zoom

Day ArchiveAksident i rëndë në Serbi- Dy trena përplasen “kokë më kokë”, 50 pasagjerë të plagosur

Një aksident i rëndë u shënua në Ratkovë të Serbisë mbrëmjen e kësaj të premteje.

Përplasja e dy trenave “kokë më kokë” mund të ishte shndërruar në një tragjedi sepse në njërin prej tyre udhëtonin pasagjerë.

Si pasojë e përplasjes së tij me trenin tjetër ku ishin ngarkuar mallra, të paktën 50 pasagjerë u plagosën dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.

Deri tani, mediat serbe nuk raportojnë për viktima, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Në aksin rrugor ku u shënua aksidenti u ndërpre përkohësisht qarkullimi i trenave.

Inteligjenca Artificiale merr në dorë edhe parashikimin e motit, informacion në kohë rekord

Mes profesioneve që rrezikohen nga Inteligjenca Artificiale është edhe ajo e meteorologëve.

Parashikimin e motit tashmë mund ta bëjë më shpejt Inteligjenca Artificiale me një saktësi të madhe.

Sipas një sistemi të zhvilluar nga Google, Deep Mind, duke shfrytëzuar IA, moti për dhjetë ditët e ardhshme parashikohet në kohë rekord prej 1 minute.

Inteligjenca Artificiale ka rezultuar e suksesshme edhe në parashikimet e motit ekstrem, si ciklone tropikale apo temperaturë anormale.

Rezultati është publikuar në revistën shkencore Science.

Fundjava do të jetë me diell, por bëni kujdes me temperaturat

Fundjava pritet të jetë me mot të kthjellët, por me temperatura të ulëta, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Dita e shtunë pritet të ketë mot të vranët dhe reshje shiu deri në orët e para të mëngjesit, por më pas do të mbizotërojë mot i kthjellët.

Ditën e dielë orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit.

Era do të jetë nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 10m/sek, e cila hera-herës pritet të fitojë shpjetësi deri në 20-25m/sek ,duke bërë që valëzimi në detet Adriatik dhe Jon të jetë i forcës 4-6 ballë.

Shtohet shqetësimi! OBSH: Në Gaza po përhapen infeksione dhe diarre

Me kalimin e ditëve dhe një bilanc të rënduar viktimash, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin në rritje për përhapjen e sëmundjeve infektive në Gaza.

Popullsia atje është detyruar të strehohet në kampe, pa ushqim e ujë të pijshëm dhe, sipas OBSH-së tashmë flasim për mijëra raste me infeksione në rrugët e frymëmarrjes dhe me diarre. Për këtë arsye, shqetësimi për shpërthimin e një epidemie rritet dita-ditës.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për përhapjen e sëmundjeve kur të afrohet stina e dimrit. Deri më tani janë regjistruar mbi 70.000 raste të infeksioneve akute në rrugët e frymëmarrjes dhe mbi 44.000 raste të diarresë, shifra shumë më të larta sesa është pritur”, tha Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së në territoret palestineze.

Të njëjtin paralajmërim kanë dhënë edhe zyrtarët e OKB-së, sipas të cilëve mbipopullimi po shton sëmundjet dhe po rrit shqetësime për shëndetin dhe ambientin.

Katër vjet pas tërmetit, mijëra banorë në Durrës mbeten në udhëkryq

Në lagjen 12 të qytetit të Durrësit, Zenel Zani hap derën e hekurit të pallatit të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërsa ankohet se asgjë nuk ka ndryshuar në katër vjet.

“Po mendojmë që të lidhim ujë dhe drita vetë dhe të rikthehemi në shtëpitë tona. Me rrezik është, por sa të na dëbojnë nga atje ku jemi me qira, më mirë të rimë këtu,” tha ai.

Pensionisti jetonte përpara tërmetit në katin e pestë të pallatit nr.15, që ndodhet shumë pranë tregut agroushqimor të qytetit, sëbashku me bashkëshorten e tij.

Pas tërmetit, ai u vendos në një banesë me qira në afërsi të “Stacionit të trenit”, por për shkak të problemeve me bonusin e qirasë, po mendon të rikthehet në pallatin e pariparuar.

“Këtu, është çdo gjë si ditën e parë të tërmetit, më keq akoma se janë vjedhur kabujt, sahatet, se ne do ishim kthyer me kohë këtu,” ankohet pensionisti.

Katër vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, pasojat ndjehen ende tek mijëra familje të cilët u prekën nga fatkeqësia natyrore. Sipas të dhënave të bashkisë, 2500 familje vazhdojnë të figurojnë ende në listën e atyre që trajtohen me bonus qiraje, pasi banesat e tyre nuk janë rikthyer në gjendje të banueshme. Por prej muajsh pagesat e bonusit janë bllokuar.

“Në mars të vitit 2023, këto 2500 familje janë trajtuar për herë të fundit me bonus qiraje dhe më pas nuk është bërë shpërndarje,” tha Bashkia e Durrësit.

Në pritje të bonusit

Që pas tërmetit, familjarët janë përballur me vonesa në shpërndarjen e bonusit të qirasë, por këtë herë pritja ka kaluar çdo limit.

“Çdo ditë shkoj tek zyra e bashkisë, pyes tek informacioni mos ka kaluar bonusi, edhe sot isha atje, por hiç, asgjë,” tha Zani.

Bashkia u justifikua se pagesat e bonusit ishin ndërprerë për shkak se fondet nuk i ishin vënë në dispozicion nga qeveria qendrore.

“Bashkia Durrës i ka kërkuar fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresën 30/4 datë 18.07.2023 dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të fondeve,” deklaroi Bashkia.

Moskalimi i bonusit të qirasë ka krijuar vështirësi ekonomike pa fund për familjet e prekura nga tërmeti. Mjaft prej tyre, në pamundësi për të përballuar qiratë pa ndihmën e bonusit, janë rikthyer të jetojnë në pallatet e pariparuara, ose që janë duke u riparuar.

Në lagjen me numër 17 të Durrësit, në pallatin e ndodhur në afërsi të azilit të të moshuarve, pallati i dëmtuar me shkallë dëmtimi DS2, vazhdon të jetë njësoj si në ditën e parë pas tërmetit. Muret në sheshpushimet e pallatit janë të dëmtuara, në disa vende tullat dukshëm mungojnë dhe pjesë të tjera janë të zhveshura nga suvaja.

Fadil Kaloçi, banor i këtij pallati është kthyer të jetojë aty edhe pse nuk e fsheh frikën veçanërisht në ditë me mot të trazuar me erë dhe shi.

“Po shikojeni vetë. Asgjë nuk është bërë nga jashtë. Kemi frikë dhe nga era, mos shkëputet ndonjë tullë nga katet e dëmtuara më shumë dhe na merr jetën, por ç’të bëjmë, këta nuk thonë asgjë se kur do të bëjnë riparimet e pallatit,” tha Kaloçi.

Pavarësisht rrezikut, burri që jeton në një nga apartamentet e pallatit me katër familjarët e tij, nuk është zhgënjyer me vendimin për t’u rikthyer në shtëpinë e tij.

“Bonusi një muaj jepej tre, katër jo. Shtëpia që mora me qira në zonën e plazhit nuk përballohej se u rrit çmimi,” tha ai.

“As u mendova dy herë, mora ato pesë lekë që na dhanë për riparime të brendshme …ndaj bëra ç ‘munda dhe futa kokën brenda,” shtoi ai.

Familjet që mbeten në pritje të riparimeve të dëmeve për shtëpitë e tyre apo që presin kalimin e këstit të bonusit të qirasë, kanë provuar gjithçka që nga letrat pa fund për autoritetet, kërkesat institucionale dhe protestat, por zgjidhjet duken të largëta.

“Këta u tallën me ne. Fillimisht e përcaktuan pallatin si DS3, më pas thanë do shembet se kishte rrezik, pastaj thanë që do riparohet se është me dëm DS4, por deri më tani, ja shikoje, asgjë nuk është bërë”, tregoi Zenel Zani.

Veç dëmtimit nga tërmeti, pallati ku ai jetonte u përball me bastisjet dhe vjedhjet.

“Ne mblidhemi çdo mëngjes këtu, se kemi djersën e një jete të shkuar dëm. Por, s’kemi mundësi që të bëjmë asgjë, se nuk na ka ngelur asgjë. Mblodhëm ca lekë dhe bëmë një derë hekuri në katin e parë që të shpëtonim plaçkat se kabujt, sahatet i vodhën të gjitha”, ankohet Zani.

Katër vjet pa plan e projekt

Shumë pallate të dëmtuara nga tërmeti i katër viteve më parë kanë mbetur jashtë planeve dhe projekteve të bashkisë për riparim, për të cilat bashkia e qytetit bregdetar tha se mbetet në pritje të fondeve për projektim.

Sipas Bashkisë, 83 pallate me shkallë dëmi DS4 janë në pritje të fondeve për projektimin, ndërsa 6 objekte të tjera DS4 mbeten në pritje të financimit për riforcimin e strukturave. Në proces rikonstruksioni, sipas Bashkisë së Durrësit janë 73 pallate të vlerësuara si DS4 dhe 101 shtëpi individuale me të njëjtën shkallë dëmi.

Në lagjen me numër 18 të qytetit, në një pallat nëntë katësh klasifikuar me dëme DS4, punimet e riparimit kanë një vit që kanë nisur, por ende nuk kanë përfunduar. 15 familje janë rikthyer në pallatin me numër 19/659 dhe pse pallati është ende një kantier ndërtimi.

“Pallati nisi të riparohej, por veç skelave dhe punimeve në tre katet e para, asgjë nuk po shihet. Ngrejmë zërin për të ditur se çfarë do bëhet më tej, asgjë nuk shohim të ndryshojë,” tha Mersin Disha, një nga banorët e pallatit.

Mosmarrja e bonusit të qirasë prej shumë kohësh bëri që banorët të riktheheshin në banesat e tyre. “Bonusi gjithmonë ka pasur vonesa, asnjë herë nuk është dhënë në kohë, ndaj ne jemi rikthyer dhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar”, tha Disha.

Rreziku rritet

Rikthimi i detyruar i banorëve në godinat e dëmtuara konsiderohet si tepër i rrezikshëm nga inxhinierët e ndërtimit. Problematike janë sidomos objektet e përcaktuara nga aktekspertiza e thelluar me shkallë dëmi DS4, me dëmtim në mbi 2/3 e sipërfaqes së ndërtimit ose që kanë pësuar dëmtime të rënda strukturore. Sipas ekspertëve të ndërtimit, me kalimin e viteve dhe mos ndërhyrja në kohë, këto godina janë gjithmonë e më të rrezikshme.

“Dëmtimet e rënda strukturore duke ulur ndjeshëm qëndrueshmërinë, mund të rrezikojnë shembjen e pjesës së mbetur të ndërtesës, si pasojë e peshës vetjake të elementeve të strukturës apo edhe lëkundjeve të mundshme sizmike,” tha Alban Uka, inxhinier ndërtimi.

Sipas tij, faktorët atmosferikë ndikojnë tek objektet e dëmtuara, duke ulur rezistencën e strukturave.

“Faktorët atmosferikë mund të ndikojnë kryesisht në shtimin e lagështirës në objekt, krijimin e poreve apo korrozionit në elementë të caktuar, dhe për pasojë uljen e rezistencës së strukturave prej betoni të armuar”, tha Uka.

Sipas tij, faktori kohë është mjaft i rëndësishëm në qëndrueshmërinë e një objekti pas goditjeve të marra.

Pjesët më të rrezikuara, në rast të dëmtimeve të rënda strukturore apo çarjeve në strukturën mbajtëse të një objekti, përfshijnë, kolonat, trarët, soletat e ndërkateve apo rampat e shkallëve të brendshme. Inxhinieri thotë se ndërhyrja duhet në këto ndërtime duhet të jetë e menjëhershme.

“Rreziku është prezent në të gjithë periudhën e qëndrimit të objektit në gjendje të dëmtuar, pasi ndërhyrja në rikonstruksionin e objektit duhet të jetë e menjëhershme, sipas shkallës së dëmtimit,” përfundoi ai./ Reporter.al

Shqipëria në Euro 2024! Duka: Djem të papërsëritshëm, nuk është rastësi

As Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka nuk i fshehu emocionet për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024, duke dhuruar çaste historike për të gjithë shqiptarët.

Në një reagim në rrjetet sociale, Duka analizoi se ky moment historik për Kombëtaren tonë nuk erdhi rastësisht, por falë punës së përkushtuar të të gjithë ekipit.

Tashmë Euro 2024 është një ëndërr e bërë realitet për të gjithë, shtoi Armand Duka, ndërsa apelon që të mos humbet përqendrimi për ndeshjen e radhës me Ishujt Faroe.

Reagimi i Armand Dukës:

JEMI NË EUROPIAN! Gjermani, po vijmë!

Ky është pa asnjë dyshim barazimi më i ëmbël në botë. Një barazim që vlen sa një vend në finalet e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Tani po, le t’i hapim sytë të gjithë dhe të themi: JEMI NË EUROPIAN!

Fjalët janë të pakta ta përshkruaj gëzimin e madh që ndjej sonte. Dhe jam i sigurt që jo vetëm unë. E gjithë Shqiptaria gëzon e feston sonte. Këta djem janë të adhurueshëm, ky staf trajnerësh me në krye trajnerin Silvinjo është i mrekullueshëm, këta tifozë shqiptarë janë të papërsëritshëm, kjo SHQIPËRI 🇦🇱është krenari KOMBËTARE!

Tashmë kemi siguruar një vend në finalet e EURO 2024 dhe për këtë gjë jemi të gjithë shumë të lumtur, por na mbetet edhe vetëm një detyrë e vetme në këtë rrugëtim, për ta kthyer në të paharrueshëm. Të renditemi të parët në grupin E, për t’i treguar të gjithë botës se NE NUK JEMI THJESHT RASTËSI, POR JEMI VËRTETË MË TË MIRËT E KËTIJ GRUPI!

Çuna, stafi teknik i Kombëtares; trajneri Silvinjo dhe kapiten Gjimshiti – kemi edhe një ndeshje të hënën me Ishujt Faroe! Përqëndrim maksimal për të thyer rekordin e pikëve dhe për ta futur këtë Kombëtare në histori. Këtë Kombëtare që është vërtetë NDERI I KOMBIT!

Arbana reagon për restorantin te Piramida, zbulon edhe çfarë do të ndodhë me Big Brother

Për herë të parë, Arbana Osmani reagoi pas lajmeve në rrjet se ajo mori dhuratë nga kryebashkiaku Erion Veliaj një pjesë të katit të parë të Piramidës së Tiranës për të hapur restorant.

Në një postim të gjatë në Instagram, Arbana, teksa zbulon se restoranti do të jetë i hapur nga nesër, shton se akuzat janë të pabaza dhe absurde.

“Ka ardhur më në fund momenti t’ju zbuloj projektin për të cilin po punoj prej muajsh dhe që e kam shumë përzemër. Bana’s.

Edhe pse s’kam dashur të zbuloj asgjë pa qenë gati, është folur shumë për të, duke aluduar edhe të pavërteta në kufi të aburdit, për të cilat nuk kam dashur as të flas, as të përgënjeshtroj.

Kam zgjedhur të bëj atë që di të bëj më mirë, të punoj. Kam ndërtuar dalëngadalë një skuadër fantastike, që nga kjo e shtunë ju pret te Piramida për t’ju shërbyer pastat artizanale më të shijshme që keni ngrënë ndonjëherë, paninet e ngrohta me bukën e bërë vetë, tiramus-un me fëstëk më të mirë në vend e plot gatime të tjera fantastike.

Nuk është restoranti luksoz me 5 yje që ndoshta prisni, por është një copëz nga shtëpia ime, nga familja ime. Është një vend takimi shijesh e miqsh, një copëz e vogël ku takohen kujtimet që kam nga gjyshja ime Mija, ku shtronte petët e jufkave në fshat në Dibër, me frymëzimin që mora nga udhëtimet në vendin e pastave, Italinë.

Nuk ka gjë që më kënaq më shumë sesa të mirëpres miq në shtëpinë time dhe ideja që kjo shtëpi do jetë e hapur për të gjithë më mbush me gëzim të veçantë”, shkruan Arbana Osmani.

Moderimi i Big Brother

Në ditët e fundit ka pasur pikëpyetje nëse Arbana do të moderojë “Big Brother Vip” edhe në edicionin e tretë të tij. Kësaj pyetjeje i dha përgjigje vetë Arbana në mbyllje të postimit të saj:

“Dhe për ta mbyllur, për të gjithë ju që më pyesni pafund çdo ditë, natyrisht që veç te Bana’s, shpejt do shihemi edhe në ekran, për të vazhduar një pasion që më entuziasmon njëlloj si para 25 vitesh dhe që lindi po aty, te Piramida”, përfundon reagimin e saj të gjatë Arbana Osmani.

“Xhamadani vija-vija” – Festë e çmendur në dhomat e zhveshjes, nuk përmbahet Silvinjo

Festa e çmendur pasoi kualifikimin historik të Kombëtares Kuqezi në Euro 2024.

Pasi arbitri dha vërshëllimin e fundit dhe Shqipëria rrëmbeu të vetmen pikë që i nevojitej, në fushë shpërtheu festa.

Tekniku Silvinjo nuk i përmbajti dot emocionet e forta dhe u kap duke festuar dhe duke takuar tifozët në stadiumin në Moldavi.

Atmosfera festive nuk mungoi as në dhomat e zhveshjes. Të çliruar nga stresi i lojës, lojtarët Kuqezi nisën këngën dhe vallen.

Silvinjo flet pas kualifikimit historik: Një ëndërr e madhe!

Merita për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024 i takojnë edhe trajnerit Silvinjo, i cili padyshim që me formacionet e krijuara, arriti rezultatin e shumë-duartrokitur nga të gjithë.

Pas përfundimit të ndeshjes me Moldavinë, që na siguroi pikën e artë për Euro 2024, tekniku Silvinjo shprehu emocionet dhe ndjesitë e para.

“Një sfidë e bukur! E kam pranuar me shumë dëshirë. Që në fillim e kam thënë që ky është një grup shumë i balancuar, kështu rezultoi. Objektivi im ka qenë që të vinim në nëntor dhe të ishim në garë për kualifikimin dhe ky objektiv u arrit.

Ishte një sfidë e dëshirë, një ëndërr. Nuk ka qenë aspak e lehtë, besoj shumë tek puna. Kjo ishte me të vërtet një ëndërr e madhe.

Kjo është një ditë që do të mbetet gjatë në memorien time për të gjithë jetën. Ne brazilianët e kemi këtë tendence, e lidhjes së ngushtë me lojtarët. Jam ndjerë jashtëzakonisht i lumtur për gjithçka që bëmë dhe arritëm”, u shpreh Silvinjo.

Përgjaken rrugët! Tjetër aksident me vdekje, 20-vjeçari përplas këmbësorin

Tjetër aksident me vdekje brenda pak orësh në vend.

Një 74-vjeçar me inicialet S. K. u përplas për vdekje, teksa po ecte në rrugë nga një 20-vjeçar që po drejtonte një makinë.

I moshuari humbi jetën gjatë transportimit me ambulancë, në spital.

Ndërsa shoferi që shkaktoi aksidentin u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Shkaqet e aksidentit nuk janë zbardhur ende nga grupi hetimor.

Pak më herët në Kuçovë u humbi jetën në aksident një 65-vjeçar që po udhëtonte me biçikletë. Ai u përplas nga një makinë që sërish drejtohej nga një i ri, vetëm 21 vjeç.