zoom

Politikë

Zgjatja e Vettingut, Balla: S’kemi pazar me PD-në, politika të rrijë larg kësaj çështjeje

Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se nuk ka një pazar me PD-në për arritjen e konsensusit të zgjatjes së organeve të Vettingut si pjesë e reformës në drejtësi.

Balla tha se e konsideron Vettingun një çështje tepër teknike, tek e cila politika duhet të rrijë larg. Më tej Balla tha se mazhoranca është e gatishme për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështjeje që mund të vijë nga opozita në Kuvend.

“E para duhet t’iu sqaroj që ekspertët tanë janë duke punuar intensivisht edhe me 2 institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi për të konkluduar në amendamentin për zgjatjen e afatit të KPK. Në kuptimin që të arrijmë të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendamet. Unë e konsideroj një çështje teknike dhe politika duhet të rrijë larg në kuptimin e rëndësisë që ka vetingu dhe në kuptimin e vlerësimit që ka vetingu. Do propozoja që askush prej nesh të mos e politizojë dhe ta mbajmë si një çështje tepër teknike si vijueshmëri të reformës në drejtësi. Nuk ka asnjë lloj pazari në thonjëza, sepse kjo është çështje e rëndësisë së veçantë ku secili prej deputetëve të marrë përgjegjësinë që i takon. Sa i përket çështjeve të tjera ne jemi të hapur për të diskutuar pa rezerva çdo çështje që mund të vijë nga ana e opozitës në kuvend”, tha Balla.

Për një marrëveshje të fshehtë mes PD-së dhe PS-së, Balla u pyet pas deklaratave të bëra nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili foli për atë që ai e quante “tregti kuajsh” ose “pazar”, që sipas tij, kryeministri Edi Rama i ofron Partisë Demokratike.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së sakaq se do rrëzohet kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për “Becchetin” ndërkohë që nënvizoi se maxhoranca do miratojë dy komisionet e tjera hetimore që ka kërkuar opozita, atë për zgjedhjet e 25 prillit dhe për inceneratorët.

“Diskutuam ngritjen e komisionit për hetimin e zgjedhjet të 25 prillit, ngritja e të cilit do të votohet të enjten. Jemi duke punuar për dakordësimin për projektvendimin për komisionin hetimor për çështjen e trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që do rrëzohet kom hetimor për çështjen Becchetti”, tha më tej kreu i grupit të PS-së.