zoom

Aktualitet

Vrau djalin e xhaxhait me thikë një dekadë më parë, Apeli i ul dënimin me 4 vjet Granit Shehut

Gjykata e Apelit ka ulur me 3 vite e 8 muaj burg dënimin e të pandehurit Granit Shehu, i cili në vitin 2015 vrau kushëririn e tij me thikë pas një sherri.

Shehu është dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg në total, teksa Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.

40-vjeçari Granit Shehu është arrestuar në Britani në vitin 2018, teksa ishte dënuar fillimisht me burgim përjetë në Shqipëri për vrasjen e Milazim Shehut në vitin 2015. Pas një procesi maratonë ai mori 17 vite burgim pas rigjykimit me vendim të Gjykatës së Lartë, por që janë zbutur sot me rreth 4 vite të tjera.

Ngjarja ndodhi në zonën e Bathores, teksa Shehu më pas arriti të arratisej. Mediat britanike bëjnë me dije se Policia ka qenë prej kohësh në kërkim të Granit Hoxhës dhe dyshohet se shqiptari ka pasur lidhje të forta në ishull me Londër, Eastbourne, Leeds apo dhe Midlandsin Perëndimor.

Njoftimi i Gjykatës:

“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale G (G). Sh, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim’’, të parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 16.09.2015, në rrugën “Horizonti”, të Bashkisë Kamëz. Shtetasi me iniciale M. Sh është goditur nga i pandehuri G. (G). Sh (kushëriri i tij), disa herë me mjete të forta dhe prerëse, duke i shkaktuar atij plagë të rënda, deri në humbjen e jetës.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane, me vendimin nr. 3314, datë 31.10.2016 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, dhe në bazë të nenit 78/2 të Kodit Penal e dënon atë me 24 (njëzetekatër) vjet burgim. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri G (G). Sh dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.

Vuajtja e dënimit do të fillojë nga data e arrestimit. Çështja në apel është shqyrtuar mbi bazën e ankimeve:

1.Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkoi:

– Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj të pandehurit me iniciale G (G). Sh .

-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh ., për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje në dëm të shtetasit me iniciale M.SH”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

-Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.Nga i pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh i cili kërkoi :

–Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh për veprën penale të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal “ Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike” apo 83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse.

Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 2082, datë 03.10.2018 ka vendosur:

–Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 3314, datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, kanë ushtruar rekurs :

1.Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë e cila kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim kësaj gjykate”.

I pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh i cili ka kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim duke urdhëruar ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga neni 78/2 të K.Penal “Vrasja me paramendim” në veprën e parashikuar nga neni 82 të K.Penal “Vrasja në kushtet e tronditjes së fortë psikike” ose neni 83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse.

Gjykata e Lartë bazuar në nenin 112/3 , të K.Pr.Penale ka konstatuar palvefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për mungesë të arsyetimit lidhur me cilësimin ligjor të veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal, dhe me vendimin nr. 298, datë 07.11.2023 ka vendosur:

“Prishjen e vendimit nr. nr. 2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me tjetër trup gjykues”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 3314 , datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si vijon:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.

-Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri G (G). Sh denohet me 13 (trembëdhjetë) vjet e 4 (katër ) muaj burgim.

-Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit të tij”. /ZOOM.AL/