zoom

Day ArchiveSKANDALI/ Pse u shty rritja e pagave e premtuar nga qeveria

Nga Ola Xama

Rritja e pagave u shty jo sepse “duan kohë që të zbardhen Vendimet e Këshillit të Ministrave”, por sepse nevojitet kohë që të rregullojnë koeficentët që ishin bërë gabim.
Nuk ka se si një vendim që del për të zbatuar ligjin të miratohet në parim dhe të kërkojë kohë të zbardhet. Parimi që pagat do të rriten dhe në çfarë mase, është miratuar në Kuvend bashkë me ligjin. VKM-ja ose do të llogaritë koeficentët për pagat sipas të gjitha kategorive dhe t’i hapë rrugë dhënies së shtesës, ose nuk miratohet fare. Nuk ka “do kohë të zbardhet”. Zbardhja sot është print: Ctrl+P.

Dje dhe sot, ekonomistët e disa institucioneve kanë dërguar shkresa në Ministrisë së Financave dhe në qeveri ku i thonin se koeficentët e rinj nuk rritnin pagat për të gjithë dhe në disa raste përmbysnin hierarkinë e nivelit të administratës. Një specialisti, në varësi të vjetërsisë i shkonte paga rreth 800 mijë lekë të vjetra, aq sa e një drejtori, dhe në disa institucione drejtuesve i dilte rroga më e ulët se e specialistëve apo shefave të sektorit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po bën gafa të përsëritura. Edhe në llogaritjen e efekteve buxhetore të rritjes së pagave të deputetëve, vlerëson se duhen afro 20 milion lekë (180 mijë euro), ndërkohë që kosto vetëm për një muaj është 205 mijë euro dhe në vit shkon 2.4 milion euro.

Kush i ka bërë llogaritë gabim duhet të dalë, të kërkojë falje dhe të dorëhiqet. Nuk ka pse del ministrja, kur stafi teknik bën gafa të rënda ndërsa ka patur 6 muaj kohë të përgatitë aktet. Lapsuse mund të bëjë cilido institucion, por jo Ministria e Financave. Po të jetë në këtë nivel administrata rrezikojmë të dalim “me këpucë të kuqe”.

Cilido zv/ministër që ka patur për detyrë nxjerrjen e akteve të pagave duhet t’i kërkojë falje Kuvendit që nuk arriti të zbatonte vullnetin e tij në kohë, administratës dhe qytetarëve. Ministria më pas të auditoje të gjitha aketet që ka kaluar në dorë ai person. Nuk mund të mbulohet me justifikime dhe shkelje kjo që ka ndodhur sepse është skandal. Shteti dhe Ministria e Financave nuk janë autoshkollë!

Çështja “Beleri”/ Artan Hoxha: Disponoj prova me video, nuk dalin sepse prishet hetimi

Gazetari Artan Hoxha deklaroi se ka prova që bëjnë me faj kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri për shit-blerje votash.

Në një studio televizive, ai u shpreh se këto prova nuk bëhen publike për të mos prishur hetimet.

Aktualisht Beleri është lënë në “Arrest në burg” nga SPAK.

“Kjo çështje ka kaluar të tre gjykata të ndryshme. Gjykata e Vlorës, GJKKO dhe GJKKO e Apelit. Të treja kanë lënë të njëjtin vendim dhe kanë miratuar veprimet e kryera nga prokurori. Pjesa që është i paligjshëm dhe ka patur mungesë provash, janë tre gjykata që kanë mbajtur këtë version. Është thënë se janë mbajtur në kushte jo normale, gati çnjerëzore, por ata kanë qenë në kushte spitalore. Pandeli Kokaveshi, që nga momenti i parë është mbajtur në kushte spitalore. Ka qenë të gjithë kohën nën kujdes mjekësor. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar që ai do të vijojë të jetë nën hetim, ka ndryshuar vetëm masa e sigurisë. Pandeli Kokaveshi është lënë në detyrim paraqitje, për të patur kujdes shëndetësor më të mirë. E dyta, zoti Beleri vijon të jetë në spitalin e burgut, pra në kushte spitalore. Pyetët a ka prova? Prokurori nuk është i detyruar të nxjerrë të gjithë provat tani, ato shpalosen kur çështja shkon në gjykim. Janë prova filmike, tani kanë filluar ta pranojnë. Si janë marrë? A janë marrë në rrugë të ligjshme? Këto i çertifikon gjykata. Provat janë me video, unë i disponoj por nuk dalin sepse prishet hetimi”, tha Artan Hoxha.

Rikthimi i Bashës/ Berisha: Veshi bluzë kakí si Zelensky, e komandon Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha ironizoi Lulzim Bashën për rikthimin e tij në politikën aktive dhe paraqitjen e tij.

Gjatë një interviste televizive, Berisha u shpreh se Basha po imiton liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky sepse urdhërohet nga kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar.

“Është veshur si Zelensky, atë e marketon Endri Fuga. Vajti i bleu bluzë kaki. Ai lexon ato që i jep zyra e Fugës. Atë e komandon Rama, nuk ka punë me mua ai. Dil i thotë Fuga, thuaj që jam si Zelenskyy dhe del ai. Nuk kisha parti në këto zgjedhje. Një proces ishin primaret, por nuk kisha as emrin, as partinë, as vulën, etj. Shitja e zgjedhjeve ka qenë se Edi Rama bleu mandatet dhe ai nuk luftoi. Do ketë një lëvizje të fuqishme popullore për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri. Kjo do ndodhë padiskutim. Demokratët do na ndjekin se janë njerëz idealistë”, tha Sali Berisha.

Ndërkombëtarët shmangin Kurtin nga negociatat/ Borrell ul në tryezë Osmanin me Vuçiç

Pasi veproi, sipas ndërkombëtarëve, në kundërshtim me rekomandimet e tyre dhe pas replikave dhe kundër-replikave në distancë për tensionet në veri, liderët e huaj kanë “ndëshkuar” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Jo vetëm vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përjashtuar Kosovën nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023”, por Albin Kurti duket se është përjashtuar edhe nga tryezat e negociatave për zgjidhjen e situatës.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell uli në tryezë këtë të enjte presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndryshe nga takimet e tjera të zhvilluara në Bruksel për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, Albin Kurti nuk ishte prezent përballë Vuçiç.

Faktori ndërkombëtar duket se ka vendosur të negociojë zgjidhjen mes Vuçiç dhe Osmanit, ndërsa Kurti është lënë mënjanë.

Borrell propozoi për Osmanin dhe Vuçiç që të zgjidhin situaën duke organizuar zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, ku të marrin pjesë edhe përfaqësuesit serbë.

Nëse kjo nuk arrihet, sipas Borrell, do të ketë pasoja.

“Kemi 3 kërkesa të qarta: – Zgjedhjet e reja lokale tani – Sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës – Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, shkruan Borrell në “Twitter”.

Pjesë e takimit ishin edhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, por mungonte Albin Kurti.

Rama: Po të isha si Kurti, do kisha hyrë në zgjedhje

Kryeministri Edi Rama këshilloi liderin e Kosovës, Albin Kurti të hyjë në zgjedhje sërish në komunat me shumicë serbe në veri, për t’i dhënë zgjidhje situatës.

Rama deklaroi në një intervistë televizive se Kosova duhet të shmangë retorikën sulmuese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk duhen nxjerrë kunja për 4 kryetarë komunash. Serbët të kthe fije hen në institucione e Kosova të bëjë zgjedhje. Po të isha në vend të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit do kisha hyrë në zgjedhje menjëherë pa hyrë në asnjë polemikë me miqtë e aleatët. Sovranitet për ne duke humbur aleatët është një teprim i madh. Kosovës nuk i prekin dot një floku. I vijnë vërdallë për konsum të brendshëm. Ky konflikt është i një politike të brendshme. Kjo s’ka lidhje me marrëdhënien mes 2 palëve”, tha Rama.

Egnatia hyn në histori, mposht Tiranën në finale dhe fiton Kupën e Shqipërisë

Egnatia shpallet ekipi fitues i edicionit të 71-të të Kupës së Shqipërisë , pasi mundi me rezultatin minimal 1-0 Tiranën në stadiumin “Elbasan Arena”.

Goli i vetëm i kësaj finaleje për rrogozhinasit u shënua nga Xhekson në minutën e 114-të të takimit.

Një finale mjaft interesante nga të dyja ekipet, që prodhuan 120 minuta shumë të luftuara.

Në pjesën e parë të takimit, bardheblutë mbeten me një lojtar më pak në minutën e 25-të, pasi arbitri Jorgji akordon një karton të kuq për Berishën, i cili bën një ndërhyrje të gabuar ndaj Xhekson.

Megjithatë, nuk mungojnë rastet nga të dyja ekipet, që tentojnë portat respektive gjatë kësaj pjese të parë, por gjithçka mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0.

Rezultati nuk ndryshon as në fraksionin e dytë të takimit, pavarësisht rasteve të shumta, si nga ana e ekipit të Tiranës, ashtu edhe nga skuadra e Egnatias.

Rrogozhinasve iu anullua një gol nga VAR, me Dëamena që kalon në avantazh Egnatian, por sulmuesi Redi Kasa i cili jep asistin e golit është në pozicion jashtë loje.

Koha e rregullt nuk mjafton, me skuadrat që i drejtohen minutave shtesë të kësaj finaleje.

Ndërkaq, përfundoi pa gola edhe shtesa e parë 15 minutëshe, teksa në 15 minutat e tjera shtesë, rrogozhinasit gjetën golin e epërsisë me Xhekson.

Arbitri kryesor akordon një 11-metërsh në favor të Egnatias, teksa është Xhekson ai që e merr përsipër ta gjuajë penalltinë.

Futbollisti rrogozhinas gjuan 11-metërshin, por Lika pret, teksa është sërish Xhekson ai që gjendet mirë dhe e shtyn topin në rrjetë.

Ndeshja mbyllet me rezultatin 1-0, me Egnatian që për herë të parë në historinë e saj si skuadër luajti një finale të Kupës së Shqipërisë dhe ia doli ta fitojë.

Në fund të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së medaljeve dhe Kupës së Shqipërisë, që iu dorëzuan Egnatias nga zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lutfi Nuriu. /zoom.al/ 

Verë 2023: Këto 5 veshje do t’ju bëjnë të dukeni bukur dhe nuk kërkojnë shumë “investim”

Qershori është muaji në të cilin gjallërohet më shumë jeta e përditshme ndaj tema “më e nxehtë” është si të vishemi. Nëse nga njëra anë mund të jeni duke punuar me orar të plotë në zyrë, nga ana tjetër rritet dëshira për pushime dhe për të kaluar fundjavat jashtë qyteteve.

Dhe tendencat sezonale janë të vendosura: përfshirja e detajeve të verës në veshje është një domosdoshmëri, dhe nuk është aq e vështirë.

Këmishë dhe xhinse të lirshme

Këmisha me prerje për meshkuj është trendi i momentit. Prej pambuku apo prej linoje, në një ngjyrë verore si bluja, kjo këmishë ju ndihmon në çdo vend, që të mos ndiheni kurrë e veshur në mënyrë të papërshtatshme. Çdo ditë në qershor mund të visheni me xhinse të gjera ose të drejta, pasi për shkak të klimës ato mund t’i mbani gjatë këtij muaji.Një palë këpucë të hapura në pjesën e pasme, stileto ose të sheshta, plotësojnë veshjen me thjeshtësi. Për çdo rast.

Xhaketa klasike e kostumit mund të zëvendësohet me një jelek të përshtatur.

Edhe top veror, edhe xhaketë: kompromisi i duhur për t’u veshur me pantallonat me bel të lartë, të kombinuara me njëra-tjetrën ose edhe në kontrast. Moda e Pranverë-Verës 2023 lejon që veshja të shkojë mirë edhe me atlete, për ato që nuk veshin dot takat nga rritja e temperaturave.

Kanatjere dhe fund midi

Ndër të gjitha kombinimet më elegante të sezonit, bluza pas trupit dhe fundi midi fitojnë gjithmonë. Një veshje verore magjepsëse që është perfekte për mbrëmjet e para të verës. Nëse doni të dukeni më sensuale, vishni një fund me një të çarë. Kombinojeni me një palë shapka apo sandale me rripa.

Kombinimi i ngjyrave: e verdha me grinë

E verdha, nga nuanca më e gjallë e deri tek nuancat e mustardës, është ngjyra e verës 2023. E verdha si diell, reflekton dritën dhe i jep shkëlqim lëkurës. Sigurisht, shkon mirë me gri të hapur ose të errët si asfalti. Dhe kështu kombinimi bëhet më i përshtatshmi për të eksperimentuar ndërsa dilni në qytet në fillimin e verës. Për një dozë të mirë pozitiviteti.

Të domosdoshmet: bokserat për meshkuj

Bokserat janë ndër pantallonat e shkurtra më të njohura në këtë sezon të nxehtë 2023. Pantallonat e shkurtra prej pambuku me vija të freskëta, kryesisht të bardha dhe blu, dikur visheshin si të brendshme nga meshkujt, tani përdoren nga vajzat dhe tregojnë feminilitet. Gjithçka që ju nevojitet për kombinim është një këmishë e bardhë e hapur dhe një bluzë pas trupit.

“Përplasjet” me SHBA/ Kurti: Më ka votuar populli, jo ambasadori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti komentoi sërish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për mediat vendase, Kurti u shpreh se SHBA është aleate e Kosovës, por është normale që të mos bien dakord për çdo gjë. Sipas Kurtit, detyra e tij është të mendojë për qytetarët e Kosovës që e kanë zgjedhur.

“Këtij populli unë duhet t’i dal Zot sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige. Për Hovenier kam respekt të veçantë, bile shumë të veçantë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka votuar ambasadori. Nuk është emërim kryeministri. Ka dy vjet që bashkëpunoj me ambasadorët e QUINT-it, atë të BE-së dhe atë amerikan. Nuk pajtohemi çdo herë për gjithçka. Nuk është normale të pajtohemi për gjithçka”, u shpreh kryeministri Kurti.

Me kokainë dhe 5000 euro në makinë/ Arrestohet i riu shqiptar në Itali

Policia italiane arrestoi një 24-vjeçar shqiptar, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas mediave italiane, i riu u kap teksa po lëvizte me makinë, brenda të cilës u gjet një sasi kokaine dhe 5 mijë euro, që dyshohet se i kishte përfituar nga trafiku i drogës.

Ndërkohë, vlera monetare e kokainës së sekuestruar sipas ekspertëve, shkon në 20 mijë euro.

Tensionet në veri/ Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.

Ai shtoi shtoi se u kërkua që të ketë pjesëmarrje nga banorët lokalë të komunitetit serb dhe tha se “palët do të konsultohen dhe do të kthehen javën tjetër me përgjigje të qarta”.

Osmani e konfirmoi se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.

“Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Vuçiqit iu kërkua që të mos u bëjë presion qytetarëve lokalë në veri të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje.

“Ai nuk u përgjigj, por unë shpresoj që qytetarët do të lejohen që përdorin të drejtat e tyre”, shtoi Osmani.
Ndërkohë, Macron gjithashtu tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtyre takimeve, Scholz tha se diskutimet me liderët lokalë ishin “serioze dhe intensive”.

Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Osmani shkroi në Twitter se me liderët e Gjermanisë dhe Francës diskutoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe “përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet.

Mund të ketë shtensionim të situatës, por shtensionimi nis në Beograd, duke ndaluar këto banda kriminale që të shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm”, tha Osmani, pas takimeve.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiq tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve të njëanshme ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me Macronin dhe Scholzin.

Vuçiqi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të.

Ndësa, Osmani tha se “duhet të sigurohemi që fokusi është në implementimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa pjesë të saj”.

Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku po merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë ta ndalojnë dhunën dhe t’i kthehen dialogut”, tha Vuçiqi, pas takimit me Borrellin.

Zyra e Presidencës së Kosovës njoftoi se me Borrellin është takuar edhe Osmani.

Lideri serb po ashtu u shpreh se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në Moldavi.

“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Pala kosovare nuk e ka konfirmuar se ka refuzuar takimin.

I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiq tha se nuk e di.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë./ Radio Evropa e Lirë