zoom

Day ArchiveBilanci i COVID-19 në Itali/ Identifikohen mbi 15 mijë të infektuar dhe 103 viktima

Në 24 orët e fundit Italia ka regjistruar 15, 085 raste të reja me koronavirus, nga 573, 775 teste të realizuara.

Autoritetet shëndetësore bënë me dije se 103 pacientë kanë humbur jetën. Norma e pozitivitetit është rritur në 2,6 %.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 9457 persona janë shëruar në 24 orë.

Aktualisht në Itali janë 199, 783 raste pozitive. Ndërkohë që nga fillimi i pandemisë janë raportuar 5, 043, 620 të infektuar dhe 133, 931 viktima.

Kaloi natën me një prostitutë në Tiranë dhe mori HIV/AIDS, i riu nga Shkodra infekton 3 të dashurat

Një 36 vjeçar nga Shkodra ka treguar se ëhstë infektuar me HIV/AIDS 2 vite më parë, pasi kaloi natën me një prostitutë në Tiranë. Ai tregon se e zbuloi gjatë një vizite rutinë në spital, teksa thotë se pa vetëdije ua ka transmetuar virusin edhe 3 ish-të dahsurave të tij.

“Dy vite më parë më lindën dyshimet, pasi kur erdha në Tiranë kam patur marrëdhënie seksuale me një punonjëse seksi. Unë jam i sigurt që jam infektuar atë moment, pasi ajo vajzë shkonte me lekë dhe kishte shumë partner njëhkohësisht. Unë nuk e kam parë më kurrë atë vajzë. Unë e zbulova shumë më vonë që isha infektuar, dhe besoj që kam infektuar edhe tre ish të dashurat e mija’– shprehet i infektuari me HIV/AIDS”, deklaroi ai në emisionin “Pa Gjurmë”.

36 vjeçari thotë se jeton me të vëllanë dhe ky i fundit është i vetmi që është në dijeni. “Tani jetoj me ilaçe prej dy vitesh. Këtë gjë nuk e kam ndarë as me miq dhe as me shokë. E din vetëm vëllai im, me të cilin jetoj në të njëjtën banesë. Jetojmë bashkë se jemi rritur jetim. Kam frikë t’u tregoj dhe jam i izoluar. Kam frikë për shkak të opinionit”, tha ai.

Skandali me mjekësinë e Ramës, 2 mijë euro nën dorë doktorit për të vdekur në spitalet covid

Pak kohë më parë emisioni “Stop” në TV Klan denoncoi një rast korrupsioni në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku një sanitare me emrin Tire Alldervishi, e cila bashkëpunonte edhe me disa infermierë e punonjës të tjerë të këtij spitali, arriti ti merrte miliona lekë vajzës së një pacienteje, e cila gjithësesi humbi jetën nga covid.

Vet kreu i qeverisë, Edi Rama i zënë ngusht nga ky rast, është përpjekur në vazhdimësi ta cilësojë fenomenin “Tire” jo dominant për mjekësinë shqiptare, por të pranishëm. Por në fakt e kundërta është e vërtetë. Thuajse i gjithë sistemi i mjekësisë shqiptare, i cili sipas kreut të qeverisë duhet të ishte falas, nuk funksionon pa korrupsion.

E për këtë duket se kampion janë spitalet covid, ku rreziku për vdekjen është më i madh, por edhe sepse për shkak të rrezikshmërisë së përhapjes së virusit, janë të pakontrollueshëm nga sytë e publikut apo edhe institucionet ligjzbatuese.

Një familjar që humbi nënën në spitalin covid 1 në Tiranë dhe që nuk pranoi të identifikohej, i tha Zoom.al se kishte paguar 2 mijë euro në mënyrë që nëna e tij të kishte shërbimin minimal në spital.

Ai thotë se fillimisht e kishte të vështirë të komunikonte me doktoreshën që kishte për detyrë të kujdesej për nënën e tij të shtruar në spital. Situa thotë ai ndryshojë sapo nëpërmjet një sekseri pagoi shumën prej 2 mijë euro. Menjëherë pas kësaj thotë ai, doktoresha u bë shumë e komunikueshme në telefon, madje në një ditë të vetme arriti ti siguronte edhe një komunikim live me nënën nëpërmjet skype. Më posht po ju sjellim bashkëbisedimin me djalin e të moshuarës që humbi jetën në spitalin covid 1.

 

Gazetari: Prej sa ditësh ishte nëna juaj e shtruar në spital?

I riu: Në fillim ishte e shtruar në spitalin e qytetit prej nga vijmë dhe më pas e sollëm në Tiranë. në Tiranë qendroi 5 ditë dhe më pas ndërroi jetë.

Gazetari: Në çfarë gjendje ishte nëna kur erdhi në Tiranë?

I riu: Kur erdhi në Tiranë na thanë se ishte në një gjëndje të vështirë, kishte problem me mushkritë.

Gazetari: Gjatë kohës që ishte në Tiranë arritët të komunikonit me të?

I riu: Jo, nuk arritëm të komunikonim, pasi nuk na lejohej. E vetmja urë komunikimi ishte mjekja që e kishte në ngarkim. Por edhe ajo na thoshte vetëm që nuk është mirë dhe se ka mbërritur vonë.

Gazetari: Si ishte komunikimi me mjeken?

I riu: I vështirë, nuk pranonte që ta merrnim në telefon dhe as të jepte shpjegime nëse nëna kishte ngrënë apo kishte pirë. Ne shkonim çdo ditë në spital dhe tek rrethimi me hekura I çonim ushqim dy herë në ditë. Nuk e di nëse ato I shkonin nënës.

Gazetari: Çfarë bëtë për ta ndihmuar nënën?

I riu: çfarë mund të bënim, nuk kishte asnjë mundësi, derisa na u afrua një person I cili na doli garant se do të arrinte të komunikonte me mjeken dhe infermieren për të siguruar shërbimin për nënën.

Gazetari: E çfarë kërkoi ai në shkëmbim?

I riu: Kërkoi 2 mijë euro.

Gazetari: Ja dhatë?

I riu: U menduam njëherë, takova edhe motrën dhe familjarët e tjerë dhe e biseduam. Megjithëse ishim në gjendje të keqe menduam se edhe nëna nuk do të jetonte do na mbetej peng që për 2 mijë euro kishim sakrifikuar jetën e saj. Ndaj vendosëm tja jepnim.

Gazetari: Dhe çfarë ndodhi?

I riu: Ia dhamë lekët një pasdite dhe menjëherë ditën tjetër pamë që sjellja e mjekes ndryshoi. Na e hapte telefonin sa herë që I binim dhe na jepte informacion të plotë. Madje atë pasdite, ajo na siguroi edhe një lidhje live me kamera me telefon. U gëzuam shumë që folëm me nënë, por e pamë se gjendja e saj ishte drejt fundit.

Gazetari: Sa ditë vazhdoi ky komunikim?

I riu: nuk vazhdoi gjatë, dy ditë pasi dhamë lekët nëna vdiq.

PSG-në “e shpëton Zoti”, Dolberg humb rastin e pabesueshëm

Kasper Dolberg është bërë protagonist në ndeshjen e Nice në transfertë kundër PSG.

Sulmuesi kishte një mundësi të artë për të shënuar gol në minutën e 59-të.

Edhe pse ishte pak metra me portën, Dolberg e goditi topin dhe u ndal nga shtylla në mënyrë të çuditshme.

E habitshme ajo që ndodhi dhe videon e rastit mund ta shikoni KËTU.

Skandali në Berat, Kushi firmos urdhrin: Të dënuarit ndalohen të japin mësim

Nisur nga skandali i fundit në Berat që shkaktoi një reagim të fortë, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka firmosur një urdhër që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve.

“Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore.

Ky vendim shmang rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor. Angazhohemi që të vijojmë me një punë akoma më intensive për të ndërmarrë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve tanë” shkruan ministrja.

Vdekja e 4 turistëve rusë, flet menaxherja e hotelit në Qerret

Emisioni ‘Në shënjestër’ në ‘News24’ zbardh një tjetër dëshmi në lidhje me vdekjen misterioze të 4 turistëve rusë, të cilët u gjetën të pajetë në hotelin luksoz në Qerret të Kavajës.

Menaxherja e ‘Gloria Palace’, Xhuliana Pole pohoi se rreth orës 16:30, të datës 15 tetor kishte bërë një kontroll në ambientet e pishinës së hotelit. Mes të tjerash ajo tha se gjithçka ishte në rregull.

“Unë rreth orës 16.30, të datës 15 tetor, kam qenë e shoqëruar nga përgjegjësi i sallës dhe kemi bërë një kontroll të ambienteve të pishinës. Ku kemi kontrolluar temperaturën e ambientit e cila ishte 28 gradë bazuar në pajisjet treguese të kondicionerëve. Higjienën dhe temperaturën e ujit të pishinës të cilët e kam prekur me duar dhe më është duhur mesatarisht i ngrohtë.

Dua të them se bazuar në gjërat që kontrollova në SPA çdo gjë ishte brenda normave. Këta shtetas janë futur në ambientet e SPA rreth orës 20:30. Vajza e recepsionit ka shkuar për të qëndruar dhe për t’u afruar ndihmë se mos u nevojitej ndonjë send. Klientët i janë përgjigjur se janë mirë dhe nuk kanë nevojë për asgjë dhe duan të qëndrojnë në privatësinë e tyre. Pas rreth 30 minutash vajza e recepsionit ka shkuar përsëri me sanitaren për t’i pyetur nëse u duhej ndonjë gjë, dhe në këtë moment i kanë gjetur turistët pa ndjenja në ambientet e pishinës.”, tha ajo.

“Jemi në alert”/ Zv.ministrja Rakacolli flet për mutacionin Omicron

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ë ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, u shpreh se në Shqipëri ende nuk është gjetur asnjë rast me mutacionin e covid Omicron, por sigurisht që dyshimet ekzistojnë.
Rakacolli deklaroi se së shpejti do të dërgohen edhe monstra për sekuencim jashtë vendit.
“Nuk mund ta themi. Duhet ta kesh me laborator, por edhe Shqipëria është ngritur në alert për tu përballur me këtë mutacion. Që kur u shpall ne e kemi ndjekur me vëmendje situatën në botë, në Shqipëri. Nuk e përjashtojnë dhe as nuk e konfirmojmë. Edhe ne do t’i çojmë mostrat tona, po i përzgjedhim në bazë të protokolleve dhe do ti dërgojmë për sekuencim. Përderisa është një virus është në vendet fqinje, ka një lloj logjike që të mendosh se është edhe këta, siç ishin edhe variantet e tjera”, tha Rakacolli.

U gjetën të pajetë në hotelin në Qerret të Kavajës, zbulohet shkaku i vdekjes së 4 rusëve

Humbja e jetës së katër turistëve rusë, Sergei Burenkov, gruas së tij, vajzës dhe dhëndrit, në një hotel luksoz në zonën e Qerretit në Kavajë, vazhdon ende të jetë e mbuluar nga misteri. Se çfarë ndodhi me ta, atë mbrëmje të 15 tetorit 2021, në pishinën e mbyllur të hotelit ‘Gloria Palace’.

Afro 45 ditë nga ngjarja shokuese, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka mundur të përcaktojë shkakun fillestar të humbjes së jetës së anëtarëve të familjes ruse që kishte zgjedhur Shqipërinë për të pushuar. Emisioni ‘Në shënjestër’ në ‘News24’ i gazetares Klodiana Lala zbardh detaje mbi shkaqet e vdekjes së 4 turistëve.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, “në trupat e viktimave, u konstatua prania e monoksidit të karbonit në masën mbi 75 përqind”.

Ekspertiza ka rrëzuar dyshimet e ngritura më herët, se vdekja mund të kishte ardhur nga përdorimi i tepruar i klorit. Një kompani e certifikuar ndërkombëtarisht e ka rrëzuar këtë pistë, ndonëse institucionet u përplasën mes tyre për kryerjen e këtyre ekspertizave me argumentin se kampionët e ujit dhe të klorit për t’u ekzaminuar nuk ishin marrë në formën e duhur ligjore. Ndërkohë që nga ekspertiza e kryer ka rezultuar se rusët nuk kanë patur ndonjë reaksion apo helmim nga ushqimi që mund t’u shkaktonte atyre vdekjen.

Por edhe pse Mjekësia Ligjore ka përcaktuar shkakun e vdekjes së katër rusëve, duket se Prokuroria nuk është e bindur për shkakun e vërtetë të humbjes së jetës së tyre. Për këtë arsye organi hetues ka thirrur në ndihmë Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe më konkretisht Shërbimin Sekret të Ushtrisë, me qëllim për të kryer një eksperiment hetimor në të njëjtat kushte që ka ndodhur ngjarja. Ku përmes këtij eksperimenti do të duhet të provohet nëse dioksidi i karbonit, është shkaktuar në ajër si pasojë e keqfunksionimit të kaldajës në hotel dhe mungesës së sistemit si duhet të ventilimit, apo për arsye të tjera.

Është ky eksperiment që do të mund të përcaktojë përfundimisht shkakun e vërtetë të vdekjes së 4 turistëve rusëve. Si edhe për t’i dhënë fund misterit që mbulon ende humbjen e jetës së tyre.

Basha: Interesi i një njeriu s’mund të prevalojë mbi interesat e demokratëve që kërkojnë ndryshim

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sërish një mesazh që dha dje në media, ku shigjeton ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sipas Bashës, interesi i një njeriu nuk mund të mbizotërojë mbi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve që kërkojnë ndryshim. Po ashtu lideri demokrat tha se Partia Demokratike është e vetmja shpresë për një të ardhme më të mirë.

“Që interesi as i Sali Berishës, as i Lulzim Bashës, nëse do të ishte i godituri me një vendim non grata të Departamentit të Shtetit, nuk mund dhe nuk do të prevalojë mbi interesat e demokratëve. Interesi i një njeriu, kushdo qoftë ky, cilado qofshin kontributet e tij, nuk mund të prevalojë mbi interesat e demokratëve dhe dua ta them, interesat e Partisë Demokratike, që është alternativa e vetme ndaj këtij pushteti të korruptuar.”, thuhet në videon e publikuar nga Basha.

Në mëngjes apo darkë: Kur është më mirë të shkojmë në palestër

Ndonjëherë nuk e dimë çfarë është më keq: Alarmi në 6:00 për në punë apo fakti që pas një dite super të lodhshme të duhet të shkosh në palestër. Sigurisht, kjo e fundit është përveç të tjerave terapi për shkarkim energjie, por këtë e themi zakonisht pasi kemi mbaruar. 

Gjithsesi, e zëmë se jeni plotësisht të motivuar, një nga dilemat më të mëdha në lidhje me ushtrimet është: Cila është koha më e mirë për të bërë palestër? Mëngjesi apo darka?

Pavarësisht çfarë mund të keni dëgjuar, nuk ka një kohë më të mirë për ata që duan të ushtrohen. E gjitha varet nga preferencat dhe rutina juaj.

Deri më tani, nuk ka mjaftueshëm studime që tregojnë se të ushtrohesh në mëngjes ka më shumë rezultate se në mbrëmje. Njerëzit do t’i përshtasin oraret sipas stilit të tyre të jetesës. 

Përveç kësaj, aktiviteti fizik i mbrëmjes dhe i mëngjesit kanë përfitimi unike që mund të ndikojnë më tej tek zgjedhja juaj. 

Ata që ushtrohen në mëngjes kanë tendencën ta kthejnë palestrën në rutinë të përditshme dhe të mos tundohen për ta lënë, e ndërsa mbrëmja vjen më pak dembele. Plus, aktiviteti në mëngjes ju ndihmon të përmirësoni gjumin dhe nivelet e energjisë.

Përsa i përket përfitimeve fizike, ushtrimet e mëngjesit ju japin shansin të vazhdoni të digjni kalori aktive gjatë ditës dhe ta furnizoni trupin mjaftueshëm për masë muskulare. Nga ana tjetër, palestra në mbrëmje ju jep kohë të shlodheni dhe të çlironi gjithë stresin e mbledhur gjatë ditës. 

Burimi: Pop Sugar