zoom

Day ArchiveNuk është vetëm Mazniku/ Lista e Këshilltarëve Bashkiakë që marrin 6-7 paga

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku u denoncua nga ish –kryeministri Sali Berisha se merr 12 paga në shtet. Nëse akuza rezulton e vërtetë, ky përbën një rast unik në botë. Janë plot 156 paga në një vit përkundrejt 12 apo 13 pagave që marrin të punësuarit në administratën shtetërore.

Por Mazniku nuk është zyrtari i vetëm i Rilindjes që paguhet me disa paga. Me 6 apo 7 paga, sipas PD, rezultojnë edhe disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Kjo është lista e denoncuar nga PD.

 

Arbjan Mazniku merr 12 paga? Berisha e akuzon, nënkryetari i Bashkisë hesht

 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku se merr plot 12 paga në shtet. Sipas Berishës, Mazniku figuron i punësuar në disa institucione. Ish –kryeministri e akuzon atë edhe për lidhje me organizatën mafioze italiane “Ndrangheta”. Zoom.al ka nisur verifikimin e këtij denoncimi, ndërkohë që Mazniku nuk ka reaguar ende për këto akuza.

Postimi i Berishës:

“Mafiozi me 12 paga!! Apo Mafioz Mazniku ortaku i bosit te Ndragetes se Verones, Miglioranci. Ky mafioz perveç rroges se tij si nenkryetar Bashkie merr dhe 12 paga te tjera ne muaj” – shkruan Berisha. që më pas liston pagat e Maznikut.

ARBJAN MAZNIKU

1– Drejtor Administrativ i kompanisë koncesionare “Eco Tirana” me pagë mujore 1500 Euro, ku Bashkia ka 51% aksione, ndërsa grupi mafioz “Ndraghet’a” ka 49% aksione.

2– Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, me delegim nga kryetari statutor Erjon Veliaj, ku paguhet 1000 Euro në muaj.

3– Mbikëqyrës i administrim-likujdimit të kompanisë “TI-VA Sh.a” me pagë 500 Euro; shoqëri prodhim-shitje materialesh ndërtimi, ku bashkia është pronare me 51%, ndërsa 49% i ka firma italiane veroneze “Ital-Tub”.

4– Administrues i përkohshëm i Ndërmarrjes Studentore Nr. 3 Tiranë, me pagesë mujore 600 Euro; qysh prej datës 15.08.2020, pas ndarjes nga jeta të ish-adminisratorit Ndue Ndoci.

5– Mbikëqyrës për administrim-likujdimin e shoqërisë “SPORT KLUB FARKA me pagë mujore 300 Euro; e cila është 49% në pronësi të Bashkisë Tiranë, 31% në pronësi të Çim Fushës e 20% në pronësi të ish-kryekomunarit të PD, Fatbardh Plaku.

6– Zv/kryetar i Bordit “KLUB-FUTBOLL TIRANA”, ku Bashkia është 34% pronare; si dhe mbikqyrës i deleguar administrativ prej kryetarit të Bashkisë Tiranë, me pagë mujore 700 Euro.

7– Zv/kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Fondacionit Kredi-Biznes-Ndërtime “CRIMSON FINANCE FUND ALBANIA”, me pagë mujore 800 Euro, ku Bashkia-Tiranë është pronare me 25%, në ortakëri me Aleksandër Sarapuli dhe kompaninë “Aleat” të pasaportave.

8– Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “TIRANA AGRIKULTURE shpk” krijuar më 15.07.2020, në pronësi 100% të bashkisë, por ende pa pagë.

9– Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “TIRANA DC Sh.a” krijuar më 28.10.2020; me aktivitet rindërtimi tërmeti, evente kulture, import makineri, transaksione pronash etj.; në pronësi 100% të bashkisë, ende pa pagë.

10– Emëruar nga kryebashkiaku Veliaj, në postin Drejtor i Projekteve të punëve publike që krediton grupi “Abui Dhabi” për Bashkinë-Tiranë; nuk dihet sa e ka pagën mujore.

11– Emëruar në Bordet e 4 Universiteteve Publike të Tiranës, me të drejtë vote, si përfaqësues i pushtetit lokal dhe pagë mujore nga 200 Euro tek secili.

12– Deleguar nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Veliaj, si përfaqësues-anëtar bordi në vend të tij në FSHZH, me pagë mujore 600 Euro.

 

Bilanc lufte/ Shkurti mbyllet me 416 viktima nga covid

Muaji shkurt shënoi bilancin më të rëndë të viktimave të shkaktuara nga covid -19. Janë plot 416 jetë të humbura, sipas shifrave të publikuara çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe pse numri i fataliteteve rezultoi i lartë çdo ditë të shkurtit, qeveria nuk ndërmori masa më të ashpra, si karantina kombëtare që u aplikua në fillim të pandemisë.

Për më tepër, kontrollet e autoriteteve kanë rënë gjatë kësaj periudhe, teksa qeveria është e fokusuar më së shumti te fushata elektorale.

NUMRI I VIKTIMAVE DHE TË INFEKTUARVE NË SHKURT:

1 shkurt:    865 raste të reja dhe 13 humbje jete

2 shkurt:    942 raste të reja dhe 5 humbje jete

3 shkurt:   1007 raste të reja dhe 6 humbje jete

4 shkurt:   1052 raste të reja dhe 14 humbje jete

5 shkurt:   1089 raste të reja dhe 15 humbje jete

6 shkurt:   1130 raste të reja dhe 13 humbje jete

7 shkurt:   1,124 raste të reja dhe 14 humbje jete

8 shkurt:    953 raste të reja dhe   12 humbje jete

9 shkurt:   1239 raste të reja dhe 16 humbje jete

10 shkurt: 1143 raste të reja dhe 15 humbje jete

11 shkurt: 1105 raste të reja dhe 14 humbje jete

12 shkurt: 1059 raste të reja dhe 14 humbje jete

13 shkurt: 1152  raste të reja dhe 12 humbje jete

14 shkurt: 1088 raste të reja dhe 12 humbje jete

15 shkurt: 775 raste të reja dhe   12 humbje jete

16 shkurt: 801 raste të reja dhe   15 humbje jete

17 shkurt: 1075 raste të reja dhe 18 humbje jete

18 shkurt: 1112 raste të reja dhe 17 humbje jete

19 shkurt: 1071 raste të reja dhe 19 humbje jete

20 shkurt: 1153 raste të reja dhe 17 humbje jete

21 shkurt: 1184 raste të reja dhe 13 humbje jete

22 shkurt: 1039 raste të reja dhe 15 humbje jete

23 shkurt: 1021 raste të reja dhe 15 humbje jete

24 shkurt: 1021 raste të reja dhe 19 humbje jete

25 shkurt: 986 raste të reja dhe   21 humbje jete

26 shkurt: 916 raste të reja dhe   20 humbje jete

27 shkurt: 986 raste të reja dhe   19 humbje jete

28 shkurt: 952 raste të reja dhe   21 humbje jete

Total humbje jete: 416

 

 

PS prezanton kandidatët. Rama: Kanë aplikuar 1581 qytetarë

Partia Socialiste po prezantoi disa prej kandidatëve që duan t’i bashkohen PS-së përmes platformës “Deputeti që duam”.

Kryetari Rama tha se kanë aplikuar 1581 qytetarë për t’iu bashkuar skuadrës së PS-së.

” Kemi pasur 1581 aplikime nga i gjithë vendi, qytetarë të çdo fushe të jetës. Procesi ka kaluar në disa etapa. Jam i kënaqur që të takojë disa prej tyre që do i bashkohen skuadrës tonë. Kam dy kolegë që kur ishin të rinj, u bënë pjesë e skuadrës kombëtare. Erdhën nga dy rrugë të ndryshme për t’u bërë pjesë e rrugës tonë të përbashkët. Taulant Balla dhe Erion Veliaj janë me mua këtu. Taulanti është dhe për një arsye tjetër për hapjen dhe përzgjedhjes së anëtarëve të skuadrës sonë. Kjo do tregojë nëse do ecim apo të të ngecim në gropën e asaj politike që na çoi në humnerë. Kemi bërë shumë, shumë më shumë se ata që e kishin këtë detyrë para nesh por skemi bërë sa duhet , pasi ky mandat u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia. Nuk jemi kursyer në përpjekjet tona asnjë ditë. Unë vetë kam bërë çmos në krye të të gjitha përpjekjeve duke vënë mishin dhe shpirtin në këtë detyrë për ta merituar nderin që më keni bërë me besimin që më keni dhënë”, tha Rama.

21 viktima e 952 të infektuar. A duhet një karantinë tjetër?

Sërish 21 të vdekur nga covid. Dy herë brenda një jave e njëjta shifër, më e larta për vdekjet në një ditë.  952 raste të reja infeksionesh nga 3805 të testuar.

E megjithatë vendi qëndron i hapur normalisht deri në orën 20.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u mjaftua edhe sot me apelin e zakonshëm drejtuar qytetarëve që “të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga Covid19”.

Veç apelit rutinë, a kanë autoritetet shtetërorë mekanizma për t’i detyruar qytetarët të respektojnë masat? Zakonisht janë përdorur gjobat. Por tani edhe ato janë ralluar.

Inspektorët shëndetësorë duken sa më pak nëpër biznese. Gjithçka duket se lidhet me zgjedhjet. Qeveria po llogarit kostot elektorale që mund të sjellë  një mbyllje tjetër e vendit, po ashtu edhe ato ekonomike.

Por një karantinë tjetër, teksa vaksinimi vijon të jetë në nivele të papërfillshme e po shërben më shumë për propagandë, do të shërbente për ta frenuar përhapjen e për t’u dhënë frymëmarrje spitaleve që janë plot.

“Gjatë ditës së sotme janë kryer 1028 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 13,495 vaksinime”, njofton ministria e Shëndetësisë. Me këto ritme, imuniteti nga vaksina duket tepër larg.

Situata e COVID19 në 24 orët e fundit:

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:

408 raste në Tiranë, 53 raste në Vlorë, 39 raste në Durrës, 36 raste në Krujë, 28 raste në Fier, Elbasan, Lushnje, 27 raste në Shkodër, 22 raste në Gjirokastër, 21 raste në Korçë, Berat, 20 raste në Kavajë, 19 raste në Kurbin, Tepelenë, 18 raste në Përmet, 16 raste në Kukës, 14 raste në Sarandë, 13 raste në Lezhë, Mat, Gramsh, Kuçovë, 12 raste në Mallakastër, 10 raste në Bulqizë, 9 raste në Kamëz, 8 raste në Devoll, 7 raste Malësi e Madhe, 6 raste në Mirditë, 3 raste në Vorë, Peqin, 2 raste Kolonjë, Memaliaj, Delvinë, Librazhd, Rrogozhinë, Pukë, Has, 1 rast në Maliq, Cërrik, Poliçan, Libohovë, Skrapar, Belsh, Dibër, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Divjakë, Pogradec.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 804 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 69,773 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 662 pacientë, 49 në terapi intensive, nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar.

Statistika (28 Shkurt 2021)

Raste të reja ditore       952
Të shëruar në 24 orë     804
Të shtruar në spitale      662
Humbje jete në 24 orë   21
Testime ditore               3805

Testime totale          466,785
Raste pozitive          107,167
Raste të shëruara     69,773
Raste Aktive              35,598
Humbje jete               1,796

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë     22887
Fier         2667
Durrës     1680
Vlorë       1746
Shkodër   1373
Gjirokastër 1075
Berat        844
Korçë       914
Elbasan    876
Lezhë       826
Dibër       374
Kukës     336

Shtohet “cash” në pasuritë e patundshme, a po pastrohen para me pronat?

Shitjet e pasurive të patundshme nuk janë ndalur, pavarësisht pandemisë së Covid-19.

“Kemi patur një boom shitjesh dhe një rritje të konsiderueshme të kërkesës për shit-blerje të pasurive të patundshme”, shprehet Armand Shkëmbi, që drejton një agjenci imobiliare. 

Një pjesë e mirë pasurive të patundshme nga aktorët e tregut, raportohet se po shitet dhe blihet me “cash”.  Ekspertët kontabël thonë se një shumë kalon përmes kanaleve bankare dhe një pjesë tjetër jepet në “dorë”, kjo për shkak të ndryshimit të konsiderueshëm në çmime që ka vlera e pronave.

“Cash-i gjen mënyrë për t’u materializuar në ndërtim dhe real estate për shkak të ndryshimit të madh që ka në çmime ky treg”, thotë eksperti kontabël Bujar Bendo.

Agjentët e shitjeve thonë se ka dhe klientë që blejnë me kredi bankare, edhe pse kushtet e dhënies së huave janë shtrënguar gjatë pandemisë. Por ata vërejnë si dukuri shit-blerjet me para në dorë në pallate që janë në ndërtim dhe nuk janë hipotekuar ende.

Sipas të dhënave të INSTAT, vlera e lejeve të ndërtimit të dhëna në vitin 2020 vetëm për ndërtesa për komunitetet arriti në 300 milionë Dollarë, ndërsa në 2019  ishte 350 milionë Dollarë

“Në pallatet e reja janë blerje dhe rezervime me cash, nuk mund të financojë banka pasi nuk janë të hipotekuara”, deklaron Shkëmbi. 

Një shtysë pastrimit të parasë jashtë kanaleve bankare i ka dhënë edhe ligji i rivlerësimit, thonë kontabilistët.

“Ligji i rivlerësimit i jep mundësinë njërës palë që të deklarojë një pasuri të lirë që është rritur vlera dhe më pas e shet me atë vlerë”, thotë kontabilisti Bendo. 

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Paradalimit dhe Pastrimit të Parave, rastet e dyshimta që raportohen më shpesh janë ato të blerjes së pasurive të patundshme me burime të panjohura, transfertat e dyshimta dhe derdhjet e larta të parasë fizike.

Në fund të 2020-s paraja në qarkullim jashtë kanaleve bankare arriti në 2.8 miliardë Euro, duke patur shtesën më të lartë në dy dekdat e fundit.

Situata jashtë kontrollit/ Vendi do të mbyllet në orën 18:00

20 viktima sot. 21 një ditë më parë. Afro 1 mijë raste pozitive. Shqipëria s’kishte parë kurrë shifra të tilla prej marsit kur pandemia e përfshiu edhe atë në hartën e saj. 

Afro 1 vit nga ky shpërthim, vendi ynë është ndër ata që ka numrin më të lartë të viktimave në raport me popullsinë dhe infeksionet. 

Janë rreth 1 mijë janë çdo ditë të infektuarit dy muajt e fundit. Mbi 300 janë viktimat vetëm për muajin shkurt. Spitalet në Tiranë dhe në rrethe janë plot dhe mund të kolapsojnë nëse infeksionet vijojnë të rriten. 

Situata jashtë kontrollit

Eshtë ironike ajo që ndodh me Komitetin Teknik të Ekspertëve, një strukturë që teorikisht vendos për masat që duhen marrë, për kufizimet që nevojiten për të parandaluar përhapjen e infektimeve. Secili nga ekspertët, në deklarata individuale është shprehur se situata është kritike, se baret e restorantet duhen mbyllur apo që shkollat nuk duheshin hapur. 

Por  kur mblidhen bashkë vendosin të mos i ndryshojnë masat e deklarojnë se situata është nën kontroll. Po a është ajo vërtet kështu? 

Baret dhe restorantet në çdo qytet janë më plot se çdoherë tjetër. Tavolinat e mbushura, ngjitur me njëra-tjetrën, pa respektuar asnjë protokoll, janë përgjigjja më e saktë për atë se çfarë po ndodh. 

Nëpër shkolla, fëmijët e kanë thuajse të pamundur t’i respektojnë masat, si me mbajtjen e maskës ashtu edhe me ruajtjen e distancës. 

Ata gjithashtu konsiderohen burim kryesor i përhapjes së covid-19. 

Strukturat shtetërore që duhet të kontrollonin qoftë baret e restorantet, qoftë shkollat, nuk duken gjëkundi. 

Policia po ashtu zhduket gjatë gjithë ditës dhe shfaqet vetëm në orën 20:00 kur duhet i të mbajë përgjegjësi nëse lokalet nuk mbyllen. 

Për të treguar se po punon, ajo ka krijuar një strukturë që monitoron grumbullimet politike nëpër rrjetet sociale. Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nga PS dhe Edmond Spaho e Belind Këlliçi nga PD u gjobitën me nga 5 milionë lekë të reja vetëm nga fotot që postuan me militantët në rrjetet sociale. Por gjatë ditës, nëpër bare, aty ku grumbullimet janë të dukshme dhe s’ka nevojë për kontroll në internet, policia nuk duket. 

Kufizimet e reja

Përkundër asaj që thonë anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve, situata e dalë jashtë kontrollit duket se po e detyron këtë strukturë të ndryshojë vendimet e saj. Dy ditë më parë Komiteti u shfaq unanim në vendimin për të mos i ndryshuar masat. Por këtë javë priten kufizime të reja. 

Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare gjatë takimit me mjekët e diasporës tha se mund të ketë kufizime të tjera. Zoom.al mësoi se orari i lëvizjes pritet të kufizohet mes orës 6:00 dhe 18:00. 

Shefja e Insitutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, u shpreh sot se situata është shumë shqetësuese. 

Ajo tha se ngushtimi i fashës orare dha një efekt të vogël në uljen e shifrave, por shtoi se të hënën e ardhshme do të rishikohet si po ecën situata dhe do të merren masa. Kryeministri Rama nuk ka qenë pro kufizimit, por me situatën e dalë jashtë kontrollit kostot e tij për keqmenaxhimin e pandemisë do të shtohen. 

Si precipitoi situata

Shqipëria nuk pati kufizime të forta në dhjetor, gjatë apo pas festave të fundvitit. Në të gjithë botën masat ishin disa herë më të ashpra. Edhe shkollat u mbyllën pjesërisht. Përpos kësaj, strukturat shtetërore të ngarkuara për mbikqyrjen e respektimit të masave e kanë ulur vigjilencën ndjeshëm. 

Sipas disa burimeve të Zoom.al ekspertët kanë rekomanduar vazhdimisht mbylljen e shkollave, bareve e restoranteve dhe ngushtimin e orarit të lëvizjes, por kanë hasur në kundërshtimin e kryeministrit, pasi një mbyllje tjetër do t’i kushtonte si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit. ©Zoom.al

Guvernatori i Nju Jorkut Cuomo dhe hetimi për ngacmin seksual

Zyra e Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo u tërhoq nga plani për të zgjedhur një hetues që do të shqyrtonte akuzat e ngritura kundër tij për ngacmim seksual.

Ai tha të dielën se kishte kërkuar në të njëjtën kohë nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit dhe një anëtar i gjykatës së apelit të caktonin një prokuror për të kryer një hetim të pavarur.

Cuomo, një nga politikanët më të njohur demokratë të vendit, popullariteti i të cilit u rrit gjatë muajve të parë të pandemisë, është përballur me një varg polemikash javët e fundit, duke përfshirë çështjen e trajtimit nga administrata e tij të numrit të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve.

Administrata e tij tha se donte që hetimi të bëhej “në një mënyrë që të mos linte dyshime”. Komentet erdhën pas akuzave të ngritura nga dy ish ndihmëse për sjellje të pahijshme seksuale nga ana e guvernatorit, të cilat ai i ka mohuar.

Administrata e tij tha shtunën se kishte zgjedhur një ish-gjykatëse federale, Barbara Jones, për të drejtuar hetimin, por se tani dëshironte të shmangte “qoftë edhe perceptimin se hetimit i mungonte pavarësia ose se ishte i ndikuar nga politika.”

Administrata e zotit Cuomo tha se i kishte kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Nju Jorkut dhe Kryetarit të Gjykatës së Apelit që së bashku të caktonin një prokuror të pavarur pa përkatësi politike për të kryer një hetim të plotë dhe për të nxjerrë një raport publik.

“Të gjithë anëtarët e zyrës së Guvernatorit do të bashkëpunojnë plotësisht. Ne nuk do të bëjmë asnjë koment tjetër derisa të lëshohet raporti,” tha në një deklaratë këshilltarja e posaçme e zotit Cuomo, Beth Garvey.

Prokurori Bardhok Lleshi shumëfishoi gjatë detyrës pasuritë e krijuara me burime të paprovuara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 janar 2021 të shkarkojë nga detyra prokuroin e lezhës, Bardhok Lleshi, duke konkluduar se nga vlerësimi në tërësi i gjithë pasurisë që ai zotëron, kishte cënuar besimin e publikut tek tek sistemi i drejtësisë.

Komisioni konstaton mungesë burimesh për justifikimin e pasurive të krijuara para dhe pas fillimit të detyrës në vlerën totale 19 milionë e 337 mijë lekë dhe ngre dyshime se ai ka kryer deklarime të rreme dhe fshehje të pasurive për të cilat pretendon se janë në pronësi të familjarëve, edhe pse figurojnë në emrin e tij.

“Për më tepër që gjatë hetimit nga Komisioni ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit i ka shumëfishuar disa herë pasuritë e tij gjatë ushtrimit të detyrës, origjina e të cilave mbetet e paprovuar dhe e përfituar në shkelje të detyrimeve ligjore,” shprehet trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen.

Bardhok Lleshi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2009, Lleshi u transferua në Prokurorinë e Lezhës ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Në vitin 2014, Lleshi u kallëzua penalisht nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për fshehje pasurie në vlera të mëdha dhe mosdeklarim të pasurive, por çështja u pushua nga prokuroria.

Pasuritë para fillimit të detyrës

Si burim krijimi të pasurive para fillimit të detyrës, prokurori Lleshi ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga puna në emigracion në shtetin grek gjatë periudhës 1991-1996, por nuk ka depozituar dokumentacion provues.

Komisioni vëren mospërputhje në deklarimet e Lleshit për blerjen e një pasurie tokë arë me sipërfaqe 8 mijë e 320 m2 në Dritas të Tiranës për shumë 832 mijë lekë dhe mosdeklarimin të bllokimit si kolateral të kësaj prone në prill 2010-ës për shumën 70 mijë euro dhe në nëntor të vitit 2011 për vlerën 5 milionë lekë.

Sipas trupit gjykues, nisur nga marrëdhënia kontraktuale me bankën për vendosjen e kësaj prone si kolateral, duket se subjekti e ka fshehur vlerën reale të kësaj pasurie në deklaratën veting, pasi rezulton të jetë shumë herë më e lartë nga ajo e deklaruar.

Gjithashtu, KPK arrin në përfundimin se ai nuk arriti të provojë krijimin e kësaj pasurie me të ardhura nga burime të ligjshme, pasi nuk ka provuar me dokumentacion të ardhurat nga emigracioni.

KPK konkludon se prokurori Lleshi ka mungesë burimesh të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të rremë edhe për një apartament me sipërfaqe 124.1 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2003 kundrejt vlerës 60 mijë euro dhe të regjistruar sipas kontratës së shitblerjes në nëntor të 2012-ës.

Lleshi ka deklaruar se pagesa e çmimit të kësaj pasurie është kryer me dy këste, i pari në vlerën 25 mijë euro me burim të ardhurat nga emigracioni dhe pjesa tjetër kredi.

Ai ka deklaruar se të ardhurat për shlyerjen e kredisë nga viti 2006 deri në vitin 2009 kanë si burim të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes, si dhe nga një bar-kafe që e ka administruar sipas një prokurore të posaçme të vitit 2004 të lëshuar nga vëllai F.Ll..

Subjekti ka shpjeguar se pagesa e kësteve është bërë nga familjarët e tij të cilët kanë menaxhuar punën në këtë lokal, ndërsa pas vitit 2010, kur vëllai F. Ll. është larguar nga certifikata familjare, pagesa e kredisë është marrë përsipër nga një shoqëri ndërtuese në pronësi të vëllait tjetër S.M, në këmbim të tokës 1200 m2 në fshatin Bërxull, ku do të ndërtohej një objekt.

Në këtë kontratën e sipërmarrjes të vitit 2010 përcaktohej se me përfundimin e dorëzimit të objektit, Lleshit i hiqet e drejta e pronësisë mbi tokën, ndërsa shoqëria merrte përsipër të likuidonte tërësisht pjesën e mbetur të kredisë.

Sipas KPK, subjekti nuk ka provuar se kredia bankare në “Emporiki Bank” sh.a.,ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë dhe vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë.

“Zotërues i pasurive të vëllait”

Për dy pasuri të tjera tokë arë, një me sipërfaqe 11 mijë e 500 m2 me vlerë të deklaruar 1 milion e 150 mijë lekë dhe tjetra 5 mijë e 120 m2 me vlerë 512 mijë lekë, të regjistruara në emër të prokurorit Lleshi në shkurt të vitit 2002, subjekti ka deklaruar se blerja e tyre faktike ka ndodhur në vitin 1998 dhe se janë financuar prej vëllait F.Ll., nga të ardhurat e këtij të fundit nga emigracioni në SHBA dhe Kanada.

Prokurori Lleshi ka pretenduar se këto pasuri janë regjistruar në emrin e tij, pasi në atë kohë vëllai ka qenë në njëjtën certifikatë familjare dhe nuk ndodhej në Shqipëri.

I pyetur se përse këto prona vazhdojnë të jenë në emër të tij, Lleshi ka deklaruar se kalimi i pronësisë është diskrecion i të vëllait dhe në momentin që ai do ta kërkojë, do të realizohet.

Komisioni konkludon se subjekti nuk arrin të provojë në mënyrë bindëse se këto dy pasuri janë në të vërtetë në pronësi të vëllait dhe as faktin e blerjes të tyre me të ardhurat e tij.

Në vendim thuhet se Lleshi nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një pasuri të llojit truall ndërtimi me sipërfaqe 7 mijë 210 m2 në Lezhë, që e ka shënuar në deklaratën fillestare të vitit 2004, kur ka sqaruar se ai vetë nuk ka pasur pjesë takuese, por ishte blerë nga vëllai i tij F.Ll.. Lleshi ka deklaruar se kjo pronë është blerë në korrik të vitit 2002 në vlerën 3.9 milionë lekë.

Nga hetimi rezulton se trualli është shitur në shkurt të vitit 2005 nga prokurori Bardhok Lleshi në cilësinë e palës shitëse, me palë blerëse vëllanë e tij F.Ll., i përfaqësuar me prokurë nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Komisioni vëren se prokurori Lleshi nuk arriti të provojë se përse kontrata e shitjes së truallit nuk u firmos në kohën kur vëllai ka realizuar veprime për regjistrimin e një aktiviteti tregtar po atë vit, kur ai ka qëndruruar në Shqipëri për rreth 3 muaj.

Nga hetimi ka rezultuar se prokurori Lleshi zotëron një dyqan me sipërfaqe 86 m2 në Tiranë, pasuri që nuk e ka pasqyruar as në vitin 2004 dhe as në deklaratën veting.

Subjekti ka shpjeguar se lokali i blerë në vitin 2002 është financuar nga vëllai i tij F. Ll.. Ashtu si në rastin e dy ngastrave të tokës, Lleshi ka pretenduar se pasuria është regjistruar në emrin e tij, pasi në atë kohë vëllai nuk ndodhej në Shqipëri dhe se figuronin në njëjtën certifikatë familjare.

Trupi gjykues i Komisionit vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk mundi të provojë mundësitë financiare për krijimin e kësaj pasurie dhe se ajo i përket vëllait të tij.

“Lidhur me përdorimin nga subjekti i rivlerësimit të kësaj pasurie, si dhe deklarimit mbi të ardhura të përfituara prej tij nga menaxhimi i këtij aktiviteti duke marrë fitimin, mbetën të paprovuara dhe tërësisht informale”, konstaton KPK.

Komisioni vëren se kjo pasuri gjendet në të njëjtin pallat ku ndodhet edhe banesa e subjektit të rivlerësimit dhe arrin në konkluzionin se Lleshi gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorit ka menaxhuar një aktivitet tregtar për të cilin nuk ështe deklaruar me transparencë marrëdhënia e tij dhe mënyra e përfitimit të të ardhurave të deklaruara.

“[…]duke e vendosur subjektin e rivlerësimit në kushte të tilla që ngrenë dyshime të arsyeshme se kjo është një pasuri e fshehur e tij ose së paku aktiviteti tregtar nga i cili ai ka përfituar të ardhura është një veprimtari e subjektit të rivlerësimit për të cilën ai ka bërë deklarim të rremë dhe për të cilën janë përfituar të ardhura[…]” vlerëson Komisioni.

Shumëfishimi i pasurive gjatë detyrës

Nga hetimi adminsitrativ ka rezultuar se prokurori Lleshi, nga nënshkrimi i kontratës së shkëmbimit të pasurisë tokë arë me sipërfaqe 1200 m2 në Bërxull me vëllanë e tij S.M. në vitin 2015, nuk ka përfituar vetëm shlyerjen e pjesës së mbetur të kredisë që ishte dakordësuar në marrëveshjen fillestare, por edhe një bodrum në objektin e ndërtuar, me sipërfaqe 600 m2 dhe me vlerë totale 30 milionë e 900 mijë lekë.

I pyetur nga Komisioni, Lleshi ka shpjeguar se nuk ishte i kënaqur vetëm me pagesën e kredisë dhe kërkoi që për tokën e vënë në dispozicion të përfitojë edhe sipërfaqen 600 m2, gjë të cilën sipas tij, shoqëria ndërtuese e pranoi.

Ndërkohë, gjatë hetimit ka rezultuar se pasuria arë me sipërfaqe 1200 m2 ka shërbyer edhe për një hua në vlerën 150 mijë euro që prokurori Lleshi ka marrë në prill të vitit 2005 nga shtetasi L.N.., fakt që nuk është pasqyruar në deklaratën periodike.

Lleshi ka deklaruar se shtetasi L. N. ka pasur si qëllim të blinte pronën dhe kontrata është përpiluar për t’u siguruar se nuk do ta blinte ndonjë person tjetër për një periudhë kohe prej një muaji, kohë gjatë së cilës ai do të siguronte shumën e parave. Ai ka shtuar se pas një muaji L.N. nuk e ka siguruar dot shumën dhe për këtë arsye kanë përpiluar një deklaratë me shkrim për anulimin e kësaj kontrate dhe se huaja 150 mijë euro nuk është marrë asnjëherë prej tij.

Komisioni konstaton se Lleshi ka regjistruar një procedim penal të vitit 2013, me kallëzues shtetasin L. N., me cilësinë e administratorit të një shoqërie dhe konsideron se subjekti në këtë rast është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.

Prokurori Lleshi ka pasqyruar në deklaratën veting disa kontrata qiraje të lidhura me subjekte të ndryshme për sipërfaqen e tokës 1200 m2, si dhe krijimin e të ardhurave. Në një rast kontrata e qirasë është realizuar 9 muaj pas nënshkrimit të kontratës së shkëmbimit të pasurisë, duke sjellë përfitime për subjektin edhe kur kjo pronë nuk ishte më e tij. Komisioni ngre dyshime se kontratat e qirasë janë fiktive.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se Lleshi nuk ka paguar tagimet përkatëse për përfitimet nga qiraja. “Veprimet e kryera nga subjekti i rivlerësimit në shtimin e pasurive të tij, duket se kryhen në forma të tilla që shmangin tërësisht pagimin e tatimeve për vlerat e super shtuara të pasurisë së tij gjatë ushtrimit të funksionit të prokurorit”, konstaton komisioni.

Në vitin 2010 Lleshi ka shitur një autoveturë tip “Mercedes Benz” në shumën 11 mijë euro, të cilën e kishte blerë në vitin 2004 për çmimin 5000 euro. KPK vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të rremë për këtë pasuri dhe se ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për blerjen e saj.

Prokuror dhe aksioner

Në vendim thuhet se prokurori Lleshi ka qenë aksioner në një shoqëri duke zotëruar 60% të kuotave të blera në vlerën 60 mijë lekë, me burim të ardhurat nga emigracioni. Ndërsa bashkëshortja e tij ka zotëruar 40% të kuotave të blera në shumën 40 mijë lekë, me burim të ardhurat nga puna në mësimdhënie pranë Universitetit të Tiranës.

I pyetur nga Komisioni, subjekti ka shpjeguar se në kohën kur ka blerë aksionet, shoqëria nuk ka pasur asnjë pasuri të regjistruar dhe vlera e kapitaleve ka qenë 100 mijë lekë. Ai ka shtuar se fitimet e saj janë riinvestuar në shoqëri dhe nuk ka pasur dividend të shpërndarë.

Në vitin 2015, rezulton të këtë ndryshuar statusi i ortakëve të shoqërisë, ku është caktuar z. E. L. zotërues aktiv i kuotave në cilësinë e personit të besuar të secilit prej ortakëve Bardhok Lleshi dhe bashkëshortes së tij A. P., ndërsa këta dy të fundit si zotërues pasiv të kuotave.

KPK evidenton se pavarësisht kësaj marrëveshjeje, prokurori Lleshi dhe bashkëshortja e tij vazhdojnë të gëzojnë të drejtën e përfitimit të fryteve të pronësisë që gëzojnë mbi kuotat në shoqëri.

“Pjesëmarrja e subjektit të rivlerësimit në një shoqëri tregtare, megjithëse në statusin e tij pasiv, e cila për nga qarkullimi vjetor duket se ka pasur aktivitet të mirë tregtar gjatë ushtrimit prej tij të detyrës së prokurorit, ndërthurja dhe bashkëveprimi i tij në veprimtaritë tregtare të vëllezërve, duket se ka për qëllim ndikimin ndoshta edhe në dukje të figurës së tij si prokuror në veprimtarinë tregtare fitimprurëse të vëllezërve të tij, duke cenuar me veprimet e tij indirekte besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, vlerëson KPK.

“Pasuritë e krijuara me një burim financiar të deklaruar nga emigracioni, por të paprovuar, duket se gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorit janë shtuar dhe shumëfishuar duke e rivlerësuar pasurinë e subjektit në vlera të cilat duket se kanë karakter tregtar dhe se nuk shkojnë përshtat me një funksionar të sistemit të drejtësisë”, vijon trupi gjykues.

Komisioni ngre dyshime se kjo shoqëri e zotëruar nga subjekti ka nënshkruar kontrata formale me një shoqëri tjetër. “Nga verifikimet në internet duket se këto dy shoqëri (“***” dhe “***”) veprojnë dhe kanë të njëjtin aktivitet/qëllim. Objektet e ndërtimit dhe projektet e investuara përfshirë edhe koncensionet për pasuri publike duket se janë projekte të të dyja shoqërive”, citohet në vendim.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar kuotat e tij dhe të bashkëshortes në një shoqëri tjetër tregtare të regjistruar në vitin 2002, me objekt “Ndërtime civile dhe ekonomike, restaurime, prodhime materiale ndërtimi, etj.”.

Sipas KPK, duke mos deklaruar këtë pasuri, subjekti i është shmangur njëkohësisht edhe kontrollit edhe verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve të kryera prej tij, si dhe të vetë shoqërisë tregtare.

“[…]në një vlerësim tërësor që i bëhet të gjitha pasurive të subjektit të rivlerësimit konstatohen pasaktësi të qëllimshme në deklarimet periodike vjetore, si dhe marrëveshje tregtare të kryera prej tij ndër vite, të cilat përveçse nuk janë pasqyruar me transparencë e krijojnë hije dyshimi, duket se kanë shumëfishuar pasuritë e subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror duke krijuar kështu pasuri të vëna gjatë detyrës në vlera të konsiderueshme dhe pa një dokumentacion ligjor mbështetës mbi ligjshmërinë e tyre”, konkludon Komisioni.

Nga analiza financiare e kryer prej KPK për periudhën 2004-2016 ka rezultuar një balancë negative në vlerën 8 milionë e 152 mijë lekë dhe para vitit 2004 ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e pasurive në shumën 11 milionë e 185 mijë lekë.-Edmond Hoxhaj – BIRN

Mandati i tretë jemi ne!

Kohët e fundit gjithmonë e më dendur ka filluar të artikulohet hipoteza e një mandati të tretë për qeverinë e Rivdekjes Kombëtare. Kreu i kësaj Rivdekjeje e rinënvizon këtë fakt duke harruar se jo të gjithë shqiptarët janë medoemos ushtarët e tij.

Kreu i Rivdekjes Kombëtare duhet të mësojë të shohë përtej pëlqimeve dhe komenteve në profilin e tij në Facebook, pasi këto të fundit nuk janë gjë tjetër veçse një shpurë skllevërish vullnetarë dhe kur të vetëshpallet fitues i mandatit të tretë, t’u shpjegojë shqiptarëve se ç’ka bërë për dy mandate, që kërkon mandatin e tretë.

Dëshira për një mandat të tretë nuk është argument për ta fituar këtë të fundit.

Duke e lënë Kreun e Rivdekjes në delirin e tij të dhimbshëm, kisha një mesazh për këdo që bën pyetjen: A do ta marrë ai mandatin e tretë?!

Mandati i tretë nuk është ai. Mandati i tretë jemi ne.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, ti do të qëndrosh në shtëpi me idenë se një votë e jotja nuk do të ndryshojë asgjë, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, do të pohosh me krenari se ke vite që nuk voton dhe nuk do të votosh as këtë vit, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, nuk do të risjellësh ndërmend numrin e frikshëm të shqiptarëve që kanë lënë vendin për të mos u rikthyer më, atëherë ai e fiton mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, do të harrosh bandën e horrave, trafikantëve, vrasësve dhe përdhunuesve që u futën në parlament, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, nuk të kanë mjaftuar dy mandate rivdekjeje si argument për të votuar kundër tij, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Si qytetarë kemi në dorë veçse votën. Dhe këtë herë çdo shqiptar që nuk dëshiron më zgjatimin e kësaj marrëzie kombëtare për një herë të tretë, nuk ia lejon dot vetes të drejtën për të mos votuar.

Vota në këtë situatë tragjike është detyrë, jo zgjedhje.

Ne kemi detyrën të votojmë. Ruajtja e votës u takon strukturave opozitare.

Mandati i tretë jemi ne. Mandati i tretë nuk është ai.

Post Scriptum- ‘Parimorët’ që nuk përkrahin askënd veç ‘moralit’, jam e bindur se i kanë idetë e qarta dhe i zbatojnë detyrat kudo dhe kurdo. Vota e tyre do të jetë plumb për armikun.