zoom

Day ArchiveZbuloni si ndikojnë ushqimet me antioksidantë kundër demencias

Bimët që na dhuron nëna Natyrë janë dhuratat më të mira për shëndetin e njeriun. Frutat dhe perimet në përgjithësi janë ndër më të jashtëzakonshmet sepse përmbajnë flavonoidë, antioksidantë që mbrojnë organizmin kundër shumë sëmundjeve.

Një studim i publikuar në American Journal of Clinical Nutrition në 22 prill 2020, thotë se ushqimet e pasura me flavonoidë na mbrojnë nga demencia.

Çfarë Është Demenca?
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, demenca është një term që përshkruan një grup simptomash: si humbja graduale e kujtesës, rënia e aftësisë për të menduar dhe arsyetuar, si dhe problemet me komunikimin. Rreziku i demencës përfshin:
• Moshën,
• Trashegiminë genetike,
• Përdorimin e tepruar të alkoolit,
• Hipertensioni
• Duhanpirja
• Kolesteroli i lartë.
• Ngushtimin e enëve të gjakut

Sipas ISHP-së demenca konsiderohet ndër sëmundjet më të keqinterpretuara ditët e sotme për arsyen se disa mendojnë që ajo vjen me moshën dhe për pasojë nuk ka trajtim ose ngatërrohet me sëmundjen Alzheimer.

Si Ndikojnë Ushqimet Me Antioksidantë Kundër Demencias?
Në studimin e lartpërmendur, ekspertët analizuan të dhënat e 2,800 njerëzve të një moshe mesatare 59 vjeç të cilët nuk vuanin nga kjo sëmundje. 20 vjet më vonë, njerëzit që ishin ushqyer me më shumë ushqime me antioksidantë ishin 40% më pak të prirur të vuanin nga kjo sëmundje. Ekspertët sqarojnë se në botë gjenden shumë lloje antioksidantësh, por të duhurit kundër problemeve me trurin vijnë nga çaji, molla, dardha, boronica dhe luleshtrydhet.

Një sasi e larmishme dhe e duhur me antioksidantë është 7 filxhanë çaji boronica ose 8 mollë ose dardhë dhe 19 filxhanë çaji në muaj. Sasi e pakët antioksidantësh është të konsumosh më pak se dy mollë në muaj. Studiuesit thanë se flavonoidët mbajnë larg inflamacionin nga truri dhe mbrojnë qelizat e tij në funksionet e tyre optimale duke penguar kështu sëmundje të rrezikshme. /AgroWeb

Arsyet pse njerëzit filluan të puthen

Më pak se gjysma e të gjitha shoqërive puthen në buzë, sipas një studimi të 168 kulturave nga e gjithë bota. William Jankowiak, një profesor i antropologjisë në Universitetin e Nevada Las Vegas, zbuloi se vetëm 46% përdorin puthje buzë më buzë në një kuptim romantik, duke përjashtuar gjëra të tilla si puthjet prindër-fëmijë ose përshëndetjet.

Dy teori se pse njerëzit kanë nevojë për të puthur burojnë nga ideja se si foshnja ne kemi një dëshirë të lindur për prekjen e buzëve. Në një rast, mund të jetë që ne e lidhim prekjen e buzëve me ushqyerjen me gji dhe ky refleks është i lindur tek të gjithë. Ekziston gjithashtu një sugjerim që nënat dhe fëmijët e tyre të lidhen me puthjen buzë-buzë për shkak të diçkaje të quajtur ” transferimi i ushqimit “. Nënat  mund të kenë përtypur ushqimin tonë për ne në vitet tona të para të jetës dhe e kanë transferuar direkt në gojën tonë.

“Por unë mendoj se çelësi i universalit njerëzor të puthjes, ose mungesa e tij, është se sensualiteti i njerëzve mund të përmbushet në shumë mënyra, përveç thjesht puthjes,” thotë Jankowiak.

Ato kultura që nuk puthen buzën në buzë gjejnë mënyra të tjera për të qenë intime, thotë autori Sheril Kirshenbaum.

Në Ishujt Trobriand, në brigjet lindore të Papua Guinesë së Re, të dashuruarit puthen duke u ulur ballë për ballë dhe duke kafshuar qerpikët e njëri -tjetrit, “gjë që unë mendoj se për shumë prej nesh sot nuk tingëllon si lartësia e romancës”, thotë Kirshenbaum. Ajo që është e rëndësishme me puthjen buzë më buzë dhe llojet e tjera të puthjes është se momenti ka të bëjë me ndarjen e informacioneve të ngushta, intime për njëri-tjetrin.

Puthja duke bashkuar buzët është një sjellje pothuajse unike njerëzore. Nëse puthja ka një qëllim evolucionar, pse nuk shohim më shumë kafshë duke u puthur?

Melissa Hogenboom iu përgjigj pyetjes për BBC Earth në 2015 . Një nga arsyet që ne mund të jemi detyruar të afrohemi pranë fytyrës së një partneri është t’i japim një nuhatje të mirë. Aroma mund të zbulojë të gjitha llojet e informacionit të dobishëm: dietën, praninë e sëmundjeve, gjendjen shpirtërore dhe lidhjen, për të përmendur disa. Shumë kafshë kanë shqisa shumë më të sofistikuara të nuhatjes sesa ne, kështu që ato nuk duhet të jenë aq afër, shkruan BBC.

Shalqi dhe kastravec/ Pija e duhur për lëkurë të mirë

I stinës dhe plot shije, shalqiun mund ta gjeni kudo në treg me çmim të ulët. Ky frut i pasur me vlera ushqyese, vetitë e tij i shtrin deri tek lëkura duke e bërë atë të rrëzëllejë. Sipas të dhënave, 92 përqind e përmbajtjes së shalqinit është ujë, ndaj ky frut është ideal për hidratimin e organizmit dhe lëkurës.

Shalqini përmban vitaminat A, B6 dhe C të cilat ndihmojnë në mbajtjen e lëkurës të butë e të lëmuar. Duke përfituar nga rasti që ndodhet në treg ju sugjerojmë ta zgjeroni përdorimin e tij edhe në pijet që konsumoni. Sot ju këshillojmë që të provoni kombinimin e përkryer dhe antinflamator për lëkurëm atë me shalqi dhe kastravec. Një burim i mirë vitamine C shumë të nevojshme jo vetëm për lëkurë të mirë, por edhe për mbrojtjen e mirë të organizmit. Ndiqeni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së këtij lëngu që do t’ju ndryshojë lëkurën në shumë pak kohë.

Përbërësit
-120 ml ujë i fteskët

-Gjysmë kastraveci

-150 gr shalqi

-2 lugë gjelle fara chia

Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e këtij lëngu këshillohet të zgjidhni përbërës sa më të freskët e t’i pastroni ata si zakonisht me ujë të bollshëm. Prijini në copa të vogla dhe hidhini në një mikser si fillim ujin, kastravecin dhe shalqiun. Përzieni mirë derisa e gjithë masa të jetë shkrirë e në fund shtoni farat chia dhe trazoni edhe një herë të fundit me shpejtësi minimale.

Duke i lënë ato të fryhen 5-10 minuta tek lëngu. Më pas hidheni lëngun në një gotë dhe konsumojeni të freskët. Sipas dëshirës mund të shtoni edhe akull bë fund apo teksa e përgatisni tek mikseri. Mund ta konsumoni çdo mëngjes apo përgjatë ditës si një mënyrë për tu freskuar./AgroWeb

Kërkonin gazetarin e Deutsche Welle, talebanët i vrasin një prej familjarëve dhe i plagosin një tjetër. Drejtori i medias: Ata janë në rrezik, koha po mbaron

Transmetuesi publik gjerman Deutsche Welle deklaroi sot se talebanët qëlluan dhe vranë një anëtar të familjes së një prej reporterëve të tyre në Afganistan dhe plagosën rëndë një anëtar të dytë të familjes.

Transmetuesi tha në një deklaratë të enjten se luftëtarët talebanë po kërkonin reporterin e Deutsche Welle dhe po kontrollonin shtëpitë në Afganistanin perëndimor. Ajo raportoi se anëtarët e tjerë të familjes arritën të shpëtojnë.

Deutsche Welle raportoi se vetë gazetari, identiteti i të cilit nuk u zbulua, tashmë është vendosur në Gjermani, ku po punon. Deutsche Welle nuk dha detaje të mëtejshme mbi anëtarët e familjes të vrarë dhe të plagosur apo se ku dhe kur saktësisht në Afganistan ndodhi vrasja.

Drejtori i Deutsche Welle, Peter Limbourg, dënoi ashpër vrasjen duke thënë se, “vrasja e një anëtari të ngushtë të familjes së një prej gazetarëve tanë nga talebanët është jashtëzakonisht tragjike dhe një dëshmi për rrezikun ndaj të cilit janë të ekspozuar që të gjithë punonjësit tanë dhe familjet e tyre në Afganistan”.
Ai shtoi: “Talebanët padyshim po kryejnë kërkime të organizuara për gazetarët në Kabul dhe provinca. Koha po mbaron.”

Limbourg shtoi se shtëpitë e të paktën tre gazetarëve të tjerë të Deutsche Welle u kontrolluan nga talebanët në Afganistan ditët dhe javët e fundit.

Biden: Amerikanët do të marrin dozë përforcuese të vaksinave

Të merkurën, administrata Biden njoftoi se amerikanët e vaksinuar plotësisht do të marrin një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19-s. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Esha Sarai sjell më shumë detaje.

Në një kohë kur pak më shumë se gjysma e popullatës në Shtetet e Bashkuara është vaksinuar kundër COVID-19-s administrata Biden njoftoi të mërkurën se do të ofrojë doza përforcuese për amerikanët tetë muaj pas marrjes së dozës së tyre të dytë.

Tetë muaj pas dozës së dytë duhet marrë një dozë përforcuese. Ato do të jenë falas dhe mund të merren në cilëndo nga rreth 80,000 pikat e vaksinimit në shkallë vendi. Do të jetë e lehtë“, tha Presidenti Joe Biden.

Ekspertët kryesorë amerikanë kanë thënë se provat kanë treguar se vaksinat janë efektive edhe kundër variantit delta.

Edhe pse të dhënat e reja pohojnë se mbrojtja nga vaksina mbetet e lartë kundër rasteve më të rënda të COVID-it, ne jemi të shqetësuar se kjo prirje drejt rënies që po shohim, do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim, gjë që mund të çojë në uljen e mbrojtjes kundër formave të rënda të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjeve“, thotë doktor Vivek Murthy, këshilltari kryesor i presidentit mbi çështjet e mjekësisë.

Por vendimi për doza përforcuese në SHBA ka nxitur kritika nga organizatat e shëndetit publik, të cilat vërejnë se pjesa më e madhe e botës është ende duke luftuar për të marrë dozën e parë të vaksinës.

Vendimi i Shteteve te Bashkuara për një dozë përforcuese do të zgjerojë hendekun mes atyre që kanë dhe nuk kanë. Dhe kjo nuk është vetëm një njollë morale për vendet e pasura. Kjo realisht do të zgjasë pandeminë për të gjithë“, thotë Jenny Ottenhoff, e organizatës jofitimprurëse One Campaign, që trajton çështje që lidhen me varfërinë.

Presidenti Biden iu përgjigj kësaj kritike duke vënë në dukje numrin e vaksinave që Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar vendeve të tjera.

“E di që se ka disa udhëheqës botërorë që thonë se Amerika nuk duhet të nisë të marrë dozën e tretë të vaksinës derisa vendet e tjera të marrin të parën. Nuk jam dakord me këtë. Ne mund të kujdesemi për amerikanët e të ndihmojmë botën në të njëjtën kohë. Në qershor dhe korrik, në SHBA u injektuan 50 milionë doza ndërsa dhuruam 100 milionë doza për vendet e tjera”, tha ai.

Vendimi i Uashingtonit bie në kundërshtim me thirrjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mos nxitur diskutimet mbi dozën e tretë derisa të vaksinohen një numër më i madh njerëzish në të gjithë botën. / VOA

Si ndikoi marrëveshja me talibanët tek vendimi i Presidentit Biden në Afganistan?

Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump nënshkruante një marrëveshje paqeje me talibanët në shkurt 2020, vetë presidenti deklaroi me optimizëm: “mendojmë se do të jemi të suksesshëm në fund”. Sekretari i tij i Shtetit, Mike Pompeo, pohoi se administrata “po shfrytëzonte mundësinë më të mirë për paqen në një brez”.

Tetëmbëdhjetë muaj më pas, Presidenti Joe Biden po e drejton vëmendjen tek marrëveshja e nënshkruar në Doha të Katarit, ndërsa përpiqet të shmangë fajin për marrjen e rrufeshme të Afganistanit nga talibanët. Ai thotë se marrëveshja e detyroi të tërhiqte trupat amerikane, duke krijuar terren për kaosin që përfshiu vendin.

 

Por marrëveshja nuk mund të përdoret si i vetmi justifikim. Ky dokument kishte një klauzolë që thoshte se SHBA mund të tërhiqeshin nga marrëveshja nëse bisedimet e paqes afgane dështonin. Kjo ndodhi, por Presidenti Biden vendosi t’i përmbahej marrëveshjes, megjithëse ai e shtyu tërheqjen e plotë nga maji në shtator.

Chris Miller, sekretar i mbrojtjes në detyrë në muajt e fundit të administratës Trump, hodhi poshtë idenë se zoti Biden i kishte duart e lidhura nga marrëveshja.

“Nëse (Biden) mendonte se marrëveshja ishte e keqe, ai mund ta kishte rinegociuar. Ai kishte plot mundësi për ta bërë këtë nëse dëshironte,” tha në një intervistë zoti Miller, zyrtar i lartë i Pentagonit për antiterrorizmin në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e Dohas.

 

Por, rinegocimi do të kishte qenë i vështirë. Presidenti Biden do të kishte mundësi të pakta presioni. Ai, ashtu si pararendësi Donald Trump, donte që trupat amerikane të largoheshin nga Afganistani. Tërheqja nga marrëveshja mund ta kishte detyruar të dërgonte mijëra ushtarë të tjerë në Afganistan.

Presidenti Biden e theksoi këtë të hënën, duke thënë në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë se nuk do të angazhohej për të dërguar më shumë trupa amerikane për të luftuar për të ardhmen e Afganistanit, ndërkohë që iu referua përsëri marrëveshjes së administratës Trump për të aluduar se rruga e tërheqjes ishte paracaktuar nga paraardhësi i tij.

 

“Zgjedhja që duhej të bëja, si presidenti i juaj, ishte ose të zbatoja atë marrëveshje ose të isha gati të kthehesha në luftën kundër talibanëve në mes të sezonit të pranverës,” tha zoti Biden.

Marrja e Afganistanit nga talibanët, shumë më shpejt se sa ç’e kishin parashikuar zyrtarët e secilës administratë, ka nxitur pyetje edhe nga disa zyrtarë të kohës së Presidentit Trump nëse kushtet dhe specifikimet e marrëveshjes, si dhe vendimet që pasuan, bënë sa duhet për të mbrojtur Afganistanin pasi ushtria amerikane u tërhoq.

Marrëveshja historike ishte gjithmonë një angazhim i rrezikshëm diplomatik që kërkonte një shkallë besimi te talibanët si një partner i mundshëm i paqes dhe u hartua megjithë skepticizmin që ushqenin afganët e lodhur nga lufta, të cilët i trembeshin humbjes së autoritetit në një negociim për ndarjen e pushtetit.

“Marrëveshja e Dohas ishte një marrëveshje shumë e dobët dhe SHBA duhet të kishte siguruar më shumë lëshime nga talibanët,” thotë Lisa Curtis, eksperte për Afganistanin, e cila ka shërbyer gjatë administratës Trump si drejtoreshë e lartë për Azinë Jugore dhe Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ajo e quan optimizëm të tepruar të besosh se talibanët mund të jenë të interesuar për paqe të qëndrueshme. Marrëveshja që rezultoi, tha ajo, anonte së tepërmi nga interesat e talibanëve dhe kontribuoi në minimin e autoritetit të Presidentit afgan Ashraf Ghani, i cili u arratis nga vendi të dielën dhe tani strehohet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja bëri të mundur edhe lirimin e 5,000 të burgosurve talibanë pa marrë nga talibanët lëshime të ngjashme.”Ata donin largimin e forcave amerikane dhe kërkonin ta merrnin vendin ushtarakisht. Talibanët besonin se mund ta arrinin këtë,” tha zonja Curtis. “Kjo ishte krejt e qartë”.

 

Marrëveshja kërkonte që SHBA të reduktonte forcat e saj nga 13,000 në 8,600 në tre deri katër muajt pasues dhe specifikonte që forcat e mbetura amerikane do të tërhiqeshin në 14 muaj, ose deri më 1 maj.Presidenti Biden, në një intervistë për kanalin ABC të transmetuar të enjten, tha se ai u gjend përballë një afati të paracaktuar sapo mori detyrën: “A të deklaroj se do të qëndrojmë? Si mendoni ju, nuk do të na duhej të dërgonim shumë më tepër trupa?” Edhe pa marrëveshjen e administratës Trump, Biden tha: “do të isha përpjekur për të gjetur një mënyrë për t’i tërhequr trupat” dhe se “nuk ka moment të përshtatshëm për t’u larguar nga Afganistani”.

 

Marrëveshja përfshinte angazhime që pritej të bënin talibanët për të parandaluar terrorizmin, përfshirë detyrimet për të hequr dorë nga al-Kaida dhe për të mos i lejuar atij grupi ose të tjerëve që ta përdornin tokën afgane për planifikimin e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të tyre. Megjithëse marrëveshja u kërkonte talibanëve të ndalonin ndërmarrjen e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara dhe forcave të koalicionit, nuk u kërkonte atyre shprehimisht të dëbonin al-Kaidën ose të ndalnin sulmet ndaj ushtrisë afgane.Marrëveshja i dha legjitimitet domethënës talibanëve, udhëheqësit e të cilëve u takuan me sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Mike Pompeo, i pari shef i diplomacisë amerikane që bënte një akt të tillë.Kishte gjithashtu diskutime se talibanët mund të vinin në SHBA për t’u takuar me Presidentin Trump.

 

Megjithatë, presidenti i mëparshëm Trump fliste me rezerva për perspektivat e marrëveshjes për sukses, duke paralajmëruar se do të përdorej forcë ushtarake nëse “ndodhin gjëra të këqija”. Zoti Pompeo nga ana e tij pat thënë se SHBA ishte “realiste” dhe “e matur”; e vendosur për të shmangur luftrat e pafundme.

Zyrtarët amerikanë e bënë të qartë në atë kohë se marrëveshja ishte e bazuar në kushte dhe nëse nuk arrihej një zgjidhje me negociata në bisedimet paqësore për të ardhmen e Afganistanit, do të anulohej klauzola për tërheqjen e trupave amerikane.

 

Një ditë para marrëveshjes së Dohas, një ndihmës i lartë i kryenegociatorit amerikan Zalmay Khalilzad tha se marrëveshja nuk ishte e pakthyeshme dhe “nuk ka asnjë detyrim për Shtetet e Bashkuara të tërheqin trupat, nëse palët afgane nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje ose nëse talibanët tregojnë se nuk mund t’u zihet besë” gjatë negociatave.

Këto negociata ishin parashikuar të fillonin brenda një muaji nga nënshkrimi i marrëveshjes, por u vonuan mes mosmarrëveshjeve midis talibanëve dhe qeverisë afgane për lirimin e të burgosurve. Mes ngecjesh e ngërçes, negociatat nuk kishin dhënë ndonjë rezultat deri në kohën kur zoti Biden njoftoi vendimin e tij të tërheqjes në prill.

 

Zoti Miller thotë se ishte “qasja e duhur” dhe e nevojshme për të detyruar Presidentin Ghani në negociata. Ai shton se marrëveshja e Dohas ishte menduar gjithmonë të ishte “faza e parë” e procesit dhe se në pjesën tjetër SHBA do të përdorte fuqinë e saj për t’i bërë presion zotit Ghani që të negocionte mbi një marrëveshje të ndarjes së pushtetit me talibanët.”Natyrisht, ai nuk ishte entuziast për këto terma, por do ta bënte, ose do të humbte postin,” thotë zoti Miller. “Ne do t’i bënim presion serioz për ta detyruar të arrinte marrëveshje me talibanët”.

 

E parë në retrospektivë, thotë zonja Curtis, SHBA nuk duhet të kishte hyrë në bisedimet e Dohas “nëse nuk ishim të përgatitur për të përfaqësuar interesat e qeverisë afgane. Ishin negociata të padrejta, sepse askush nuk po mbronte interesat e qeverisë afgane”. / VOA

Vajzat afgane rikthehen në shkolla

Vajzat afgane të veshura me hixhab të bardhë dhe të pajisura me maska anti-COVID janë rikthyer në shkolla, në qytetin perëndimor të Afganistanit, Herat, disa ditë pas marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët.

Vajzat u kanë thënë gazetarëve të huaj se janë rikthyer sepse duan të mësojnë dhe të përparojnë si të tjerët, por gjithashtu kanë thënë se nuk duan luftë, por vetëm paqe për vendin e tyre.

Sipas raportimeve deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident, dhe talebanët  nuk i kanë ndaluar ato të rikthehen në bangat e shkollës. Por talebanët ditën e martë në një konferencë për shtyp kanë deklaruar se të drejtat e grave do të respektohen ‘brenda kornizës së ligjit islamik’.

Në vitet 1990, kur talebanët kontrollonin Afganistanin, shumicës së grave dhe vajzave u mohohej arsimimi dhe punësimi.

Gjithashtu ishin të detyruara të mbuloheshin plotësisht, me burka, madje as nuk mund të dilnin nga shtëpia pa një burrë i cili do t’i shoqëronte. / Al Jazeera 

Afghan girls return to school in Herat after Taliban takeover | Asia News |  Al Jazeera

A po e dëmton imazhin e Joe Biden tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani?

Mediat ndërkombëtare dhe qytetarët kanë kritikuar menaxhimin që presidenti i SHBA-së Joe Biden bëri për situatën në Afganistan.

CNN  thotë se Biden nuk mund të justifikohet duke thënë se nuk është si Donald Trump pas 7 muajsh drejtim.

Sipas CNN presidenti Biden ishte zotuar herë pas here se tërheqja e trupave të SHBA-së nga Afganistani do të ishte e rregullt, e qëllimshme, e sigurt dhe nuk do të kishte mundësi që Afganistani të binte sërish në duart e talebanëve.

Në intervistën në ABC News, Biden e ndryshoi këtë deklaratë dhe tha se nuk kishte asnjë mënyrë që SHBA të largohej pa kaos. Sipas tij, në vendimin për të tërhequr trupat përfshihej dhe kjo situatë e krijuar.

Këto janë disa nga pikat që sipas CNN presin përgjigje nga Biden. Për pikën e fundit Biden tha se forcat amerikane mund të qëndrojnë përtej afatit të 31 gushtit në mënyrë që të evakuohen gjithë amerikanët.

Fareed Zakaria, një analist politik gjykoi se situata e krijuar në Afganistan është një njollë në politikën e jashtme të Biden.

CBS raporton se  ligjvënësit demokratë janë zotuar të hetojnë se çfarë shkoi keq me inteligjencën amerikane dhe vendimmarrjen që çoi rënien e shpejte te vendit ne duart e talebanëve.

Politico/Morning Consult realizoi një sondazh ku tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani u mbështet ndërsa më shumë njerëz e kundërshtuan këtë mbështetje.

49%- dakord me largimin e trupave amerikane nga Afganistani

37%- kundër largimit të trupave amerikane nga Afganistani

51%- kundër mënyrës si po e trajton Biden situatën

25%- procesi i evakuimit po shkon mirë

Ndërsa sondazhi i kryer nga 16 deri në 18 gusht, zbuloi se ka një rënie te mbështetjes nga një muaj më parë.

Pavarësisht luhatjes së besimit në këto momente nuk pritet që ajo çfarë po ndodh në Afganistan të penalizojë shumë demokratët dhe presidentin Biden pasi politika e jashtme zakonisht nuk rëndon shumë në mendjet e votuesve. Pas 20 vitesh në Afganistan dhe luftës jopopullore në Irak, amerikanët janë skeptikë për ndërhyrjen ushtarake në vendet e huaja.

Presidenti Erdogan: Turqia e gatshme të mbrojë aeroportin e Kabulit

“Turqia është ende në gatishmëri për të mbrojtur aeroportin e Kabulit nën sundimin e talebanëve pas tërheqjes së trupave amerikane,” – deklaroi presidenti i Turqisë Erdogan.

Turqia kishte ofruar më herët të marrë përsipër kontrollin dhe drejtimin e aeroportit, pikë kyçe për praninë diplomatike në Afganistan.

Por ndryshimi i kontrollit nga talebanët kishte vënë në pikëpyetje planin e negociuar me zyrtarët amerikanë të mbrojtjes.

Presidenti Erdogan tha në një intervistë televizive të mërkurën se marrja në kontroll e vendit nga Talebanët ndryshoi “panoramën dhe tanimë po bëhen plane për realitetin e ri”.

Ai shtoi se Turqia ishte e gatshme të mbante bisedime me liderët talebanë dhe tha se vendi i tij qe i hapur për çdo bashkëpunim. / BBC

Këta janë VIP-at që kanë zbuluar sekretin e rinisë së përjetshme

Duhet të ketë një formulë magjike që të ruan ‘përjetësisht të ri’ në botën e Hollywood-it. Ky është një mendim që të gjithëve na shkon në mendje herë pas here kur shikojmë fotografitë e yjeve gjithmonë aq të kuruara që duket se nuk e njohin konceptin e kohës. Ndërsa ne llogarisim sa qime të reja gri u shtuan në flokun tonë këtë muaj, këta të famshëm vazhdojnë të na habisin me mospërputhjen e moshës dhe pamjes së tyre.

Bright Side ka treguar në një artikull të gjithë të famshmit që duket se i dinë sekretet e të qëndruarit përgjithmonë të rinj dhe të freskët.

1. Eve, 1992 dhe 2019

Eve e nisi karrierën e saj në një moshë të re dhe prej mbi 20 vitesh është në qendër të vëmendjes. Tani ajo është 42 vjeçe dhe duket se vitet nuk kanë ndikuar aspak tek ajo.

2. Gabrielle Union, 2009 dhe 2021

Ylli i The Bring It On and Being Mary Jane ka zbuluar se në moshën 48 -vjeçare ka disa rregulla që i japin asaj shkëlqim. Ajo pi mjaftueshëm ujë, sigurohet që të flejë të paktën 8 orë në dhe ushtron aktivitet fizik.

3. Queen Latifah, 1987 dhe 2020

Këngëtarja dhe aktorja e nominuar për Oscar, Grammy dhe Emmy mbushi 51 vjeç më 18 Mars. Queen ka treguar se ajo konsumon shumë perime, mish dhe mendon se për sa kohë që ju jeni të rinj në zemër, mosha aktuale nuk ka rëndësi.

4. Alicia Silverstone, 1992 dhe 2020

Ylli i Clueless, e cila është plot 44 vjeçe, ka treguar se dieta që përdor është sekreti i rinisë së saj. Alicia është vegane dhe ka një mënyrë jetese shumë miqësore me mjedisin. Ajo tregon se sapo hoqi dorë nga mishi dhe qumështi, filloi të dukej më mirë pas vetëm 2 javësh.

5. Jeremy Piven, 2005 dhe 2021

Aktori dhe komediani i famshëm amerikan ka treguar se ai ngre pesha, kërcen në litar dhe ushtron sportin ‘jiujitsu’. Ai gjithashtu ka zbuluar në një intervistë se ka ushtruar joga për dekada të tëra dhe bën vrap sapo zgjohet në mëngjes.

6. Alfre Woodard, 1995 dhe 2020

Alfre Woodard tani është 68 vjeçe, por duke parë fotografitë e saj nga e kaluara, duket sikur ajo thjesht ndryshon veshjet dhe modelet e flokëve, por nuk plaket fare.

7. Jamie Foxx, 2004 vs 2021

Gjithmonë na shkon në mendje një pyetje kur bëhet fjalë për Jamie Foxx – si duket ende aq i ri sa dukej edhe në vitet 2000? Atëherë, kur ishte 33 vjeç, ndërsa sot, ai është 53 vjeç dhe ende një aktor shumë i njohur që duket se ka gjetur sekretin e rinisë së përjetshme.

8. Sharon Stone, 2002 dhe 2021

Aktorja 63-vjeçare ka treguar se sekreti i saj i rinisë është diçka që ajo e ka trashëguar nga mamaja e saj-ajo tregon se mamaja e saj i ka dhuruar një kavanoz me krem hidratues dhe i tha që të pastronte lëkurën e saj në mëngjes dhe mbrëmje dhe kjo është ajo që ajo bën.

9. Bianca Lawson, 1991 dhe 2019

Bianca Lawson gjithmonë ka luajtur role adoleshentesh që nga viti 1993 dhe nuk është vërtet çudi pse. Ylli i The Buffy The Vampire Slayer dhe Pretty Little Liars është 42 vjeçe, por nuk mund ta themi këtë pasi lëkura e saj plot shkëlqim duket sikur nuk njeh moshë. Bianca ka treguar se ajo preferon ëmbëlsuesit natyralë më tepër sesa sheqerin dhe çajin në kafe dhe beson se rinia qëndron në mendje, kështu që për të qëndruar e re duhet të ulni nivelin e stresit dhe të shijoni jetën.

10. Alicia Keys, 1997 dhe 2021

Këngëtarja 40-vjeçare jo vetëm që duket e re dhe e freskët, por gjithashtu arrin të duket më e re se në vitet e saj të rinisë pa mbajtur grim të rëndë-ajo nxit ‘përqafimin’ e bukurisë natyrore dhe në fakt ka një lëkurë të jashtëzakonshme.

11. Elizabeth Hurley, 2001 dhe 2021

Sot modelja britanike është 54 vjeçe, por në postimet e saj të fundit në Instagram, ajo duket si një vajzë në të 20 -tat e saj. Dhe megjithëse duket kështu pa u munduar shumë, ajo bën shumë përpjekje për t’u dukur kështu. Metodat e saj janë hidratimi, një dietë e ekuilibruar dhe stërvitje.

12. Helena Christensen, 1998 dhe 2020

Është e vështirë të besohet, por supermodelja e famshme mbush 52 vjeçe këtë vit dhe shpesh tregon trupin e saj perfekt në llogarinë e saj në Instagram. Helena ka treguar se në Danimarkë, vendi nga vjen, njerëzit mësohen që në rini të mos fshehin asgjë kur bëhet fjalë për atë që j’u ka falur natyra.

13. Janet Jackson, 1998 dhe 2020

Legjenda e muzikës mbushi 55 vjeçe në muajin maj dhe duket se 20 vite karrierë nuk kanë lënë asnjë shenjë në fytyrën e saj. Jackson nuk i tregon sekretet e saj për të qëndruar e re, megjithëse ajo përmend se ka një dietë kryesisht me bazë bimore, nuk konsumon mish dhe se ka një marrëdhënie shumë të mirë me palestrën.