zoom

Day ArchiveU hodh nga kati i 3 i Spitalit Infektiv, ndërron jetë pacienti 69-vjeçar

Ndërron jetë pacienti 69-vjeçar me Covid-19, i cili ditën e djeshme u hodh nga kati i tretë i spitalit Infektiv.

Shtetasi me inicialet R.G., ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Ngjarja tragjike ndodhi në mesditë, në katin e tretë të spitalit, ku pacienti ishte shtruar prej disa ditësh. Ai ndodhej në terapi intensive, ndërsa pas hedhjes ai pësoi dëmtime të mëdha në kokë që i morën dhe jetën.

Rasti i parë i vetëvrasjeve është regjistruar më 13 gusht, ku 29-vjeçari Xhino Koça nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i “Shefqet Ndroqit” në gjendje të rënduar psikologjike, ku për pasojë ndërroi jetë. Ndërkohë, që në 2 shtator Hasan Mira, 65 vjeç, i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i COVID 2 vetëm dy ditë pasi ishte shtruar aty. Ndërkohë rasti i tretë ishte ai i Preng Gjonajt, 52 vjeç, me origjinë nga Tropoja e me banim në Tiranë, u regjistrua në 1 nëntor sërish tek Sanatoriumi.

S’e la të parakalonte, përleshje me thikë mes kosovarëve në Milot-Morinë

Tentativa për parakalim në autostradën Milot-Morinë për pak sa nuk është kthyer në një ngjarje tragjike.

Policia thotë se një shtetas nga Kosova me iniciale S. B., i cili ka qenë duke drejtuar një automjet ka tentuar të parakalojë bashkëkombësin e tij, I.R.

Ky i fundit nuk e ka lejuar dhe kjo e ka nxehur shoferin tjetër.

Siç njofton policia, të dy kanë ndaluar mjetet te trau dhe pas konfliktit të çastit, shtetasi I. R. ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë thikë shtetasin S. B., 43 vjeç, banues në Fushë-Kosovë, duke e lënë të plagosur.

43-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai u procedua në gjendje të lirë, pasi ka goditur me grushte shtetasin I. R., duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, në ngarkim të shtetasit I. R., për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe në ngarkim të shtetasit S. B., për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Kokainë dhe kanabis në makinë, arrestohet 27 vjeçari

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar nje 27 vjeçar me iniciale E.C., të cilit i është gjetur lëndë narkotikë të tipit kokainë 5.5 gr dhe kanabis sativa në makinën e tij si dhe në banesë

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin:

E.C., 27 vjeç, banues në fshatin Dhëmblan, Tepelenë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, gjatë kontrollit që ushtruan shërbimet e Policisë në automjetin e tij, gjetën 5. 5 gr. lëndë narkotike të llojit kokainë.

Gjithashtu, nga kontrolli i kryer në banesën e këtij shtetasi u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa.”

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Falsifikoi lejen e qëndrimit, dënohet me 100 orë punë futbollisti i Tiranës, Cobbina

Futbollisti i Tiranës, Cobbina, është dënuar me 100 orë punë me interes publik, nga Gjykata e Tiranës, pasi ishte nën hetim për falsifikim të lejes së qëndrimit.

Cobbina ka qenë vetë i pranishëm në seancë, dhe teksa pranuar dënimin, ka deklaruar se ai është i pafajshëm sepse nuk ka pasur dijeni. Pala mbrojtëse ka kërkuar pafajësinë duke shtuar se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Apelit.

Edhe pse Cobbina ishte në akuzë për falsifikim të lejes që qëndrimit, presidenti Ilir Meta  i dha atij nënshtetësinë, me një procedurë të përshpejtuar brenda 8 orësh pa kryer verifikimet e duhura, e duke thelluar kështu skandalin me dhënien e nënshtetësisë.

Referuar dosjes penale me numër 5165, futbollisti nga Gana është kapur nga policia në 6 qershor 2019 me dokumente të falsifikuara. Ai po nisej me avioni nga Shqipëria drejt Turqisë. Gjatë kontrollit, policia kufitare në Rinas ka konstatuar se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar që me 15 janar 2019, ndërsa i kërkoi nëse kishte një leje qëndrimi.

Cobbina i paraqiti një leje qëndrimi me numër 138564, lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, në 15 dhjetor 2018 dhe vlefshme deri 15 shkurt 2019. Por, në lejen qëndrimit në emrin e tij , që edhe ajo kishte skaduar, ishte shënuar një numër pasaporte, i cili nuk i përkiste Cobbina, por një personi të tjetër, konkretisht Junior Yunus Sentamu, të cilit i ishte refuzuar leja e qëndrimit në Shqipëri për mungesë dokumentacioni. Policia e kishte bllokuar lejen e qëndrimit si të falsifikuar, pasi përkiste dikujt tjetër, por që kishte foton e ganezit.

Kryepeshkopi Janullatos infektohet me COVID-19, niset me avion ushtarak drejt Athinës

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos rezultoi pozitiv me COVID-19.

Një avion ambulancë i ushtrisë u nis nga Greqia për në Tiranë për ta marrë kryepeshkopin në spital drejt Athinës. Sipas informacioneve, Janullatos ka simptoma të lehta.

Në 27 qershor Kryepeshkopi 91-vjeçar u operua në zemër.

Covid-19 prek futbollin në Kosovë, trajneri i kombëtares rezulton pozitiv

Kosova preket nga COVID-19. FFK ka zbuluar se nga testet e bëra ka dalë pozitiv trajneri Bernard Challandes dhe një pjesëtar tjetër i stafit. Kështu, në përballjen e sotme me Shqipërinë zvicerani do të mungojë dhe Dardanët do i drejtojë Muharrem Sahiti.

“Pas kryerjes së testit për COVID-19, përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes  dhe njëri nga pjesëtarët e tjerë të stafit (menaxheri i pajisjeve), kanë rezultuar pozitiv.

Ata tashmë janë izoluar nga pjesa tjetër e ekipit deri në testin e radhës, që është programuar për të enjten për ndeshjen kundër Sllovenisë. Kësisoj, ndeshjen e sotme miqësore kundër Shqipërisë do ta drejtojë ndihmëstrajneri i parë, Muharrem Sahiti”, njofton FFK

Shqipëria ligjërisht drejt vaksinës covid-19, Meta dekreton marrëveshjen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shpallur me Dekret, ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility)”.

Në një njoftim, Presidenca bën të ditur se kjo marrëveshje edhe pse është një hap me rëndësi në masat që ndërmerr shteti shqiptar në luftën kundër pandemisë COVID-19, mundëson mbulimin e gjetjes së vaksinës vetëm për 20% të popullsisë, apo edhe më shumë, në varësi të financimit që vihet në dispozicion nga shteti shqiptar.

“Është e domosdoshme, që çdo hap që hidhet nga Qeveria shqiptare, të jetë i  mirëstudiuar, në koordinim të plotë me strukturat dhe partnerët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e të Bashkimit Europian, me qëllim për të siguruar vaksinimin në atë masë që vendi ka nevojë për përballimin e kësaj pandemie.

Për këtë arsye, Qeveria duhet të bëjë çdo përpjekje, për të garantuar mbulimin me buxhetim të plotë të çdo nevoje dhe kërkese të popullatës për vaksinim’, thuhet në njoftim.

Zhvaste dyqanet dhe bizneset me veshje policie, arrestohet 42 vjecarja në Tiranë

Elvira Lani është 42-vjeçarja që është arrestuar ditën e sotme nga policia pas disa kallëzimeve nga pronarë dhe persona të ndryshëm se ju merrte shuma të ndryshme parash apo produkte në bizneset e tyre, pa paguar, duke u justifikuar se ishte punonjëse policie.

Banuese në Tiranë 42- vjeçarja, është arrestuar në flagrancë nga policia dhe në kontrrollin e kryer i është gjetur dhe sekuestruar një radio e ngjashme me atë të punonjësve të policisë dhe sende të tjera të paligjshme.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi mbi 42 vjeçaren rëndojnë akuzat për veprat penale “Mashtrami“ dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Tërmet i fuqishëm në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Shqipëri

Një tërmet me magnitudë 5.5 të shkallës rihter goditi Maqedoninë e Veriut. Lëkundjet u ndjenë edhe në Kosovë dhe në Shqipëri.

Mësohet se tërmeti kishte si epiqendër fshatin Leunovë, 17 kilometra në jug-perëndim të Gostivarit. Tërmeti kishte thellësinë 10 km.

Ndërkohë akoma nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.

Koronavirusi mutant, Danimarka eliminon kafshët e rrezikshme

 

Qeveria daneze ka eliminuar miliona vizonë, një kafshë e ngjashme me nuselalen, pasi këto krijesa janë bartëse të një mutacioni të rrezikshëm të koronavirusit.

Ky mutacion mund të transmetohet te njerëzit dhe mund të pengojë përpjekjet për vaksinën, pasi ndikon te antitrupat.

Për ironi, Danimarka është prodhuesi më i madh në botë i pellushëve të vizonëve. Tregu kryesor i këtyre lëkurave është Kina dhe Hong Kongu. Në total janë 17 milionë vizonë që do eliminohen.

Ekspertët thonë se janë të shqetësuar për përhapjen e këtij mutacioni, pasi ai është pikasur edhe në të paktën pesë vende të tjera.

Por teksa Danimarka po i eliminon këto kafshë, ka lindur një problem tjetër. Sipas BBC, qeveria i ka shfarosur vizonët pa pasur një bazë ligjore për këtë veprim.

Qeveria e ka pranuar këtë fakt dhe ka kërkuar falje. Ata thonë se do të miratojnë legjislacionin e duhur për këtë veprim.

Mendohet se fillimisht koronavirusi kaloi nga njerëzit te vizonët në një fermë kafshësh. Më pas virusi bëri mutacion në trupin e kafshëve dhe u transferua sërish te njerëzit.

Kalimi i viruseve nga kafshët te njeriu dhe anasjelltas është shumë shqetësues.