zoom

Politikë

Zgjedhjet në PD/ Demokratët nuk dalin nga shtëpitë për të votuar, pjesëmarrje e ulët

Kur kanë kaluar dy orë nga hapja e procesit, numri i pjesëmarrësve në votimin për kryetar të PD-së është i ulët.

Sipas informacioneve, përqindja e pjesëmarrësve është e ulët në të gjitha qendrat e votimit të juglindjes se vendit, përfshi dhe degën e PD Korçë aty ku mendohet që votuesit janë më të shumtë.

Për kryetarin e PD zyrtare në Korçë, Elvin Bregu kanë konfirmuar pjesëmarrjen më shumë se 500 anëtarë të kësaj force politike dhe numri i votuesve në orët në vijim do të rritet.

I ulët numri i votuesve ka qenë dhe në degët e PD Devoll, Pogradec, Maliq dhe Kolonjë.

Në Lezhë janë 1.800 anëtarë me të drejtë vote, por edhe aty deri tani numri i votuesve është i ulët, sipas raportimeve nga terreni.

Në Qarkun e Beratit situata paraqitet gati-gati e njëjtë.

Sipas listave, në PD Berat janë 319 anëtarë me të drejtë vote, në PD Kuçovë janë 275 anëtarë me të drejtë vote, në PD Dimal janë 250 anëtarë me të drejtë vote, në PD Poliçan janë 300 anëtarë me të drejtë vote dhe në PD Skrapar janë 120 anëtarë me të drejtë vote.

Por teksa procesi i votimit vijon i qetë, pjesëmarrja është shumë e ulët në të pesta degët e PD-së në qarkun e Beratit.

Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të PD ka nisur edhe në selinë blu të Shkodrës.

Kryetari i PD Dega Shkodër, Xhevdet Amuli thotë se pjesëmarrja në këto orë të para është e kënaqshme, ndërsa të drejtë vote kanë 1.200 anëtarë.

Nga ana tjetër, votimi vijon normalisht edhe në Qarkun e Fierit, por karakterizohet nga një numër shumë i ulët pjesëmarrësish deri tani, ku nga 800 anëtarë me të drejtë vote, kanë votuar vetëm 80 prej tyre.