zoom

Day ArchiveI përmendi emrin, delegati nxjerr bllof Bardhin: Atë ditë kam shkarkuar Bashën në referendum

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, lexoi sot emrat e delegatëve pjesëmarrës në takimin e 18 dhjetorit në Pallatin e Kongreseve, shkruan newsbomb.al. Mirëpo disa orë pas konferencës së Bardhit ka ardhur dhe përgënjeshtrimi i parë.

Ilir Dervishi, delegat i PD thotë se nuk ka marrë pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit siç pohoi sot Bardhi, por ka marrë pjesë në atë të 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, për shkarkimin e kryetarit aktual të Partisë, Lulzim Basha.

Postimi i plotë i Ilir Dervishit:

Sqarim për demokratët e Krujës dhe të gjithë miqtë e mi..!

Sot nga selia e Partisë Demokratike më është përmendur emri nga dy deputetë si pjesëmarrës në mitingun e datës 18 dhjetor.

Dua të sqaroj se unë kam marrë pjesë në të vetmin kuvend legjitim, atë të 11 dhjetorit i thirrur nga delegatët, dhe me 18 dhjetor kam qenë pjesë e proçesit të referendumit në grupin e punës së degës së Krujës.

Ngjashmëria ime e emrit me një funksionar tjetër të PD nuk ka të bëjë me mua si individ, dhe dua të përgënjështroj përdorimin e emrit tim, përkushtimi im është në zbatim të vullnetit të demokratëve krutanë dhe shqiptarë për një PD: #MëTëBashkuar #MëTëFortë #MëTëHapur

Djegia e flamurit serb gjatë protestës në Tiranë, shoqërohen në komisariat 3 të rinj

Policia ka shoqëruar në komisariat 3 persona, të cilët dyshohet se i kanë vendosur zjarrin flamurit serb, gjatë protestave të sotme në Tiranë.

Sipas burimeve, 3 personat janë duke u marrë në pyetje nga policia lidhur me këtë çështje.

Kujtojmë, se protesta e ditës së sotme u thërrit nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe qëllimi i saj ishte kundërshtimi i vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë.

Nga ai takim, Berisha ka paralajmëruar të tjera protesta kombëtare, duke shtuar se nuk do të kenë të ndalur deri në rrëzimin e qeverisë aktuale.

Yuri Kim: DASH nis iniciativat për të luftuar korrupsionin

Pas mbajtjes së Samitit për Demokraci, Departamenti Amerikan i Shtetit do të nisë një sërë iniciativash për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar demokracinë. Lajmi bëhet me dije nga Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim nëpërmjet një postimi në Twitter, e cila ka shpërndarë edhe njoftimin e DASH.

“Në vijim të Samitit për Demokraci, Departamenti i Shtetit po fillon iniciativa për të luftuar korrupsionin, të forcojë reformat demokratike dhe mbrojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe proceset politike”, shkruan Yuri Kim.

Në njoftimin e DASH thuhet se do të rriten përpjekjet kundër korrupsionit, duke vendosur edhe ekspertë amerikanë me përvojë në vendet partnere për të hetuar.

“Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë synojnë të vendosin ekspertë me përvojë të qeverisë amerikane kundër korrupsionit për të përmbushur nevojat emergjente dhe për të ndërtuar kapacitete në vendet partnere për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar korrupsionin. Ky fond do të lehtësojë gjithashtu koordinimin midis vendeve për rastet, do të ndihmojë në gjurmimin dhe rikuperimin e të ardhurave të korrupsionit dhe do të mbështesë reformat e mëtejshme ligjore dhe institucionale”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e DASH.

Me 9 dhe 10 dhjetor, Presidenti amerikan Joe Biden organizoi Samitin për Demokraci dhe bëri bashkë udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, me qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen kundër autoritarizmit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Kuvendi kalon “vjedhurazi” zgjatjen e afatit për investimet strategjike

Një ligj i qeverisë për “Për investimet strategjike” i vitit 2015, që ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit, do të shtrijë afatet e zbatimit deri në fund të vitit 2023. Me 75 vota pro mazhoranca qeverisëse votoi të hënën propozimin e deputetit socialist Arben Pëllumbi, i cili u fut me procedurë të përshpjetuar në seancë plenare dhe nuk pati diskutime në komisionet parlamentare.

Vetëm disa ditë pas depozitimit në faqen e Kuvendit dhe pas kalimit pa debat në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë, projektligji me dy nene u votua në mesin e 12 akteve të tjera ligjore në seancë. Prezantimi i deputetit Pëllumbi nuk tërhoqi vëmendje dhe nuk krijoi debat në sallën e mbetur gjysëm bosh, ku mungonin deputetët e opozitës.

“Kanë përfituar 31 projekte të Investimeve Strategjike që nga viti 2015”, tha Pëllumbi dhe nga shtyrja e parë që i është bërë afatit deri në dhjetor 2021 kanë ardhur dhe “20 projekte të tjera me vlerë 3 miliardë euro”. Ai argumentoi se shtyrja kërkohet pasi projektet e reja akoma nuk kanë nisur nga puna pasi “shtrihen ne zona ku ende nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme”.

Ai tha se do i jepet kohë Kadastrës që të vendosë pronat në dispozicion të këtyre investimeve. “Subjektet investuese do të kërkojnë zgjatjen e afatit si e vetmja mënyrë për të zhvilluar investimin. Krijon vakum ligjor, pasi statusi që është fituar nuk është pezulluar dhe pse pronat nuk janë bërë gati dhe mund të krijojë problematike për investimin dhe për qeverinë”- argumentoi ai në Kuvend.

Sipas Pëllumbit kjo shtyrje është e nevojshme dhe në mungesë të një ligji të ri “për investimet” që po përgatitet nga ministria e Financave.

Projektligji në faqen e Kuvendit shoqërohet nga një raport i komisionit të Ekonomisë si komision përgjegjës, ku thuhet se u shqyrtua dhe u miratua nga të gjithë anëtarët e pranishëm.

Por deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, i pyetur nga BIRN për qëndrimin e opozitës tha se “ky projetligj është kaluar vjedhurazi në komision”, pasi opozita ishte e përqëndruar tek debati për dekretet e presidentit në atë mbledhje.

“Unë kam qenë kundër, por nuk pata mundësinë t’i paraqisja argumentet e mia as në komision dhe as në seancë, edhe për shkak të zhvillimeve partiake”- sqaroi Leskaj. Ai tha se mazhoranca ka preferuar të shmangë debatin pasi është një ligj që “u shërben pak personave pranë qeverisë”.

Ligji për investimet strategjike u miratua nga Kuvendi në vitin 2015. Ai i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë, duke i mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë.

Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.

Në seacën e fundit të sesionit të parë të Legjislaturës së 10-të të Kuvendit mazhoranca rrëzoi dekretet e Presidentit Ilir Meta për kthimin e Buxhetit të qeverisë dhe paketës fiskale dhe dekretin që kthente për shtyrtim ligjin “Për Bashkëqeverisjen” dhe miratoi një ligj të ri për jetimët ku parashikohet mbështetje financiare për fëmijët e punonjësve të Policisë të rënë në detyrë, e kadegori të tjera./BIRN

Forcohet lira pasi Erdogan publikon masat kundër dollarit

Lira turke shënoi një kthesë të madhe të hënën në mbrëmje pasi Presidenti Erdogan prezantoi një sërë hapash që ai tha se do të lehtësojnë barrën e monedhës së goditur rëndë, mbi turqit. Gjithashtu ai u zotua të vazhdojë me një politikë të normave të ulëta të interesit, çka ka çuar në rrëshqitje të monedhës.

Lira, e cila më parë ra me më shumë se 11% kundrejt dollarit, u forcua me rreth 10% pas njoftimit të zotit Erdogan.

Rimëkëmbja vjen ndërsa dollari u vu nën presion, për shkak të rënies së vlerës së bonove amerikane thesarit pasojë e një goditjeje ndaj projektligjit të shpenzimeve, të administratës demokrate në Uashington si dhe shqetësimeve për përhapjen e vazhdueshme të variantit të koronavirusit, Omicron.

Duke folur pas një takimi me kabinetit qeverisës, zoti Erdogan tha se masat do të siguronin që qytetarët të mos i konvertonin lirat në valutë të huaj gjatë rënies së kësaj monedhe, përfshirë dhe një premtim për garancinë e depozitave.

“Ne po paraqesim një alternativë të re financiare për qytetarët që duan të lehtësojnë shqetësimet e tyre që rrjedhin nga rritja e kursit të këmbimit kur vlerësojnë kursimet e tyre”, tha zotit Erdogan.

“Me uljen e normave të interesit, të gjithë do të shohim se si do të fillojë të bjerë inflacioni brenda disa muajsh”, tha ai. “Ky vend nuk do të jetë më parajsë për ata që shtojnë paratë e tyre me kamata të larta dhe nuk do të jetë strehë importi”.

Ai u bëri thirrje gjithashtu “të gjithëve atyre me para e qasje në financa” të kontribuojnë në investime dhe premtoi hapa për të ndihmuar eksportuesit dhe pensionistët.

Nxitja që presidenti turk i bën politikës për norma të ulëta interesi që nga shtatori ka shkaktuar krizën më të rëndë të monedhës në Turqi në dy dekada, me rënien e lirës me 35% në 30 ditët e fundit.

Ekonomistët e kanë quajtur modelin e tij të normave të ulëta, të pamatur dhe thonë se inflacioni do të rritet përtej 30% vitin e ardhshëm.

E keni dhënë urdhërin për vrasjen e 4 personave në 21 janar? Basha i nevrikosur: Pyetje ordinere

Kreu i PD, Lulzim Basha është nervozuar pas pyetjes së bërë lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij përsa i përket vrasjes së 4 personave në protestën e 21 janarit të vitit 2011 kur ky i fundit ishte në postin e ministrit të Brendshëm. Basha e cilësoi këtë si një pyetje ordinere ndërsa tha se për atë çështje kishte pasur hetime nga drejtësia.

Lidhur me akuzat e bëra, kreu i PD tha se ishin vetëm shpifje të bëra nga ish ministri, Arben Imami i cili e ka përmendur më parë këtë çështje duke shënjestruar Bashën si fajtorin kryesor.

Akuzat se ju keni dhënë urdhërin për vrasjn e 4 protestuesve në 21 janar

Lulzim Basha: Këto janë pyetje ordinere. E para ka patur një process hetimi ndjekje penale për 21 janarin, ky process ka rezultuar edhe në dënime. Nëse dikush ka dicka ndaj meje unë nuk fshihem dhe nuk i fshihem drejtësisë. Nuk kam asgjë të re për të thënë. Kjo është një shpifje e ulët që vjen nga dikush që unë e kam njohur pesonalisht dhe kurrë nuk e imagjinoja se do binte në batakun e një mashtruesi ordiner. Nuk e di çfarë e ka detyruar të bëjë këtë koment. Unë nuk kam asnjë gjë për të fshehur jam i hapur, nëse ai zotëria e ha turpin me bukë atëherë le ta hajë. Unë jam më i akuzuari gjatë qeverisjes së Berishës por kurrë nuk i jam fshehur drejtësisë.

Gol spektakolar i Et’hemit, i hap udhë fitores së klubit turk

Valon Et’hemi gjen sërish golin kë Ligën e parë turke, pasi ka shënuar në minutën e 73-të, duke i hapur udhë fitores 2-1 të Istanbulsporit në sfidën përballë Samsunsporit.

Ish fantazisti i Kukësit zhbllokoi sfidën me një goditje spektakolare në minutën e 73-të, duke shënuar një gol mjaft të bukur, ndërsa më pas Samsunspori riktheu baraspeshën, por vetëm për pak minuta, pasi Kabasakai shënoi golin e fitores për Istanbulsporin.

Ky është goli i tretë sezonal për Et’hemin, që gjithashtu ka dhënë edhe 7 asiste. Valon Et’hemi po luan sezonin e tij të dytë në Turqi, ndërsa këtë vjeshtë zgjodhi të veshë fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.

Të shtëna me armë zjarri në Ishull Lezhë

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar pak më parë në dalje të qytetit të Lezhës.

Një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor mënjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për fiksimin e çdo provë që mund të çoje në identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:05, në një rrugë dytësore, në dalje të qytetit Lezhë, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër .

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor mënjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për fiksimin e çdo provë që mund të çoje në identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Covid-19 po kërcënon botën e sportit përsëri

Një valë e re COVID-19 ka prishur tashmë planet e shumë garave në mbarë botën, me Lojërat Olimpike Dimërore, Australian Open dhe Kupën e Kombeve të Afrikës që janë planifikuar të fillojnë në dy muajt e parë të 2022.

Është ende e pasigurt nëse turnetë e lartpërmendur do të zhvillohen pas shpërthimit të variantit të ri COVID-19, Omicron, ndërkohë që ndeshjet po shtyhen në Premier League, plus lojtarët po shkojnë në izolim në Real Madrid dhe NBA.

Real Madrid dhe Premier League

Të dy ekipet e basketbollit dhe futbollit të Real Madridit panë se anëtarët e skuadrës dhe stafit rezultuan pozitivë për COVID-19, me Marcelo, Gareth Bale, Marco Asensio, Andriy Lunin dhe Rodrygo Goes që munguan në duelin e së dielës me Cadiz pas kontraktimit të koronavirusit.

Ndërkohë, pati një shpërthim në skuadrën e LaLiga Smartbank Lugo, dhe trajneri i Valencias, Jose Bordalas, gjithashtu ktheu rezultate pozitive të testit.

Gara që është prekur më shumë nga vala e re është Premier League, ku deri në 10 ndeshje u pezulluan për shkak të rasteve të shumta në ekipe të ndryshme si Tottenham Hotspur dhe Manchester United.

Klubet menduan të anulonin një nga ditët festive, por më në fund vendosën të mos e bënin këtë pavarësisht ankesave nga disa trajnerë si Thomas Tuchel i Chelsea.

NBA është në limite

Debatet u ndezën përpara njoftimit të NBA-së kur Kyrie Irving u ndalua nga seancat stërvitore të Brooklyn Nets për refuzimin e vaksinimit.

Irving u lejua të kthehej në aksion, por ai më pas rezultoi pozitiv për COVID-19 së bashku me shokët e skuadrës Kevin Durant dhe James Harden.

NBA raportoi se 97 për qind e lojtarëve janë të vaksinuar, por lojtarë të ndryshëm kanë hyrë në protokollet e COVID-19, me skuadrat që detyrohen të bëjnë nënshkrime pasi një pushim duket i pamundur të bëhet.

Përfundon testimi për lojtarët e vaksinuar të NFL

Më shumë se 95 për qind e lojtarëve të NFL janë vaksinuar, me ligën që ka shpallur një plan vaksinimi të synuar dhe ka kryer teste javore për COVID-19 për lojtarët e vaksinuar asimptomatikë.

“Përvoja jonë me variantin Omicron është plotësisht në përputhje me këtë pritshmëri – ndërsa më shumë lojtarë dhe staf po testohen pozitivë, afërsisht dy të tretat e atyre individëve janë asimptomatikë, shumica e individëve të mbetur kanë vetëm simptoma të lehta dhe virusi duket se është pozitiv. individët më shpejt se sa ishte e vërtetë me Delta dhe variante të tjera”, thuhet në deklaratën e NFL.

“Në shumë aspekte, Omicron duket të jetë një sëmundje shumë e ndryshme nga ajo me të cilën u përballëm për herë të parë në pranverën e 2020.”

Nadal rezulton pozitiv

Ndërsa yjet e tenisit si Novak Djokovic, Stefanos Tsitsipas dhe Dominic Thiem refuzuan të zbulonin statusin e tyre të vaksinimit në të kaluarën, lojtarëve u kërkohet të vaksinohen plotësisht për të marrë pjesë në Australian Open të ardhshëm.

Gjokoviç do të marrë pjesë në turne, por Pierre Hugues-Herbert u largua për shkak të rregullave të vaksinimit.

Ndërkohë, Rafa Nadal rezultoi pozitiv për COVID-19 pasi u kthye në aksion në një ekspozitë në Abu Dhabi dhe ai është i dyshimtë për Australian Open.

Përkthyer dhe përpunuar nga MARCA

Basha: Në protestë kishte nga ata që e urrejnë Berishën

Kreu i PD, Lulzim Basha është i ftuar këtë të hënë në emisionin “Real Story”, në “News 24”, ku po flet mbi zhvillimet e fundit në parti.

Ai ka thënë se ajo që ndodhi në Kuvendin e 18 dhjetorit dhe në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, është vendosja e një standardi për të nesërmen.

“Ka mënyra të ndryshme për ta distiluar Kuvendin, por mendoj që akti më i madh që ka bërë Kuvendi Kombëtar është që ka vendosur të zgjedhë të ardhmen. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të shkëputesh nga ajo pjesë e të shkuarës që të mban në vend numëro apo të tërheq pas në çdo kuptim , në mentalitet, në sjellje, në qasjen ndaj qytetarëve, në qasjen ndaj proceseve politike, në qasjen ndaj dinamikës politike qoftë brenda vetes, qoftë në raport me kundërshtarit politik, në qasjen ndaj medias, në qasjen ndaj të vërtetës. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të projektosh në emër të shqiptarëve dhe për shqiptarët jo emëruesin më të ulët të përbashkët, por ëndrrat e tyre më të mira për këtë vend dhe t’i kthesh ato në një projekt politik dhe pastaj me besimin e shqiptarëve ta zbatosh atë projekt politik. Padiskutim që pjesa sensacionale është vendimi që çdo person non grata nuk mund të jetë pjesë e organeve drejtuese, e institucioneve drejtuese të Partisë Demokratike”, tha Basha.

Ai ka komentuar po ashtu edhe protestën e sotme. Basha tha se protestuesit ishin ndarë në dy pjesë, njëra që janë aty për interesa personale, e demokratët e thjeshtë që janë të dëshpëruar dhe ndaj kësaj kategorie, ai tha se ndjen përgjegjësi.

“Në oborr kishte demokratë, jo thjesht njerëz të interesave të ngushta që e urrejnë dhe e kanë urryer Sali Berishën, e që i janë bashkuar për interesa të ndryshme. Aty kishte demokratë që i kam pasur në krah në beteja. Ti shohësh të keqpërdoren në funksion të interesave personale të një njeriu, qoftë ky Sali Berisha që ka dominuar PD këto vite, t’i shohësh të keqpërdoren ndjesia e parë teksa i shihja është një ndjesi dhimbjeje.

Ata janë njerëz që s’e meritojnë të keqpërdoren. Ata po vuajnë gabime. Ata kanë dhënë shpirtin e tyre, jo për të madhe një vend pune, por demokracinë, triumfin e saj, mbi 8 vite të një qeverisje që pak ka të bëjë me demokracinë e Shqipërisë. Ndjesia e parë është keqardhje kur sheh ata demokratë aq sa ishin të përdoren. Ndjenja e përgjegjësisë për të bërë gjithçka që këta demokratë të mos i kesh të pashpresë, por t’i kem në krah, në krahun tim, në një betejë frontale, këtë herë me pjesën dërrmuese të shoqërisë. Me një betejë që s’ka të bëjë me karrierën time dhe hallin tim personal, por fatin e shqiptarëve”, tha Basha.