zoom

Aktualitet

Vjedhja përmes bursave online, Erion Braçe kryqëzon AMF në parlament

Ish-zv/kryeministri Erion Braçe, ka reaguar për vjedhjen që iu bëhet qytetarëve të huaj nga kompanitë e rreme në Shqipëri. Ai shkruan se mashtrimi dhe vjedhja me call center është e njohur qartë prej majit të vitit 2018.

Braçe, teksa publikon disa dokumente, thotë se evidentohet mashtrimi, i cili jo vetëm që ka vijuar, por edhe është zgjeruar, duke u bërë masiv dhe duke goditur në Gjermani dhe Holandë. Erion Braçe ka publikuar dokumente të vitit 2018, që i referohen seancës dëgjimore për vlerësimin e punës së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Këmbëngulja e opozitës për të diskutuar çështjen e përgjimeve të publikuara nga PD një ditë më parë nuk do ta shpëtonte Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga seanca dëgjimore, për këtë insistoi vetë kreu i këtij Komisioni.

Mazhoranca një vit më parë shkarkoi Enkelejda Shehin për arsye të mos përmbushjes të rekomandimeve të lëna nga Komisioni, ku problem kryesor ishin masat ndaj Byrosë së Sigurimit. Por edhe Drejtori i emëruar së fundi, Ervin Koçi, sipas mazhorancës nuk ka bërë si duhet detyrën dhe duhet të shkarkojë Drejtorin e Përgjithshëm të Byrosë. Kryetari i Komisionit, Erion Braçe e kërcënoi hapur.

Komisioni i Ekonomisë mund të nisë procedurat për shkarkimin e kreut të AMF-së, por vendimin e merr parlamenti. Për deputetët e mazhorancës, krijimi i borxheve të reja ndaj qytetarëve të Byrosë së Sigurimit, në masën 4 milionë euro, do të mjaftonte që drejtori i Byrosë të shkarkohej./Zoom.al/