zoom

Aktualitet

Vrasja e Gentjan Bejtjes/ Kush është Florian Plaku, pjesë e grupeve kriminale të Vlorës

Florian Plaku, 41 vjeç nga Vlora, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Gentian Bejtjes në fshatin Larushk të Fushë-Krujës në mars të këtij viti.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ai fshihet në Dubai, ndërsa rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për “krime kundër personit”. Po ashtu ai njihet edhe si pjesëtar i grupeve kriminale që veprojnë në Vlorë. Florian Plaku, po ashtu përdorte edhe mbiemrat Serjani dhe Mamo.

Ndaj shtetasit Florian Plakut, alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Sipas hetimeve, ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, janë larguar në aksin rrugor Larushkë-Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.

Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volksëagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.

Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volksëagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë së tij në një atentat të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës, duke punuar, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend.