zoom

Aktualitet

10 milionë USD nga qeveria Rama për Mira Muratin, krimi i organizuar shqiptar rrezikon të bëhet aksioner në një projekt global të Inteligjencës Artificiale

10 milionë USD nga qeveria Rama për Mira Muratin, krimi i organizuar shqiptar rrezikon të bëhet aksioner në një projekt global të Inteligjencës Artificiale

Katër muaj më parë qeveria shqiptare vendosi të hyjë në tregun global të AI (Inteligjencës Artificiale), duke investuar 10 milionë dollarë në kompaninë “Machine Thinking Lab” të shqiptaro-amerikanes Mira Murati. 

Bashkë me lajmin, qeveria sqaroi se 10 milionë dollarët për startup-in e Mira Muratit do të merren nga të ardhurat e konfiskuara nga “Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara” (AAPSK). 

Ndryshimi në buxhet u bë përmes një Akti Normativ që përfshinte edhe opinionet e disa ministrive, asaj të Ekonomisë, Kulturës, Inovacionit, Drejtësisë dhe ministrisë së Brendshme.

Edhe pse pa asnjë diskutim publik, në pamje të parë u duk se qeveria ishte në rrugën e duhur për të financuar një projekt në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe për të ndihmuar një shqiptare që qëndron mes më të mirëve të botës përsa i përket teknologjisë dhe inovacionit, që ishte në bërthamën e ekipit që shpiku ChatGPT.

Por vendimi në vetvete i hap rrugën një skandali sa financiar, aq edhe ligjor e moral. 

AAPSK ka në administrim miliona euro që vijnë nga sekuestrimi i pasurive dhe parave të pista të grupeve kriminale të drogës  apo aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Këto fonde, sipas ligjit, duhet të shkojnë në interes publik, si për shembull në ndihmë të viktimave të krimit të organizuar, të forcimit të policisë, të institucioneve të drejtësisë apo edhe për programe të ndryshme sociale. 

Por përveç ndryshimit të objektit të përdorimit të këtyre parave, nëse sot ky vendim duket si një investim i zgjuar, nesër ai mund ta bëjë shtetin shqiptar dhe Mira Muratin ortakë me kriminelët më famëkeq të vendit, nëse gjykatat do të vendosin t’ua kthejnë asetet grupeve kriminale apo individëve të akuzuar për krime të ndryshme. 

Për shembull, nëse Lul Berisha, kreu i bandës së famshme të Durrësit do të fitonte gjyqin me shtetin për sekuestrimin e pasurive të tij dhe arrin të rimarrë pronat e sekuestruara, automatikisht ai bëhet aksioner në kompaninë e Mira Muratit, me paratë e investuara nga AAPSK. Pra, një bos krimi do të figurojë si aksioner në një startup teknologjie të fushës së AI-së, përkrah një nga figurave më të njohura në botën e inovacionit, si Mira Murati. 

Nëse tani është vetëm një hipotezë, nesër kjo mund të çojë në një situatë vërtet problematike.

Nuk është e qartë nëse Mira Murati ka dijeni për burimin e parave që po investon qeveria shqiptare në kompaninë e saj, por në emër të moralit dhe pavarësisë ajo refuzoi 1 miliardë dollarë nga META, kompania që menaxhon Facebook, Instagram e Ëhatsapp.

Qeveria u përpoq ta shesë vendimin si një zgjedhje vizionare, por në këtë mënyrë rrezikon që krimi i organizuar shqiptar të bëhet aksioner në një projekt global të Inteligjencës Artificiale. /Zoom.al

Postime të lidhura