatë, KE tha se respektimi i plotë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Brukselit është thelbësor për rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.

“Ne paralajmërojmë fuqishëm kundër çdo vendimi që mund të rrezikojë rrugën strategjike të vendit drejt BE-së, e cila mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve malazezë”, tha BE-ja.

Nga vendet e rajonit, Mali i Zi është lider në procesin e anëtarësimit në BE. Deri më tani, ai ka pasur përshtatje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë si përgjigje ndaj agresionit të Brukselit kundër Ukrainës.

Pas një ngecjeje njëvjeçare, vendi zhbllokoi negociatat e pranimit në bllok në fund të qershorit.

Ndryshe, ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.

Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni – përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit – me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.

Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë – të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiç, etj.

Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.

Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.

Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiqin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiçit Evropa Tani.

Andy Murray konfirmon se do të tërhiqet pas Olimpiadës së Parisit

Andy Murray është duke e varur raketën e tij.

Tenisti profesionist, 37 vjeç, zbuloi se do të tërhiqet nga sporti pas Olimpiadës së Parisit 2024.

“Mbërrita në Paris për turneun tim të fundit të tenisit @Olympics”, shkroi Murray në postimin e tij në Instagram.

“Konkurrimet për 🇬🇧 kanë qenë javët më të paharrueshme të karrierës sime dhe jam jashtëzakonisht krenar që e bëj për herë të fundit!”.

Zbulohet pasaporta më e fuqishme në botë për vitin 2024

Pasaporta e Singaporit sapo është emëruar dokumenti më i fuqishëm i udhëtimit në botë në një renditje tremujore të pasaportave me ndikimin më të madh ndërkombëtar.

Për 19 vitet e fundit, Indeksi i Pasaportave Henley, ka gjurmuar liritë globale në 227 vende dhe territore në mbarë botën, duke përdorur të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror. IATA).

Pasaportat e radhës që do t’i afrohen fuqisë globale të Singaporit janë ato të Japonisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës, të cilat së bashku mbajnë vendin nr.2 dhe qytetarët e të cilëve mund të gëzojnë udhëtimin pa viza në 192 destinacione.

Më pas, në vendin e tretë në renditje, vijnë Koreja e Jugut, Suedia, Finlanda, Austria, Irlanda, Luksemburgu dhe Holanda, të cilat të gjitha kanë privilegjin e udhëtimeve pa probleme në 191 destinacione.

Mbretëria e Bashkuar është në vendin e katërt (190 destinacione) krahas Zelandës së Re, Norvegjisë, Belgjikës, Danimarkës dhe Zvicrës.

Australia dhe Portugalia ndajnë vendin nr.5 (189 destinacione) ndërsa SHBA-ja ka rënë në vendin e tetë, me akses pa viza në 186 destinacione modeste.

 

Bosët e prodhuesve të barnave japin dorëheqjen pasi firma po heton 80 vdekje

Dy drejtues të lartë të prodhuesit japonez të barnave Kobayashi Pharmaceutical po largohen nga detyra, ndërsa hetimi vazhdon për 80 vdekje që mund të lidhen me disa prej produkteve të saj.

Kompania tha se presidenti Akihiro Kobayashi dhe kryetari Kazumasa Kobayashi, të dy anëtarë të familjes themeluese të firmës, kanë dhënë dorëheqjen.

Vendimi u mor “për të sqaruar përgjegjësinë ekzekutive” mbi çështjen që përfshin produktet e saj të orizit të fermentuar beni kōji, tha Kobayashi Pharmaceutical.

Në mars, kompania tërhoqi pesë nga produktet e saj, duke thënë se kishte marrë raporte për probleme me veshkat nga klientët.

Kompania filloi një hetim pasi një mjek i paralajmëroi ata për probleme shëndetësore të raportuara në janar. Gjithashtu hapi një linjë telefonike për klientët që kërkojnë këshilla.

Klientët e prekur raportuan simptoma të tilla si ndryshime në ngjyrën e urinës së tyre, ënjtje në gjymtyrët dhe lodhje.

Kobayashi Pharmaceutical tha më vonë se kishte gjetur një acid potencialisht toksik të prodhuar nga myku në një nga fabrikat e saj.

“Ne gjithashtu dëshirojmë t’u kërkojmë falje klientëve dhe partnerëve tanë të biznesit”, thuhet në deklaratën e bordit drejtues.

Shefi i politikës së qëndrueshmërisë së kompanisë, Satoshi Yamane do të jetë presidenti i ri i saj.

Bebe Rexha në Kosovë, pritet nga Vjosa Osmani: Është shembull i jashtëzakonshëm!

Bebe Rexha është pritur në Kosovë nga presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani ka postuar foto krah artistes me famë botërore.

Ajo i uroi mirë se ardhjen Bebe Rexhës duke u shprehur se suksesi i saj është shembull i jashtëzakonshëm se çka mund të arrihet me punë e përkushtim.

“Mirë se vjen në Kosovë, Bebe Rexha!

Kosova është gjithnjë krenare me sukseset e secilit shqiptar, anekënd botës, të cilët janë kthyer në frymëzim për gjeneratat e reja.

Suksesi i Bebes është shembull i jashtëzakonshëm se çka mund të arrihet me punë e përkushtim!

Në datat 25-28 korrik, Prishtina do të jetë nikoqire e yjeve më të suksesshme botërore në Sunny Hill Festival, përfshirë edhe @beberexha, e cila vjen për herë të parë në Kosovë”, shkroi presidentja e Kosovës.