zoom

Day ArchiveREAGIMET/ Gazetarët solidarizohen me Elton Qynon: E papranueshme, po i terrorizohet familja

Gazetari Elton Qyno mori mbështetjen e kolegëve të tij gazetarë, pas përballjes që pati sot me SPAK, ku u mor në pyetje për disa orë me radhë për të treguar burimin e informacionit.

Të gjithë njëzëri, gazetarët dënuan sjelljen e SPAK, duke vlerësuar si të papranueshme presionin e ushtruar ndaj gazetarit Qyno për të nxjerrë se cili është burimi i tij, nga ku merr informacione për dosjen e Nuredin Dumanit.

Ata e konsideruan këtë si një presion që institucionet e drejtësisë po ushtrojnë ndaj medias, që është në shërbim të informimit të qytetarëve.

Disa nga reagimet e gazetarëve:

Anila Hoxha:

Kontrollohet shtëpia e gazetarit Elton Qyno për nxjerrje të sekretit hetimor!!
Jam me Elton Qynon dhe me çdo gazetar që i shërben publikut dhe të vërtetës”, tha Anila Hoxha.

Flamur Vezaj:

SPAK-u, prokurori Dibra e gjyqtarja Zeqiraj kercenojne Qynon!
Elton Qyno sot eshte mbajt peng per gati 8 ore! Kjo pengmarrje Nuk eshte kryer nga kriminel Por nga ata qe marrin rrogen nga taksat e Eltonit! Prokurori Behar Dibra dhe disa oficer te BKH-se, e kane mbajt peng, duke kercenuar, shantazhuar e torturuar psikologjikishte, me te vetmin qellim pse ushtron detyren e GAZETARIT! Per 8 ore kane ushtruar presion per te vetmin qellim, duke i kerkuar burimin e informacionit dhe ndalimin per te ushtruar detyren e GAZETARIT! Kjo Eshte e turpshme!
Pas pengmarrjes disa oresh, prokurori Behar Dibra ka gjete mbeshtetjen e gjyqtares Atlanta Zeqiraj, e cila ka vendosur ti kontrollohet shtepia, zyra (kompjuteri punes) dhe makina kolegut Qyno, per ti sekuestruar materialet e dosjes Dhe deshmise se Nuredin Dumanit, nje vrasesi te penduar!
Pra me vendim te gjyqtares Zeqiraj, pa pranin e avokatit, i jane terrorizuar dy femijet gjate kontrollit te baneses, ku i kane sekuestruar disa vendime te gjykates per dosjen Dumani! Me pas Edhe ne zyre e makine te njejtin veprim! Pra me vendim te gjyqtares Zeqiraj kolegu Qyno I mbyllin gojen! Ky Eshte Nje veprim I rrezikshem Dhe kercenues ndaj fjales se lire Dhe punes se Kolegut Qyno!
Keta jane te paafte per te ruajtur sekretin dhe kerkojne nga gazetaret te mos shkruajne!
#DegjojeniCfareThoteVetQynoPasiLirohetNgaPengmarresitShteterore#.

Muhamet Veliu:

Elton Qyno ose Babale sic e quaj une ndodhet sot ne te njejten pozite si une ne 2015 kur publikova nje dokument te SHISH.

Prokuroria e Tiranes kerkonte prej meje burimin. Kurre nuk e moren.

E kam patur nder per 17 muaj te punoj me Qynon dhe te sjellim bashke nje interviste te paprecedente te Zylfie Haklajt, te serializuar ne gazeten print Shqiptarja me shitje rrekord ne nje kohe kur printi kishte nisur te vdiste.

Cdo tentative per te mesuar burimet e gazetareve eshte e papranueshme.

Romir Saraçi:

SPAK mban peng dhe terrorizon familjen e gazetarit Elton Qyno! Prokurori Behar Dibra ve ne zbatim Nenin 55!
Ps: Dosjen ja kam dhene une!

Klodian Tomorri:

Vetem vrasesi te shtrengon per te nxjerre burimin

Nese arsyeja e ndalimit te kolegut Elton Qyno eshte me te vertete shantazhi per te nxjerre burimin e informacioneve qe ai ka publikuar, ky eshte precedenti me kriminal dhe sulmi me i rrezikshem qe i eshte bere ndonjehere medias ne Shqiperi.

Ai prokuror qe kercenon gazetarin te nxjerre burimin eshte turpi i drejtesise se re, drejtesise se vjeter dhe cfaredo drejtesie ne bote.

Burimi i beson jeten gazetarit. Dhe gazetari qe nxjerr burimin behet hjeks. Ndersa ai qe te shtrengon per te nxjerre burimin eshte as me shume dhe as me pak, por vrases.

E ka ngrene njehere nje gol SPAK-u per kete pune kur ja theu turinjte Gjykata e Strasburgut per serverat e Lapsit.

Pra eshte eshte hera e dyte qe e ben kete histori SPAK-u. Dhe meqe keta nuk merrkan vesh, perballe ketij agresioni ka vetem nje rruge. Te sanksionohet ne Kushtetute mbrojtja e gazetarit per te mos nxjerre burimin. Shprehimisht.

Se me sa duket neni qe garonton lirine e shtypit nuk po i mjafton prokurorise.

Parashikimi i motit: Nesër shtrëngata dhe rrufe

Ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikim të masave ajrore të paqëndrueshme.

Moti parashikohet të jetë kryesisht i vranët.
Reshje shiu që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim e gradualisht do të shtrihen edhe në pjesën tjetër.

Reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar e lokalisht deri të lartë. Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave, shoqëruar me shkarkesa elektrike, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Në zonën e Alpeve dhe verilindje në lartësin mbi 700 metra dhe në juglindje në lartësin mbi 800 metra në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të jetë nga kuadrati i jugut me shpjetësi mesatare deri në 8m/sek, e cila përgjatë vijës bregdetare dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave fiton shpejtësi deri në 12m/sek.

Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 2-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 5 deri 12°C
në zonat e ulëta 10 deri 17°C
në zonat bregdetare 13 deri 18°C

VIDEO/ Momenti kur agjentët e BKH marrin në makinë Elton Qynon

Pas marrjes në pyetje ng SPAK, gazetari Elton Qyno është “detyruar” të futet në makinën e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas informacioneve, ai po shkon bashkë me agjentët e BKH në godinën e Ora News, media ku Elton Qyno punon si gazetar.

Mësohet se hetuesit do të ushtrojnë kontroll në zyrën e tij të punës, për të zbuluar se kush është burimi i tij i informacionit.

Më herët, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontroll edhe në banesën e gazetarit.

Vetë Elton Qyno foli nga dera e shtëpisë pasi u la i lirë nga SPAK, duke akuzuar se gjatë marrjes në pyetje i është ushtruar presion i çdolloj forme për të treguar se nga kush i merr informacionet për dosjen e Nuredin Dumanit.

Reagimet për rastin kanë qenë të shumta, me gazetarë dhe përfaqësues të politikës që akuzojnë SPAK se po intimidon punonjësit e medias, duke cenuar të drejtën e tyre për të mos nxjerrë burimin e informacionit.

FRPD reagon për Qynon: Ahmetaj në arrati, SPAK merr peng gazetarin

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri sulmoi SPAK, pas marrjes në pyetje që i bëri gazetarit Elton Qyno këtë të mërkurë, duke i kërkuar të nxjerrë burimin e informacionit.

Në një reagim në “Facebook”, Xhaferri i kujton SPAK se Arben Ahmetaj, i akuzuari kryesor për aferën e inceneratorëve, është ende në arrati, ndërkohë që hetuesit merren me gazetarët.

Po ashtu, ai i mëshon faktit se pritshmëria e publikut ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion është që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta dhe jo të prekë gazetarët pse publikojnë lajme me burime.

“Bosët e korrupsionit dhe krimit në arrati, SPAK pas sulmit ndaj opozitës merr peng dhe gazetarët!

Në një kohë kur Arben Ahmetaj vijon të jetë në arrati, bosët e krimit dhe baronët e korrupsionit po amnistohen, SPAK merr peng një gazetar që mbulon zhvillimet e kronikës në Ora News.

Gazetari Elton Qyno mbahet prej orës 10:00 në ambjentet e SPAK ku i kërkohet llogari se kush i ka dhënë informacion për dosjet hetimore.

Pengamarrja e gazetarit na kthen pas në kohën e errët të para viteve 1990 kur lajmësi arrestohej në bazë të nenit famëkeq 55 për agjitacion e propagandë.

SPAK u ngrit për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe jo për pengmarrje gazetarësh dhe për tu përdorur si kobure kundër opozitës”, tha Besart Xhaferri.

Rasti “Qyno”/ Reagon Unioni i Gazetarëve: E paprecedentë, gazetari s’e dekonspiron burimin

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë njoftoi se po e ndjek me vëmendje të veçantë rastin e gazetarit Elton Qyno, që u mor në pyetje për disa orë me radhë nga SPAK, duke kërkuar prej tij të tregonte burimin e informacionit për lajmet që publikonte në media për dosjen e Nuredin Dumanit.

Kreu i UGSH, Aleksandër Çipa nënvizoi faktin se në çdo rast, gazetari ka të drejtë të mos tregojë burimin e informacionit, një parim i njohur në gazetari.

“Nëse kemi të bëjmë me një rast që quhet i paprecedentë për raportin e së drejtës që ka gazetari për të mos dekonspiruar burimin dhe këmbënguljen e drejtësisë për ta pasur atë burim, atëherë kjo natyrisht që do marrë një dimension tjetër dhe në këtë cështje do të përfshihen jo vetëm elementët e avokatisë, por edhe për ta dimensionuar atë edhe si një histori që është e re dhe ka të panjohurat e veta.

Po e ndjekim cështjen me shumë vëmendje. Presim sa më parë të kemi një njoftim zyrtar. Reagimi jonë do jetë ashtu sic meriton të jetë”, tha ndër të tjera Çipa.

VIDEO/ Elton Qyno flet nga shtëpia pas marrjes në pyetje: Bënë presione të çdolloj forme!

Gazetari Elton Qyno është lënë i lirë pas shtatë orësh marrje në pyetje nga SPAK për publikimin e informacioneve në media që lidhen me dosjen e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Nga dera e shtëpisë, në mometin kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mbërrijnë për të ushtruar kontroll në banesën e tij, Elton Qyno tha se gjatë marrjes në pyetje i është ushtruar presion për të treguar burimin e informacionit.

Sipas tij, pasi nuk morën informacionin e kërkuar, nisën kontrollet në shtëpi, zyrë dhe në makinë.

“Më kanë komunikuar vetëm urdhrin e gjykatës për të kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe makinën po ashtu. Unë hyra në orën 11.00 dhe dola në 17.00. dhe nuk e di pse duhet të ishte bërë gjithë kjo. më thirrën për një urdhër ndalimi për publikimin e akteve të mëjteshme, më pas më thanë do të marrim vetëm një deklarim dhe më pas nisën me presione të çdolloj forme për të treguar burimin dhe për të dorëzuar materialet. Në kushtet kur unë nuk e bëra diçka të tillë, nisën me kontroll banese dhe të tjera”, tha Elton Qyno.

View this post on Instagram

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

DETAJE/ Elton Qyno merret në pyetje nga SPAK për dosjen e Nuredin Dumanit

Zbardhen më shumë detaje nga marrja në pyetje e gazetarit Elton Qyno nga SPAK.

Burimet bëjnë me dije se ai u mor në pyetje për 10 orë me radhë për publikimin e disa lajmeve dhe të dhënave në media që lidheshin me dosjen e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Më herët SPAK kishte urdhëruar gazetarin Qyno të mos publikojë më të dhëna mbi rrëfimin e vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.

Këtë urdhër asokohe Elton Qyno e konsideroi si kërkesë për bashkëpunim.

“Sipas analizës së tyre unë kisha kaluar cakun e informacionit, publikimit të detajeve të rasteve, takimeve që kishte kryer Nuredin Dumani. Nuk e kam parë si formë presioni nga SPAK por ma kërkuan fillimisht si bashkëpunim që ta stopoja por duke proceduar dhe nga ana proceduriale dhe ligjore”, tha gazetari Elton Qyno në vitin 2022.

Berisha reagon për Elton Qynon: Stop terrorit nga Skapi i partisë!

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi për rastin e gazetarit Elton Qyno, që prej 10 orësh merret në pyetje në SPAK me urdhër të prokurorit Behar Dibra për të treguar burimin e tij të informacionit.

Përmes një statusi në “Facebook”, Berisha dënon këtë akt të paprecedentë të SPAK, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij, ndërsa fton edhe mediat të solidarizohen me gazetarin Elton Qyno.

“Stop terrorit nga Skapi i Partisë ndaj gazetarit të njohur Elton Qyno. Të dashur miq, në një atentat të vërtetë ndaj lirisë së mediave dhe terrori të pashembullt dhe torture psikoligjike, skapist të papërgjegjshëm të narko-partisë mbajnë që nga ora 10:00 e mëngjesit të ngujuar në zyrat e Skapit gazetarin e mirënjohur të Ora News, Elton Qyno.

Ata i kërkojnë atij brutalisht të tregojë burimet e informacioneve që i shesin vetë. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal, pengmarrje të gazetarit Qyno dhe kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm si dhe ndëshkimin e rreptë ligjor të autorëve të këtij akti që përbën një atentat të rëndë ndaj lirisë së mediave dhe rrëmbim shtetëror të gazetarit Elton Qyno.

Ju bëj thirrje mediave të vendit dhe atyre ndërkombëtare si dhe organizatave që merren me lirinë e mediave të solidarizohen me gazetarin Qyno dhe të dënojnë me ashpërsi narko-regjimin e Tiranës dhe skapin si vegël e tij”, tha Sali Berisha.

Veç marrjes në pyetje, SPAK ka kërkuar edhe sekuestron e telefonit celular të Qynos, ndërsa agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në banesën e tij dhe në godinën e Ora News, ku Elton Qyno punon si gazetar i kronikës së zezë.

Aksident i rëndë në Kosovë, 4 të plagosur

Katër persona mbetën të plagosur në një aksident të regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, dy mjete u përplasën në aksin Prishtinë-Pejë, për shkaqe që ende po hetohen nga autoritetet, duke lënë të plagosur katër persona që po udhëtonin me makinat e aksidentuara.

Gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet ende, por ata janë dërguar në spital për shërbim mjekësor.

“Rreth orës 18:30, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, fshati Komoran. Njësia policore njofton nga vendi i ngjarjes se në aksident janë përfshirë dy vetura dhe katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia është duke u marrë me aksidentin”, njoftoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

FOTO/ BKH zbarkon në shtëpinë e gazetarit Elton Qyno për kontroll

Jo vetëm marrje në pyetje për 10 orë me radhë për gazetarin e kronikës së zezë, Elton Qyno, por edhe kontroll banese.

Zoom.al ka siguruar foto nga momenti kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkojnë në pallatin ku jeton Elton Qyno, për të ushtruar kontroll në banesën e tij.

SPAK dhe BKH janë vënë në kërkim të burimit të informacionit, nga i cili Elton Qyno ka marrë disa materiale hetimore me rëndësi.

SPAK po vepron në kundërshtim me nocionin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që përcakton se është e drejtë e gazetarëve për të mos zbuluar burimet e tyre të informacionit dhe detyrimi për të bërë të kundërtën shoqërohet me masa ligjore.

Qynos i është kërkuar edhe konfiskimi i celularit personale, ndërsa veç banesës, ka pasur kontrolle edhe në ambientet e Ora News, media ku Elton Qyno është i punësuar.