Aplikacion
Në Shqipëri gjuha e urrejtjes po përdoret gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale. Në diskutimet që shoqërojnë lajme të ndryshme në këto platforma, studiuesit vënë re se në mjaft raste ajo ashpërsohet deri në nxitje të dhunës dhe vrasjeve.
Kjo dukuri së fundi vihet re pas konfliktit të armatosur mes Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme. Nxitja e urrejtjes e fyerjes apo kanosjes nëpërmjet sistemit kompjuterik përbën vepër penale, por zbulimi i autorëve paraqet vështirësi.
Në Shqipëri, studiuesit po hasin gjithnjë e më shumë përdorimin e gjuhës së urrejtjes në platformat sociale të komunikimit. Ajo pason një zhvillim apo ngjarje të posaçme, e cila edhe pse mund të mos ketë lidhje të drejtpërdrejtë me vendin dhe jetën e individëve, ata përfshihen në komunikime dhe debate masive, përmes një gjuhë që mbart armiqësi dhe urrejtje.
Sipas njohësve të zhvillimeve shoqërore dhe Komisionerit për mbrojtjen nga Diskriminimi së fundi në rrjetet sociale vihet re me shqetësim përdorimi i fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes në komentet që shoqërojnë lajmet mbi konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme. Mes tyre ka thirrje të hapura për vrasje të izraelitëve apo arabëve në Gaza, dhe komentet ndahen sipas përkatësisë së palëve në konflikt.
Aktualisht monitorimi i komenteve në rrjete sociale, paraqet vështirësi për policinë, prokurorinë apo Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kur bëhet fjalë për identifikimin e autorëve, e megjithatë kjo situatë nuk ka kaluar pa u vënë re.
“Ende nuk kemi një monitorim sepse është e vështirë të monitorohen të gjitha komentet, në të gjitha rrjetet sociale. Kur bëhet fjalë për thirrje për të vrarë apo ushtruar dhunë kundrejt grupeve të caktuara që kanë një përkatësi, qoftë kjo etnike apo fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër, këto janë të dënueshme penalisht” – u shpreh për Zërin e Amerikës Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Edmond Dragoti pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, bën këtë vlerësim mbi gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale, që pasojnë ngjarjet mbi konfliktin e armatosur Izrael-Hamas. Disa prej tyre nxisin dhunën ndaj hebrejve dhe disa të tjera ndaj arabëve.
“Në rrjetet sociale ka një mungesë kufijsh për përdorimin e gjuhës. Në këtë kuptim i jepet liri emocionit dhe jo arsyes. Prandaj aty hasen shumë gjykime, paragjykime. Hasen drejtpërdrejt qëndrime armiqësore agresive. Mungon identiteti i tyre në shumicën e rasteve. Nuk kanë përgjegjësinë e mjaftueshme për ato që thonë. Ndërkohë që në institucione të veçanta qëndrimet janë solide, serioze, korrekte dhe pa emocione” –tha për Zërin e Amerikës Edmond Dragoti, Pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Në mjaft shtete që pas sulmit të Hamasit në Izrael dhe fillimit të konfliktit të armatosur bëhet thirrje për paqe. Edhe në Shqipëri pak kohë më parë u mbajt një tubim i tillë ku i drejtohej thirrja Izraelit të ndalë luftën dhe krimet ndaj popullsinë civile në Gaza.
Nga ana tjetër studiuesit vënë re se gjuha e urrejtjes që përdoret në rrjete sociale ndaj hebrejve, e cila nxit vrasje, edhe pse nuk përfaqëson qëndrimet e popullit shqiptar, ja vlen të analizohet në kufijtë e historisë. Komisioni për mbrojtjen nga diskriminimi i referohet ndihmës që dhanë shqiptarët për hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Nga ana tjetër kjo tregon aspektin kontradiktor. Ne jemi një shoqëri që krenohemi me faktin që në sajë të mikpritjes tonë ne i kemi ndihmuar hebrejtë, në momentin e tyre më të vështirë të jetës, dhe nga ana tjetër kur lexojmë komente të tilla na japin një perceptim jo shumë të qartë dhe të drejtë të popullit tonë karshi këtij populli” –vijoi Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në Tiranë komuniteti fetar hebraik 10 vjet me parë ka hapur një sinagogë. Sokol Pirra përfaqësues i këtij komuniteti i tha Zërit të Amerikës se komentet në rrjetet sociale që frymëzojnë dhunë ndaj hebrejve duke marrë shkas nga lufta Izrael -Hamas, nuk e dëmtojnë bashkëpunimin me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri.
“Ka ardhur Baba Mondi në Sinagogë, po ashtu dhe reu mysliman. Kemi ngrënë shabat bashkë. Njëkohësisht dhe ne kemi qenë në çdo festë që bëhet në Shqipëri. Rabini Joel Kaplan ka qenë shumë herë në komuntetin mysliman, me Baba Mondin, me katolikët, ortodoksët që do të thotë përcjell mesazhin se ne jemi shumë komunikues më njëri-tjetrin. Nuk ka gjë më të bukur”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Sokol Pirra, përfaqësues i komunitetit hebre në Shqipëri.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mendon se gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, e orientuar në disa raste kundër hebrejve dhe në disa raste të tjera kundër palestinezëve në rastin e konfliktit Izrael-Hamas merr shkas në pjesën më të madhe nga dezinformimi.
“Dezinformimi është një nga pikat kyçe që ushqen në mënyrë të përhershme gjuhën e urrejtjes dhe kur vëmendja mediatike përqendrohet në një situate, ajo pastaj shprehet dhe sot njerëzit kanë mundësi të shprehin mendimet e tyre duke përdorur të gjitha platformat dhe është më e dukshme kjo gjë. Ju sjell në vëmendje ngritjen e shumë teorive konspirative gjatë pandemisë që lidhnin shumë situata me hebrejtë”- vijoiRobert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Edhe pedagogu Edmond Dragoti thotë se informacioni i pasigurt dhe i paqëndrueshëm është lehtësisht i interpretueshëm.
“Njerëzit besojnë gjërat që bien në sy, gjërat e veçanta pavarësisht se sa të vërteta janë ato dhe këto është shumë e lehtë t’i interpretosh dhe t’i kthesh në bazën e një armiqësie ose të një agresiviteti të caktuar”- vijoi Edmond Dragoti, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Nxitja e urrejtjes, fyerja dhe kanosja me motive të racizmit, etnisë, fesë apo kombësisë dhe ksenofobisë nepërmjet sistemit kompjuterik janë vepra penale. Kodi Penal parashikon gjobë dhe dënime nga 2 deri në 10 vjet burg. Por grupime shoqërore që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut vënë re së Kodi Penal duhet përmirësuar në këtë drejtim. Konkretisht Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sugjeron se në kushtet kur po diskutohet mbi hartimin e një Kodi të ri Penal nevojiten dispozita më të qarta që adresojnë gjuhën e urrejtjes me mjetet dixhitale, duke marrë në konsideratë zhvillimet teknologjike.
Më pak stres, më shumë lumturi! Sekreti është kaq i thjeshtë
Ritmet intensive të jetës së përditshme ndonjëherë na bëjnë të reduktojmë kontaktet e rregullta me miqtë tanë. Studimi më i ri nxjerr në pah arsyet më të mira pse duhet t’i takoni apo edhe t’i telefononi menjëherë!
Sigurisht që nuk kishim nevojë për një hulumtim për të vërtetuar se sa cilësor është komunikimi me miqtë tanë, por kur diçka kaq e thjeshtë verifikohet nga kërkimet, dëshmon se sa e lehtë është të ndihesh mirë çdo ditë.
Pra, nëse bisedojmë me një person miqësor qoftë edhe një herë në ditë, thjesht duke ndarë lajmet tona dhe duke i kujtuar se po mendojmë për ta, ne mund të rrisim nivelin e lumturisë dhe të ulim stresin për pjesën tjetër të ditës.
Sipas një studimi të pulikuar në Communication Research sugjerohet se kushdo që gjen kohë për biseda me cilësi të lartë, mund të përmirësojë mirëqenien e tij. Ne mund të ndryshojmë mënyrën se si ndihemi në çdo ditë të caktuar përmes komunikimit.
Vlen të theksohet se në epokën e mediave sociale, komunikimi ballë për ballë me cilësi të lartë është më i lidhur me mirëqenien sesa kontakti elektronik apo me mediat sociale.
Rita Ora iu uron shqiptarëve festën e Pavarësisë nga Prishtina: Nga familja jonë, tek e juajaKëngëtarja me famë botërore Rita Ora u ka uruar shqiptarëve festën e Pavarësisë së Shqipërisë nga Prishtina.
Ylli botëror postoi foto krah presidentes Vjosa Osmani dhe bashkëshortit të saj, Taika Waititi teksa bëjnë simbolin e shqiponjës me duar.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri, nga familja jonë tek e juaja!”, shkruan Rita Ora, krahas imazheve.
Këngëtarja ndodhet në Kosovë prej disa ditësh shoqëruar nga bashkëshorti dhe familjarë të saj, ku festoi përvjetorin e lindjes.
Kjo është hera e parë që partneri i saj viziton Prishtinën dhe u shpreh se vëren energji te ngjashme të kosovarëve me njerëzit e vendit të tij, Zelandës së Re.
“Është hera e parë që jam këtu dhe jam i nderuar të vij, e të vizitoj atdheun e gruas sime”, ka thënë Waititi, duke shtuar: “Po ndihem si në shtëpi tashmë.”
“Vajza ime u nda nga jeta”- Ish-deputeti jep lajmin e hidhur: Fjalët më të vështira që shkruajIsh-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ka dhënë lajmin e hidhur se vajza e tij është ndarë nga jeta.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-deputeti Tavo u shpreh se e vajza e tij e madhe, Eva, u largua në kulmin e rinisë dhe në moshën më të bukur.
Por ai nuk ka zbuluar shkakun e ndarjes së parakoshme nga jeta të së bijës.
“Këto janë fjalët më të vështira që shkruaj në jetën time. Vajza ime e madhe Eva u nda nga jeta në kulmin e rinisë, në moshën më të bukur, siç ishte edhe vetë ajo.
Varrimi bëhet ditën e enjte, datë 30 nëntor, ora 11:00 në Jorgucat, Gjirokastër”, shkroi ai në Facebook.
Ish-ligjvënësi ka marrë mesazhe ngushëllime nga ish-kolegët e tij, si ministrja Elisa Spiropali, Nora Malaj dhe Edmond Panariti.
“Lutem të gjeni forcë ta përballoni dhimbjen e madhe që të lë pa frymë. Evës së bukur i qoftë i lehtë dheu e i ndrittë shpirti!”, shkruan Spiropali.
“Uau cfare po na thua more Vangjel ??? Cfare dhimbje pertej cdo gjeje??? Me le pa fjale miku im i mire . Ende nuk me besohet qe kjo te jete e vertete? Eva , ajo yll i bukur, nje vajze aq diellore dhe me aq miresi… 🥲🥲🥲🥲
Zoti te dhente force ne keto momente. Nuk kam fjale per te te ngushelluar… Ashtu sic po rrjedh shiu sonte , ashtu dhe lotet tane jane per te shprehur dhimbjen per kete lajme te kobshem… Behu i forte miku im, per te perballuar kete dhimbje qe te le pa fjale! Jam prane teje ne keto momente te dhimbshme per ty!
Qofte e parajsese e mira Eva !!! Nuk dua ta besoj !!”, komentoi ish-ministarja Nora Malaj.
Ndërsa Panariti shkruan: “Çfarë lajmi i hidhur, çfarë dhembje dhe trishtim Vangjo. Nuk kam fjalë! Zoti ju dhente forcë dhe durim për të përballur këtë fatkeqësi. Eva qoftë e parajsës. Përjetë e paharruar!”
Shqipëria “mike” s’votoi Italinë si mikëpritëse të Expo 2030! Mediat italiane: TradhtiItalia nuk ka marrë votën e Shqipërisë si mikpritëse e Expo 2030 dhe mediat italiane e kanë quajtur këtë një tradhëti.
Burime pranë qeverisë italianë e kanë konfirmuar këtë për “La Reppublica”, por nuk ka ende një zë zyrtar. As Tunizia nuk ka votuar për Italinë, një tjetër vend që sapo arriti një marrëveshje me shtetin italian për rehabilimitin e emigrantëve të paligjshëm.
Marrëveshja, shkruan prestigjozja italiane, edhe pse është dakordësuar me kryeministrin Edi Rama duhet të ratifikohet nga parlamenti italian.
Votimi u bë sot në kryeqytetin francez, ku në garë ishin Arabia Saudite, Koreja e Jugut dhe Italia. Është konfirmuar se do të jenë sauditët ata që do të organizojnë Expo 30 me 119 vota.
Expo 2030 ishte një rreze drite për Italinë dhe vetë Melonin, duke e ekspozuar atë globalisht si pikë turistike dhe biznesi. Mikëpritja e Expo do të thotë aktivitet ekonomik i shtuar për vendet organizatore, ashtu si edhe përgjegjësi. Italia kishte 2 vite që përgatitej për prezantimin në këtë takim, për të fituar zemrat dhe votat e vendeve të tjera. Në 2020-n, Expo u mbajt në Dubai.
Zyrtari amerikan: Brenda vitit 2023, Turqia do të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATOMinistri i Jashtëm turk, Hakan Fidan është takuar me homologët e tij të NATO-s të martën, ku u shpreh se po punon shumë për të ratifikimin e Suedisë në NATO, i cili aktualisht po debatohet nga parlamenti turk,
Sipas një zyrtari lartë të DASH, ai ka dhënë afat kohor të mundshëm deri në fund të vitit që vendi nordik të anëtarësohet zyrtarisht në aleancë.
“Do të them se përmbledhja e takimit ishte se do të bëhet para fundit të vitit”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Turqia është i vetmi vend që nuk e ka ratifikuar protokollin, gjë që e kanë bërë prej shumë muajsh 30 anëtarët e tjerë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Po aq e madhe ishte edhe vonesa nga ana e Ankarasë në ratifikimin e protokollit për pranimin e Finlandës.
A mund të jetë shteti i shëndetshëm kur qytetari është i dobët?Kur kthejmë kokën pas në këta 111 vjet për të parë historinë e shtetit të dytë të pavarur shqiptar, pastaj të shtetit të tretë, që njihet si i Zogut, më pas i shtetit të katërt, që u themelua pas 1944, dhe shteti i 91 e këtej, si shteti i pestë, ka shumë pyetje që mund të ngrihen. Kuptohet se i pari është i Gjergjit!
Imagjinoni, në këta vjetë, ky i pesti ka kapur tashmë 30 prej tyre. Dhe nuk dihet ku jemi e ku shkojmë!
Por, njëra prej tyre më duket më themelore se të tjerat: Përse kaq i dobët qytetari shqiptar?
Në çfarë kuptimi e përdor fjalën “qytetar”? Jo si njeri që banon në qytet, si i tillë ai quhet qytetas. Kështu edhe një fshatar në kuptimin politik është qytetar. Në çfarë kuptimi e quaj qytetarin “të dobët”? Në kuptimin që është një status politik me të drejtat minimale. Edhe sot që gëzon disa të drejta të fituara në fillim të viteve ’90, përsëri ato kanë mbetur në vend, nuk kanë evoluar me kohën, madje në disa kuptime janë zbythur. I dobët qytetari edhe në kuptimin se është shumë larg vendimarrjes. Ngrihet kampi i refugjatëve italianë në Lezhë, e kush e pyet qytetarin? Askush! Hidhen ide për reformën e kodit zgjedhor, e kush e pyet qytetarin? Askush! Privatizohen pasuri publike në favor të privatit të privilegjuar, e kush e pyet qytetarin? Askush! Po, janë pasuritë e tij more derëbardhë! Qytetari i dobët edhe për arësyen që ai mobilizohet pak për të shkundur skenën politike të vendit ndërkohë kur ajo ka pësuar një proces degjenerimi dhe degradimi thelbësor.
Nga opozita thuhet se pritet të zgjohet luani i fjetur!!! Pra, pritet të zgjohet qytetari!! Por, askush nuk bën pyetjet përse fle ky luani? A është luan apo klasa politike dhe historia e ktheu në një mace që ikën me bish në shalë sa herë dikush i thotë “çiç!”?
Dhe nëse qytetari është i dobët politikisht, qoftë ky qytetas qoftë rural, kjo vjen se antropologjikisht ne shqiptarët jemi të fjetur dhe nuk i dalim dot zot shtetit tonë, apo vjen nga arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me natyrën e popullit?
Sepse për të gjitha ato që ndodhin fajet ja vendosin popullit, a thua fajësuesit nuk janë nga ky popull. Opozita duke pritur luanin, e ofenndon popullin duke e quajtur “të fjetur”. Pushteti e merr nëpër këmbë popullin, dhe e sheh me përçmim, kurrë nuk e pyet, veç në kohë fushate i këndon aheng, a thua vetëm ahengu është kapaciteti intelektual i popullit, gjuha që kupton populli! Ka edhe disa intelektualuca që fajësojnë popullin duke kujtuar se vetë janë pjesë e ndonjë aristokracie kështjellash duke harruar se kanë dalë në mënyrë mediokre nga apartamente dy dhoma e një ankes me aromë vajguri!
Te fajësosh popullin do të thotë që të keqen ta shohësh si fatalist. Ta fajësosh popullin do të thotë t’i hapësh derën çdo poshtërsie që shkatërron vendin.
Unë nuk mendoj që ka faj antropoligjia e shqiptarit, por rrethana historike që sigurisht ndikojnë dhe me pasion mund të ndryshohen. Mbi të gjitha sado budalliqe të kemi bërë kolektivisht si popull, nuk kemi bërë më tepër se popujt e tjerë që tani na japin mësime. Nuk kemi bërë sa gomarlliqet e elitave politike, intelektuale apo edhe të llojeve të tjera.
Shkaku i parë i dobësisë së qytetarit është historik. Por, historia nuk ka forcë fatale mbi të tashmen. Historinë të gjithë popujt e kanë ndryshuar duke edukuar breza të formuar ndryshe si edhe duke kuptuar të sotmen, e cila nuk është si e djeshmja. Se poqese historia do të përcaktonte popujt atëhere italianët do të vazhdonin të përkrahnin fashizmin, gjermanët Hitlerin, amerikanët skllavërinë, etj. Por, nuk ka ndodhur aspak kështu. Këta popujt të mëdhenj e bëjnë sot historinë krejt ndryshe.
Megjithatë nuk mund të mohohet se nëse historia nuk përballet me aksionin e sotëm emancipues, ajo vazhdon të ushtrojë peshën e saj mbi supet e popullit.
Mos harrojmë se për 500 vjet nën Perandorinë Osmane, më parë nën Perandori dhe Mbretëri të tjera, shqiptari dhe pushteti ishin krejt larg njeri tjetrit. Vendimarrja ishte larg jetës së përditshme të shqiptarit. Ky i fundit e shihte pushtetin vetëm si tagrambledhës, ushtar që shkrumbon, xhandar, dhe e shumta si një i deleguar lokal i pushtetit qendror.
Shqiptari nuk ishte qytetar, por shtetas. Kaq. Jeta politike e shqiptarit ishte inekzistente, ndërkohë që qytetarët evropianë përreth tij duke nisur sidomos pas shekullit të 15 nisën ta krijojnë hapësirën e tyre politike qytetare duke marrë pjesë gjithnjë e më vrullshëm në të. Pikërisht kur në Evropë qytetari po ngrinte kokën duke kërkuar një pjesëmarrje në jetën politike, pikërisht atëhere shqiptarët hyjnë nën sundimin otoman. Dy kahjet e historisë shkonin kështu në drejtime të kundërta.
Veç aspektit historik që sigurisht nuk mund të përmblidhet në sa shkruam më sipër, kemi edhe një mekanizëm që ka vepruar në jetën shqiptare, përcaktuar nga shumë rrethana të saj.
Fakti politik në shqipëri ka qenë më përpara faktit social.
Kjo ka bërë që ndryshimet politike në Shqipëri të vijnë përgjithësisht nga lart dhe jo si lëvizje nga poshtë. Kjo gjë ka lënë gjurmë në traditat e kombit dhe në kujtesën kolektive qytetare, duke e lënë të zbehtë atë.
Erdhi Ismail Beu në Durrës për të krijuar shtetin e dytë të pavarur shqiptar, dhe për disa ditë shkoi në Vlorë, ku hypur në ballkon me disa burra të tjerë të shquar, ngriti flamurin e arbërit dhe deklaroi pavarësinë. Nuk mund të mohohet se sado e prisnin këtë ngjarje grupe shqiptarësh, akti madhor i ngritjes së flamurit ishte një veprim elitar, i pakicës, madje i ardhur nga jashtë. Nuk ishte si pasojë e një kryengritjeje madhore gjithëkombëtare që do të finalizohej me pavarësinë.
Le të mos përmendim historinë e totalitarizmit shqiptar ku qytetari thërritej në sheshe nga partia për të brohoritur për partinë. Nëse po ai qytetar do të dilte në sheshe vetiu, edhe pa parrula politike, do të shihej me sy armiqësor dhe të ftohtë. Ndofta do të shtypej egërsisht.
Ajo që u quajt ardhja e demokracisë në fillim të viteve 90 përsëri ishte një akt politik i shkëputur nga lëvizjet qytetare. Jo se shqiptarët nuk aspironin ndryshimin. Por, shumica e aspironte si dhuratë, në shtëpi, në mendimet e brendshme. Pluralizmi nuk erdhi si pasojë vitesh lëvizje masash. Por, brenda pak ditësh si rezultat i presionit nga jashtë, i pakënaqësisë popullore, dhe i dorëzimit të elitës politike totalitare, e cila më në fund e kishte parë të pamundur ta ushtronte pushtetin.
Demokracia erdhi pra jo si lëvizje masash sado që në çaste të caktuara sheshet u mbushën nga studentë dhe protestues të tjerë, por gjithmonë si mbështetje aktesh politike nga lart.
Brenda disa muajsh shqiptari nga protestues u kthye në emigrant duke përmbushur vaporët e çarë Adriatikun.
Tre dekadat e fundit, duhet thënë se nuk ishte shoqëria civile që ndërtoi skenën politike, pra partitë. Por, janë partitë, në fakt edhe sot të ndërtuara sipas modelit stalinist, që krijuan shoqërinë, pronën, gjithçka. Qytetari ishte faktikisht ndjekës i partive politike.
Madje edhe kur populli i revoltuar u ngrit në 97 për të marrë në duar interesat e veta financiare, klasa politike i la menjëherë gërrmëret e brendshme, dhe pavarësisht sherreve të mëparshme u bashkua për t’i dhënë një grusht të fortë lëvizjeve masive nga poshtë.
Në pushtet ridolën po të njëjtët!
Ardhja e shtetit të pestë, këtij të tanishmit, u shoqërua me liberalizimin e tregut, të kufijve dhe me emigrim të brendshëm dhe të jashtëm shumë të fuqishëm.
Demokracia shqiptare i kishte brenda saj kontradiksionet shkatëruese. Qytetari u përfshi në një anomi dhe atomizim të jashtëzakoshëm ashtu sikurse e kanë përcaktuar themeluesit e sociologjisë.
U shpërbënë kolektivat, familja, opinioni qytetar; opinioni shoqëror mori goditje vdekjeprurëse sepse me emigrimet askush nuk njihte më kërkushin në lagje, a qytet, forcat më të gjalla me padurim u larguan nga vendi. Individi nuk kishte kohë t’i falte kohës! Individi mendonte për veten jo për kombin, vendin, shtetin. Kishte kohë që vlerat shpirtërore ishin zhdukur. Të zëvendësuara nga normat kolektive socialiste, me rënien e tyre, ndërgjegja kolektive ka mbetur bosh. Ajo duhet ribërë. Po kush?
Në këtë mënyrë qytetarët e mbetur u ndodhën të dobësuar.
Kur qytetarët nuk kanë organizime kolektive ata janë të dobët. Individi përballë shtetit është si ai studenti kinez në sheshin Tienianmeng që i doli përballë tanksit. Midis individit dhe shtetit – tanks forcat janë të pabarabarta.
Shteti i pestë i hypi cipër qytetarit. E shtypi, i mori frymën politikisht, ja rrëmbeu vendimmarrjen, e la si shtetas por jo si qytetar. Qytetari mobilizohet si dikur vetëm nga partitë, pikërisht ato që kanë në dorë shtetin. Në një farë mënyre qytetari ka hyrë në një paradoks.
Në këtë mënyrë, vetë shteti del nga shinat. Ai e ka “vrarë” qytetarin. Këtu pastaj gëlon korrupsioni, arbitrariteti, varfëria, zbrazja e territorit nga popullsia, shërbimet me nivel të dobët.
Shteti dobësohet sepse ka dashur të forcohet duke dobësuar qytetarin.
Ai humb vitalitetin dhe për të siguruar pushtetin pa të cilin nuk ka shtet, sundimtarët janë të shtrënguar të cedojnë territore, të harrojnë çështjen kombëtare, të pranojnë kampe e rrefugjatë, të lëshojnë pjesë territori për juridiksione ekstraterritoriale, të rrënohet ekonomia kombëtare dhe prodhuesi vendas, të pranojnë largimin e popullsisë nga vendi, rënien e lindshmërisë, mos shfrytëzimin e burime natyrore.
Jemi ndarë nga bashkësia e popujve evropianë! Nuk dihet në një ditë do të jemi pjesë e BE!
Jo më kot historia na ka lënë në breg të detit, në kënetë. Gati na ka hedhur te peshqit!
E keqja i kaplon të gjithë nëse dobësohet qytetari.
Këtej duhet filluar. Nuk është thjesht interesi i ndonjë partie politike që të ribëhet qytetari, por i të gjithëve, i 99 për qind të popullsisë, sikurse do të thoshte nobelist Stiglitz. Vetëm 1 përqind është kundër. Puna është se kjo pjesë e vogël tërheq në humnerë interesin e vogël, të sotëm, të grupeve të votuesve që për hir të një përfitimi të vogël personal braktisin fatet e shtetit dhe të vendit, sikundër zgjasin stërmundimin e tyre.
Letra e rrallë e Ismail Qemalit! Porosia: “Të hapet dhe të lexohet pas 111 vjetësh…”Shqiptarë të dashtun, uroj që kjo letër t’iu gjej shëndoshë e mirë kudo ku të gjindeni.
Po ju shkruaj me dorë në zemër në ditën e fundit të nëntorit të tretë të 1913-tës. Shqipëria sot ka telash të madh mungesën e qetësisë politike, korrupsionin dhe rolin e madh të fuqive të mëdha.
“Sot e një mot mot kur të huajt i shkelën të gjithë viset e Shqipnisë, po thuaj pa kurrëfarë kundërshtimi, neve të bijtë e këtyre trojeve, nuk na kishte mbetur veçse një detyrë: përpjekja për të formuar një qeveri duke mbajtur viset që nuk kishin rënë akoma në pushtimin e të huajve e të ngrinim zërin për shpëtimin e viseve të tjera dhe të drejtat e kombit shqiptar”.
Po sot një mot më pas jam i hidhëruar. Sapo më ka rënë në dorë një letër e një përfaqësonjësi të Fuqive të Mëdha. Kabllogrami i tij është mënxyrë: “ky vend nuk bëhet nëse nuk largohen këta të dy. (E ka llafin për mua dhe Esat Pashë Toptanin) Dhe këta duhen larguar të dy në të njëjtën kohë. Njëri ka bërë qeveri në Durrës dhe tjetri në Vlorë. Arsyeja? Kanë bërë qeveritë pranë doganave për t’i marrë më shpejt paratë”.
Po të kishim gjykatore, këtij zotnisë do t’i leja pikë pjekje atje. Por i kam lënë Zotin. Koha do të tregoj sa të drejtë ka patur përfaqësuesi i 6 fuqive të mëdha.
Kështu qenka e shkruar, fati i prijsve të vendeve të vogla kalon nga kabllogramet e ambasadorëve të fuqive të mëdha.
Uroj që pas 111 vjetësh më 2023, korrupsionin që sot na akuzojnë me të padrejtë ta keni dërrmuar.
Si sot e mot mot disa prej nesh nuk donin që të shpallnim mëvetësinë prej Perandorisë. Mjerisht nuk ishim të gjithë në një mendje. E shpallëm mëvetësinë duke u thënë që me Turkinë do të bëhemi prap bashkë. Koha do të japë të drejtë. Turkia do të jetë partneri strategjik i Shqipërisë.
Një ditë në trojet tona do të vijnë për të bujtur të huaj, mund të vijnë afganë dhe afrikanë, iranianë dhe siriane. I prisni siç e ka zakon shqiptari, por bëni çmos të mos ikin shqiptarët prej viseve tona.
Ne nuk mundëm t’i mbajmë dot të gjitha trojet tona. Austria nuk e largoi serbin nga gjithë viset shqiptare. Kosova është plaga e hapur. Ta doni Kosovën sa desha unë Is Boletinin.
Po e mbyll me dy lutje: I votoni politikanët, por edhe i qortoni, ndëshkoni dhe ndryshoni. Uji që fle qelbet. Filizi që nuk lëviz rritet, por populli që nuk lëviz politikanët vdes.
Lutja e dytë është që fjalët t’i përdorni me masë. Llafet e shumta janë fukarallëk. Fukarallëku është maskarallëk.
Më pak fjalë e më shumë punë. Kur e shpallëm Shqipërinë e mosvarme shkruam në kabllogram vetëm 35 fjalë, që më 2023 mund t’i postoni në një twitter.
“Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”
Përfund, uroj që pas 111 vjetësh kur të festoni ditën e Mëvetësisë, të mos ketë më shumë shqiptarë në vendet që na kanë pushtuar se në Shqipëri!
I juaji
Ismail Bej Vlora
Foto/ Targat ia morën një makine tjetër, kjo është BMW X6 që u përdor në grabitjen e argjendarisëKjo është makina tip BMW X6 që u përdor nga grabitësit e argjendarisë në rrugën “Nënë Tereza” në Kamëz.
Mësohet se 3 hajdutët e maskuar kishin marrë targat e një automjeti tjetër tip “Hunday” dhe ia kishin vendosur mjetit luksoz që përdorën për të kryer grabitjen.
Autorët kanë ardhur nga Fushë-Kruja dhe pasi kanë arritur të marrin rreth 1 kg flori nga argjendari nën kërcënimin e armës janë larguar në drejtim të Laknasit.
Pronarja e argjendarisë me iniciale S.E., që u grabit rreth orës 17:15, të mbrëmjes së sotme tha se një prej grabitësve kishte dialekt jugor.
Sipas uniformave blu, autorët kanë përdorur një automatik për të kërcënuar pronaren e argjendarisë.
“Më datë 28.11.2023, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip “BMW”.
Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër.
Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.
Grupi hetimor mbi bazën e të dhënave të administruara po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje”, njoftoi policia.
“Një prej tyre kishte dialekt jugor”- Grabitja e argjendarisë, zbardhet dëshmia e pronares“Një prej tyre kishte dialekt jugor”, ka deklaruar pronarja e argjendarisë në Kamëz, që u grabit rreth orës 17:15, të mbrëmjes së sotme tre persona të maskuar nën kërcënimin e armës.
Mësohet se autorët e maskuar kanë ardhur nga Fushë-Kruja me një automjet tip BMW X6 dhe pasi kanë arritur të marrin rreth 1 kg flori nga argjendari janë larguar në drejtim të Laknasit.
Grabitësit kishin marrë targat e një automjeti tjetër tip “Hunday” dhe ia kishin vendosur mjetit luksoz që përdorën për të kryer grabitjen.
Sipas uniformave blu, autorët kanë përdorur një automatik për të kërcënuar pronaren e argjendarisë, shtetasen me iniciale E.S.
“Më datë 28.11.2023, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip “BMW”.
Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër.
Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.
Grupi hetimor mbi bazën e të dhënave të administruara po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje”, njoftoi policia.