zoom

Aktualitet

Zbardhet dinamika e plagosjes në Shkodër/Autori u largua pa gjurmë, dyshohet për vrasës me pagesë

Zbardhet dinamika e plagosjes me armë zjarri të Dedë Pllanajt mbrëmjen e djeshme (30 prill) në një pikë karburanti në aksin Shkodër-Koplik.

60-vjeçari ishte në punë si çdo mbrëmje. Një person i cili lëvizte me motor, i është afruar, ka zbritur nga motomjeti dhe ka qëlluar 8 herë me pistoletë në drejtim të Pllanajt.

60-vjeçarin e kanë kapur 6 plumba në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë pas ngjarjes, autori ka hipur në motor dhe është larguar në drejtim të Koplikut.

Në atë aks janë me dhjetra rrugë dytësore fshatrash duke i dhënë shumë mundësi autorit për t’u fshehur.

Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të karburantit ku ndodhi plagosja për të parë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Gjithashtu po sekuestrohen edhe kamerat e subjekteve përgjatë aksit Shkodër-Koplik, pavarësisht se janë të pakta.

Policia ka dyshime se autori është vrasës me pagesë, ndërkohë që po vijon punën për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes së Dedë Planit.

Pas plagosjes, Dedë Pllanaj është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Por për shkak të plagëve të marra, 60-vjeçari është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.

LIDHJA E 60-VJEÇARIT ME BARDHOK PLLANAJN, I EKZEKUTUAR NJË VIT MË PARË

60-vjeçari Dedë Pllanaj është djali i xhaxhait të Bardhok Pllanajt, i cili u ekzekutua me breshëri automatiku një vit më parë në fshatin Dobraç i Ri në Shkodër.

Bardhok Pllanaj, i cili njihej edhe me nofkën “Kumbari i Shkodrës”, ishte duke udhëtuar me automjet teksa një makinë e ka ndjekur nga ku autorët kanë shkrehur breshërinë e kallashnikovit. Pasi u qëllua, Pllanaj humbi kontrollin e mjetit, duke u përplasur me një biznes aty pranë.

Autorët ishin të vendosur për ta ekzekutuar duke e ndjekur deri në momentet e fundit dhe më pas u arratisën nga vendi i ngjarjes pa gjurmë. Dy automjete u gjeten më pas duke u djegur brenda të cilave ishin edhe dy armë automatike.

Pllanaj ishte përfshirë në trafikun e drogës dhe rreth 7 vjet më parë, pas një operacioni policor antidrogë, ai arriti të shpëtonte pasi u “fsheh” në automjetin e ish-deputetit Mark Froku.

Bardhok Pllanaj njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10-katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove. Gjithashtu Bardhok Pllanaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike