zoom

Lajme

Lindita Nikolla hap tender 45 mijë euro për të rregulluar 3 Mercedezë të prishur të qeverisë

Qeverisë i janë prishur makinat dhe riparimi kushton plot 45 mijë euro.

Së fundmi, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender me vlerë 45 mijë euro me TVSH për të riparuar tre Mercedezët e titullarëve të institucionit.

Sipas objektit të procedurës prokuruese, bëhet fjalë për një kontratë dy vjeçare për periudhën 2024-2025 për riparimin dhe mirëmbajtjen e një fuoristrade të vitit 2006, e cila është blerë nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe tashmë ka mbetur në inventarin e institucionit.

Një autoveturë të klasit S të vitit 2013, e blerë nga Ilir Meta në 2014, në atë kohë Kryetar Kuvendi dhe që aktualisht përdoret nga Agron Gjekmarkaj, dhe një Mercedez tjetër, i vitit 2018 që u ble nga Gramoz Ruçi dhe tashmë përdoret nga Lindita Nikolla.

Vlera e objektit mesa duket ka kapërcyer edhe vetë komisionin e prokurimit pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku në argumentet pse duhej ky tender, është munduar të evidentojë shkakun e një shifre kaq të lartë për riparimin apo mirëmbajtjen e tri makinave.

“Lista e shërbimeve objekt prokurimi është pasuruar ndjeshëm me zëra te rinj krahasuar me vitet e mëparshme, për të mundësuar kështu ndjekjen sa më optimale të procesit të zbatimit të kontratave që do të lidhen duke i paraprirë çdo situate.

Dhe një situatë që ka synuar të paraprijë Kuvendi duket se është prishja e makinës në rrugë, ku si kriter për kompanitë garuese në tender, ka edhe ofrimin e spostimit të automjetit me karroatrec.

Sipas afateve tenderi në fjalë është mbyllur dhe pritet lidhja e kontratës për disbursimin e parave nga ana e institucionit.