zoom

Politikë

Zgjedhjet lokale, drejtimi i Shkodrës/ Rama heq Ilir Beqajn, vendos Olta Xhaçkën

Partia Socialiste ka ndezur motorët për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në 6 bashki më 6 mars. Mësohet se Olta Xhaçka është zgjedhur nga kryeministri Edi Rama, si e deleguara e socialistëve për të menaxhuar zgjedhjet vendore të 6 Marsit në Bashkinë e Shkodrës, duke zëvendësuar kështu Ilir Beqajn.

Burime pranë selisë rozë në Shkodër bëjnë me dije se zonja Xhaçka ka qenë në Shkodër gjatë fundjavës, ku ka zhvilluar takimet e para me forumet e kësaj force politike si dhe drejtuesit e institucioneve në Shkodër.

Në fjalën e saj para socialistëve, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tashmë edhe në rolin e të deleguarës për zgjedhjet në Shkodër, u ka kërkuar angazhim maksimal për këtë betejë, duke përsëritur se shanset që Bashkia e Shkodrës t’i kalojë socialistëve në këto zgjedhje është shumë i madh, kjo duke iu referuar, të qenët në pushtet të Partisë Socialiste në mandatin e tretë, por edhe përçarjes brenda demokratëve, çka mund të përgjysmojë votat e së djathtës në Shkodër.