zoom

Day ArchiveAksident në qendër të Vlorës! Përplasen dy makina

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lungomare të Vlorës.

Nga përplasja nuk raportohet për të plagosur, por dy shoferët e makinave të dëmtuara kanë pësuar tronditje.

Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit të makinës tip “Golf”.

Aksidentet po përgjakin Shqipërinë! Bilanc lufte, çfarë po i vret shqiptarët në rrugë

Veçanërisht muajt e verës janë sezoni i postblloqeve policore ku përveç patrullave fikse, kanë futur në përdorim edhe dronët. Mesatarisht në të gjithë vendin çdo ditë gjobiten 30 deri në 60 qytetarë (gjatë fundjavave), e megjithatë aksidentet vijojnë të shkaktojnë tragjedi e të përgjakin akset kombëtare por edhe ato rurale. Fushata më e fundit e policisë “shpëto jetën, shpëto kuletën” nuk rezultoi aspak parandaluese, përderisa në kulmin e saj, në aksin nacional drejt Vlorës gjatë një aksidenti automobilistik një familje e tërë u shua, për shkak të shpejtësisë së palejuar me të cilin po udhëtonte një i ri, aktualisht në pranga. Por po të kthehesh pas në kohë, së bashku me dhjetëra fushata e nisma, të vrarët në rrugë nga përplasjet rrugore janë një alarm disa vjeçar që tregojnë se rrugët dhe shoferët janë problematikë.

1200 shqiptarë humbën jetën gjatë pesë viteve të fundit dhe shkaku është vetëm një: aksidentet automobilistike. Shifrat janë dramatike për të dëmtuarit dhe të gjymtuarit ku gjatë të njëjtës kohë, si të plagosur rëndë dhe lehtë janë raportuar zyrtarisht gati 11 mijë shtetas shqiptarë.

Akset më problematike, si për ARRSH ashtu edhe për Policinë, vijonë të mbeten Tiranë-Durrës, Thumanë-Milot, Elbasan-Librazhd, Elbasan-Peqin-Rrogozhinë dhe Fier-Tepelenë.

Ndërsa për sa i përket bashkive, Tirana mban vendin e parë për numrin e aksidenteve në 5 vitet e gjysëm, ku janë regjistruar 4284 të tilla. Kjo shifër konsiderohet e lartë dhe shumë herë më e madhe sesa në bashkinë e dytë, ajo e Durrësit, në të cilën gjatë të njëjtit interval kohor janë regjistruar 882 aksidente.
Por edhe gjatë 2021 i konsideruar vit pandemie që solli reduktim të qarkullimit, shifrat e aksidenteve janë të frikshme. Në 5 muajt e parë janë regjistruar 564 aksidente, me 88 të vrarë në rrugë e 654 të plagosur lehtë dhe rëndë.

Ndërkohë shkaqet e aksidenteve sipas policisë kanë një dinamike tjetër nga ajo që ndodh në terren. Si fajtorë radhiten drejtuesit e makinave ku deklarohet se vetëm nga përdorimi i celularit dhe shpërqëndrimi i kontrollit janë shkaktuar 2164 aksidente, nga ku kanë humbur jetën 121 persona dhe janë plagosur rëndë 217 të tjerë. Shkaku i dytë në renditje statistikore është “Ndryshimi i papritur i drejtimit”, ku janë shkaktuar 1123 aksidente, e kanë humbur jetën 116 qytetarë si dhe janë plagosur rëndë 152 të tjerë. Nuk bën përjashtim përdorimi i alkolit, kushtet atmosferike, por edhe kushtet teknike të mjetit.

Shkaqet e regjistruara të aksidenteve 2016-Maj 2021

Aksi interurban “Tiranë-Durrës” është një nga rrugët me qarkullimin më të ngarkuar në Shqipëri, jo vetëm sepse lidh kryeqytetin me Durrësin, por sepse është nyja kryesore drejt jugut të vendit. Njëherazi konsiderohet nga Policia Rrugore mes rrugëve më problematike jo për shkak të cilësisë sesa nga shpejtësia tej normave me të cilën qarkullohet. Si njollë e zezë konsiderohet në këtë perimetër, dalja jo më larg se 1 kilometër nga mbikalimi që të çon në Tiranë dhe devijimi shënojnë viktima e të plagosur.

Përgjatë gjatësisë në aksin interurban, dalja e menjëhershme shoqërohet me mungesën e korsisë së ngadalësimit, kurse kryqëzimi i kësaj daljeje me rrugën dytësore të autostradës dhe një degëzim që të çon në Mëzez, është me sinjalistikë të cunguar.

Dalja përpara mbikalimit në hyrje të Tiranës

“Është një kryqëzim i cili është me parametra teknik jo funksional për shkak se mjetet që vijnë nga Kashari në drejtim të Tiranës, nuk kanë një korsi ngadalësimi, e cila do tu mundësonte mjeteve që të shmangeshin nga karrexhatat e rrugës interubane dhe të ngadalësonin përpara se të futeshin në rrugën dytësore. Ky kryqëzim është me sinjalistikë të dobët, mungon sinjalistika horizontale”, shprehet Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore, që shton se është detyrë e Autoritetit Rrugor Shqiptar, që të ndërhyjë për ta bërë këtë kryeqëzim sa më funksional për drejtuesit e mjeteve dhe për të parandaluar aksidentet.

E në këtë kryqëzim, edhe pse nuk lejohet, dalja e mjeteve nga rruga dytësore në rrugën interubane, kjo është një gjë që ndodh rëndomtë, duke u shndërruar në një burim aksidentesh. Duke patur parasysh edhe shpejtësinë me të cilën automjetet lëvizin përgjatë aksit “Durrës-Tiranë”, pasojat janë fatale.

“Jo më parë se një muaj, për pak sa i kam lënë shëndenë kësaj jete vetëm prej këtij kryqëzimi”, shprehet Elio, një 29 vjeçar, i cili punon si shofer fugoni me të cilin shpërndan produkte ushqimore nëpër dyqane. “Unë isha duke u kthyer nga Qafa e Kasharit, kur një djalë me një makinë “Mazda” pa parë fare u fut në autostradë direkt prej kryqëzimit. Kam shpëtuar vetëm se isha me shpejtësi rreth 60 km dhe furgoni arriti të ndalonte”, përfundon i riu.

Rrethrrotullimi më i çuditshëm në Shqipëri

Rrethrrotullimi i Shënavlashit në Durrës, është ndoshta rrethrrotullimi me vëmendjen më të madhe publike. Kjo për faktin se është një nga rrethrrotullimet që si pohojnë edhe ekspertët, është dështuar në konceptimin e tij dhe efiçencën në rrugë, duke bërë të mos luajë funksionin e tij. Kjo pikë është kthyer në burimin e aksidenteve me pasoja për jetën.

Rrethrrotullimi i Shënavlashit, Durrës

Rrethrrotullimi i vendosur në këtë kryqëzim ku janë katër rrugë, është spostuar majtas. Duhet të ishte në qendër të kryqëzimit, pra duhet spostuar djathas, me qëllim që të gjithë drejtuesit e automjeteve të futeshin në rrethrroullim që më pas të zinin korsinë”, thotë eksperti Qibini, sipas të cilit jo vetëm planvendosja është e gabuar, por edhe sinjalistika është pothuajse inekzistente.

Por problemet janë të shumta edhe në qendrat e banuara për sa i përket sinjalistikës rrugore. Në Tiranë, janë dhjetra pika ku sinjalistika rrugore mungon, është e gabuar, ose kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Rruga e Qelqit në kryeqytet, ose si njihet ndryshe rruga e “Kinostudios”, prej rikonstruksionit të saj e deri me tani ka disa të vrarë nga aksidentet. Aksidentet e rënda me kosto në jetët njerëzore, tregojnë se ky aks është rikonceptuar dhe rikonstruktuar gabim. Në shumë akse të brendshme të kryeqytetit, edhe kur sinjalistika ekziston, rezulton se ajo është e vendosur gabim. Një sinjalistikë e tillë, gjendet në semaforin e urës së Selitës në kryeqytet, ku edhe pse korsia e mesit është e kufizuar me vijë të pandërprerë, në fund të saj ajo ka një sinjalistikë horizontale që e lejon drejuesin e mjetit të levizë drejt, por edhe të kthehet djathtas.

Kjo problematikë nuk është e njëjtë me rrugën e Kinostudios”, thotë eksperti i sigurisë rrugore Fatmir Hasho, i cili shton se: “vende-vende nga rruga “Bardhyl” në Kinostudio, vija para semaforit është e ndërprerë dhe ka qenë edhe pasojë për ndodhje aksidentesh edhe të rënda”.

Rrugë të reja, por pa risi…

Bulevardi Migjeni, ose si njihet ndryshe në kryeqytet, bulevardi i “Yzberishtit”, i ka dhënë një zhvillim kësaj zone, por gjithashtu ka shtuar rrezikun e aksidenteve edhe me pasoja të rënda.

Sinjalistika e gabuar horizontale, jo pak herë është bërë burim aksidenti, ku kanë humbur jetën qytetarët. Banorët shprehen se kalimi i këtij bulevardi është një sfidë, pasi përveç sinjalistikës së munguar edhe shoferët i drejtojnë mjetet të pakujdesshëm. Jo rrallë herë përdorin edhe hapësirat e vijave të bardha për të kaluar nga një krah i bulevardit në anën tjetër.

Ky është një segment problematik, duhen sensibilizuar si drejtuesit e mjeteve por edhe autoritetet shtetërore. Policia Rrugore, bashkia e qytetit, e cila duhet të ushtrojë kontrolle permanente në këtë segment rrugor, për të kryer edhe konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve, pasi këtu drejtuesit e mjeteve qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara”, thekson Mamir Hodo, kreu i Byrosë së Inxhinierëve profesionistë dhe ekspertëve të sigurisë rrugore.

Hodo gjithashtu jep edhe një zgjidhje për uljen e rrezikut të aksidenteve në këtë aks rrugor, opsion ky i cili kërkon bashkëpunimin e Policisë Rrugore dhe Bashkisë Tiranë.

“Ky segment rrugor mendoj se përveç monitorimit nga policia rrugore, duhet të ketë edhe marrje masash nga bashkia e cila duhet të përforcojë sinjalistikën vertikale në çdo vendkalim këmbësorësh. Tabelat që janë vendosur nga krahu i djathtë, në disa raste nuk duken. Parkojnë mjete para, janë pemët dhe nuk duket në disa raste. Veç sistemit të sinjalistikës vertikale duhet të vendosen edhe kurrize horizontal. I bëj thirrje bashkisë së Tiranës të mos e kemi për turp të vendosim kurrize horizontale në rrugë, pasi ky kurriz horizontal do të na ndihmojë të shmangim aksidentet rrugore”, shton eksperti Hodo.

Auditimi i rrjetit rrugor, ngrihet trupa e ekspertëve, por nuk kanë buxhet

“Në çdo aksident rrugor apo anomali rrugore, shërbimi i patrullave është i detyruar të njoftojë entin pronar të rrugës, për të marrë masat e nevojshme për riparimin ose rivendosje të elementëve të munguar ose të dëmtuar”, kështu shprehet zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mbasi u pyet se cilat janë problematikat e evidentuara nga Policia Rrugore në akset problematike.

Gjithashtu në përgjigjen e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shton se: “Ka hyrje-dalje në rrugë pa kriter dhe pa respektuar distancat dhe kjo si një trashëgimi e ndërtimit të rrugëve, ose mungesave të standarteve ligjore në kohën e ndërtimit, mungesë sinjalistike e cila ka ardhur ndër vite, si rezultat i mungesës së elementit të insepktim/auditim rrugor”.

Por prej dy vitesh tashmë, trupa e ekspertëve të sigurisë rrugore të çertifikuar është ngritur dhe janë funksional si trupë e çertifikuar, por si pohon zyrtarisht edhe Policia e Shtetit, akoma nuk ka fonde në dispozicion në buxhetet e Bashkive dhe të ARRSH për të kryer një auditim të sigurisë së rrjetit rrugor kombëtar dhe të rrugëve urbane.

Kjo është krijuar në vitin 2017 dhe nuk ka të bëjë me fondet. Vetë normat europiane ku ne inspirojmë të shkojmë kërkojnë që audituesi dhe inspektuesi i sigurisë rrugore duhet të jetë prezent në cdo vend, por me thënë të drejtën këtu nuk është bërë ajo që duhet”, thotë Hodo i cili shton se: “Një auditues është i pavarur, unë skam pse të varem, unë thjesht marr detyrën nga kontraktori, nga autoriteti rrugor marr urdhërat e punës dhe vazhdoj bëj inspektimin e në fund jap përfundimet. I them autoritetit që për këtë projekt, ky është plani, dhe ky plan duhet ulur në tavolinë, duhet studiuar mirë dhe ky plan duhet të ekzekutohet. Kjo nuk është arritur të bëhet deri tani”, përfundon z.Hodo.

Faturat flasin vetë

Por faturat tregojnë diçka tjetër. Kostoja që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpenzuar për pesë vite dhe konkretisht prej 2016 deri në 2021 për sinjalistikën rrugore është 2,697,227,076 Lekë.

Në vitin 2016, ARRSH ka shpenzuar për sinjalistikën 681,186,114 lekë, në 2017 një shumë prej 490,612,397. Ndërsa në 2018 ky buxhet ka pësuar një ulje të dukshme një vit më parë, ku ARRSH ka shpenzuar shumë prej 278,935,146 lekë. Por shpenzimet rriten gjatë dy viteve të fundit, ku rezulton se për vitet 2019 dhe 2020 duke u shpenzuar respektivisht 441,166,898 lekë dhe 587,626,521 lekë. Ndërsa buxheti në dispozicion për financimin e sinjalistikës rrugore për 2021 është në vlerën e 217,700,000 lekë.

Megjithëse harxhohen qindra miliona lekë çdo vit në sinjalistikën rrugore, ajo sërish mbetet një problem në rrjetin rrugor shqiptar. E pyetur zyrtarisht, nëse vijon të jetë problem për Policinë Rrugore vendosja e gabuar e sinjalistikës rrugore nga firmat ndërtuese dhe mirëmbajtjes së rrugëve, Policia e Shtetit shprehet se: “Në radhë të parë vendosja e gabuar e sinjalistikës rrugore nga firmat e ndërtimit të tyre dhe mirëmbajtjes së rrugëve është një problem i madh për drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës, pasi mospasja e qartë e rregullave “të shkruara mbi rrugë” në trajtën e sinjalizimeve rrugore, shkakton konfuzion, bllokim të trafikut dhe në raste të tjera me të rënda dhe pasoja në ngjarje rrugore”.

Dënim me vdekje për vrasësin serial të “Hollywood”

Vrasësi serial i Hollywood-it, Michael Gargiulo, është dënuar me vdekje pasi vrau dy gra dhe u përpoq të vriste një të tretë. Ky vendimi u mor nga gjykatësi i Los Angelos-it, Larry Paul Fidler.

Njëra nga viktimat, Ashley Ellerin, ishte një vajzë e cila po përgatitej të shkonte në takim me aktorin Ashton Kutcher, por fatkeqësisht humbi jetën pasi u godit 47 herë me thikë nga Gargiulo.

Ndërkohë, viktima tjetër ishte Maria Bruno, 32 vjeç dhe nëna e katër fëmijëve. Gargiulo e vrau dhe më pas masakroi trupin e pajetë të gruas së ndjerë.

E vetmja që mundi të mbijetonte nga sulmi i tij ishte Michel Murphy pasi ndihmoi hetuesit që të zgjidhnin dhe dy rastet e tjerë.

Ai u akuzua dhe në vitin 2011 në Ilinois për vrasjen në vitin 1993 të 18 vjeçares Trisia Pakasio. Babai i viktimës gjeti trupin e pajetë të vajzës në shkallët e banesës. Ajo ishte qëlluar me thikë 12 herë. Gargiulo, në atë kohë 17 vjeç jetonte shumë pranë dhe fillimisht ishte i dyshuar, por nuk u akuzua deri në vitin 2003 pas një analize ADN-je.

Pas dhënies së vendimit të dënimit me vdekje, Gargiulo tha se ishte dënuar në mënyrë të pajustifikueshme dhe të padrejtë. Po ashtu, autori i ngjarjeve makabër, tha se kishte dashur të dëshmonte, por nuk e kishin lejuar.

Zjarr në Delvinë, rrezikohen qindra rrënjë ulliri

Qindra rrënjë ullinj janë vendosur nën “pushtetin” e zjarrit në Matomarë, në afërsi të Stjarit në Delvinë.

Zjarrfikëset nga Delvina, Saranda dhe Finiqi ndodhen në vendngjarje, ku po punojnë për neutralizimin e flakëve.

Nga krahu tjetër, policia po punon për të zbardhur shkakun e zjarrit.

Tension në Itali/ Luftë mes bandave shqiptare dhe tuniziane, 1 i plagosur

Mediat italiane raportojnë se një pritë e dyfishtë mes grupeve kriminale shqiptare dhe tuniziane ka alarmuar policinë dhe banorët e zonës së Porto SantElpidio në Italia.

Fillimisht është raportuar për një sherr me thika por disa ditë më vonë sherri ka shkuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Raportohet se që ka ndodhur në ditët e fundit në Porto Sant’Elpidio lidhet me një luftë e vërtetë bandash.

Bëhet fjalë për dy grupe, tunizianë dhe shqiptarë, që sherri midis tyre lindi pas prishjeve për pazare droge.

Episodi i parë ndodhi kur afrikanët e veriut goditën me thikë njërin nga shqiptarët që pësoi plagë në kokë. Episodi i dytë doli në skenë të nesërmen në mbrëmje, kur dy tunizianët i zunë pritë një tjetër shqiptari duke e qëlluar me armë ndërsa ai ishte në makinë. Burri arriti të shpëtonte dhe të ikte. Ai raportoi gjithçka në polici. Ndërkohë po hetohet për të arrestuar autorët e kësaj ngjarje të rëndë.

Tmerr në Itali/ 2 vëllezër shqiptarë vrasin ish-bankierin

Një krim i rëndë ka ndodhur në Lecce të Italisë, ku një ish-menaxher banke i dalë në pension ka mbetur i vrarë.

69-vjeçari Giovanni Caramuscio u vra gjatë natës në Lequile, teksa ishte në një ATM duke tërhequr para.

Sipas mediave italiane deri më tani janë dy vëllezër shqiptar të akuzuar për krimin e rëndë. Ata janë filmuar se teksa kryen vrasjen, ndërsa ishin të maskuar me maskë antiCovid, por gjatë arratisjes kishin lënë shumë gjurmë.

69-vjeçari u vra në sy të gruas së tij dhe identiteti i shqiptarëve është bërë pas dëshmisë së saj para hetuesve. Ndërkohë policia po kërkon armën e krimit që mund të sjellë detaje të reja lidhur me ngjarjen. Këtë mëngjes zhytësit e ekipit të zjarrfikësve u futën brenda një pusi në një distancë të shkurtër nga banka. Sidoqoftë, kërkimet për armën e vrasjes nuk dhanë asnjë rezultat.

Pas arrestimit të dhunshëm, lirohet burri i ish-ministres së Arsimit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate në Kosovë, Dardan Molliqaj, bashkëshorti ish-ministres së Arsimit në vendin tonë, Besa Shahni, është liruar nga policia. Ai ishte ndaluar për 48 orë pasi u shoqërua pas një proteste që mbajti bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj partie para ministrisë së Drejtësisë. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, e cila tha se lirimi i tij ndodhi pas presionit të madh publik.

“Kundërshtimi ndaj zhvatjes që ka filluar pushteti nuk ndalet. Përndjekja e pushtetit ndaj opozitës nuk e ndal kritikën e aksionin. Së bashku mund të krijojmë të renë demokratike si kundërpërgjigje ndaj autoritarizmit të Kurtit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Dardan Molliqaj u arrestua dje bashkë me shtatë aktivistë të partisë që ai drejton, të cilët më pas janë liruar, gjatë aksionit te Ministria e Drejtësisë ku kundërshtuan taksën shtesë prej 5 euro për regjistrimin e veturave.

Situatë e rëndë në Lezhë! Shpërthejnë virozat, mungesë stafi dhe shtretërish

Spitali i Lezhës ndodhet në një situatë të pazakontë. Gjatë 24 orëve janë më shumë se 100 fëmijë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Shefi i pediatrisë në spitalin rajonal tregon se situata është rënduar në ditët e fundit.

“Aktualisht në urgjencën pediatrike vijnë nga 60 deri në 80 fëmijë në ditë” tha Marku.

Përpos numrit të shtuar të fëmijëve me viroza, urgjenca e spitalit ka mungesë të stafit mjekësor dhe krevateve për pacientët e vegjël.

“Mbrëmë ka pasur 36 fëmijë në turnin e tretë, ka qenë një infermiere, është e vështirë. Kërkojmë mbështetje me infermiere. Kemi 10 krevate në urgjencën pediatrike.

Kemi kaluar 86 fëmijë dje, që do të thotë është e vështirë ta menaxhosh me krevatet” tha më tej Marku.

Sipas mjekut, ditët e nxehta të verës, kanë sjellë me vete edhe virozat e stinës. Por edhe përdorimi i pishinave si dhe ushqimet që konsumojnë fëmijët janë një tjetër faktor për fluksin e shtuar.

Godet SPAK! Nën shënjestër pasuritë e drejtuesit të policisë, prokurorit dhe shoqëruesve të Tahirit

Hetuesit po verifikojnë pasuritë e 24 personave, përfshirë edhe dy ish-truprojat e Saimir Tahirit. Prokuroria ka dyshime se pasuritë janë krijuar nga shitja e lëndëve narkotike. Pas operacionit “shpirti” të zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë që çoi në shkatërrimin e 4 grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike, prokuroria e posaçme po kryen edhe hetim pasuror për personat e përfshirë.

Hetuesit e SPAK, po kryejnë verifikime për 26 personat e arrestuar përfshirë edhe 2 shoqëruesit e ish-ministrit Saimir Tahiri që janë ende në kërkim. Prokuroria është në fazën përfundimtare të hetimeve sa i takon përfshirjes së aktivitetit të tyre kriminal, ndërsa po kryen veprime të tjera për identifikimin e pasurive dhe vlerësimin nëse janë krijuar përmes burimeve të ligjshme. Nga verifikimet ka rezultuar se janë një sërë pasurish në emër të këtyre personave dhe familjarëve të tyre.

Për këtë, prokurorët e SPAK kanë kërkuar informacion në zyrën e pasurive të paluajtshme, bankat e nivelit të dytë për të bërë të mundur identifikimin e të gjitha pasurive. Hetimet kanë nisur prej më shumë se dy vitesh, dhe gjatë kësaj faze janë vënë nën sekuestro disa pasuri me dyshimin se janë krijuar nga trafikimi i lëndëve narkotike. Prokuroria ka dyshime se, trafikantët kanë investuar paratë e fituara nga shitja e lëndëve narkotike, kryesisht në ndërtim, por edhe në hotele e resorte turistike.

Vetëm nga operacionit i fundit i koduar me emrin “shpirti”, u vendosën nën sekuestro 12 pasuri të paluajtshme, përfshi apartamente, bare e restorante vlera e të cilave përllogaritet në disa milionë euro. Verifikimit të pasurisë duket se nuk do i shpëtojnë as prokurori i Vlorës Maksim Sota, drejtuesi i Policisë Ilirjan Balla dhe dy zyrtarëve të tjerë të akuzuar se kanë lehtësuar aktivitetin kriminal të këtij grupi.

Identifikohen dy serbët e dyshuar për helmimin në Deçan/ Vendosen nën hetim

Prokuroria e Pejës ka njoftuar ditën e sotme se ka bërë identifikimin e dy personave me shtetësi serbe, që ishin parë në afërsi të Manastirit të Deçanit, dhe janë duke zhvilluar hetimet nëse kanë lidhje me helmin e qytetarëve në Deçan.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se pasi kanë pranuar informatat kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të zbardhur nëse ‘aludimet’ e deritanishme kanë vërtetësi.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”

Qytetarët besojnë se helmimin e kanë bërë dy serbë, të cilët vizituan vendin më 27 qershor. Pas një vizite të bërë në një nga ndalesat e ujësjellësit e ‘Hidrondrinit’ në komunën e Deçanit, u vu re se ishte gjysmë e hapur, dhe kapaku i betonit mbi të ishte i lëvizshëm dhe i pasiguruar.