zoom

Day Archive5 mënyra si të trajtoni djegien nga dielli në kushte shtëpie

Rrezet e diellit nga ora 12 deri në 4 pasdite janë shumë të dëmshme për lëkurën, ato do t’ju djegin dhe rrezikoni të prekeni nga kanceri i lëkurës.

Ja disa mënyra që ju ndihmojnë të trajtoni të djegurat nga dielli:

Pini ujë: djegia e lëkurës çon në dehidratim, gjë e cila çon në dhimbje të trupit dhe të kokës.

Pini një pilulë qetësuese: ajo do t’ju ndihmojë të mbani nën kontroll inflamacionin dhe dhimbjet.

Aspirina: Do të ishte një zgjidhje e mirë, pijeni 1 orë para se të flini. Bëni dush me ujë të ftohtë: përdorni një sapun të butë me efekte qetësuese dhe shpëlahuni me ujë të ftohtë.

Bëni kompresa të ftohta: merrni një napë dhe lageni me ujë të ftohtë. Vendoseni atë në zonat ku jeni djegur dhe ndjeni dhimbje.

Përdorni tërshërë: në vaskë me ujë të ftohtë hidhni 2 gota tërshërë dhe rrini për 15-20 minuta. Më pas thajeni lëkurën me një peshqir pambuku pa u fërkuar.

Përdorni qumësht: lageni një napë më qumësht të ftohtë dhe vendoseni në zonat e djegura më shumë. Qumështi qetëson inflamacionin dhe për pasojë lëkura do të jetë më pak e kuqe dhe më pak e ënjtur.

Përdorni xhel Aloe Vera: kjo bimë ka veti qetësuese dhe rigjeneruese. Vendoseni xhelin e Aloe Veras në frigorifer për ta përdorur atë sa më të ftohtë. Përdorni uthull molle: me një napë lyeni zonat e djegura më shumë. Uthulla ka veti të fuqishme anti-inflamatore./ Living

Opozita proteston për 2 orë, kërkon qeveri teknike dhe lirimin e Sali Berishës

Protesta e thirrur nga opozita mbrëmjen e kësaj të enjteje u mbyll pas 2 orësh.

Tubuesit qëndruan për afro një orë para godinës së Kryeministrisë, ku nuk munguan bombat molotovë.

Ato u hodhën menjëherë sapo mbajti fjalën nga shtëpia ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi qeverinë për gjendjen ku ndodhet Shqipëria sot, duke kërkuar qeveri teknike.

Pas përfundimit të fjalës së Berishës, qytetarët u nisën drejt Bashkisë së Tiranës, ku edhe aty nuk munguan bombat molotov si dhe përplasja me forcat e rendit.

Protesta u mbyll në selinë e PD. Deputeti Flamur Noka njoftoi mbylljen, duke kërkuar nga militantët të mos dorëzohen deri në krijimin e qeverisë teknike dhe lirimin e Sali Berishës.

Protestuesit zhvendosen para Bashkisë së Tiranës, përplasen me policinë dhe hedhin molotovë

Pasi qëndruan për rreth orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën para Bashkisë së Tiranës.

Militantët bënë thirrje për largimin e Erion Veliajt, ndërsa nisën sulmet me molotovë drejt godinës.

Në një moment, ata u përplasën me forcat e policisë, duke tentuar të çajnë kordonin.

Një nga molotovët ra brenda dritares së godinës së bashkisë, duke ndezur zjarr.

Protesta e opozitës/ Berisha mban fjalim nga shtëpia: Asnjë shqiptar nuk shpëtoi pa plagë nga Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha përshëndeti protestuesit e mbledhur para godinës së Kryeministrisë përmes një ekrani të instaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Berisha mbajti fjalim nga shtëpia, për të mos thyer masën e arrestit shtëpiak, duke e ndalur theksin kryesisht te shpopullimi i vendit.

Sipas tij, shumë shqiptarë u detyruan të braktisin vendin për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës.

“Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë. Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre. Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiptarë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës. Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.

Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre. Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre. Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.

Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë. Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament.
Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd”, tha Sali Berisha.

Kjo është protesta e parë kombëtare që Berisha organizon pasi mori vulën e Partisë Demokratike me vendim gjykate.

Rusia thur komplot për të vrarë prodhuesin më të madh të armëve në Evropë?

Rusia besohet të jetë pas një komploti të dështuar për të vrarë kreun e prodhuesit më të madh të armëve në Evropë për mbështetjen e kompanisë së tij për Ukrainën, sipas diplomatëve të NATO-s.

Dy diplomatë të lartë të aleancës thanë se komplot kundër Armin Papperger, shefit ekzekutiv të Rheinmetall me bazë në Düsseldorf, po trajtohej si pjesë e fushatës më të gjerë të sabotimit dhe sulmit hibrid të Rusisë kundër shteteve evropiane të NATO-s. Komploti u raportua fillimisht nga CNN.

Një person i njohur me sigurinë e Papperger tha se masat rreth shefit të mbrojtjes ishin “në nivelin më të lartë” – të ngjashme me mbrojtjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Një zëdhënës i Scholz nuk pranoi të komentonte, por Papperger i tha “Financial Times” se Berlini kishte krijuar një “nivel të madh sigurie”.
Sipas mediave të huaja, inteligjenca amerikane zbuloi përpjekjen për komplot dhe njoftoi autoritetet gjermane, të cilat më pas ishin në gjendje të shkatërronin komplotin.

“Unë mendoj se CNN nuk po shikon vetëm nga qielli,” tha Papperger kur u pyet për vlefshmërinë e historisë së transmetuesit amerikan.

Papperger tërhoqi zemërimin e Kremlinit në vitin 2023 kur ai njoftoi planet për të ndërtuar një fabrikë tankesh Panther në Ukrainë, të cilën ministria e jashtme ruse kërcënoi ta shkatërronte, sipas një zëdhënësi të ministrisë.

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, nuk pranoi të komentojë mbi raportin specifik të atentatit kur u pyet të enjten, por shtoi: “Ajo që mund të them është se ekziston një model, një fushatë ruse e organizuar nga shërbimet e sigurisë [Kremlinit] për të kryer veprime armiqësore kundër aleatëve të NATO-s…me lloje të ndryshme veprimesh armiqësore”.

CNN raportoi se komploti ishte një nga seria e planit rus për të vrarë drejtuesit e industrisë së mbrojtjes në të gjithë Evropën, të cilët po mbështesnin përpjekjet e luftës të Ukrainës.

Stoltenberg shtoi: “Këto nuk janë incidente të pavarura, por pjesë e një fushate. Dhe qëllimi i fushatës është të frikësojë aleatët e NATO-s që të mos mbështesin Ukrainën”./ Përkthyer nga Financial Times

Meta sulmon Dumanin nga protesta: Turp për ata që kanë frikë nga SPAK-u

Protestën e thirrur para Kryeministrisë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e shfrytëzoi për të sulmuar Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Gjatë fjalës së tij, Meta deklaroi se Altin Dumani merr vendime në krye të SPAK si një kriminel, duke shtuar se çdo opozitar që i bindet këtij regjimi duhet të ketë turp.

“Turp për të gjithë opozitarët që kanë frikën e autoritetit të SPAK. Regjimi i Dum Dumanit, ata që e dinë, ishte regjimi i një krimineli si Di Valea. Ata vishnin ca syze të zeza. Turp për çdo opozitar që i bën kurse SPAK-ut, ose ka hallin e SPAK-ut, ose ka hallin se nuk i japin vizën.

Nisin tensionet para Kryeministrisë, protestuesit hedhin molotovë

Thuajse një orë pas nisjes së protestës para godinës së Kryeministrisë, opozitarët sulmuan drejt selisë qeveritare.

Tubuesit qëlluan drejt Kryeministrisë me molotovë dhe filluan të përplasen me forcat e policisë, duke tentuar të çajnë kordonin.

Zjarri i shkaktuar nga molotovët qëndroi i ndezur për disa minuta dhe më pas u shua nga efektivët.

Kjo është protesta e dytë kombëtare që opozita thërret në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas asaj të 20 shkurtit.

Mes protestuesve është edhe Ilir Meta, ndërsa Sali Berisha do të mbajë fjalim përmes ekranit.

Lei Kraja flet për jetën e saj private: Më ka thyer zemrën…

Moderatorja Lei Kraja pranoi gjatë një interviste televizive se i është thyer zemra.

Duke biseduar në studion e “Top Arena”, ajo tregoi se në jetën e saj ka pasur edhe njerëz që e kanë zhgënjyer dhe nuk kanë plotësuar dëshirat e saj.

Por, Lei Kraja nuk zbuloi më tej se për cilin person bëhet fjalë apo për çfarë zhgënjimi po fliste.

Pjesë nga biseda:

Lei Kraja: Të është thyer ndonjëherë zemra?

Diona Fona: Po si nuk më është thyer!

Lei Kraja: Kush është ai? Jo, jo nuk duhet lejuar me ligj kjo gjë me ta thy zemrën ty!

Diona Fona: Është proces… Po ty ta ka thyer njeri zemrën?

Lei Kraja: Mua? Patjetër që po, nuk mi ka plotësuar ato që doja, dhe ma ka thyer patjetër!

Nis protesta e opozitës, Berisha do të flasë përmes ekranit. Pjesë e tubimit edhe Meta

Qindra mbështetës të opozitës janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë, në përgjigje të thirrjes së ish-kryeministrit Sali Berisha për të protestuar kundër qeverisë.

Në të dytën protestë kombëtare që opozita zhvillon në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sali Berisha do të mungojë fizikisht për shkak të arrestit shtëpiak, por ai do t’i përshëndesë tubuesit përmes ekranit.

Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kryeministria është blinduar nga forcat e policisë, që janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë dhe për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës.

Fotoja e Messit me Yamal – Flet për herë të parë babai i Lamine: Djali im, më i miri në botë

Pasi fotoja e Lionel Messit duke larë Lamine Yamal bëri xhiron e rrjetit, babai i 16-vjeçarit ka reaguar për herë të parë.

Në shumë media kjo foto u komentua si një bekim që Messi kishte dhënë për Yamal që kur ishte foshnje, me qëllim që sot të kishte suksesin e arritur dhe të futej në histori si lojtari më i ri që shënon gol në Euro 2024.

Por për babanë e Yamal ka ndodhur e kundërta. Ai e konsideron djalin e tij më të mirin në botë dhe shton se ishte Yamal ai që i dha fat Messit.

“Rastësitë ndodhin në jetë. Leo bekoi Lamine? Për mua, Lamine e bekoi Leon. Unë dua të mendoj se djali im është më i miri në botë. Lamine është një rast i veçantë. Ai është rritur më shpejt se të tjerët dhe kjo ka ndodhur falë spanjës, La Masias, dhe miqve të tij”, u shpreh babai i Yamal.