zoom

Ekonomi

Ziraat Bank hyn zyrtarisht në tregun shqiptar, BSH jep licencën për bankën turke

Ziraat Bank hyn zyrtarisht në tregun shqiptar, BSH jep licencën për bankën turke

Banka e Shqipërisë ka miratuar zyrtarisht licencën për “Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”, duke i hapur rrugë nisjes së aktivitetit të bankës turke në tregun shqiptar. Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së në mbledhjen e zhvilluar më 6 maj.

Sipas njoftimit zyrtar, aplikimi i degës shqiptare të Ziraat Bank është shqyrtuar në përputhje me ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe rregulloren për licencimin e bankave të huaja. Pas këtij vendimi, institucioni financiar do të lejohet të ofrojë shërbime bankare dhe financiare në vend.

Ziraat Bank konsiderohet një nga bankat më të vjetra dhe më të mëdha në Turqi, me aktivitet që daton që nga viti 1863. Përveç tregut turk, ajo operon edhe në vende të tjera si Britania e Madhe, Bullgaria, Greqia, Kosova dhe Qiproja Veriore.

Banka njihet kryesisht për mbështetjen financiare të sektorit të bujqësisë dhe kreditimin e aktiviteteve agro-industriale. Hyrja e saj në Shqipëri pritet të sjellë më shumë mundësi financimi për fermerët dhe bizneset bujqësore, një sektor që prej vitesh konsiderohet i nënfinancuar.

Me licencimin e Ziraat Bank, numri i bankave që operojnë në Shqipëri arrin në 13. Muaj më parë Banka e Shqipërisë licencoi edhe bankën e parë plotësisht dixhitale në vend, “Jet Bank”./ Zoom.al

Postime të lidhura