zoom

Day ArchiveNë një lidhje me reperin italian – Jori Delli: Ka qenë ish-i dashuri im, u pajtuam

Modelja Jori Delli, ish-banore në “Big Brother VIP”, ka folur për romancën e saj me reperin italian, Fres de Palma.

Jori u pyet nga gazetarët gjatë premierës së filmit “Në kuadër të dashurisë” për lidhjen e saj.

Ajo pohoi se me reperin italian ka pasur një histori dashurie më herët, por që përfundoi në janar.

Më pas dyshja janë pajtuar me njëri-tjetrin dhe sot janë bashkë.

Sylvinho tregon në “Reuters” si e shndërroi Shqipërinë në ekip të frikshëm

Silvinjo po merr rezultate fantastike me Shqipërinë dhe është afër objektivit.

Trajneri brazilian do të përballet me Çekinë, në atë që konsiderohet ndeshja vendimtare për të shkuar në Euro 2024.

Në një intervistë për “Reuters”, Silvinjo ka treguar më tepër rreth mënyrës sesi po punon te Shqipëria dhe zbulimin e tij, Jasir Asanin.

Puna në kombëtare – “Duhej të jetonim në Tiranë për të zhvilluar punën tonë. Kemi udhëtuar shumë, kemi takuar lojtarët, por të gjitha të dhënat e marra nga FSHF kanë qenë shumë të çmuara”.

Zbulimi i Asanit – “Nëse nuk do të punonim nga zyrat e Federatës në Shqipëri, ndoshta nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin. Ka miliona shqiptarë që jetojnë kudo në botë, ne ishim duke kërkuar për një lojtar në krahun e djathtë, me këmbën e majtë dhe gjetëm Asanin. E dashuruam menjëherë këtë lojtar dhe po rezulton fantastik me ne”.

Euro 2024 – “Ne kemi tri finale përpara dhe duhet të përballemi me të njëjtin qëndrim që kishim deri më tani. Gjithçka fillon të enjten. Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm. Një fitore të enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese”.

Motivimi – “E gjithë ideja e projektit tonë është që të prekim shpirtin dhe zemrën e lojtarëve shqiptarë. I pëlqejmë golat e bukur, lojën e bukur, por nuk duhet të heqim kurrë dorë nga shpirti i ekipit”, tha Silvinjo. /zoom.al/

Partizani mbetet pa trajner para derbit, njofton largimin e kroatit Zekiç

Klubi Partizani ka zyrtarizuar sot largimin e trajnerit Zoran Zekiç.

Përmes faqes zyrtare në “Facebook“, kampionët e Shqipërisë kanë bërë me dije se trajneri kroat do të drejtojë Osijekun.

Ndërkohë stoli i të kuqve i është besuar drejtorit sportiv Arbër Abilaliajt.

“Klubi i Partizanit njofton arritjen e marëveshjes me NK Osijek për transferimin e trajnerit Zoran Zekiç. Tekniku kroat për shkak të arsyeve familjare ka kërkuar të vazhdojë profesionin afër familjes së tij dhe klubi i Partizanit pas dakordësisë me klubin kroat lejoi transferimin e Zekiç te NK Osijek. Falenderojmë trajnerin Zoran Zekiç për kontributin e tij në drejtimin e stolit të kuq dhe i urojmë suksese në karrierë. Në drejtimin e skuadrës do të vazhdojë stafi teknik i kryesuar nga Drejtori Sportiv Arbër Abilaliaj mbështetur nga Mario Kuiç, Renaldo Kalari, Kushtrim Voka dhe Marko Matijeviç”, njoftoi klubi i Partizanit. /zoom.al/

Katër shenjat e horoskopit që do të përjetojnë gjëra të bukura gjatë tetorit

Katër shenja të zodiakut do të përjetojnë një muaj të mrekullueshëm gjatë tetorit. Sipas astreologëve, Dashi, Gaforrja, Peshorja dhe Bricjapi duhet të presin gjëra të bukura gjatë këtij muaji.

Dashi

Dashi do të rrisë dëshirën e tyre për t’u lidhur dhe socializuar. Kjo është periudha e vitit kur duhet të përpiqeni të përqendroheni në marrëdhëniet tuaja me të tjerët dhe jo në atë që keni me veten tuaj. Ndërsa kjo mund të duket si një shpërqendrim nga ndjekjet tuaja të pavarura, ju lejon të forconi partneritetet tuaja në mënyra të reja.

Gaforrja

Gaforrja do të zbulojë se “prioriteti kryesor” i tyre në tetor është “lidhja, ekuilibri dhe intimiteti”. Është thelbësore të kesh jo vetëm një hapësirë ​​të sigurt për t’u tërhequr, por edhe mjedisin e duhur që mbështet dëshirën tënde për intimitet me të tjerët. Gaforrja do t’i përkushtohet marrëdhënies me familjen dhe kështu do të krijojë një hapësirë ​​të ngrohtë dhe të këndshme.

Peshorja

Për Peshoret, tetori është muaji kur merren me marrëdhënien e tyre me veten. Shikimi brenda do t’i lejojë Peshoret të shohin se çfarë duan nga marrëdhëniet e tyre. Peshoret do të jenë më të prirur për t’i dhënë përparësi vetes këtë sezon, gjë që do t’i lejojë ata të tërheqin marrëdhënie dhe mbështetje të shëndetshme. Ky muaj do t’i kushtohet plotësisht Peshores.

Bricjapi

Fati i Bricjapit do të sillet kryesisht rreth arritjeve në karrierë këtë muaj. Dhe kjo shenjë nuk do të jetë e vetme në arritjet e saj. Të tjerët do të dynden drejt tyre në momentin e suksesit të tyre të madh dhe i takon Bricjapëve që t’i lënë të afrohen.

“Na zbuluan, mami të dua” – Mesazhi i fundit i turistes që humbi jetën nga bombardimet në Izrael

Qindra persona kanë mbetur viktimë si pasojë e bombardimeve të nisura të shtunën nga Hamasi drejt Izraelit. Mes viktimave është edhe një turiste 22-vjeçare.

Caroline Balla kishte udhëtuar nga Gjermania drejt Izraelit për të vizituar shoqen e saj për disa ditë. Ajo zbriti në Izael të shtunën në mesditë, por vetëm pak orë më vonë do të niste lufta.

Historia e trishtë e vajzës së re është raportuar nga mediat e huaja, duke zbuluar edhe mesazhin e fundit që ajo ka shkëmbyer me nënën e saj.

“Jemi nën sulm, nuk e di kush janë. Jemi fshehur në një strehë. Mendoj se na zbuluan. Mami të dua”, ishte mesazhi i saj.

Pak sekonda më vonë, Hamasi sulmoi ndërtesën ku ajo qëndronte me të dashurin e saj, duke i vrarë të dy.

Grabitet një dyqan celularësh në rrugën “Myslym Shyri”

Një dyqan celularësh u grabit mbrëmjen e kësaj të marte.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.

Autori, ende i paidentifikuar, u fut brenda në dyqan duke mbajtur një armë zjarri dhe më pas grabiti një shumë parash.

Pasi grabiti, shtoi policia, ai u largua menjëherë nga vendngjarja.

Grabitësi ishte i veshur me kostum të kuq dhe mbante një kapelë, ky është i vetmi detaj që policia bën të ditur për mediat.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit./ Zoom.al

Ish -drejtori i policisë: Një zyrtar i lartë i policisë kishte dijeni për drogën e Gëzim Çelës

Një zyrtar i lartë i policisë së Shkodrës ka pasur dijeni një muaj më parë për 1.4 ton kanabis që baroni i dros gëGëzim Cela do të këmbente me kokainë me dy trafikantë ukrainas në detin Adriatik, 12 milje larg bregut të Patokut.
Kështu u shpreh në emisionin “Now me Erla Mëhillin” ish -drejtori i policisë, Shemsi Premci.

“Një drejtues i lartë policisë, ka qenë drejtues në Shkodër, e dinte para një muaji me saktësi që Gëzim Cela do të niste drogën”, tha ai.

Sipas ish -zyrtarit të policisë  kjo është provë që policia është e inkriminuar dhe se arrestimi i shefit të komisariatit të Lacit Dritan Metaj nuk është sic thotë ministri Balla “një vetëpastrim”, por pastrim i policëve të inkriminuar nga SPAK. /Zoom.al

 

Vilë, hotel, biznese, miliona euro – Radoiçiç heq dorë nga pasuria e tij në Serbi

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç ka hequr dorë nga pasuria e tij në Serbi.

Të paktën kështu njoftohet nga Agjencia për Regjistrar e Bizneseve të Serbisë.

Sipas njoftimit, Radojçiçi ka transferuar 40 për qind të aksioneve të tij që kishte në pronësi te kompania “Inkop”, përkatësisht te partnerët e tij të biznesit, vëllezërit Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç.

Sipas “Radio Evropa e Lirë”, Radoiçiç gëzonte edhe pesë kompani, ambiente biznesi, një hotel në Kopaonik, një vilë në një pjesë elitare të Beogradit dhe miliona euro.

Kompanitë e Radoiçiç, shton REL, fituan mbi 24.5 milionë euro vetëm në vitin 2022, ndërsa kanë lidhur kontrata të vlefshme me shtetin me qytetet në Serbi dhe ndërmarrje të ndryshme publike.

Milan Radoiçiç mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku humbi jetën polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Pasi pranoi autorësinë, ai u dorëhoq nga pozicioni i nënkryetarit të Listës Serbe.

Dosja e Qatos në SPAK – Ish-punonjësja pranon rolin e “kompanisë në hije” të tenderit 19 mln euro

Nëntë nga dhjetë dëshmitarët e thirrur në procesin gjyqësor për t’u pyetur në funksion të çështjes penale në ngarkim të ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Sonila Qato si dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, parashtruan të martën më 10 tetor në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e konstatuara prej hetimit.

Qato dhe vartësit e saj akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, se favorizuan një shoqëri në hije për tenderin e tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq – Delvinë. Shoqëria “Sulova Ndërtim Prodhim” pjesë e bashkimit të operatorëve që u rendit fillimisht i pari, vlerësohet prej SPAK se është krijuar formalisht për të përfaqësuar në këtë procedurë tenderimi interesat e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, që sipas akuzës ishte fituesja e vërtetë e paracaktuar nga drejtuesit dhe zyrtarët e ARRSH-së. Qato dhe vartësit e saj i kanë mohuar akuzat.

Sipas Prokurorisë, Agron Hysa ka vajtur fillimisht në Itali dhe i ka kërkuar shoqërisë “IRCOP Italia” që të marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi, i shoqëruar nga punonjësja Joana Myzeqari.

E pranishme në gjykatë si dëshmitare të martën, Myzeqari konfirmoi se kishte pasur komunikime me IRCOP lidhur me këtë procedurë prokurimi. Myzeqari deklaroi se ka punuar në shoqërinë “Vëllezërit Hysa” gjatë periudhës 2017-2019 dhe se merrej me çështje administrative.

Në përgjigje të pyetjes së prokurorit Elvin Gokaj, nëse ajo e njihte shoqërinë italiane IRCOP, Myzeqari deklaroi se kishte pasur edhe komunikime. Ajo sqaroi se kishte patur si detyrë që të gjente një shoqëri bashkëpunuese për një tender.

Sipas dëshmitares, njëherë ajo kishte udhëtuar në Itali për të kyer takim me “IRCOP…”, së bashku me administratorin e shoqërisë “Vëllezërit Hysa”, Agron Hysa dhe një herë kishte shkuar e vetme. Myzeqari deklaroi se kishin paraqitur tek “IRCOP…” dokumentet e tenderit të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Myzeqari u pyet edhe nga përfaqësuesi ligjor i Qatos, avokati Vladimir Meçe, mbi detyrën e saj pranë shoqërisë “Vëllezërit Hysa. Ajo deklaroi se ishte marrë me projekte dhe bënte rolin e koordinatores, por se nuk e kishte parë se çfarë pozicioni ishte shënuar në kontratën e punësimit.

Meçe i drejtoi pyetjet ndaj dëshmitares tek i njëjti mikrofon që ajo jepte përgjigjet, çka solli ndërhyrjen e gjyqtares Irena Gjoka. “Duket sikur e intimidoni,” tha Gjoka, ndërsa kërkoi nga avokati që të përdorte mikrofonin tjetër.

Edhe në përgjigje të pyetjeve të avokatit Meçe, dëshmitarja Myzeqari konfirmoi se kishte shkuar për të takuar përfaqësuesit e “IRCOP…” dhe se një herë kishte qenë së bashku me Agron Hysën.

Ajo sqaroi se fillimisht ishin kontaktuar rreth 100 kompani, një pjesë e të cilave nuk kishin kthyer përgjigje dhe se në përfundim ishin dakordësuar me “IRCOP…”.

Meçe vijoi me pyetje të shpejta duke insistuar që dëshmitarja të jepte një përgjigje për mënyrën se si i kishte marrë dokumentet e tenderit. Kur ajo po kthente përgjigje, ai iu drejtua duke i thënë: “Qenke injorante”.

Kryesuesja e trupit gjykues, Irena Gjoka i tërhoqi sërish vëmendjen avokatit Vladimir Meçe dhe ai deklaroi se e tërhiqte atë që tha për dëshmitaren.

Mes dëshmitarëve që dhanë deklarime ishte edhe Elton Musta, administratori i shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, që dyshohet se është krijuar nga vëllezërit Hysa për t’u përfaqësuar në tenderin në fjalë.

Musta deklaroi se punon si ekonomist tek vëllezërit Hysa, ndërsa sqaroi se tek kompania “Sulova Ndërtim Prodhim” kishte qenë administrator dhe ortak i vetëm. Ai pohoi se detyrimet e kompanisë i kishte shlyer nga të ardhurat prej punimeve që kishte kryer në atë periudhë. Musta tha se kishte marrë mjete me qira nga shoqëria “Vëllezërit Hysa” dhe po ashtu u kishte dhënë atyre mjete kundrejt qirasë.

Dëshmi të përmbledhura dhanë edhe punonjës të ARRSH-së dhe përfaqësues të disa shoqërive, ndërkohë që prokurori Elvin Gokaj kërkoi më shumë kohë për të përgatitur pyetjet për dëshmitarin Rrok Gjoka, administratori i “Gjoka Konstruksion” që akuzoi Qaton se kishte manipuluar procedurat e tenderit duke favorizuar një prej bashkimeve të operatorëve konkurrues, që kishte një ofertë rreth 4 milionë euro më të lartë. Në përfundim, “Gjoka Konstruksion” u shpall fituese e atij tenderi dhe kreu punimet.

Kërkesa e Gokajt u pranua dhe u vendos që Gjoka të pyetet në seancës e ardhshme.

Në fillim të seancës, përfaqësuesja ligjore e të pandehurit Simon Prendi, avokatja Antoneta Sevdari paraqiti një kërkesë për prova. Ajo i kërkoi gjykatës ndër të tjera që të administrojë në formën e kërkuar nga ligji një shkresë që “Gjoka Konstruksion” i kishte drejtuar ARRSH-së për fond shtesë. Sipas saj, vetë Gjoka Konstruksion vërente se tuneli kishte qenë më i gjatë se e kishte parashikuar kur kishte garuar dhe kishte kërkuar fond shtesë.

Gjykata u shpreh se mbrojtja e të pandehurit Prendi duhej të vërtetonte më parë se ishte në pamundësi objektive për të siguruar këtë shkresë në formën e kërkuar nga ligji dhe pastaj do të mund të kërkohej investimi i gjykatës.

Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 24 tetor, në orën 09:00, kur veç Gjokës do të pyeten edhe 10 dëshmitarë të tjerë./ Reporter.al

MASAKËR/ Terroristët e Hamas-it u presin kokat foshnjeve

Terroristët e Hamas-it kanë bërë masakër në një fshat, pranë kufirit të Gazës, që prej dy ditësh është i pushtuar nga militantët e Hamasit.

Izraeli pretendon se në Kfar Aza janë masakruar të paktëm 40 foshnja e fëmijë.

Ushtarët izraelitë thonë se u përballën me një skenë tmerri kur rimorën kontrollin e fshatit.

Ata gjetën trupat e pajetë të dhjetëra banorëve, ndërsa reporterja e i24News, Nicole Zedek tha se një ushtar i kishte rrëfyer asaj se kishin gjetur gra dhe foshnja me kokë të prerë.

Familje të tëra, sipas Izraelit, u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre dhe u qëlluan për vdekje.