zoom

Day ArchiveLazio mposht Interin, Hysaj pjesë e triumfit

Lazio i ka shkaktuar Interit humbjen e parë në kampionat në këtë sezon që në javën e tretë të Serisë A, duke e mposhtur 3 me 1.

Pas dy fitoreve radhazi, Inter bie në “Olimpico” të Romës.

Një humbje që djeg për Simeonen, teksa sheh ish ekipin e tij ta mund ashtu si sezonin e kaluar.

 

Dështon projekti Lipa-Veliaj, qytetarët braktisin Sunny Hill në Tiranë

Pas gati tre javë promovim nga Bashkia e Tiranës dhe mediat e ndryshme në vend, ka nisur sot në mbrëmje eventi i shumëpritur i “Sunny Hill Festival” në Tiranë.

Por ndryshe nga sa ishin pritshmëritë, nata e parë ka qenë një zhgënjim sa i përket pjesmarrjes.

Siç shihet edhe nga fotot e siguruara nga Zoom.al, koncertin po e ndjekin një numër shumë i vogël qytetarësh, ndonëse në skenë pritet të ngjiten emra të njohur të muzikës botërore.

Për këtë pjesmarrje, përveç çmimeve të kripura të biletës, ka ndikuar edhe fakti se vet organizatrja e këtij eventi, këngëtarja Dua Lipa nuk do të këndojë në asnjë prej netëve të këtij festivali.

Në natën e parë të festivalit u ngjitën në skenë këngëtarë të njohur shqiptarë si Dren Abazi, Dafina Zeqiri apo Capital T, ndërsa sot është parashikuar të këndojë edhe Tanatai apo kengetari italian Fedez.

Arrestohet dhe burgoset këngëtarja turke pas batutës për shkollat fetare

Ylli i popit turk, Gulsen u arrestua për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë” pasi bëri një shaka për shkollat fetare në Turqi, sipas agjencisë së lajmeve turke.

Kompozitorja dhe këngëtarja 46-vjeçare, emri i plotë i së cilës është Gulsen Colakoglu u arrestua në banesën e saj në Stamboll mbrëmjen e së enjtes dhe u dërgua në paraburgim në pritje të gjyqit.

Në prill, në një koncert në Stamboll, Gulsen tha se “perversitetet” e një prej muzikantëve të saj ishin rezultat i faktit se ai ndoqi një shkollë fetare. Gjatë marrjes në pyetje, ajo hodhi poshtë akuzat dhe tha se “respekton absolutisht vlerat e vendit të saj”.

Arrestimi shkaktoi zemërim në rrjetet sociale. Kritikët e qeverisë thanë se masa ishte një përpjekje e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen nga fetarët dhe konservatorët e tij përpara zgjedhjeve që do mbahen pas 10 muajsh në Turqi.

Zëdhënësi i partisë në pushtet, Omer Çelik, ka vlerësuar se “shkaktimi i urrejtjes nuk është formë arti”. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe shumë anëtarë të partisë së tij ndoqën shkolla fetare, numri i të cilave është rritur që kur Erdogan erdhi në pushtet.

Kemal Kilicdaroglu, lideri i partisë opozitare turke, i bëri thirrje gjykatësve dhe prokurorisë që të lironin Gulsenin.

Me anë të një postimi në Twitter ai tha: “Mos e tradhtoni ligjin dhe drejtësinë; lirojeni artisten menjëherë”!

Ndër ata që bënë thirrje për lirimin e Gulsen ishte edhe këngëtari i falshëm turk, Tarkan.

“Sistemi ynë ligjor, i cili mbyll një sy ndaj korrupsionit, hajdutëve, atyre që shkelin ligjin dhe masakrojnë natyrën, ata që vrasin kafshët dhe ata që përdorin fenë për të polarizuar shoqërinë përmes ideve të tyre fanatike – e ka arrestuar Gulsenin pa asnjë shkak”, shkroi Tarkani në Twitter.

 

VIDEO/ E moshuara shuplakë stjuardesës, avioni bën ulje të detyruar. 9 policë e nxjerrin zvarrë

Një tjetër ngjarje e paprecedentë është regjistruar në një nga fluturimet e nisura nga Britania e Madhe për në Mesdhe, këtë herë në avionin e linjës Mançester-Rodos.

Pilotët janë detyruar të bëjnë një ulje emergjente në aeroportin e Mynihut në Gjermani, pasi një grua në të 70-at ka sulmuar fizikisht një prej stjuardesave në avionin e kompanisë Jet2, pasi kjo e fundit i hoqi nga duart një shishe me xhin-tonik.

Pensionistja, emri i së cilës nuk bëhet e ditur, ishte bërë agresive, ndaj pas uljes emergjente ajo u tërhoq zvarrë për t’u nxjerrë nga avioni, nga nëntë oficerë policie.

Pasagjerët që mbetën të tronditur nga ngjarja në fluturim duartrokitën dhe brohoritën kur ajo u largua, teksa thërrisnin njëzëri: Mirupafshim kafshë!.

Videoja e shpërndarë tregon oficerët e policisë gjermane që hipin në avion, përpara se ta nxjerrin të moshuarën përgjatë korridorit, me këmbët e saj të zvarritura përgjatë dyshemesë.

 

 

 

Shifra stratosferike/Sa ishin fitimet e “Klan”, “Top Channel” dhe televizioneve të tjera në 2021-n?

Në një vend popullsi rreth 2.8 milionë banorë dhe me një treg të vogël reklamash, ka shumë televizione, sidomos të fokusuara në dhënien e lajmeve.

Qarkullimi vjetor i 13 televizioneve kryesore private në vend vlerësohet në rreth 50 milionë euro në vitin 2021, me një rritje prej rreth 24% në krahasim me vitin e mëparshëm, kur vendi ishte në pandemi që preku ndjeshëm dhe buxhetet e marketingut të kompanive që bëjnë reklama, çka bëri që pjesa më e madhe e televizioneve të shënonin stanjacion, apo rënie të të ardhurave.

Pjesa më e madhe e të ardhurave gjenerohen me diferencë nga të tjerët, nga dy televizionet më të mëdha në vend, TV Klan dhe Top Channel, që kanë raportuar së bashku gati 63% të totalit të të qarkullimit vjetor të 13 televizioneve.

“TV Klan” është më i madhi në vend, me të ardhura prej 2 miliardë lekësh (17 milionë euro), me rritje 42.3% me bazë vjetore. Por, televizioni thekson në raportin e tij vjetor se rritja e të ardhurave ishte si rrjedhojë e shitjes së licencës për transmetimin e eventeve sportive “La Liga” në territorin e Kosovës dhe Shqipërisë. “Përsa i përket zërit të shpenzimeve kemi gjithashtu rritje, kryesish shpenzime të personelit me rreth 20%, si rrjedhoje e rekrutimit të punonjësve për hapjen së kanalit Klan News. Për rritjen kanë pasur ndikim edhe shpenzime të tjera të aktivitetit, kryesisht ato për blerjen e pantentave për eventet sportive dhe filma me rreth 98%”. Fitimet e TV Klan në vitin 2021 ishin 230 milionë lekë, me një rënie prej rreth 4% në krahasim me vitin e mëparshëm.

“Top Channel” raportoi të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh (13.2 milionë euro), me rritje 16% me bazë vjetore. Top Channel thekson në raportin vjetor se një nga pikat e forta të tij është shikueshmëria e lartë në kanalin ‘You tube’. Sipas raportit, “edhe gjatë viteve 2022-2023 do të ketë prioritet investimet në përmirësimin e infrastuktrurës teknologjike, investime te filluara gjatë 2021 – 2022”. Prej tre vitesh Top Channel po rezulton me fitime të larta, ndërsa më parë kishte rezultat minimal. Në vitin 2021 fitimi para taksave ishte 204 milionë lekë, me rritje pothuajse 10% me bazë vjetore.

Në vitin 2021, televizioni “A2” ka kaluar në të tretin privat më të madh në vend, me të ardhura 391 milionë lekë (3.3 milionë euro), pas një rritjeje me 24.2% të të ardhurave.

Në vend të katërt ka kaluar “Vizion Plus”, që pa një rënie të të ardhurave në 2021 me 5%, në 362 milionë lekë ( 3 milionë euro).

“News 24”, që në 2020-n ishte televizioni i katërt më i madh nuk e ka dorëzuar ende bilancin e 2021-t. Në 2020-n të ardhurat e tij ishin gati 3 milionë euro.

“Euronews”, i hapur vitet e fundit ka kaluar në televizionin e gjashtë më të madh në vend, me një rritje të qarkullimit vjetor me 33%, në 2.4 milionë euro.

Televizionet e tjera kanë të ardhura prej më pak se 1.5 milionë euro në muaj. Edhe fitimet, me përjashtim të Klan dhe Top Channel (që fitojnë para taksave 1-7-19 mln euro në vit) janë minimale, (nga 10-100 mijë euro në vit) duke treguar për një treg jo tërheqës nga ana e përfitueshmërisë, pavarësisht rendjes së shumë bizneseve për të hapur televizione. /monitor

 

 

Ishte nën kontrollin e paqeruajtësve rusë, Azerbajxhani rimerr qytetin strategjik

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev deklaroi të premten se forcat e armatosura të vendit të tij kanë rimarrë kontrollin mbi qytetin kyç të Laçin, i cili lidh rajonin separatist të Nagorno-Karabakut me Armeninë, dhe ishte nën kontrollin e paqeruajtësve rusë që nga nëntori i vitit 2020.

Aliyev shkroi në Twitter më 26 gusht se forcat e armatosura të Azerbajxhanit tashmë kontrollojnë gjithashtu edhe fshatrat Zabux dhe Sus në rrethin Laçin.

Laçin ndodhet në një zonë që ka shërbyer si lidhje kryesore midis Armenisë dhe rajonit të Nagorno-Karabakut. Azerbajxhani ka rimarrë kontrollin e qytetit dhe “korridorit të Laçin” pasi ndërtoi një rrugë alternative në përputhje me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Rusia që i dha fund një lufte të vitit 2020 midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë në një konflikt dhjetëra vjeçarë mbi Nagorno-Karabakun, i cili është pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e forcave armene etnike të mbështetura nga Armenia që nga përfundimi i një lufte separatiste në vitin 1994.

Gjatë një lufte gjashtë-javore në vitin 2020 që shkaktoi më shumë se 6600 viktima, Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut dhe zonave përreth që ishin prej dekadash nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Armenia.

Armëpushimi në vitin 2020 u ndërmjetësua nga Rusia, e cila dislokoi rreth 2000 trupa në rajon për të shërbyer si paqeruajtës.

Ilda Bejleri poston foton me të bijën, zbulon detajin që tërhoqi vëmendje

Moderatorja Ilda Bejleri ka ndarë në Instagram një foto me vajzën e saj, të cilën e ka quajtur Siena.

Ajo shihet e veshur me një fustan të zi elegant, teksa pranë ka të bijën në karrocë.

“Ecje jashtë me Sienën time” dhe krah emrit të vajzës ka vendosur shkronjën K, shkronjën e parë të mbiemrit të vajzës dhe partnerit.

Sa i përket këtij të fundit, ajo e ruajtur me fanatizëm nga publiku. Mësohet se Bejleri po shijon prej kohësh një romancë me një biznesmen me profil të ulët publik dhe kjo është arsyeja pse nuk e ekspozon.

 

Lushnja i dorëzon kampionit Florian Marku titullin “Qytetar Nderi”

Florian Markut i është dorëzuar sot titulli “Qytetar Nderi” i Lushnjës.

I pranishëm në nderimin që iu bë boksierit shqiptar ishte dhe deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla. Marku ishte vlerësuar me “Qytetar Nderi” muaj më parë nga Bashkia e Lushnjës.

Ai ia doli të fitojë me vendim unanim mbreme në “Air Albania” kundër meksikanit Miguel Parra Ramirez.

 

Vetëhelmohet me fostoksinë 35-vjeçari në Dimal, viktima është person me precedent kriminal

Një 35-vjeçar nga fshati Samaticë nē bashkinë Dimal i ka dhënë fund jetës, duke pirë një dozë të fortë “fostoksine”.

Mësohet se 35-vjeçari është gjetur i shtirë në dysheme nga familjarët, të cilët e kanë transportuar në Spitalin Rajonal Berat, në gjendje të rëndë.

Ai ka ndërruar jetë 2 orë pas mbërritjes në spital dhe trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit të Beratit, ku do ti nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

Viktima Dashnor Oshafi është një fermer në Samaticë, aktivist i njohur për të drejtat e fermerëve dhe i pranishëm në çdo protestë.

Dashnor Oshafi është edhe një person me precedent kriminal, i arrestuar në vitin 2016, pasi Gjykata e Napolit në Itali kishte caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal”, “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafikimi i qenieve njerëzore” dhe “Emigracion i paligjshëm”.

Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat që e kanë detyruar 35-vjeçarin ti jap fund jetës, duke u vetëhelmuar. Burimet zyrtare policore bëjnë me dije se, grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Rama mbledh ditën e shtunë qeverinë në Dajt. Çfarë do ndodhë?

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e shtunë qeverinë.

Është një traditë kjo e kryeministrit Rama, që gjithmonë pasi kthehet nga pushimet, mbledh kabinetin qeveritar në ato që quhen ritrite.

Ministrat do të flasin për punën e tyre, se sa i kanë përmbushur objektivat dhe se çfarë synohet të bëhet për përmirësim të situatës në ministritë përkatëse./ Zoom.al