zoom

Day ArchivePër të gjithë Shqiptarët që jetojnë jashtë, hapet votimi i Eurosong/ Ja si mund të votoni për Anxhela Peristerin

Të gjithë shqiptarët që jetojnë në një prej vendeve që janë pjesëmarrëse në Eurovision, mund të votojnë për Shqipërinë këtë mbrëmje të natës finale. Televotimi për në Eurosong është hapur.. Pavarësisht se mund të jetoni në një vend që gjithsesi nuk është kualifikuar në natën finale të Eurovision 2021, ju sërish mund të votoni.

Kodi i Shqipërisë në garën e ditës së sotme është “2”, renditje edhe e radhës që Anxhela Peristeri do të ngjitet në skenën e Roterdamit në “Ahoy Arena”.

Vendet pjesëmarrës ku ka më shumë shqiptarë, Greqi, Itali, Zvicër, Greqi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri të Bashkua, dhe jo vetëm tradicionalisht kanë votuar që Shqipëria të renditet sa më mirë në finale.

Më poshtë, gjeni numrat përkatës të të gjitha shteteve që janë pjesëmarrëse në Eurovision për të votuar Anxhela Peristerin.
Në mbyllje të performancës të të gjithë konkurentëve deklarohet hapja e votimit. Kodin dhe numrin e telefonit e gjeni më poshtë.

Shtetet e Bashkuara fusin në listën e zezë 12 anije ruse

Shtetet e Bashkuara futën zyrtarisht në listën e zezë mbi 12 anije ruse të përfshira në ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, pak ditë pasi nxorën nga lista kompaninë operatore ruse dhe drejtorin e saj ekzekutiv.

Veprimi ishte njoftuar paraprakisht më 21 maj nga Departamenti amerikan i Thesarit, ndërsa pati kritika të forta nga ligjvënësit republikanë ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se vetë kompania operatore ruse nuk do të ishte më pjesë e sanksioneve.

Pothuajse i përfunduar, tubacioni i Detit Balltik do të sjellë gazin rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar linjat rrugore përmes Ukrainës, Bjellorusisë dhe vendeve të tjera.

Kritikët thonë se tubacioni do të shtojë varësinë e Gjermanisë nga energjia ruse dhe do ta bëjë Berlinin më të prekshëm nga politikat e Kremlinit. Gjithashtu ata thonë se tubacioni do t’i mohojë Ukrainës dhe vendeve të tjera fitimet nga tarifat për tranzitin.

Sidoqoftë, tubacioni është mbështetur nga qeveria e Kancelares Angela Merkel. Vëzhguesit politikë thanë se Presidenti Joe Biden duket se nuk zgjodhi grindjen me një aleat të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje.

Departamenti i Shtetit në fillim të kësaj jave njoftoi synimin për të mos sanksionuar operatorin rus të gazsjellësit, Nord Stream 2 AG, dhe drejtorin ekzekutiv, Matthias Warnig, i cili është një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin.

Senatorët republikanë thanë se do të hartojnë legjislacion për të rivendosur sanksionet.

“Nuk e kuptoj. A nuk duan ta zemërojnë Putinin? Nuk e kuptoj këtë. A nuk duan ta zemërojnë Gjermaninë?”, u tha gazetarëve më 20 maj Senatori Jim Risch, zyrtar i lartë republikan në Komisionin e Senatit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Pengmarrje në Elbasan, arrestohet Seit Manahasa! U kërkoi 20 mijë euro një çifti, në kërkim bashkëpunëtori

Peqin- Policia ka reaguar lidhur me arrestimin e Seit Manhasas pasditen e sotme në Peqin. Në këtë operacion mori pjesë edhe RENEA. Sipas policisë pas arrestimit të 38-vjeçarit, është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij K. M., 37 vjeç, banues në Peqin.

Arrestimi i Seit Manhasas dhe shpallja në kërkim e bashkautorit tjetër, shtetasit K. M., u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë hequr lirinë për disa orë shtetasit G. M. dhe shtetases F. D., dhe nëpërmjet dhunës iu kanë kanë marrë 12.000 lekë.

Njëkohësisht i kanë kërcënuar dhe shantazhuar me qëllim për t’iu dhënë një shumë prej 20.000 eurosh.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas denoncimit të marrë nga shtetasi G. M. dhe shtetasja F. D. se në hyrje të qytetit të Peqinit, pranë një poligoni inertesh. ishin kapur dhe mbajtur peng nga dy shtetas, të cilët i kishin kërcënuar dhe keqtrajtuar ata për disa orë, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Mbi bazën e provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua nga DVP Elbasan dhe Renea, operacioni policor i koduar “Poligoni”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua shtetasi:

S. M., 38 vjeç, banues në Peqin.

Si dhe u shpall në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasit K. M., 37 vjeç, banues në Peqin.

Arrestimi i shtetasit S. M. dhe shpallja në kërkim e bashkautorit tjetër, shtetasit K. M., u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë hequr lirinë për disa orë shtetasit G. M. dhe shtetases F. D., dhe nëpërmjet dhunës iu kanë kanë marrë 12.000 lekë.

Njëkohësisht i kanë kërcënuar dhe shantazhuar me qëllim për t’iu dhënë një shumë prej 20.000 eurosh.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënje pasurie”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.

Vijon…/abcnews.al/

“Karma” pushton skenën e “Eurovision”, Anxhela Peristeri shkëlqen me këngën shqip

“Karma” e Anxhela Peristerit ka arritur të ndezë edhe në këtë finale skenën e “Eurovision 2021”.

Këngëtarja shqiptare bëri një performancë të jashtëzakonshme, duke merituar duartrokitjet e publikut të pranishëm në ceremoni. Jo vetëm kënga e zëri potent e i ëmbël. Anxhela tërhoqi jo pak vëmendjen me paraqitjen skenike sa i përket veshjes, ku dukej vërtetë mrekullueshme.

Ajo gjatë ditës ka kërkuar dhe mbështetjen e shqiptarëve, duke publikuar në rrjete sociale, kodin e saj si dhe numrat nga ku mund të votojnë shqiptarët e diasporës.

Ndërsa në një intervistë për një media kosovare, Peristeri ka rrëfyer të gjitha emocionet që ka përjetuar në momentin që u dërgua e para në finalen e “Eurovision 2021”, por edhe eksperiencën e deritanishme në kompeticionin prestigjioz.

Italia ekstradon në Francë shqiptarin e akuzuar për sulmin terrorist në Nice me 86 të vdekur

Një shtetas shqiptar i akuzuar për furnizim me armë të terroristit tunizian që vrau 86 njerëz në sulmin terrorist të Nice, është ekstraduar sot në Francë nga Italia.

Endri Elezi dyshohet se ka ndihmuar Mohamed Lahouaiej Bouhlel, i cili përplasi kamionin e tij te turmat e njerëzve në qytetin bregdetar francez më 14 korrik, 2016, në incidentin që u bë i njohur si Sulmi i Ditës së Bastijës.

28 vjeçari Elezi u arrestua më 21 prill me një mandat nga Franca në qytezen jugore italiane Sparanize, në veri të Napolit.

I njohur gjithashtu si “Gino,” Elezi akuzohet se ka furnizuar Bouhlel me një armë automatike, sipas burimeve gjyqësore franceze.

Sulmuesi Bouhlel, u qëllua për vdekje nga policia pranë kamionit të tragjedisë në bregdetin e Nice, pasi vrau 86 njerëz dhe plagosi rreth 400 ne sulmin e rende terrorist.

Një gjykatë në Napoli ka aprovuar dje ekstradimin e Elezit drejt Francës. I akuzuari raportohet se mohonte te gjitha akuzat duke thënë se “nuk kam shitur apo furnizuar kurrë armë, dhe nuk njoh asnjë nga personat e përfshirë”.

Aksidentoi për vdekje 59-vjeçarin/ Arrestohet autori në Mat

Rreth orës 12.00, në qytetin e Burrelit, shtetasi J. Gj.,  duke drejtuar automjetin e tij,  ka aksidentuar këmbësorin shtetasin H. R., 59 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën në spital.

Autori pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes por pas ndjekjes nga Policia, u bë  kapja dhe shoqërimi i tij në Komisariat.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga specialistët e Policisë Rrugore u bë arrestimi i shtetasit J. Gj., 24 vjeç, banues në Mat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat për veprime të mëtejshme

Atletico Madrid fiton me përmbysje, “Los Colchoneros” kampionë të Spanjës

Titulli i La Liga qëndron në Madrid dhe Atletico është kampionia e re e Spanjës. Gjithçka u vendos sot në ndeshjen e fundit, të cilën Los Colchoneros e fituan me përmbysje me shifrat 1-2 ndaj Real Valladolid.

Sërish vendimtar Luis Suarez, superstari i Atleticos këtë sezon, i cili përfitoi nga një pasim jo i sigurt mbrapa i kundërshtarëve dhe rrëmbeu topin, duke iu vjedhur mbrojtësve dhe shënuar një nga golat më të rëndë të këtij sezoni.

Edhe Real Madrid arriti të fitojë me përmbysje ndaj Villarreal me shifrat 1-2, pas një ndeshje dramatike, ku madrilenëve iu anulua një gol dhe humbën disa raste me Benzema e sulmuesit e tjerë. Për madrilenët shënoi pikërisht francezi dhe Modric në minutat e fundit të ndeshjes.

Atletico rikthehet te titulli pas 6 vitesh. Skuadra e Simeone e kishte fituar titullin në vitin 2014, vit kur duelonte dhëmb për dhëmb me Barcelonën. Kjo e fundit, megjithëse me shumë të rinj në fushë e fitoi ndeshjen e saj sot falë një goli të Antoine Griezmann në minutën e 81.

Atletico Madrid e mbylli sezonin në kuotën e 86 pikëve, 3 më shumë se Real Madrid. Ndërkohë Barcelona e Sevilla plotësojnë zonën Champions, respektivisht me 79 dhe 74 pikë. Andaluzët kanë edhe një ndeshje për të luajtur. Valladollid, Huesaca dhe Eibar bien në La Liga 2.

Aksident me të plagosur në autostradën Tiranë-Elbasan

Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Elbasan-Tiranë.

ABC mëson se në këtë aksident janë përfshirë dy makina, një me targa shqiptare AA 744 HG dhe një makinë tjetër me targa të Maqedonisë së Veriut.

Mësohet se nga ky aksident është plagosur një person, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton për të zbardhur të plota shkaqet e aksidentit.

U arrestua sot nga RENEA, kush është Seit Manahasa i akuzuar për ekzekutimin e Ramazanit në Elbasan

Pasditen e së shtunës është vënë në pranga RENEA Seit Manahasa. Ky i fundit është arrestuar pasi akuzohet të ketë keqtrajtuar një person.

Manahasa nuk është një njeri i panjohur për policinë pasi ai dhe babai i tij Albert Manahasa janë arrestuar një vit më parë për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan. Në biznesin e tyre u gjet edhe arma e krimi.

Megjithatë, në dhjetor të 2020, babë e bir u lanë të lirë dhe çështja ndaj tyre u pushua. Seit dhe Albert Manahasa u arrestuan në 27 korrik, pasi poshtë një sebratori makinash në servisin ne pronësi të tyre u gjet një armë tip TT.

Pas disa muajsh hetimesh policia dhe prokuroria e Elbasanit, zbuloi se armën e kishte hedhur një person i paidentifikuar. Në disa pamje filmike, një i ri zbret nga mjeti dhe vendos ne sebrator armën.

Emiljano Ramazani u ekzekutua pasditen e 20 korrikut poshtë pallatit të tij në Elbasan. 39-vjeçari u ndoq nga autorët nga palestra për në banesë, ndërsa u qëllua teksa ishte në automjetin e tij.

Seit Manahasa ka pasur miqësi edhe me të shumëkërkuarin Talo Çela, vëllai i të cilit, Bujar Çela u ekzekutua mëngjesin e 17 shtatorit nga autori i dyshuar dhe i shpallur në kërkim Nuredin Dumani.

“Defender Europe 21” në Tiranë/ Qytetarët vizitojnë mjetet e takohen me ushtarakët në sheshin “Nënë Tereza”

“Defender Europe 21” pas disa qytetesh këtë herë ka zbarkuar në zemër të Tiranës.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur për të parë mjetet ushtarake dhe kanë takuar ushtarakët e huaj e ata shqiptarë.

Ditën e nesërme do të ketë surpriza në tokë dhe ajër në sheshin “Nënë Tereza” për të gjithë qytetarët.

Në fotot e mëposhtme do të shikoni mjetet dhe ushtarakët në sheshin “Nënë Tereza”.

“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore.

Me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar, po tregojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë.

Në këtë stërvitje të madhe ushtarake janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.