zoom

Day ArchiveHakmarrja e Izraelit, Netanyahu: Banorët e Gazës të largohen

Sulmet militante të Gazës që kanë lënë të paktën 200 njerëz të vdekur dhe qindra të plagosur janë të paprecedentë, tha të shtunën mbrëma kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

“Ajo që ndodhi sot nuk është parë kurrë në Izrael. Ne do të marrim hak të fuqishëm për këtë ditë të zezë,”- deklaroi Netanyahu në një fjalim televiziv nga Zyra e Shtypit e Qeverisë së Izraelit, e cila u transmetua nga Reuters.

“Izraeli do të arrijë çdo vend ku Hamasi fshihet”, tha Netanyahu, duke iu referuar grupit militant pas sulmeve.

Ai u bëri thirrje banorëve të Gazës, që të largohen menjëherë.

“Unë u them njerëzve të Gazës që të largohen nga ato vende tani”, tha ai.

Kryeministri iu referua gjithashtu ushtarëve dhe civilëve izraelitë të marrë peng nga luftëtarët e Hamasit.

“Unë i them Hamasit, ju jeni përgjegjës për fatin e robërve. Izraeli do të zgjidhë hesapet me këdo që i dëmton ata”, tha kryeministri./ Zoom.al

Biden: SHBA-ja gati t’i ofrojë Izraelit të gjitha mjetet e duhura të mbështetjes

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se i tha kryeministrit Benjamin Netanyahu në telefonatën e tyre më herët sot, se “ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha mjetet e duhura të mbështetjes për qeverinë dhe popullin e Izraelit”.

“Terrorizmi nuk justifikohet kurrë. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij. Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë kundër çdo pale tjetër armiqësore ndaj Izraelit që kërkon përfitime në këtë situatë. Mbështetja e administratës sime për sigurinë e Izraelit është e fortë dhe e palëkundur”, thotë Biden në një deklaratë që dënon sulmin e befasishëm të Hamasit këtë mëngjes në Izraelin jugor dhe qendror.

Lajmi u bë i ditur nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke cituar njoftimin për shtyp.

“Jill dhe unë po lutemi për të gjitha familjet që janë lënduar nga kjo dhunë. Jemi zemërthyer nga jetët e shkurtuara tragjikisht dhe shpresojmë për një shërim të shpejtë për të gjithë ata që janë plagosur”, shton ai. “Ekipi im dhe unë po e ndjekim nga afër këtë situatë dhe do të mbetem në kontakt të ngushtë me kryeministrin Netanyahu”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në rajonet jugore izraelite duke dënuar sulmet e Hamasit kundër Izraelit.

“Ne dënojmë pa mëdyshje sulmet e tmerrshme të terroristëve të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet me qeverinë dhe popullin e Izraelit dhe shprehim ngushëllimet tona për jetët izraelite të humbura në këto sulme”, theksoi kryediplomati amerikan.

Shtëpia e Bardhë deklaroi më herët se presidenti amerikan Joe Biden është informuar nga zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në lidhje me sulmin e vazhdueshëm ajror dhe tokësor të Hamas-it në qytete në Izraelin jugor dhe qendror.

“Presidenti do të vazhdojë të marrë përditësime dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët izraelitë”, thotë Zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë në një deklaratë./ Zoom.al

“Largohu”- Ermonela Jaho rrëfen xhelozitë dhe si tentuan t’i sabotonin shfaqjen në Shqipëri

Sopranoja shqiptare me fame botërore, Ermonela Jaho, ka rrëfyer se tentuan t’i sabotonin shfaqjen e saj kur u rikthye të interpretonte në Shqipëri.

Aristja, e ftuar në podcast-in e Edi Ramës “Flasim” tregoi se kur hyri në opera nuk gjeti as konstumin dhe i dhanë një letër anonime ku i kërkonin të largohej.

“Neve kemi këngëtarët tanë. Të ftojmë të largohesh”, i shkruhej në letër. Por soprano vendosi të mos dorëzohej, por grisi letrën, ndryshoi regjinë dhe nisi të performonte në skenë.

Pjesë nga biseda: 

Ermonela Jaho: Impakti i parë, ka qenë kur ka ardhur me një opera. Arrita në shfaqe që nuk gjeja më, një orë para shfaqjes nuk gjeja më as kostumin. Më dhanë një letër anonime në skenë. Ky ka qenë impakti i parë. Por nuk ishte më ajo Ermonela, këndova, e grisa letrën.

Kryeministri Edi Rama: Të dhanë një letër anonime, pra letra e rolit dhe brenda ishte shkruar diçka tjetër

Ermonela Jaho: E grisa atë letrën, ndryshova regjinë.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë shkruante letra?

Ermonela Jaho: “Neve kemi këngëtarët tanë. Të ftojmë të largohesh”, këto gjëra. Unë e mora. Mbaj mend babai im më shikonte. Mbaj mend se atë shfaqe e bëra për të kënaqur tim atë. Regjia e donte – se ishte opera komike, – që të merrja këtë letër tani, të bëja atë skenën, ta merrja me vete dhe do ta çoja te personazhi tjetër. Po si është ajo, si reagon njeriu, kur ka atë. Ti mund t’i mësosh disa gjëra në studio, por betejën në fushë, domethënë, ajo taktika në fushën e betejës ndryshon disa gjëra, dhe duhet të jesh gati ta kapësh. Dhe mbaj mend kapa letrën, e grisa e mbaj mend e kam bërë si topa bore. Si një fëmijë i vogël e kam hedhur, e kam kënduar dhe si s’më dolën rrylat, kur i thonë asaj vetëm që të thoja e mora vesh, por unë jam këtu tani. Kjo është hera e parë.

Hera e dytë më vonë ka qenë, jam pritur jashtëzakonisht mirë dhe ti ke qenë edhe vetë domethënë pjesë e publikut, kur unë jam kthyer me “Madam Butterfly-in”. Dhe mbaj mend ai ka qenë një rikthim që s’kam për ta harruar sa të jetoj. Se ishte për herë të parë dhe më prek. Se mund të duartrokitesh nga bota, po neve ndoshta jemi rritur në këtë mënyrë. Po kemi nevojë për atë vlerësimin e bërë në gjuhën tënde. Është diçka që, jo se do t’ia provosh dikujt, por ka një vlerë tjetër. Dhe s’kam për ta harruar, ai publiku atje, salla plot.

Ti ishe aty, respekti që më bërë, ditën e nesërme që më ftove në Kryeministri dhe jam ndjerë, jam ndjerë si ai fëmija që kthehet në Shqipëri, kur kthehet nga një rrugë e gjatë që me zor pret të përqafojë nënën dhe babanë, ti marrësh  erë çdo qosheje, atë erën e gjellës, atë erën e çdo gjëje që je rritur. Mori një dimension më të madh. Edhe u ndjeva e pranuar, mund ta them, – ndoshta është një shenjë dobësie, – e pranuar nga vendi im. Dhe ai ka qenë momenti, një nga momentet më të bukura. Dhe nga ai moment i bërë një premtim vetes, që thashë do kthehem përsëri, jo vetëm për të marrë këtë adrenalinën.

Përplasja me Dafina Zeqirin, Sara Hoxha rrëfen: S’kam mëri e xhelozi për ish të dashurat e Ledrit

Sara Hoxha ka folur për herë të parë rreth arsyes së prishjes së marrëdhënies së saj me Dafina Zeqirin.

Blogerja u shpreh se këngëtaren e kishte më shumë se shoqe dhe nuk e ka “shfrytëzuar” asnjëherë atë.

Ajo theksoi se nuk mban mëri ndaj ish të dashurave të Ledri Vulës dhe as mëri, duke shtuar se nuk e kuptoi arsyen Dafina Zeqiri u mërzit nga komenti i reperit.

Sara Hoxha: Nga gjithë këto zhurma që bëhen që gjërat transmetohen me idenë që të bëjnë sa më shumë klikime, sa më shumë bujë. Unë nuk kam dashur të flas për këtë temë, por kam qenë shumë okay me Dafinën apo gjithë ish të dashurat e Ledrit. I kam takuar apo nuk i kam takuar, unë nuk kam aty pse të bëhem xheloze apo të mbaj mëri.

Unë kam ndenjur edhe me Dafinën dhe ajo është sjellë aq mirë me mua saqë më ka bërë edhe mua të ndihem me të vërtetë mirë. Nuk e di çfarë ndodhi, vërtetë që nuk e di. Nuk e di pse ajo u mërzit aq shumë. Ka qenë një koment që Ledri ka bërë tek një post i Dafinës. Unë, e mora si shaka. Domethënë, unë si partnerja e Ledrit nuk e mora me idenë që ai po e ngacmon apo diçka e tillë.

Vërtetë që nuk e di pse u mërzit, pse foli për njerëz mosmirënjohës sepse unë Dafinën nuk e kam shfrytëzuar kurrë. Ne kemi qenë, jo shoqe, por shumë të afërta. Madje edhe shumë më të afërta seç duhej. Madje shpesh mendoja se ajo është shumë e mirë dhe ti nuk ke se si sillesh ndryshe kur ajo sillet shumë mirë.”

 

”Luftë” në Kukës, ultrasit e Tiranës dhe Vllaznisë përplasen fizikisht

”Luftë” ultrasish në Kukës, ndërmjet tifogrupit të Tiranës dhe atyre të Vllaznisë.

Në përfundim të ndeshje, të cilën Tirana e fitoi 1-0, ekipet u nisën drejt kryeqytetit dhe Vllaznisë.

Tifozët shkodranë, të irrituar pas humbjes, kanë sulmuar ata të Tiranës, në Reps.

Një kaos i vërtetë i krijuar në rrugë, ku tfiozët godasin njëri-tjetrin me sende të forta.

Sherri nisi në një vend pushimi, në Reps, ku ultrasit shkodranë, pasi zbritën nga autobusi, filluan duke ofenduar mbështetësit e skuadrës Tiranës.

Më pas, situata u acarua, duke kaluar në gjuajtjen e sendeve të forta dhe përleshja mes palëve u bë e pashmangshme. /zoom.al/

Vajza e tij në luftë për jetën, gazetari merr dhuratën prekëse: M’u duk si rikthim i saj në shtëpi

Gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani ka marrë një surprizë prekëse teksa po përballet me një nga sfidat më të vështira të jetës së tij.

Teksa u rikthye në vendlindjen e tij, në Dibër, gazetarit iu dhurua një pikturë e vajzës së tij, Luna, e cila prej 6 muajsh është në luftë për jetën.

Ajo ndodhet në një spital në Berlin të Gjermanisë, ku edhe po kurohet. Ndërsa vetë gazetari po ndan jetën e tij mes Berlinit dhe Gjermanisë.

“Post veprimtarisë shumë emocionuese :”Rikthim në fëmijëri” realizuar me shumë sukses në Shkolla Ajet Ndreu në Sllovë të Dibrës, një dhuratë surprizë më përloti dhe më la pa fjalë… Kolegu dhe miku im i mirë Isuf Myrtaj, kish realizuar mjeshtërisht me piktorin Avni Çela, një vepër artistike dedikuar vajzës sime Luna D. Methasani e cila prej gjashtë muajsh ndodhet për kurim në Berlin të Gjermanisë.

Mu duk se piktura ishte fletë-dalja nga spitali dhe rikthimi i saj në shtëpi. Shumë falenderime Isuf ty për idenë, mendimin dhe gjestin, piktorit duar artë për punën e bukur, por dhe miqve gazetarë Bashkim Tufa, Rrok Preçi, Moisi Dalipaj, Altin Sulce, Eno Skarço dhe Jonuz Hallaci, që erdhët nga Tirana dhe ishit të pranishëm në ish shkollën ku unë mësova dhe mora të parën dashuri për njerëzit dhe vendin, duke dashur ti rikthej respektin dhe mirënjohjen time…”, shkroi Dëfrim Methasani.

Pamje rrëqethëse! Kundërpërgjigjet Izraeli, avionët bombardojnë bazat e Hamasit në Rripin e Gazës

Izraeli është kundërpërgjigjur pas sulmit me raketa nga Rripi i Gazës nga grupi i Hamasit.

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur disa ndërtesa në qendër të qytetit të Gazës, duke përfshirë një ndërtesë 11-katëshe të quajtur Palestine Tower.

Në godinën ndodhen stacionet radiofonike të Hamasit dhe gjithashtu ka një kinema.

Izraeli ka nisur sulme hakmarrëse në Rripin e Gazës, thonë zyrtarët atje, pas një sulmi të paprecedentë në territorin izraelit nga militantët palestinezë mëngjesin e së shtunës.

Numri i të vdekurve deri tani ka shkuar 150 viktima në Izrael, ndërsa raportohet për të paktën 1000 të plagosur.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

“Vdekje Izraelit”- Irani përgëzon Hamasin për sulmin me raketa: Palestina është fitimtare

Një këshilltar i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, ka përgëzuar luftëtarët palestinezë për fillimin e sulmit më të madh ndaj Izraelit në vite, njoftoi faqja gjysmë zyrtare e lajmeve ISNA.

“Ne i urojmë luftëtarët palestinezë”, tha Yahya Rahim Safavi. “Ne do të qëndrojmë pranë luftëtarëve palestinezë deri në çlirimin e Palestinës dhe Jeruzalemit.”

Në një sulm të befasishëm, grupi palestinez Hamas lëshoi nga Rripi i Gazës bresheri raketash mbi qytete izraelite të shtunën.

Televizioni shtetëror i Iranit publikoi video të anëtarëve të parlamentit që ngriheshin nga vendet e tyre të shtunën për të brohoritur “Vdekje Izraelit” dhe “Palestina është fitimtare, Izraeli do të shkatërrohet”.

Makthi nga çimkat! Çfarë shkaktojnë këto insekte të dëmshme dhe shumë rezistente

Një nga gjërat më të këqija që shkaktojnë çimkat, dhe ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë nuk e dinë, është paniku që shkaktojnë dhe që zgjat me vite të tëra edhe pasi ke shpëtuar prej tyre. A është pickimi i tyre i ndryshëm nga pickimi tipik i mushkonjave? Kur sheh një pickim mund të thuash pa problem që është pickim çimke! Po kur sheh një varg pickimesh rreshtuar njeri pas tjetrit? Edhe atëherë mund të thuash që është pickim çimke! A keni gjetur ndonjëherë në dyshemenë e banesës një insekt që nuk e dini çfarë insekti është? Pikërisht – ai mund të jetë çimkë!

Njeriu bëhet paranojak. Më besoni, unë e di mirë për çfarë po flas. Disa ditë pas kthimit nga një pushim që kalova në Rumani në verë të vitit 2016, unë pashë që kisha në lëkurë gunga që më kruheshin shumë. Kur shkova tek mjeku mësova se ishte tamam ajo prej së cilës kisha frikë se kish ndodhur, më kishin zënë çimkat.

Ky lloj paraziti ka qenë i përhapur në shekullin e 20-të, pastaj u zhduk për disa dekada. Dhe që nga fundi i viteve nëntëdhjetë, çmikat janë kthyer sërish. Ato gjenden kudo, jo vetëm në hotelet e lira e të papastra, por edhe në hotelet me apartamente luksoze e të shtrenjta, gjenden në mobiljet e përdorura që blihen në eBay, gjenden në valizhet që ndodhen pranë valizheve tuaja në bagazhet e avionëve. Dhe prej andej ato kalojnë në banesë.

Kujdes nga çimkat që infektojnë krevatet

“Ka të dhëna që tregojnë se numri i çimkave është rritur shumë dhjetë vitet e fundit,” thotë Heather Lynch, studiuese në fushën e punës sociale në Universitetin Caledonian të Glasgout. Lynch merret me çimkat, në kuadër të një projekti studimor.

Claudia Kasig nga firma JamiroTec, që merret me luftimin e insekteve të dëmshme, e di që numri i çimkave është rritur vitet e fundit nga 4000 në 6000 përqind. Nuk jemi duke bërë ndonjë gabim, shifrat janë vërtet kaq të larta – 4000 deri 6000 përqind!

Lynch thotë, se ka shumë arsye pse çimkat janë ringjallur. Udhëtimet e shumta, janë një nga arsyet, kur njerëzit fluturojnë me avionë, kalojnë natën në hotele dhe kështu përhapin çimka. Studiuesja paralajmëron edhe nga rreziqet që vijnë prej kthimit imun të çimkave ndaj kimikateve që përdoren për t’i luftuar ato.

“Super-çimka” i quan Lynch parazitët rezistentë. Superçimka. Ato do më dalin mua në gjumë sonte.

Dhe ju jeni duke u kruajtur? Atëherë pyesni si mund ta dini nëse ju kanë zënë apo jo çimkat. Vetë pickimet, puçrat e ngritura që ndodhen në një linjë në lëkurë, janë dëshmia e qartë se ju kanë zënë çimkat. Por ju mund të gjeni në çarçaf edhe pika gjaku dhe njolla të vogla të zeza. Gjaku vjen nga pickimet, pikat e zeza janë jashtëqitja e çimkave, pasi ju kanë pickuar juve mirë e mirë. Tingëllon e pështirë, por për fat të keq kështu ndodh.

Ndërroni çarçafët dhe kontrolloni dyshekun. Ngrijeni dyshekun dhe kontrollojeni nga poshtë, sepse aty ndodhen me siguri buburrecat ovalë, ngjyrë kafe, vetëm disa milimetra të gjatë.

Gjetët ndonjë? Sa keq. E vetma gjë që mund të të ndihmojë në këtë rast është të marrësh në telefon shfarosësin e insekteve të dëmshme. Sepse është pothuajse e pamundur t’i luftosh çimkat vetë. Banorët e banesave me qira në Glasgou, të cilët janë intervistuar nga Lynch kanë disa gjëra për të thënë për këtë, por për këtë do të flasim më vonë.

“Shumë e vështirë t’i kapësh ” 

Dhe çfarë bëjnë tamam shfarosësit e insekteve të dëmshme, për të çliruar banesën tuaj nga shpirtërat e veckël torturues? Jo të gjithë eskpertët e spërkasin me helm banesën në gjithë sipërfaqen e saj.

“Ajo që bëjmë ne është sjellja e pajisjeve dhe nxehja e shtëpisë së klientit në temperatura nga 60 në 70 grad Celsius”, shpjegon Kasig. Ajo është përfaqësuese zyrtare e firmës JamiroTec, një firmë që merret me luftimin e insekteve të dëmshme me qendër në Bremen. “Kjo temperaturë shkakton rritjen e temperatures të çimkave deri në 48 gradë. Kështu bllokohet prodhimi i proteinave dhe çimkat ngordhin.”

Por edhe tek kjo metodë përdoret pak helm. Helmi hidhet në rrugët prej ku mund të largohen çimkat, në mënyrë që sa më pak prej tyre të shpëtojnë gjallë. JamiroTec përdor po ashtu qenin që nuhat çimkat, Jamiron, dhe me këlyshin e vogël Ramirez është duke përgatitur brezin e ri të qenve që nuhasin çimkat.

Megjithatë shanset janë të pakta që çimkat të zhduken që me përpjekjen e parë për t’i lufuar. “Është shumë e vështirë t’i zësh çimkat. Ato fshihen tek çelësat e dritës dhe prizave dhe dërrasat e dyshemesë. Ato vendosen në laptop, në aparatin fotografik, ose tek një libër i trashë, brenda kapakut”, thotë Kasig. “Dhe ato mund të jetojnë një vit të tërë pa thithur gjak.” Një vit të tërë. Një problem tjetër është se çimkat përdorin të gjitha vendet ku fshihen për të lëshuar vezët. Mund të ndodhë që muaj të tërë të mos shohësh asnjë çimkë, kur një ditë ato dalin të gjalla sërish ose dalin çimkat e reja që lindin.

Të jetosh bashkë me çimkat 

Lufta kundër këtyre përbindëshave të vegjël është e lidhur me kosto të larta. Në fund unë u detyrova të jepja 600 euro për faturën e shfarosësit të çimkave dhe faturën e hotelit, sepse gjatë kohës që luftohen çimkat nuk mund të qëndrosh në banesë. Por mundësia tjetër që mua më thanë për të shpëtuar nga çimkat, ishte të digjja të gjitha plaçkat e shtëpisë, por unë nuk pranova.

Banorët e lagjes Govanhill të Glasgout ndoqën një rrugë tjetër, megjithëse nuk e bënë këtë krejt vullnetarisht. Govanhill është lagjia multikulturore e Skocisë, aty fliten 64 gjuhë të ndryshme. Por kjo lagje njihet edhe për kushtet e vështira të banimit dhe për varfërinë.

Çimkat janë përhapur shumë në këtë lagje dhe banorët e saj mundohen tani të mësojnë të jetojnë me këta parazitë. Lagja ka madje një njësi të vetën për luftimin e insekteve të dëmshme, por banorët kanë parë se shfarosësit e insekteve nuk janë edhe aq efektivë, për shembull kur spërkasin vetëm një herë një banesë.

Një grua i tregoi Lynch-it, se shfarosësi i insekteve erdhi në banesën e fqinjit të saj, pak pasi kishte qenë tek banesa e saj më parë. Ajo vuri një copë leckë në tubin e vogël të ventilimit në murin e përbashkët me të tjerët dhe pasi banesa e fqinjit u spërkat me helm e morri leckën. Në të kishte çimka. Ato i kishin shpëtuar gazit, duke shkuar në banesën e fqinjit nëpërmjet tubit të ventilimit.

Por pavarësisht nga mungesa e parave, për të marrë një shfarosës më të mirë insektesh ose për t’u larguar fare nga kjo lagje, shumë banorë të Govanhillit kanë hequr dorë edhe për arsye shëndetësore, nga spërkatja banesave me kimikate një herë në gjashtë muaj.

“Ata blejnë furça me avull që luftojnë çimkat dhe kanë plane shumë strikte pastrimi, pra përdorin metoda pa kimikate, për të shpëtuar nga insektet, metoda që janë më të shëndetshme për familjet e tyre,” tregon Lynch.

Ajo vë theksin edhe tek aspektet e mbrojtjes së ambientit. “Po të kesh para, ti mund të shpëtosh nga një situatë e keqe me çimkat. Ne të gjithë duam të kemi jetë të dizinfektuar, të pastër, të patrazuar, por për të arritur këtë shkaktojmë shumë dëme. Këto probleme mjedisi nuk largohen lehtë, prandaj unë mendoj se ne mund të mësojmë nga banorët e Govanhillit. Ata nuk mendojnë se janë viktima, mendojnë se janë inovativë dhe pragmatikë.”

Si mund t’i mbash çimkat larg

Më e mira është që makthin e çimkave ta mbash larg që nga fillimi. Duke penguar ardhjen e parazitëve në banesë. Kur shkoni në udhëtime, vendoseni valixhen kur ktheheni në shtëpi menjëherë në vaskë. Çimkat nuk ngjiten dot në muret e shkëlqyeshme të vaskës. Kontrolloni dyshekun dhe kokën e krevatit mos shihni njolla të dyshimta, dhe sigurisht mos shihni vetë çimkat. Veshjet e palara mos i lini shpërndarë nëpër dhomë, por mbajini brenda në valixhe e çanta, sepse siç ka treguar një studim i Universitetit të Sheffield-it në Angli, çimkat tërhiqen shumë nga era e rrobave të palara.

Gjëja më e mirë që mund të bëni pas kthimit nga një udhëtim, është të lini të gjitha çantat e udhëtimit në një frigorifer për 48 orë rresht. Kjo ngordh parazitët. Veshjet që keni pasur në udhëtim duhen larë në temperaturë 60 gradë. Sipas Kasig, kjo nuk është metodë edhe aq e suksesshme. “Lavatriçet e sotme që harxhojnë pak energji, i mbajnë rrobat vetëm disa minuta në 60 gradë, kështu që disa çimka mund të mbijetojnë.”

Në aeroportin e Frankfurtit, ju mund të kërkoni që valixhet tuaja të hetohen nga një ekip qensh që nuhasin çimkat. Frankfurti është aeroporti i parë në Gjermani, që ofron shërbim të tillë. Para udhëtimit duhet të regjistrohesh për këtë shërbim. Kostoja është rreth 100 euro. Por kjo është shumë më e lirë se sa lufta kundër parazitëve, kur shkoni në shtëpi dhe ju shpëton nga drama e paniku që ka pasoja afatgjata. /DW

Fotot/ I fali tradhtinë! Modelja dhe Neymar mirëpresin në jetë vajzën, i zbulojnë emrin

Neymar dhe partnerja e tyre, Bruna Biancardi kanë mirëpritur në jetë e fëmijën e tyre të parë.

Futbollistit më të shtrenjtë në botë iu dha leja nga klubi i ri Al-Hilal për të udhëtuar Brazil për të qenë pranë partneres në momentin e lindjes së vajzës.

“Mavie jonë mbërriti për të përmbushur jetën tonë. Mirë se vjen, bijë”, shkroi futbollisti në një postim në Instgram, krahas disa imazheve me patneren dhe vogëlushen e porsalindur.

Mavie është fëmija i parë i çiftit, ndërsa Neymar edhe djalin 12-vjeçar, Davi Lucca, nga lidhja e tij me Carolina Dantas.

Ish-ylli i Barcelonës Neymar është në lidhje me modelen që nga viti 2021. Ajo njoftoi se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë në prill para se të zbulohej tradhtia e Neymar publikisht.

Ylli i Al-Hilal u filmua duke festuar me dy vajza misterioze në një klub nate në Spanjë, por modelja vendosi t’ia falte tradhtinë.