zoom

Day ArchiveNga Dragostunja në Togëz, ankesat e banorëve kundër HEC-ve në vesh të shurdhër/ Ekspertët: Duhet moratorium

Banorët e Grabovës së Sipërme kanë vendosur të kundështojnë me çdo formë ndërtimin e HEC-Grabova 1 dhe 2 në Gramsh. Ata pretendojnë se HEC-i do t’i marrë ujin, do t’i shkatërrojë mjedisin dhe do detyrohen të largohen nga kjo zonë. Nëpërmjet një peticioni të nisur qysh në vitin 2020 që mban firmat e mbi 100 kryefamiljarëve, ata i kërkojnë qeverisë pezullimin dhe më pas prishjen e kontratës me kompanitë dhe mosndërtimin e dy HEC-eve në këtë zonë.

Në deklaratën mjedisore që mban datën 23.08.2018 për ndërtimin e HEC- Grabova 2 nga një bashkim kompanish, theksohet se në konsultimin me publikun morën pjesë përfaqësues nga komuniteti i zonës, përfaqësues nga pushteti vendor si dhe nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe përfaqësues nga studio mjedisore. “Nuk ka patur ndonjë shqetësim nga komuniteti për zhvillimin e këtij aktiviteti dhe pasi janë dëgjuar sugjerimet, që do të merren parasysh nga ana e investitorëve gjatë kohës së shfrytëzimit. Investitorët kanë siguruar të pranishmit se do të merren të gjitha masat për eleminimin e ndikimeve negative në mjedis duke mos cënuar jetën e banorëve”, theksohet ndër të tjera në dokumentin mjedisor.

Por ndërkohë banorët thonë se dëgjesat nuk janë bërë me banorë të Grabovës së Sipërme, e cila preket nga ndërtimi i HEC-ve, por me banorë të Grabovës së poshtme ose të Gramshit.

Ervis Ndini, kryeplak i fshatit Grabovë e Sipërme deklaron se në dëgjesa banorët kanë refuzuar ndërtimin e HEC-ve në këtë zonë. “Kanë ardhur kanë bërë dëgjesat publike. Këtu asnjëri s’ka hedhur firmë sipas rregullave që kërkonin ata. Kanë vajtur në Gramsh pastaj e kanë thënë që kryeplaku me disa kanë zbutur qëndrimin dhe ranë dakord. Kjo, ia kemi bërë të qartë edhe prefektit që nuk është e vërtetë. Le të na tregojë firmat sa firma ka marrë, kush janë ata dhe le të vazhdojë. Fshati do të rezistojë deri në maksimum. Dhe historitë që kanë ndodhur, i marrim me radhë në Poroçan është tharë dynjaja andej. Në Vëngë që jemi ne, komplet s’ka pik uji, në Mesmali prapë është rrethuar. Duke parë gjithë këto masakra ne nuk do i lejojmë se jemi vendalinj këtu. Më mirë të na vrasin se sa të qajmë përgjithmonë”, shprehet ai.

Në zonë gjatë kësaj periudhe janë miratuar dy kontrata. Hidrocentrali Grabova 1 me fitues “GR Albania” SH.P.K., “Agna” Sh.A. dhe “Alb – Star” sh.p.k me fuqi instalimi 12.900KW. Kontrata duhet të zbatohej brenda 24 muajve nga viti 2017 dhe koncesioni do të zgjasë 35 vjet.

Një tjetër kontratë që prek më nga afër banorët është kontrata e llojit BOT është fituar nga dy shoqëri, “Vëllezërit Hysa dhe “Hidropower” sh.p.k. Bashkimi i shoqërive ndër të tjera ka fituar edhe një kontratë shtesë koncesioni për 35 milion Kilovatë/orë në vit shtuar kontratës së parë në 2017 duke rritur gjithashtu fuqinë e instalimit nga 8.1 KW në 10.8 MW. Energjia që pritet të prodhojnë HEC-et mbi 35 milion kw/h në vit. Koncesioni është dhënë për një periudhë 35 vjeçare. Sipas kontratës koncensionare, shoqëria ndërtuese do të investojë rreth 1.5 miliardë lekë në ndërtimin e HEC Grabova

Bashkimi i operatorëve, që ka aksionerë vëllezërit Hysa dhe Kapllanaj, ka arritur të nënshkruajë dy shtesa kontrate dhe e fundit mban datën 11.06.2020 me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës të firmosura nga zv. Ministri Ilir Bejtja. Më shumë se sa korrigjimi i të dhënave për sasinë e prodhimit të energjisë, e cila u riparua në shtesën e parë të kontratës, qëllmi ishte shtyrja e afatit të zbatimit të punimeve, i shkelur tashmë nga kompania. Duke qenë se shtesa e parë e kontratës hynte në fuqi në 22.06.2018, operatori kërkoi më shumë kohë duke u justifikuar me vonesat e shkaktuara nga institucionet për marrjen e lejeve të nevojshme pë realizimin e kontratës. Në kontratën shtesë citohen si shkak Bashkia Gramsh për dhënin në përdorim të fondit pyjor, kullosor, vonesë në miratimin e pikës së lidhjes me rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes me OST si dhe vonesat e krijuara për shkak të pandemisë të COVID 19, që sipas kësaj shtese e kanë bërë të pamundur përmbushjen e detyrimeve kontraktuale sipas afatit.

Në vazhdim duke përdorur edhe nene të kontratës së parë të koncesionit, kompania ka arritur të marrë shtesën në afate nëpërmjet nenit 5 ku “Afati 12 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës për fillimin e punimeve të zëvendësohet me 12 muaj afat nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate shtesë të koncesionit. Po kështu ndryshimet teknike kanë bërë që të shtohet rreth 5 milion kilovat orë në vit nga kontrata e mëparshme.

Banorët e Grabovës së Sipërme në Gramsh u përballën në muajin maj 2021 me njoftimin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shpronësimin e tokave në shërbim të ndërtimit të hidrocentralit Grabovë 2. Kur mendonin se dhënia e lejes për këtë HEC ishte pezulluar, ata mësuan se në 2017 ishte dhënë sërish me koncesion dy kompanive të tjera që ishin bashkuar tashmë në një operator me emrin H.K HEC Grabova 2. Ata kishin refuzuar një dëgjesë me përfaqësues të kompanive tashmë të shpallura fituese të koncesionit dhe menduan se koncesioni nuk ishte miratuar. Banorët do të përballen me shtrimin e tubacionit dhe marrjen e ujit të përrenjve në këtë zonë edhe pse askush prej pjestarëve të rreth 100 familjeve të fshatit nuk ka firmosur për lejimin e ndërtimit. Me ndërtimin e HEC-ve kompanitë fusin në tubacione tre përrenjtë që furnizojnë me ujë Grabovën e Sipërme. Për të kundërshtuar ndërtimin kanë hartuar edhe një peticion të cilin ia kanë nisur institucioneve të Presidentit, Kryeministrit, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Po kështu janë duke përgatitur një padi që do ta depozitojnë në Gjykatën Administrative si dhe një denoncim në SPAK për shkeljet në marrjen e lejes së vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Kompania H.K HEC GRABOVA 2” SHPK në përgjigje të kërkesës sonë për nëse ka kryer konsultime me publikun, siç parashikon ligji, thotë se janë njoftuar të gjithë banorët e Grabovës së Poshtme dhe Grabovës së Sipërme, që prek ndërtimi i HEC-it. “Njoftimi për dëgjesat ka qenë për të gjithë banorët që preken nga ky projekt dhe pjesëarrës në to kanë qenë ata që kanë dashur të marrin pjesë. Pjesëmarrës në këto dëgjesa kanë qenë edhe përfaqësues të institucioneve që ligji ua detyron pjesëmarrjen”, sqaron kompania.

Kompania sjell në vëmendje ekzistencën e një HEC-iqë shfrytëzon këto ujëra (HEC funksional nga koha e komunizmit, por qe sipas banoreve nuk shfrytëzpm ujërat e përrenjve të Grabovës), HEC që sipas saj nuk ka sjellë dëme për banorët. Ajo thekson se kontrata ka kushte penalizuese nëse shkelet edhe sa i përket shfrytëzimit të ujit duke konfirmuar se HEC-i nuk do të shfrytëzojë ujin gjatë periudhës së vaditjes.

Sa i përket vonesave për zbatimin e kontratës, kompania sqaron se kjo ka ardhur edhe nga urdhëri i Ministrisë së Energjitikës Nr. 48 datë 30.01.2019 “Për verifikimin në zbatim të kontratave konçesionare dhe proçedurave objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Për shkak të pezullimit të procedurave të konçesionit në zbatim të këtij urdhri është vonuar lëshimi i lejeve, autorizimeve dhe licensave të nevojshme që jepen nga institucione të ndryshme shtetërore dhe që duhen sipas parashikimeve ligjore në fuqi për marrjen e lejes së ndërtimit për Hec Grabove 2”, thekson më tej kompania duke konfirmuar fillimin e punimeve në një kohë sa më të shpejtë.

Todi Buzo, banor i Grabovës së Sipërme thotë se qeveria shqiptare ka sjelle disa letra nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe nga Ministria e Energjitikës. “Na kërkojnë të shpronësojnë tokat e fshatarëve në një kohë kur asnjë pjestar i komunitetit tonë nuk ka dashur të ndërtohen hidrocentrale dhe mbi bazë të ligjit të shtetit shqiptar nëqoftëse se komuniteti nuk do që ndërtohen hidrocentrale atëherë këto hidrocentrale duhet të pezullohen”.

Grabova jeton me ujin e burimeve. I gjithë aktiviteti është i lidhur me ujin. Në këtë zonë ekzistojnë edhe urat shekullore që tregojnë se uji gjithmonë ka qarkulluar në këtë zonë, por me ndërtimin e HEC-ve banorët thonë se gjithçka do të thahet. “Kemi kaq vite që luftojmë për ta mbrojtur këtë vend. Në këtë projekt që bëjnë ata prishet Igjithë mjedisi i Grabovës 100 metra mbi fshat nga Grabova deri në Lënie. Është shkatërruese për ambjentin, për urat me harqe që janë këtu, për kanionin që është më poshtë. Këtu është një fshat me tradita. Ne kemi objektet e traditës siç janë dërstilat, sharrat, mullinjtë me ujë dhe i bie që nëse një ditë do të na merret uji atëherë ne i bie që nuk kemi të lajmë rrobat e leshtave. Me pezullimin e larjes së enëve ne humbasim edhe traditën pasi dihet që gjithë prodhimet këtu janë bazë jetike për banorët sepse kuptohet që Grabova është vendi i ftohtë dhe ka nevojë për të gjithë këtë proces”, thekson Buzo.

Dërstilat me ujë e Grabovës
Të shqetësuar për fatin e të gjithë zonës, ata thonë se shembujt se si janë tharë të gjithë zonat pas ndërtimit të HEC-ve janë të shumtë. Isli Paço thotë se ata do të bëjnë të gjitha përpjekjet dhe nuk dorëzohen. “Ne i bëjmë thirrje që të mos arrijmë deri në ekstrem se po qe se vazhdojnë ne do arrijmë deri atje sa kryeplaku do të dorëzojë vulën dhe ne nuk do qasim asnjë pushtetar, si pushtetar qendror si vendor, polici e çdo gjë, neve nuk do t’i qasim këtu fare”, paralajmëron ai.

Të vendosur në rezistencën e tyre banorët e Grabovës janë duke përgatitur një padi në Gjykatën Administrative si dhe kërkojnë ndërhyrjen e SPAK për hetimin e lejes së ndikimit në mjedis që i është dhënë kompanisë nga Ministria e Mjedisit nëpërmjet zv. Ministrit Ilir Bejtja. Ata pretendojnë që HEC-et të mos ndërtohen, pasi nëse do të ndodhë një gjë e tillë fati i florës, faunës dhe sidomos i jetës së tyre është i paracaktuar.

Kompania C& S Energy injoron banorët dhe Bashkinë Librazhd

Ndërkohë që HEC Grabovë sapo ka filluar nga ndërtimi, me pasojat e mosrespektimit të lejeve mjedisore dhe kontratave për ndërtimin HEC-ve po përballen çdo ditë banorët e disa zonave në Librazhd. Edhe pse ata kanë reaguar në shumë raste për shkelje nga ana e kompanive për kushtet e kontratës si dhe dëmet që i janë shkaktuar atyre, rezultati nuk ka qenë pozitiv. E vetmja praktikë e plotë kundër një kompanie për dëmshpërblim të banorëve vazhdon të jetë në proces gjyqësor.

Në vitin 2014 njësia Qendër në Librazhd si dhe një përfaqësi e banorëve të fshatit Togës nënshkruan një akt marrëveshje me kompanisë C& S Energy pas shqetësimeve të vazhdueshme që ata kishin ngritur për pasojat e ndërtimit të HEC-ve.

Ndër pikat e marrëveshjes “ishte zgjidhja e shpërthimit të minave gjatë punimeve, dëmshpërblimi i pasojave nga shpërthimet në shtëpitë e banorëve. Zgjidhja e problemit të burimit të ujit të pijshëm të lagjes së fshatit Togës duke marrë përsipër ndërtimin e puseve për familjet që do të kenë ndotje të ujit”.

Propozimet e fshatit Togës ishin: “ndërtimi i urës varëse të fshatit, ndërtimin e një rruge tek varrezat e fshatit, investim në përmirësimin e sistemit të vaditjes”.

Kjo marrëveshje mbeti në letër pasi vetë kompania nuk bëri ndërhyrje dhe 4 vjet më vonë nëpërmjet një koërkese banorët iu drejtuan bashkisë Librazhd për rrezikun e dëmtimit të urës si shkak i ndërtimit të HEC-it të shoqëruar nga firmat e banorëve.

Bashkia Librazhd i është drejtuar në mars 2018 kompanisë C& S Energy, pronë e kishës ortodokse me një kërkesë dëmshpërblimi pasi grupi i punës i ngritur nga bashkia konstatoi dëmtime të urës si pasojë e ndryshimit të drejtimit të rrjedhës së lirë të lumit si pasojë e ndërtimit të HEC-it duke u bazuar edhe tek kushtet e kontratës. Bashkia ka përmendur edhe marrëveshjen që kompania dhe njësia administrative ka nënshkruar një aktmarrëveshje. Sipas përllogaritjes vlera e dëmit arrin në 11 milion lekë. Rreth dy javë më pas kompania kthen përgjigje duke icilësuar pretendimet e bashkisë dhe banorëve të pambështetura dhe të papranueshme.

Përgjigje e Kompanisë C&S Energy Sh.P.K
Banorët e 6 fshatrave në Orenjë iu drejtuan bashkisë me një peticion një vit më parë duke kërkuar zgjerimin dhe riparimin e rrugës. Ata kanë paralajmëruar edhe bllokimin e punimeve të HEC-it nëse firma nuk do të marrë përsipër kërkesën e tyre.

Bashkia Librazhd nisur nga ky peticion iu drejtua kompanisë ERDY Energy për të kontribuar për ndërhyrjen e riparimit të rrugës së fshatrave Orenjë, Gurakuq dhe Floq dhe nga vetë kompania për ndërtimin e HEC-it. “Me të drejtë komuniteti kërkon këtë ndërhyrje pasi rruga ka amortizim të madh”, thotë bashkia në shkresën e saj duke bashkëngjitur kërkesën e banorëve, por nuk mori një përgjigje për këtë kërkesë.

Në disa raste banorët iu drejtuan edhe institucionit të Presidentit duke kërkuar ndërhyrjen e tij për shqetësimet e tyre. Zeqir Dosku nga fshati Dragostunjë iu drejtua Presidentit në mars të këtij viti me shqetësimin për dëmtimin e ujit të pijshëm nga kompania e ndërtimit të HEC-it në këtë zonë. Pak ditë më vonë ai mori një përgjigje që shkresa e tij është duke u vlerësuar nga ana e institucionit të Presidentit si dhe adresimi i saj, por çështja nuk mori një zgjidhje.

Banorët kanë bërë ankesa të vazhdueshme për pasojat që po i shkaktojnë HEC-et e ndërtuara apo në ndërtim. Refat Korra po nga Dragostunja thotë pasojat e HEC-eve janë të shumëfishta, ndërsa ndërtimi i rrugëve brenda parkut kombëtar ka shkatërruar mjedisin dhe një sipërfaqe të madhe pyjore të mbjellë me arra.

“Ju mund ta shihni dëmin nëse shkoni atje, kurse ne po vuajmë pasojat. Përroi nuk ka ujë tani në dimër dhe mendoni në verë si do e kemi”, thotë ai i shqetësuar.

Ndërkohë Nebi Gurraj i konsideron kompanitë fantazma, që nuk kursejnë askënd.
“I kërkojmë shtetit të ndërhyjë dhe të kontrollojë këto firma fantazma që vijnë e duan të marrin gjithçka dhe nuk duan t’ia dinë për ne që jetojmë me këtë ujë e këtë pyll”, përfundoi ai.

Mungesa e ujit duket se është problemi më i hasur nga komunitetet lokale pas ndërtimit të HEC-eve. Në fshatin Kuturman të zonës së Çermenikës, Nazmi Kurti është pronar i një mulliri bloje buzë lumit të Orenjës që mbulonte prej vitesh nevojat e 20 fshatrave të kësaj zone. Por mulliri ka dalë tashmë jashtë funksionit dhe Kurti fajëson për këtë rrëmbimin e ujit nga njëri prej HEC-eve të zonës.

Koncesioni për ndërtimin e një rrjeti hidrocentralesh në këtë zonë është firmosur që prej vitit 2008, por që ka nisur zbatimin disa vite më vonë. Kurti thotë se në fillim e kishin siguruar që HEC-et nuk do të shkaktonin probleme për mullirin, por premtimi sipas tij është shkelur me të dyja këmbët. “U bë diga dhe ata kanë lejuar vetëm 47 cm ujë për mjedisin, duke mos llogaritur fare nevojat tona. Ne jemi 3 km larg digës dhe kur vjen uji këtu, është i pamjaftueshëm duke nxjerrë jashtë funksioni mullirin e bluarjes për 20 fshatra të zonës së Çermenikës”, tha Kurti.

Tubacionet e HEC Kuturman
Njësoj si në Dragostunjë, banorët e fshatit Kuturman ankohen se tanimë nuk kanë ujë të mjaftueshëm për të vaditur arat dhe për bagëtitë. Edhe pse i janë drejtuar institucionit vendor me një ankesë konkrete, nuk kanë marrë ndonjë përgjigje shpresëdhënëse.

Një kërkese për informacion AKBN që duhet të monitorojë zbatimin e kontratave të koncesionit deklaroi se nuk ishte ajo që monitoronte, por një insitucion tjetër. “Ne monitorojmë vetëm anën teknike dhe është autoriteti i Kontratave Koncesionare. Drejtoria e monitorimit të HEC-eve në AKBN nuk ka kompetencë të marrë masa për mospërputhjen e detyrimeve kontraktuale nga ana e shoqërive koncesionare. Është autoriteti kontraktor (në këtë rast Ministria e Infrastruktirës dhe Energjitikës), që duhet të marrë masa pas raporteve që i dërgohen nga ky institucion”, thuhet në përgjigjen dërguar nga AKBN.

Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka një masë të marrë ndaj kompanive të HEC-ve pavarësisht ankesave të komunitetit ku janë ndërtuar.

Eksperti i mjedisit: Duhet një moratorium për HEC-t derisa shteti të funksionojë

Situata pas ndërtimit të HEC-eve në zonën e Gramshit dhe Librazhdit duket se nuk ka një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë komponentët. Eksperti i Mjedisit, drejtues i Klubit Ekologjik Elbasan, Ahmet Mehmeti thotë se të gjithë organizmat mjedisorë janë dakord dhe mbështesin përdorimin e energjisë së ujit si një energji e pastër, por parë kjo në situatën shqiptare krijon probleme të mëdha sa i përket abuzimit dhe dëmeve që shkaktojnë nga mungesa e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve. “Duhen shfrytëzuar ato burime ujore që nuk dëmtojnë ekosistemin, nuk dëmtojnë ekonominë e fshatarëve duke i marrë ujin e pijshëm, për vaditje apo për një jetë normale të tyre. Ajo që ka ndodhur në të vërtetë me ndërtimin e këtyre HEC-eve është dëmtimi i rëndë i mjedisit, si dhe një e keqe e madhe që shton varfërinë dhe braktisjen nga ana e banorëve të këtyre zonave”.

Mehmeti propozon si zgjidhje një ndalesë totale të dhënies së lejeve dhe një ngrirje për lejet që ende nuk janë zbatuar.

“Ajo që duhet bërë në të ardhmen për mendimin tim, është nderprerja e dhënies së lejeve për ndërtimin e HEC-eve të reja siç po ndodh duke shpallur një moratorium kombëtar deri në rinovimin e legjislacionit, kontrollin dhe rezultate konkrete për shkeljen e kontratave të HEC-eve nga subjektet. Po kështu duhen parë me përparësi zonat në mbrojtje, trashëgimitë e natyrës dhe pyjet për të rigjeneruar biodiversitetin e shkatërruar gjatë këtyre viteve”. Mehmeti propozon gjithashtu një ndryshim të kritereve të lejes, për të ecur në të njëjtin hap me ligjet evropiane. “Kritereve në leje u ka ikur koha. Ato janë të vjetruara dhe shumë standarde. Duhet patjetër të rinovohen duke parë të gjitha rregullat që bota e qytetëruar ndjek”.

Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017, qeveritë e drejtuara fillimisht nga Partia Demokratike dhe më pas nga Partia Socialiste firmosën të paktën 35 kontrata koncesionare për ndërtimin e mbi 84 hidrocentraleve të vegjël për prodhimin e energjisë elektrike, pothuajse në çdo lumë dhe përrua të zonës.

Mbi 82% e kontratave koncesionare bien në territorin e Bashkisë së Librazhdit, ndërkohë që 7 prej hidrocentraleve janë ndërtuar tashmë brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Por duket se kontratat nuk kanë të ndaluar pavarësisht premtimit të qeverisjes socialiste se pas ardhjes së saj në pushtet nuk do të nënshkruheshin më të tilla.

Kontrata e Grabovës është një prej shembujve se koncesionet vazhdojnë dhe dëmet ndaj mjedisit po ashtu në mungesë të një monitorimi dhe pasojash konkrete për kompanitë që shkelin lejet mjedisore dhe kontratat e koncesionit.

Rrëzohet avioni në Rusi,16 të vdekur dhe 7 të plagosur

Ministria ruse e Emergjencave njoftoi se 16 persona humbën jetën dhe 7 të tjerë u plagosën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani rus, mbi rajonin e Tatarstanit të dielën.

Në aeroplanin e tipit L-410 Turbolet ndodheshin 23 persona, mes tyre një grup parashutistësh.

Autoritetet ruse thanë se 7 të mbijetuarit ishin gjetur mes mbetjeve të avionit. Ata janë shtruar në spital “në gjendje të rëndë shëndetësore”. L-410 është një avion transporti me dy motorë, që përdoret për udhëtime të shkurtra.

Edhe pse Rusia i ka përmirësuar standardet e sigurisë së aviacionit gjatë viteve të fundit, rrëzimet në rajone të largëta nuk janë të rralla, veçanërisht të avionëve të vjetër.

Muajin e kaluar u rrëzua një aeroplan transporti Antonov, model An-26 dhe si pasojë gjashtë persona humbën jetën. Një tjetër avion u rrëzua në Kamchatka në muajin korrik, ku humbën jetën të 28 personat në bord.

Beogradi reagon ndaj deklaratës së Ramës / “Bota serbe pengon Shqipërinë e Madhe”

Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është interes i tiji personal, por aspiratë e kombit shqiptar.

Deklarata e bërë prej tij ditën e premte gjatë intervistës për emisionin Zonë e Lirë ka mbërritur në veshët serbë në lidhje me këtë çështje.

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin tha se Rama kishte deklaruar se qëllimi i karrierës së tij politike është “Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”. Vulin thotë se “ky plan i shqiptarëve mund të parandalohet vetëm nga formimi i ‘botës serbe’”.

“Kur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se detyra e karrierës së tij politike është “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, të gjitha vendet e Ballkanit heshtin, UNMIK -u, i cili kontrollon Kosovën dhe Metohinë sipas Rezolutës 1244, hesht dhe BE nuk do të lëshojë deklaratat e saj të famshme që bëjnë thirrje për “të dyja palët e të vetëpërmbahen”. Kur unë, i cili nuk jam kryeministër i Serbisë, thërras në emrin tim për unitetin politik të të gjithë serbëve dhe them se detyra e brezit tim është të krijojë një ‘botë serbe’, atëherë i gjithë rajoni reagon dhe BE ka diçka për të thënë. Të gjithë heshtin për ‘Shqipërinë e Madhe’, serbët duhet të flasin”. Pengesa e vetme për ‘Shqipërinë e Madhe’ është krijimi i një ‘bote serbe’’, tha ai për mediat serbe.

“Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e mia, aspiratën time por jo të jem unë në krye. Kam plane të tjera”, tha gjatë intervistës Kryeministri Rama.

Tajvani nxjerr ushtrinë në rrugë: Nuk do t’i përulemi presionit të Kinës

“Tajvani nuk do t’i përulet presionit nga Kina dhe do të mbrojë demokracinë e vet”, tha Presidentja Tsai Ing-wen në një fjalim sfidues mes tensioneve të rritura mbi ishullin.

Deklaratat e saj në Ditën Kombëtare të Tajvanit erdhën pasi Presidenti i Kinës Xi Jinping u zotua të “përmbushë ribashkimin”.

Kina denoncoi fjalimin e zonjës Tsai, duke thënë se ajo “nxiti konfrontim”. Tajvani e konsideron veten një shtet sovran, ndërsa Kina e shikon atë si një provincë të shkëputur.

Pekini nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për të arritur bashkimin. Kina ka dërguar një numër rekord avionësh ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit ditët e fundit. “Tre aeroplanë kinezë, përfshirë dy avionë luftarakë, kaluan në zonë të dielën”, tha ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Tsai u rizgjodh presidente vitin e kaluar me premtimin për t’i bërë ballë Pekinit. Në fjalimin e saj të dielën, ajo tha se Tajvani “qëndronte në vijën e parë të mbrojtjes së demokracisë”.

Ajo tha se ishulli nuk do të “veprojë me nxitim”, por do të forcojë mbrojtjen e tij për të “siguruar që askush nuk mund ta detyrojë Tajvanin të marrë rrugën që Kina ka vendosur për të”.

Ajo rrugë, tha ajo, nuk ofron “as një mënyrë jetese të lirë dhe demokratike për Tajvanin dhe as sovranitet” për 23 milion njerëzit e saj.

“Sa më shumë që arrijmë, aq më i madh është presioni me të cilin përballemi nga Kina”, tha ajo.

Ajo shtoi se fluturimet ushtarake të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit kishin ndikuar seriozisht në sigurinë kombëtare dhe sigurinë e aviacionit dhe e përshkroi situatën si “më komplekse dhe më fluide se në çdo pikë tjetër në 72 vitet e fundit”.

Tsai gjithashtu përsëriti një ofertë për të folur me udhëheqësit kinezë në mënyrë të barabartë, një sugjerim që Pekini, i cili e quan atë një “separatiste” deri më tani e ka refuzuar.

Fjalimi i saj u pasua nga një fluturim i avionëve luftarakë tajvanezë.

Ribashkimi nuk mbështetet as nga qytetarët tajvanezë, që thonë se totalitarizmi në Kinë është rritur ndjeshëm nën drejtimin e Xi Jinping dhe ky nuk është momenti i përshtatshëm për t’u bashkuar me të.

Të shtunën, Presidenti kinez Xi tha se bashkimi duhet të arrihet në mënyrë paqësore, por paralajmëroi se populli kinez kishte një “traditë të lavdishme” të kundërshtimit të separatizmit. “Detyra historike e ribashkimit të plotë të atdheut … patjetër do të përmbushet,” shtoi ai.

Italia fiton ndeshjen e krenarisë / Mancini thyen një tjetër rekord

Italia fitoi ndeshjen e prestigjit për vendit e tretë të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti me rezultatin 2-1 skuadrën e Belgjikës.

Në ndeshjen pa asnjë trofe e objektiv, pasi finalja e këtij kompeticioni diskutohet mes Spanjës dhe Francës, në lojë ishte vendi i tretë dhe krenaria. Kampionët e sapokurorëzuar të Europës dolën fitimtarë në këtë duel.

Golat u shënuan që të gjithë në pjesën e dytë. Barella gjeti golin e parë për italianët pak sekonda pas rinisjes së lojës, ndërsa Berardi në minutën e 65 dyfishoi rezultatin. Për belgët shënoi de Ketelaere në minutën e 86-të.

Pas rekordit të vendosur me 37 ndeshje radhazi pa provuar shijen e humbjes, që u thy vetëm nga Spanja në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, Roberto Mancini me këtë fitore theu edhe rekordin duke u bërë trajneri i parë i Italisë që arrin më shpejt numrin e 30 fitoreve.

PD: Ja pse është krizë korrupsioni dhe jo energjitike

Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti, nëpërmjet një videomesazhi nga selia blu, tregoi detaje nga menaxhimi i kilovatëve energjetike nga KESH dhe OSHEE.

Sipas saj, Shqipëria ka prodhuar mjaftueshëm energji elektrike për konsumin e brendshëm, por sipas deputetes një sasi e mirë e tyre është shitur nën vlerën reale të tregut.

Ajo thotë ndër të tjera, se krizë energjetike nuk ka, por ka vetëm keqmenaxhim nga ana e qeverisë. Në fund të fjalës së saj, Koti nënvizoi se PD do të bëj kallëzime në SPAK për këtë problematikë dhe shton se koha e padnëshkueshmërisë duhet të marrë fund.

Fjala e plotë e Sorina Kotit:

Me pretekstin e krizës, ditën e djeshme Edi Rama shpalli planin e tij për të marrë 200 milionë euro borxh që OSHEE dhe KESH të vazhdojnë të bëjnë tendera dhe të shpërdorojnë paratë e qytetarëve, siç kanë bërë vitet e fundit e veçanërisht në pranverë e në verë.

Ky borxh i ri, i shoqëruar nga gropat që kjo qeveri ka hapur në financat publike, do të shoqërohet edhe me rritje të përgjithshme të çmimeve të produkteve. E për pasojë papërgjegjshmërinë e pushtetit, do ta paguajnë familjet shqiptare.

Prandaj fjalimi i djeshëm kishte për funksion që Edi Rama të hiqte përgjegjësitë nga vetja dhe kabineti i tij.
Por ja si keqmenaxhohet energjia elektrike; ja si vidhen shqiptarët.

KESH deri në Shtator 2021 ka prodhuar 4.5 Mld KËh
Nëpërmjet OSHEE qytetarët janë furnizuar me 3.2 Mld KËh.

Pjesa tjetër e prodhuar nga KESH, 1.3 Mld kËh është shitur (eksportuar)

Ndërkohë konsumi familjar + biznes ne Shqipëri deri në Shtator 2021 ka qenë 4.6 Mld KËh.

Por qeveria, nuk i ka furnizuar konsumatorët me prodhimin e brendshëm të KESH, por duke importuar energji.

Çmimi i shitjes nga KESH tek OSHEE për konsumatorin është 12 €/ MËh
Ndërsa çmimi i importit është 260 € MËh

Ja pra, që gënjeshtrat e Kryeministrit dalin hapur. Me mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri, ne i plotësojmë nevojat e konsumit të energjisë me prodhimin tonë të brendshëm nga KESH.
Me çmimin e KESH, (për 4 muajt e ardhshëm Shtator-Dhjetor) nga Buxheti i Shtetit do shpenzoheshin 8 Mln €;
Ndërsa me skemën e vjedhjes (nëpërmjet energjisë së importuar) nga Buxheti i Shtetit do harxhohen 150 Mln €.

Pikërisht, për këtë arsye, ne themi që është krizë e manaxhimit të fondeve, e burimeve natyrore, krizë nga korrupsioni dhe absolutisht jo, krizë e energjisë elektrike.

Për të gjitha këto shpërdorime me paratë e qytetarëve, Partia Demokratike do të dorëzojë kallzime penale në SPAK. Këto abuzime me taksat e shqiptarëve duhet të marrin fund, bashkë me pandëshkuesëmërinë që vijon të cënojë besimin te institucionet dhe drejtësia!

Covid-19 në Shqipëri/ Rritet numri i viktimave, 19 persona në gjendje të rëndë

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga 2827 testime, 325 qytetarë kanë rezultuar të infektuar, 9 humbje jete dhe 563 të shëruar në 24 orët e fundit.

Kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 325 qytetarë, në këto bashki:

158 qytetarë në Tiranë, nga 15 qytetarë në Durrës, Fier, Sarandë, 9 në Kamëz, 8 në Elbasan, nga 7 qytetarë në Gramsh, Lushnje, Kurbin, nga 6 qytetarë në Gjirokastër, Berat, Dimal, nga 5 qytetarë në Skrapar, Vlorë, Krujë, nga 4 qytetarë në Shkodër, Mallakastër, Kuçovë, nga 3 qytetarë në Belsh, Cerrik, Kolonjë, Pogradec, nga 2 qytetarë në Has, Lezhë, Mirditë, Shijak, Vorë, Patos, Himarë, Delvinë, Korçë, nga 1 qytetar në Memaliaj, Këlcyrë, Tepelën, Përmet, Finiq, Dibër, Kavajë, Kukës, Vau i Dejës. Janë 7113 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.

Aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 164 pacientë, nga të cilët 19 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID19, 9 qytetarë: 3 qytetarë nga Fieri të moshave 51-75 vjeç, 2 qytetarë nga Tirana të moshave 72-73 vjeç, 2 qytetarë nga Vlora të moshave 65-69 vjeç, 1 qytetar nga Lezha 67 vjeç dhe 1 qytetar nga Berati 71 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Janë shëruar 563 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 165,087 që nga fillimi i epidemisë.

Statistika (10 Tetor 2021)
Raste të reja ditore 325
Të shëruar në 24 orë 563
Të shtruar në spitale 164
Humbje jete në 24 orë 9
Testime ditore 2827

Testime totale 1,237,635
Raste pozitive 174,968
Raste të shëruara 165,087
Raste Aktive 7113
Humbje jete 2,768

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 3080
Durrës 842
Fier 712
Shkodër 609
Vlorë 379
Elbasan 346
Lezhë 269
Berat 230
Gjirokastër 208
Kukës 156
Korçë 155
Dibër 127

A duhet të izoloheni nëse keni simptoma të Covid-19, por testi PCR del negativ?

Asnjë test për Covid-19 nuk është 100% i saktë, por mundësitë për një rezultat pozitiv të rremë mbeten të ulëta. Megjithatë, sa janë mundësitë që një test të ketë rezultat negativ të rremë – pra individi të jetë i infektuar me Covid dhe të rezultojë negativ sipas testit? Për momentin është ende e paqartë, megjithatë ka një rritje të raportimeve të tilla.

Gabimet janë raportuar nga njerëzit në Anglinë jug-perëndimore gjatë javës së kaluar, ku një zyrtar i shëndetit publik tha se ishin në dijeni të një “numri të madh” të rezultateve jokonsistente të testeve. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) tha se nuk besonte se kishte probleme me ndonjë pajisje testimi dhe shtoi se nuk kishte dëshmi të një varianti të ri.

Një mjeke nga Gloucestershire tha për BBC se ajo kishte parë pacientë në situata të ngjashme.

“Këshilla është që të mendoni për situatën tuaj lokale, të bëni një vlerësim individual të rrezikut. Nëse e mendoni që ka shumë mundësi që të keni Covid, edhe nëse PCR del negativ, atëherë konsiderojeni si Covid dhe izolohuni,” tha për BBC Becky Reynolds, drejtoreshë e shëndetit publik për këshillin Bath and North East Somerset.

Ekspertët sugjerojnë që nëse rezultoni pozitivë me Covid-19 nga një test LFD, sigurohuni duke bërë një test PCR më pas. Nëse keni simptoma të Covid-19 izolohuni dhe bëni një test PCR.

Genta Ismajli konfirmon shtatzëninë: Gjithçka po bëhet më e çuditshme

Pas disa kohësh aludimesh, Genta Ismajli konfirmoi se ajo dhe partneri i saj, Usta do të bëhen prindër.

Në një video të postuar në Instagram, ku shfaqen të dy në makinë, këngëtarja shkruan:

“Gjithçka po bëhet më e çuditshme dhe unë pyet veten se kush je, kush në jetë do të bëhesh e kujt nga ne do t’i ngjasosh?”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Genta Ismajli (@genta.ismajli)

Genta konfirmoi lidhjen me biznesmenin turk në nëntor 2019, ndërsa në shkurt tregoi se është fejuar dhe gjithçka është bërë serioze.

Në prill në “Ftesë në pesë” ajo u shpreh se vitin tjetër (2020) mund të bëhet nënë. Në lidhje me raportin e tyre, në një intervistë për “Prive”, Genta është shprehur:

“Unë dhe i dashuri im jemi njohur në një restorant. Jemi takuar aty, e kemi parë njëri-tjetrin dhe mendoj që ka qenë dashuri me shikim të parë.”

Asokohe, ata thanë se donin me patjetër të bënin fëmijë.

Spanja merr vendimin: 250 euro në muaj për të rinjtë, por ka një kusht

Qeveria spanjolle po planifikon t’u ofrojë të rinjve 250 euro në muaj. Kjo shihet si një ndihmë për këtë kategori, për pagimin e qirasë. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i këtij vendi Pedro Sanchez.

Është propozuar që çdo muaj t’i ndahen nga 250 euro të rinjve nga mosha 18 deri në 35-vjeç që fitojnë më pak se 23.725 euro në vit, me qëllim që të ndihmohen që të paguajnë qiranë e shtëpisë apo apartamentit.

Propozimet e tjera gjithashtu përfshijnë kufizimin e çmimit të qirave për qiradhënësit që posedojnë shumë prona të paluajtshme, me qëllim që të ndihmohen të rinjtë të paguajnë qiranë nëpër qytete të mëdha.

Pronat e paluajtshme në Spanjë janë të njohura për çmimet e larta, kështu pothuajse çdo i ri detyrohet të jetoj me prindërit për shkak qirasë së lartë, pagave të ulëta dhe përqindjes së madhe të papunësisë.

Mesatarisht në Spanjë të rinjtë largohen nga shtëpia e prindërve pas moshës 30-vjeçare, e në vendet e BE-ja kjo mesatare është 26,4 vite.

Ky ligj që Sanchez po e propozon do të bëhet publik dhe për të do të diskutojnë deputetët në Parlament, miratimi i të cilëve do të nënkuptonte se ligji do të mund të hyjë në fuqi këtë vit.