zoom

Day ArchiveSherri mes kreut të PD në Manëz dhe simpatizantëve të PS, policia: 7 të shoqëruar

Policia e Manzës reagon pas konfliktit mes kreut të PD në këtë zonë, Gazment Luku, dhe dy djemve të tij, me një grup simpatizantësh të PS.

Policia thekson se ka pasur konfrontim verbal mes demokratëve dhe simpatizantëve të PS, të cilët kanë shkuar para zyrave elektorale të PD, duke brohoritur e plasur fishekzjarrë.

Manëz/Informacion paraprak
Më datë 27.04.2021, në orën 20:30, në Manëz, në rrugë, janë konfliktuar verbalisht shtetasit G. L., M. L., D. L., M. S., Sh. L., M. H., dhe M. H., të cilët janë shoqëruar në ambientet e Policisë për tu pyetur mbi rrethanat e konfliktit dhe për tu trajtuar në zbatim të procedurave ligjore.

Mark Marku i prerë: Partia Demokratike nuk do t’i njohë kurrë këto zgjedhje

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Lezhë, njëherazi edhe kandidat i PD në këtë qark, Mark Marku, vjen me një reagim në rrjetet sociale ku shkruan se PD nuk do t’i njohë kurrë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit.

Marku shkruan se PD do të punojë që shumë shpejt pushteti të kalojë në duart e popullit dhe se SHBA, BE dhe e gjithë bota demokratike nuk do ta njohin Lukashenkon e Ballkanit dhe zgjedhjet e tij, duke ju drejtuar kështu Kryeministri Rama.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Lezhës, Kurbinit, Mirditës.

Të dashur vëllezër dhe motra.

Falë mbështetjes tuaj, ne arritëm një fitore të madhe në gjithë qarkun (5900 vota plus) më të madhe, në gjithë historinë e pluralizmit.

Me gjithë milionat e parave të hedhura nga pushteti i korruptuar i Ramës, me gjithë llumin e krimit që përmbyti si asnjëherë tjetër Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, ju treguat në mënyrë shembullore se asgjë nuk e mposht karakterin, dinjitetin dhe shpirtin e lirë të qytetarëve të zonës sonë, asgjë dhe askush nuk e përdhos krenarinë tonë.

Si drejtues politik i qarkut bashkë me kolegët ju falenderoj përzemërsisht dhe ju garantoj se do të jemi në lartësinë e gjestit tuaj fisnik. Shumë prej jush me lot në sy, sot më kanë shprehur deshpërimin për faktin se ajo që nuk ndodhi në Lezhë apo diku tjetër ndodhi në Shqipëri.

Paratë që u janë vjedhur juve nga qeveria më e korruptuar në botë, pra nga Rama, dhe llumi i krimit na i vodhën zgjedhjet në shkallë vendi.

Ju garantoj se Partia Demokratike nuk do ti njohë kurrë këto zgjedhje, dhe do punojë që shumë shpejt pushteti nga duart e bandës grabitëse të Rilindjes të kalojë tek populli.

Jam i bindur se SHBA, BE dhe gjithë bota demokratike nuk do ta njohin Lukashenkon e Ballkanit, Edi Rama dhe zgjedhjet e tij.

Shumë shpejt e gjithë Shqipëria do bëhet si Qarku jonë, zonë e lirë dhe demokratike.

Miqësisht, Mark Marku.

Hashim Thaçi i shkruan Ramës për fitoren: Bëre Shqipërinë vendin për të cilin unë u betova që do luftoj! Kujdesu dhe për Kosovën

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një letër urimi të marrë nga ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të dërguar nga burgu në Hagë, ku ai i uron për fitoren dhe i kërkon që të kujdeset për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar me raportin të cilin kemi krijuar bashkë. Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukur”, shkruan Thaçi në letrën e tij.

Në fund të letrës së tij ish-presidenti i kërkon kryeministrit të Shqipërisë që të kujdeset edhe për Kosovën e shqiptarët.

“Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët”, mbyllet letra.

Ditën e zgjedhjeve Edi Rama i kushtoi një letër të gjatë urimi Thaçit për ditëlindjen, e duket se ky i fundit ia ka kthyer po njësoj pas konfirmimit në mandatin e tretë.

LETRA E THAÇIT

Vëlla Edi,

Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im.
Sot, dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje.

Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës.

Me gjithë ndërgjegjen e pastër e luftën e dinjitetshme për t’u bashkuar me Shqipërinë, mu kujtua se vetëm atëherë kur Kosova u çlirua, ne e kuptuam se bashkimi ishte larg dhe i pamundshëm. Shqipëria e poezive dhe librave ishte dëshirë e ideal, e jo pasqyrë e realitetit të kohës. Unë edhe kam luftuar për kët’ ideal me Kosovën brenda Shqipërisë. Kur mundësitë u kufizuan, unë luftova për Kosovën shtet – krenarinë e jetës time.
Jam munduar shumë për Kosovën, por edhe kam gabuar – dikur me entuziazmin e idealistit, e më vonë me arrogancën e pushtetarit.

Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar me raportin të cilin kemi krijuar bashkë. Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura. Je Kryeministri i Shqipërisë që idealizova, dhe vëllau shqiptar për të cilin me entuziazëm luftova. Sot, Shqipëria që ti aq shumë punove ta ndërtosh, është Shqipëria për të cilën dikur u betova të luftoj. Është Shqipëria e poezive të Naimit – Shqipëria me malet e bukura e lisat e gjatë që sot, në tavanin e qelisë së burgut, më vizatohen e më rrin n’mend dit’ e natë.
Pra, vëllau im Edi, ti që bëre Shqipërinë të cilën e idealizova si i ri e u betova si ushtar, po të them i bindur se fitoren tënde e gëzojnë shqiptarët. Me ta, u gëzova edhe unë pa masë.
Prandaj, me librat që më shoqërojnë në vetminë e këtyre ditëve ku koha refuzon të nxitojë, unë të përqafoj dhe uroj vëllazërisht nga larg për shkak të pamundësisë për të festuar bashkë. Është e shëmtuar që nuk mund të jem aty, por përtej afshit revolucionar të kujtimeve të mia si ushtar dhe pragmatizmit prej politikani që m’godet herë-pas-here në formë kujtimesh, sot nuk të uroj si miku me të cilin ndave copa të rrugëtimit politik, por si vëllaut tim nga gjaku.

Me shpresën që do të mund të takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë.
Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët.

Me dashuri,

Vëllau yt,

Hashimi

Kartat ID në makinën e Klemend Xhaferrit provojnë “krimin zgjedhor”! Çfarë pranoi Prokuroria në Gjykatë

Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit është i vetmi nga të arrestuarit pak ditë para zgjedhjeve në Elbasan, që mbeti në burg.

Ky ishte vendimi i Gjykatës së Elbasanit, dhënë dje në seancën për caktimin e masës së sigurisë, që liroi nga qelia 10 të akuzuar të tjerë, mes tyre 9 vullnetarë të PD-së.

Gjykata ka dhënë detyrim paraqitjeje, teksa e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre. Përveç Emiljan Prengës, që e pati të pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore, të gjithë të akuzuarit e çështjes së Elbasanit kanë dalë dje para Gjykatës për masën e sigurisë.

Nga konflikti me armë, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona. E megjithëse kanë kaluar 4 ditë nga ngjarja, Prokuroria nuk e përcakton se kush ka qëlluar i pari gjatë konfliktit dhe nga ana e efektivëve të pranishëm në vendin e ngjarjes është deklaruar vetëm se janë dëgjuar të shtëna.

Në seancë, të paktën nga aq sa rezulton nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë, rezulton i provuar krimi zgjedhor.

KRIMI ZGJEDHOR

Në kërkesën për caktim mase, Prokuroria ka deklaruar se në automjetin e Klement Xhaferrit është gjetur një listë me emra dhe 19 fotokopje të kartave të identitetit.

Klement Xhaferri, pjesë e konfliktit është shpallur në kërkim pas ngjarjes i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Dhe po kështu, gjatë aksioneve për kërkimin e Xhaferrit janë gjetur në dy banesa serverët e dy kamerave të sigurisë, por ende nuk janë hapur.

Ndërkohë, në makinën e Mehmet Grecës janë gjetur vetëm një listë me emra dhe patronazhistë, por jo karta ID-je.

Po kështu, rezulton se mjeti që përdorte Klement Xhaferri, me të cilin ishte në vendngjarje ishte në pronësi të kompanisë Beko. Por Eldjo Beko, i vetmi i arrestuar nga pala tjetër e konfliktit i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, tentoi ta fshihte këtë fakt.

MASA E SIGURISE

Zëvendësprokurori i Elbasanit, Alfred Shehu, deklaroi se pak ditë më parë, Arjan Hoxha, ish-zyrtar i lartë Policie, i cili ishte shefi i sigurisë së Shtabit për Mbrojtjen e Votës në Partinë Demokratike, ka telefonuar në Policinë e Elbasanit dhe ka pretenduar se kishin dyshime që një qytetar i quajtur Mehmet Greca ishte duke shpërndarë para në këmbim të votës në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.

Për këtë arsye ata e kanë bllokuar automjetin pa targa, me të cilin lëvizte ky person, i kanë marrë çelësin dhe nuk e kanë lënë të lëvizte. Prokuroria deklaron se pak minuta më vonë, në vendin e ngjarjes mbërrijnë një numër i lartë i forcave “Shqiponja”, si dhe dy zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, që po kryenin verifikimet për rastin në fjalë.

Sipas prokurorit, papritmas, pa e saktësuar se si dhe në çfarë rrethanash, janë dëgjuar të shtëna armësh dhe ka mbetur i pajetë Pjerin Xhuvani, ndërkohë janë plagosur edhe 4 persona të tjerë. Prokuroria thotë se autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Arbër Paplekaj, ish-efektiv i forcave speciale RENEA.

Po sipas kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit, thuhet se Paplekaj, në momentin që po largohej nga vendi i ngjarjes, i ka vënë pistoletën në kokë një qytetari, i cili ishte me të atin, i ka marrë automjetin dhe është larguar në drejtim të repartit të forcave RENEA, në Tiranë, ku është vetëdorëzuar.

Për këtë arsye, ndaj Arbër Paplekajt është ngritur edhe akuza e vjedhjes me armë. Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se është shpallur në kërkim Klement Xhaferri, i cili rezulton se ka qenë i pranishëm në ngjarje dhe prokuroria e akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, në dëm të disa personave.

Në automjetin e Mehmet Grecës është gjetur një listë me emrat e disa personave, të shënuar me shkrim dore dhe emrat e patronazhistëve, por nuk janë gjetur karta identiteti apo para. Ndërkohë, në automjetin e shtetasit Klement Xhaferri, i cili ka ardhur në vendin e ngjarjes, në ndihmë të Mehmet Grecës, bashkë me një grup personash, përfshirë edhe viktimën, Pjerin Xhuvani, janë gjetur dhe sekuestruar 19 fotokopje kartash identiteti, si dhe disa sende të tjera të paligjshme. Në sallën e gjyqit Prokuroria deklaroi se ka sekuestruar dhe pamjet filmike të celularëve të personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe të të arrestuarve. Po kështu, në sallë u deklarua se janë gjetur edhe dy serverë kamerash sigurie në dy banesa, ku është ushtruar kontroll për gjetjen dhe arrestimin e Klement Xhaferrit, i cili në fakt vazhdon të jetë në kërkim. Personi tjetër i arrestuar, Eljo Beko, sipas Prokurorisë ka tentuar të fshehë të vërtetën, pasi në momentet e para nuk pranoi që automjeti në pronësi të firmës së tij i ishte dhënë në përdorim Klement Xhaferrit. Ndërkohë, as dje gjatë zhvillimit të seancës për masën e sigurisë, Prokuroria nuk i dha përgjigje pyetjes se kush ka qëlluar i pari dhe ndaj kujt./Panorama/

Andi Bushati: Basha të largohet nga PD-ja, po blen kohë për të parë çfarë pazari do i çojë Rama

Analisti Andi Bushati ka deklaruar se ajo që duhet të bëjë kryedemokrati Lulzim Basha pa zgjedhjeve të 25-prilli, është të japër dorëheqjen dhe të largohet nga drejtimi i PD-së. I ftuar në “Open”, Bushati tha se Opozita duhet riformatuar.

Qëndrimin e kryedemokratit Basha pas humbjes, Bushati e interpretoi si blerje kohe, për të parë ofertat që do t’i vijnë.

“Në vendet demokratike, ti i futesh një rruge dhe në momentin që ti dështon, hap rrugë. Ka qenë vetë Basha që thoshte se kemi pëprara një regjim që nuk mundet me votë. Më pas u fut në zgjedhje për ta mundur me votë. Kur i do menderja thotë bëhet kështu, kur s’i do menderja nuk e thotë, kështu që Basha duhet të hapë rrugën. Mendoj që Opozita duhet të riformatohet. Jam me Kadinë që thotë po blen kohë. Të gjithë sot prisnin fjalën e kryetarit, kurse ai do të blejë kohë se mos i sjell ndonjë pazar Edi Rama apo ambasadorët. Po pse mos ky është fati i Opozitës,”- tha Bushati ndër të tjera.

Damian Gjiknuri “parakalon” Edi Ramën, sa vota ka marrë drejtuesi politik i PS-së dhe kreu i qeverisë

Drejtuesi politik i PS në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, rezulton kandidati më i votuar në bashkinë Himarë, duke kaluar edhe kryeministrin Rama.

Sipas të dhënave të publikuar nga KQZ, më i votuar në Himarë rezulton Damian Gjiknuri, i cili ka marrë 1353 vota. Gjiknuri ia ka kaluar kështu edhe kryeministrit Edi Rama, i cili ka marrë 286 vota.

Ndërkohë, më i votuar pas Gjiknurit në Himarë është kandidati Vullnet Sinaj, me 581 vota.

Bujar Nishani kërkon largimin e Bashës: Përgjegjës i 4 humbjeve

Kreu i Këshill Kombëtar të PD, Bujar Nishani kërkon largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, duke e bërë atë përgjegjësin kryesor të humbjes së zgjedhjeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Nishani shkruan se rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim për votuesit dhe mbështetësit e opozitës.

Nishani thekson se sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë. Ai shton se Basha Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh.

“Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu. Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve. Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim,” shprehet Nishani ndër të tjera.

Deklarata e plotë:

Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.

Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !

Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.

Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.

Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !

Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.

Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.

Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.

Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !

Video-skandal/ Anëtari i LSI-së në Lezhë blen vota për llogari të Viktor Tushës

Emisioni “Stop” tregoi sonte me zë dhe figurë mënyrën sesi u ble vota për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Kamera e fshehtë e “Stop” tregoi se në Lezh, anëtarët e LSI-së kanë blerë vota për 50 mijë lekë të vjetra ose 50 euro për llogari të kandidatit Viktor Tusha.

Një nga anëtarët e LSI-së, ka shkuar nëpër shtëpi duke premtuar e dhënë para, në këmbim të votës së sigurtë për Tushën. Madje edhe kur i thonë, se janë me PD-në, ai kërkon, që të votohet numri 6, pasi votat në një vend do të shkojnë.

Anëtar i LSI – Hë XXXX…?!

Qytetarja – Ku je?

Anëtar i LSI – Këtu te stadiumi, jashtë në makinë.

Qytetarja – A do vish me neve?

Anëtar i LSI – Jo, ti ke për të ardhë me mue!

Qytetarja – XXX, po zbrit të takoj njëherë!

Anëtar i LSI – A ke 700 mijë lekë? A i ke euro?

Qytetari – Euro i ke.

Anëtar i LSI – Normal, normal, puna me mbarue, o burrë. Kena për të shku aty më, nëpër shpija moj..!

Qytetarja – Po ku? Po sa shpija?

Anëtar i LSI – Nja dy copë kena me shkue.

Qytetarja – Ok!

Anëtar i LSI – Shumë u vonuat ju.

Qytetarja – Sa vetë janë?

Anëtar i LSI – Nja dhjetë copë po, janë fukarenj, të shkundur.

Qytetarja – Hera e parë, që e shesin votën?

Anëtar i LSI – Po hera e parë, përherë ashtu bëhet moj, jo po këtë radhë është problem XXXX.

Qytetarja – Pse?

Anëtar i LSI – Është frikë, moj!

Qytetarja – Pse?

Anëtar i LSI – Është më e rëndë këtë radhë, është bërë problem.

Qytetarja – Këto i kini të sigurtë, që do votojnë për LSI-në?

Anëtar i LSI – Për LSI-në, po!

Qytetarja – E dinë? Ja u ke shpjeguar?

Anëtar i LSI – Normal moj, ia kam thënë.

Qytetarja – Po ti thua, se do fitojnë?

Anëtar i LSI – Them, se po.

Qytetarja – E rëndësishmja është, të çojmë 5 vota.

Anëtar i LSI – Jo dhjetë, pse pesë?

Qytetarja – Po i ke thënë 50 mijë lekë, a 50 euro, votën?

Anëtar i LSI – 50 euro, më!

Qytetarja – 50 euro? Sa veta janë këto?

Anëtar i LSI – Shiko, ka tre copë shpija!

Qytetarja – Këtu te shpija?

Anëtar i LSI – 3 vota i ka të sigurta.

Qytetarja – Ky ka 3 vota.

Anëtar i LSI – Po, 3 vota.

Qytetarja – Ok! Kështu që, 150 euro, o 150 mijë lekë.

Anëtar i LSI – 150 mijë lekë!

Qytetarja – Ok! Ia jep ti?

Anëtar i LSI – Po, po, kam fol para një muaji me këto unë, janë fukarenj, më.

Qytetarja – E kuptoj, që janë fukarenj.

Anëtar i LSI – Vende dhe popuj, bile dje e kam taku atë gruan, po nuk munda me i thënë gjë. As televizor nuk kam te shtëpia,- tha. Ça numri ka ky?

Qytetarja – 6-ta, LSI-ja është gjashta.

Anëtar i LSI – Sa vetë ka ky robi?

LSI i zonës – 4 vetë!

LSI i zonës – O Xxx, o XXX, XXX… Luasi jam.XXX XXX Luasi prej Mirdite! Hajde njëherë! Motër, hë, si je?

Banorja – Si ia kalon ti?

LSI i zonës – Sa vota ke?

Banorja – Unë jam demokrate, këtë deputetin e zonës, se ka pa kush.

LSI i zonës – LSI-së do ja japësh.

Banorja – Hë!

LSI i zonës – LSI do ja japësh, me zarf numër 6!

Banorja – LSI?

LSI i zonës – Po LSI, kam me ardh lekë për votë.

Anëtar i LSI – Sa vota ke ti?

Banorja – Unë domethënë, për veten e për një nusen e vëllait, shoqen e Markut, nuk e di, se ajo është me demokratiken.

LSI i zonës – Po në një vend shkojnë.

Banorja – Hë?

LSI i zonës – Në një vend shkojnë, me ja dhënë LSI-së.

Anëtar i LSI – Me ja dhënë LSI-së.

LSI i zonës – Ky i LSI-së është për lekë, votën do ta marrësh, do ta marrësh e të votosh!

Anëtar i LSI – Te numri 6-të!

LSI i zonës – Te numri gjashtë!

Banorja – Unë do ta shes, unë desha edhe me atë Viktorin, Viktorin e pash diku me një vend, se isha në Lezhë, Viktor Tushën.

Anëtar i LSI – Ah Viktor Tushën, për Viktor Tushën pra është. Tani do votosh për LSI-në!

LSI i zonës – LSI-ja numër gjashtë, LSI numri gjashtë, jo nuk duam demokratiken, duam numrin 6-të, mos ju kthe fjalës! Unë të them është numri jonë, se ti e di si jam unë, pasha Zotin po! Jam i mirë dhe i keq, merri 100 mijë lekë nesër! Hip në makinë!

Qytetarja – Këta janë ok?

Anëtar i LSI – Mirë me i thënë, a je nesër për numrin 6-të, se n telefon i thu ti djalit..?

Qytetarja – Zonjë! Numëroji lekët!

Anëtar i LSI – Voto numrin 6-të!

Qytetarja – Sa vota ke ti zonjë?

Anëtar i LSI – Dy!

Banorja – Dy!

LSI i zonës – Qe, qe ne kështu…

Banorja – 90-të a mi bën 100-nd?

LSI i zonës – Ashtu de..!

Banorja – Nga 50-të!

LSI i zonës – Qe, tashi atje e ka të shkrar partia, numri 6-të, Lëvizja, Lëvizja Socialiste për Integrim!

Qytetarja – Zonjë, ky zotëria këtu erdhi dhe të dha..

Banorja – 100 mijë lekë!

Qytetarja – 100 mijë lekë për dy vota?

Anëtar i LSI – Po!

Qytetarja – Do votosh, çfarë numri?

Banorja – 6-tën pra, thamë!

Qytetarja – Më fal?

Banorja – Gjashtën!

Qytetarja – Ok!

Banorja – Hajt pra, ju uroj shëndet!

Anëtar i LSI – Numrin gjashtë, natën e mirë! Ta bëj Zoti mbarë!

(Flet në telefon)

Anëtar i LSI – Hë Lekë, tani jam, a je tu më njohur? Ku je? Në shpi a? Hej, nesër, ku je nesër? Bravo! A je nesër këndej? Hej, ta jap një kafe nesër, kur të takona!

Qytetari në telefon – Po un jam këtu, votoj gati jam, këtu te vëllai, e kam ndarë votën, mos u bëj merak!

Anëtar i LSI – Ok, e dinë ai numrin gjashtë, hë?

Qytetari në telefon – (Të qeshura) Numri gjashta!

Anëtar i LSI – Ok! Bene, hej!

(Shkon në një shtëpi tjetër)

LSI i Zonës – O Xxx, XXXX jam, XXX i XXX! Si të kam?

Banorja – Mirë se erdhët!

Banorja – Unë shkoj njëherë në kishë, pasandaj unë dua me votu Edi Ramën!

Anëtar i LSI – Po!

Banorja – Kemi me ba lutje, pasandej unë dua me votu për Edi Ramën, ose nuk votoj hiç!

Anëtar i LSI – Do me votuar nesër për Edi Ramën?

Banorja – Po, po!

Anëtar i LSI – Ça bo Edi Rama njëherë?

Banorja – Do më dojë kalamajt!

Anëtar i LSI – Kalamajt nuk t’i do Edi Rama ty! Jo, unë erdha sikur halle, edhe me të dhënë një kafe të mirë!

Banorja – Ka shumë polici, ka shumë polici ti, ore!

Anëtar i LSI – Do Edi Rama ti me qitë..!

Banorja – Po ku me e marrë pra? Kush ma mirë?

Anëtar i LSI – Me dalë Viktor Tusha, kryetar këtu, deputet, LSI-ja

Banorja – Po! Po unë jam dakord me fjalën e Tanit edhe unë do ta votoj!

LSI i zonës – Bravo, shumë bukur! Numrin gjashtë te fleta e votimit! ( nuk kuptohet)

LSI i zonës – Voto numrin gjashtë, del në kafe nesër me më thanë unë kam votu për gjashtën, unë jam anëtar, te votat jam.

Banorja – Fiks fare, për Zotin, po them unë!

LSI i zonës – Është Viktor Tusha. A e njeh Viktor Tushën?

Banorja – Po!

LSI i zonës – Është për Viktor Tushën, është dhëndër i joni, dhëndër i joni.

Banorja – Po, pra!

LSI i zonës – Nji është shok i joni, se e njohim, tashi na..!

Banorja – Numrin gjashtë?

LSI i zonës – Po!

Banorja – Ta shkruaj në një copë letër.

LSI i zonës – Po, shkruaj!

Banorja – Të marr një copë letër!

LSI i zonës – Po shkruaj numrin gjashtë, shkruaj numrin gjashtë aty, në desh me të dhënë një kafe, ta jap! Voto numrin gjashtë! Mbaje mend, qe ku i ke lekët! Është Viktor Tusha, më thuaj mu, o XXX! Merri lekët! Merri futi në xhep!

Banorja – Ej, Zoti na ruajt!

Anëtar i LSI – Na gjej e nja, XXX! Na gjej e nja gjashtë- a shtatë të tjerë nesër!

LSI i zonës – Nuk të hyn në punë nesër, ndofta herët!

Anëtar i LSI – Për Zotin, ma mbarove ah, se do me ba bella figura (figurë të mirë). Hajt, ciao!/

Dokumenti/ PD: Zgjedhjet u manipuluan edhe në numërim. KQZ të na japë materialet

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku e njofton për parregullsitë e regjistruara gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave.

Për këtë arsye, Ivi Kaso i kërkon KQZ t’i verë në dispozicion kamerat në QV dhe KZAZ të dhënat nga pajisjet e identifikimit elektronik dhe të dhënat e kryqëzuara të pajisjes së identifikimit elektronik dhe listës së zgjedhësve.

Basha nuk njeh zgjedhjet: Garuam me një regjim. Rama hodhi miliona euro për të blerë votat

Lulzim Basha ka dalë para mbështetësve në seli pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Basha tha ndër të tjera se besoi tek demokracia, por u përball me një regjim krimi.

Partia Demokratike ka kërkuar nga KQZ dorëzimin e një sërë materialesh zgjedhore pasi siç shprehet në një document dërguar këtij institucioni, dyshojnë për manipulime të mëdha.

Dokumenti mban firmën e Ivi Kasos dhe KQZ-së i kërkohet të dorëzojë videot nga KZAZ-të dhe QV-të për të verifikuar se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit.

Ndërkohë, në një konferencë për shtyp që po mban tani, Basha tha se kishte besuar te demokracia, por se në këto zgjedhje ishte përballur me një regjim.Kreu i demokratëve theksoi se beteja e tyre nuk mjaftoi, duke shtuar se këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë dhe se janë hedhur miliona lekë për të blerë vota.

Basha ka thënë se falë fuqisë së popullit do u kthehej demokracia popullit, por sipas tij zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë.

Sipas tij një regjim i Ramës bëri gjithçka për të ndryshuar garën e ndershëm. Basha është ndalur edhe tek votat e pavlefshme duke thënë se kanë shkaktuar deformim të vullnetit të zgjedhësve.

Fjalimi i plotë i Bashës:

Të dashur shqiptare dhe shqiptarë, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,

Teksa muzgu i kësaj mbrëmje po bie mbi qytetet dhe fshatrat tona, mbi malet dhe luginat e Shqipërisë, një tjetër hije po avitet në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve anembanë këtij vendi dhe kudo ku ndodhen.

A është ky muzgu i shpresës dhe ëndrrës për ndryshim, për Shqipërinë demokratike normale dhe të zhilluar, për Shqipërinë Europiane.

Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë

U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist, por ne ja dolëm. Ia dolëm sepse jemi njerëz të fortë, jemi një popull që beson tek demokracia.

Beteja jonë për demokraci ka vijuar pandërpreë çdo cast, çdo ditë, anembanë Shqipërisë.

Edhe këto muaj, ne luftuam për demokracinë.

Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë.

Por këtë herë kjo nuk mjaftoi.

Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë.

Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale.

Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve.

Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve.

Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara,

vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë,

përdorën kriminelët dhe bandat,

kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median

duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.

Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij.

Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri.

Ne u bëmë më të fortë.

Ne jemi më të vendosur se kurrë.

Kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi – nuk na njeh mirë!

Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë.

Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë.

Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne.

Po u dorëzuam ne, Shqipëria ska më asnjë mundësi.

Dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Dua tju falenderoj të gjithë ju, vëllezër dhe motra, shqiptare dhe shqiptarë  kudo ku jeni,

Dua të falenderoj anëtarët dhe mbështetësit tanë, ekipin tonë të mrekullueshëm dhe aleatët tanë të koalicionit, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe vullnetarët e panumërt për angazhimin e tyre të pashembullt.

Mbi 600,000 shqiptarë votuan për ne, dhe sollën shpresë për Shqipërinë.

Të rinj dhe të reja, të moshuar, gra dhe burra, nga i gjithë vendi.

Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj të mrekullueshme.

Faleminderit për besimin tuaj

Dhe ju premtoj sot: nuk do t’u zhgënjejmë kurrë

Ne do luftojmë për ju!

Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota.

Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort.

Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë.

Nata që ka rënë sonte do të largohet dhe dielli do të ngrihet përsëri nesër mbi horizont. Dielli i shpresës për Shqipërinë.

Fryma e ndryshimit është më e fortë se kurrë.

Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë.

Dhe të fortë, ne do luftojmë çdo ditë,

Ne do të luftojmë çdo orë,

Për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë të gjithë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin tone, për familjet tona për fëmijët tanë.

Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta cojme atë deri në fund, deri në fitore!

Demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë.

Falemnderit!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!