zoom

Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Papa, Gjykata refuzon gjykimin e shkurtuar për 2 shokët. Saga e përgjakshme

Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të Andrew Bodes dhe Albano Velos (foto poshtë), dy shokëve të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, dy vite më parë në kryeqytet, pranë zonës së Selitës.

Pritet që vendimi i marrë të zbardhet dhe të jepen shkaqet e refuzimit të kërkesës së palës mbrojtëse.

Të pandehurit kanë mbajtur qëndrime mohuese për krimin. Biznesmeni Papa ishte nëpërplasje me Aleksandër Sadikaj, ky i fundit i hedhur në erë me makinë pranë TEG-ut tre vite më parë, në një luftë të dukshme dhe të përgjakshme mes grupeve kriminale për prishje pazaresh.

Aktivitetet kryheshin në Greqi, nga ka zanafillën edhe lufta mes ish-miqve, tashmë viktima. Në shenjë hakmarrjeje, miqtë dhe të afërmit e Sadikajt (foto poshtë), edhe ky së fundmi kishte ngritur biznese në Tiranë dhe Memaliaj, ndoqën Papën nga Saranda për në Tiranë, ku solli nënën e moshuar për vizitë dhe e vranë brenda një lokali, teksa pinte kafe.

Shkak i luftës së përgjakshme mes bandave besohet se është trafiku i drogës dhe humbja e 700 kg hashashi në Greqi, përgjegjësia për të cilin ishte e Sadikajt, por ky tha se ia vodhën. Grupi dyshoi se ai e sajoi historinë dhe fitimet i mbajti vetë, duke u hakmarrë.

Celula dyshohet se drejtohet nga burgu, nga ku jepen edhe porositë për biznesin apo eliminimet. Deri tani numërohen të paktën 8 të vrarë nga kjo luftë, që nga viti 2021 dhe në vijim. /ZOOM.AL/