Aplikacion
Publikohen pamjet nga shpërthimi i fuqishëm pranë banesave në Borizanë.
Gurorja u bë mollë sherri mes fisit Rraja dhe Maja.
Ndërsa ditën e djeshme, fisi i deputetit Rraja ka dhunuar barbarisht, me shkopinj bejsbolli dy kushërinjtë të fisit Maja në Borizanë, të cilët guxuan të ankohen për dëmet që gurorja po i shkaktonte banesave të tyre.
Vëllezërit kanë ngrirë
Kryeministri i Shqipërisë darkon me Presidentin e Serbisë, por nuk takon, me gjithë lutjet e thirrjet në kanun, Kryeministrin e Kosovës. Ajo që dukej e pamendueshme u bë e pashmangshme. Shkaku është qëndrimi i Edi Ramës për krizën në Veri të Kosovës, por rrënjët e krizës janë më thellë.
Mungesa e shtrëngimit të duarve mes dy liderëve është maja e ajsbergut të problemeve dhe keqkuptimeve të krijuara gjatë këtyre 3 dekadave në marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë gjithçka të përbashkët.
Kriza nuk shpjegohet vetëm me raportet më të mira që ka Kryeministri i Shqipërisë me Presidentin e Serbisë.
Kriza aktuale shkon përtej konfliktit në Veri të Kosovës, përtej marrëdhënieve të mira që ka Tirana me Beogradin dhe përtej përplasjes së personaliteteve të forta të Kurtit me Ramën. Nuk mjafton një foto për të mbuluar shtratin e problemeve dhe kriza nuk zgjidhet as me referimet në Kanunin e Lekë Dukagjinit as me mbylljen në shtëpi si Oso Kuka.
Është koha për një bisedë me të hapur dhe më të sinqertë!
Kriza e komunikimit.
Përdorimi i twiterit, diplomacia e megafonit dhe trollet on line dëshmojnë jo vetëm krizën në komunikim, por edhe mungesë dëshire për të tejkaluar situatën e majisur prej kohësh.
Retorika “tradhëtar” vs “patriot”, “mik” vs “armik” e deri te idiotësitë e shprehura në thirrje publike “mos shkoni në plazhet e Shqipërisë” janë tregues se sa larg kanë shkuar punët mes “vëllezërve”. Vëllezërit kanë ngrirë.
Kriza është edhe problem komunikimi. Dhe në kushtet kur dy qeveritë drejtohen nga dy liderë të fortë (secili ka përballë një opozitë më të dobët se tjetri), personalizimi i shtetit, bën që edhe dielli edhe retë të varen nga humori i dy personaliteteve.
Kriza e sotme është në kontekst të krizës më të madhe që po kalon Kosova që nga çlirimi i vendit.
Në Prishtinë janë të befasuar disa herë me qëndrimin zyrtar të Tiranës.
Ideja e Ballkanit të Hapur u shpall nga Kryeministri Rama, në tetor të 2019 pas asnjë konsultim me udhëheqjen e Kosovës. Në Prishtinë nuk është e lehtë të kuptojnë as përkrahjen/përfshirjen indirekte në projektin e shkëmbimit të territoreve dhe aq më pak dobinë e Ballkanit të Hapur.
Ballkani i Hapur është sot kapitull i mbyllur, por janë katër vite mos kuptim në Prishtinë pse Shqipëria ndodhet në krah të Serbisë dhe karshi Kosovës!
Anullimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive me pretekst “formatin e bisedimeve” ishte një tjetër befasi e pakëndshme. Dhe në kulmin e krizës në Veri të Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë u soll më shumë në rolin e një negociatori rajonal/ndërkombëtar të pa kërkuar. Mundet që privatisht ai të ketë luajtur rolin e avokatit të Kosovës, por publikisht u shfaq si prokuror apo si zëri më vokal në paralajmërimet se “po nuk bëtë këtë, do t’iu pres kjo”. Paraqitja e projektit të asosacionit, u bë pa vënë në dijeni Kryeministrin e Kosovës dhe propozimi publik për Konferencë ndërkombëtare u bë pa asnjë konsultim dhe sqarim çfarë synon dhe cilat do të jenë modalitetet e këtij aksioni.
Vëllai i madh dhe vëllai i vogël
Ibrahim Rugova, ende pa u shpallur Kosova Republikë e shihte të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës si “dy vëllezër” që secili ka shtëpinë e tij.
Por Kosova nuk duhet të trajtohet dhe të ndihet si vëllai i vogël karshi vëllait të madh. Vëllai i madh nuk është kujdestar i të voglit dhe i vogli nuk ka pse të ketë pritshmëri çfarë po bën vllau për mua. Koha e “shteti amë” i përket historisë.
Janë dy vëllezër që secili ka çatinë më vete dhe duhet të kujdesen që të mbështesin njëri-tjetrin në të mirë e në të keq dhe jo të diktojnë apo të krijojnë pritshmëri jo realiste. Ndërtimi i çatisë nënkupton që si Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete funksionale, të parashikueshme dhe nën sundimin e fortë të ligjit dhe institucioneve. Me një fjalë sfida si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë është: shteti!
Koha kur Tirana shihej dhe vlerësohej në qendrat vendim marrëse në Perëndim si ndikues i rëndësishëm te faktorët shqiptarë në rajon dhe veçanërisht në Kosovë ka marrë fund. Nuk është më as 1991,(hapja e Shqipërisë) as 1999 (lufta e Kosovës) dhe as 2008 (shpallja e Pavarësisë se Kosovës)
Nuk është koha që “vëllai i madh t’i jap porositë e të tjerëve “vëllait të vogël”, por është koha e koordinimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke për të qenë në mos një zë i unifikuar, të paktën i koordinuar.
Interesat e ditës, si ushqim për krizën
Nëse pyet sot në Prishtinë apo në Tiranë se cila është e ardhmja e dy vendeve pas 10, 20 apo pas 50 vitesh nuk është e lehtë të marrësh përgjigje.
Historikisht kanë qenë interesat politike të ditës që kanë dominuar/dëmtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Interesat e ngushta ditore për konsum të brendshëm kanë nxitur pakënaqësi, kanë rritur keqkuptimet dhe kanë helmatisur mjedisin dhe realitetin virtual.
Ishin interesat e ditës (partiake) që e kanë shtyrë dikur Ramën që projektin më të madh që lidh dy vendet, rrugën e Kombit, ta quaj “rruga që nuk të çon askund” apo të bënte hesape se sa shkolla do të ishin ndërtuar po të mos bëhej rruga. Duke parë vetëm interesat e “gardhit” të vet, Shqipëria ka vendosur të vetmen taksë në rrugë, atë të rrugës së Kombit dhe pavarësisht se gjithë kryeministrat e Kosovës kanë kërkuar ose heqjen ose kontribut të përbashkët nga buxhetet respektive që të mos rëndohen qytetarët, thirrjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër në Tiranë!
Ishin po interesat partiake që çuan Vetvendosjen e Kurtit në futjen në garë elektorale në Tiranë duke krijuar situatën paradoksale që Kryeministri i Kosovës të jetë në opozitë në Shqipëri! Përpjekjet për të ndikuar në lojën politike të vendeve respektive ka grumbulluar mjaftueshëm hidhni!
Historitë e marrëdhënieve personale mes liderëve këtej dhe andej kufirit më shumë kanë prodhuar lajme negative (Rama është konfliktuar pothuaj me të gjithë kryeministrat e Kosovës, dhe po të gjithë i ka shpallur miq personalë).
Të dy vendet kanë si objektiv anëtarësimin në BE dhe tashmë të dy vendet (më në fund) duan edhe procesin e Berlinit. Në thelb, të tregut të përbashkët europian dhe atij rajonal janë katër liritë; liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve.
Megjithëse dy vendet kanë nënshkruar afro 200 marrëveshje, ende, pas 15 viteve që Kosova shpalli pavarësinë, nuk është arritur të kemi me njëri -tjetrin, katër liritë që synojmë t’i arrijmë në rajon dhe në BE.
Gjatë këtyre dekadave në liri dhe komunikim me njëri tjetrin nuk kemi mundur të bëjmë “europianizimin”, duke e nisur nga pamundësia e qarkullimit të lirë të librit deri te investimet e munguara strategjike.
Po të mos kishim Adriatikun dhe Jonin a thua do të ishim parë kaq shumë mes nesh?
Dhuna barbare e fisit Rraja në Fushë-Krujë, tregoi edhe njëherë mosfunksionimin e sistemit të Policisë së shtetit në Shqipëri.
“Kjo gurore ka dëmtuar shtëpitë. Ka 4-5 muaj që operon në këtë zonë, janë dëmtuar të gjitha shtëpitë këtu, kemi bërë kallëzim në polici 3 ose 4 herë, por nuk janë marrë masa” tha Jashar Maja i cili u dhunua barbarisht nga fisi Rraja.
Edhe pas 4 denoncimeve nga këta persona, të cilët u dhunuan barbarisht policia nuk ka ndërmarr asnjë masë për parandalimin e kësaj situate.
A janë drejtuesit e policisë së Fushë- Krujës në shërbim të Rrajave apo kanë frikë prej tyre?
Skenat shokuese ndodhin në mes të ditës dhe në një lokal ku ka dhe qytetarë të tjerë, megjithatë kjo duket se nuk i tremb aspak anëtarët e fisit Rraja të cilët vijojnë të filmojnë çdo veprim.
Dje pas dhunës barbare të ushtruar, kushërinjtë Maja u dërguan të gjakosur në spital e ndërsa policia i ndaloi autorët, më pas i la të lirë, pavarësisht se ata ishin në gjendje të rëndë e me plagë të dukshme.
Vetëm pas publikimit në media ditën e sotme, policia arrestoi disa persona e disa të tjerë i ikën.
Duke treguar se nëse ngjarja nuk do të ishte bërë mediatike, ky komisariat nuk do të kishte ndërmarr asnjë veprim për të ndëshkuar agresorët. Një institucion shtetëror që duket njëanës e që detyrën parësore ka mbrojtjen e qytetarit por nuk e zbaton aspak.
Mos duhet shkrirë i gjithë komisariati i Fushë-Krujës? A duhen vënë para përgjegjësisë penale drejtuesit e saj, të cilët duket se preferojnë të mbyllin njërin sy, e të lejojnë krimin e dhunën të zgjidh problemet midis qyetarëve të këtij vendi.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar disa orë pas publikimit të pamjeve të dhunës nga anëtarë të fisit Rraja ndaj dy kushërinjve Muja.
Në një postim në rrjetet sociale thotë se pamjet e pamjet e dhunës janë të rënda dhe të papranueshme.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë”, tha ai.
Por ai vetë duhet të mbajë përgjegësi dhe t’i shkojë deri në fund ndëshikimit të policëve që favorizuan Rrajat dhe lejuan dhunën barbare që shqiptarët panë në çdo media e portal.
Pse SHBA do të dërgojë bomba thërrmuese në Ukrainë?Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dërgojnë bomba thërrmuese në Ukrainë për ta ndihmuar atë në luftën kundër Rusisë.
Administrata e Presidentit Biden pritet të njoftojë të premten se do të dërgojë mijëra bomba të tilla, si pjesë e një pakete të re ndihme ushtarake me vlerë 800 milionë dollarë, tha një zyrtar në dijeni të vendimit, por që nuk është i autorizuar të fliste publikisht deri në njoftimin zyrtar të tij.
Vendimi ka të ngjarë të nxisë zemërim tek disa aleatë dhe grupe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që prej një kohe të gjatë kanë kundërshtuar përdorimin e bombave thërrmuese.
Përkrahësit e këtij vendimi argumentojnë se Rusia ka përdorur bomba të tilla në Ukrainë.
Po çfarë janë bombat thërrmuese, ku janë përdorur ato dhe përse Shtetet e Bashkuara planifikojnë dërgimin e tyre në Ukrainë tani?
ÇFARË JANË BOMBAT THËRRMUESE?
Bombat thërrmuese përbajnë një numër të konsiderueshëm ‘bombash më të vogla’ që përhapen në një zonë të gjerë. Këto bomba të vogla janë projektuar për të goditur disa objektiva njëherësh, për të shkatërruar tanke, pajisje, apo për të goditur njësi.
Lloji i bombës thërrmuese që planifikojnë të dërgojnë Shtetet e Bashkuara bazohet në një bombë të zakonshme 155 mm, që aktualisht, po përdoret gjerësisht në luftime.
Në konfliktet e mëparshme, është shënuar një numër i lartë rastes i mos shpërthimit të bombave, që do të thotë se mijëra bomba të vogla, të pashpërthyera, mbetën në terren, duke shkaktuar vdekjen apo gjymtimin e njerëzve dekada të tëra pas konflikteve.
Shtetet e Bashkuara kanë përdorur bombat thërrmuese në luftën në Irak, në vitin 2003 dhe vendosën të ndërprisnin përdorimin e tyre pas zhvendosjes së konfliktit në zona më urbane me densitet më të lartë të popullsisë civile.
Të enjten, gjeneral brigade Pat Ryder tha se Departamenti i Mbrojtjes ka “variante të shumta” municionesh të këtij lloji, por po “shqyrton mundësinë për t’i dërguar Ukrainës ato lloje me normë të lartë shpërthimi dhe jo variantet e vjetra”.
PSE BOMBAT THËRRMUESE PO DËRGOHEN TANI?
Për më shumë se 1 vit, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur rezervat e tyre të predhave të artilerisë Howitzer 155 dhe kanë dërguar më shumë se 2 milionë predha në Ukrainë. Aleatët në të gjithë botën kanë dërguar qindra mijëra të tjera.
Një predhë 155 mm mund të godasë objektiva 24 deri në 32 kilometra larg, duke bërë të mundur që trupat tokësore ukrainase të godasin objektivat armike nga distanca, kur një gjë e tillë të konsiderohet e nevojshme.
Forcat ukrainase harxhojnë mijëra predha në ditë gjatë luftimeve më trupat ruse.
Yehor Cherniev, deputet i Kuvendit të Ukrainës, tha për gazetarët në fillim të pranverës, se Kievit do t’i nevojitet të përdorë 7 – 9 mijë predha në ditë gjatë luftimeve të intensifikuara në kuadër të kundër sulmit ndaj trupave ruse.
Mundësimi i kësaj sasie armatimi është një trysni të fortë për rezervat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate.
“Bombat thërrmuese janë një opsion tërheqës sepse do të ndihmonin Ukrainën të shkatërronte më shumë objektiva me më pak predha. Sikurse Shtetet e Bashkuara nuk i kanë përdorur ato në konflikte që nga ndërhyrja në Irak, në rezervat e saj gjendet një sasi e madhe që mund të përdoret shpejt”, thotë Ryan Brobst, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
Sipas një letre të marsit të këtij viti, të dërguar administratës së presidentit Biden nga ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 3 milionë bomba thërrmuese në gjendje për t’u përdorur. Në letër i bëhej thirrje Shtëpisë së Bardhë për dërgimin e tyre për të lehtësuar trysninë ndaj SHBA-ve për furnzimimin me armatime.
A PËRBËN KRIM LUFTE PËRDORIMI I TYRE?
Përdorimi i bombave thërrmuese nuk bie ndesh me asnjë ligj ndërkombëtar, por përdorimi i tyre ndaj civilëve përbën shkelje.
“Nuk lidhet me përdorimin e armatimeve, por mënyrën se si ato janë përdorur”, thotë për Associated Press, Mark Hiznay nga organizata Human Rights Watch’.
Më shumë se 120 vende janë bërë pjesë e një konvente që ndalon përdorimin e bombave thërrmuese. Vendet kanë rënë dakord të mos përdorin, të mos prodhojnë, transferojnë apo të kenë rezerva të tyre.
Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nuk e kanë firmosur konventën.
KU JANË PËRDORUR ATO?
Bombat janë përdorur në disa prej konflikteve të fundit.
Sipas organizatës “Human Rights Watch”, Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar bombat thërrmuese si pjesë kyçe të arsenalit të tyre gjatë ndërhyrjes në Afganistan, që nisi në vitin 2001.
Sipas organizatës, koalicioni i udhëheqëur nga Shtetet e Bashkuara lëshoi më shumë se 1500 bomba thërrmuese në Afganistan gjatë tre viteve të para të konfliktit.
Trupat e qeverisë siriane shpesh kanë përdorur bomba thërrmuese, të dërguara nga Rusia, gjatë luftës civile të vendit, shpesh duke goditur objektiva dhe instrastrukturën civile.
Izraeli i ka përdorur ato në zona civile në jug të Libanit, përfshirë gjatë luftës së 1982.
Gjatë luftës 1-mujore të vitit 2006 me Hezbollahun, organizata “Human Rights Watch” dhe Kombet e Bashkuara, akuzuan Izraelin se kishte lëshuar 4 milionë bomba thërrmuese në Liban. Bombat e pashpërthyera të asaj periudhe paraqesin kërcënim për civilët libanezë edhe në ditët e sotme.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen është akuzuar për përdorimin e bombave thërrmuese në luftën ndaj rebelëve Houthi të mbështetur prej Iranit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitin 2017, Jemeni renditej në vend të dytë shkallën e vdekshmërisë për shkak të bombave thërrmuese, pas Sirisë.
Fëmijët janë vrarë apo gjymtuar edhe pas një kohe të gjatë pas lëshimit të bombave, duke e bërë të vështirë që të përcaktohet sakte sa është numri i fëmijëve të vrarë apo gjymtuar.
Në vitet 1980, rusët përdorën masivisht bomba thërrmuese gjatë luftës së tyre 10 vjeçare në Afganistan. Për pasojë, toka afgane mbetet edhe sot e kësaj dite një prej vendeve më të minuara në botë.
ÇFARË PO NDODH NË UKRAINË?
Sipas udhëheqësve ukrainas, grupeve mbikqyrëse dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcat ruse kanë përdorur në një sërë rastesh bombat thërrmuese në Ukrainë. Grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë thënë se edhe Ukraina i ka përdorur ato.
Në fillimet e luftës, grupe si organizata “Human Rights Watch” përmendte raste të përsëritura të përdorimit të bombave thërrmuese ruse, përfshirë kur trupat ruse qëlluan pranë një shkolle në qytetin Okhtyrka.
“Bellingcat”, një organizatë me seli në Amsterdam që analizon të dhënat e zbulimit të disponueshme publikisht, ka raportuar se janë përdorur bomba thërmuese gjatë atij sulmi, si edhe gjatë sulmeve në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, si edhe në verilindje të vendit.
Së fundmi, në mars, Rusia goditi me raketa dhe dronë një sërë zonash urbane, duke përfshirë sulmet e vazhdueshme në qytetin e Bakhmutit, në rajonin lindor të Donetskut.
Sulme me raketa pati edhe ndaj qytetit Kostiantynivka që kontrollohet nga Ukraina dhe gazetarët e Associated Press në qytet panë të paktën katër të plagosur të cilët u dërguan në një spital rajonal. Policia tha se forcat ruse sulmuan qytetin me raketa S-300 dhe bomba thërrmuese.
Vetëm një muaj më vonë, guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, akuzoi forcat ruse se sulmuan një qytet me bomba thërrmuese, duke shkaktuar plagosjen e një personi.
Sipas bazës së të dhënave publike “War Crimes Watch Ukraine, të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe rrjetit investigativ “Fronltine”, Rusia ka përdorur bomba thërrmuese. /VOA
Vuçiç pas takimit me Ramën: Për Ballkanin e Hapur s’do kemi diskutime të lehtaPresidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka dhënë detaje rreth takimit që pati mbrëmjen e sotme me kryeministrin Edi Rama.
Vuçiç tha se folën për pikëpamjet e ndryshme që kanë për situatën në Kosovë teksa shtoi se për Ballkanin e Hapur diskutimet nuk do të jenë të lehta.
“Për Ballkanin e Hapur nuk do kemi diskutime të lehta, por të frytshme. Solli përfitime shumë të frytshme për qytetarët tanë. Folëm për pikëpamjet tona të ndryshme për Kosovën. Dallimet tona si do zgjidhen problemet do ta leme për ne dhe do e diskutojmë gjatë mbrëmjes. Pavarësisht pikëpamjeve te ndryshme Serbia do vijoje përpjekje për marrëdhënie te mira me Shqipërinë’, tha ai.
Dhuna e fisit Rraja në Krujë, policia shpall në kërkim djalin e deputetit të PS, Rexhep RrajënPolicia e Shtetit ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Krujë ku anëtarë të fisit Rraja, dhunuan barbarisht dy persona të fisit Maja.
Lidhur me këtë ngjarje bëhet me dije se është indentifikuar dhe shpallur në kërkim Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja.
Më herët për këtë ngjarje nga policia u ndaluan katër persona.
Njoftimi:
DVP Tiranë
Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Vuçiçi braktis Ramën në podium, konferenca nuk transmetohet liveTurneu dyditor ballkanik i Edi Ramës vijoi pasditen e sotme në Serbi, ku kryeministri takoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Ndryshe nga çfarë ndodhi me konferencat e tjera të Ramës përkrah katër homologëve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi, konferenca e tij me Vuçiçin bëri përjashtim; ajo nuk u transmetua live.
Zoom.al mëson se një përplasje ndodhi përgjatë konferencës, lidhur me çështjen e nxehtë të Kosovës.
Vuçiç e bëri të qartë se nuk dëshironte pyetje lidhur me Kosovën, por njëri prej gazetarëve e pyeti se si i dukej plani i Ramës për asociacionin. Presidenti i Serbisë u shpreh se nuk e ka parë, pasi Rama ia ka dërguar Macron-it dhe Scholz-it, përgjigje kjo që nxiti reagimin e Ramës, i cili e cilësoi dyshen Macron-Scholz si “kumbarët e planit”.
Situata u tensionua edhe më shumë kur një tjetër pyetje rreth Kosovës u shtrua në mesin e gazetarëve, çka e bëri Vuçiç-in të largohej nga konferenca.
Nuk dihen arsyet e mostransmetimit të konferencës, por me gjasë, tensioni që ka karakterizuar së fundmi komunikimin mes Ramës dhe Vuçiçit mund të jetë bërë shtysë për marrjen e një “mase paraprake”./ Zoom.al
Zbulohet “supermarketi” i drogës në garazhin e shtëpisë, arrestohet shqiptari në ItaliPolicia e Firenzes ka zbuluar një “supermarket” droge në garazhin e një apartamenti. Gjatë kontrollit policia gjeti 20 kg kokainë, mbi 110 kg marihuanë dhe hashash, rreth 3.5 kg MDMA dhe amfetaminë, 6050 tableta ekstazi dhe 20 shishe vaj kanabisi.
Një shtetas shqiptar ka rënë në pranga me akuzën e trafikut të drogës.
Brenda depos është gjetur edhe material për paketimin e drogës, i dobishëm për rishitje të mëvonshme në treg.
Mjekja pediatre ngre alarmin: Virusi që po qarkullon në kopshte dhe në çerdheQë nga mesi i qershorit në kopshte dhe çerdhe po qarkullon virusi Koksaki, i cili quhet ndryshe sindroma e duarve të pista çka i jep mundësi virusit të përhapet shumë shpejt tek fëmijët.
Mjekja pediatre Sonia Brati thekson se ka shtim të rasteve të fëmijëve që paraqiten tek mjeku pediatër me këtë virus. Por ndryshimi i temperaturave ka sjellë me vete edhe shtim të virozave të cilat manfestohen në forma të ndryshme tek fëmijët e vegjël.
Mjekët i këshillojnë prindërit që të kërkojnë ndihmën e mjekut në rast të temperaturave të larta si dhe të mos i dërgojnë fëmijët në kampet verore apo çerdhe e kopshte kur fëmija shfaq simptoma të virozave apo dhe virusit Kokaski pasi infektojnë edhe fëmijët e tjerë.
Temperaturat rekord, OKB: Ndryshimet klimatike po dalin jashtë kontrollit, duhet të merren masaSekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngritur edhe një herë alarmin për ndryshimet klimatike.
Sipas Antonio Guterres, ndryshimet klimaterike janë tashmë jashtë kontrollit. Deklarata vjen në një kohë kur raportohet për regjistrimin e temperaturave rekord.
Shkencëtarët kanë rënë në një mendje se kriza e klimës është futur tani në ujëra të rrezikshme dhe se nxehtësia nga ngrohja globale antropogjene e kombinuar me rikthimin e El Niños do të çojë në temperatura rekord.
“Nëse vijojmë të vonojmë marrjen e masave bazike që janë të nevojshme, mendoj se po shkojmë drejt një situatë katastrofike, siç duket edhe nga dy rekordet e temperaturave të regjistruara së fundmi,” tha Guterres.
Të martën, temperatura mesatare globale ishte 17.18 gradë Celsius, sipas të dhënave të gjeneruara nga Qendra Kombëtare e SHBA-së për Parashikimin e Mjedisit, duke thyer kështu rekordin prej 17.01 gradë Celsius të vendosur të hënën.
Për periudhën shtatë-ditore që përfundon të mërkurën, temperatura mesatare ditore ishte 0,04 gradë Celsius më e ngrohtë se çdo javë tjetër në 44 vitet e regjistrimit, sipas të dhënave nga Universiteti i Maine’s Climate Reanalyzer.
El Niño pritet të shkaktojë rekorde të reja temperaturash.