zoom

Aktualitet

Vrasja në Don Bosko, merren në pyetje daja dhe vëllai i viktimës

Edmond Crroji, daja i 35-vjeçarit Erion Çela që u ekzekutua në një atentat me breshëri plumbash dy ditë më parë në zonën e Don Boskos është marrë në pyetje nga policia. Burime bëjnë me dije se është pyetur edhe vëllai i viktimës Blerim Çela. Dyshohet se shënjestër e atentatit mund të ketë qenë Crroji, por mesa duket diçka shkoi keq dhe i vrarë mbeti nipi i tij.

Të dy ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk ia kanë idenë se kush janë autorët. Megjithatë kjo deklaratë nuk i ka bindur hetuesit dhe ka dyshime se konflikti mes palëve ka nisur për shkak të pazareve të prishura të drogës.

Policia po ekzaminon edhe automjetin e Crrojit dhe banesat e të plagosurve, por nuk janë gjetur sende të kundraligjshme që mund të vihen në funksion të hetimit.

Nga ana tjetër, janë kryer kontrolle edhe në varreza makinash brenda dhe jashtë Tiranë. Policia e Tiranës ka kërkuar që të kontrollohen makina të ngjashme me atë të autorëve, pasi ka dyshime se i kanë ndërruar targat dhe e kanë nxjerrë sërish në qarkullim për të humbur gjurmët.

Atentati ndodhi rreth orës 16:15 të martën, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Personat e armatosur lëviznin me një automjet tip “Mercedes E Class” të zi dhe vetëm njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga jashtë në drejtim të lokalit, ku ndodheshin të ulur në një tavolinë viktima dhe personat e tjerë. Për pasojë mbeti i  vdekur në vend Erion Çela si dhe u plagosën katër të tjerë, të cilët u dërguan te spitali i Traumës.

Të plagosurit ishin: Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Crroj , 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit ishte klient në lokal i ulur në tavolinën ngjitur dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.