zoom

Aktualitet

Xhamia e Namazgjasë do të ketë një imam turk

Në krye të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë do të jetë një imam turk.

Sipas një reagimi në rrjetet sociale, drejtimi i xhamisë i është besuar imamit Enes Bastur.

Ai vetë ka njoftuar në “Facebook” lajmin, por më pas e ka fshirë postimin.

“Të dashur miq me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgja në Tiranë”, shkruante ai.

Lajmi për emërimin e një imami turk në vend të një hoxhe shqiptar në krye të Xhamisë së Namazgjasë qarkullon përpara vizitës zyrtare që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të ketë të enjten në Shqipëri.

Sipas burimeve, ai do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj e me kryeministrin Edi Rama, ndërsa pritet të inaugurojë edhe Xhaminë e Namazgjasë, pranë selisë së Parlamentit.

Lajmi për emërimin e imamit turk ngjalli reagime e pakënaqësi, duke akuzuar drejtuesit e Shqipërisë se po lejojnë shërbimet antikombëtare në vend.

“Pas shpalljës së shtetit Bektashi në zemër të Tiranës, vazhdojnë legalizimet e shërbimeve të huaja sekrete fetare të armiqve të kombit tonë.

Tani edhe Turqia emëron imamin turk në gjamin “namazgjasë” në Tiranë.
Vet imami turk Enes Bastur e bëri me dije këtë lajm.

Edhe në Trojet e Maqedonisë shqiptare dhe në Kosovë, shumica e imamëve janë të emëruar nga Serbia, ose Turqia, ose nga shtetet arabe.

Sherbimet antikombëtare luajnë para hundëve te ne shqiptarët të lirë dhe pa i penguar askush.
Politikualet tanë jo që përpiqen t’i pengojnë këto qarqe, por përmes emisarëve të tyre, e ndihmojnë legalizimin”, tha inxhinier Xhafer Murseli.