zoom

Day ArchiveLajthit Taulant Balla: Shyqyr që ka krizë, që fermerët të mbijetojnë

Ditën e sotme, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla mori pjesë në festën e grurit në Pojan të Fierit.

Ai u tha bujqërve se asnjëri prej atyre që kanë mbjellë grurë nuk do të dalë me humbje këtë vit.

Por arsyeja se përse sipas Ballës ata do të dalin me fitim është cinike deri në kufijtë e lajthitjes.

“Këtë vit, çmimi i shitjes së grurit do të jetë mbi 50 lekë, është dyfish më i lartë se viti i kaluar. Besoj se asnjë prej bujqëve nuk do të jetë me humbje. Nëse vjet u rrit me 260 lekë, sot është me 500, edhe për shkak të situatës globale. Ky është një vit shumë i mbarë, jam shumë i sigurtë që cilësia e grurit vendas është shumë e lartë, e gjithë sasia e grurit… një gjë që duhet ta mendojmë është të rrisim kapacitetet e grumbullimit”.

Pra, sipas kryetarit të grupit parlamentar të PS, fermerët duhet të falenderojnë krizën që mund t’i nxjerrë me fitim.
Por Balla harron t’u llogarisë fermerëve se, si pasojë e krizës globale ata do ta paguajnë këtë vit dyfish edhe çmimin e korrjes dhe shirjes, pasi çmimi i naftës ka arritur rekorde historike dhe e rendit Shqipërinë në 10 vendet e para në botë për naftën më të shtrenjtë. Po dyfish do të paguajnë edhe transportin e çdo proces tjetër derisa ta nxjerrin në treg.
Ata që kanë përdorur mjete motorike gjatë rritjes, kanë paguar gjithashtu çdo gjë më shtrenjtë.
Kur të mbjellin sërish në vjeshtë, do paguajnë nga fara, te helmet e makineritë disa-fish më shumë se një vit më parë.

Është e kuptueshme që, si përfaqësues i mazhorancës Taulant Balla kërkon ta shesë situatën si pozitive, edhe pse fermerët janë në kufijtë e mbijetesës.
Por është e pakuptueshme nëse të tilla deklarata janë pasojë e mosnjohjes së realitetit apo vetëm e vesit për të bërë propagandë. /Zoom.al

Max Verstappen triumfon në Çmimin e Madh të Kanadasë dhe kryeson Botërorin e F1 me diferencë

Max Verstappen fiton Çmimin e Madh të Kanadasë, raundin e nëntë të Kampionatit Botëror të Formula 1.

Piloti holandez u rezistoi sulmeve të Carlos Sainz dhe triumfon në Montreal përpara Ferrarit të spanjollit dhe Mercedesit të Hamilton, që ngjitet në shkallën e tretë të podiumit.

Chased all the way to the line, but Max soaked up the pressure to take his sixth win of 2022! 🏆#CanadianGP #F1 pic.twitter.com/gWoiU21LQr

— Formula 1 (@F1) June 19, 2022

Në vendin e katërt përfundoi Russell që arrin të mbajë pas një super Leclerc, i cili edhe pse e nisi i 19-ti garën, zhvilloi një paraqitje sinjifikative duke fituar duartrokitje.

🏁 TOP 10 (LAP 70/70) 🏁

Verstappen
Sainz
Hamilton
Russell
Leclerc
Ocon
Alonso
Bottas
Zhou
Stroll#CanadianGP #F1 pic.twitter.com/L8eWII0lIw

— Formula 1 (@F1) June 19, 2022

Me suksesin kanadez Verstappen shtrihet në klasifikimin e përgjithshëm duke udhëhequr Botërorin me 175 pikë, ndjekur nga Sergio Perez 129 dhe Leclerc 126 pikë. /zoom.al/

“Më urinonin mbi kokë“/ Rrëfimi shokues i ish-policit: Si kokaina më çoi brenda mafias shqiptare

Pa rehabilitim, do të isha i shtrirë diku në një varrezë, me epitafin shkruar mbi varrin tim: Vdiq, 27 vjeç! Kam qenë i varur nga droga dhe arrita të shërohem vetëm falë rehabilitimit. Mendova se kisha humbur përgjithmonë, shëndetin, familjen, mirënjohjen për jetën dhe ambicien time.

Fakti që sot marr frymë dhe shkruaj, shumëkujt mund t’i duket i habitshëm. Si fëmijë, kam vuajtur nga vetëbesim i ulët dhe pasiguria. Unë kam qenë problematik që në shkollë, më quanin “topolak” dhe njerëzit më vinin në pah vazhdimisht anët e mia negative. Kështu, kur u njoha me kokainën në moshën 18-vjeçare nga një mik i ngushtë që i besoja, përjetova menjëherë një ndjenjë besimi të brendshëm, mbizotërues dhe eufori që më largoi nga vetja.

Pas asaj doze u bëra personi që doja të isha gjithmonë. Ky ishte një imazh që e projektova tek vetja se si doja të isha që në fakt fshihja pjesën tjetër se si ndihesha nga brenda. Ishte sikur dikush më dha një super mjekim që më transformoi plotësisht dhe ishte një ndjenjë që e kërkoja vazhdimisht, rrëfehet i riu britanik për “Metro”.

Kokaina më bëri të ndihesha sikur mund të pushtoja botën, por gëzimi ishte jetëshkurtër, dhe shpejt u bëra i varur nga vijat e bardha. Nuk isha i vetëdijshëm për këtë gjë në atë kohë dhe u bëra i varur nga droga. Kur nuk pija tre herë në javë, truri im ishte i fiksuar pas drogës.

Isha paranojak, frikësohesha, ecja pranë pasqyrave, shpesh duke e gjetur veten duke ngulur sytë nëpër vrima të çelësave, i bindur se po më kërkonin mua. Zgjohesha çdo mëngjes duke menduar se kujt i kisha para borxh. Isha në një gjendje të vazhdueshme frike. Gjatë pesë viteve të para të abuzimit tim të rëndë të kokainës, unë isha një oficer policie që i shërbeja Madhërisë së Saj Mbretëreshës.

Nëse po mendoni se sa e tmerrshme dhe e papërgjegjshme është kjo, më besoni, i kam dëgjuar të gjitha. Asgjë që dikush mund të më thotë nuk është më e keqe se fjalët që i kam thënë vetes. Kur isha trajnuar për Policinë Metropolitane, kisha ADHD të padiagnostikuar dhe kisha vështirësi në përqendrim. Nëse nuk do të merrja 80% në provimet e policisë çdo javë, do të dështoje dhe do të largoheshe. Ndërkohë që po stërvitesha për provimet e mia në polici, abuzimi me drogën më ndihmoi të mbaja informacione për të kaluar nëpër to. Ishte si pilula ime magjike që e përdorja në dhomën time kur isha duke studiuar. Ishte duke bërë për mua atë që nuk mund të bëja për veten time. E kalova fazën e trajnimit dhe u bëra oficer policie në Camden Borough të Londrës. Fitoja 26 mijë paund në moshën 19-vjeçare; jetoja në shtëpi me familjen time, kështu që faturat e mia ishin minimale dhe nuk paguaja qira.

Nuk kishte asnjë pasojë financiare në atë kohë, dhe kështu kostoja e kokainës fillimisht nuk ishte problem. Kur isha efektiv policie ikja fshehurazi në tualetet e komisariatit ose mbërrija me vonesë, pasi më duhej të merrja kokainën time. Nuk e lidha veten me shpërndarës agresivë droge ose përdorues si ata që arrestova, megjithëse – e pashë kokainën si ilaçin tim dhe këta njerëz po shkelnin ligjin. Por tmerri i varësisë nga droga filloi shpejt dhe kokaina më duhej kokaina që të ndihesha normal. Siç mund ta imagjinoni, të qenit edhe oficer policie dhe abuzues e i varur nga kokaina nuk është aspak normale. Pas 5 vitesh u largova nga policia dhe u transferova në Berlin. Aty mbeta pa para. Fillimisht përdora karta krediti, por më duhej të shikoja opsionet e tjera kur i mbarova edhe ato.

Në një moment, unë vodha portofolin e një burri që ishte pa ndjenja. Me ato para bleva kokainë Në Berlin ku rifillova përdorimin e kokainës, fillova të punoj edhe për mafian shqiptare. Kjo ndodhi duke u miqësuar me një nga kapobandat e zonës VIP të klubeve të natës. Ai ishte i rrethuar nga gra të bukura dhe me paturpësi e pyeta nëse e dinte se ku mund të gjeja kokainë. Ai më dha një zarf dhe më tha ta hapja në banjë. Brenda kishte katër gram kokainë. Kjo “dhuratë” nisi një marrëdhënie me të që unë i bëja “favore” atij në këmbim të kokainës.

Më lidhën me litar për t’i ndihmuar me gjithçka që kishin nevojë, duke i çuar gratë nga një bordello që kishin.

Ai u bë edhe një figurë prindërore për mua. Ai po më merrte atë që doja në formën e drogës, dhe kështu ndjeva se i kisha borxh.

Pra, mafia shqiptare u bë familja ime e re derisa më larguan prej saj.

Në fund të fundit, për shkak të shumë parave që u detyrohesha shumë njerëzve të rrezikshëm – ndoshta rreth 20 mijë dollarë, u sëmura rëndë dhe isha i pastrehë në Berlin.

Isha në mes të njëzetave, duke u zgjuar në rrugë, i mbuluar me urinën e tjetrit dhe i zhytur në gjakun tim. Pasguria nga fëmijëra u rikthye sërish, nga i cili kisha kaluar vite duke përdorur kokainë. ‘Unë dhe ai fëmijë’ qanim së bashku në atë rrugë të ftohtë me kalldrëm. I telefonova nënës sime atë ditë nga një telefon në Berlin dhe kërkova ndihmë. Ndryshe nga shumica e të varurve, mu dha një shans i dytë dhe pata fatin të vendosesha në një rehabilitim rezidencial në Britaninë e Madhe. Tani festoj 12 vjet pa substanca dhe ia kam kushtuar jetën time për të ndihmuar të varurit e tjerë të marrin ndihmën që u nevojitet dhe të fillojnë një jetë të re.

Tani, jam i martuar me një grua të mrekullueshme të quajtur Gemma, me dy fëmijë të mrekullueshëm.

Ndjenjat që kisha për veten nuk më pushtojnë më kokën. Unë zotëroj një pronë, jam pronar biznesi dhe jam një person i besueshëm me stabilitet. E cila është më shumë se sa do të kisha dashur ndonjëherë. Fakti që sapo hapa një institucion të bukur rehabilitimi, Verve Health, është një mrekulli.

Misioni im – pasi më është dhënë një goditje e dytë në jetë – është të shpëtoj jetën e mijëra të varurve të tjerë. Tani jam një nga ekspertët britanikë për varësinë dhe një avokat i rimëkëmbjes. Qendra e Varësisë, Qendra për Drejtësi Sociale përcaktoi se niveli i varësisë në Mbretërinë e Bashkuar e bëri atë “kryeqytetin e varësisë në Evropë” dhe 36 miliardë paund shpenzohen nga kombi çdo vit për trajtimin në lidhje me abuzimin me drogën dhe alkoolin.

Ju lutemi, mos mendoni se çdo njeri është një kauzë e humbur. Ndonjëherë duhet thjesht personi i duhur, fjalët e duhura dhe koha e duhur për të rikthyer dikë në një jetë që e meriton. Kështu që ju lutemi mos hiqni dorë as prej tyre, as nga vetja. Shndërrimi i tmerrit tim të varësisë në diçka që do të shpëtojë mijëra jetë më sjell një paqe dhe krenari të madhe. Nuk ka ilaç më të mirë se shërimi.

Koshat e plehrave nën tokë/ Veliaj shet si revolucion nismën që zbatohet prej vitesh në Fier

I prezantoi me bujë si revolucion dhe nuk nguroi që në gjoksin e vet të varë medaljen e kryepastërtorit.

Erion Veliaj: Ne do të shkojmë në një tjetër nivel, me atë që quhet kazanët nën tokë, një teknologji shumë e avancuar, një teknologji e shtrenjtë.

Homologët vendas nuk i llogarit ndaj sfidoi më gjërë.

Erion Veliaj: Ne do të jemi avangard, jo vetëm në Shqipëri që jemi më patjetër më të pastrit, por besoj që në të gjithë Europën Jug-lindore, në Ballkan.

Në daljet si shërbëtor publik apo zyrtar partie i bëri jehonë. Pak punë e reklamuar shumë, pret të japë efekt.

Erion Veliaj: Një nga gjyshet më tha “shumë të bukura koshat nën tokë, por jo vetëm te turistët dhe te lagjia jonë se ti je rritur këtu”. Unë i thashë “patjetër që jam rritur këtu por kushtojnë shumë”.

Faktet dhe e vërteta janë ndryshe.

Bashkia e Tiranës nuk është e para dhe as e vetmja që e përdor këtë teknologji për grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve.

Pamjet që vijnë nga qyteti i Fierit tregojnë kontejnerët e parë nëntokësore të mbetjeve urbane atje janë vendosur në vitin 2017.

Madje gjithçka është bërë me projekt.

Akset kryesore dhe çdo rrugë që rehabilitohet kanë këtë teknologji.

Në pjesën më të madhe të qytetit mbi tokë vihen re vetëm koshat e vegjël, në funksion të këmbësorëve, që në Tiranë, vështirë se gjenden më./OraNews

Sarandë, makina me dy të rinj përfundon në oborrin e një shtëpie

Pasditen e sotme, një aksident i rëndë është regjistruar në qytetin e Sarandës.

Mësohet se një makinë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në oborrin e një shtëpie.

Brenda automjetit gjendeshin dy të rinj. Makina ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë, përpara se të përplasej.

Dy të rinjtë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit dhe tanimë ndodhen jashtë rrezikut për jetën./ Zoom.al

Moderatorja e famshme denoncon kompaninë Wizz Air: Turp, jam pa fjalë!

Wizz Air, kompania e fluturimeve me kosto të ulët ndodhet në qendër të kritikave, për shkak të vonesave në aeroporte, fluturime të anuluara, pasagjerë që lihen pa asnjë shpjegim në mes të katër rrugëve nëpër Evropë dhe avionë që devijojnë destinacionin në mes të fluturimit.

Së fundmi, pre e këtij kaosi ka rënë prezantuesja e famshme italiane, Simona Ventura.

Përmes një videoje në Instagram, Ventura tregon se si fluturimi i saj drejt Napolit u anulua në sekondat e fundit.

“300 veta në tokë. Është turp. Po qëndrojmë këtu prej 4 orësh! Kujdes nga kjo kompani! Jam pa fjalë. Kompanitë low cost duhet të bëjnë detyrën, sepse ne nuk e marrim falas shërbimin, e paguajmë. Këtu ka dhe fëmijë!”- shprehet ajo ndër të tjera.

Nga ana tjetër, tejmase i revoltuar, bashkëshorti i saj dëgjohet të thotë se duhet njoftuar policia.

Kompania Wizz Air është nën hetim nga Rregullatori i Sigurisë së Aviacionit në Europë, pasi Drejtori Ekzekutiv i saj, József Váradi, u kërkoi pilotëve të bënin milje shtesë për të ndihmuar kompaninë, një tjetër provë kjo se kompania është në krizë.

Kompania, që ka nisur prej disa vitesh operimin edhe me Shqipërinë, ka anuluar disa fluturime drejt Rinasit. Linjat e saj kanë pasur vonesa dhe pasagjerët kanë kërkuar të merren masa. Por autoritetet në Shqipëri nuk kanë bërë asgjë deri tani./ Zoom.al

Shpëtimi nga liderët megalomanë

Pak vite më parë vartësit i kishin rregulluar kreut të qeverisë tonë, një titull Doctor Honoris Causa në një universitet ballkanik të dorës së tretë, në gjysmën e poshtme të hierarkisë globale. Dihej se njeriut i pëlqenin nderimet nga të huajt dhe adhurimi nga vendasit, të ishte një lloj hyjnie i vlerësuar dhe i pakundërshtuar nga të tjerët. Ky ‘nderim akademik’ shkonte në këtë drejtim. Plotësonte disi edhe formimin e pakompletuar të tij. Në këtë atmosferë lideri zbriste nga avioni në atë fund dimri, me një pallto të gjatë e të bardhë, që stononte me kohën dhe modën, por e lidhte me përjetësinë. Vetëm Servantesi mund të arrinte të përshkruante përmasat e këtij personazhi jo të zakonshëm.

Në darkën e shtruar me këtë rast, prijësi do ndante me oborrtarët ekzaltimin, por edhe dëshpërimin, me një analogji nga paraardhësi i tij në parti. Edhe ai si ky ishte ngjitur dikur në fronin e kryeministrit dhe në një eveniment ndërkombëtar të partive europiane ishte vlerësuar dukshëm për staturën e tij si orator i spikatur. Pak para fjalës së tij ishte ngjitur në skenë e kishte mbajtur një fjalim të plogësht kryeministri i një vendi nordik, por pas skandinavit vjen ky i yni, që thuhet se ishte pëlqyer dhe kishte marrë duartrokitje në masë për humorin dhe batutat plot nënkuptime. Eh kishte thënë ky i yni, jeta është e padrejtë – një i lodhur qeveris në vende të zhvilluara dhe një si unë i duhet të drejtojë Shqipërinë. Këtë brengë kishte edhe Honoris Causa ynë. Ç’vlejnë vlerësimet ndërkombëtare kur kthehesh në një vend të vogël që nuk e kuptonte madhështinë e tyre.

Të dy kryeministrat në fjalë ishin personazhe që shquheshin për paaftësi, kompionë kontinentalë korrupsioni, me ekonomi të pazhvilluar, shtet të brishtë dhe popullsi në kërkim të emigrimit, thuajse asnjë progres në rrugën europiane të vendit. Përpos këtyre fakteve të dy ishin megalomanë, demagogë në kufijtë e pacipësisë, kapës të mediave dhe deformues të perceptimit publik, krijues të mitit të burrave të zgjuar, ndonëse në realitet shquheshin për mediokritet qeverisës dhe mjeshtëri për të marrë zgjedhjet e trukuara, e ndenjur gjatë në pushtet. Në këto kushte i kapte një kompleks superioriteti që buronte nga përqëndrimi i pushtetit dhe deformimi i realitetit, i përshtypjeve të ekzagjeruara për veten dhe nënvlerësimit të të tjerëve, që nuk kishin arritur suksesin e trukuar përmes marifeteve.

Megalomania e njerëzve me arritje të pakta është evidentuar nga shumë studime serioze të fushës. Ish-sekretari i jashtëm britanik David Owen dhe neurologu, njëherësh profesor në Duke University Jonathan Davidson, në një artikull tek Brain, në maj 2009, flasin për “hubris syndrome”, e përkufizuar prej tyre si “çrregullim i posedimit të pushtetit”, veçanërisht i shfaqur tek pushtetarët që qëndrojnë në fron për një periudhë të gjatë.

Hubris Syndrome (apo sindroma e mendjemadhësisë) paraqitet prej tyre si një ‘model sjelljeje i një personi që e sheh pushtetin si mundësi vetë-glorifikimi, me interesim joproporcional për imazhin, me zell mesianik e ekzaltues në të folur, që i pëlqen asocimi me kombin apo organizatën, përbuzës ndaj të tjerëve dhe i gatshëm të gjykohet vetëm nga historia apo perëndia, i paaftë për racionalitetin e fakteve dhe të dhënave në politikbërje’. (1)

Sapo lexon këtë përshkrim mendja të vete tek shumë syresh në historinë tonë. Sa herë kemi rënë viktima të vendosmërisë së mediokritetit. Burra që ndjehen si statuja, që gdhihen dhe ngrysen me bindjen se mbi shpatulla po mbajnë barrën e historisë dhe që na qajnë hallin se çfarë do ndodhë me këtë komb ditën kur ata do vendosin të largohen nga drejtimi i vendit. E kur vjen ajo ditë ne gjendemi edhe më keq se më parë.

Si ka mundësi që këta burra të paaftë arrijnë të bëhen lidera, pyet Tomas Chamorro-Premuzic, në librin e tij të fundit. Ai vëren se vetëbesimi, narcizizmi, psikopatia, karizma dhe gjatësia i çojnë të pazotët në krye të vendeve dhe organizatave, ndonëse ata nuk sjellin suksese për grupet që udhëheqin (2). Ky është problemi ynë kombëtar dhe zgjidhja është t’i gjykojmë liderat nga arritjet jo nga manipulimi emocional i pamjes së jashtme, autoritetit fals dhe marrëzia e tyre. Aparenca të gënjen, faktet dhe realizimet janë ato që duhen ta mbajnë njeriun në krye të punëve të vendit. Në mbretërinë e paaftësisë lulëzon mediokriteti dhe ky është rreziku më i madh që çon në ikjen masive të njerëzve të zot dhe me kohë sjell rrënimin e vendeve dhe të organizatave.

Nëse bota i studion fenomenet negative të lidershipit dhe përgatit shoqërinë për t’i mbajtur nën kontroll mediokritetet e etur për kapje dhe mbajtje të pamerituar të funksioneve, ne na mungojnë mekanizmat e frenimit dhe ruajtjes nga dëmet që këto devijacione patologjike të ushtrimit të pushtetit u krijojnë organizatave dhe vendit. Për këtë duhet të jetë funksional një sistem imunitar që na mbron si shoqëri ndaj viruseve të pushtetit politik. Këtu po hedh disa ide joshteruese për një sistem të tillë, ku spikat mbrojtja mediatike, mbrojtja politike dhe ajo kulturore.

Mbrojtja politike

Grupimet politike duhet të jenë të parat që të reagojnë ndaj mungesës së rezultateve dhe simptomave të megalomanisë së liderëve të tyre. Organizatat politike nuk janë grupe interesi në funksion të përfitimeve të një klani drejtues, por organizime sociale në ndjekje të interesit publik dhe lumturimit të shoqërisë. Qëllimi i tyre nuk mund të jetë thjesht marrja e pushtetit, por sigurimi se pushteti do të përdoret si mjet i drejtë e i ndershëm për një produkt politik me përfitime për komunitetin.

Kur rezultatet mungojnë, kur gjuha dhe sjelljet e liderit reflektojnë simptoma intoksikuese për ambientin publik, tërheqja e mbështetjes politike për megalomanët pa rekorde të spikatura duhet të jetë një mekanizëm mbrojtës për partitë dhe qeveritë. Edhe kufizimi i mandateve duhet të jetë një masë. Kur pushteti shtrihet në kohë dhe në çdo nivel, shoqëria dobësohet dhe heshtja e konformizmi përhapen në masë duke rrezikuar funksionimin e saj.

Politikani duhet të shquhet për kurajo e për principe dhe kur e shikon devijacionin të reagojë për t’i dhënë forcë shoqërisë të gjejë funksionimin me parametra optimalë të organizmit të saj. Mitomanët që i besojnë edhe vetë trukimit të realitetit, që shijojnë përuljen servile të vartësve, pa vrasje ndërgjegjeje për pengesat në zhvillimin e shoqërive, duhen ndalur nga livadhisja e gjatë në sallonet e drejtimit të shtetit. Kapja e të gjithë pushteteve nga një njeri, dukshëm i paaftë për të sjellë zhvillim, nuk është ogur i mbarë as për partitë.

Mbrojtja mediatike

Përballje e fortë mediatike me manipuluesit emocionalë të masave mbron shoqërinë. Nëse liderat megalomanë mund të kenë mjeshtërinë e e fjalës dhe emocionit, e logos-it dhe pathos-it aristotelian, shoqëritë përmes përfaqësuesve mediatikë kanë në dorë fjalën dhe besimin, logos-in dhe ethos-in, përballjen e spekullantëve me rekordet e punës së tyre, duke nxjerrë në dritë dimensionet e karakterit të tyre.

Kryerja me përgjegjshmëri nga ana e medias dhe liderëve të opinionit publik të detyrës së informimit dhe analizës rreth funksionarëve publikë është antidoti ndaj abuzuesve jetëgjatë të pushtetit. Futja e pushtetit mediatik nën ombrellën financuese të klientelës së qeverisë i heq shoqërisë sistemin imunitar ndaj viruseve të pushtetit politik.

Kjo i shton jetën mediokriteteve dhe ç’bën profesionalisht karrierën e shumë njerëzve, kompromenton shanset për zhvillim të së tërës. Për të bërë një vend të përshtatshëm për megalomaninë e një personi ne çojmë dëm terrenin për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të mbarë kombit. Për të siguruar burimet e fitimit personal, ne i hapim rrugë mbretërimit të mediokriteteve dhe kjo është e pandershme, por edhe e dëmshme për ecurinë tonë si individë dhe komunitet.

Tenja që ushqejmë do rrënojë strukturën e ngrehinës ku banojmë dhe një ditë mund të shëmbet duke na zënë të gjithëve brenda. Për këtë deontologjia profesionale e liderit mediatik është thelbësore në mbrojtje të sistemit demokratik. Media mund të jetë ushqyesja kryesore e mediokritetit në pushtet dhe fjala e dikujt ‘duke i ekspozuar në mënyrë të tepruar karizmatikët antisocialë do i bëjmë të duken shumë më të mëdhenj se janë realisht janë’. Kështu rritet një imazh fals i adhuruar nga shoqëritë dhe i konsoliduar në pushtetin politik.

Në këtë drejtim edhe vetë shoqëritë duhet të refuzojnë uzurpimin e hapësirës mediatike nga një prijës apo një klan, të abandonojnë lavazhin e trurit dhe propagandën qeveritare, që tejkalon ndjeshëm minutazhin racional të informimit publik mbi punën e institucioneve publike.

Mbrojtja kulturore

Shoqëritë duhet të krijojnë matricën e liderit të civilizuar dhe ndajnë në masë profilin e liderit rezultativ dhe të ekuilibruar. Kombinimi i pamjes tërheqëse dhe katastrofës qeverisëse të E. Hoxhës dhe të ngjashmëve të tij duhet të na bëhet mësim. Këtu hyn refuzimi për të mbështetur retorikën spekullative, njerëzit e ç’ekuilibruar, që nuk i nënshtrohen rregullave konvencionale dhe universale të veshjes, tonalitetit, verifikimit të qasjeve, veprimeve dhe sjelljeve, që nuk mbajnë përgjegjësi për vendimmarrjet, për pasojat e ushtrimit të pushtetit të tyre.

Kanë edhe gjermanët apo francezët mediokritete shtatlartë, sharmantë me tendenca autokrate, por nuk i vënë për të parë. Preferojnë liderë racionalë si Merkel, Scholz apo Macron, burra dhe gra që prodhojnë politikë për përmirësimin e cilësisë së jetës, jo për lartësimin e prijësit dhe dominimin e klanit. Janë shoqëri që e kanë tejkaluar mitin e burrit shtatlartë apo spekullantëve të fjalës pa rezultate. Politika duhet të shihet si çdo profesion, ku të dominojë profesionalizmi dhe gjykimi racional, ku autoriteti të burojë vetëm nga rezultatet e dobishme për të gjithë. Këtë arketip kulturor na duhet të përvetësojmë.

Duke krijuar tolerancë ndaj sjelljeve të papërshtatshme me funksionet publike, ne ushqejmë devijacione të rrezikshme dhe marrim në qafë edhe vetë liderat. Të gjithë kanë nevojë t’u vijëzohet terreni i së lejueshmes për të eksploruar maksimumin e talentit dhe aftësive. Në terren të hapur shumë syresh mund të gabojnë e të shkojnë drejt kompromentimit të shanseve të tyre dhe marrjes në qafë të fateve të të tjerëve.
————————-
(1) David Owen, Jonathan Davidson, Hubris syndrome: An acquired personality disorder? A study of US Presidents and UK Prime Ministers over the last 100 years, Brain, Volume 132, Issue 5, May 2009.
(2) Tomas Chamorro-Premuzic, Why Do So Many Incompetent Men Become Leaders?: (And How to Fix It), Harvard Business Review Press, 2019.

Macron humb shumicën në parlament

Emmanuel Macron është drejt humbjes së kontrollit të Asamblesë Kombëtare Franceze, shkruan BBC.

Macron do të humbasë dhjetëra vende dhe do t’i duhet të luftojë për të shtyrë reformat e tij.

Ndërkohë një aleancë e majtë-gjelbër parashikohet të renditet e dyta, por edhe partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen deri më tani ka rezultate të mira, raportojnë mediat e huaja.

Macron kishte më shumë se 300 vende dhe mundi bindshëm Le Pen në zgjedhjet presidenciale në prill.

Për të ruajtur shumicën e tij të plotë, atij i duheshin 289 vende, por parashikimi i së dielës prej rreth 210 deri në 250 vende është më i dobët nga çfarë prisnin anketuesit./ Zoom.al

Një 22-vjeçar mbytet në Ulqin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Mal të Zi, ku një 22-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen, teksa shijonte pushimet në Ulqin.

Mësohet se 22-vjeçari, shqiptar i Maqedonisë së Veriut, me inicialet E.H., është gjetur i vdekur në vendin turistik Utjeha.

I riu kishte një javë që qëndronte në këtë zonë të Malit të Zi, por sot u mbyt në ujërat mes Tivarit dhe Ulqinit./ Zoom.al

VIDEO/Bllokohen rrugët drejt Tiranës, mijëra makina në trafik

Ashtu siç çdo fundjëve, edhe kjo e dielë ka sjellë shumë trafik në rrugët që të sjellin drejt Tiranës.

Zoom.al ka siguruar pamje nga rrugët në zonën e plazhit në Durrës, ku mijëra makina qendrojnë të bllokuara në trafik, ndërsa lëvizja për shkak të ngarkesës është shumë e ngadaltë.

Me trafik të ngarkuar vijon të mbetet rruga e Gjirit të Lalzit, by-passi i Durrësit dhe rruga dytësore në Golem-Plepa.

Më parë policia rrugore i bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin autostradën Durrës-Tiranë dhe të kthehen nga rrugët alternative siç është rruga e Ndroqit apo nga Elbasani.