zoom

Day ArchiveHistori shqiptare/ Refuzoi të lajë këmbët e vjehrrit, babë e bir dhunojnë nusen

Bëhet aq shumë fushatë për të drejtat dhe harmoninë familjare dhe vendi ynë si kudo ka hyrë në 15 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore. Shumë gra denoncojnë vazhdimisht dhe nuk heshtin. Shifra e urdhrave të mbrojtjes kalon 3000 persona në vit që me vendim gjyqësor duhet të mbrohen nga një familjar i dhunshëm, kryesisht burrë që ose nën efektin e alkoolit, ose për xhelozi, ose nga gjaknxehtësia sulmon njeriun e dashur të familjes.

Sakaq rasti i mëposhtëm tregon se është shumë e vështirë që zakonet e prapambetura të harrohen dhe të lejojnë çiftet e reja të ndërtojnë familje. Një 32-vjeçar që jeton në Paskuqan ka befasuar policinë me zakonet e prapambetura që kërkoi të respektoheshin pasi bashkëshortja refuzoi të lajë këmbët e vjehrrit. Gruaja i tha boll keqtrajtimit nga 32-vjeçari dhe sipas dosjes që ju vendos në dispozicion Gazetasi.al, kërkoi ndërhyrjen e oficerëve të policisë (komisariati numër 5).

Rasti i dhunës ekstreme të kryer nga i riu kulmoi mbas refuzimit të të resë e cila nuk pranoi ti shërbejë vjehrrit sipas rregullave të caktuara në familjen dibrane që është zhvendosur dhe jeton prej vitesh në periferi të Tiranës.

“Kam ardhur me pushime prej dy-tre javësh së bashku me tim shoq dhe fëmijët dhe u vendosëm tek prindërit e tij në Paskuqan”, e nisi rrëfimin e reja.

Para policisë ajo tregon me detaje se i shoqi nuk ishte ndarë nga prindërit që ajo i respektonte sa herë kthehej në Shqipëri.

“Që ditën e parë vjehrri më urdhëroi që unë ti shërbeja. Më kërkoi ti jepja ujë dhe i dhashë. Më kërkoi të bëja gati ushqimin dhe pa asnjë problem gatova. Më kërkoi ti laja këmbët dhe një gjë të tillë në mënyrë absolute nuk pranova ta bëj. Ai filloi të bërtasë”, përmend e reja e cila thotë se ishte ndjerë e poshtëruar nga kjo kërkesë që në familjen e të shoqit ishte shenjë ku nusja duhet të tregonte respekt sipas zakoneve. Gruaja thotë se kishte dëgjuar për këtë zakon, por nuk pajtohej me larjen e këmbëve.

Ky refuzim i saj i solli debate me bashkëshortin që i është lutur të bindet.

“Aty ndërhyri vjehrri dhe nisi të ushtrojë dhunë psikologjike dhe fizike. Edhe im shoq nisi dhunën fizike kur pa që reagova. Më kapën për flokësh dhe krahësh dhe më qëlluan me shpulla. Im shoq befas më vuri duar të fyt dhe më tha “do të vras”. Kjo skenë e tmerrshme për nënën e dy fëmijëve është ndërprerë nga një i afërm që kur ka dëgjuar të bërtiturat , i ka ndarë nga kacafytja. Nusja e re ka vrapuar për në dhomën e gjumit ku mbasi e ka mbyllur me çelës, ka telefonuar direkt Policinë.

“Vjehrri fiku energjinë elektrike dhe ndërpreu internetin që mos të kisha komunikime jashtë mureve, por unë e realizova telefonatën me Policinë,”- thotë më tej gruaja.

Çifti, sipas policisë, jeton në Itali dhe shpesh vijnë për pushime tek prindërit e moshuar të kryefamiljarit.

“Fëmijët e mi ishin dëshmitarë të kësaj skene dhe të dhunës që erdhi sepse refuzova të respektoj zakonet e tyre”, përmend e reja.

Por kryefamiljari që përfundoi në pranga këmbëngul se e shoqja ka luhatje personaliteti dhe se për këtë shkak në vendin ku ata jetojnë në Itali ajo trajtohet me psikologë. Por procesverbalet e marrjes në pyetje të fëmijëve të mitur dolën kundër qëndrimit të të arrestuarit. Policia u bind se përleshja midis të rriturve u ndez nga një zakon që, siç kuptohet, vazhdon të jetë ende prezent në disa familje.

Një grua e moshuar ndërkohë është vënë nën hetim në gjendje të lirë për shkak të moshës së thyer sepse sulmoi të bijën e cila vendosi të ndahet dhe u kthye tek e ëma.

“Ime më e quan turp veprimin tim, e lashë burrin sepse ai nuk punon dhe nuk e dua më. Kërkova vetëm pak ditë të qëndroja tek prindërit, por nëna më kapi flokët dhe më tha: “kthehu tek burri ndryshe do të vras””, ka deklaruar 41-vjeçarja.

41-vjeçarja që bëri denoncimin është nënë e tre fëmijëve dhe në familjen kuksiane divorci i kërkuar nga një grua është i pakonceptueshëm.

“Nëna jeton me nusen e vëllait të madh i cili është në Angli. Ditën që e priti keq ndarjen nuk fola se është nëna ime. Por përditë gjendja u bë e rëndë, përditë nëna më shante. Ajo i kërkoi kunatës që mos të më fliste me gojë se do ta bëja siç jam unë, sipas asaj”.

Policia i thotë Gazetasi.al se gruaja u sulmua në njërën prej këtyre netëve nga e ëma dhe kunata dhe kjo e shtyu që të bëjë telefonatën për ndihmë. Ndërkohë e moshuara ka hedhur poshtë çdo version të të bijës.

“T. u kthye vonë në shtëpi dhe kjo nuk mund të ndodhë në shtëpinë time. Po të ishte im shoq gjallë, vajza nuk do guxonte të bënte këto gjëra. Kur më bëri kafenë në mëngjes vura re që për vete mori një gotë raki dhe për mua kjo është diçka e rëndë”, akuzon e moshuara nga ana e saj. Policia i shpjegoi Gazetasi.al se mbas denoncimit, 41-vjeçarja nuk u kthye më në banesë dhe ka refuzuar të marrë urdhër mbrojtjeje. Nga kërkimi policor ajo nuk u kthye as tek bashkëshorti. Mësohet se ajo është zhvendosur me qira në kryeqytet ku dhe ka nisur punë si banakiere.

“Tërhiqem nga denoncimi ndaj nënës, isha e tronditur ditën që më sulmuan dhe nuk dua të hetohet më”, lutet kuksiania por një kërkesë e tillë nuk do merret parasysh./GazetaSi

Rikthehen lëkundjet e forta të tërmetit në Ballkan! Magnituda dhe epiqendra

Një tërmet i fortë ka lëkundur jugun e Bosnje Hercegovinës sonte në orën 21:05.

Sipas mediave vendase, lëkundja ishte me magnitudë 5.1.

Por, sipas të dhënave të Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare, forca e tij ishte 4.5 gradë e shkallës Rihter.

Deri më tani nuk raportohet për dëme të mëdha materiale apo të plagosur, por lëkundjet raportohet të jenë ndjerë edhe në qytetin e Shkodrës në Shqipëri.

Vrau ish-gruan e tij, babai i Sokolit rrëfen bisedën e fundit me të birin

Babai i Sokol Halilit ka rrëfyer momentin kur djali i tij kishte shkuar në shtëpi, pasi vrau gruan e tij shtatzënë, Hamide Magashit.

Ai ka treguar se si ishte përpjekur që ta bindte që të dorëzohet në polici megjithatë “s’ka pranuar diçka të tillë”.

“Erdh Sokoli sot dhe u përshëndetem. Folëm me to. Edhe tu folë kem të mërzitun. Kishe po dorëzohet në polici e tani me iu përgjigj ligjit edhe çka ta rrokë ligji, qashtu me u bo. Edhe i thash Sokol po e thirri policinë e me u dorëzu. Tha ja babë mos e thirr kërkon, se s’du me nejt gat edhe du me shkru një letër se s’u kanë faji jem”, ka thënë babai i Sokol Halilit.

Ai ka treguar se si Sokoli kishte thënë se dëshiron që të shkojë në Stacion të Policisë në Shtime dhe të bëj vetëvrasje aty.

“Më tha po e shkruj një letër, unë dorëzohem në Polici të Shtimes vetë. Ja babë tha s’të marr ty. Thash pa mu s’munesh me shku. Tha babë unë i gjallë nuk dorëzohem, du me hy në oborr të stacionit të Policisë e në kerr me bo vetëvrasje”, ka rrëfyer ai.

Sipas babait, Sokol Halili kishte treguar se i kishte thënë Hamide Magashit se ose do të jetonin të tre bashkë ose do të vdisnin të tre.

“Ai tha nuk dorëzohem. Ia kam dhanë besën asaj shoqes, gjallë e dekën kemi me jetu ose me dekë tret bashkë. Nuk u bind”, ka treguar babai i Sokol Halilit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës kishte arritur që ta lokalizonte në shtëpinë e tij rreth orës 13:45. Pas dështimit të përpjekjes për ta bindur që të dorëzohet, Sokol Halili ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij.

Sekuestrohet 65 kg drogë në Malin e Zi, ishte nisur nga Shqipëria

65 kg drogë e nisur nga Shqipëria, është gjetur në dy mjete në Malin e ZI, në Tuz.

Mediat vendase shkruajnë policia ka ndaluar për kontroll një dy makina, një tip ‘Skoda’ dhe një ‘Renault’, brenda të cilave u gjetën thasët me kanabis dhe u sekuestruan.

Në pranga kanë rënë dy persona të identifikuar me inicialet A.D., 27 vjeç dhe I.D., 23 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale ‘mbajtja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike’.

“Nga kontrolli i kamionit, policia gjeti dy çanta të mëdha dhe një thes me 65 pako me një substancë të dyshuar si lëndë narkotike marihuanë, me peshë rreth 65 kilogramë. Dyshohet se lënda narkotike e sekuestruar ishte kontrabandë nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e vendit tonë,”- thuhet në njoftimin e policisë.

“Fjala e lirë”, Berisha: Brenda 6 muajve tre media japin shpirt

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama kërkon të vrasë fjalën e lirë ndërsa shtoi se brenda 6 muajve tre media japin shpirt.

Në një takim të organizuar pasditen e sotme me banorët e njësisë numër 7 në Tiranë, Berisha ka thënë se Rama me veprimet e tij i nxin imazhin Shqipërisë.

Po ashtu Berisha shprehet se është Ram fjtori ë na ka bërë të jemi populli i gomoneve, njerëz të varkave.

“Edi Rama nuk mund të na përfaqësojë. Ai me veprimet e tij, i nxin imazhin Shqipërisë. Ai na bëri ne të jemi populli i gomoneve, njerëz të varkave. Pse jemi njerëz të varkave? Sepse na vjedh, vjedh votën, lirinë, pasurinë, shkatërron bizneset, nuk ka ligj. Ne duhet të jemi aty, sepse ai për pushtetin dhe pasurimin e tij nuk njeh moral, normë, ligj e standard. Shikoni se çfarë ndodh. Dje kishim presidentin e Gjermanisë në Tiranë. Si për ta përshendetur atë, i fut ruspat një resorti turistik. Personalisht nuk kam qenë asnjëherë në atë resort, por aq më tepër që ai ishte me leje. Të gjithë kemi dokumentin që ishte me leje. Si mund të bëhet. A ka bandit mbi kokë që mund të bëjë një gjë të tillë. E pse e bëri këtë? Vetëm e vetëm se do ti diktojë politikën editoriale të atyre medieve që ai ka. Pra ai bën gjithçka të mposhtë fjalën e lirë në këtë vend. E ka trashëgimni ai.

I ati i tij firmoste varjen e Havzi Nelës për fjalën e lirë. E dinte se bënte akt xhelati, por e meriton thoshte me ndërgjegjen e tij ç’njerëzore, sepse është armiku im. E konsideronte armik. Edhe ky, e meriton ky biznesmen apo gazetarë, se me kundërshtoi mua. Pra jemi në kushtet kur ky pasi ka marrë të gjitha pushtetet do të mposhtë dhe fjalën e lirë dhe mediat. Janë tre rrjete televizive brenda 6 muajsh, viktimë e tij”, ka thënë Berisha.

Berisha shton se liria e medieve është shumë e shtrenjtë.

“ Televizionin Ora e konfiskoi me firmën e tij, vetëm e vetëm se Ylli Ndroqi nuk pranoi pazaret me të. Duhet ta dinë të gjithë shqiptarët, është me regjistrim nëse nuk e kanë zhdukur si regjistrimet e Taulantit. Kur i kërkonte një miliarderi që do të ndërtonte një kullë tek bulevardi i ri, thoshte, i thuaj 20%. Por sa ishte ky 20%? 100 milionë dollarë. Ky i thotë jo, si mund ti them unë. Dhe këtu fillon pastaj procesi. Nuk ndodh në botë kjo, kërkun. Një media tjetër, ka angazhuar një biznesmen dhe e ka blerë. Nuk kam kundërshtim. Mua më vjen vetëm mirë që bizneset e Kosovës, të shtrihen në Shqipëri. Por një paralajmërim do të ja bëj; nëse e shndërron në altoparlant, apo e ke blerë me qëllim për ta shndërruar atë media në altoparlant të Edi Ramës, atëherë bën një gabim të jashtëzakonshëm, sepse për ne, liria e fjalës, liria e medieve është shumë e shtrenjtë. Pra ja ku jemi, brenda 6 muajve tre media japin shpirtë.”-tha Berisha.

BE mesazh Kosovës dhe Serbisë: Nëse keni aspirata evropiane, silluni të tillë

Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të shmangin veprimet dhe retorikën që mund të nxisë tensione. Këto komente pasuan reagimin e zemëruar të Beogradit ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në mbrëmje reagoi me gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit Rashiç, por edhe siç tha reagimit të butë të Bashkimit Evropian. Madje ai paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në takimin e bllokut me Ballkanin Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë.

Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano tha të premten se Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të veprojnë në mënyrë evropiane.

“Nëse keni aspirata evropiane, silluni në mënyrë evropiane. Mënyra evropiane do të thotë të përmbaheni nga hapat e njëanshëm, të përmbaheni nga hapat që rrisin konfrontimin, që çojnë në përshkallëzim dhe të angazhoheni në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë evropiane”, tha zoti Stano.

Presidenti serb tha të premten pas një takimi në Beograd me komisionarin e Bashkimit Evropian për zgjerim Oliver Varhelyi se megjithatë do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në takimin e Tiranës, meqë Bashkimi Evropian e cilëson atë shumë të rëndësishëm në kuadrin e situatës globale. Ai megjithatë nënvizoi se do të nënshkruante çdo fjalë që ka thënë për kryeministrin e Kosovës dhe ministrin Rashiç.

“Ke të drejtë të fusësh kë të duash në qeveri. Më të këqijtë që mund t’i mendosh, mund t’i marrësh nga fundi i kazanit, edhe ashtu të tillë janë. Por pse po gënjeni se ata e përfaqësojnë popullin serb?”, tha presidenti serb.

“Unë mund të flas për qëndrimet dhe idetë, mund të flasë për pajtimet dhe mospajtimet e ndërsjella, por nuk mund të flasë për nivelin e edukatës së kreut shtetërorë të fqinjit tonë veriorë”, tha ndërkaq të premten në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe. Dorëheqja pasoi mospajtimet e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e qeverisë qendrore për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Nenad Rashiç, ministër për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës

Bashkimi Evropian bëri thirrje që palët të diskutojnë kthimin e serbëve në institucione ndërsa theksoi se emërimet e ministrave duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Nga leximi paraprak i emërimit të djeshëm del se ai nuk i përmbushë kriteret kushtetuese por kjo është në dorën e Gjykatës Kushtetuese që ta përcaktojë”, tha zoti Stano.

Qeveria e Kosovës tha se vendimi është në pajtim me Kushtetutën e vendit dhe autoritetin e kryeministrit, i cili tha këtë javë se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.

Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione. Bashkimi Evropian paralajmëroi bisedime të dendura ndërmjet palëve për një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre, në bazë të një plani që u bë i njohur si nisma franko-gjermane që ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Plani që nuk është bërë ende publik, parasheh një marrëveshje normalizimi që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

BE-ja tha me 23 nëntor se “palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”. Zyrtarët thanë se kjo nënkupton edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe cështja më e diskutueshme në bisedimet ndërmjet palëve.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të enjten se Asociacioni “duhet të themelohet” dhe nëse nuk zgjidhet kjo çështje, do të ekzistojë një cikël i vazhdueshëm krize.

“Mendoj se Qeveria në Prishtinë duhet ta shohë këtë çështje si mundësi. Ekzistojnë modele në Evropë që sigurojnë të drejta për minoritetet”, tha zoti Escobar.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të premten se të drejtat e pakicave janë të rregulluara me një kapitull të veçantë në Kushtetutën e Kosovës se ata që janë të pakënaqur me Kushtetutën do të duhej ta kenë barrën e provës dhe të argumentimit që të tregojnë se çka nuk është në rregull dhe çka nuk mjafton.

“Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe unë nuk kam përgjigje të re por natyrisht që në kapitullin e 4-të të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që e kanë prezantuar me datën 18 gusht në Bruksel, unë aty edhe kam thënë që do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe implementimin e tyre, por nuk mund të jetë ky kapitulli i parë dhe nuk mund të jetë nga 33 marrëveshje vetëm njëra më e rëndësishmja, më kryesorja dhe prioritare”, tha kryeministri Kurti./VOA

Vrasja e gruas shtatzënë, Osmani mbledh me urgjencë liderët institucionalë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur për sot mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, dy ditë pas vrasjes së gruas shtatzënë në Prishtinë.

Në takimin e sotëm, ku po marrin pjesë të gjithë liderët institucionalë, siç ka deklaruar Osmani, pritet të dalin me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalohen aktet e dhunës dhe femicidi.

Presidentja ka theksuar se si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze dhe se femicidi duhet të ndalet në mënyrë urgjente.

“Në këtë takim përveç liderëve institucionalë do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura. Në agjendë janë dy pika konkrete: E para, secili institucion të jetë në inputin e vet lidhur me mangësitë që ekzistojnë në sistemin tonë për mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave dhe e dyta do të dalim me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalojmë këto akte të dhunës dhe këtë femicid sa më urgjentisht që të jetë e mundur. Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat nënë ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Osmani për RTK-në.

Ndërsa prej orës 19:00 ka filluar mbledhja me krerët e institucioneve të Kosovës, institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

TRAGJIKE/ Nuk i bleu kufjet që donte, 10-vjeçari qëllon për vdekje me armë nënën e tij

Fëmijët e përkëdhelur që duan me patjetër ta marrin diçka janë gjithmonë një problem për prindërit, por një rast në SHBA, është kthyer në tragjedi.

Një 10-vjeçar raportohet se ka vrarë nënën e tij, vetëm sepse ajo refuzoi t’i blinte atij kufje “VR”, për të luajtur lojërat në internet.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ndodhi në Milëaukee, Wisconsin, ndërsa raportohet se i mituri e mori armën nga dhoma e gjumit e mamasë së tij, dhe shkoi në bodrumin ku ajo lante rrobat, duke e kërcënuar. Arma më pas shpërtheu, duke goditur mamanë e tij. Motra e 10-vjeçarit mbeti e tmerruar pasi pa se çfarë kishte ndodhur dhe lajmëroi menjëherëe autoritetet.

10-vjeçari tashmë ndodhet në një qendër riedukumi, ndërsa raportohet se pas krimit ai hyrë në llogarinë e Amazaon të nënës dhe i porositi kufjet që donte, duke u shfaqur tepër i lumtur. Ai pritet të gjykohet si një i rritur.

“Blindohet” Tirana/ Ministrja Kushi sqaron a do zhvillohet apo jo mësim më 6 dhjetor

Dy ditë më parë u përhap lajmi se në kuadër të Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, 6 dhjetori do të ishte ditë pushimi zyrtare për administratën, shkollat dhe gjithë institucionet publike në Tiranë, por qeveria duket se nuk mendon kështu.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka sqaruar me një postim në Facebook se mësimi në shkollat e Tiranës do të vijojë normalisht më 6 dhjetor.

Ministrja thotë se ky Samit është një ngjarje historike për Shqipërinë, ndaj fton mësuesit e të gjithë vendit për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.

45 delegacione pritet që të vijnë në kryeqytet në kuadër të Samitit dhe i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, autostrada Tiranë-Durrës nga Sheshi Shqiponja deri në mbikalimin e Qafë Kasharit dhe jo vetëm do të jenë të bllokuara me perimetër sigurie.

Aty nuk do të lejohet të kalojë askush që është i paakredituar, ndërsa qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, duhet të gjejnë rrugë të tjera alternative.

Postimi i Evis Kushit:

E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Evropian. Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë.

Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë!

Publikohet letra, çfarë shkroi Sokol Halili pas vrau ish-gruan shtatzënë

Mediat në Kosovë kanë siguruar letrën që Sokol Halili i dorëzoi familjarëve të tij, pasi vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten, Hamide Magashi, në oborrin e maternitetit dy ditë më parë në Prishtinë.

Në letrën e siguruar nga gazetari i televizionit T7, Sokoli shkruan se e ka vrarë me vetëdije Hamide Magashin. Më tej në letrën e Sokolit shkruhet se ai dëshiron të tregojë se si ka qenë raporti i tij me Hamide Magashin dhe ka përmendur një plan që Hamide kishte bërë bashkë me motrat e veta.

Gjithmonë sipas letrës që ka shkruar Sokol Halili, Hamide Magashi i ka kërkuar atij që të bënin një marrëveshje, që ajo të shkojë dha ta rrisë fëmijën e vetë tek shtëpia e babait të saj.

Siç shkruan në letër, ajo i kishte ofruar 25 mijë euro për këtë gjë.

Kujtojmë se Sokol Halili u vetëvra sot.

Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe Halili kanë qenë të ndarë prej pesë muajsh Motra e viktimës tha se autoritetet kanë qenë të njoftuara për shkurorëzimin e 35-vjeçares dhe problemet me ish-bashkëshortin.

Indeksonline ka kontaktuar me njërën nga gratë shtatzënë që kishte kontakt me të ndjerën ditëve të fundit. Ajo në kushte anonimiteti ka thënë se ish-burri i saj, Sokol Halili edhe një natë më parë ka qenë te QKUK-ja dhe e ka ftuar disa herë që të dalë në oborrin e gjinekologjisë për të kontaktuar me të.

“Më ka treguar që ka qenë e ndarë me burrë dhe ka patur probleme të vazhdueshme edhe gjatë shtatzënisë ngase ai e ka kontaktuar vazhdimisht. Një natë para vrasjes e ka thirr tërë kohën që të dal jashtë në oborr, por që nuk pranonte të dilte. Më tregoi shkurt edhe se çfarë i tha ish-burrit. Më thonte se i shkroi se nuk ka çfarë kërkon nga ajo dhe se fëmija është i saj”- rrëfeu ajo.

Një dëshmitar tjetrër i rastit ka treguar se si ndodhi vrasja e gruas shtatzëne në oborrin e Gjinekologjisë, në QKUK. Ai tregon se Halili ka ardhur krejtësisht i qetë dhe ka kryer vrasjen.