zoom

Day ArchiveKjo është situata aktuale e zjarreve në vend

Ndërhyrja e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të shërbimeve zjarrfikëse e pushtetit vendor ka sjellë izolimin e disa nga vatrave të zjarrit në vend, por ende mbeten aktive disa të tjera.

Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Momentalisht nuk ka asnjë rrezik.

Në Gjirokastër situata është stabilizuar. Mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.
Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri.

Zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara.
Në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar.

Zjarri në fshatin Kalis, në Kukës po mbahet nën kontroll, ndërsa është eleminuar rreziku për banesat.

Ndërkaq problematike situata e zjarrit vijon të jetë në Majën e Rrunës, në Kukës. Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, por situata po mbahet nën kontroll për të mos rrezikuar banesa.

Kantieret e Tiranës kthehen në kurthe vdekje

Kontrollet e dobëta nga institucionet shtetërore dhe mungesa e ndërgjegjësimit të punëdhënësve për zbatimin e masave të sigurisë, po i kthen kantieret e ndërtimit në burimet kryesore të aksidenteve në punë me pasojë vdekjen.

Vinça të kompanive të ndërtimit gjatë punës për ndërtimin e një godine praë Sahatit të Tiranës, ne Sheshin Skënderbej.

Më 3 shtator 2020, rreth orës 5 pa 10 minuta, një punëtor ndërtimi 56-vjeçar me origjinë nga Erseka po punonte për përgatitjen e brezit beton arme në një pallat në Tiranë.

Ndërsa muratori po vendoste dërrasën për të kornizuar brezin e betonit, bashkë me një punëtor tjetër, ai u pengua, humbi ekuilibrin dhe u rrëzua nga lartësia, duke marrë me vete dhe murin ndarës të papërfunduar. Pasi goditi me kokë dyshemenë, 56-vjeçari ndërroi jetë.

Sipas një raporti të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, të përpiluar disa javë në pas, aksidenti ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë në kantier. Ndryshe nga punëtori, kompania ndërtuese ia ka hedhur lehtë, pasi Inspektoriati është mjaftuar me një paralajmërim dhe një listë detyrash për rritjen e sigurisë në punë.

Vdekja e 56-vjeçarit nuk është një rast i izoluar në kryeqytet, i cili po përjeton një bum në sektorin e ndërtimit gjatë viteve të fundit. Të dhënat e marra nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se nga janari 2020 deri qershor 2021, në Tiranë u regjistruan 18 aksidente në punë, nga të cilat 14 në sektorin e ndërtimit dhe 3 prej tyre me pasojë vdekjen.

Në rang kombëtar gjatë vitit 2020 u regjistruan 39 aksidente në punë në sektorin e ndërtimit, nga të cilat 10 ishin fatale, duke e bërë punësimin në kantiere një nga profesionet më të rrezikshme në vend.

Sipas ekspertëve dhe aktivistëve për të drejtat e punëtorëve, niveli i lartë i aksidenteve dhe viktimave në këtë sektor vjen si pasojë e një numri faktorësh, përfshirë mungesën e kulturës së respektimit të rregullave të sigurisë në punë nga punëdhënënësit dhe punëmarrësit, nxitjen e kompanive ndërtuese për të shkurtuar kostot dhe mungesën efikasitetit të Inspektoriatit të Punës.

Të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT, tregojnë se gjatë vitit 2020, vetëm në qytetin e Tiranës janë dhënë më shumë se 1.1 milionë metra katrorë leje ndërtimi. Bumi i pallateve shumëkatëshe në kryeqytet ka sjellë edhe rritjen e numrit të aksidenteve në kantiere.

Sipas Eneida Mjeshtrit nga Qendra për të Drejtat në Punë, mospërmbushja nga ana e punëdhënësve e detyrimeve ligjore për garantimin e masave të sigurimit teknik dhe mjeteve mbrojtëse individuale dhe kolektive, si dhe ndërgjegjësimi i ulët në këtë drejtim është shkaku kryesor i aksidenteve në sektorin e ndërtimit.

Kantier ndërtimi i hapur për ndërtimin e një godine pranë Rrugës Mine Peza, në Tirane.

“Punëdhënësit e ushtrojnë pak detyrimin e tyre për informimin dhe trajnimin teknik të punëmarrësve të tyre, ç’ka përkthehet në inkompetencë teknike të këtyre të fundit, duke ndikuar në një kulturë të ulët të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës personale në punë, si dhe në ngulitjen e zakoneve të dëmshme të punës,” shpjegoi Mjeshtri.

“Ndërgjegjësimi i punëdhënësve është ende i ulët lidhur me investimin shumë të lartë që duhet të kryejnë në drejtim të garantimit të kushteve të mira teknike dhe të sigurisë,” shtoi ajo.

Ndërkohë, Bislim Lakna, aktivist me Organizatën Politike, një grupim i majtë që lufton për të avancuar të drejtat e punëtorëve dhe grupeve të margjinalizuara, rendit edhe mbingarkesën në punë si një nga shkaqet e aksidenteve të shumta në kantiere.

“Kjo ndodh duke mbajtur sa më pak punëtorë në punë, të cilët duhet të bëjnë sa më shumë punë për njësi kohë sa më të shkurtër,” tha Lakna.

“Kjo ul koston e punëdhënësit dhe rrit intensitetin e punës për punëtorin, kështu puna fizike bëhet më e rëndë dhe intensive, gjë e cila çon në pakujdesi, gabime e mungesë sigurie,” shtoi ai.

Presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, i cili përfaqëson interesat e ndërtuesve, pranon se ekzisojnë probleme në lidhje me zbatimin e masave të sigurimit teknik apo trajnimit të punonëjsve, por ai nënvizon se shumica e firmave janë serioze.

“Unë kam gati 50 vjet që punoj në zbatim dhe mund të them që firmat e ndërtimit që kanë staf inxhinierik, teknik, drejtues të rregullt janë të konsoliduara dhe për mendimin tim, e kanë në qendër të vëmendjes, më përpara sesa çdo gjë tjetër sigurinë,” tha Aleksi.

“Pastaj, ka edhe që ndërtojnë pa kriter, ka që nuk janë firma, ka që nuk kanë drejtues teknikë të rregullt dhe abuzimet mund të ekzistojnë,” shtoi ai.

Lakna thotë se kundrejt rrezikshmërisë së lartë që paraqet sektori, inspektimet e punës janë në masë të ulët, duke ndikuar edhe në një performancë të tillë negative të bizneseve të sektorit në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Përveçse nuk janë të mjaftueshme, edhe më shqetësuese është cilësia e këtyrë inspektimeve,” theksoi ai.

Ndërkohë, Eneida Mjeshtri thekson se nga shkeljet që ISHPSHSH evidenton gjatë inspektimeve, mungojnë krejtësisht të dhëna për shkelje që lidhen me aplikimin nga punëdhënësi të rregullave të sigurisë teknike, si dhe sjelljen e punëmarrësve lidhur me garantimin e sigurisë dhe jetës së tyre në punë.

“Pra, duket sikur ende siguria dhe shëndeti nuk është shndërruar ende në një pjesë integrale të sistemit të inspektimit në punë,” tha ajo.

Mjeshtri thekson se ISHPSHSH duhet të bëjë më shumë lidhur me zbatimin e detyrimit ligjor për ngritjen dhe funksionimin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Vinça të kompanive të ndërtimit gjatë punës për ndërtimin e një godine në fillimin e rrugës së Kavajës, në Tiranë. | Foto: LSA

“Funksionimi konform ligjit i këtyre Këshillave, në vendimmarrjen e së cilëve merr pjesë edhe një përfaqësi e punëmarrësve, do të zbuste dhe reduktonte ndjeshëm numrin e aksidenteve në punë, sepse do të garantonte informim më të mirë të punëmarrësve, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe dialog social mes tyre dhe punëdhënësit në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë,” tha ajo.

Edhe aktivisti Lakna bie dakord se forcimi i regjimit të inspektimeve, masave administrative dhe raportimet e rregullta do ndihmonin në uljen e rasteve të aksidenteve.

“Por që kjo të ndodhë, duhet që të ketë një vullnet politik nga lart dhe një shtrëngim masash nga shteti karshi pronarëve të etur për fitime të shpejta dhe të shumta”, tha ai.

“Bashkimi i punonjësve në sindikata të forta e të pavaruar nga qeveria, do ndihmonte në uljen e nivelit të shfrytëzimit pa hesap në vendin e punës, do rriste presionin në institucionet përkatëse, do krijonte kushte për uljen e informalitetit dhe sigurisë duke i bërë punëtorët më vështirë të zëvendësueshëm e për pasojë edhe më të lirë për të kërkuar më shumë të drejta,” shtoi Lakna.

Ndryshe e shikon situatën kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, i cili e vendos theksin në një rol më të madh të Institutit të Ndërtimit në monitorimin e sektorit.

“Po të ishte Instituti i Ndërtimit siç u themelua në fillim, nuk do ishim në këtë situatë,” tha Aleksi, ndërsa shtoi se “inspektorët janë policë dhe shteti nuk zhvillohet me policë.”

Revolta për ardhjen e Goran Bregoviçit në Korçë/ Abazi: Ç’punë kishte edhe Irfan Hysenbelliu me ambasadorin Grenell

Mbi reagimet e shumta që solli ardhja e Goran Bregoviçit në Festën e Birrës në Korçë ka reaguar edhe Boiken Abazi.

Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan:

Gjithkush ka të drejtën të kundërshtojë ardhjen e Goran Bregoviçit në Festën e Birrës në Korçë, pasi këngët e tij janë përdorur si frymëzim nga çetnikët e Serbisë në masakrat që janë kryer ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Shqiptarët do duhej ta kishin këtë vetëdije dhe ndjeshmëri.

Ama duhet ngritur edhe pyetja se ç’punë kishte Irfan Hysenbelliu që e mbajti këtë javë ish ambasadorin Richard Grenell në resortin tij në Golem, e më tej e shëtiti brigjeve të jugut. Grenelli ka qenë e mbetet një nga mbështetësit kryesor të “Zonës së Novi Sadit”, e njohur ndryshe si Mini-Shengen/Open Balkan/Jugosllavi e Re. Grenelli ia uroi së fundmi Serbisë edhe festën fetare të “Vidovdanit”, mitin mbi të cilin Serbia përpiqet të justifikojë ekspansionin dhe hegjemoninë e saj në rajon.

Por gazetarja e TV News 24, me pronar Irfan Hysenbelliun, “çuditërisht” nuk e pyeti Grenellin gjatë intervistës për urimin e tij për Vidovdanin e Serbisë. Mbase ajo nuk e ndjeu të nevojshme, sepse mbase Hysenbelliu e kishte ngritur tashmë një dolli me Grenellin për Zonën e Novi Sadit.

Mbase Hysenbelliut, pronarit të Birrës Korça, sponsorit kryesor të Festës së Birrës në Korçë bashkë me Bashkinë e Korçës, i ka vajtur në mendje që dollinë për Vidovdanin ta ngrenë edhe në Korçë me kryetarin e Bashkisë nën tingujt e këngës “kallashnikov” të Bregoviçit.

Kështu është kjo puna e Zonës së Novi Sadit, bashkon financiarisht oligarki e pushtet të korruptuar shqiptar me kriminelë lufte të Serbisë e me ish ambasadorë që i falen parasë, dhe pastaj krijon edhe lidhje shpirtërore me këngë të kënduara nëpër masakra!

Gati gjysma e shqiptarëve nuk janë në gjendje të bëjnë as një javë pushime në vit

Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e azhurnuar në Barometrin e Ballkanit 2021, tregoi se 39% e familjeve në Shqipëri nuk e përballonin ekonomikisht një javë pushime në vit. Kjo përqindje ishte më e lartë se mesatarja rajonale (38%), por Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kishin një përqindje më të lartë të popullsisë që konfirmoi se nuk mund të bënte pushime vjetore përkatësisht me 45 dhe 50%.

Kosova ishte e vetmja në rajon që kishte përqindjen me të ulët të familjeve, vetëm 11% e tyre që nuk mund të përballonin pushime një javë në vit.

Në Ballkan, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në anketë nuk e dinë nëse do të shkojnë me pushime (69%), pak më pak se një e treta e qytetarëve (31%) tashmë kanë planifikuar udhëtimin e tyre për vitin 2021. Rreth 10% po planifikojnë të udhëtojnë në natyrë ose udhëtim aventure, 9% e tyre planifikojnë të vizitojnë qytete të reja, dhe 6% të vizitojnë familjen dhe miqtë e tyre.

Numri më i madh i pjesëmarrësve të cilët nuk janë të sigurt nëse do të shkojnë me pushime gjatë vitit 2021 janë në Serbi (88%), më pas Shqipëria me 84%, ndërsa në anën tjetër të medaljes qëndron Kosova, e cila ka regjistruar numrin më të ulët të të anketuarve që nuk e dinë nëse ata do të shkojnë me pushime këtë vit, duke arritur kështu në 30% të të gjithë popullsisë së saj.

Kosova gjithashtu ka përqindjen më të madhe të individëve që planifikojnë të vizitojnë qytete të reja (30%) dhe qytetarëve që kanë planifikuar të bëjnë një udhëtim aventure (20%), ndërsa të anketuarit nga Mali i Zi (13%) planifikojnë për të vizituar miqtë dhe familjen e tyre në 2021.

Rajoni vazhdon të bëhet gjithnjë e më i hapur për mbërritjet nga komuniteti i Ballkanit Perëndimor, me 42% të të anketuarve tani që mbështesin migrimin e brendshëm nga një ekonomi tjetër rajonale.

39% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të bëjnë

Anketa e këtij viti gjithashtu sheh një rënie me 5 pikë në rangun e të anketuarve që janë armiqësorë (10%). Në përgjithësi, që nga viti 2016, numri i pjesëmarrësve në sondazh që mbështesin ardhjet rajonale është rritur me 14 pikë dhe përfaqëson një zhvillim premtues në migrimin rajonal.

Shqipëria është ekonomia më mikpritëse e rajonit me 49% të të anketuarve që mbështesin migrimin e ardhur nga brenda rajonit. Ndërkohë, Mali i Zi regjistron një rënie prej 22 pikësh në numrin e pjesëmarrësve që janë të hapur për ardhje të reja, duke kërcyer kështu nga epiteti i ekonomisë më mikpritëse të rajonit në atë më jokomunikuese të rajonit (duke përbërë 36% të popullsisë, nga 58% në 2019).

Serbia dhe Kosova kanë përqendrimin më të madh të të anketuarve neutralë në Ballkanin Perëndimor, të dy me 46%. Megjithëse u vu re një preferencë e vogël për turistët nga pjesët e tjera të botës, ekziston një përqindje në rritje e qytetarëve të rajonit që mbështesin më shumë vizitorë nga brenda rajonit.

Plagoset me thikë i riu/ Policia në kërkim të autorëve

Një plagosje me thikë është shënuar pak minuta më parë në Tiranë. Policia njofton se pas një konflikti të çastit, është goditur me thikë 24-vjeçari A. K., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Identiteti i autorit është mësuar nga uniformat blu, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditura, pasi efektivët janë vendosur në kërkim të tij.

Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak

Me datë 05.08.2021, rreth orës 20:00, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta është goditur me një mjet. prerës(thikë), shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Sherbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve ku për arsyje hetimi nuk bëhen të ditura gjeneralitet e tyre dhe po punojnë për kapjen e tyre.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Shqiptari kapet me kokainë në Angli (EMRI)

Mediat britanike shkruajnë se një tjetër shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe pasi është kapur me një sasi të konsiderueshme kokaine. Sipas policisë i dënuari është Kastroit Dardha, 23 vjeç dhe po udhëtonte me një makinë tip “Golf” në momentin që u ndalua nga policia dhe nuk kishte as patentë as siguracion.

Mësohet se shqiptari punonte si kamarier ndërsa në makinën e tij kishte një sasi prej 1 kg kokainë të pastër. Ai u shpjegua se ishte i detyruar për të punuar në këtë punë pasi i duhej të ndihmonte familjen. 23-vjeçari është dënuar në total me 20 muaj burg.

Franca miraton pasaportën shëndetsore të Covid-19, hyn në fuqi të hënën

Autoriteti më i lartë kushtetues në Francë të enjten ka aprovuar pasaportën shëndetsore të COVID-19 që kërkon dëshmi të vaksinimit ose testimit negativ për qasje në shumë vende publike.

Kjo pasaportë kontraverse që do të hyjë në fuqi nga e hëna, ka nxitur protesta masive ku kritikët e kanë akuzuar presidentin Emanuel Macron që po udhëheq një diktaturë shëndetësore.

Por, Gjykata Kushtetuese tha se kufizimet e votuara në Parlament muajin e kaluar përfaqësojnë një balancë mes shqetësimeve për shëndetin publik dhe lirinë personale.

Vizitorët e disa qendrave tregtare dhe marketeve duhet gjithashtu të prodhojnë një pasaportë shëndetësore dhe njësoj duhet të veprojnë vizitorët e spitaleve dhe shtëpive të kujdesit si dhe njerëzit që kërkojnë shërbime shëndetësore jo urgjente.

Por, mungesa e një pasaporte shëndetësore nuk duhet të bëhet pengesë për trajtimin e pacientëve, vendosi gjykata.

Gjykatësit larguan një dispozitë që ishte e përfshirë në Ligjin për Shëndetin, që do të lejonte punëdhënësit të largonin nga puna personat që nuk e kanë pasaportën shëndetësore.

“Gjylja e madhe ra”, Leo Messi largohet nga Barcelona

Leo Messi nuk do të qëndrojë te Barcelona, edhe pse klubi spanjoll në deklaratën e publikuar shkruan se marrëveshja për një kontratë të re ishte arritur ditën e sotme.

Sipas Barcelonës, nuk mund të firmosej ajo marrëveshje për shkak të pengesave financave dhe rregullave të LaLiga. Në këto kushte, Messi nuk qëndron te Barcelona, shkruan shkruhet në njoftim.

Valentino Rossi tërhiqet zyrtarisht nga garat pas 25 vitesh në pistë

Vjen fundi i një epoke që do të mbetet gjithmonë në historinë e garave me motorë. Valentino Rosi, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij. “Doktori” bëri sot deklaratën ku publikoi vendimin, duke bërë të qartë se ky do të ishte sezoni i fundit në gara për të, pas 25 vitesh në pistë.

“Kam vendosur të ndaloj në fund të sezonit. Është e vështirë të marrësh këtë vendim, do të kisha dashur që të garoja për 25 vite të tjera por erdhi momenti të them mjaft. Për fat të keq, kjo do të jetë pjesa e dytë e sezonit të fundit si pilot në MOTO GP.

Është një moment i trishtë dhe i vështirë, të them që vitin tjetër nuk do të garoj me një motor. E kam bërë këtë gjë për thuajse 30 vite dhe vitin tjetër jeta ime do të ndryshojë nga një pikëpamje. Por ka qenë madhështore e dhe jam argëtuar shumë.

Ishte një rrugëtim i gjatë dhe shumë argëtues, me momente të paharrueshme me të gjithë ekipin tim dhe djemtë që punojnë me mua”, tha Rosi sot para gazetarëve.

Vatër e re zjarri në Pogaj të Hasit/ Era e fortë po ndihmon flakët

Një vatër e re zjarri është shfaqur në Pogaj të Hasit. Mësohet se si pasojë e erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi duke djegur një masiv pyjor dushku të kësaj zonë si dhe duke rrezikuar banesat e fshatit.

Fatmirësisht vatra e zjarrin që rrezikonte banesat është shuar ndërsa ekipet e parandalimit të zjarreve dhe punonjësit e Shërbimit Pyjor të Njësisë Administrative Gjinaj, bashkë me banorët po mundohen të shuajnë dhe lokaliziojnë zjarret

Terreni i vështirë dhe era e fortë e bëjnë të vështirë shuarjen e flakëve dhe sipas banorëve, shkak për nisjen e zjarrit ka qenë një lidhje e shkurtër elektrike.