zoom

Aktualitet

Wizz Air lë qindra pasagjerë në tokë, anulon fluturimet në Katania dhe Eindhoven

Kompania Wizz Air la sërish sot qindra pasagjerë shqiptarë në aeroport, duke mos u dhënë asnjë shpjegim.

Dy fluturime me destinacion Italinë dhe Holandën u anuluan në minutën e fundit, teksa pasagjerët kishin bërë check-in dhe prisnin të imbarkoheshin në avionë.

Avioni i linjës Rinas – Katania ishte parashikuar të nisej në orën 1:10 minuta. Pak minuta më pas do të nisej edhe avioni i linjës Rinas – Eindhoven.

Pasagjerëve u është thënë në momentin e fundit se dy fluturimet janë anuluar, por pa u dhënë asnjë sqarim mbi arsyet dhe as pa u komunikuar nëse do t’u vihet në dispozicion një avion tjetër linje.

Ata kanë provuar të kontaktojnë me kompaninë, por ka qenë e pamundur.

“Nuk dimë ku të drejtohemi. Këta as duan ta dinë fare. Na lënë këtu dhe as ua ndjen”, i tha njëri nga pasagjerët Zoom.al.

“Më ka prishur shumë punë. Kam takime pune për të zhvilluar dhe tani as nuk e di se kur do i bëj”, u shpreh një tjetër. “Këtu ka edhe njerëz që po udhëtojnë për vizita mjekësore që i kanë planifikuar prej muajsh e kanë qenë në pritje”, shtoi ai.

Po sot, Wizz Air anuloi pa paralajmërim edhe fluturimin e linjës Tiranë – Frankfurt.

Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani lë pasagjerët nëpër aeroporte, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Europës ku ajo operon.

Kur u prezantua për herë të parë në Rinas nga koncesionari që menaxhon aeroporti, u tha se Wizz Air do të sillte jo vetëm bileta me çmime të lira, por edhe shërbim cilësor.

Por në pak vite operim, Wizz Air ka sjellë probleme të shumta te ata që e kanë zgjedhur atë për të udhëtuar, me vonesa të gjata, ndërrim destinacionesh në minutën e fundit apo anulim fluturimesh.

Por pavarësisht problemeve që ka shkaktuar, autoritetet shqiptare nuk ndërhyjnë me hapa ligjorë për të mbrojtur qytetarët nga dëmet që po u sjell kjo kompani.

Së paku, Autoriteti i Aviacionit Civil do të duhet të kishte nisur ndëshkimet administrative apo edhe procedurat për t’i hequr licensën, pasi ekzistojnë të gjitha arsyet ligjore për masa të tilla.  /Zoom.al