zoom

Day ArchivePlagosen me thikë 3 policë në Kosovë, ndërhynë për ndihmë në një familje

Tre efektivë të policisë në Prizren të Kosovës mbetën të plagosur me thikë këtë të shtunë. Sipas asaj që raporton Klan Kosova, ata shkuan në një shtëpi në lagjen Dardania, pasi një familje kërkoi ndihmë për shkak se autori i dyshuar, po i kërcënonte me thikë.

Në tentativë për ta neutralizuar, autori i dyshuar plagosi tre efektivë. Ata u dërguan në spital për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht nuk kanë probleme për jetën. Ndërsa autoritetet vunë në pranga 36-vjeçarin, i cili dyshohet se ishte përdorues i lëndëve narkotike.

“Të tre policët janë jashtë rrezikut për jetë, njëri është dërguar në QKUK, njëri është ndalur në spitalin e Prizrenit, ndërkaq tjetri është liruar. I dyshuari është arrestuar, një thikë është sekuestruar dhe në konsultim me prokurorin ne kemi bërë bastisjen e shtëpisë për shkak se dyshohet se ai është përdorues i narkotikëve dhe gjatë bastisjes janë gjetur dy të dyshuara si bimë narkotike. I dyshuari tani është në stacion policor dhe është ndaluar për 48 orë”, tha në një reagim për Klan Kosova, zëdhënësi i policisë Shaqir Bytyqi.

Ai sqaroi edhe dinamikën e ngjarjes.

“Familjarët e kanë thirrur policinë për asistim, për shkak se një familjar i tyre me thikë në dorë ka qenë agresiv dhe është mbyllur në një dhomë dhe këta janë frikësuar se mos po e lëndon vetën apo të tjerët. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe i dyshuari edhe më tej ka qenë agresiv me policinë, në një moment ka tentuar ta sulmojë policinë me thikë, kështu është njoftuar Policia e Reagimit të Shpejtë dhe autoambulanca. Kur policia ka arritur, në tentim për ta vënë nën kontroll të dyshimtin, ai i ka sulmuar me thikë, ku tre prej policëve janë të lënduar”, u shpreh Bytyqi.

Përplasen në ajër 2 avionë, shënohen disa të vdekur

3 persona mbetën të vrarë kur 2 avionë u përplasën në Colorado mëngjesin e kësaj të shtune. Sipas asaj që shkruan amerikanja CBS, në aksident u përfshinë dy avionë të vegjël, një Cessna 172 dhe një Sonex Xenos. Ngjarja ndodhi pranë aeroportit Vance Brand në Longmont. Ata u përplasën në ajër e më pas përfunduan në tokë.

Në bordin e Cessna ndodheshin 2 persona, ndërsa në avionin tjetër vetëm piloti. Shërbimet e emergjencës konfirmuan se të tre personat në fjalë kishin humbur jetën.

Mbetet e paqartë se në çfarë rrethanash ndodhi ngjarja e rëndë. Zyrtarët thanë se kishin nisur hetimet dhe se do të jepnin më shumë informacione në një moment të dytë.

Fati i ish-kreut të bandës së Lushnjes, Aldo Bare në duart e Gjykatës së Lartë

Pesë vite pasi Kushtetuesja e ktheu çështjen për rigjykim, gjykata e Lartë vendosi të marrë në shqyrtim dosjen penale ndaj ndaj Aldo Bares, ish kreu i bandës famëkeqe të Lushnjes, i cili prej vitesh po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Seanca është caktuar të zhvillohet më datë 25 tetor dhe kolegji penal do ta shqyrtojë dosjen ne dhomë këshillimi, për të vendosur nëse ka vend ose jo për t’u kaluar në seancë plenare. Në vitin 2017 Kushtetuesja vendosi ta prishë vendimin e gjykatës së Lartë për Aldo Baren,dhe ta kthejë çështjen për rigjykim, përderisa gjeti shkelje të rënda proceduriale dhe konkludioi se të pandehurit nuk i është garantuar një proces i rregullt ligjor.

Për shkak se për disa vite gjykata e Lartë doli jashtë funksionit, pasi mbeti pa gjyqtare, dosja mbeti në sirtarë. Fletët e kësaj dosje do të rihapen për pak javë dhe kolegji penal do të vendosë për fatin e ish kreut të bandës së Lushnjes. Aldo Bare ndërkohë, është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm. ai është një ndër emrat me të njohur të krimit dhe është dënuar për krime të rënda të kryera në kuadër të bandës që krijoi dhe drejtoi për virte me radhë duke terrorizuar Lushnjen.

Aldo Bare, ish oficer i forcave speciale e krijoi bandën kriminale, për të ekzekutuar të gjithë kundërshtarët që i vranë vëllanë Ramadan Shkurti. Nga banda famëkeqe nën urdhrat e Bares u ekzekutuan shumë persona, mes tyre dhe Artur Daja kundërshtar i përbetuar i ish efektivit të repartit të Briskut.

Aldo Bare qëndroi për shumë kohë në arrati, por në vitin 2006 dhe arrestua në Turqi dhe tri vite më vonë u ekstradua në Tiranë ku edhe u përball me drejtësinë.

Moti i keq në Itali, gjendet i pajetë një prej të zhdukurve

Ekipet e kërkim-shpëtimit që janë angazhuar në kërkimin e të zhdukurve pas përmbytjeve që përfshinë Italinë qendrore, kanë mund të gjejnë njërin prej të zhdukurve.

Ai është një burrë 47-vjeç nga Acervia ndërsa të zhdukur rezultojnë ende një fëmijë 8 vjeç dhe një grua 56-vjeçare, e cila ishte në makinë me vajzën e saj. Pra listës së viktimave i shtohet edhe ky 47-vjeçar që e çon numrin e tyre në 11.

Sipas asaj që raportojnë mediat atje ka rreth 150 persona që janë të zhvendosur. Lajmin e konfirmon prefektura e Ankonës, e cila sqaron se shumica e këtyre qytetarëve janë në komunën e Senigallia, por numri është në rritje.

Dyqind e pesëdhjetë zjarrfikës ndodhen në zonat e prekura nga moti i keq. Shumë prej tyre kanë ndihmuar në zhbllokimin e shumë akseve rrugore për të bërë të mundur kalimin në këto segmente nga ana e banorëve. /Zoom.al

Reja e ndjek në tribunë, Kapllani tregon çelësinë e suksesit të Erzenit

Erzeni po shkëlqen në elitën e futbollit shqiptar, duke arritur rezultate fantastike në 5 ndeshjet e para.

Pas fitores 1-0 ndaj Laçit, trajneri Xhevahir Kapllani foli për suksesin dhe praninë e trajnerit Reja në tribunë.

Fitorja me Laçin – “Kishim një ecuri pozitive. Kjo ishte ndeshja më e vështirë për ne, u kisha thënë djemve që të kishim kujdes, sepse euforia mund të ndikonte. Djemtë më kuptuan dhe punuan duke arritur këtë fitore. Ky ekip siç e kam thënë edhe më përpara, është ndërtuar vonë, do vazhdojmë të ecim javë pas jave. Çdo ndeshje është finale dhe do të hyjmë për rezultat pozitiv”.

Paraqitja në tërësi – “Ta ndajmë ndeshjen e sotme në 2 pjesë. Pjesa e parë ishte e barabartë, vuajtëm pak, i dhuruam disa topa, vertikalizime. Pjesa e dytë foli për ne, skuadra shtyu përpara. Deri në minutat e fundit kemi luajtur për të fituar, duke qenë në ekuilibër taktik, për të mos krijuar ç’bilancime”.

Ndalesa e kampionatit – “Kisha folur edhe me djemtë, që kjo ndalesa do të na bënte mirë, sepse kemi gjëra për të rikuperuar dhe lojtarë që do të rriten fizikisht. Do na shërbejnë shumë këto 12 ditë”.

Penalltia – “Duke parë harmoninë në skuadër, Krasniqi diskutoi me Amirin dhe ia la atij. Çdo gjë është fair play”.

Reja në stadium – “U ndjeva shumë mirë që ishte Reja bashkë me stafin në stadium, është një emocion nga ana teknike për mua si trajner i ri. Skuadra ka element, por është herët për të gjetur lojtarë për ekipin Kombëtar, por mendoj që kampionati ka elementë për ekipin Kombëtar”, u shpreh Kapllani. /zoom.al/

Çfarë po ndodh? “Blindohet” Vlora, policia dhe FNSH zbarkojnë në terren

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zhvilluar mbrëmjen e sotme kontrolle të shumta në disa qytete në bashkëpunim me forcat Shqiponja dhe ato Operacionale.

Drejtoria vendore e policisë Vlorë dhe FNSH kanë nisur një aksion në Vlorë për armëmbajtje apo edhe personat e shpallur në kërkim.

Aksioni është përqendruar në tre pika në rrugën transballknike, në rrugën e Kaninës (Bishti i Kalldremit) si dhe në rrugën mbi spital që të dërgon drejt fshatrave të lumit të Vlorës.

Po ashtu, policia në Elbasan ka kontrolluar automjete të shumta, për të bërë të mundur kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Ky aksion është shtrirë deri në qytetin e Peqinit ndërkohë që në hyrje të kësaj zone është ngritur edhe një postbllok policie.

Tentoi të shmangë gurët e rënë në rrugë, përmbyset maunja në aksin Librazhd-Përrenjas

Një automjet i tonazhit të rëndë që po qarkullonte në aksin e rrugës kombëtare Librazhd-Përrenjas gjatë një manovrimi të detyruar për të shmangur përplasjen me gurët që kishin rënë në trasenë e rrugës, është batuar dhe më pas përmbysur.

Aksidenti sipas burimeve nga vendngjarja ka ndodhur në një kthesë në dalje të Hotolishtit.

Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, ndërsa qarkullimi është bllokuar përkohësisht. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punohet për rikthimin e normalitetit të qarkullimit në këtë segment rrugor.

 

 

 

 

 

 

 

 

Dritarja e avionit u thye, piloti tregon aventurën ndërsa kthente në shtëpi skuadrën nga Kosova

Paraqitjes së mirë të Ballkanit në Conference League më shumë se humbja e 3 pikëve, ia veniti atmosferën frika dhe paniku nga incidenti që për pak mund të kishte rezultuar fatal me krisjen e xhamit të pilotit.

Avioni me të cilin po udhëtonin drejt Prishtinë u detyrua të kthehej mbrapsht për një ule emergjente.

Jetullah Kuqi, pjesë e stafit të skuadrës nga Kosova rrëfen për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa ngjarjen.

“Zbritëm nga aeroplani aty dhe ai që doli i fundit dhe na uroi ditëlindjen, na tha “happy birthday”, e kishte në kuptimin që kishim lindur për së dyti, kjo ishte mrekulli. Më pas nxori cigaren dhe falënderoi Zotin që i kishte dhënë sërish mundësinë për ta ndezur një të tillë”, tha Jetullah Kuqi, staf i FC Ballkani.

Si për ironi të fatit piloti i charterit të skuadrës së Ballkanit ishte një serb nga Beogradi, Sasha Pejçiç, i cili në një intervistë për Top Channel tregon gjithçka.

“Po unë jam nga Serbia dhe oficeri im i parë është në Mali i Zi nga Nikshiqi. ishte një grup ballkanik aty, unë ndoqa edhe ndeshjen dhe u mërzita shumë sepse Ballkani kaloi dy herë në pa avantazh. Më vjen mirë sepse ata janë një skuadër e re, unë jam 53 vjeç dhe kam shumë eksperiencë jo vetëm jete, por edhe në aviacion, kam rreth 30 vite që fluturoj dhe mbi 11 orë fluturim”, tha Sasha Pejçiç, piloti i avionit të FC Ballkani.

Po çfarë ndodhi?

“Kjo është një situatë normale, jo normale por normale në aviacion, ajo mund t’i ndodh çdo avioni dhe çdo fluturimi. Megjithatë ne ndoqëm procedurën e Boing dhe ne ia dolëm me sukses të ulemi pa probleme. Ajo që ndodhi nuk pati asnjë efekt për pasagjerët, por sigurisht pati shumë efekt mbi mua”, tha Sasha Pejçiç, piloti i avionit të FC Ballkani.

Çfarë do të ndodhte nëse do të thyhej xhami?

“Xhami i avionit ka tre shtresa që bashkohen me një ngjitës, gjatë fluturimit xhami përplaset me objekte të ndryshme dhe duhet të ketë edhe elasticitet. Fola edhe me kolegë të tjerë për atë që ndodhi dhe kjo është diçka që ndodh, por vendimi i duhur ishte që të kthehesha prapa, të mos vazhdoja ngjitjen dhe ula shpejtësinë, nëse ngjitesha më lartë dhe me më shumë shpejtësi problemi do të shtohej. Nëse xhami do të thyhej ndoshta do të më kishte vrarë mua, ishte disi e vështirë ta dalloje sepse ishte natë. Por ndoqa procedurën dhe u kthyem në Pragë dhe bëra shumë mirë pasi xhami ishte në limite. Çdo gjë shkoi mirë ashtu siç Zoti e kish shkruar”, tha Sasha Pejçiç, piloti i avionit të FC Ballkani.

Një Serb që shpëton jetën e mbi 70 kosovarëve, ngjan si një histori përrallash…

“Unë fluturoj nga Kosova që nga viti 2016 dhe në atë vit kam pasur një tjetër problem, por për shkaqe të kushteve klimaterike, më duhej të devijoja për në Prishtinë por në atë kohë fluturoja për Air Serbian që nuk lejohet të fluturojë në hapësirën ajrore të Kosovës. I kërkova qendrës së kontrollit në Serbi që kam një emergjencë dhe duhet të më jepni linjën e radios me NATO-n që të kërkojë një korridor ajror për t’u ulur në Kosovë. Qendra e Kontrollit tonë ishte konfuze por më dha leje të flas me përfaqësuesit e NATO-s të cilëve i shpjegova që rrezikoja jetën e disa njerëzve dhe e shoqëruan udhëtimin deri në ulje me 3 avion luftarak. unë nuk merrem me politik as me fe, unë i dua të gjithë popujt e Ballkanit”, tha piloti.

Ballkani priti një avion tjetër, dhe një tjetër kapiten për t’u kthyer në Prishtinë me 7 orë vonesë, megjithatë lidhja e stafit me Sashën tashmë është më tepër se sa profesionale.

“Sapo mbërritën në Prishtinë përfaqësuesit e Ballkanit më falënderuan për gjithçka dhe më thanë jenë i ftuar në Suharekë nëse do”, tha Pejçiç./ Top Channel

“Rama t’u tregojë shqiptarëve investimin 128 mln euro”, Kryemadhi: Te inceneratori i Tiranës…

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi reagoi pas deklaratës së kryeministrit Rama ku tha sot se Tirana është një nga qytetet më të pastra, dhe se inceneratori është projekt në vazhdim.

Kryemadhi ftoi kryeministrin të shkojë në Sharrë, te inceneratori i Tiranës dhe t’u tregojë shqiptarëve investimin 128 mln euro. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi tha se aty kishte vetëm jonxhë dhe se ky incenerator është plani financiar 30-vjeçar i Edi Ramës për të vjedhur për 30 vjet qytetarët shqiptarë.

“I vetmi incenerator ku Rama nuk ka shkelur dhe as nuk e ka promovuar është inceneratori i Tiranës, financuesi kryesor i kësaj vepre fiktive janë të gjithë qytetarët shqiptarë nga veriu në jug. Ku shkojnë lekët e shqiptarëve? Pse nuk demonstron Edi Rama investimin e bërë në Sharrë. Para ca ditësh aty kishte vetëm jonxh të mbjellë. Përse fshihet Edi Rama? Pse Rama në komisionin hetimor parlamentar iu tha të gjithëve që kompania ka bërë 128 mln euro investim unë nuk merrem me politikat mjedisore dhe me procedurat dhe letrat që merren vartësit e mi. Ndërsa sot foli si analist për letra e procedura. Ku është investimi prej 128 mln eurosh që ai e ka ulëritur aq shumë në komisionin hetimor. E ftoj të bëjë inspektimin. Unë e kam quajtur inceneratorin e Tiranës si plani financiar 30-vjeçar i Edi Ramës për të vjedhur për 30 vjet qytetarët shqiptarë. Inkurajoj SPAK-un të hetojë shkeljet procedurale pa u intimiduar nga presionet. Sa i përket evazionit fiskal 189 mln dollarë, a e di kryeministri që ato kompani që janë krijuar apostafat për të fryrë kostot dhe për të përfituar TVSH-në kanë shërbyer si nënkontraktorë. Ai e ka ngritur gjithë skemën për grabitjen e taksave të qytetarëve shqiptar nëpërmjet koncesioneve dhe nëpërmjet koncesionit të inceneratorit të Tiranës. Unë vazhdoj të jem në pozicionin tim për ta vazhduar deri në fund luftën dhe për ta çuar deri në fund çështjen më korruptive të inceneratorëve, për t’i çuar hetimet deri në fund sepse çështja e inceneratorëve është vetëm maja e ajsbergut e korrupsionit të Ramës dhe qeverisë së tij”, tha Kryemadhi.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët online sot, Rama deklaroi se inceneratori i Tiranës është projekt në vazhdim, e se Tirana është ndër qytetet më të pastra.

Erzeni mposht Laçin dhe fluturon në krye të Superiores, askush nuk i ndal shijaksit

Erzeni impresionon në “Niko Dovana”, duke mundur 1-0 Laçin në frymarrjet e fundit të ndeshjes.

Me këtë sukses të besuarit e Kapllanit ngjiten në krye të Superiores me 11 pikë të grumbulluara në 5 ndeshje.

Skuadra nga Shijaku pak kohë më parë rrezikonte të mos merrte pjesë në elitë për shkak të liçensimit, ndërsa tashmë e gjen veten në vendin e parë, duke shtangur edhe ekipe me emër në futbollin shqiptar.

Tri pikë të marra me vështirësi, pasi u nevojit një 11 metërsh në minutën e 99 që shijakasit të kalonin në avantazh.

Amir u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe festa është e gjitha për ekipin e drejtuar nga Xhevahir Kapllani.

Erzeni shkon në kuotën e 11 pikëve, duke marrë kreun e Abissnet Superiores.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës Bylisi u ndal në barazim 0-0 ndaj Egnatias. /zoom.al/