zoom

Day Archive5 bimë në dhomë për një gjumë të qetë

Myku, lagështia, pluhurat dhe komponentët e tjerë në ajër mund të jenë faktorët kryesor i një ambjenti të papërshtatshëm për të bërë një gjumë të mirë. Mjekët rekomandojnë të hapni dritaret, të paktën, gjysmë ore para se të shkoni për të fjetur.

Përveç kësaj bimët kanë fuqinë për të qetësuar ty dhe pastrimin e ajrit në dhomën tuaj të gjumit. Sipas një studimi, 5 bimë rezultuan si ato më efektive për të përmirësuar gjumin tuaj. Mësoni më tej se cilat janë ato.

English Ivy Plant
Efikasiteti i saj për pastrimin e ajrit është i matur në 94%.

Snake Plant

Aloe Vera
Është bimë e pavdekësisë. Ajo vjen me përfitime të mëdha dhe një prej tyre është aftësia e kësaj bime për të përmirësuar ajrin.

Jasmine
Era e kësaj bime të mrekullueshme jep një efekt qetësues. Megjithatë, disa njerëz nuk mund të qëndrojnë gjatë në një dhomë me një lule të tillë ndaj nëse vërtet nuk e duroni dot këtë aromë, mos e mbani në dhomën e gjumit.

Levander
Lavender ju ndihmon për të reduktuar ankthin dhe stresin dhe përmirëson gjumin tuaj.
Disa nëna përdorin bimët livando në dhomën e foshnjës. Është besuar se kjo bimë qetëson foshnjat kur qajnë .

Kriza e fasonit, 550 persona dalin të papunë në Korçë, viti nis me falimente në të gjithë vendin

Fabrikat në sektorin fason e kanë nisur vitin me falimente. Shoqata Pro-eksport lajmëroi se vetëm në Korçë janë shkurtuar nga puna rreth 550 punonjës dhe një seri aktivitetesh po mbyllen.

Pro-eksport tha se kompania “Extrem shpk’ në Korçë, që kishte 170 punëtorë, po mbyllet. “Spanjel shpk” po në Korçë kishte 350 punëtorë dhe aktualisht ka vetëm 130.

Kompania “Damson” po në Korçë kishte 70 punëtorë dhe aktualisht ka vetëm 30. Po në Korçë kompania “Panspi shpk” kishte 160 punëtore dhe sot ka vetëm 70.

Sipërmarrësja Valbona Vangjeli mbylli fabrikën në Korçë, teksa të tjerat kanë ulur fuqinë punëtore dhe kanë probleme me pagesat nga porositësit, njoftoi Shoqata Pro-eksport.

Në Bilisht “Toni Oil shpk” që në vitin 2023 kishte 140 persona të punësuar, sot ka vetëm 8.

Sakaq në Tiranë “Shirt&Company – Erman Alba” kanë larguar 170 punonjës nga puna.

Shoqata Pro-eksport raportoi se falimentet do të jenë të mëdha këtë muaj. Shumë fabrika kanë mbajtur punonjësit në punë vetëm sa për të mbyllur vitin.

Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve presin që punësimi të pësojë rënie dyshifrore këtë vit. Rënia më e madhe do të jetë në qarqe se sa në Tiranë. Në qarqe ka një rrjet të vogël linjash prodhimi dhe nuk ka mundësi që të bashkëpunojnë më njëra -tjetrën si në Tiranë ku një fabrikë e vogël mund të marrë punë nga një më e madhe. Shoqata Pro-eksport po përballet çdo ditë me njoftime për rënien e punësimit sidomos në rrethe. Në Korçë, Shkodër dhe Fier ka të dhëna për mbylljen e shumë njësive të prodhimit dhe rritje të papunësisë gjithashtu.

Shkurtimet nga puna do të jenë më të larta në fabrikat e vogla, të cilat do të ndjejnë më shumë efektet e krizës. Ata zakonisht punojnë si nën-kontraktorë dhe do të mbyllen të parat kur furnitori përballet më rënie.

Punësimi në bizneset e industrisë hyri në krizë që në që tremujorin e tretë të vitit 2022 ku rënia nisi me 0.2% pas një rritje me rreth 7% gjatë gjithë vitit.

Sektori i industrisë përpunuese punëson aktualisht rreth 71 mijë persona më pagë, por numri i tyre pritet të reduktohet me tej gjatë vitit që vjen si pasojë e krizës në sektor dhe faktorit demografik që po redukton forcën e punës në mënyrë natyrale në njësitë e prodhimit të bazuara në krahun e punës.

Ngjarjet pas luftës në Ukrainë përveç çmimeve të larta kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit në Europë dhe tashmë shumë klientë europian po kërkojë të zhvendosin prodhimin në vende të tjera si Uzbekistani, india dhe Afrika e Veriut.

Kjo tendencë ka bërë që të ulen porositë në fabrikat shqiptare duke bërë që disa nën-kontraktorë në industrinë e tekstilit të këpucëve të falimentojnë./ Monitor

Pse u zgjodh Gonxhja ministër? Baton Haxhiu zbardh “planin” e Ramës për Bashkinë e Tiranës

Analisti Baton Haxhiu komentoi vendimin e kryeministrit Edi Rama për të emëruar Blendi Gonxhen ministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin.

Gjatë një bisede në “Opinion”, ai zbuloi skenarin që Blendi Gonxhja po projektohet nga Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke zëvendësuar Erion Veliajn, një nga idetë më të përfolura ditët e fundit në “paskuintat” e politikës.

“Ky binomi cili ka funksionuar që nga viti 1990 e ka pasur një përplasje publike me opinionin publik dhe akuzat që kanë qenë në llogaritë e Gonxhes dhe Rama ka luajtur me harresën por asnjëherë një post politik publik. Gonxhe të rralla i ka pasur paraqitjet publike. Nuk e di a projektohet si kryetar i bashkisë, por Rama më shumë se kryeministrin e do shumë Bashkinë e Tiranës.

Mendoj që besueshmëria nuk i takon dikujt që në një moment të caktuar dhe natyrshëm që një Tiranë e cila i duhet pas vitit 2027 është e lidhur shumë me Blendi Gonxhen. Nuk shoh tjetër. Mund të jetë gjithçka por mendoj që ky është projekti i Ramës”, theksoi Baton Haxhiu.

Edhe gazetari Armand Shkullaku kishte të njëjtën teori, duke argumentuar se Gonxhja është figura e radhës drejtuese në Bashkinë e Tiranës.

Ish-ministri zbulon aktorin e humorit që do të futet të shtunën në “Big Brother”

Konfirmohet banori i parë i “Big Brother Vip Albania 3”.

Fjala është për aktorin e humorit, Julian Deda.

Emrin e tij e zbuloi ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani me një postim në “Facebook”.

“Sapo mësova që nesër arrestohet Julian Deda.

Shërbimet e policisë Gjyqsore të Big Brother pritet ta ekzekutojnë vendimin menjëherë nesër ose maksimumi pasnesër”, shkruan Ylli Manjani.

Në komente, Jul Deda e pranon pjesëmarrjen në spektakël, duke kërkuar me humor nga Manjani ti çojë cigare brenda shtëpisë.

“Mos harro më sill cigaret…!”. Këtij komenti Manjani iu përgjigj me një shprehje të avokatit Maks Haxhia pas dhënies së vendimit burg nga GJKKO për ish- ministrin Saimir Tahiri: “Viso, dy paketa atje”, togfjalësh që do të bëhej meme në rrjet.

“Ka pas punë Visi këto kohë, por do gjejë pak kohë edhe për ty”, shkruan Manjani.

Edicioni i tretë i “Big Brother Vip” do të nisë më 13 janar.

Curri përplaset me Kadian: Kujdes se ke armiq!

Analisti Arjan Curri dhe ish-zëvendësministri i Financave, Besart Kadia u përplasën me njëri-tjetrin në studio.

Gjatë debatit në “Top Story” për ndryshimet në kabinetin qeveritar, Curri paralajmëroi Kadian të bëjë kujdes se ka armiq politikë.

Të njëjtin paralajmërim ia dha dhe Kadia, Currit.

Kadia: Ose do të merremi në formën që Curri bëri tek pjesa emocionale, se si janë dinamikat e pushtetit, për mua publuiku nuk ka pse të ketë lidhje emocionale me ministra.

Curri: Publiku intrigën do. Publiku do të dijë pse ju nuk po promovoheni. Ka lidhje sepse edhe ti ke armiqtë aty brenda.

Kadia: Unë nuk kam armiq.

Curri: S’i konsideroni ju armiq, por ndërkohë që ka armiq politikë, jo armiq që duan të të heqin qafe mo, armiq që tremben nga promovimi juaj.

Kadia: Edhe ju keni armiq gazetarë.

Curri: Unë kam dhe jo vetëm.

Habit Arjan Curri: Ministrat e urrenin aq shumë njëri-tjetrin, sa fëmijët…

Analisti Arjan Curri ka bërë një deklaratë që nxiti habiti mbrëmjen e kësaj të enjteje.

I ftuar në “Top Story”, Curri zbuloi sesi në një rast, dy ministra hoqën fëmijët e tyre nga shkolla vetëm për shkak të urrejtjes ndaj njëri-tjetrit.

Në këtë mënyrë ai tregoi për prapaskenat e politikës, ku edhe ministrat kanë përplasjet e tyre.

“Është një rast që fëmijët e ministrave ishin në të njëjtën shkollë, ministrat e urrenin njëri-tjetrin aq shumë sa i hoqën fëmijët nga shkolla. Apo këtij kandidatit iu arrestua vëllai, që më pas gjykata e liroi”, tha Arjan Curri.

Rritja e çmimit të ujit/ Dashnor Sula: Ka mbetur të na tarifojnë edhe për metrin kub të oksigjenit

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula reagoi pas vendimit të Entit Rregullator të Ujit për të rritur tarifën për abonentët në Vlorë.

Në një koment në “Facebook”, Sula akuzon qeverinë se e kreu reformën në sektorin ujësjellës, duke krijuar 16 shoqëri rajonale, me vizionin e qartë për të rritur çmimin e ujit për konsumatorët.

Me ironi ai shprehet se tani mbetet vetëm që qytetarët të tarifohen për oksigjenin që marrin përmes ajrit.

Reagimi i plotë i Dashnor Sula:

Uji i pijshëm është jetik, jo luks.

Vitin që shkoi në kuadër të reformës së ujit ndërmarrjet kaluan nga administrimi I pushtetit lokal në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Argumenti ishte për të mirëmenaxhuar dhe shtuar investimet.

Tani na rezulton se vizioni i mirëmenaxhimit të ndërmarrjeve të ujësjellësave është rritja e çmimit të ujit të pijshëm. Ka mbetur të na tarifojnë edhe metrin kub të oksigjenit që marrim për të jetuar.

Rritja e cmimit të ujit të pijshëm nisi nga Vlora, ndërkohë që pritet të rritet cmimi edhe në shumë qytete të tjera të vendit. Çmimi i ujit për familjarët që do të shërbehen nga ujësjellës-kanalizime Vlorë nga muaji shkurt do të jetë 33.3 për qind më i lartë sesa aktualisht. ERRU ka miratuar një tarifë 60 lekë/m3 ujë për këtë kategori nga 45 lekë/m3 që është aktualisht.

Shumë nga këta të kollarisurit që kanë ndërmarrë këtë veprim nuk e dinë vlerën sepse ata pinë ujë të importuar ose në vend të ujit pijnë alkool, por duhet tua them se uji nuk është luks, por jetik për njeriun. Para se të rrisni cmimin e ujit, mund të rrisni akcizën për alkoolin.

Rritje kanë pësuar edhe tarifat fikse mujore për shërbimin duke u dyfishuar për konsumatorët familjarë nga 100 në 200 lekë në muaj kurse për bizneset është rritur me më shumë se 2.5 herë. Po mundohemi të kuptojmë rritjen e cmimit të ujit për shkak të kostove ndodhta në investime apo të lëndëve të para që duhet për të siguruar infrastrukturën e ujit. Po me cfarë argumenti ndryshohet cmimi për shërbimin e kontratës ku kemi një dyfishim të cmimit.

Kjo tregon qartë se vizioni i ristrukturimit të ndërmarrjeve të ujësjellsave nuk ka qenë mirë administrimi dhe shtimi i investimeve, por “rjepja” e familjeve shqiptare duke i tarifuar më shumë për të njëjtën cilësi uji gjithmonë nëse qytetarët kanë shancin të kapin orarin kur lëshohet uji. Sepse do mbetemi në histori si vendi që vazhdojmë e bëjmë fushatë zgjedhore për 24 orë në 24 furnizim më ujë të pijshëm.

Skenarët e mundshëm të përfundimit të luftës në Ukrainë

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, aftësia e Kievit për të luftuar ushtrinë pushtuese është varur nga mbështetja perëndimore. Ndërsa rrezikohen ndihmat për vendin në luftë, ky vit mund të jetë veçanërisht i vështirë për Ukrainën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andriy Borys, bisedoi me analistë të çështjeve ushtarake dhe diplomacisë lidhur me situatën në fushën e betejës dhe skenarët e mundshëm të përfundimit të luftës.

Suksesi i Ukrainës në luftën kundër Rusisë varet nga vazhdimi i ndihmës nga Perëndimi, thonë disa ekspertë ushtarakë dhe të sferës së diplomacisë.

Gjenerali amerikan në pension, David Petraeus, thotë se nëse Kongresi miraton një paketë ndihme shtesë për Ukrainën me vlerë 61 miliardë dollarë dhe Kievi furnizohet nga Perëndimi me avionë luftarakë F-16 dhe raketa, aeroplanët luftarakë ukrainas mund të operojnë më afër vijës së frontit. Zoti Petraeus thotë për Zërin e Amerikës se madje e gjithë kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të depërtuar fortifikimet e Rusisë në juglindje.

“Ukrainës i duhet të kapërcejë fortifikimet e mëdha në vijën e mbrojtjes ruse që njihet si vija Surovikin, ose në të kundërt të dominojë në ajër. Por nuk jam i sigurt se numri i avionëve që mund të ofrojë Perëndimi do të jetë i mjaftueshëm për të dominuar në ajër”.

Historiani ushtarak Frederick Kagan, me Institutin për Studimet e Luftës, thotë se pa raketa kundërajrore nga Perëndimi, sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase, si ato në Kiev dhe Kharkiv në fillim të janarit, do të jenë edhe më efektive dhe se lufta mund të zgjasë për vite të tëra.

John Herbst, drejtor i Qendrës Euroasia në Këshillin e Atlantikut, thotë se përfundimisht Rusia nuk do ta fitojë luftën.

“Madje, edhe në skenarin më të keq, Ukraina nuk do të pushtohet plotësisht. Ukrainasit zhvilluan një luftë guerile disa vjeçare kundër forcave sovjetike pas Luftës së Dytë Botërore. Le të shpresojmë që nuk shkon deri në atë pikë”.

Lodhja e Rusisë nga lufta mund të jetë pozitive për Ukrainën. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë thotë se nëse vazhdon ky ritëm i viktimave ruse, ato do të tejkalojnë mbi gjysmë milioni deri në vitin 2025.

Michael Kofman, ekspert për çështjet e ushtrisë ruse në organizatën “Carnegie Endowment for International Peace”, thotë se Rusia ka nevojë për më shumë trupa.

“Rusia mund të rekrutojë trupa të mjaftueshme çdo muaj për të mbuluar humbjet, por nuk ka njerëz të mjaftueshëm për t’i zëvendësuar. Ata do të duhet të dyfishojnë ritmin aktual të mobilizimit ushtarak, ose do të duhet të shpallin një tjetër mobilizim të pjesshëm”.
Zoti Kofman thotë se ndihma ndërkombëtare mund ta ndihmojë Ukrainën që të përshtatet për të zmbrapsur sulmet ruse.

“Ukraina mund ta shtojë prodhimin e dronëve dhe sistemeve të tjera për të zvogëluar nevojën për municione artilerie. Por gjithashtu do të ketë nevojë për burime financiare dhe ndihmë nga Perëndimi për prodhimin industrial dhe ndryshimin e përpjekjeve të luftës për gjërat që mund ti bëjë vetë Ukraina”.

Duke cituar burime anonime të administratës së Presidentit Biden, një artikull i botuar në portalin amerikan “Politico” në dhjetor thekson se Uashingtoni po zhvendos objektivin nga mbështetja e një fitoreje të plotë për Ukrainën, tek manovrat për një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Heather Conley, presidente e Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, thotë se Ukraina nuk mund ta pranojë kurrë një marrëveshje paqeje të diktuar nga Rusia.

“Ata duan të marrin gjithçka. Putini e cilëson Odesën një qytet rus. Ata duan të vendosin një regjim kukull në Kiev dhe Ukraina të mos ekzistojë si shtet më vete.”

Por ekspertët paralajmërojnë se një ngjarje e papritur, si vdekja e një udhëheqësi botëror, një fatkeqësi natyrore ose shpërthimi i një lufte të re, gjithashtu mund të çojë në ndryshimin e situatës në Ukrainë./ Zëri i Amerikës

Vrasja e Sinomatit/ Blindohet Vlora, FNSH dhe RENEA në aksion (VIDEO)

Mbrëmja e gjeti të blinduar Vlorën.

Policia e Vlorës, FNSH dhe RENEA janë vendosur në pikat kyçe të qytetit duke ushtruar kontrolle në automjetet luksoze.

Në fokus të kontrolleve janë edhe automjetet me xhama të zinj.

Drejtuesit nxirren nga mjeti dhe kontrollohen për armë zjarri, sende të forta dhe lëndë narkotike.

Forcat e policisë janë në aksion edhe për të kapur persona në kërkim apo eksponentë të krimit të organizuar.

Prej ditësh FNSH dhe RENEA kanë intensifikuar kontrollet në Vlorë, fill pas ngjarjes së rëndë të ndodhur të dielën në mbrëmje, kur u vra me snajper të 23-vjecarit Gëzim Sinomati.

Horrori në Greqi/ Del videoja kur dy grekët nxjerrin me sënduk nga shtëpia shqiptaren e vrarë

Një tjetër video, që bën me faj dy grekët për vrasjen e 41-vjeçares shqiptare Gjeorgjia Murati në Selanik është, është publikuar nga mediat fqinje.

Në videon e regjistruar nga një kamera sigurie e një biznesi aty pranë, shihet partneri i saj dhe bashkëpunëtori duke mbajtur një sënduk, brenda të cilit kishin futur trupin e shqiptares shtatzënë.

(Për të parë videon klikoni KËTU)

Dy grekët kanë mohuar përfshirjen në krimin e rëndë. Partneri i saj ka deklaruar se ka qenë në gjumë kur ka ndodhur krimi dhe se nuk e di sesi është vrarë shqiptarja, ndërsa ka fajësuar shokun e tij dhe një bashkëpunëtor për krimin.

“Gjithçka ndodhi kur unë isha në gjumë, nuk kam lidhje me vrasjen. Kur u zgjova në mëngjes gruaja nuk ishte në shtëpi.Nuk kam bërë asgjë, gjithçka ka ndodhur natën teksa flija”, mësohet të ketë thënë ai në polici.

Ndërkohë sipas informacioneve, agresorët kanë pritur që 41-vjeçaren Gjeorgjia Murati të kthehej në shtëpi dhe sapo ajo ka kaluar nga dera e përparme e kanë sulmuar.

Më pas ajo u dërgua në dhomën e gjumit ku partneri i saj e plagosi për vdekje me një objekt të mprehtë në zonën e qafës së mitrës. Më pas e futën në një bagazh dhe e çuan në një zonë të largët të Halkidikit, ku e hodhën trupin në një luginë.

Autorët, pasi janë kthyer në vendin e krimit, kanë tentuar të fshehin gjurmët, duke pastruar banesën nga provat, të cilat i kanë hedhur në vende të ndryshme në zonën e gjerë të Kalamarisë.

Bëhet fjalë për rroba, sende personale të 41-vjeçares, si dhe dyshekun e krevatit mbi të cilin u vra Gjeorgjia. Madje, për të mashtruar autoritetet policore, pas krimit kanë vendosur një dyshek tjetër në shtrat.