zoom

Day ArchiveParashikimi i motit për nesër, si do të luhaten temperaturat?

Ditën e mërkurë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me alternime
vranësirash si dhe kthjellime pas orëve të mesditës, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Era do të jetë me drejtim juglindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-6m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare fiton shpejtësi deri 10m/s. Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 1-3ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore -3 deri 8°C
në zonat e ulëta 0 deri 17°C
në zonat bregdetare 2 deri 16 °C

Vrasje barbare në Itali – Shqiptari i merr jetën gruas shtatzënë, e godet 7 herë me thikë

Një grua shtatzënë u vra barbarisht nga një shtetas shqiptar në Treviso të Italisë.

26-vjeçarja Vanessa Ballan, sipas mediave fqinje, u vra në pragun e shtëpisë nga ish-partneri i saj, 40-vjeçari Bujar Fandaj nga Kosova.

Ai e rrahu të renë dhe më pas e goditi në mënyrë mizore shtatë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke e lënë të vdekur në vend.

Trupin e saj të mbuluar nga gjaku e gjeti bashkëshorti i saj.

Sipas mediave italiane, ai e kreu krimin sepse nuk pranonte ndarjen.

Vanesa dhe Bujari kanë pasur një romancë, që mbaroi një vit më parë. Por shtetasi nga Kosova, që punonte si shofer, nuk e kishte pranuar kurrë ndarjen dhe e përndiqte vazhdimisht. aq sa në tetor të vitit të kaluar, e reja e denoncoi për përndjekje. Dyshohet se 41-vjeçari e kishte kërcënuar me publikimin e disa videove intime në internet dhe me vdekje, teksa e takonte në supermarketin ku ajo punonte si arkëtare në Esselunga në Riese Pio X.

26-vjeçaren nuk e shpëtoi dot as kërkesa e përsëritur para autoriteteve për urdhër mbrojtjeje.

Autori i vrasjes, Bujar Fandaj është në arrati.

Atentat shqiptarit në Selanik, qëllohet me armë nga makina në lëvizje

Një shtetas shqiptar ishte objektiv i një atentati mbrëmjen e kësaj të marte në një lagje të Selanikut.

Autori qëlloi ndaj tij me armë zjarri teksa lëvizte me një makinë, ndërsa më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij të bardhë.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur nga autoritetet greke, mbeti i plagosur nga të shtënat, por nuk ka rrezik për jetën.

Dyshohet se mes dy personave ka pasur sherr më parë në një bar.

“Masakroi 13-vjeçarin për një thes kanabis” – Kreshnik Spahiu rrëfen vrasjen horror të Mjacajt

Sokol Mjacaj e ka nisur “karrierën” e tij si kriminel që në moshën 15-vjeçare, atëherë kur masakroi një djalë 13-vjeçar.

Kreshnik Spahiu dha detaje nga ngjarja horror e 10 viteve më parë, duke rrëfyer se të miturin e vrarë e njihte nga afër.

Sipas tij, Mjacaj krijoi alibi për të vrarë 13-vjeçarin, edhe pse ai nuk ishte fajtor.

“Unë e kam përjetuar 15 vjet më parë. Sokol Mjacaj vrau nipin e mikut tim, shokut tim të ngushtë. Motivi nuk është për grabitje, por është një arsye krejt tjetër. Ai është një kriminel i lindur dhe kur dy persona i kërkonin një thes me kanabis, ai krijoi alibinë sikur ia kishte marrë një 13-vjeçar. Më pas, Mjacaj e mori 13-vjeçarin, e çoi në lumë dhe më pas ia kapi kokën dhe ia zhyti në lumë. Fytyra e djalit u masakrua nga gurët brenda në lumë. Është një masakër dhe unë e kam parë nga afër trupin”, tregoi Kreshnik Spahiu.

“Mezi po jetojmë”, rritja e çmimeve ua vështirëson jetën qytetarëve në Kosovë

Çmimi i produkteve ushqimore ka vazhduar të rritet për çdo ditë në Kosovë. Kjo ka ndikuar që qytetarët të ankohen se nuk po mund të ia dalin. Qeveria ditë më parë ka marrë vendim që të ndaj nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistet.

Rritja e vazhdueshme çmimeve të produkteve ushqimore ka rënduar jetën e qytetarëve të Kosovës.

Shumë prej tyre ankohen se me pagat që marrin e kanë të vështirë të mbulojnë nevojat më elementare për jetë.

Në tavolinat e tyre shpesh mungon edhe buka.

“Në krahasim me jetën qysh janë pagat e pensionet e ulëta shumë janë çmimet e larta, edhe kjo po shkon në trend, veç po rriten. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë”, ka treguar Agroni një qytetar nga Prishtina.

Kurse, Idriz Ahmeti qytetar nga Fushë Kosova, tregon se nuk po mund t’ia dali nga rritja e çmimeve.

“Boll janë rrit çmimet, tepër. Shtir e kanë boll, shtir e kanë boll po çka me ba duhet me vazhdu”.

Ndërkaq, Dritoni thotë tani janë edhe më keq, pasi sipas tij çmimet veç janë rritur.

“Tash jemi edhe më keq, se çmimet janë rritur shumë”.

Përfaqësuesi i organizatës ‘’Konsumatori’’ Selatin Kaçaniku, thotë se në tregun e Kosovës vërehet një tendencë e vazhdueshme për manipulim të çmimeve nga tregtarët.

“Nuk do e veçoja se kemi ngritje te çmimeve vetëm në kuadër të festave, kemi tregti të shkathet, qe na e kanë mundësua që të gjitha 365 ditët të i kemi festa, të ashtu quajtura aksione, të ashtu quajtura, të premte të bardha, të zeza, të larme. Nga të gjitha legjislaturat qeveritare, kemi marr përgjigjeje se tregu është dhe na qenka rregullator i çmimeve… deri sa të vazhdojë ky tabllek, do ta them gjithmonë se ne për fat të keq nuk kemi treg të lirë, nuk kemi treg vendor, nuk kemi rregullativ të ashtu quajtura treg, pra nuk kemi treg që është rregullator çmimesh… ne jemi fajtor për problemet me çmimet, sepse nuk lejojmë që të krijohet rregullator që quhet treg”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka treguar se rritja e çmimeve në treg është pasojë e çmimit të lartë të importit të mallrave.

“Në disa raste, importuesit tanë po janë të varur edhe mallit që po e blejnë jashtë ose lëndës së parë ose gjysmën produkti, ku inflacioni e ka ba të vetën, ata e blejnë me çmim ma të shtrenjte, andaj do duhet edhe ta shesin ma shtrenjtë, mirëpo nuk kemi pas ndonjë ankes që ka një rritje të pa arsyeshme”.

Sipas agjencisë së statistikave të Kosovës, krahasuar me muajin nëntor të vitit të kaluar, çmimet janë rritur për 2,9 %.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tek: pemët (19,4%), perimet (16,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (10,8 %), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (7,7%), prodhimet ushqimore (7,0%), pijet alkoolike, duhani (5,9%), buka dhe drithërat (3,5%), dhe mishi (1,2%)”.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndahen shtesat prej 100 euro për të gjithë fëmijët. Po kaq para edhe për pensionistët.

Fëmijët dhe pensionistët do të marrin nga 100 euro shtesë këtë fundvit, ka bërë me dije kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Besoj ju kujtohet premtimi që çdo vit secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro”.

Teksa në Kosovë çmimet po ngritën vazhdimisht, në disa vende evropiane është shënuar ulje e çmimeve. Sipas të dhënave zyrtar të Gjermanisë, në këtë shtet në muajin nëntor çmimet janë ulur për 3.6%.

Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane janë se shkalla e inflacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor do jetë 3 për qind në vitin 2024.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, parashikon që Kosova ta përmbyllë vitin 2023 me normë mesatare inflacioni 5.4 për qind.

Në janar të këtij viti, derisa ka qenë në krye të BQK-së, Mehemti ka parashikuar rënie të inflacionit deri në 6 për qind në gjashtëmujorin e dytë të 2023-shit.

“Pritjet janë që në vitin e ardhshëm [2024] inflacioni vjetor, përafërsisht, të jetë rreth 3.6 për qind. Vetëm në vitin 2025 presim të kemi një inflacion prej 2 për qind”.
Sipas tij, energjia elektrike është një ndër produktet që është shtrenjtuar më së shumti dhe efekti, pastaj, ka qenë zinxhir.

“Ne te gjithë jemi familjarë dhe e dimë se çfarë kemi blerë me 100 euro para pandemisë… tani duhet shumë më shumë para për ta mbushur shportën e konsumit. Kemi inflacion më të lartë te produktet bazike”.

Duhet kujtuar se çmimet, vitin e kaluar, kanë marrë hov kryesisht nga çmimet globale të energjisë. Analiza të ndryshme thonë se ato do të bien – jo sa kanë qenë para pushtimit rus të Ukrainës – por se çdo rënie e çmimeve të energjisë do të marrë kohë për t’u vërejtur në ekonominë e gjerë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në vend sillet në më pak se 12 për qind. Të dhënat e publikuara nga ASK-ja në fund të shtatorit treguan se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në Kosovë u nda për blerjen e artikujve ushqimorë. Sipas ASK-së, familjet në Kosovë shpenzuan rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim./ Monitor

Gjoba 100 milionë lekë nuk bën efekt – ONE vazhdon torturon qytetarët: Stres i paparë!

Më 6 nëntor Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike njoftoi një gjobë të majme prej 10 milionë lekësh të rinj për kompaninë telefonike “One”, pas problemeve dhe denoncimeve të shumta.

Por pavarësisht gjobës, ankesat e qytetarëve vijojnë. Abonentët vazhdojnë të ankohen për të njëjtat halle të vjetra: Sjellje arrogante, mbifaturime, pengesë për të zgjidhur kontratën.

Kompania ONE nuk jep zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve, edhe pse, të njëjtat komente siç i lexojmë ne çdo ditë në rrjetet sociale, me siguri i shohin edhe punonjësit.

Abonentët lihen pa përgjigje për javë të tëra, si rasti i këtij më poshtë:

“Përshëndetje jam një numër me kontratë tek ju prej dy vitesh (aktualisht dhe tre muaj dhe mbaron kontrata). Më është ndërruar oferta e telefonit nga 1000lek të rinj, në 2000lek të rinj (muaji gusht-shtator-tetor që kam paguar nga 2000lek ). Kam folur me pika të ndryshme në Tiranë dhe më kanë thënë që duhet të pres një përgjigje për rregullimin e këtij gabimi nga ana e kompanisë.

Aktualisht vjen mesazhi i këtij muaji dhe serisht 2000lek oferta e telefonit(po flasim për numrin me kontratë), ka mundësi që të ndryshohet oferta e një numri me kontratë (muaj të fundit kur mbaron si kontratë) dhe të mos jepet asnjë shpjegim për këtë ndryshim?!

Kam një muaj që prisja një përgjigje për këtë gabim të bërë dhe asnjë zgjidhje, pavarësisht dëmit ekonomik që më është bërë dhe e kam paguar vete ( 3muaj -gusht shtator tetor të paguar nga 2000lek ofertë për një numër më kontratë që nga viti 2021).

Ju lutem kërkoj vetëm të zgjidhet gabimi i bërë nga kompania juaj, për të vazhduar të marr shërbim tek ju. Mirë që dëmi është bërë dhe ka rënduar mbi mua, por vazhdon të mbartet pa asnjë turp e përgjegjësi! Uroj që të marr zgjidhje! Faleminderit paraprakisht!”, shkruan ai në një koment në faqen zyrtare të ONE në Facebook.

ONE nuk mban fjalën as për premtime që i jep vetë nëpër fushata promocioni.

“Respektoni kontratën, lëirini reklamat boshe që bëni vazhdimisht! Gigat bonus që përfshin pagesa mujore ku i keni? Apo çe deshët?”, shkruan një tjetër abonent.

Të tjerë flasin për eksperiencat e tyre të pakëndshme me stafin e pasjellshëm.

“O one që nk je one; mos veproni me arrogancë me klientët – shikoni dhe trajtoni me korrektesë shqetësimet që ngremë dhe jepni përgjigje, pasi marrëdhënia me ju përtej shërbimit jo cilësor është një STRES i paparë!”, shprehet një prej tyre.

“Përmirësoni njëherë rrjetin mobil se na duhet të bëjmë të paktën 3 herë thirrje që të dëgjohet 1 herë”, ankohet një tjetër qytetar.

Kur aplikoi gjobën, AKEP theksoi se “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore dhe kontraktore lidhur me kufizimet e shërbimeve dhe njoftimin e pajtimtarit përpara zgjidhjes së kontratës.

Në vendim thuhej edhe se “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore lidhur me publikimin e informacionit transparent, të krahasueshëm, të përshtatshëm dhe të përditësuar për çdo detyrim në përfundimin e kontratës, si dhe kushtet e përgjithshme për aksesin e përdorimin e shërbimeve të ofruara për përdoruesit fundorë.

Frikë për rritje të çmimit të naftës, militantët sulmojnë anijet tregtare

Në tregjet e huaja ka frikë për rritje të çmimit të naftës për shkak të disa sulmeve ndaj anijeve tregtare.

Sulmet janë regjistruar në Detin e Kuq, ku militantë dhe rebelë të Jemenit goditën anijet tregtare që po lëviznin në ujëra.

Disa firma kanë ndaluar dërgesat përmes rrugës detare, ndërsa linja e dytë më e madhe e anijeve në botë, Maersk, tha të martën se do të ridrejtonte disa nga anijet e saj rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë.

Një ngjarje e tillë, sipas analistëve të “BBC” rrezikon të rrisë çmimin e naftës për shkak të ndërprerjes të përkohshëm të furnizimit.

Ndërprerja ka bërë që SHBA të nisë një operacion detar ndërkombëtar për të mbrojtur anijet në rrugën e Detit të Kuq.

“Këto sulme të pamatura Houthi janë një problem serioz ndërkombëtar dhe ato kërkojnë një përgjigje të fortë ndërkombëtare”,” tha Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

SHBA në kaos nga stuhia, përmbytje dhe vonesa fluturimesh. 4 të vdekur

Lindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur nga një stuhi e fuqishme, duke lënë pas viktima dhe dëme materiale.

Të paktën katër persona deri tani janë konfirmuar nga autoritetet të vdekur, ndërsa zona të tëra janë pa energji elektrike dhe ka fluturime të anuluara.

Në Karolinën e Jugut ndërroi jetë Nancy Morrow, 72 vjeç, pasi u bllokua në një automjet të zhytur në ujë. Ndërsa në Massachusetts, të hënën një burrë 89-vjeçar, Robert Horky, vdiq pasi u godit nga një pemë, që u rrëzua prej erërave të forta.

Viktima e tretë është një burrë 40-vjeçar, të cilit po ashtu i ra një pemë, teksa po pastronte mbeturinat nga çatia e tij.

Dhe në Pensilvani, 73-vjeçari Allan “Ray ” Nolt vdiq të hënën në mëngjes, pasi automjeti i tij u zhyt në ujë, sipas zyrës së mjekut në Lancaster County.

Më shumë se 600,000 persona ngelën pa energji të martën në mëngjes.

Deri tani numërojrn më shumë se 4,900 fluturime të vonuara dhe 500 të anuluara që udhëtojnë drejt ose në SHBA.

Shkollat ​​në të gjithë rajonin e New England janë detyruar gjithashtu të anulojnë ose vonojnë mësimet për shkak të kushteve të rrugës.

Përplasen “kokë më kokë” motoçikletat, në gjendje kritike një prej të plagosurve (EMRI)

Një aksident rrugor u regjistrua pasditen e kësaj të marte në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.

Konkretisht, në fshatin Fishtë u përplasën dy motoçikleta, duke lënë tre të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në njërin prej mjeteve udhëtonin shtetasit K. B., 17 vjeç dhe G. Sh., 22 vjeç, të cilët morën plagë të lehta nga përplasja.

Ndërsa 61-vjeçari
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Gjon Frroku 61 vjeç banues në Fishtë është nisur për Tiranë në gjëndje më të rënduar

Cindy Marina dhe djali i Jozefina Topallit do të martohen? Moderatorja zbulon detaje

Cindy Marina ka zbuluar se martesa e saj me Genar Topallin mund të jetë më shpejt nga sa e kemi menduar.

Moderatorja sportive ka treguar se kurorëzimi mund të ndodhë vitin e ardhshëm, por pa zbuluar detaje, duke u shprehur se e ka diskutuar edhe me partnerin e saj.

Cindy Marina në një intervistë për “Vizioni i Pasdites”, tha se nuk ka menduar për propozimin ideal, por shtoi se do të donte një gjë private.

Pjesë nga intervista:

Mund të kemi një kurorëzim në 2024?

Cindy Marina: Po pse jo.

Është gati Genari?

Cindy Marina: E kemi diskutuar.

Si do të duhej të ishte propozimi ideal?

Cindy Marina: Nuk e kam menduar shumë. Kam një shoqe që gjithmonë më flet për propozimin ideal. Do kisha dëshirë një gjë private.

A është romantik Genari?

Cindy Marina: Po.

Cili është gjesti që të ka mbetur përzemër?

Cindy Marina: Se di të them një në veçanti. Jam person që më pëlqejnë gjërat sentimentale. Më ka shkruar një letër në fillimet kur jemi njohur, ajo është gjëja që më ka pëlqyer më shumë. Thjeshtë mënyra se si shprehet, ishte shumë bukur, e kam ruajtur patjetër, kaq.