zoom

Aktualitet

Vrau për hakmarrje Sanajn, ky është Vladimir Kola. U ekstradua nga Gjermania, historia e konfliktit

Kjo është fotografia e Vladimir Kolës, i cili u ekstradua sot nga Gjermania në vendin tonë, pasi akuzohet për vrasje.

Krimi me motiv hakmarrjen dhe që pati bashkëpunëtorë, u krye më datën 3 tetor 2022, rreth orës 22:50, tek “Kodra e Diellit”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, rezulton se shtetasi Vladimir Kola, në bashkëpunim me persona të tjerë ka qëlluar për vdekje shtetasin Briken Sanaj. Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Italia në Lezhë për një dasmë me familjen, por kishte blerë edhe shtëpi në zonën ku ndodhi krimi.

“Sot me datën 16.04.2024, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden, në Gjermani u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar  Vladimir Kola, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Ai akuzohet për plagosje me pasoje vdekjen, keqtrajtim, vrasje, armembajtje pa leje, eksplozive etj.”, njoftoi Policia e Shtetit.

Sanaj kishte plagosur vite më parë vëllanë e të dyshuarit Kola, teksa konfliktet nuk ishin shuar dhe përfunduan në gjakmarrje. Viktima kishte ndryshuar edhe identitet dhe prej vitesh nuk vinte në Shqipëri, teksa kishte krijuar familje në vendin fqinj, por fundi ishte fatkeq.

Autori ka marrë informacione të sigurta për kthimin e objektivit, duke e ndjekur dhe ekzekutuar, pasi bleu armë dhe makinë në Kosovë. /ZOOM.AL/