Aplikacion
Shumë prej nesh kanë besime të rreme për lumturinë, dhe këto besime mund të na pengojnë të ndihemi mirë me veten dhe të shijojmë jetën. Ja disa nga gjërat që ne besojmë dhe i themi vetes për lumturinë dhe si qëndron e vërteta.
1. “Ka diçka që nuk shkon me mua nëse nuk jam i lumtur gjatë gjithë kohës.” Jo, nuk ka asgjë të keqe me ju nëse nuk jeni të lumtur gjatë gjithë kohës. Askush nuk mund të jetë i lumtur gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, lumturia e vërtetë është paqja e brendshme, jo veç një moment adrenaline.
2. “Nëse kam shumë para, do të jem i lumtur.” Paraja mund të blejë shumë gjëra, por pasi të keni marrë parasysh nevojat tuaja themelore, ndryshimet që vijnë me rritjen e të ardhurave nuk bëjnë aq shumë ndryshim. Një studim i famshëm i Princeton në 2010 zbuloi se mirëqenia emocionale nuk rritet më për njerëzit, pasi ata fitojnë mbi $75.000. Në fillim të këtij viti, një studim i botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences zbuloi se ky numër ishte rritur në $85,000. Përfundimi është i njëjtë: Më shumë para, nuk do t’ju bëjë domosdoshmërisht më të lumtur.
3. “Duhet të jem më mirë sesa thjesht ‘ok’, për të qenë i lumtur.” Kur “kontratat” që lidhni me jetën janë të tipit: ‘Kur të marr atë që dua, atëherë do të jem i lumtur’, ju thjesht po i largoheni më shumë lumturisë. Problemi me këtë mendësi është se në jetë “vija e finish-it” është një objekt lëvizës, pasi jeta dhe objektivat e dëshirat ndryshojnë gjithnjë.
4. “Kur të gjej dashurinë e vërtetë, atëherë do të jem i lumtur.” Ky është ndoshta miti më i zakonshëm që i themi vetes për lumturinë. Dashuria është gjëja më e mirë në planet, dhe është gjithashtu më e dhimbshmja, kështu që përgatitsni veten. Mos harroni të jeni të kujdesshëm për atë që kërkoni dhe kuptoni se lumturia juaj nuk duhet të varet nga askush, veç jush, të paktën në pjesën më të madhe.
5. “Nëse kam një jetë të përmbushur, atëherë nuk do të jem kurrë i pakënaqur.” Çdo gjë ka një cikël jetësor, dhe me ndjenjat e përmbushjes ndodh po njësoj. Ju do të duhet të kërkoni lloje të ndryshme të përmbushjes ndërsa jeta juaj ndryshon dhe vitet kalojnë.
6. “Nëse nuk kërkoj vazhdimisht lumturi, do të jem i trishtuar.” Kur jeta jonë është në të vërtetë jashtë kontrollit, ne ndjejmë stres. Kur nuk është jashtë kontrollit, ne mund të krijojmë stresin tonë duke e shtyrë veten të jemi të lumtur, dhe kjo është mjaft e rëndë për shpirtin. Në vend që të kërkoni lumturi, ndjeni kënaqësi në jetën tuaj filimisht, me gjithë dhuratat që keni përreth. Nëse kërkoni vazhdimisht lumturi, do të jeni të trishtuar, sepse nuk keni ndaluar asnjë moment për të parë se çfarë mund t’ju bëjë të lumtur përreth.
7. “Kur jeta të jetë përsëri normale, atëherë unë mund të jem përsëri i lumtur.” Gjërat nuk mund të jenë kurrë siç ishin përgjithmonë. Ne kemi kaluar shumë, e gjithë bota është e traumatizuar dhe ne ende nuk e dimë se si do të duket “normalja”. Kjo kohë nuk ka të bëjë me përpjekjen për të qenë të lumtur. Ka të bëjë me të mësuarit për të dashur dhe shijuar atë që kemi.
Lumturia e vërtetë nuk është kurrë një konstante në universin e askujt. Nëse arrijmë ta prekim për pak kohë, jemi me fat. Të jesh i trishtuar sepse nuk je i lumtur nuk do të të bëjë të ndihesh më mirë, por të jesh i sjellshëm dhe të bësh gjithnjë mirë sa herë që mundesh po. Lumturia nuk është gjithmonë e disponueshme, por mirësia është gjithmonë aty ku ju e vendosni. / Psychology Today
“Skifter në Korçë, pulë në Leposaviç!”/ Përse nuk protestuan nga Vetvendosje për koncertin e “Riblja Corba”Nga Altina Marmullaku, Ana Gjoka/ CNA
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar aksion kundër koncertit të këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç, në Shqipëri, por nuk e ka bërë të njëjtën edhe për koncertin e grupit fashist serb “Riblja Corba” në Kosovë.
I pyetur nga Albanian Post, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Arlind Manxhuka, nuk ka dashur të flas përse nuk e kundërshtuan koncertin e “Riblja Corba” në komunën e Leposaviçit.
Ai nuk ka komentuar as në anën tjetër; aksionin e Vetëvendosjes në Korçë, ku me një baner të madh Vetëvendosje shkruante “Bregoviç dajre gjenocidi”.
“Për aktivitetin e Tiranës përgjigjët qendra tjetër, është qendër e pavarur”, ka thënë Manxhuka për AP.
Albanian Post ka kontaktuar me udhëheqësin e “qendrës tjetër”, atë të Tiranës, Bojken Abazin. Edhe ai s’ka dashur ta komentojë as aksionin në njërën anë, as heshtjen në anën tjetër.
Por, sipas postimit në Facebook, Vetëvendosje organizoi aksionin pasi “muzikanti i shumëkontestuar Bregoviç nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviçit në Kosovë” dhe gjithashtu “gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjes së NATO-s në krah të UÇK-së”.
Ndryshe nga Bregoviç që nuk e kishte ngritur zërin kundër Sllobodan Millosheviçit, grupi fashist “Riblja Corba” e kishte ngritur zërin, por në mbështetje të Millosheviçit dhe krimeve të tij.
“Riblja Corba”, madje për NATO-n kishte kompozuar edhe një këngë, ku e mallkonte aleancën për bombardimet.
“Avion do të t’i thyej krahët”, ishte titulli që ia dëshironte dështimin aleancës që ndihmonte Kosovën.
Derisa vokalisti i grubit, Bora Gjorgjeviç, ishte ai që në tekstet e tij shprehi hapur përkrahjen dhe adhurimin për mënyrën e të qeverisurit të Presidentit të asaj kohe të ish-Jugosllavisë, Slobodan Milloshoviç.
Në fillim të bombardimeve të NATO -s, “Riblja Corba” regjistroi edhe “këngën patriotike”, “Samo Sloga Srbina Spasava” (Vetëm bashkimi i shpëton serbët), e cila konsiderohet si një nga këngët më nacionaliste në historinë e muzikës serbe.
Frontmeni, Bora Gjorgjeviç, ka vazhduar edhe pas luftës të jetë i zëshëm kundër shtetit të Kosovës dhe ka pasur qëndrime të ashpra duke e quajtur Kosovën “shtet të trilluar”.
Gjithsesi, sipas aktivistit të Vetëvendosjes në Lezhë, Iliaz Shehu, që në zgjedhjet e 25 prillit garoi për një ulëse deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, “situata nuk është bash e ekuilibruar”.
Ai bën diferencim të rasteve, për faktin se Leposaviçi nuk është se kontrollohet nga shteti e qeveria në Kosovë, ndryshe nga Korça në Shqipëri.
“Ardhja e Bregoviçit në Korçë vjen në një kontekst komplet tjetër, nga sa është grup-bendi atje në Leposaviç. Atje është një zonë me popullsi serbe dhe është e pamundur që shteti ta ketë qasjen maksimale dhe t’i ushtrojë gjithë monopolet e veta të kontrollit në atë zonë. Kështu që nuk është e njëjta situatë”, deklaroi Shehu, duke shtuar se aksioni në Korçë më shumë se kundër këngëtarit ishte kundër politikës së qeverisë shqiptare, pa bërë një shpjegim të qartë megjithatë se si lidhet Festivali i Birrës me politikat e qeverisë.
Idenë përafërsisht të njëjtë me Shehun, por të shpjeguar më ndryshe e ka edhe gazetari Mero Baze.
Ai, përmes një opinioni në Gazetën Tema, argumenton se “Bregoviç është sulmuar për koncertin në Shqipëri nga Kosova, pasi Albin Kurti organizoi një sulm politik që mendon se dëmton qeverinë e Tiranës”.
“Ndërkohë në Kosovë nuk ka sulme ndaj një grupi tërësisht nacionalist, që ka pasion urrejtjen ndaj shqiptarëve”, shkruan Baze.
Baze e ka quajtur të çoroditur argumentin se reagimi për grupin serb në Kosovë nuk vjen pasi “ata nuk e kontrollojnë komunën me shumicë serbe të Leposaviçit dhe aty serbët mund të bëjnë ç’të duan”.
Sipas Bazes “ata ndjehen të turpëruar se nuk kontrollojnë dot shtetin e Kosovës”, prandaj “janë gati të bëjnë sikur nuk shikojnë e nuk dëgjojnë çfarë bëhet”.
Baze e ka bindje se gjithçka që u tha kohëve të fundit në rrjetet sociale kundër koncertit të Bregoviçit nuk është fare debat kulturor e as debat patriotik, por “thjesht debat politik kundër Shqipërisë”.
Kritika për shfaqjen e një lloj hipokrizie në qasjen e Vetëvendosjes karshi këtyre dy situatave, kanë pasur edhe gazetarë e opinionistë në Kosovë.
Madje analisti Arben Ahmeti e ka targetuar në kritikën e tij drejtpërdrejtë kryeministrin Albin Kurti.
Ahmeti ka përdorur një analogji të vetë Kurtit dikur, duke i thënë se në rastin e Korçës u soll si “skifter”, kurse për bendin serb në Leposaviç, “po bëhesh pulë”.
“Nuk tolerohet me u sjelle si pule e me u arsyetu për mosndaljen e bendit çetnik e fashist Riblja Corba”, shkruan Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.
“Ata vijnë në veri për të fyer shqiptarët dhe për të treguar se aty është Serbi, mesazh që në asnjë rrethanë nuk synon as nuk do ta kishte të mundur Bregoviç në Korçë”.
Për më tepër, Ahmeti shkruan se Kurti “e ka obligim ligjor që t’i ndalë”, derisa edhe ia ka sugjeruar mënyrën se si mund ta bëjë.
“Krejt çka duhet është një veprim për shpalljen e tyre persona të padëshirueshëm për shkak të gjuhës fashiste ndaj komunitetit shumicë në vend”.
Edhe Blerim Latifi, profesori universitar i filozofisë, përkundër se nuk është i pajtimit që të bëhen paralele mes dy rasteve – atij në Korçë e këtij në Leposaviç – pajtohet se çetnikët e grupit serb duhej ndaluar.
“Me gjasë shkaku lidhet me faktin se ministrat përkatës kanë filluar të merren më shumë me çështjet e fushatës elektorale dhe nuk kanë kohë të merren me atë se kush hyn e kush del në territorin e Kosovës”, shkruan ai, po në Facebook.
Ndërsa për deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e gjithë kjo situatë ishte parashikuar herët nga ish-kryetari i saj në parti, Kadri Veseli.
“Vesel i pat thënë në Kuvend Albinit”, kujton Musliu, “se sherrin ka me ta pa Kosova, ke me kthy Serbinë në Kosovë”.
“Atëherë shumë pak njerëz e kanë besuar këtë deklaratë. Sot ende pa i bërë një vit qeverisje, bendi çetnik e fashist Riblja Corba, po na këndojnë në mes të Kosovës këngë me tekste ‘Kosova është serbi’”.
Deputetja ka shpjeguar edhe se si ligji e rregullon ndalimin e përdorimit të gjuhës që nxitë urrejtje.
“Veç duhet me e pas një kryeministër dhe një Qeveri që e zbaton Ligjin”.
Por, deri më tani, nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ndonjë koment për koncertin në Leposaviç dhe lejimin e “Riblja Corba” në Kosovë.
SHBA-Britani sanksione Rusisë për helmimin e Navalny-itBritania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të premten ndaj operativëve të zbulimit rus përgjegjës për helmimin një vit më parë të kritikut të Kremlinit, Alexey Navalny.
Dy vendet vendosën sanksione ndaj shtatë shtetasve rusë dhe bënë një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar Rusinë për përdorimin e armëve kimike.
Uashingtoni vendosi nga ana e tij sanksione të mëtejshme ndaj dy personave të tjerë dhe katër instituteve ruse që tha se ishin përfshirë në punën kërkimore për armët kimike ose për atë që e përshkroi si një atentat kundër zotit Navalny.
Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor pasi u helmua në Siberi më 20 gusht 2020, me atë që ekspertët perëndimorë arritën në përfundimin se ishte agjenti nervor ushtarak Novichok.
Moska ka hedhur poshtë konkluzionet e tyre dhe akuzoi Perëndimin për një fushatë shpifjeje kundër saj.
“Individët e sanksionuar janë drejtpërdrejt përgjegjës për planifikimin ose kryerjen e sulmit ndaj zotit Navalny”, thuhej në një deklaratë të Zyrës së Jashtme britanike.
Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se masa ishte një paralajmërim për Rusinë.
“Ne po dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përdorim i armëve kimike nga shteti rus shkel ligjin ndërkombëtar dhe se duhet të kryhet një hetim penal transparent”, tha ai.
Sanksionet do të prekin ata persona që kanë pasuri jashtë shtetit.
Dokumenti britanik përmban këta emra: Alexey Alexandrov, Vladimir Panyaev, Ivan Osipov, Vladimir Bogdanov, Kirill Vasilyev, Stanislav Makshakov dhe Alexei Sedov. Dokumenti thotë se ata janë të gjithë anëtarë të shërbimit rus të sigurisë FSB dhe se ishin përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi me helmimin.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi më vonë se po vendoste sanksione për të njëjtët persona, si dhe dy zyrtarë të tjerë rusë për të cilët u tha se ishin përfshirë në helmim: Konstantin Kudryavtsev dhe Artur Zhirov.
Departamenti i Thesarit gjithashtu përfshiu në sanksione edhe Institutin e Kriminalistikës të FSB-së, një laborator ku punuan shumica e personave të përfshirë në sulm, dhe Institutin Shtetëror të Mjekësisë Ushtarake Eksperimentale të ministrisë ruse të mbrojtjes.
Departamenti i Shtetit gjithashtu njoftoi se vendosi sanksione ndaj dy instituteve të tjera shkencore ushtarake ruse të përfshira me armët kimike.
As Kremlini dhe asnjë prej personave në listë nuk ofroi ndonjë koment të menjëhershëm.Qeveria britanike citoi dëshmi duke përfshirë të dhënat e telefonit dhe udhëtimit që tregojnë se disa nga operativët ishin të pranishëm në qytetin siberian Tomsk në kohën e helmimit.
Për të tjerët tha se kishte baza të arsyeshme për të dyshuar se, për shkak të pozicioneve të tyre në shërbimin e zbulimit, ata kishin “përgjegjësi për të ofruar mbështetje ose promovuar veprimet e operativëve që kryen operacionin”.
Navalny u burgos për shkelje të lirimit me kusht për një dënim bazuar mbi akuza që ai tha se ishin të motivuara politikisht kur ai u kthye në Rusi në fillim të këtij viti nga Gjermania.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të respektojë plotësisht Konventën e Armëve Kimike, përfshirë detyrimet e saj për të deklaruar dhe çmontuar programin e saj të armëve kimike”, thuhej në deklaratën e përbashkët SHBA-Britani.
“Ne mbetemi të vendosur për të respektuar normat ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike”, thuhet në deklaratë. / Reuters
BE: Nuk i njohim talebanët, nuk ka bisedime politikePresidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të shtunën se Bashkimi Evropian nuk i ka njohur talebanët dhe as nuk po zhvillon bisedime politike me militantët, një javë pasi ata morën kontrollin e Afganistanit.
Talibanët i dhanë fund marrjes rrufe të Afganistanit të dielën, duke u futur në kryeqytetin e vendit, Kabul, pa hasur në rezistencë.
Shjefja e ekzekutivit të BE-së foli pasi vizitoi një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të institucioneve të BE-së të evakuuar nga Kabuli.
Zonja Von der Leyen tha se do të propozonte një rritje të ndihmës humanitare prej 67 milionë dollarësh që Komisioni kishte parashikuar këtë vit për Afganistanin.
Ajo tha se ndihma e BE-së lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut, trajtimin e mirë të pakicave dhe respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave.
“Ne mund t’i dëgjojmë ato çka thonë talebanët, por ne do t’i masim ato mbi të gjitha me veprat tyre”, tha zonja von der Leyen në një konferencë shtypi.
Ajo shtoi se Komisioni ishte gati të siguronte fonde për vendet e BE-së që do të ndihmojnë në zhvendosjen e refugjatëve dhe se planifikonte ta ngrinte çështjen e zhvendosjes në një takim të G7-s që mbahet javën e ardhshme.
Pas një krize në 2015 kur më shumë se një milion migrantë shkuan në Bashkimin Evropian, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, BE-ja e ka ulur numrin e atyre që futen në këto vende falë një marrëveshjeje me Turqinë, e cila merr fonde nga blloku për të pritur azilkërkuesit në territorin e saj. / VOA
NATO: Prioritet përmirësimi i lëvizjes në aeroportin e KabulitMinistrat e jashtëm të NATO-s u zotuan të premten të punojnë për të garantuaar evakuim të sigurt nga Afganistani të qytetarëve të tyre dhe afganëve që konsiderohen të rrezikuar pas marrjes së vendit nga talebanët, duke u përqëndruar në përmirësimin e operacioneve në aeroportin e Kabulit së pari.
Të gjendur përballë kaosit të vazhdueshëm në kryeqytet dhe rrugët e daljes, shumë nga 30 vendet aleate ngritën “nevojën për të punuar më shumë për të gjetur mënyra për të futur më shumë njerëz në aeroport, pastaj për të procesuar dokumentacionin dhe më pas nisja me aeroplanë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg.
Ai e cilësoi këtë një “sfidë shumë, shumë, shumë të madhe”.
Shumë shpesh gjatë orëve dhe ditëve të fundit, aeroplanët nga vendet e NATO-s kanë qenë në gjendje të shkojnë në Kabul, por janë detyruar të kthehen bosh ose thuajse bosh.
Belgjika, për shembull, dërgoi dy avionë të mëdhenj C-130 në Kabul, por nga rreth 500 persona që ishin thirrur për të hipur në bord, vetëm “rreth 20 ishin me fat” për të ikur me aeroplanin e parë, tha ministrja e jashtme Sophie Wilmes. Një aeroplan i dytë u detyrua të kthehej bosh në Pakistanin fqinj, pasi udhëtarët e caktuar nuk mund të hynin në aeroport.
“Ka kontrolle shumë të rrepta të talibanëve si dhe të amerikanëve,” tha zonja Wilmes.
Ajo bashkoi zërin me disa aleatë të tjerë për t’u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të sigurojnë aeroportin e Kabulit për aq kohë sa duhet, edhe nëse kjo vazhdon më gjatë se momenti i evakuimit të të gjithë shtetasve amerikanë.
Në një deklaratë të NATO -s të premten thuhej se “për sa kohë që operacionet e evakuimit vazhdojnë, ne do të ruajmë bashkëpunimin tonë të ngushtë operacional përmes mjeteve ushtarake të Aleancës” në aeroport.
Ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles tha se ajo tashmë kishte marrë garanci të tilla.
“Ata (Shtetet e Bashkuara) na kanë siguruar që nuk do të tërhiqen nga aeroporti derisa personi i fundit që kërkon evakuim të jetë jashtë vendit,” tha ajo për radion publike spanjolle RNE.
Zoti Stoltenberg këmbënguli gjithashtu se talebanët duhet t’i lejojnë kalim të lirë çdo afgani që dëshiron të largohet nga vendi.
Përveç sfidës së menjëhershme, ministrat e jashtëm të NATO -s këmbëngulën që talebanët duhet të japin garanci që Afganistani të mos kthehet në vatër terrorizmi.
“Ne nuk do të lejojmë që terroristët të na kërcënojnë përsëri nga Afganistani,” tha zoti Stoltenberg, duke kujtuar se angazhimi i NATO-s në këtë vend e kishte zanafillën në sulmet e 11 Shtatorit në SHBA në 2001.

Jens Stoltenberg
Në Moskë kancelarja Merkel tha se megjithë dallimet e thella me Rusinë, me njëri -tjetrin flitet. Kancelarja theksoi se kjo edhe duhet të mbetet kështu. Presidenti Putin tha se Gjermania ishte një nga partnerët më të rëndësishëm të Rusisë në Evropë dhe në gjithë botën – jo së fundi falë përpjekjeve të Merkelit.
Kancelarja vendosi një kurorë me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur dhe kujtoi sulmin e Gjermanisë hitleriane kundër Bashkimit Sovjetik 80 vjet më parë.
Pas takimit Merkeli tha se kishte rënë dakord me Putinin për të bërë përpjekje për të arritur përparime për Ukrainën javët e ardhshme. Ajo tha se dëshiron të rigjallërojë bisedimet, ku për momentin ka stanjacion. Sipas agjencive të lajmeve ajo kërkoi nga Putini lirimin e kritikut të tij, Aleksander Navalny. Putini tha se Navalnyn nuk qe dënuar për aktivitetin e tij politik.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se kishte përshtypjen se udhëheqja ukrainase kishte vendosur kundër një zgjidhjeje paqësore për konfliktin në Ukrainën Lindore.
Fjalë lëvduese për kancelaren
Vizita e së premtes nuk është vetëm një vizitë lamtumire, i tha biografi i Merkelit Ralph Bollmann gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” :
“Unë besoj se marrëdhënia me Rusinë ishte një temë kaq e rëndësishme e mandatit të saj , sa që dëshiron të bëjë edhe njëherë një mbyllje. Unë besoj se ajo do të vendosë edhe njëherë disa piketa, duke përfshirë sinjale për pasardhësit e saj të mundshëm, se si duhet të jetë politika ndaj Rusisë në të ardhmen.
Disa muaj më parë kur po bëhej i qartë largimi i Merkelit, Putini u shpreh me fjalë pozitive: “Mes nesh është zhvilluar një marrëdhënie e bazuar në fakte. Unë i vlerësoj shumë atë. Ajo është një politikane me përvojë dhe një person i drejtpërdrejtë. Kur kemi rënë dakord për diçka, atëherë unë mund të kisha besim tek ajo. Është konsekuente dhe mund të imponojë vullnetin e saj”.
Ekziston një temë veçanërisht me të cilën Angela Merkel do të donte të merrej, thonë vëzhguesit: ajo dëshiron të sigurojë që Rusia të vazhdojë të kalojë gaz përmes Ukrainës në Bashkimin Evropian në të ardhmen, edhe kur të përfundojë gazsjellësi “Nord Stream 2”.
Pekini po kultivon kontakte me talibanëtPasi talibanët erdhën në pushtet në Afganistan, Japonia dhe Koreja e Jugut gjithashtu mbyllën ambasadat e tyre në Kabul dhe diplomatët dhe punonjësit e zhvillimit u larguan nga kryeqyteti afgan. Dy vendet aziatike kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme në zhvillimin e infrastrukturës gjatë dy dekadave të fundit.
Që nga viti 2001, Japonia ka vënë në dispozicion rreth 6.8 miliardë dollarë për rindërtimin e infrastrukturës së Afganistanit. Ndihma e mëtejshme prej 720 milionë dollarë duhet të paguhet midis viteve 2021 dhe 2024, por tani ka të ngjarë që kjo ndihmë të pezullohet.
Vetëm në vitin 2018, Koreja e Jugut vuri në dispozicion 2.2 milionë dollarë për të mbështetur fëmijët dhe gratë në situata të rrezikuara në Afganistan. Një pjesë e madhe e ndihmës jepet përmes kishave të krishtera dhe organizatave përkatëse.
Japonia dhe Koreja e Jugut po monitorojnë nga afër se si po sillet qeveria kineze me pushtetarët e rinj në Kabul. Sepse ndërsa Tokio dhe Seuli duan të pezullojnë bashkëpunimin e zhvillimit për momentin, sipas raporteve të mediave, Pekini e ka njohur që të hënën përmbysjen nga talibanët
Pekini tregon praninë e tij
Një zyrtar i qeverisë kineze shprehu shpresën se talibanët do të ndërtonin një strukturë politike që do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme në Afganistan. Pekini “mban kontakte dhe komunikim me talibanët” dhe synon të “luajë një rol konstruktiv në paqen dhe rindërtimin e Afganistanit”.
Një pyetje e madhe është nëse Pekini do të vazhdojë të zgjerojë sferën e tij gjeopolitike të ndikimit duke ofruar ndihmë financiare. Kina tashmë ka krijuar lidhje të ngushta me Pakistanin, ndërsa kërkon qasje në Oqeanin Indian. Afganistani mund të jetë një aleat tjetër strategjik i rëndësishëm në Azinë Qendrore.
Kina është e lidhur me Afganistanin me një kufi malor prej 76 kilometrash. Ekspertët dyshojnë se Pekini mund të përpiqet të përfitojë nga vakumi i afërt në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të zhvillimit në Afganistan.
“Njohja e shpejtë e qeverisë talibane ishte një hap guximtar nga Kina dhe shihet si një sfidë nga bashkësia ndërkombëtare,” thotë Hiromi Murakami, profesor i shkencave politike në Universitetin Temple në Tokio, në një intervistë për DW.
Pekini ka fituar terren politikisht, ushtarakisht dhe përmes programeve të tij të ndihmës në Azi dhe Paqësor vitet e fundit. “Ka të ngjarë që ai të përdorë të njëjtat taktika në Afganistan.”
Kritika nga Tokio dhe Seuli
Në dallim nga kursi i Pekinit, si Japonia ashtu edhe Koreja e Jugut nuk e kanë bërë veten të preferuar të regjimit të ri në Kabul për shkak të kritikave të tyre të mëparshme ndaj talibanëve. Kohët e fundit në maj, Ministria e Jashtme japoneze dënoi një “sulm terrorist” në një shkollë në Kabul, në të cilin u vranë disa vajza.
“Tokio do të presë dhe do të shohë se si do të punojnë qeveritë e tjera me qeverinë e re talibane,” thotë eksperti. Në dallim nga Kina, ndihma për zhvillimin e Japonisë nuk është e lidhur me qëllimet strategjike.
Sipas Murakamit, është e vështirë të përfytyrohet se si mund të vazhdojnë projekte të shumta në fushën e bujqësisë dhe infrastrukturës, pas largimit të personelit të ambasadës dhe të organizatave ndihmëse janë larguar.
Edhe Stephen Nagy, Profesor i Asociuar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Krishterë në Tokio, është skeptik. Nëse talibanët u mohojnë grave dhe vajzave mundësi arsimi dhe kufizojnë liritë e tyre, “Japonia dhe Koreja e Jugut do të tërhiqen dhe do ta drejtojnë ndihmën e tyre diku tjetër”.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut u shpreh veçanërisht e qartë në fillim të gushtit. Në një deklaratë ajo tha se sulmi ndaj një zone të OKB-së në Herat dhe “incidentet e dhunshme që pasuan duhet të hetohen si krime të mundshme lufte”.
“Talibanët duhet të heqin dorë nga mohimi i përfshirjes së tyre në shkeljet e të drejtave të njeriut. Ata duhet të njohin ligjet ndërkombëtare dhe të vënë para përgjegjësisë ata që janë në radhët e tyre, të cilët janë përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut,” u tha në një deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut.
Për ndihmësit në vend, misioni në Afganistan mund të jetë me rrezik për jetën. Në vitin 2019, për shembull, kreu i Shërbimeve Mjekësore të Peace Japan, Tetsu Nakamura, u qëllua për vdekje pranë Jalalabadit. Ai kishte drejtuar një numër projektesh vaditjeje në mbështetje të popullsisë vendase. Për vrasjen u fajësuan talibanët. / DW
(VIDEO) Aksident në Mal të Zi/ Makina shqiptare del nga rruga dhe kthehet përmbysNjë aksident ndodhi ditën e sotme në Malin e Zi.
Një makinë me targa shqiptare doli nga rruga, pak kilometër pasi kaloi doganën e Muriqanit dhe përfundoi në një kanal.
Për fat të mirë nuk raportohen viktima, teksa pamjet e frikshme i shihni në videon e siguruar nga Zoom.al.
Edhe të vaksinuarit përhapin variantin Delta
View this post on Instagram
Raportet nga vende të ndryshme po konfirmojnë frikën e shkencëtarëve sipas të cilëve varianti Delta që u përhap me shpejtësi të frikshme në prill dhe maj 2021 në Indi ka më shumë të ngjarë se variantet e tjera që të përhapet ndërmjet personave të vaksinuar.
Të dhënat nga testet e Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Singapor tregojnë se personat e vaksinuar që infektohen me Delta-Sars-CoV-2 mund të kenë në zgavrën e hundës po aq virus sa të pavaksinuarit.
Kjo do të thotë që pavarësisht nga mbrojtja prej vaksinimit, disa nga të vaksinuarit mund ta kalojnë virusin Delta tek të tjerët dhe të kontribuojë për përhapjen e tij, thotë David O’Connor, virolog në Universitetin Wisconsin-Madison.
Mbajtja e maskave duhet të vazhdojë
Rezultatet bëjnë të qartë se sa të rëndësishme janë masat mbrojtëse si mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura për të zvogëluar transmetimin. Studiuesit theksojnë se vaksinat Covid-19 mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve, por të dhënat mbi transmetimin e variantit Delta tregojnë se “njerëzit që vaksinohen duhet të respektojnë megjithatë masat parandaluese”, thotë bashkautori i studimit Thomas Friedrich, virolog në Universitetin Wisconsin-Madison.
Vatra përhapjeje edhe festat e vogla familjare
Të dhënat nga Provincetown, Massachusetts arrijnë në rezultate të ngjashme. Në Provincetown u bënë analiza të pjesëmarrësve në aktivitete dhe tubime të mëdha, kurse në Wisconsin u bënë analiza të njerëzve që kishin marrë pjesë në festa të vogla familjare. Dhe sipas studiuesve edhe grupimet me pak vetë mund të kontribuojnë për përhapjen e variantit Delta.
“Duke pasur parasysh nivelet e larta të virusit Delta që vërehen në javën e parë të infektimit, masat mbrojtëse si maskat dhe higjiena e duarve të mund të zvogëlojnë transmetimin janë të rëndësishme për të gjithë, pavarësisht nga statusi i vaksinimit, “thotë bashkautori i studimit Barnaby Young, studiues i sëmundjeve infektive në Qendrën Kombëtare për Sëmundjet Infektive në Singapor. / DW
Masat anti-COVID, zgjatet izolimi në Australi
Në Sidnej të Australisë u zgjat me një muaj më shumë bllokada kundër COVID-19 dhe hyri në fuqi një shtetrrethim i pjesshëm, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar përhapjen e virusit.
Vendimi i autoriteteve bëri që qindra qytetarë të protestonin kundër masave të reja përveçse në Sidnej edhe në Melbërn.
Ndërkohë, në Rio de Zhaneiro, mbi 90% e të rriturve të qytetit morën dozën e parë të vaksinës anti-COVID.
Brazili ka raportuar nivelin e tretë më të lartë në botë të infektimeve nga coronavirusi dhe është i dyti sa i takon numrit të vdekjeve.
Në Kinë, ekspertët e shëndetësisë deklaruan se vendi aziatik mund të arrijë imunitetin masiv brenda fundit të vitit. Kjo, pasi mbi 80 për qind e popullsisë së këtij shteti do të jetë tërësisht e vaksinuar brenda 2021-shit.
Në Kubë, Enti Rregullator për Medikamentet njoftoi se ka aprovuar për raste emergjence vaksinat “Soberana 2” dhe “Soberana Plus” kundër coronavirusit.
Njoftimi erdhi në një kohë kur rastet e infektimeve me coronavirus në ishull kanë arritur nivele alarmante.